E diele, 28.04.2024, 12:34 AM (GMT+1)

Kulturë

Rrustem Berisha: Kurorë e poezive për Ulqinin

E diele, 13.11.2016, 10:22 AM


Kurorë e poezive për Ulqinin

Fjalë për librin e Nexhat Halimi “Kërcimi i drenushës” botuar në Ulqin nga “Diti & Oli” 2016

Nga Dr. Rrustem Berisha

Poeti që po e prezentojmë është krijues i suksesshëm, i cili prirjet shkrimore i ka shprehur në shumë gjini letrare. Ndjeshmëria dhe humaniteti i tij komunikojnë me fëmijët dhe me të rriturit përmes vlerave që ky poet i dha artit letrar.

Do theksuar këtu se ai është krijues me stil të veçantë dhe krejt origjinal për çka vepra e tij do analizë serioze. Duhet parë dhe qartësuar mundësitë e veprës për të komunikuar me masën lexuese, sepse shkrimtari me stil të tillë i shkakton lexuesit mund më të madh si  në kuptimin e përmbajtjeve ashtu në përcjelljen e porosive.

Mosha e Nexhatit, i lindur më 1949, deri këtu radhitë në krijimtari afër 40 vepra. Këto vepra i shquajnë karakteristikat e tyre specifike: zgjedhja e tematikës, format e reja shprehëse, zgjedhja dhe krijimi i figurave stilistike, tërë leksiku poetik i freskuar me fjalë e krijime të reja.

Sintaksa e gjuhës së Nexhatit është vetëm sintaksë e ligjërimit të tij dhe asnjë krijuesi tjetër. Me disa konstatime dhe vlerësime do t’i afrohemi librit poetik “kërcimi i drenushës”. Përmbajtja e librit e vërshon lexuesin me dhimbje e herë-herë me qëndresë, fitore e humbje, por është plot forcë e rezistencë kundër padrejtësive që ia bëri barrë historia popullit dhe atdheut të poetit. Në këtë drejtim është i mobilizuar ligjërimi i veprës që të kundërshtojë dhe të rezistojë derisa të ekzistojë e folmja jonë, sepse është rrëfim epik më tepër dhe është e tëra qëndresë e luftë. Këtë jehonë e sjell leximi i “kërcimi i drenushës”. Libri ka marrë rrugën që t’i pavdeksojë këta njerëz dhe këto vise. Ngrehinës krenare, bukuroshe të Ulqinit, i turren katastrofat natyrore, por edhe ato të lakmuesve armiq, që janë me përmasa biblike, por konstrukti i ndërtimit të tij, shpirti i banorëve të tij, e kanë ruajtur imazhin konstant qinda mijëra vjet. Një fizionomi me tipin e feniksit është krijuar në vepër dhe e bën të vlefshëm mundin e përmbajtjen që autori e ka investuar këtu. Tematika e librit, të shumtën, është luftë kundër të këqijave që me shekuj i vrasin njerëzit dhe e vrasin vendin, të cilët ishin të pajisur me famë nga lashtësia, por koha i shtriu mjerueshëm.

Libri është për Ulqinin dhe gjymtyrët e tij: për njerëzit, detin, fshatrat, çdo fjalë, çdo varg e çdo poezi me zërat e tyre poetik sjellin dhembje e dashuri. Këto zëra kanë forcë të çuditshme, sepse pikin gjak dhe prodhojnë gjak.

Porositë e librit janë të qarta për breznitë, kuptimet e tyre lidhen me realitetet historike gati ashtu si i  ndodh në rend kronologjia e ngjarjeve.

Vepra është hartim modern artistik.

Diçka do të përmendim shkurt nga këto ligjërime duke i shquar vende-vende vlerat e tij.

Ato që do të mbesin pa u thënë, mbesin hise e të tjerëve.

Hyrja në këtë ligjërim, poezia e parë, përkufizon pozitën e qytetit dhe shpreh mallëngjim, një lloj nostalgjie, që përngjan  më vonë në mbishkrim varri për ata që nuk marrin frymë në Ulqin. Pra, një është madhështia e qytetit dhe dy, pikëllimi për të larguarit qoftë me mërgim e qoftë me rrugën që kanë marr në botën e amshuar. Pra, kjo poezi  është një pjesë himn, një pjesë epitaf, është një konceptim i poetit që vërtetë ka dhunti shkrimi.

Në vijim radhiten poezi që e përshkruajnë Ulqinin herë me petka të vjetra antike, herë të mbushur me frute të cilat i gëzojnë banorët. Në përgjithësi Ulqini merr pamje të qytetit të begatshëm. Ai duket i varfër e i mjerë atëherë kur e rrahin dridhjet e termeteve apo e sulmojnë armiqtë. Por, nga ato kataklizma del dhe gjallëron me njerëzit e vet, natyrisht duke i bartur gjatë lëndimet e atyre plagëve. Po, ringjallet.

Pamja përshkruese e sjell qytetin midis pjesëve të natyrës – të  qiellit, yjeve, hënës , diellit ; midis objekteve të arkitekturës, kalasë,urave, shtëpive me dritare me qemer ; midis frutave, ullinjve shegave, fikëqvë, hardhive. Të gjitha këto e stolisin  Ulqinin.

Vërtetë dukja e tij është pamje e qytetit mbretëror. Këto tabllo i zgjojnë poetit asociacione për viset e Toplicës dhe tëÇamërisë, sepse ai atje  e ndien gjëmën e tyre të mbytur. Simbolika e Mollës së Kuqe pikë e coptuar në gur, për poetin do të thotë se viset e jeta atje janë shuar. Ky emocion i vjen me afrimin midis plagëve që bartë trupi i atdheut.

Nëpër endje të pa ndalshme poeti familjarizohet me Ulqinin. Udhëton nëpër rrugët e tij me vajzën e vogël Dea. I vjelin kënaqësitë që ka qyteti. Ndërkaq, te ankorimi i barkave e tret shikimin dhe pret letër nga vajza tjetër në mërgim Zana. Krijohet rrjedhje  e nostalgjisë me pikëllimet në familje dhe për copat e humbura të atdheut.

Toplica, Çamëria, Ymer Prizreni, Isa Boletini, Zana,janë ndërthurje dhe afrim i historisë që nga mbretëresha Teuta, kujtim  për  tërësinë e dramës që është luajtur mbi atdheun. Shikojmë vende fatprera e personazhe tragjike. Këtyre pikëllimeve u jep zë poezia  e Nexhatit.

Kur t’i themi këto, do të pohojmë se “Kërcimi i drenushës” ka simbolikë tjetër fare, jo atë të qenies së bukur. Drenusha në lëvizje  fizike kalon mbi ylberin. Kjo është qëndresë dhe fitore. Drenusha është personazh shprese.

Kompleksiteti poetik e bën veprën me infrastrukturorë origjinale të ligjërimit që është një cilësi e shkrimit modern të autorit.

Oqeani fle, ti larg gjithësisë i prek yjtë.

Njëri yll është ëndrra jote syri yt,

Është pika e ujit nga të ik nëpër fyt.

Ja përmbi pemën e kroit sesi bën dritë.

Edhe pas ndonjë episodi lirik në poezi siç është shembulli i cituar, autori kthehet tek kujtimet e rënda për fatin e qytetit, sepse edhe vonë, bajlozat hedhin topuzat mbi kokat e banorëve, prandaj breznitë vazhdojnë të lagen nga shiu, nga lotët, nga gjaku. Kjo është brengë e pakëputur në shpirtin e poetit.

Ka edhe poezi që na befasojnë, si fjala vjen, “një lule për nënën” është poezi  gjerdan i çmuar që flet se nuk duhet nëna me puthje e përqafime tradicionale, por me pajisjen e saj me cilësi e gjymtyrë të natyrës, të kozmosit dhe të fuqive të lashta legjendare. Flet për dashuri të madhe për një nënë të gurtë në themelet e Rozafatit. Nuk është dashuri me lule, por me jehonën e hapave të historisë dhe të legjendës që nëna të bëhet monument-përmendore:

“trëndafil në flakë amshimi të Rozafatit”

Disa poezi japin përfytyrim të ngjarjeve kaotike, të apokalipsit, të hapësirës kohore prej lashtësisë deri sot dhe përjetime në forma të ndryshme për fenomenin e rëndë. Dhe këto kataklizma mbyllin në vete dhimbje.

Nyjësimi  (hermetizëm) në të kuptuar paraqet edhe poezia “sonte veç ty”. Fantazia që e orienton poetin midis botës së gjallë dhe asaj të vdekur, kthen kah optimizmi:

“ja sonte kthehet edhe ajo që ra

Me ritëm të pikës së gjakut në hi”

Po “kërcimi i drenushës” mund të konsiderohet përsonifikim i shtojzovalleve apo i zanave të mira që dalin pranë ujërave apo në fushë të logut dhe krijojnë ambient të gëzueshëm. Kërcimi i krijesës mbi ylberin është forcë simbolike që personazhin dhe poetin i bënë ngadhnjimtarë:

“apo pylli i fjalës së pa Thënë

Në syrin tënd zgjon Ulqinin”

Atributi që mund t’i jepet këtij ligjërimi të vargjeve do të ishte i drejtë të kuptohet forcim i ekzistencës së qytetit, i cili gjallëron me banorët dhe me reliev të fortë të gurit. Ndoshta mund të jepet edhe supozim tjetër, por i forcuar gjithsesi me optimizëm. Stili i plot-figurshëm i veprës mundëson supozime e zgjedhje të situatave e të ngjarjeve në më shumë mënyra, kështu forcohet bindja për seriozitetin dhe kualitetet krijuese të autorit. Është e sigurt se ëndërrimi i poetëve është liri e tyre ashtu sikurse është edhe zgjimi i tyre. Ata me imagjinatë e fantazi i qasen realitetit, i takojnë kategorisë së të sakrifikuarve, por e prodhojnë amshimin. Krijimtaria e Nexhat Halimit sajohet nga përvoja e gjatë dhe përpjekjet e pakursyera.

Leximi i kujdesshëm na e forcon bindjen se vepra është kryekëput modern “gjarpri pa sy rikthehet mëngjesin detit ia pi” . Shihet këtu se kjo krijesë nuk vjen si mik i vatrës me respektin e totemit qysh e konsideron tradita jonë.

Probleme të rënda ende na sjell historia, sepse pas gjarprit shfaqet Gjergj Elez Alia i vdekur e i nevojshëm për ta forcuar traditën për mbrojtjen e nderit dhe të  vendit. Autori plotëson vakume duke hipur e zbritur ëndrrës, po qëllimi i tij është që pikat e rëndësishme historike t`i bëjë pjesë të idealit e të përpjekjeve të sotme.

Në nismën e qëllimeve për ta mbajtur të fortë qytetin ka krahë fshatarin, zejtarin, fëmijët, madje e ka edhe mikun poet nga Ulqini. Lyp qartësuar se nga uniteti kronologjik i përmbajtjes së librit temat e vogla bashkohen me atë për Ulqinin dhe na japin poemën e gjerë kushtuar qytetit.  Nuk do mend se dashuria e shprehur dendur në poezi e krijon me arealin artistik mburojën e Ulqinit. Këndohen gjërat që i kanë dhënë jetë Ulqinit: gurtë, uji,kripa,rrënjët e gjaku.

Pjesë defilimi është vrasja në pabesi e Isa Boletinit, figurës shembull të historisë sonë dhe të zëshmërisë fatlume nga taborri i atyre personaliteteve që erdhën me çelësat e pavarësisë së Shqipërisë. Na freskohet kështu kujtesa për sakrificat  e personaliteteve të çështjes kombëtare.

Bashkë me këto qëllime vendeve të molisura në aspektin ekzistencë, autori u jep eliksir shëndeti përqendrim në trojet e stërgjyshërve.  Në ato fshatra e sheh se po pakësohet popullsia. Autorin e ngacmojnë frymëzimet për detin , për barkat që hepohen mbi dallgët e rrezikshme, për drejtuesit e tyre, për kthimet e gëzueshme në brigje. Ai dëshiron fotografi të përbashkët me detin që arsenalin e tij ta ruaj në shpirt. E i dalin përpara kafkat e ndryshkura mbi gjakun e derdhur,  mbi ëndrrat e  librat e ndaluar. Poezia e Nexhatit lufton t’i mposhtë kotësitë, sepse butësia e zemrës sjell lule në çdo kohë e çdo vend që do të thotë jeta nuk shuhet. E nuk janë të gjitha frymëzimet pa dëshpërim. Rruga e pa shënuar, e pa rrahur, e pa gjetur për njëqind vjet është ulërimë e ligjërimit pas gjurmëve të Ymer Paçarizit. Këto fotografi  do gjenden e ruhen në brendi të maleve dhe në thellësinë e detit të shënuara me pika gjaku.

Poeti hulumton, ecën e frenohet,po nuk le pa e thënë atë që ia thotë zemra me guxim fizik e moral në çastin e kërkesës së historisë :

Deti dhe dhembja kosovar mbesin njëjtë yje

Fatit i rëndojnë bredhjet mërgimtare që ngjajnë me bredhjet dhe brengat e Odiseut. I kthyeri flet në gjuhë të huaj në vendin e vet, sepse ikja ia kishte rrëmbyer të gjitha dashuritë.

Bredhjet e poetit prodhojnë shumë pikëllim. Në takimin me Risanin, në rrugën Ulqin- Shkodër  sheh lot, shi, pika gjaku ashtu si të ishin krua mijëvjeçar.

Kudo e gjen forcën poeti për t’i mundur kotësitë.

Poezia kumton me fjalor të pasur. Fjalët: gjak, djegie,ujë, lot, gur, kështjellë, kala, bedena, dallgë, deti, perdet e hekurta, pulëbardhat, zogu,gjarpëri, kali, hardhia, ulliri,fiku, shega, rrufeja,ëndrrat,flaka,pylli,kambanat,shpatat,atdheu, zoti im, thikat,fanarët, antika,kumria, vërbëria, robëria e shumë të tjera poetizohen në mënyrën më artistike duke shprehur konotacione të forta, janë të figurshme , domethënëse me vlerë dhe mendime solide. Personazhet e kësaj lirike, një pjesë janë epike që përdorin ose e nxisin poetin që të flet me narracion interesant dhe origjinal.

Porosia e poezisë është porosi humane :shprehet dashuri e thellë për vendet dhe njerëzit. Shprehet respekt për figurat e ndritshme e të përjetshme në historinë e kombit. Ai na e freskon kujtesën dhe na e forcon adhurimin për te gjitha ato që populli i deshi dhe i çmoi.

Prandaj, jehona e tyre në poezi na vjen e dhimbshme , na vjen edhe dashuri forcuese.

Poeti na shkruan, pra, edhe pjesë të jetës dhe pjesë të historisë.

Llojllojshmëria e rimave e strofave, teknikat e tjera të vargërimit, fjalët e vendosura jo me rëndomësi ligjërimi por në vendin me kuptim të ri,  na bindin për talentin e pa kontestueshëm të Nexhatit.

Përmendja e shpeshtë e pikave të gjakut vjen si refren që prodhon qëndresë. Vetëm kështu mund të kuptohet, kurrsesi dështim dhe kurrsesi pesimizëm. Forcën e tillë e tregon lidhja e poetit me këtë vend dhe, fundi ,dëshira e tij aq e shpeshtë që e përmendë varrin e tij këtu.

Unë nuk heq dorë nga ti Ulqin deti

Pa rënë nga unë çdo gjë deri në hi.

Dashurinë e Nexhatit për këtë trevë nuk ka kurrkush të drejtë ta mohoj, sepse vargjet e cituara janë betimi  i tij i shenjtë.

Ai i këndon gjerësisht Ulqinit dhe detit dhe bukurive të tij të florinjëta. Ai i këndon Ulqini e detit dhe plagëve që bartin me shekuj.

Ashtu si iu bashkangjit Tomorrit Cajupi dhe e bëri front të përëndisë, apo sikurse Naimi që   bekoi male e fusha të Shqipërisë,apo më vonë Lazgushi që u tret në ujin dritëshkëllyes  të liqenit të tij, e ngjajshëm edhe Nexhat Halimi njëjsohet me Ulqinin dhe gjymtyrët e tij. Kjo pjesë e viseve është  personifikuar e bërë bashkëligjëruese e poetit.

Besoj, është e drejtë të thuhet se këto poezi e ndërtojnë një monument të dashurisë së tij për Ulqinin dhe për njerëzit që jetuan e për ju qe jetoni këtu.

Ta themi një urim ngjashëm me thënien e popullit :

Ulqin, me shëndet të qoftë ky gjerdan margaritarësh!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora