E shtune, 22.06.2024, 01:11 PM (GMT+1)

Kulturë

Shahu: Fragment nga Monografia për Ismail Rakën

E diele, 18.12.2016, 11:25 AM


Rexhep Shahu

fragment nga Monografia per Ismail Raken, kapitulli a

 

***

Natën e të martës së 29 nëntorit 1994, ditën e festës së çlirimit të Jugosllavisë, një ditë pas 28 nëntorit, festës së pavarësisë së Shqipërisë administrative, tetë policë serbë të UDB - së jugosllave, shtatë me uniformë e një civil, rrethojnë në fshehtësi shtëpinë e Ismail Rakës mbi Gurine Shpuem të Kaçanikut.

E kishin kërkuar e gjurmuar për vite e muaj me radhë, por ai kishte refuzuar përfundimisht të paraqitej në milici për “bisedë informative”. E kishin thirrë për herë të fundit para 17 muajve por ai kishte hyrë në ilegalitet të thellë. E kërkonin ngado.

Në këtë natë milicët ia rrethuan shtëpinë, të bindur se kësaj herë nuk do të dilnin duarthatë.

Në 5 e 30 minuta të atij mëngjesi të ftohtë fundnëntori, troket me forcë disa here shpejt e shpejt dera e shtëpisë së tij.

Njerzit ishin në gjumë. Kishin ndenjtë vonë duke biseduar e duke luajtë fëmijët, se atë natë kishte ardhë motra e tij e vogël Nazlija me tre fëmijët e saj.

Me shpejtësi, e trembur e gjithë ankth, zbret menjëherë në katin e parë tek dera e shtëpisë e shoqja e Ismailit, Xhemilja, që duke u afrue te dera, dëgjon “shkavin e Kaçanikut që fliste shqip”, që thërriste ashpër e vrazhdë, : “Çele derën…”.

Xhemilja duke çelë derën sheh përballë, katër automatikë drejtuar drejt saj.

Djali i madh, Labinoti 15 vjeçar, që doli bashkë me nënën e tij të çelte derën, e prej frikës rrinte pas saj, sheh tytat e katër armëve drejtuar nënës së tij. Ai e njohu policin e Kaçanikut, Lubishën.

Policët e tjerë ndërkohë kishin rrethuar shtëpinë në të gjitha anët.

A është Ismaili këtu, pyeti në shqip, polici me emrin Lubisha.

Jo, i përgjigjet Xhemilja, nuk është këtu.

Në çast, nga kati i dytë, vjen zëri i fortë i Ismail Rakës :

“Këtu jam këtu, hyni…”.

Gruaja në çast u step. Iu bë se pas kurrizit të saj, nga atje në krye të shkallëve të katit të dytë, i shoqi, që foli me zë aq të fortë e të rëndë, do të qëllonte mbi policët.

Sa ajo ktheu kokën ta shihte atje mbi shkallë, iu kujtua që ai i kishte thënë shpesh se, “po të më kapin milicët në shtëpi, do të bëj çfarë të thonë ata që të mos më rrehin e të më poshtrojnë në sy të fëmijëve se nuk e duroj me më rrehë në sy të fëmijëve”.

Nuk pati kohë të mendonte më tëj se policët e shtynë derën gjysmë të çelur dhe u sulën drejt tij si bisha, duke shtyrë anash Xhemilen e Labinotin, i cili i pyeste policët, që nuk dëgjonin, “çfarë ka bërë baba im…”.

***

Xhemilja e Labinoti u ngatërrohen nëpër këmbë policëve e shtyhen prej tyre teksa ata nxitonin për në katin e dytë. Aty, atë çast, Labinoti e pa dhunën serbe. E pa pemën e saj, frutet e saj. I pa sytë e skuqur e të gjaktë të dhunës serbe. Edhe vetëm kaq do të mjaftonte që ai fëmijë ta urrejë sa të jetë gjallë dhunën serbe. Vetëm tytat e armëve drejtuar nënës së tij do të mjaftonin që kurrë ajo pamje të mos hiqej nga sytë e këtij adoloshenti. Vetëm ajo pamje do të mjaftonte që ky 15 vjeçar të bëhej një kundërshtar me bindje të thellë i regjimit serb, i pushtuesit serb.

Policët si të çartur hynë në dhomën ku ishte Ismaili. Me zë të lartë i kërkojnë letërnjoftimin.

Me të njejtin ton të lartë edhe Ismali u thotë, mos bërtisni se fëmijët janë në gjumë… Policët u stepen një çast prej kumbimit të zërit të tij të lartë.

I zgjasin të firmosë një dokument, që thoshte se, lejohen policët që t’ia kontrollojnë banesën. U tha kontrolloni. Sepse kishte vendosë me kohë se po e kapën në shtëpi, do të bënte çfarë të thonë policët vetëm e vetëm të mos e godisnin e të mos e rrihnin në sytë e fëmijëve.

Hyn te dhoma tjetër ku ishte në gjumë Shkelzeni, 13 vjeç, që po flinte dhe e zgjon ngadalë, duke i thënë, Gen, çohu bir, çohu ngadalë… I biri hap sytë dhe sheh dy policë pas kurrizit të babait. Shtanget nga frika fëmija i sapozgjuar.

Kush janë këto o babuç, e pyet i vogli, duke iu dridhë zëri tek sheh dy fytyra të vrazhda pas shpinës së të atit me automatikë në duar.

Do shokë…, i përgjigjet Ismaili. Por ti mos u tut, na nuk kemi frikë prej tyre.

Fëmija ngrihet i shastisur. Nis të qajë. Sheh dhe dy policë të tjerë kur del nga dhoma.

Hajt shko poshtë te të tjerët, i thotë Ismaili dhe e përcjell deri në krye të shkallëve.

Ndërkohë, policët i kanë marrë gjithë pjesëtarët e familjes dhe i kanë mbyllë në një dhomë të katit të parë, në derën e të cilës rrin roje një polic që prekte e përkëdhelte automatikun që mbante në krah me tytën drejtuar nga familjarët.

A ke edhe ti ksij arme si unë, pyet polici me djallëzi Shkelzenin kur ai po bashkohej me pjesëtarët e tjerë të familjes.

Ne nuk kemi miell për bukë e ti m’i pyet fëmijët për armë, i drejtohet me hakërrimë policit provokator gruaja e Ismailit, që e kishin mbyllë në atë dhomë bashkë me fëmijët, e cila kap një thes bosh mielli dhe ia tund para syve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora