E premte, 29.03.2024, 06:23 AM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Shpërputhja e kohës që trazon dhe dhemb

E merkure, 14.12.2016, 09:25 PM


Sejdi BERISHA:

Në vend të përkujtimit për redaktorin dhe gazetarin, Zyhdi BELEGU

SHPËRPUTHJA E KOHËS QË TRAZON DHE DHEMB...!

(Ose, në këtë “pikturë” jete ishe i pikatur edhe Ti, miku im)

-Po, pse ike ore burrë kështu, sepse, i kemi pasur edhe disa llafe t’i vulosim së bashku, e tash, ajo pjesë e fletëve të librit mbesin të bardha, mbesin dhembje, trishtim, zhgënjim... Mbesin etje e mall për shumëçka, o miku im.

- I nderuari mik dhe koleg, këto fjalë që po i shkruaj e po ma rëndojnë shpirtin, dua të them, se sa tubimet më delikate dhe historike i kemi përcjellë, prej nga kemi raportuar, dhe kurrë nuk e kemi zhgënjyer popullin, kurrë nuk e kemi rrënuar rrugëtimin e tij.

- Ti, Zyhdi Belegu, ishe dhe mbetesh pjesë e historisë së gazetarisë pejane, asaj të Kosovës dhe të gazetarisë kombëtare.

______________

Dita e mërkurë, 07 dhjetori 2016, ishte dita që më trembi, dita që mbeti stacioni i fundit i rrugëtimit me mikun dhe kolegun, redaktorin dhe gazetarin shumëvjeçar, Zyhdi Belegun. Dhe, çfarë të them. Lajmi për ikjen e tij më pllakosi edhe për humbjen e një kolegut dhe të një miku që në profesionin e gazetarisë kishim kaluar së bashku mbi dyzetë vite, që kjo është një histori e tërë në të cilën ka gëzime, hidhërime, përplasje, kënaqësi dhe ditë, muaj mbase edhe vite që gjumin e bënim me trembje, dihet se pse! Me gjithë dhembjen, ky ishte një moment që para meje solli shumë kujtime, shumë gjëra që e “stolisin” njeriun dhe shoqërinë tonë.

I nderuari mik Zyhdi, e kam të vështirë se si ta fokusoj këtë përkujtim për ty, sepse, nuk besoja dhe as nuk dua të besoj se Ti më nuk je në mesin tonë, nuk je në Pejën që aq shumë e deshe. Por, kishte kohë që diçka më frikësonte, sepse, në fytyrën tënde e vëreja tmerrin dhe padrejtësinë e jetës, e vëreja se diçka ta shkrinte trupin, e ti, asnjëherë nuk e pranoje se diç në Ty është duke shprushur dhe për ta harxhuar atë grimë, që tash po e di se të kishte mbetur aq pak!...

Jeta dhe rrugëtimi jetësor është interesant, sepse, nganjëherë çdo gjë të duket se është e mirë, e lumtur dhe me të arritura të mira. Por, jo. Jo, sepse, shpërputhja e kohës trazon dhe dhemb, e pastaj, shumë rrugë të ngushtohen e t’i ngushtojnë. Në këtë lloj “pikture” të jetës ishe i pikatur edhe Ti, miku im!

 

Ishte kohë kur edhe përmes gazetarisë duhej ruajtur rrugëtimin, fatin kombit dhe të atdheut, për ta mos e lënduar dhe as për ta mos e “hidhëruar”!

 

Dhe, kur flas kështu, para meje, në mendjen time, në kujtimet e mia, më vërsulen të gjitha ato ngjarje e ato rrjedha kohore, dhe e tërë ajo punë që e kishim bërë kur ishte më së vështiri të ishe gazetar, të ishe njeri që duhet ta informosh popullin për të gjitha rrjedhat, por gjithnjë duke e ruajtur optimizmin dhe shpresat e njeriut. Kështu, ishte kjo periudha e punës sonë në atë pjesën e asaj kohe të historisë së vendit, kur çdo gjë lëvizej e trandej, përplasej e merrte zjarrmi të formave ndër më të ndryshmet.

Dua të them, miku dhe kolegu im, Zyhdi, se që në fillim të viteve të 70-ta të shekullit kaluar ia nisëm dhe, pa modesti e them, arritëm shumë, më shumë së gjithkush në Radiotelevizionin e Prishtinës. Ti, në redaksi në Prishtinë e unë si gazetar-korrespondent në Pejë.

Më kujtohet, edhe Ty të është kujtuar, se ishim të lumtur që filluam ta ushtrojmë një detyrë shumë të rëndë, delikate, me rreziqe por edhe njerëzore dhe të shenjtë.

Tash, pse të mos e përmend, se ishe ndër gazetarët dhe redaktorët e rrallë të Radio-Prishtinës, që kishe aq elan, që kishe aq forcë, dashuri e përkushtim për ta informuar opinionin me kohë dhe në mënyrë të saktë për të gjitha rrjedhat shoqërore. Dhe, aty, në Radio-Prishtinë, arrite në profesion dhe krijove e bëre shumë miq e shokë. Po të ishe edhe tani në këtë jetë, edhe Ti do ta kishe ditur se për çfarë po e them këtë! Bile, shumë gazetarë i aftësove se si bëhet lajmi, se si bëhet gazetaria pa ndikime, pa tension dhe pa qëllime rrënimi. E dinë të gjithë këta, dhe besoj se ndoshta disa të kujtojnë e nuk të harrojnë. Kishe edhe shumë kolegë por edhe shokë, që gjithnjë i mbaje nën sqetulla, si pula zogjtë e vetë. Edhe ata e dinë, por nuk e dinë...!

I nderuari mik dhe koleg, këto fjalë që po i shkruaj e po ma rëndojnë shpirtin, dua të them, se sa tubimet më delikate mbase historike i kemi përcjellë, prej nga kemi raportuar dhe kurrë nuk e kemi zhgënjyer popullin, kurrë nuk e kemi rrënuar rrugëtimin e tij. Në trazimet dhe demonstratat e vitit 1981, në kohërat kur na u helmuan nxënësit nëpër shkolla dhe populli gjithandej, në kohën e heqjes së autonomisë së Kosovës, në demonstratat dhe trazirat kur rrehej, vritej, ndrydhej, shtypej kombi ynë në Kosovë duke mos zgjedhur moshë as gjini, pleq e të rinj, në kohën kur na u mohua e drejta e shkollimit (e kur linden si feniks shtëpitë-shkolla), kur na u mohua e drejta e punës dhe e shërimit, ne, miku dhe kolegu im, Zyhdi, ishim në të gjitha këto fronte, dhe frikën nuk e njihnim as si kuptim dhe as si presion.

Prandaj, nuk i theksova të gjitha këto pa qëllim. Sepse, athua, të gjitha këto ngjarje, nuk e forcuan dhe afirmuan personalitetin tonë edhe si gazetarë por edhe si njerëz të kauzës kombëtare. Me siguri se po, dhe po! Kjo është krenari, kjo është madhështi, për atë kush e di...!

Ndërkaq, edhe në ato kushte gjetëm metoda dhe vende të tjera se ku t’i plasonim lajmet për tërë atë që zhvillohej dhe ndodhte gjithandej Kosovës. Ishte Radio-Zagrebi, TVSH, Radio-Kukësi, Radio-Tirana etj. Kurse, lufta në Kosovë ishte kaptinë në vete.

Pra, Zyhdi Belegu, edhe pas luftës, nuk u ndalem, nuk pushuam. Punuam në shumë mjete të informimit, të cilat disa “linden” e disa të tjera vazhduan punën, edhe pse në forma të tjera, për ta ndihmuar dhe trimëruar popullin, tani për rindërtimin e vendit të bërë shkrumb e hi, ta rrënuar e të plaçkitur.

Më kujtohet, kur unë dhe ti, por edhe disa kolegë që të tjerë nga Peja kishim ngelur pa punë. Unë fillova të marrë një grim “rrogë” në RTV-21, kurse ti ishe ende pa punë në dorë. Në Radiotelevizionin e Kosovës, në Radio-Kosova(dikur Radio-Prishtina), me ftuan që të filloja nga puna, por u dakorduam unë e ti, që ti të fillosh punën aty si korrespondent nga Peja. Ashtu edhe ndodhi, dhe deri në fund punove me sukses edhe në këtë institucion informativ. Më kujtohet, kontributi yt edhe në “Kosova sot”, në “Koha Ditore”, në KTV etj.

I tërë ky shkarkim imi shpirtëror më rëndon dhe më therë edhe për shumëçka, edhe për qytetin tënd dhe timin...

Në Pejë, ishe koleg dhe bashkëpunëtor i pashembullt. Ishe i dashur dhe i afërm, ishe komunikativ... Dhe, i tërë ky shkarkim imi shpirtëror, më dhemb edhe për shumëçka, sepse, në qytetin tënd, edhe timin, në Pejë, u angazhove që informimi nga kjo pjesë e Rrafshit të Dukagjinit të jetë sa më profesional, me kohë dhe shumëdimensional e gjithëpërfshirës.

Para sa kohe, ishe edhe Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Pejë, por nuk të lanë! E ke ditur ti shumë mirë se kush..., por...

I di, por edhe më kujtohen edhe “turbulencat” e jetës tënde, që të kanë ngarkuar me dhembje e me peshë shpirti, e që të cilat, mençur, mirë dhe kujdesshëm gjithnjë i përballove dhe i tejkalove...

Ditën e mërkurë të 07 dhjetorit 2016, kumtoi lajmi se Zyhdi Belegu kishte ndërruar jetë. Nuk doja të besoja, edhe pse, kishte kohë që fytyra e tij kishte pamje të lamtumirës, por asnjëherë nuk jepej. Dhe, nuk dita se çfarë të bëja, por ashtu, e shkrova një grimë tekst me peshën e zemrës dhe të shpirtit. Nuk dija se çfarë të shkruaja dhe as çfarë të them. Më kapluan shumë kujtime, që, sikur ma çmendnin arsyen, sikur ma rrënonin çdo gjë të rrugëtimit jetësor.

Ja, se çfarë shkrova atë ditë, që ndoshta disa fjali janë përsëritur edhe në këtë shkrim:

I dashuri mik dhe koleg, Zyhdi Belegu, erdhi momenti që për Ty t’i shkruaj fjalët tunxh, e që këtë kurrë nuk e kam menduar por as nuk do ta pranoj...

Ike shpejtë, por, i di mundimet dhe përplasjet tuaja në realizimin e detyrës prej gazetarit, të njeriut që u përpoq që në mënyrën më të mirë të mundshme ta informojë popullin për ngjarjet që e përshkonin rrugën dhe historinë e kombit dhe të Kosovës.

I dashuri, Zyhdi, ishe një koleg dhe bashkëpunëtor i shkëlqyeshëm dhe shumë njerëzor e human. Shpeshherë kemi biseduar dhe debatuar për fatin e kombit dhe të atdheut, por edhe për profesionin e gazetarisë.

Në Pejë, ishe një gazetar-korrespodent i rrallë që nuk kishte shans të të kalojë ndonjë ngjarje pa e mbuluar...

I dashuri koleg, Zyhdi, Ti do të ngelësh një figurë e paharruar në fushën e gazetarisë kosovare dhe jo vetëm kosovare. Jam i vetëdijshëm dhe më dhemb se edhe pas luftës u përpoqën që punën tuaj profesionale ta pengojnë ata që gazetarinë e dinë vetëm si kuptim e jo si profesion, bile, as kurrë nuk kanë për ta ditur peshën e shenjtë të gazetarisë. Por, Ti qëndrove stoik deri në fund...

Andaj, i dashur koleg, Zyhdi, sot ti fizikisht më nuk do të je në mesin tonë, por jeta dhe vepra jote do të janë pjesë e ndritshme e gazetarisë kosovare dhe kombëtare.

I lehtë të qoftë dheu i Kosovës, dheu i Pejës, që aq shumë i deshe...
Në shtëpinë tënde të përjetshme pusho i qetë, sepse, përherë do të mbetesh pjesë e kujtimeve dhe e historikut të gazetarisë por edhe e historikut të Pejës.

I nderuari Zyhdi, kurrsesi dhe kurrë nuk mund të të them

LAMTUMIRË...!
Kaq, se gjërat tjerat më janë ngujuar dhe po më përcëllojnë në zemrën dhe shpirtin tim...

 

Sejdi BERISHA (E mërkurë, 07 dhjetor 2016).

 


Iku Zyhdiu! Po, pse ike ore burrë kështu, sepse, i kemi pasur edhe disa llafe t’i vulosim së bashku, e tash, ajo pjesë e fletëve të librit mbesin të bardha, mbesin dhembje, trishtim, zhgënjim... Mbesin etje e mall për shumëçka, o miku im.

Iku redaktori, gazetari dhe veterani i gazetarisë pejane me tërë atë bagazh, më tërë atë histori të pa kallëzuar gazetarie. Dhe, ani, çfarë tash?! A është dhembje, a është përgjegjësi apo çfarë është kjo,... Le të komentohet dhe vlerësohet, por ai u varros pa një mbledhje komemorative, pa një fjalë lamtumire dhe falënderimi për punën e tij! Ani, se, kështu e ka jeta. Ndoshta, kështu e ka edhe Peja...! Kështu kishte ndodhur para sa vitesh, edhe kur nga jeta dhe nga ne u nda gazetari pejanë, Refik Serça, i cili ishte gazetar i Radiotelevizionit të Prishtinës e më vonë edhe i gazetës “Bota Sot” dhe i mjeteve të tjera të informimit.

Megjithatë, Ti, Zyhdi Belegu, ishe dhe mbetesh pjesë e historisë së gazetarisë pejane, asaj të Kosovës dhe të gazetarisë kombëtare.

I nderuari mik dhe koleg, Zyhdi Belegu, të premtoj se mbi varrin tënd do ta hedh një tufë lulesh të freskëta, edhe pse e di se kjo nuk mjafton, por do të thotë ndoshta diçka për respektin që kam pasur dhe që kam për Ty...

Lamtumirë miku im. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës,... edhe i Pejës!

Kujtimi im për ty do të jetë i përjetshëm.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora