Kulturë
Daniel Marian: Dhimbja në portat e heshtjes
E shtune, 10.12.2016, 01:00 PM
DHIMBJE E BUKUR NË PORTAT E HESHTJES
Nga Daniel Marian
Deshifrimi i poezisë shëmbëlllen me zhytjen subtile nën peshën e sentimenteve të një dashurie magjike që definon gjuhën sublime. Mbështetesh për një shtyllë të natyrës, e përkthyer nëpërmjet ideatizimit të rezonancës me atë që mund të duket madje tejmatanë kufinjve të botës! Projekcioni i një të panjohure shpreh ndjeshmërinë që shembet mbi ty me forcën e një parabole të zgjedhur porsi një tornadë e përbujshme ku mendimet e gjalla e të fuqishme rradhiten me elegancë dhe mençuri.
Atëherë kur thuhet se po lind „Dhimbja e bukur” mund të ndjehesh në trojet e një pafajshmërie të bukur e cila nga lartësia zbret në thellësitë e mendimit që mund të ndërlidhet me fillimin e botës. Këtu nuk ka rastësi por imagjinatë, frymëzim dhe hijeshi. Falë poetit Baki Ymeri, Muharrem Kurti vjen në gjuhën rumune me një ndjeshmëri të rrallë, që shëmbëllen me një gjemb plleshmërie, dëshirash, kujtimesh, shqetësimesh e shpresash. Kështusoj, autori kalon me kujdes nëpër „Portat e heshtjes”: Pritjet/ Çelin portat e heshtjes/ Dhe hyjnë/ Një nga një/ Në sirtarët e harresës.” Ja dhe “porosia” që pason: “Biri im/ E nesërmja e bardhë/ Të takon ty// Mos e lërë askend/ Të ta nxijë…” (Portat e heshtjes).
Poeti rifabrikon imazhin nga realja në metaforikë, duke arritur në introspekcionin e dëshriruar: “Kur jam i vetmuar/ Si breg i detit gjatë natës// Letrat e dashurisë/ Si pulëbardha/ Enden në tavolinë// Kur jam i vetmuar/ Si bust i qytetit në errësirë// Rruga e zbrazur/ Fundoset në heshtje/ Në hapësirën e dhomës endet/ Vetmia si një varr i hapur/ Që e pret kufomën e vet” (Kur jam i vetmuar).
Kinetika e ekzistenciales personale në simbiozë me ambientin kalon tejmatanë elementares dhe shpjegimtares, nëpërmjet një lumturie të dhuntisë së prurë me unin e përcaktuar për këtë gjendje të pazëvendësueshme: “Më ka lodhur/ Si nata/ Mungesa e dashurisë// Gërmoj e gërmoj/ Natën ditënFshij pluhura/ Dëlirë dhera/ / Një jetë do të gërmoj/ Derisa ta gjej dashurinë...” (Gërmoj për ta gjetur dashurinë)
E gjithë kjo duket si një shtegtim nga rruga drejt përmbushjes së porosive të shenjta, një konstrukcion i përcaktuar sipas një koncepti të qartë: “Ç’dëshiron?/ Pjesën time të diellit/ Ç’farë the?// Tokë të Zotit// Si?/ Askush të mos vrasë/ Askend// Kur?/ Përjetësisht.” (Katër pyetje e katër dëshira). Çka mund të jetë më bindëse për perspektivën e një personaliteti lirik se sa përjetimi i një dhimbjeje të bukur?: “Si pasqyrë/ Shfaq atë që ke/ Mëngjesi të vetmoi tërësisht/ Si vërtetësi/ E shfaq vetminë tënde totale/ Mbrëmja të pritësoi krejtësisht” (Ditë e vetmuar)
Poema programatike me përmbajtjen e saj na nxit ta kundrojmë shumëdimensionalisht, aq sa kemi mundësi ta njohim dhe rinjohim sipas shenjave vitale të (nën)vetëdijes: “Dashurojnë ata që presin/ Në largësi në mungesë në ndërprerje/ Është dhimbje e bukur monologu/ Si nisi si ishim pse nuk jemi// Presin ata që i besojnë dashurisë/ Ish përjetimet të papërsëritshëm/ Është dhimbje e bukur/ Largësia pritja ditëkthimi// Triumfojnë ata që dashurojnë/ Është dhimbje e bukur// Nuk është ndarje/ Zëvëndësim harrim tjetërsim” (Dhimbje e bukur).
Muharrem Kurti propozon një modalitet të drejtëpërdrejtë për kuptimin dhe njohjen e shpirtit të florinjtë të fjalës, transluciditeti i poemave të tij duke lënë vend për interpretime të mirëseardhura nga ana e kritikës letrare. Konsekuenca me siguri do të shpërblehet! Mirësenaerdhe në gjuhën e Emineskut, Zoti Kurti!