Kulturë » Berisha
Sejdi Berisha: Fëmijët mishërojnë historinë
E diele, 04.12.2016, 04:42 PM
Një program kulturor i nxënësve të klasës së III/1 të Shkollës së Mesme të Ulët “Lidhja e Prizrenit” në Pejë që mahniti të pranishmit
KUR FËMIJËT MISHËROJNË HISTORINË DHE MËSIMIN ME DITURINË E TYRE...!
Reportazh nga Sejdi BERISHA
Shkolla e Mesme e Ulët “Lidhja e Prizrenit” në Pejë është njëra prej institucioneve shkollore dhe arsimore e cila ka një traditë të begatshme në arsimimin e gjeneratave të reja, prej nga kanë dalë dhe dalin kuadro pastaj që bëhen faktorë dhe shtylla të rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror, arsimor, ekonomik shkencor dhe kulturor. Këtë e dëshmon puna e dalluar dhe shumë profesionale e shumë punëtorëve arsimorë të kësaj shkolle.
Po ashtu, kjo shkollë ka arritur dhe është me traditë edhe në vlerat historiografike, për çfarë edhe jo rastësisht e mbanë edhe emrin “Lidhja e Prizrenit”, të një date historike e të një lëvizjeje atdhetare. Ndërsa, në fushën e kulturës dhe të sportit, kjo shkollë gjithnjë ka qenë dhe mbetët shembull në realizimin e shumë projekteve, të cilat mbesin vulë e punës dhe shembull e shkollarëve të këtushëm. Ndërsa, shumë nxënës të “Lidhja e Prizrenit”, për çdo vit përmes garave të shumta në shumë lëndë mësimore, veçohen si në garat shkollore në nivel të komunës ashtu edhe në ato të shtetit të Kosovës, por nxënësit e këtushëm kanë marrë pjesë edhe janë dalluar edhe në garat ndërkombëtare të diturisë.
Pothuaj se një pjesë e mirë e mësimdhënësve dhe e mësuesve të Shkollës së Mesme të Ulët “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, për çdo vit shkollor sajojnë dhe realizojnë programe të begatshme kulturore, të cilat mirëpriten dhe pëlqehen jo vetëm nga nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit por edhe nga të gjithë qytetarët e Pejës, e që kjo vë themele të mira jo vetëm mësimore por edhe kulturore tek nxënësit, të cilët marrin guximin që talentin e tyre pastaj ta ndërtojnë në shumë fusha kulturore dhe sportive, si në letërsi, recitime, muzikë e veçmas në artin skenik.
Dëshmia më e mirë e të gjitha këtyre epiteteve ishte edhe programi dhe shfaqja e përkryer e nxënësve të klasës së III/1, të udhëhequr nga mësuesja, znj. Valbone Mangjolli Bakraçi, e cila pothuaj se për çdo vit në mënyrën më fanatike dhe plot vullnet, profesionalizëm dhe me përkushtim realizon dhe performon program të begatë mikst kulturor me mesazhet më të forta, që mobilizojnë nxënësit e kësaj moshe për të ecur gjithnjë e më me sukses dhe me guxim që diturinë e tyre ta begatojnë edhe me vlerat kulturore. Ky program, pa modesti-spektakël, e që e ndoqën afro treqind shikues, prindër, nxënës, mësimdhënës dhe qytetarë të tjerë, u organizua në kuadër të kremtimit të 28-Nëntorit, Ditës së Flamurit Kombëtar.
Dhe cili ishte mesazhi i këtij programi masiv dhe gjithnjë në frymën kombëtare, arsimore dhe kulturore që ishte i begatuar nga fryma, entuziazmi dhe loja e interpretimi i tridhjetë e shtatë nxënësve, i mësueses Valbone Mangjolli Bakraçi, por edhe i atyre që e ndihmuan realizimin teknik në skenë.
Madhështia e lojës dhe e interpretimit të nxënësve të klasës III/1
Historinë dinë ta transmetojnë tek opinioni dhe tek moshatarët e tyre edhe nxënësit e klasës së tretë
Sa herë që organizon dhe përgatit programe mësuesja, znj. Valbone Mangjolli Bakraçi, ajo është e kujdesshme jo vetëm të prezantojë program kulturor, por gjithnjë atë e begaton me përmbajtjen thelbore, e cila përmbajtje reflekton mesazhin për t’iu ofruar sa më afër nxënësve të saj dhe opinionit atë që tema bosht edhe të kuptohet por edhe të mësohet lehtë, e që të gjitha ato të transmetohen bashkë si një pako e rrëfimit dhe e dashurisë ndaj temës që fëmijët e përcjellin përmes interpretimit, lojës, këndimit dhe valleve.
Dhe, së pari të okupon atmosfera në skenë, e cila frymon ngrohtë dhe me ngjyrën kuq e zi, që simbolizon kremtimin e një festë shumë të rëndësishme për kombin dhe atdheun, 28-Nëntorin, Ditën e Flamurit Kombëtar. Në skenë na ofrohet gjithçka që lidhet e ndërlidhet me historinë e kombit, duke filluar që na periudha e Skënderbeut, i cili në atë kohë ngriti flamurin me shqiponjën dykrenare në Krujën legjendare. Pra, kështu fillon të zbërthehet skenari për rrugëtimin e pavarësisë por edhe të Flamurit Kombëtar deri tek viti 1912, kur në Vlorë u ngrit Flamuri Kombëtar nga Ismail Qemali, ku ishin prezent edhe shumë figura të tjera historike dhe shumë luftëtarë, të cilëve u bashkëngjitet edhe Isa Boletini me ushtarët e vetë nga Kosova.
Është karakteristike të theksohet se skena i ngjante, apo na kthente në ato kohëra kur populli shqiptar përpëlitej për liri dhe pavarësi. Ndërsa, loja dhe aktrimi i nxënësve të klasës së III/1 të mësueses, znj. Valbone Mangjolli Bakraçi, respektivisht të Shkollës së Mesme të Ulët “Lidhja e Prizrenit” të Pejës, ishte një madhështi dhe befasi për moshën që kanë të transformohen në role, respektivisht në personalitete historike, që mahniten publikun e shumtë që kishin ardhur në teatrin e qytetit për t’i shijuar vlerat artistike të këtyre filizave, të cilët thua se fluturonin dhe pa fije frike, as emocionesh dhe pa patetizëm, realizuan shfaqje dhe program të mrekullueshëm.
Zani Turjaka(Skënderbeu), Dren Bytyqi(Ismail Qemali), Diar Grapci (Pandeli Sotiri) dhe Dian Shasha(Isa Boletinit)
Nxënësi, Zani Turjaka, i cili kishte edhe një gardërobë të qëlluar, që personifikonte heroin, Skënderbeu, realizoi për mrekulli rolin e kësaj figure historike, dhe kështu na bëri që natyrshëm të hyjmë në rrjedhat historike të asaj kohe e për të arritur deri tek viti 1912, kur në Vlorë ngritët Flamuri i Kombëtar nga Ismail Qemali.
Tash, në rolin e Ismail Qemalit, në skenë prezantohet, nxënësi, Dren Bytyqi, i cili me një lojë të përkryer dhe me diksion si të kishte përvojë në skenë, na e prezantoi personalitetin e Ismail Qemalit, në momentet më të rëndësishme të kohës kur Shqipëria bëhet e pavarur.
Dren Bytyqi (Ismail Qemali me shokë duke ngritur Flamurin Kombëtar)
Dian Shasha(Isa Boletini duke e puthur Flamurin Kombëtar)
Edhe fëmijët me krenari e ngrijnë Flamurin Kombëtar si këtu e 104 vjet më parë
Yllka Thaçi (Marigona, duke ia dorëzuar Ismail Qemalit Flamurin të cilin e ka qëndisur)
Pranimi i telegramit nga korrieri, të cilin rol e realizoi me sukses, nxënësi Erion Kastrati, e deri tek marrja e flamurit dhe ngritja e tij në mënyrë solemne, Dren Bytyqi na ofroi cilësi aktrimi, edhe pse nxënës i klasës së tretë, dhe kështu atmosfera në skenë bëhet gjithnjë e më e ngrohtë, por edhe më e qartë se çfarë është duke ndodhur.
Yllka Thaçi(Marigona me shoqe duke e thur flamurin)
Salla e Teatrit ishte përplot me shikues duke e përcjellë programin kulturor
Arritja e Isa Boletinit në Vlorë, tash në skenë, u realizua shumë mirë nga nxënësi, Dian Shasha, i cili me lojën dhe gardërobën që kishte, na ofroi burrërinë dhe figurën madhështore një burri kosovar, të Isa Boletini, i cili, që kulmin e arriti me puthjen e flamurit.
Grupi i baletit duke performuar një nga pikat e tij
Skenën e madhështonte edhe prezenca e Pandeli Sotirit, rolin e të cilit e interpretonte, Diar Grapci. Ndërsa, njëra prej skenave më spektakulare në pasqyrimin sa më të dinjitetshëm të Ditës së Flamurit, ishte edhe qëndisja e flamurit nga Marigona me shoqet e saja, rolin e të cilës e interpretoi, Yllka Thaçi, me pedanteri të mrekullueshme që përmes pantomimës të linin përshtypjen se më të vërtetë është duke u thurur flamuri po sikurse në atë kohë.
Programi muzikor dhe grupi i baletit, pjesë e rëndësishme e Festës së Flamurit
Mësuesja, znj. Valbone Mangjolli Bakraçi, në realizimin e këtij programi, si gjithnjë ishte e kujdesshme që atë ta begatojë edhe me valle dhe me lojën e baletit, që nxënësit dhe nxënëset e kësaj klase për një moment u shndërruan edhe në trupë të njëmendtë baleti. Dhe, vërtetë ishte madhështi ta përcjellje lojën e tyre të realizuar me një koreografi dhe gardërobë shumë funksionale e të qëlluar.
Është kjo një e arritur artistike, që lirisht mund të thuhet se në këtë nivel nuk mund të arrihet as në teatrot e qyteteve, që lë përshtypjen se Shkolla e Mesme e Ulët “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, gjithnjë e më shumë po bëhet faktor i zhvillimit të vlerave shpirtërore dhe kulturore por edhe i zbulimit dhe i përkrahjes së talentëve të rinj në të gjitha fushat e kulturës, që do të ndikojë edhe në masivizimin e kulturës në qytet.
Moderatorët e programit, Adenisa Lluka dhe Mbretron Nushi
Mësuesja znj. Valbone Mangjolli Bakraçi duke i bërë provat e fundit për shfaqjen e programit
Vlen theksuar se tërë programin, me sukses e moderuan, nxënësit, Adenisa Lluka dhe Mbretron Nushi.
Të tridhjetë e shtatë nxënësit e klasës së III/1: Adenisa Lluka, Andrra Syla, Andra Gjikolli, Anisa Emra, Ajra Belegu, Bardha Shabi, Diar Grapci, Diora Idrizi, Dian Shasha, Diellza Përgjegjaj, Dren Bytyqi, Elena Kastrati, Elda Xhemajli, Eldi Katanolli, Elsa Xhouri, Elsa Përgjegjaj, Erisa Çavolli, Erjon Kastrati, Enea Haxhija, Idma Dobroshi, Isra Çavolli, Shlea Sylejmani, Leon Shkuliqi, Lindi Kasapolli, Lisa Murtezaj, Mbretron Nushi, Meris Zilkiqi, Ornela Belegu, Renea Shabani, Reis Kastrati, Rubin Shala, Sandër Sharapolli, Vera Agusholli, Vijola Muqolli, Yllka Idrizaj, Yllka Thaçi dhe Zani Turjaka, ishin akterët që e madhështuan skenën dhe që ngritën lartë mesazhin për historinë dhe për Flamurin Kombëtar.
Pjesë e programit që mahnit shikuesit
Po ashtu, mbështetja e drejtorit të shkollës, Rexhep Bogu, por edhe e mësueseve të tjera dhe e prindërve të nxënësve, kanë bërë që edhe puna e mësueses, znj. Valbone Mangjolli Bakraçi dhe e nxënësve të klasës së III/1, të jetë në nivel dhe të shtohet edhe një begati e thesar në punën dhe historikun e kësaj shkolle.
Efektet e muzikës dhe të dritave, po ashtu kontribuuan në kompletimin e tërë shfaqjes.