E diele, 04.05.2025, 01:54 PM (GMT+1)

Kulturë

Lumturi Ymeri: Udhë u prerë

E diele, 11.12.2016, 11:33 AM


LUMTURI YMERI BERSAVA

 

UDHË E PRERË…

 

-cikel poetik-

 

UDHË E PRERË

 

Jam grua

Mos ma pritni rrugën

Udha ime zë fill nga firoma e gjallë

me tingujt e të qarës

e përgjakje mitre

nga shkulma dhimbjeje

prej femre-nëne…

 

Mos më ndalni

që të var kokën si lule dielli

veç me një stinë jete

Dua të eci si erë

me zërin e pyllit

dhe tingujt e lumit

Me valsin e ëndrrës

dhe ngjyrën e lules…

 

Ja!

Lulëzon e çel në çdo stinë

më thith etjen e gjakut

si zjarr i egër më ndjell mëkatin

prej zotit falur...

E çdo petale

si pergamenë delikate

e shkruar me buzën

më erëmon kurmin...

 

Vetë e kam mbjellë

me farën e retinës së syrit

puthur nga dashuria

E ju

me urrejtjen tuaj

e veshët me cipë metali

të më sharrojë ashtin

aty ku kisha gjurmen

e ma pretë udhën…

 

Unazën e gishtit

prangën e artë ma bëtë lak

Më mbytët e vërvitët

me çmimin e turpit

Ndaj,

ju laj  rrugën

me dromcat e gjakut

vjellë për ju

që s’munda t’ju pështyj…

 

Ecni tani

rruga është e lirë

kapërceni mbi ulërimë…

 

5 dhjetor  2016

 

 

SPROVA…

 

Ke provuar lëndesën

shijen e hidhur që ujëson dhëmbët

dhe fjalët llokoçiten si një grusht rëre

brenda gojës së qepur heshtjes?!

 

Ke provuar si të mbijnë lotët syve?!

Në çast do që t’i fshehësh

shpejton t’i kapërdish

bashkë me kokrrizat bërë shuk

dhe ta ndjesh dhimbjen nëpër grykë?!

 

Ke provuar pastaj djegien në stomak

kur zë e zjen si një gur gëlqeror

Dhe avujt shndërrohen në turriela

të shpojnë e të grijnë

tru, mish e asht?!

 

Je gati të ulërish?!

Por dhëmbët kafshojnë britmën

dhe jehona këlthet brenda gjoksit

brinjë më brinjë

e të bjerr në gjunjë?!

. . .

 

Të gjitha dhimbjet e lëndimit

prej fyerjes

zhgënjimit

mashtrimit...

shtrëngoi në grushtet e durimit

gjer t’ua marrësh frymën!

 

Kaq ishte prova dhe sprova

e shenjtë stërgjyshore

Do t’ia dalësh dhe ti, prore...

 

 

BRIGJE…

 

Në breg të natës

malet zgjidhin shajet e mjegullës

i lëshojnë luginës së përhimë

e bari i njomë

ngrin nën brymë…

 

Në breg të qiellit

retë kafshojnë diellin e dritën

dhe era,  veten

Zhvishet gjethnaja, gjithnaja

pemët zgjasin duart

pëshpëritin lutje

si lypsit, trotuarëve…

 

Në breg të përroit

statujat shkëmbore

varin këmbët në ujra

të qetojnë thembrat,

me kallo të gjakosura…

 

Në breg të zjarrit

thëngjijtë e shuar

përgjojnë vdekjen e gacës

së pakallur

në pirg të hirit…

 

Në breg të mendimit, dyshimit

zemra ngul çengelat

prej venash të këputura,

të pamundura

E shpirti rrëzohet

honeve të humbura…

 

Në breg të pritjes, fjalës e faljes

durimi kërcet dhëmbët,

të ftohtit gjer në palc…

 

@ Lumturi Ymeri Bersava

Dimër në breg të vitit 2016



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx