Kulturë
Qazim Shehu: Armë të vonuara
E merkure, 09.11.2016, 07:15 PM
ARMË TË VONUARA
Tregim nga Qazim D. Shehu
Më në fund kishte mbërritur në Drenicë. E pabesueshme, po kjo kishte ndodhur. Dikur moti kishte menduar se ishte më lehtë të shkonte në fund të botës , sesa të kapërcente një kodër e të hidhej nga Tropojë e Vjetër për në Kosovë. Ja që e deshi zoti për të madh të vet, që të ndodhte kjo, ja që u derdh aq gjak njerëzish dhe u bë dëm sa pasuri , po kjo ndodhi dhe , Bislim Çekaj , ende nuk po u besonte syve të vet. Për Drenicën i kishte folur i ati qëkur, ai kishte mësuar në tekstet e historisë për Shotë e Azem Galicën, për këta njerëz të spikatur të trimërive të pafundme. Dhe gjithëherë e kishte përfytyruar këtë krahinë si një kështjellë të pamposhtur me bëma të zjarrta, zhytur në tymin e një kohe të rrebeshuar vazhdimisht.
Drenica shtrihej para tij e shkretuar, një heshtje e kishte kllaposur, ndërsa dita e qershorit ndriste e bollshme në tanësinë e vet si një ilaç i mirë mbi gjithë ato shtëpi të djegura, mbi kodra e lugina që valëzonin e s`gjenin qetësi nga një dhimbje që akoma nuk u kishte ikur. Bislimi kishte ardhë mik tek Bajram Kushumlia. Me Bajramin kishin ndenjur së bashku në Tropojë të Vjetër , tash e dy muaj. Bajrami pati sjellë aty familjen, dy nuse e dy djem të vegjël, nënën e tij të vjetër, tetëdhjetëvjeçare dhe një vëlla sakat nga një këmbë. Vetë ishte nisur e kthyer për të luftuar në UÇK. Deshi zoti dhe ai kishte shpëtuar, po një e çarë e vështirë i bënte vend mbi ballë. Bajrami ishte i çelur dhe në buzë i rrinte vazhdimisht një qeshje e pafajshme. Bislim Çekaj ndihej tepër i respektuar. Po bëhej një ditë që kishte ardhë dhe shihte përreth një shkatërrim që i kallte një ndjesi të kllaposur. Tek miku nuk duhet të shkosh kur ai është në vështirësi për t`ia rënduar të ndenjurin tend, kur ai s`di ti japë hall vetes, mendonte me vete, ndaj ai këkoi leje të ikte, po nuk qe e thënë. Jo, kishte këmbëngulur Bajrami, pa ardhë vëllai prej Zvicre, ti nuk mundesh me ikë, qe, po rrimë e po çmallemi bashkë e po e heqim mërzinë po bashkë, ndryshe nga atëhere në Tropojë të Vjetër, kur rrinim të dy me zemër të ngrirë , duke pritur, me sot e nesër se kur po çlirohej Kosova, thoshte gjithnjë Bajrami e për të mos e lënë mikun të ndjehej ngushtë e merrte ndonjëherë e dilnin e shetisnin nëpër fshat. Fshati qe kthyer në gërmadhë. Të vinte keq të shikoje ato vila , dikur të bukura, që ishin prerë në mes , diku nga ndonjë predhë a diku nga flaka. Njërës i ishte hequr çatia e tjetrës i qenë rrëzuar si të hequra me dorë dy faqe muri. Pemët ishin përzhitur ndërsa qershitë, ato që s`qenë prerë nga ndonjë gjyle , kishin filluar të lulëzonin. Qe bërë një katrahurë e madhe, po njerëzit nuk rrinin. Ata i ishin kthyer punës në heshtje, dhe, ndërsa Bajrami u paraqiste mikun e tyre, menjëherë e linin punën dhe me një dashamirësi të heshtur që u shfaqej në sy, brenda një admirimi të këndshëm , fillonin dhe e pyesnin Bislimin për Franin nga Lekbibaj e Ndocin nga Curraj i Epërm, për Dranen , Gjylen, Fatmirën e Shkëlzenin nga Llugaj, për Lulin nga Bajram Curri e me radhë. . . Bislimi ca i njihte e ca jo, po gjithnjë nuk harronte të pohonte se për çdonjërin kishte dëgjuar. Njerëzit nuk e fillonin punën pa u larguar Bislimi, dhe ai e kuptonte se kjo nuk shkonte. Drenicarët ishin shumë të mirësjellshëm, madje secili e luste të darkonte e të rrinte pakëz në shtëpinë e vet , ndonëse shtëpitë ishin në ndërtim e sipër. Miku i mirë pritet pa salltanete , se miku i mirë kurrë nuk ta hedh fjalën tjetërkund e sidomos ai që nuk ishte mik, por vëlla e kaluar vëllait. Këto fjalë e preknin Bislimin dhe ndjente një përkëdhelje në sedër , larg çdo mendimi se ndjehej i rëndësishëm , përkundrazi ndjehej i lumtur.
Ishte dita e tretë që ai shetiste me Bajramin nëpër fshat , ishte kjo ditë që ia kishte mbushur mendjen se çfarë ishin këta njerëz, se si ishte e mundur të sulmoheshin e të përziheshin nga shtëpitë, pikërisht ata të cilët e donin vatrën aq shumë. Bajrami si Bajrami… edhe ditën e katër nuk duhej të ikte. Ai e dinte se kishte punë, po për hatër nuk duhej të ikte. Dhe ai nuk kundërshtonte. Ditën tjetër dolën sërish nëpër Drenicë. Kudo shtëpi të shembura, çati të hequra , shenjat e një tymi të zi. Aty këtu nëpër livadhe kutërbonte mishi i përzhitur në kalbje i bagëtive. Bislimit po i bënte përshtypje pamja e disa vilave të bukura. Ishin bosh , pa banorë. Ai e pyeti një ditë Bajramin për këtë
-Janë të disa njerëzve të veçantë , tha Bajrami. Bislimi bëri sikur kuptoi diçka. Ai nuk deshi ta zgjaste më fjalën, po Bajrami sikur kuptoi se tjetri donte ta mbushte këshërinë. Ai vazhdoi.
-Këto janë shtëpitë e ca njerëzve që janë ndy me anmikun, dhe tani nuk guxojnë të vijnë këtu. Të gjithë i njohim, ne e dimë se për çfarë u bë, nuk është faji i tyre, po faji më i madh është se ata i shërbyen atij duke u dorëzuar dhe duke dhënë ndonjë informatë të vogël…
-Ç`trishtim, mërmëriti Bislimi, ndërsa nuk deshi ta zgjaste më këtë bisedë, ndonëse nuk e kishte menduar se do merrte një rrjedhë të tillë pyetja e tij. Atij sepse i erdh dëshira ta risillte sërish atë kohë të shkuar në pak ditë, kohë që ndante kohrat në një prag magjie.
Lajmi për çlirimin e Kosovës u besua në Tropojë sikur u ul Shkëlzeni, për t`i hapur rrugën një dielli të ri. Dhe kur ky lajm u besua dhe u bë i zakonshëm , Shkëlzeni u pa të rrinte aty ku ishte. Hareja dhe gëzimi ndër shqiptarë ishte i papërshkrueshëm, e veçanërisht për shqiptarët e Kosovës , të cilët rendën në të katër rrugët duke prenotuar furgona e makina për të shkuar sa më parë në trollin e tyre, ani edhe pse shumëkush ishte njoftuar që më parë se shtëpia qe djegur apo nuk do gjente më atje atë mall dhe pasuri që kishte pasë para lufte. Kjo s`kish rëndësi. Rëndësi kishte që Kosova ishte çliruar dhe ata do ktheheshin në trojet e tyre , ndryshe nga më parë , pa pasë në krye kënd, vetëm veten …. Kosova ishte e çliruar, dhe me gjithë dëmet njerëzit qenë kthyer tek vatra e tyre dhe kosovarët si njerëz punëtorë dhe që nuk mund të rrinin kurrë në vend, i ishin futur punës së rindërtimit. Këtë ai ia tha në darkë Bajramit tek rrinin rreth vatrës dhe shikonin në televizor. Bajrami heshti dhe nuk ktheu përgjigje. Ai kishte një fytyrë të përqëndruar në ca kujtime të largta dhe thithte me ngadalë tymin e duhanit, apo donte të mos ia prishte Bislim Çekajt për këtë gjë. Gjithësesi Bislimi kishte dëshirë të fliste, ai gëzohej dhe entuziazmohej dhe mezi priste që të nesërmen të gdhinte e të shihte ata njerëz që qenë turrur me një vrull të paparë për të ndërtuar shtëpitë. Kjo ishte domethënëse dhe e gëzonte. Këta njerëz nuk ishin sidokudo, ata ishin punëtorë fjalëpakë dhe flisnin shtruar, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kjo e folur i pëlqente dhe kishte dëshirë të dëgjonte herë herë sesi mereshin me njëri tjetrin, si ndërtonin një gjest apo një fjalë. Edhe të nesërmen nuk mundi të ikte, por edhe s`mund të rrinte ashtu, duke parë të tjerët si punonin. I dukej sikur kishte ardhë vetëm për të soditur. Kjo nuk shkonte. Kur kosovarët erdhën atëhere në Tropojë, ata nuk rrinin , po menjëherë u futën nëpër punë të ndryshme edhe pse nuk i thirri kush në to. Bislimi e njihte mirë muraturën, punët hidraulike dhe zdrukthtarinë, po ata thanë se kishin njerëz që i njihnin këto zanate dhe miku nuk futet kurrë në punë. Me Bajramin e lidhte një miqësi e hellë, e respektonte tej mase dhe e dinte se Bajrami jo vetëm ia dëgjonte fjalën, po edhe nuk përtonte që fjalën e tij ta mbante vëth në vesh. Bislimi shihte shtëpitë e braktisura dhe një ditë i tha atij se në ato vila, të tradhtarëve apo serbëve të ikur, mund të gjenin shumëçka që i duhej atij për të ndërtuar shtëpinë e re. Bajrami e pa me vëmendje dhe heshti. Heshtja nuk i pëlqeu Bislimit. Po priste sesi do rridhte biseda më tutje dhe Bajrami nuk e ngau më fjalën. Atij iu duk marre dhe tepri që ta vazhdonte atë bisedë , ndërsa tani po shikonte sesi në objektin e ri mungonin gjëra, mungonin dyert, dritaret dhe madje edhe prizat. Të nesërmen kur donte të ikte, Bajrami këmbënguli sërish se ai duhej të rrinte. Dhe ai ndenjti. Kishte dëshirë të shikonte nëse Bajrami do ta prekte atë vilën e heshtur përballë. Në portën e saj të kyçur kishte kohë që nuk hynte njeri. Në oborr dukeshin disa dërrasa të cila ishin stivosur qëkuri. Ishte shtëpia e një shqiptari të shitur. Fundja, a nuk duhej të shkonte Bajrami dhe ta hapte atë portë me një shqelm?Po Bajrami nuk lëvizte. Ç`ndjenjë e mbante këtë burrë që të mos e kryente këtë?Një frikë apo diçka tjetër, ndërsa ai mirëfilli e dinte se Bajrami nuk kishte frikë. Do shkoj vetë, tha, ndërsa u nis t`i merrte ato dërrasa që rrinin stivë nën diell dhe iu afrua vilës. Derën e shtyu dhe pa se ajo ishte pa kyç. Kur ndjeu një zë.
-Kthehu prapa!Ishte Bajrami. Ai e kishre ndjekur me bisht të syrit. Nuk preket mall i tjetrit, dëgjoi zërin e tij.
-Po ata janë tradhtarë, tha Bislimi, ata s`vijnë më këtu.
-Ani, tradhtarë janë dhe unë e di se kush janë, e di sa nder u kam bërë, sa qeder më kanë sjellë, sesi më përzuri serbi duke spiunuar ata, po mallin nuk dua ta prek. S`më përket mua, ndërsa e drejta për të marrë hak, po. Çfarë e shtynte atë burrë të vepronte kështu, as vetë Bislimi nuk po e kuptonte. Nuk ishte as shumë fetar, ai Bajramin e njihte mirë, po ndërsa po mendonte kështu, papritur në oborr erdh një makinë e clila i vërshëlleu gomat në pluhur. Sipër saj ishin ngarkuar dërrasa të freskëta të saponxjerra nga lënda e pylli. Bajrami urdhëroi njerëzit të shkarkonin makinën , thirri shoferin mënjanë dhe i zgjati një tufë me bankënota. Bislimi e mbylli këtë fjalë dhe nuk kishte dëshirë të fliste më për dërrasat e vilës së braktisur. Në darkë vonë ai i tha Bajramit se të nesërmen duhej të ikte. Do vinte sërish e sërish, tani rrugët shyqyr zotit u hapën. Tani po, të jap leje tha Bajrami dhe atë natë në odën e tij erdhën mjaft njerëz. Pleq të vjetër me kapuçë të bardhë, i lëshuan kryet e vendit. U bë një bisedë e këndshme dhe u kënduan këngë. Bajram Kushumlia foli si e kishin pritur në Tropojë. Ishte herë e parë që fliste për këtë. Ai tregonte gjëra që diheshin tashmë, dhe kurrë nuk tha se ç`kishte vuajtur vetë. Të nesërmen Bislim Çekaj pasi u nda me Bajramin rrotullonte timonin e makinës nëpër ca kthesa të buta, gjersa ra në një rrugë të drejtë. Në bagazhin e makinës Bajrami i kishte futur mjaft gjëra dhe ai nuk e dinte se çë. Anash rrugës rrëshqisnin fusha të heshtura dhe shtëpitë e djegura. Ishte një pamje trishtuese dhe ai shihte majë çative njerëz që jepnin dhe merrnin me njëri tjetrin. Kosovarët nuk kishin pritur , ata menjëherë i ishin grahur punës. Shtëpitë duheshin ndërtuar sa më parë. Pasi kapërceu një pyll , ai u ndal tek një kthesë dhe vuri re se aty ndodhej një burim. Bënte vapë. Ishte mirë të freskohej pak. Sipër burimit vinte një korie e vogël me drurë dushku dhe shkoze. Më tutje vendi rripej nga mungesa e bimësisë dhe fillonte një pyll tjetër. Megjithëse ishtë bërë luftë, pyjet s`shin prekur , as ishin djegur apo prerë. Bislimi po shikonte rretheqark i mahnitur nga ajo bukuri përpirëse. Burimi kishte një llërë ujë dhe vrushullonte nëpër një tub çeliku nga zemra e atij dheu të shkrifët që mbahej nga rrënjët e pemëve. Pak më tutje ishin hedhur disa mbeturina të sistemuara. Dikush duhej të kishte qenë pak kohë më parë këtu. Mbeturinat tregonin për një udhëtar të ngutshëm. Bislimi pasi piu ujë , u ul dhe ndezi një cigare. Ai nuk e dinte saktësisht se ku ishte , po tutje, jo larg në horizont dukeshin malet e Tropojës. Duhej të ishte afër. Dita i pëlqente me kthjelltësinë e saj. Nëpër drurë vërshëllente një erë e lehtë e cila përcolli një lëvizje të beftë që duhej të ishte gjurmë njeriu. Ai nuk gaboi. Vërtetë , pas pak u dha para tij një njeri. Ishte një burrë me një mjekër majuce. Sytë e tij shprehnin tmerr. Kuptohej se rrinte pranë atij burimi për të takuar dikë. Burri duhej të ishte nja gjashtëdhjetë vjeç. Fytyra shprehte një përvujatje të thellë, sikur të mos dilte ende nga pendesa. Barku i fryrë dhe thinjate rralla tregonin një jetë pa kokëçarje, ndërsa fytyra shprehte tjetër gjë.
-Unë, or njeri, filloi ai -desha të bisedoj me ty. Ka kaq kohë që pranë këtij burimi s`kalon asnjeri. Kuptohet, që jeni mysafir, jo nga kjo anë. Mua më duhen armë dhe dua t`i blej ato.
-Armë kam sa të duash, - u përgjigj Bislimi, po nuk i kam me vete, i kam në Tropojë, prej andej jam, po desha me pyet kot, çfarë të duhen, tani Kosova u çlirua. .
Tjetri që nuk e priste këtë arsyetim, si i gjetur ngushtë kërkoi në heshtjen e tij një shteg, ndoshta ngaqë nuk dinte si të përgjigjej. Arma, pikërisht tani na duhet ne, tha ai, ne nuk morëm pjesë në luftë, madje ne iu përziem si keq. .
Bislim Çekaj kuptoi. Ai duhet të ishte një nga ata komshinjtë e Bajram Kushumlisë ose një si ata, që nuk guxonte të shkonte në shtëpi. Befas nga pylli dolën dy djem të rinj. Ishin të parruar dhe ata u afruan ngadalë, lehtë , ndoshta pasi ishin bindur se biseda midis të dyve ishte e afërt , paqësore. Ata vetëm tundën kokën , ndërsa ai më i vjetri , foli sërish. Ne e dimë se jemi në faj, ne e dimë se dikur nuk e kuptuam, por Drenica nuk të fal…E dimë se nuk mund të mbrojmë asgjë, por arma na duhet…Dhe nuk kemi, i paguajmë mirë. . para kemi…
Armë nuk kam tha Bislimi, duke harruar ç`kishte folur më parë, i shita çfarë pata, po edhe mund të gjej…Pas nja dy javësh kaloj këtu dhe mund t`i sjell. . Ai vuri re se sytë e të vjetrit shkëlqyen. Ndërsa dy djemtë e rinj rrinin në heshtje. Burri i vjetër nxori nga xhepi një tufë katrtmonedhash dhe ia zgjati. . Bislimi i mori paratë. dhe pa i numëruar ua rikthue. Ju keni besë, tha , kur të sjell armët. . Mbas dy javësh ai do u sillte nga një automatik, kallash, siç i thoshin në Shqipni. Besa besë, tha burri i vjetër dhe u bëri shenjë dy djemëve të futeshin në pyll. E lanë orën dhe datën e takimit. Ata ishin përherë aty dhe nuk kishnin si shkonin tek shtëpitë e tyre pa armë. Ishin si të thuash në dorë të tij. Kur Bislim Çekaj erdhi pas dy javësh me armët në bagazhin e makinës së vet, ndaloi tek burimi. Ai vërshëlleu, po nga pylli nuk po dilte asnjeri. Kur po mbushte një kotruve ujë, papritur i zuri syri i zuri një lepur që doli nga një ferrë. Kujtoi se ishte një nga ata. Vërshëlleu sipas mesazhit të koduar, qetësi. Priti e priti një orë, dy. Prapë qetësi dhe ujët e burimit që ndihej më tepër…Vetëm atëhere ai u kujtua se çfarë dëmi do t`i kishte bërë mikut të vet po të kishte çuar në duar ato armë. Dhe tani s`dinte çfarë të bënte, të shkonte tek miku dhe t`ia tregonte se çfarë i kishte ngjarë , a do e besonte ai, siç i kishte besuar dikur?Por duhej t`i thoshte se me armët e tij ata , armiqtë spiunë, mund ta kishin vrarë. Bislim Çekaj u nis andej nga kishte ardhë. Tregtia mund të bëhej mire, po çdo gjë tjetër përveç saj ia afronin ndonjë mendim për të qenë… Më mirë që nuk erdhën , mendoi me vete. Armët janë, sidoqoftë armë…U ndje i fëlliqur…