Kulturë
Lumturi Ymeri: Dashuritë
E hene, 28.11.2016, 07:03 PM
LUMTURI
YMERI BERSAVA
DASHURITË…
-meditim-
Kam patur që e vogël një të keqe, gjurmët e së cilës dalëngadalë me vitet janë sfumatuar, por jo fshirë krejt.
Dashuritë e mëdha i doja veç për vete. Më qeshet kur kujtoj që ia merrja babait nënën, gjersa më zinte gjumi...
Për motrën time më të madhe, i shoqi ma kujton shpesh një shpullë nga unë pesë vjeçare, atëherë kur ai do ta merte atë për nuse...
Fëmijët i mbështillja në gjoks, i pushtoja gjithë aromat e tyre e ua qëndisja tërë bukuritë e botës në ninulla të ëmbla derisa i rrëmbente ëndrra…
Ndërsa me dashurinë time, s’e di! Herë i vendosja “pranga” ndër duar e herë “zinxhirë” nëpër këmbë, me të cilat më shumë prangosja e brengosja veten...
Më pas, e kam lënë të lirë, e bindur se edhe ikjet do e sillnin tek unë, ndryshe do ishte i humbur…
Kështu mendoj dhe sot. Dashuritë e mëdha janë të pakta e ndoshta duhen mbajtur fort, por jo aq sa t’ua marrësh frymën.