Kulturë
Zyba Hysa: Gjarpëri i kalasë së Vlorës
E diele, 11.12.2016, 09:31 AM
GJARPËRI I KALASË SË VLORËS
Tregim nga Zyba Hysa
Kalaja e Vlorës është bërë nga venecianët, shumë kohë më parë se të vinin turqit, sot ndodhet nën fushën e stadiumit "Flamurtari". Gjer në vitin 1908 ajo ka qënë shumë e bukur, e ndërtuar në formë gjashtëkëndëshi.
Goditjen e parë ajo e ka marrë në vitin 1878, d.m.th filluan të hiqnin gurët e kalasë. Kjo kala ka një sekret shumë të madh, sepse ajo, me një tunel të nëndheshëm, lidhej me kalanë e Kaninës dhe në 1908 janë marrë gurët e saj dhe është bërë pallati i Sharrajve e më pas, rruga Skelë – Vlorë nga Italia.
Ishte e çuditshme se kalaja kishte gurë të gdhëndur, të cilët futeshin tek njëri tjetri si tjegullat, pa llaç ose baltë. Gjithë pjesa e dukshme e kalasë u shemb dhe u bë fusha e futbollit mbi rrënojat e saj, e cila aso kohe kishte pozicionin Lindje - Perëndim. Në ballë ishte tribuna dhe aty ku mbaronte fusha, kishte mbetur pa shembur një murë i gjatë mbi 30 metra, i gjerë dhe i lartë rreth një metër e gjysmë. Muri ishte ndërtuar me gurë të gdhendur, dhe nga mesi i murit ishte një kamare shumë e bukur, ishte pa kryq, me pllaka guri e cila kishte në poshte formë katërkëndëshi dhe lart përfundonte në trekëndësh, që pagëzohej nga vendasit "Vakëf", ku njerzit ndiznin kandila me vajguri, apo me vaj ulliri, të cilët i bënin nga tasa konservash mishi, duke i shpuar kapakut një vrimë dhe aty futnin pambuk, i ndiznin dhe i linin aty derisa mbarohej vaji, si rit për të dëbuar të keqen nga shtëpia, apo për të pasur mbarësi.
Në anë të murit, ishte një bunkjer në formë “Z” - je, por në atë kohë, e gjithë Skela ishte me bunkjerë si kupola, si ato që bëri diktatori, të cilat i kishte bërë Italia. Midis murit dhe bunkjerit ishte një pus i madh, i cili nuk përdorej për ujë të pishëm, mbuluar me ferra, të cilat aty – këtu kapërcenin murin, ndërsa nga përpara murit ishte një pus tjetër që përdorej për të mbushur ujë. Ai murë ishte i vetmi vend, ku fëmijët e lagjes mund të ngjiteshin dhe të provonin akrobacitë e tyre, apo të hanin mana ferre. Shfaqja më interesante ishte, kur një djalë nga fisi Troqja, vendoste një dërrasë mbi pusin e ujit dhe bënte ushtrime akrobacie e tjerët ulur mbi murë mahniteshin dhe argëtoheshin me shfaqjen e rrallë të artistit të vogël vlonjat. Që nga ai murë, fëmijët, shpesh shikonin edhe ndeshje futbolli që zhvilloheshin në fushë e stadiumit.
E veçanta e këtij muri ishte, se mbi të nuk mund të ngjiteshin fëmijët e lagjeve tjera, as dhe të familjeve më përtej e shkak për këtë ishte një banor i përhershëm i këtij muri, një gjarpër gjigant, i cili i njihte njerzit që jetonin aty dhe sa herë kalonin njerëz të panjohur, ngrinte kokën dhe shfaqte shenja agresiviteti që të fuste ethet dhe i bënte të iknin me vrap gjithë ankth, ndërsa për njerzit që banonin aty prej kohësh, i përshëndeste me qëndrimin e tij miqësor duke i vështruar ngultas në sy dhe duke tundur kokën sikur t’u thoshte "Mirëmëngjesi", "Mirëdita", apo diçka tjetër sipas rastit. Kështu gjarpëri ishte bërë në një farë mënyre, mik i banorëve që jetonin aty për rreth dhe armik i të panjohurve. Nga kjo miqësi e jetuar, banorët filluan ta veshin me hir hyjnor.
Vakëfet ishin vende, ku varroseshin njerëz të perëndisë, njerëz me veti hyjnore dhe për nder të tij, banorët ndezin qirinj duke u lutur për mbarësi, ndaj në bisedat e të moshuarve shpesh dëgjoheshin rrëfime, mbase të sajuara, mbase të vërteta, por që ky gjarpër ishte ndryshe nga çdo gjarpër, kjo nuk kishte asnjë diskutim. Ai kishte një gjatësi mbi 2 metro dhe i trashë sa një llërë krahu burri, kokën e kishte trekëndore, më të madhe se një grusht, me sy të mëdhenj e të nxjerra pak jashtë që kur shprehnin egërsi, të fusnin datën, ndërsa kur ishte miqësor, dukeshin sikur visheshin nga një shkëlqim magjik saqë të dukej se ishte vërtet diçka i shenjtë. "Është shpirti i njeriut të shenjtë" thoshte dikush, dikush tjetër thoshte shkurt: "Është mëna (urata) e kalasë", apo shpirti i martirëve", dikush…
Shtëpia më e afërt me këtë murë ishte e tragjasiotit. Një herë babai i kësaj shtëpie kishte humbur sahatin me gjithë qostek. E kërkuam nëpër shtëpi e nuk e gjetën. Të nesërmen, vajza e shtëpisë, një fëmijë rreth 8 vjeçe, kalon andej dhe shkel mbi gjarpërin e mbledhur kulaç, por sapo shikon kush ishte, nuk acarohet, por lëviz ngadalë, pa ia ndarë sytë vajzës së vogël e kur largohet plotësisht, nën të kishte qënë sahati i xhepit me gjithë qostek.
Në vitin 1954 u prish muri. Gruaja e tragjasiotit nuk donte të prishej muri, por duke qënë bijë patrioti, nuk diskutohej që s'i dëgjohej fjala. Ai ishte një gjë shumë e bukur, por më keq ishte për fëmijët se u prish foleja e argëtimeve, bile ata përmes murit dilnin nën tribunë në barin e njomë shihnin ndeshjet. Në atë kohë edhe fusha ndërroi pozicion nga Lindje - Perëndim, në Veri - Jug. Pra gurët e murit i futën në fushë poshtë, si për të zhdukur edhe shenjën e fundit të kalasë. Nga gurët që mbetën, sigurisht coprat, i mori familja dhe shtoi një dhomë.
Pranë shtëpisë ishte një fik, i mbirë vetë, apo i mbjellë, nuk dihej, por bënte fiq me kokra të mëdha në të zinj e në të bardhë, larash. Gruaja e tragjasiotit me copa gurësh të murit të shembur, e rrethoi fikun me murë, si për të mbajtur dheun dhe aty u fut gjarpëri, se ju prish foleja dhe duke u futur në gurët, dukej kurrizi i gjarpërit e asnjë nuk guxonte të hipte në fik, përvec asaj që bëri folezën e tij. Fiku u bë shumë i madh dhe në 1962, fusha u prish prapë, se ishte rrethuar me tel dhe tifozët rrinin në këmbë, ndaj u zgjerua dhe u rrethua me murë, pjesërisht dhe më vonë u shtua duke u bërë më i lartë.
Në vitin 1978 u nisën puniomet për ndërtimin e Pallatit të Sportit, pranë Perlat Rexhepit. Çfarë nuk ka dalë nga gërmimet. Ishin gurë shumë të mëdhenj, qypa, enë balte, stoli… gjëra të çmuara me vulë historie dhe trashëgimie. Banorët kundërshtonin nën zë për krimin e shëmtuar kundër trashëgimisë kulturore dhe historke, por përbindëshi nuk u ngop vetëm me gjakun e bijëve që e duan Shqipërinë, zhduku pak nga pak nga themelet trashëgiminë!
Ajo që do mbetet e pa harruar për banorët, ka qënë dita kur punëtorët të urdhëruar shkulën fikun, prishën murin e zonjës tragjasiote dhe ngritën dorën dhe e vranë gjarpërin, duke i prerë kokën në fillim e më pas duke e bërë copa - copa e pse nuk ishte zakon të vritet gjarpëri I shtëpisë, I cili mbrohej nga banorët si pjestar i lagjes tyre. Atë ditë për banorët ishte ditë zije. Ashtu si shumë “armiq” që u ekzekutuan nga politika, vetëm se donin dhe mbronin vendin, edhe gjarpëri, pësoi të njëjtin fat… por të njëjtin fat pësuan edhe njerzit që e vranë, të cilët vdiqën njëri pas tjetrit dhe ajo që është më e çuditëshme, se pas një viti, në mbledhjen e parë të Frontit Demokratik Shqiptar, siç quhej në atë kohë kjo Organizatë, zhvilluar dhe drejtuar nga fjalëmbajtësi i kësaj mbledhje Hysni Kapo, në këtë Pallat Sporti, pësoi të njëjtin fat, i cili u sëmur rëndë dhe me gjithë ndërhyrjet e mjekëve këtu në Shqipëri dhe në Paris, ai për një kohë të shkurtër ndërroi jetë. Kjo vdekje do pasonte me fatkeqësi të njëpasnjëshme…
Të gjitha kanë dëgjuar për kultin e gjarpërit që në Iliri e deri në ditët e sotme, ku figura e gjarpërit gjendet e gdhendur në bashin e anijeve, në dyert e shtëpive, në vegla pune dhe muzikore, apo dhe në stoli të ndryshme, por askush nuk ka bërë një studim të mirëfilltë për origjinën e “kultit të gjarpërit”.
Për gjarpërin ka aq shumë ndodhi e tregime, saqë kushdo e lexon atë që ndodhi me gjarpërin e Kalasë së Vlorës, beson, se vërtet ashtu duhet të ketë ndodhur.