E hene, 29.04.2024, 07:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Kadri Kadiu: Kulakët e Pojanit

E premte, 23.12.2016, 11:24 AM


KULAKËT E POJANIT

(Ngjarje e jetuar)

Nga Kadri Kadiu

Ishte vjeshtë e vitit 1970. Njëmbëdhjetë familje të fshatit Pojan i kishin drejtuar një letër Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor Haxhi Lleshi ku i ankoheshin se ata, megjithëse punonin në kooperativë, nuk i furnizonin me prodhimet në natyrë që kooperativa u a ndante anëtarëve sipas ditëpuneve dhe gjithashtu nuk kishin të drejtë që të blinin në dyqanet e Kooperativës fruta, perime e produkte të tjera të cilat u shiteshin anëtarëve me çmime të ulta, çmime të Kooperativës. Përveç kësaj, në letër ngrinin dhe një problem tjetër: Në atë vit kishte mbaruar elektrifikimi i plotë i Shqipërisë. Nuk kishte mbetur shtëpi e kasolle pa shkuar drita elektrike edhe në skajet më të largëta. Mirëpo ja që në fshatin Pojan të Korçës, në këtë fshat të madh e të begatë, me një vendim të Këshillit të Bashkuar të Kooperativës, këtyre njëmbëdhjetë familjeve nuk u ishte lidhur linja elektrike.

Kjo letër vjen për kompetencë në Komitetin Ekzekutiv të Korçës dhe meqenëse unë aty isha Inspektor për Problemet e Organizimit dhe të Zbatimit të Statutit të Kooperativave Bujqësore, shkova në Pojan për ta verifikuar dhe zgjidhur këtë ankesë.

Në Zyrat e Kooperativës u takova me Zv/Kryetarin e Kooperativës; ishte një burrë i shtruar me mbiemrin Arapi, me shefin e Planit, mikun tim Vançi Marko si dhe me Kryetarin e Këshillit të Bashkuar. I vura në dijeni arsyen pse isha aty dhe u a dhashë për ta lexuar letrën e ankuesve. Ata, pasi e lexuan, më deklaruan se ato që shkruheshin në letër ishin të vërteta por që këto veprime i quanin të mbështetura në vendime të ligjëshme të forumeve përkatëse dhe që, sipas gjykimit të tyre, ishin në përputhje me vijën e Partisë për luftën e klasave.

I dëgjova me vemendje arsyetimet dhe justifikimet e tyre. Ishin goxha kuadro të respektuar dhe me emër në Rrethin e Korçës kështu që duhej të matesha për gjykimet që do të jepja pasi problemi ishte shumë delikat. Unë në atë kohë isha vetë anëtar i Partisë por luftën e klasave nuk e konceptoja në atë mënyrë.

Atëhere, u thashë, do t’i marrim gjërat me rradhë:

Së pari për problemin e furnizimit: Këto familje janë të cilësuara kulake pasi në të kaluarën kanë patur shumë toka dhe prona. Tani jemi në vitin 1970, ata janë shpronësuar që me reformën agrare të vitit 1946 dhe sot tokat dhe pronat e tyre i ka kooperativa, kështu që pasuria e tyre është vetëm titulli kulak dhe krahët e punës. Si qytetarë të Shqipërisë ata kanë të drejtën që të punojnë dhe të sigurojnë mjetet e jetesës në ndërmarrjet shtetërore apo në kooperativë pasi sektor privat nuk ka në Shqipëri. Në bazë të Statutit të Kooperativave këto familje gëzojnë të drejtën që të punojnë si gjithë kooperativistët e tjerë dhe për punën e kryer të shpërblehen po njëlloj si gjithë kooperativistët, me përjashtimin që nuk kanë të drejtën e votës, pra nuk zgjedhin dhe nuk zgjidhen në organet drejtuese të Kooperativës si dhe nuk u jepet tokë për kopsht personal. Por edhe këto përjashtime nuk mund të zgjatin pa kufi. Nuk duhet që për hir të prindërve, kulakë të dikurshëm, ta pësojnë gjithë jetën bijtë dhe nipërit e tyre. Duhet që të gjykohet konkretisht për secilin prej tyre dhe për ata që tregohen të ndërgjegjshëm, të sakrificës, të sjellshëm, u jepet anëtarësia me të drejta të plota në Kooperativë. Juve deri tani këtë nuk e keni bërë për asnjërën nga këto familje por keni bërë një gjë të kundraligjshme dhe jo humane: Edhe për punën që ata bëjnë në kooperativë, dhe ma merr mëndja që punërat më të rënda bëjnë, juve nuk i jepni shpërblimin që u takon. Kur juve nuk i furnizoni me fasule, patate, bulmet apo me një dorë miell për të bërë një lakror, si mendoni se ata do të mbajnë frymën dhe do të jenë në gjendje për të punuar? Po fëmijët e tyre do të lyejnë një fetë bukë me gjalpë apo do ta hanë vetëm me sheqer? Prandaj shokë të dashur, u thashë, menjëherë të bëhen listat dhe nesër t’iu ndahen, sipas ditëpuneve të kryera, të gjitha ato produkte në natyrë që u takojnë dhe nuk i kanë përfituar deri më sot si kooperativistët e tjerë. Dyqaneve të kooperativës jepuani që sot urdhërin që këto familje të blejnë njëlloj si të tjerët.

Këto gjëra do të bëhen kështu, u thashë, jo se i them unë por se janë të ligjëshme; dhe për gjithçka që thosha ua lexoja nenet e Statutit, Udhëzimet dhe dispozitat e tjera ligjore të cilat i kisha marrë me vehte. E vërteta është se për çka fola bashkëbiseduesit nuk më kundërshtuan, më mirëkuptuan dhe ndjeva se edhe ata ndjenë një pendim.

Tani, u thashë, kalojmë në çështjen tjetër, atë të energjisë elektrike. Vetëm po ua them hapur, unë s’di çfar t’ju them për këtë çështje pasi juve jeni kuadro më të vjetër se unë dhe këtu nuk më vjen në ndihmë as Statuti i Kooperativave dhe as ndonjë dispozitë ligjore që të përcaktojë se cila kategori shqiptarësh nuk e meriton dritën elektrike. Po si or burra të dheut, këtë fitore kaq të madhe, elektrifikimin e plotë, që Partia e ka quajtur të rëndësishme sa dhe çlirimi i Shqipërisë, juve nuk e shtrini në gjithë fshatin tuaj? Po pse, këto njëmbëdhjetë familje do ti lini të pa çliruara akoma? Mirë që për atë çlirimin e parë ndonjë pjesëtar i këtyre familjeve mund të ketë qënë në frontin e kundërt të luftës por ma merr mendja se në këtë çlirimin prej errësirrës kanë qënë me ne dhe me fëmijët e tyre. E pra, mendoj se është i gabuar dhe i dëmshëm një veprim i tillë dhe nuk çon në forcimin e unitetit të popullit. Unë, i u drejtova Kryetarit të Këshillit të Bashkuar, kam ardhur këtu si përfaqësues i një organi ekzekutiv dhe nuk mund të transmetoj urdhëra për një organ të pushtetit legjislativ siç jeni juve por mund t’ju rekomandoj që ta anulloni këtë vendim dhe këtyre familjeve t’iu lidhni dritat.

Kështu do të bëhet, mu përgjigj Kryetari, por meqë është një vendim kolegjal, nuk mund ta anulloj vetë, do të bisedoj me shokët, do e diskutoj dhe me Sekretarin e Byrosë.

Nga mënyra se si më kundronte Kryetari kur flisnja, kuptova se ai u ndje mirë nga takti që përdora në bisedë me të.

Pasi ramë dakord se si do të veprohej, u kërkova që të lajmëronin familjet e interesuara pasi unë duhej t’i takoja përfaqësuesit e tyre dhe t’i vinja në dijeni për verifikimin e ankesës që kishin bërë dhe mënyrën e zgjidhjes. Ora kish kaluar katrën pasdite dhe njerëzit po ktheheshin nga puna. U bë njoftimi nga korrieri i Kooperativës se në orën pesë përfaqësuesit e këtyre familjeve duhej të ishin në Zyrat e Kooperativës pasi kishin takim me një të deleguar nga Komiteti. Ndërkohë ne dolëm nga zyra dhe shkuam poshtë në klub për të pirë nga një kafe.

Në orën pesë fiks u futëm në një sallë mbledhjesh ku po na prisnin përfaqësuesit e familjeve ankuese, të ulur njeri pas tjetrit në karriket e rreshtit të parë. Ishin njëmbëdhjetë, nuk mungonte asnjë. Sa hymë ne, ata u çuan të gjithë më këmbë sikur të ishin ushtarë. Më erdhi keq dhe turp. Mirëmbrëma, u thashë dhe ata kthyen të njëjtën përshëndetje në një zë. Ju hodha një shikim të përgjithshëm, ishin nëntë burra dhe në cep të rreshtit, dy gra shamibardha. Me shikimin e dytë i vlerësova nga mosha. Ishin të moshave nga njëzet deri në pesëdhjetë vjeç. Pastaj fillova t’u jepja dorën secilit. Pas meje, të njëjtin veprim bënë dhe Kryetari i Këshillit, Zv/Kryetari i Kooperativës dhe Shefi i Planit. Pasi kisha takuar nëntë burrat, zgjata dorën të takoja gruan që qëndronte më këmbë pranë karrikes së parafundit. Por ç’të shoh: Para syve të mij ishte ajo; e mira, e bukura, e urta Hedije. Ishte Hedija, vajza e daiut tim. Fati e kishte sjellë që ajo ishte martuar në Pojan me një njeri shumë të mirë dhe punëtor, me Dutin i cili ishte rritur jetim në shtëpinë e disa kushërinjve të vet dhe që tani mbante nofkën e kulakllëkut të kushërinjve. Në ato çaste një drithmë korrenti më përshkoi gjithë trupin, nga koka në këmbë. Po tani, mendova, sikur Hedija të më hidhet në qafë e të fillojë të më pyesë me emra se si i kam njerëzit e shtëpisë? Kjo gjë do ta komplikonte çështjen dhe do ta rëndonte pozitën time pasi mund të mendohej se pozicionimi im për zgjidhjen e ankesave të tyre ishte motivuar nga arsye të lidhjeve familjare. Kështu e mendova në çast unë dhe e paragjykova Hedijen por ajo më kishte parë mirë sa kisha hyrë në derë dhe e kishte bërë mendjen top. Ajo më dha dorën, pashë se lëvizi pak buzët por nuk i doli asnjë tingull nga goja. Kaloi për bukuri kjo situatë, Hedija “nuk më njohu”. Unë i dhashë dorën edhe gruas tjetër dhe pastaj bashkë me tre drejtuesit vendorë u ulëm para ankuesve, pranë një tavoline që afruam.

U prezantova para tyre dhe u thashë se kisha ardhur për të verifikuar ankesat që i kishin drejtuar Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Pastaj i pyeta nëse kishin ndonjë problem tjetër përveç sa shkruanin në letër.

Jo, më thanë, nuk kemi gjë tjetër.

Atëhere, u thashë, ne i biseduam këto probleme me drejtuesit e Kooperativës dhe të Pushtetit, ankesat tuaja i konsiderojmë të drejta dhe do të zgjidhen. Për problemin e furnizimit në dyqanet e Kooperativës shitësat e kanë marrë urdhërin që sot nga Shefi i Planit dhe do t’ju shërbejnë njëlloj si gjithë kooperativistëve. Po ashtu, nesër mbasdite mund të shkoni në magazinën e Kooperativës dhe të tërhiqni të gjithë sasitë që ju takojnë sipas ditëpuneve tuaja, në fasule, patate, miell, gjalpë dhe çdo gjë tjetër që Kooperativa ka ndarë në natyrë. Përsa i përket energjisë elektrike edhe ky problem mendojmë se do të zgjidhet por përgjigjen se kur, do ta merrni pas disa ditëve pasi këtu mund të ketë edhe … probleme instalimesh.

Me lejë shoku i deleguar; kërkoi të flasë djali më i ri i njëmbëdhjetëshes.

Urdhëro, i thashë.

Instalimet e rrjetit elektrik në shtëpitë tona janë bërë qëkuri, bashkë me gjithë shtëpitë e fshatit, por kur u lëshua rryma elektrike, shtëpitë tona nuk u lidhën. Juve e shihni se në fshatin tonë shtëpitë janë varg njera pas tjetrës, vetëm nga 30 metra tel na duhen, edhe atë e sigurojmë vetë dhe brenda një ore elektriçisti i lidh të njëmbëdhjetë shtëpitë tona.

U krijua një pauzë e shkurtër. Unë u ndjeva keq pasi më doli huq ai sebepi i “instalimeve” dhe po shikonja nga Kryetari i Këshillit. Kryetari e dinte mirë që nuk kishte punë instalimesh dhe po mendohej para se të fliste. Ishte ndofta në mendime të mëdyshta por e ndjeva që po reflektonte për këta njerëz.

U ngrit e tha: Pasnesër do të keni edhe dritat elektrike, tani natën e mirë.

Meqë Kryetari i ra shkurt dhe defakto e mbylli mbledhjen, u ngritëm të dalim. Por nuk mund të dilnim dot nga salla, “na rrethuan kulakët”. Ishin të drojtur të na jepnin dorën apo të na përqafonin por njëmijë urime dëgjuam të dilnin nga zemrat e tyre: Të lumtë goja o shoku Kryetar, rrofsh o shoku Nënkryetar, t’u bëftë dita njëmijë o shoku Shef i Planit, ta paçim borxh o shoku i deleguar. Qanin nga gëzimi. S’kishin faj, bëhej fjalë për bukën e gojës dhe dritën e kalamajve.

Pas ca ditësh, kur u ktheva nga puna, gruaja sa hapi portën, e gëzuar më tha: Hajde, të ka ardhur çupa e dajës, Hedija, mezi po të pret. Hyra në kuzhinë dhe ajo s’priti gjatë por më mbuloi me të puthura e përqafime: Më fal o vëllai i motrës që nuk të fola atë ditë, më mbeti merak e s’duroja dot prandaj erdha.

Ti bëre veprimin më të mirë moj Hedije se përndryshe do të ngatërohej puna keq, i thashë, dhe pastaj fillova ta pyes për shëndetin e burrit të saj, Dutit dhe të fëmijëve. Mbi tavolinën e kuzhinës pashë se ishte vendosur një radio “Sonra” e re në kuti kartoni dhe më tej një qese bezeje me nja 2-3 kile fasule. Ato “flisnin” vetë, pse ishin aty por unë pyeta: Po këto gjëra çfarë i ke moj Hedije?

Kadri; neve na i lidhën pardje dritat kështu që fëmijët po fluturojnë nga gëzimi dhe kërkonin radio medoemos. Do të vinte Duti në Korçë për ta blerë, se ai i bën pazaret, por siç të thashë, mua më mbeti mendja që s’të fola atë ditë. Na dhanë edhe miell, patate e fasule, shpëtuam nga një e keqe e madhe, fasule morëm më shumë se njëzet kile prandaj ju kam sjellë pak edhe juve.

Ndërkohë nusja ime shtroi tavolinën për të ngrënë. Hedija nuk deshi të qëndronte për drekë por ne nuk e lamë të ikte. Pas buke u ngrit menjëherë se donte të shkonte sa më parë, fëmijët më presin t’iu shpie radion, tha.

Do të të përcjell deri te Agjencia e Autobusëve, i thashë unë.

Jo të keqen motra, më tha, nuk dua të të shohë njeri me mua se të marr më qafë, të heqin nga puna.

E kishte drejt Hedija, nuk e kalova pragun e derës, dola në ballkon dhe me lotë në sy e ndoqa deri sa mori kthesën e rrugës.



(Vota: 6 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora