E merkure, 11.12.2024, 08:07 PM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Poezi e sinqertë, e ngrohtë, njerëzore

E diele, 20.11.2016, 08:21 AM


POEZI E SINQERTË, E NGROHTË, NJERËZORE...

- Shënime rreth vëllimit “DUA...” të F. Fixhës*) -

Nga Qazim SHEHU

Treva e Çermenikës si trevë e pasur me histori, burra të besës dhe të sinqertë, si trevë e lumenjve dhe e përrenjve, kodrave e maleve, le një mundësi të madhe për poetët.

Kjo ndodh edhe me poetin çermenikas Ferit Fixha dhe me librin e tij “DUA...”. Ky titull është sinjifikativ. Poeti do t’i këndojë fshatit të tij, shokëve, miqve, të afërmëve. Ai e hedh vargun si një dëshirë të zjarrtë, të sinqertë. Të tjerët le të gjykojnë.

Poezia e Feritit është e sinqertë, e ngrohtë, njerëzore. Ajo i këndon natyrës, lumit, përroit, bletës, por edhe dëshmorëve të Çermenikës, gjuhës shqipe. Në poezinë e Ferit Fixhës gjen motivet ushtarake, këngë për mësuesen e parë, për poetin dhe mësuesin Genc Leka, për pemën e kafesë etj. etj.

Tematika është më tepër e vendlindjes, për jetën, për bukën dhe plisin. Kjo tematikë na thotë se çdo poet e nis me vendlindjen librin e tij të parë, pastaj, në momenten e daljes nga vendlindja, ai hedh sytë në horizontin e Atdheut e më gjerë. Kjo rrugë poetike vjen duke u thelluar, duke u zgjeruar dhe poeti e shikon vendlindjen në një rrafsh më të gjerë filozofik.

Vëllimi i Ferit Fixhës shquhet për një intonim të qetë, për një nerv poetik të butë, për ndjenja të thjeshta, të cilat përcillen përmes faktit poetik, se ai e do atë që shkruan, dhe poezia e tij ka ardhur vetvetiu, pa sforco. Ai nuk është ulur të shkruajë poezi, por ajo i ka ardhur vetë dhe ai, i detyruar natyrshëm, e ka hedhur atë në fletore. Nëpër poezi gjejmë vargje të cilat dallohen për itensitet ndjenje e figuracion, si p.sh. në vargjet “Yjet që pikojnë/ Të ndizen me sy”  të poezisë “Çast intim”, (f.50). Në këtë poezi ai e realizon mirë metaforën, e cila herë është metaforë emërore e herë metaforë foljore.

Figura të bukura gjejmë te poezia “Pema e kafesë” (f.68): “Mbi sup më djegin yjet”, herë shtyn muzgun “lot i vesës” (po aty, f.68), zogjtë “puthin kaltërsinë” (“Lartësive të universit”, f.69) etj. Figura të tilla, pa bërë inventarin e tyre, gjen në shumë poezi, ç’ka tregojnë për ndjeshmërinë e poetit, përjetimet e tij, trillin poetik dhe sugjestionin artistik, të cilat i shkaktojnë lexuesit emocione të veçanta. Te poezia e fundit “Vjeshta po mbush gjirin...” (f. 77) poeti e shikon vjeshtën të personifikuar në begatinë e saj. Metaforat në vargjet: “Vjeshta po mbush gjirinKërkëllitkan degët e pemës… U harliska gruri… etj., flasin për një gjërësi të saj (metaforës).

Poezia e Ferit Fixhës është një poezi lirike me tone të ngrohta. Ajo më shumë rrëfen, por ka edhe poezi që kalojnë në një stad sintetizues, si, p.sh., poezia “Thirrja e bukës” (f. 72). Në këtë poezi autori kalon tek ajo sentencë e lashtë, se buka është jeta – e kthyer në formulë betimi: Të zëntë buka sytë! Edhe Naim Frashëri thotë “Buka e mëmëdheut i zëntë tradhëtarët e pabesë...”. Për hir të bukës, thotë autori, duhet ndalur çdo gjë e keqe. Kjo është një poezi interesante, po të hiqeshin 5-6 vargjet e fundit, të cilat kalojnë në moralizime.

Poezia e Ferit Fixhës ka një narracion të qetë, por unë do t’i këshilloja që të shmangë në vëllimet e tjera disa fraza retorike, të cilat, nga një redaktor i kujdesshëm mund të hiqeshin. Retorizimi e dëmton poezinë dhe gjërat thuhen hapur, ç’ka nuk të lë shteg për të menduar.

Në mjaft poezi të librit, autori nuk e harron temën patriotike. Ai i këndon Kosovës, të rënëve, 5 Majit, luftëtarit të rënë për liri etj. Mirë bën, sepse këto janë tema të arratisura nga frymëzimet poetike, që kërkojnë një këndvështrim më të ri, më origjinal.

Megjithatë poeti është më i arrirë në poezitë për venlindjen, për natyrën dhe fshatin. Objektet e natyrës ai i transformon në objekte poetike dhe kjo është një gjë e mirë, sepse zgjojnë imazhe.

Struktura e librit është një strukturë e thjeshtë me përvijime të dallueshme të frymëzimeve poetike. Do të ishte mirë që ndonjë strofë të mos ishte, për ta forcuar më tepër poezinë, sepse poezia nuk e duron komentin, as moralin e hapur, poezia është vetë moral i së bukurës.

Feriti është poeti piktor i natyrës së Çermenikës. Ai i merr detajet dhe i thur, siç thurin nënat dhe motrat tona çermenikase qendismat në veshjet e tyre, duke pasur si qëllim që të sjellë një copëz jete nga Çermenika, pa pretenduar se i ka thënë të gjitha.

Poeti përdor mirë strofën katërshe, distiktin dhe tercinën, por nganjëherë edhe strofën monokolonë, duke përcjellë një mendim gërgëllues me tone të qeta e imazhe të rrepta. Figura nuk mbetet qëllim, po rrjedhim i një frymëzimi spontan e të çiltër.

_________________________

Shënim: *) Referat i mbajtur datë 12 mars 2005 në sallën “Gjon Buzuku” të Muzeut Historik Kombëtar, me rastin e përurimit të vëllimit të parë me poezi “DUA...”, të poetit çermenikas Ferit Fixha. Botuar në gazetën “Çermenika”, Nr. 17 (maj-qershor), Tiranë 2005.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora