Kulturë
Dedë Preqi: Përse kjo urrejtje?
E shtune, 19.11.2016, 06:00 PM
Dedë Preqi
poezi
PËRSE KJO URREJTJE ?
Çuar peshë kjo urrejtje n’mes nesh
Sa yje u tretën në këtë rrëbesh,
Shkulet e tkurret kjo rrënja jonë
Nga ky rrëfim pa shije e pa aromë.
Dikush thërret eh, zëshëm e thotë
Afsh e lot derdhën mbi lulen e ngrohtë,
Gjethet ankohen me shpirt të etur
Ringjallet laneti me kokën ndërsjetull.
Kush po i vranë bukuritë e syrit prush
Po dergjen pranverat e vjeshtat pa rrush,
Pse kjo politikë përshesh në nesh
Krimi e korrupsioni lulëzojnë në mes shesh.
Përse e gjithë kjo urrejtje në gjakun tim
Era mëshehtas i tund gjethet e thara,
Syri i lokës a do të terët në përqafim
Si vjeshtë e shterrë pa kallinj në ara…
Ditë e stinë pa brenga do rrëshqasin
Fontanë me harmoni në gjerdan varë,
Ujqërit turpshëm një ditë vetë do pëlcasin
Urrejtja në dashuri të gufoj ndër shqiptarë.
Kahdo që frymon si zgjua shqiptaria
I lidh gjaku e i mbanë gjallë vëllezëria,
Dikush i dashuruar në diell e dikush në hënë
E kanë vetëm një zot, e kanë vetëm një nënë.