E merkure, 11.12.2024, 04:27 AM (GMT)

Kulturë

Pierre-Pandeli Simsia: Dhurata ime për Krishtlindje

E premte, 23.12.2016, 10:44 AM


DHURATA IME PËR KRISHTLINDJE

Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia

Më quajnë Benxhëmin (Benjamin) por shkurt më thërrasin, Ben.

Motra ime, Agi, është tre vjetë më e madhe se unë.

Jam 14 vjeç, nxënës në klasën e shtatë; studjoj në një shkollë private.

Apartamenti ku ne banojmë është i madh, me tre dhoma gjumi, luksoz, ashtu siç janë të gjithë apartamentet e pallateve pranë bulevardit të njohur dhe famoz në Nju Jork ku edhe jeton shtresa e pasur e shoqërisë amerikane.

Kur prindërit tanë vendosën ta blejnë apartamentin, unë isha tre vjeç.

Ndjeheshim të gëzuar të gjithë në familje.

Edhe apartamenti i mëparshëm ku ne banonim, pothuajse ishte i njëjtë, luksoz, por, kishte vetëm dy dhoma gjumi; ndërsa tek ky i riu, unë dhe motra ime kemi dhomat tona personale.

Që në moshën tre vjeç, provova vetminë e të fjeturit në dhomën time, për këtë arësye, mua m'u duk vetja se isha rritur para kohe.

Babin, pak orë kishim mundësi ta shikonim gjatë gjithë kohës; dilte nga shtëpia për në punë në mëngjes dhe kthehej në orët e vona të mbasdites.

Sa shumë e ndjenim gjatë ditës mungesën e babit në shtëpi!

Ditët e pushimit javor, në fundjavë, ishin ditët më të bukura për familjen tonë. Dilnim të katër, shkonim në kinema, në opera, në restorante të ndryshme.

Unë kënaqësinë time më të madhe e ndjeja kur babi më merrte në krahë dhe unë mbështesja kokën në supin e tij. Sa herë më kishte zënë gjumi mbi atë sup të ngrohtë babai!

Në frymëmarjen time me kokën mbështetur mbi supin e tij, ndjeja një aromë të paspjegueshme, aromën e lëkurës së trupit të babit tim. Nuk e di, nëse edhe moshatarët e mi e kanë atë ndjesi që kam patur unë kur ndodhesha në krahët e babit tim.

Prindërit e mi, janë njohur me njëri tjetrin në moshën e tyre të adoleshencës në shtetin nga ku edhe e kanë origjinën dhe, nga ajo dashuri e zjarrtë u kurorëzuan në martesë nga ku lindëm edhe ne, motra ime dhe unë.

Sa familje e bukur që ishim!

Këtu në Nju Jork kemi shumë miq dhe shokë, por, njerëzit më të afërm të familjes së babit dhe mamit, i kemi në shtetin ku edhe kemi origjinën tonë.

Kisha pak muaj që kisha mbushur moshën 5 vjeç. Atë kohë, ne na kishte ardhur për vizitë motra e mamit nga shteti ku jeton. E kishte menduar të rrinte disa ditë.

Zakonisht, kur na vijnë miq nga shtete të ndryshme të Nju Jorkut, në mbrëmje shkojnë të flejnë në hotel ku e kanë pronotuar më parë. Praktikë kjo mëse e njohur për të gjithë banorët.

Mami e kishte biseduar me babin dhe ai e kishte miratuar menjëherë dëshirën e mamit që, ato pesë ditë që motra e saj do qendronte në Nju Jork, do flinte në apartamentin tonë.

Kompjuerin lop top që e kishte sjellë me vete tezja, e kishte identik si të babit.

Babi, zakonisht kompjuterin e tij lop top e mbante në dhomën ku flinte me mamin.

Si çdo ditë edhe atë mëngjes, babi u nis për në punë duke na lënë në gjumë mua dhe motrën time.

I përgjumur, dëgjova mamin dhe motrën e saj të bisedonin... Biseda e tyre nuk ishte e zakonshme; m'u duk sikur mami në bisedë me motrën e saj herë herë e ngrite tonin e të folurit, ndërsa motra i ndërhynte me urtësi, të ketë kujdes nga fëmijët, pra nga mua dhe motra ime.

I përgjumur, u çova gjysëm trupi dhe po rrija mbi krevat. M'u bë se, përveç zërit të mamit dhe motrës së saj, dëgjova dhe zërin e motrës sime, që ishte 8 vjeçe. Nuk dija ç'të bëja. Dëgjova, apo ashtu m'u bë, sikur motra ime Agi po qante dhe, në mes të qarave të motrës, dëgjoja zërin e mamit dhe tezes që mundoheshin ta qetësonin.

U çova me ngadalë nga krevati dhe me hapa të lehtë shkova drejt derës së dhomës. Me ngadalë lëviza dorezën e derës, pastaj e hoqa dorën me frikë. Ndjeva hapa. Pash që u hap dera e dhomës sime. Ishte motra e mamasë.

- Pse u zgjove kaq herët, Ben? Hajde, të keqen tezja jote, shtrihu, fli, se është herët akoma për në shkollë.

- Ku është mami? - e pyeta me zë të trembur.

Tezja më vështroi plot dhimbsuri.

- Këtu është edhe mami, po përgatit kafenë ta pijmë të dyja si çdo mëngjes - më foli tezja me zë ledhatar.

E pash tezen në sy, syt i dukeshin të shuar dhe, pa folur u shtrita në krevat. Mbulova kokën me batanije. Asgjë nuk po kuptoja, më kishte rrëmbyer gjumi.

Në ditët në vazhdim, kuptuam që marëdhëniet e mamit me babin u acaruan shumë edhe pse ata i shmangeshin grindjeve kur unë dhe motra ishim në shtëpi.

Ç'kishte ndodhur vallë me prindërit tanë?!

Atë mëngjes, kur babi kishte ikur në punë, gabimisht, kishte marrë kompjterin lop top që ndodhej në korridor, por, që ai kompjuter ishte i tezes sime.

Kur tezja, si çdo ditë kishte hapur kompjuterin, përpara ekranit i kishte dalë fotografia e një vajze të panjohur dhe mesazhet e shumta dashurore në formën e dialogut midis asaj dhe babit tim.

Mami dhe tezja, nga ato çfarë panë dhe lexuan në kompjuter, krejt të papërgatitura, të shqetësuara në kulm, nuk donin t'u besonin syve.

Ishte më se e qartë që babi im e kishte tradhëtuar mamanë tonë dhe kishte krijuar lidhje dashurie të forta me një vajzë tjetër.

Për çudi, vajza që kishte rënë në dashuri me babin tonë, para pak vitesh, ishte shpallur edhe Miss i shtetit ku ajo jetonte, i njëjti shtet nga janë edhe prindërit e mi.

Mami e përjetoi shumë keq tradhëtinë bashkëshortore të babit.

Edhe pse në atë moshë që isha unë atëkohë, edhe pse mami mundohej të mos e jepte veten përpara meje dhe Agit, shumë herë ia kisha parë sytë e saj të bukur, përlotur dhe të skuqur.

Në javët në vazhdim, procedurat e divorcit të babit me mamin u përshpejtuan.

Trupi gjykues, bashkë me vendimin për zgjidhjen e martesës së prindërve tanë, vendosi që, brenda pesë ditëve, babi duhet të merrte gjithçka kishte të tijën (veshjet dhe sendet personale) duhet të largohej nga apartamenti pa të drejtë banimi, si edhe detyrimet financiare mujore për mua dhe motrën time.

Ishte shumë e dhimbshme largimi i babit tonë nga shtëpia.

Atë ditë, ishte dita e fundit, na përqafoi mua dhe motrën time, duke na thënë se do vinte për të na takuar.

Unë dhe Agi e kemi përjetuar dhimbshëm mugesën e babit në familjen tonë, veçanërisht, në fundjavë, kur ne duhet të kënaqeshim të katër në familje.

Kujtoja ditët, sa e sa herë dremisja mbi supin e babit tim.

Pas disa muajve, babi i telefonoi mamit që do vinte të na merrte në fundjavë ta kalonim së bashku në shtëpinë e tij të re, ku edhe jetonte me të dashurën e tij.

Motra ime nuk e pranoi atë kërkesë të babit, ndërsa unë, më kishte marrë shumë malli dhe mezi prisja që të vinte, ta shikoja, ta përqafoja.

Mami, me urtësi, e këshillonte motrën që duhet të shkonte, ta takonte, ta përqafonte, madje edhe të flinte atje për fundjavë.

E dëshpëruar, me lot në sy, jashtë dëshirës së saj, motra më hodhi dorën në qafë dhe zbritëm poshtë pallatit ku edhe na priste babi.

Kishin kaluar pothuajse dy vjetë që babi ishte larguar nga familja, kur, një ditë e njofton mamin; i thotë se, do largohej nga Nju Jorku për në shtetin e tyre nga ku edhe kishin ardhur në Amerikë. Do punonte për të njëjtën kompani amerikane që punonte edhe në Nju Jork.

Kjo nënkuptonte, që takimi i babit me mua dhe motrën time do ishin më të rralla, madje shumë të rralla.

Dhe ashtu ndodhi vërtetë. Pas ikjes së tij nga Nju Jorku në shtetin e tyre, babi, pothuajse një herë në vit vinte të më takonte mua dhe motrën time.

Edhe me largimin e babit tonë nga apartamenti ynë, regjimi për mua dhe motrën time vazhdoi të ishte i njëjtë; në orën 9-të të mbrëmjes ne duhet të shtriheshim në shtrat për të fjetur, regjim të cilin edhe tani e zbatoj me korrektësi.

E vështirë shumë ishte për mua dhe motrën time kur në apartamentin tonë hyri për herë të parë një burrë, që mami na e prezantoi si shokun e saj, por me ardhjet e tij të shpeshta, mami na tha se ishte i dashuri i saj (Boy friend)

Mami nuk na i spjegoi arësyet e asaj lidhje dashurore, por edhe ne nuk e pyetëm kurrë; nuk mund të ndërhyjmë në jetën e saj private që ajo duhet të zgjedhë për ta jetuar.

Marëdhënia e mamit me të dashurin e saj vazhdoi pothuajse një vit. Pas ndarjes me të dashurin e parë, disa muaj më vonë, mami na tha, që ishte njohur me një burrë tjetër. Edhe ai ishte i divorcuar nga bashkëshortja e tij me të cilën kishin lindur një vajzë që ishte 20 vjeçe.

I dashuri i dytë i mamit, që në fillim tregoi një dashuri dhe një kujdesje për mua dhe motrën.

Motra e nuk e pëlqente të dashurin e mamit. Sa herë ai vjen tek ne, motra mbyllet në dhomën e saj dhe nuk do që të dalë e të përballet me të.

Mami mundohej shpesh ta bindte motrën që të ndryshonte qendrim, sepse ai së shpejti do hynte në familjen tonë dhe do jetonte bashkë me ne.

M'u kujtua shoku im Joen; edhe ai në familjen e tij jeton me të bashkëshortin e dytë të mamit, që ai i thërret, stepfather, njerk..

I dashuri i dytë i mamit filloi të bashkëjetojë në apartamentin tonë që kur motra hyri në klasën e 9-të për të vazhduar studimet në një shtet tjetër.

Në fillim të muajit Dhjetor, që është edhe muaji i festave, bulevardi i madh ku ne banojmë, merr pamje festive.

Pemët, në të dyja anët e bulevardit, zbukurohen me drita të shumta.

Para disa ditëve, në adresën time, mbëriti një zarf. Lexova emrin e dërguesit; ishte ish i dashuri i parë i mamasë. E hapa. Më kishte dërguar një kartolinë urimi për Krishtlindje. Në brendësi të kartolinës, përveç fjalëve të urimit që i kishte shkruar me një shkrim të bukur, ishin edhe pesë prerje njëqind dollarëshe.

E lexova disa herë urimin që ishte shkruar dhe pesë njëqind dollarët po i mbaja në duar... Që kur ishte ndarë me mamin tim, ish i dashuri i saj, nuk harronte asnjëherë të më sillte dhuratë për datlindjen time si edhe dhuratë për Krishtlindje.

Ia dhash mamit 500 dollarët dhe ajo më porositi që të mos harroja, që edhe unë t'i postoja një kartolinë falenderimi, sigurisht edhe ta uroja për Krishtlindje.

Pas pak ditësh, ishte mbasdite, kur u ktheva nga shkolla, mami më thotë që, postieri na kishte sjellë një pako të madhe, kuti kartoni e mbështjellë me letër të bukur me simbolet e festës së Krishtlindjes.

Lexova emrin dhe adresën e dërguesit; dhuratën ma kishte dërguar babi nga shteti ku punonte dhe jetonte.  Adresa e marrësit ishte emri im: Benjamin F.

- Po motra? - pyeta mamin. - Motrës, nuk i ka postuar pako babi?

- Ndoshta ia ka postuar në shkollë në shtetin ku edhe studjon - u përgjigj mami. Në fytyrën e saj, pash se diçka po mendonte.

I hodha një shikim shpërfillës pakos. Dola nga dhoma. Mami më ndoqi nga pas.

- Ben - dëgjova zërin e mamit dhe ndjeva dorën e saj mbi supin tim. Ndalova dhe ktheva trupin nga mami.

- Ben, - babi të ka sjellë dhuratë për Krishtlindje, duhet ta hapësh, të shikosh se ç'të ka sjellë, madje edhe ta falenderosh.

Nuk po mundja ti përgjigjesha mamit; në grykë më ishte mbledhur një gulç.

Kishte kaluar një kohë e gjatë, më shumë se një vit që babin nuk e kishim parë dhe takuar nga afër.

Kjo dhuratë për Krishtlindje që na kishte dërguar, në vend që të më gëzonte, m'i shtoi edhe më shumë emocionet. Çdo muaj që kalonte, e ndjeja më shumë mungesën e tij në familjen tonë. Jam 14 vjeç djalë; nuk jam i madh në moshë, por edhe i vogël nuk jam. Mbaj mend çdo gjë ndodhi në familjen tonë, që nga dita kur babi u largua nga ne e deri tani që më ka postuar dhuratën për Krishtlindje.

Këto vite janë të ngulitur në mendjen time dhe i lexoj si të kem përpara një libër.

Atë ditë, nuk e hapa dhuratën që më kishte sjellë babi. Edhe mami nuk më nxiti më që ta hapja.

Të nesërmen, kur u zgjova nga gjumi për të ikur në shkollë, e pash dhuratën, mami e kishte lënë në një kënd të dhomës sime.

Nuk më shkonte mendja ta hapja, as kurioziteti nuk më shtynte të shikoja se ç'kishte brenda ajo dhuratë krishlindje.

Njëherë mendova t'ia postoja pakon babit ashtu të pahapur. Ia shpreha edhe mamit këtë mendimin tim. Ajo nuk e pranoi, ma refuzoi, madje më nxiti që duhet ta hap, ti gëzohem atyre ç'më ka sjellë babi dhe ta falenderoja.

Jashtë dëshirës sime, për të plotësuar dëshirën e mamit, e hapëm pakon.

Babi më kishte sjellë veshje të bukura, të shtrenjta. I mora në dorë dhe po i vështroja. Ndjemë aromën e rrobave të reja të dyqaneve që u përhap menjëherë, por, mua ajo aromë, m'u bë, se ishte aroma e trupit të babit tim që kishte shumë kohë që më kishte munguar.

Po rritesha në një familje pa baba me baba gjallë, me dashurinë dhe kujdesin e madh të mamasë sime, në prezencën në familjen tonë edhe të dashurit të dytë të mamasë... Asgjë nuk më mungon në shtëpi, as dhuratat për festat e ndryshme, as rrobat e reja. Më mungon...!!!

Pas tre ditësh, kur motra u kthye nga shkolla për pushimet dimërore të festave të Dhjetorit, në valixhen e saj, kishte sjellë edhe pakon që babi ia kishte postuar si dhuratë për Krishlindje.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora