E merkure, 11.12.2024, 12:32 PM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Ne të dy

E hene, 12.12.2016, 10:10 AM


NE TË DY…

 

Qazim Shehu

 

Ne të dy me njëri tjetrin

Ajrin e moskuptimit fryjmë

Në veshë aq të vjetër

Ku tingujt oshëtijnë…

Në destinacionin e mbramë

Mbërrijmë duke u mbajtur,

Kur lotin njëri tjetrit ia thajmë

Me një fjalë të varfër..

Në guvë të zemrës mbërrijmë

Të shohim pse ajo u boshatis

Dhe duke e pritur e gdhijmë

Me fatin tonë sarhosh…

Mbijetuam nga ndarjet

Kur erdh zemra e pikëlluar,

Në fjongo të kaltra u var,

Qielli duke mërmëruar.

Dhe na tha  t ë donim,

po,njëri tjetrin,

Kështu vinin dhe shkonin

Kuptimet për jetën…

Hatullat e shpirtit zumë

Me membranë të idilit,

Në bisk të një malli të ri vumë

Vlagën e prillit…

 

HIJA E ERËS

 

Mbetet frika jonë hija e erës,

Kur një mollëz shkëndije

I vihet zemrës.

Era e soll aty,

Apo duf i brengës…

 

FENERË TË VEGJËL

 

Si fenerë të vegjël në muzg

Mbajtur nga duar të padukshme

Dhe hije që kërkojnë rrugë

Shfaqet xixëllonjat…

Ose si pika të kuqe në fustanin e zi

Të natës që mbulon gjunjët,

Ato shfaqen…

Midis udhës dhe fustanit,

gjymtyrë dashurish të mardhura…

 

NË PRAG TË VJESHTËS

 

Vjeshtës ia desha bollëkun,

Vetëm venitjen jo,

Atë çast kur  e vesh shtegun

Me gjethet që lësho.

Shfrynin dallgët e saj të qeta

Dhe  përpinin duke rrënuar,

Kurora pemësh dhe dega,

Gjetheshkrumbuar…

Kur dashuria po më mposhte me mall

Me zjarrin e vet duke më pushtuar,

Vështroj venitjen e vjeshtës ngadalë

Dhe s`mundem lehtë me iu afruar…

 

NË SYTË E NJË KUKULLE

 

Në sy të një kukulle sa herë

Pashë sy të vërtetë, inspiruar

Tek ai trup i vogël i mbështjellë

Me një rrobe të praruar…

Dhe më kujtohet fëmijëri e hershme

Atëhere kur mungonin kukullat,

Ne rendnim pas dordolecëve

Që trembnin sorrat dhe hutat…

Dhe më kujtohen sytë e vërtetë

Të njerëzve që u ngjyrosën,

Kur inati i hidhte përpjetë

Veten tek marrosnin..

Dhe ngjyrë deti dhe gështenje

Sa herë në to pashë,

Afshin e dehjes prej një rrëfeje

Rrëshqitur si mënd-afsh…

ua pashë sa herë ndryshimin

Mirë, keq apo pa u diktuar,

Po kurrë s`munda t`ua di skanimin

Sa në sytë e kësaj kukulle të padjallëzuar…

 

SYÇELUR

 

Rri syçelët në këtë kohë abrashe,

Mos kthehem në shfrytëzim të lojës,

Që ngrihet pa inate

Dhe thyhet e ngjyhet prej bojës

Së hipokrizisë   këndellëse

Që na tëheq dhe e duam,

Si unazën e lyer me flori

Dhe floririn e heq kur e kruan..

Sot të ndershme hiqen prostitutat

Të mençur marrokët,

Dhe ka aq pudër për rrudhat

Ngjyra  për flokët..

Prandaj syçelësia më ngacmon

Dhe fuqia që ngrihet në tallaz,

Si dallgë që pranë shkëmbit thërmon

Veten, e tërhiqet pas…

 

ZJARRI

 

Nëpër llampadarë shoh hipokrizinë e zjarrit…

Si mbërriti gjer aty?

Nëpër idiotësinë e qelqit të thahet

Ngopjen e vet në tretje ta shfryjë…

Jo atëhere s`ish shpikur qelqi,

As luksi nuk ishte shpikur,

Zjarrin s`do e kish rrëmbyer Prometeu

Dhe as veten s `do shihte në shkëmb lidhur…

 

NJË VEND ME DIELL

 

Pyjet e trembura në kreshta

Mbi malet e zhveshura,

Stuhitë që mungojnë në qiell

Na thonë se jemi vend me diell..

Lumenjtë në këmbë qytetesh

Që përtypin duhma plehrash

Dhe i pështyjnë në zgafella detesh

Thonë

Se jemi një vend me diell..

Dhe rrugët me tym,drurët e hutuar

Dhe koha që derdh tinguj të ngrimë,

Fara që mbetet në fusha pa mbjell

Na thonë se jemi vend me diell.

Dhuratën më të madhe kemi

Diellin për shkak të meridianit,

Dhe lëvdatën që me mburrje themi,

Në ëndërr kamje përmes skamit…



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora