Shtesë » Historia
At Zef Pllumi: Robnia e gjatë
E shtune, 23.08.2008, 03:44 PM
Fragment nga libri ''Rrno vetëm për me tregue''
At Zef Pllumi
LIBRI III
ROBNIA E GJATE
1967-1989
GJYQET E POPULLIT VAZHDOJNE
Afër gjysës së marsit, para se t’errej dita, ndigjova se nga zyrat e hetuesisë vijshin gjamë të tmerrshme të nji njeriu që torturohej, dikund aty në korridor. Dukej sikur merrshin pjesë disa policë, të cilët edhe shajshin e britshin, por mbi të gjitha, ushtojshin gjamët e atij të mjerit që nuk mund kuptohej se kush ish. Mbas nja nji ore na u duk se ai filloi të lëshojë grahmat e fundit. Mandej u ndien kambë policësh që ecshin me këpucë të randa. Bartnin, me sa kuptoja, nji trup të pa ndjenja ose kufomë. Nuk merrej vesh kurrgja e saktë nga birucat e tmerrshme. Mandej ra nji qetësi vorrit.
N’e nesre më thirrën përsëri në hetuesi.
- E din se do të dalish në gjyq?
- Po.
- Ke rroba të tjera që t’i veshish se këto janë mizerje.
- Kam kostumin e zi.
- Shkruej nji pusullë që t’i bien nesër.
I shkrova dy rreshta motrës dhe teshat m’erdhën po atë ditë.
- E ndigjove ti, - më tha oficeri i rojes, - se ne jemi në shërbim të popullit?
Ditën e gjykimit më thirrën shpejt. Dola i veshun e i mathun me ato tesha të reja. Në dhomën e hetuesit ishte vetëm Shyqyri Çoku. Më foli pa u ulë në karrigë.
- Tash po del në gjyq dhe atje fol lirisht si të duesh e shka të duesh, por mendo se mbas gjyqyit prapë këtu në duert tona vjen. E kupton apo jo? A e ndigjove mbramë atë që lëshonte britma të tmerrshme? Ta bajmë ma zi se atij në rasë se i përmendë fjalimet e shokut Enver Hoxha. Na nuk durojmë ta shajsh publikisht.
- Un nuk e kam sha, por vetëm të kam tregue fjalimet e tij fjalë për fjalë. Pse i shkrueve ti në procesverbal?
- I shkrova se i the ti.
Gjatë përpilimit të procesverbalit Shyqi më kishte pyetë se si e konsiderojshem un mbylljen e kishave. Iu përgjigja se ishte veprimi ma i gabuem i Pushtetit Popullor, sepse lirinë e fesë e garantonte nji nen i veçantë I Kushtetutës, mbi të cilin ishte perpilue edhe ligji “Mbi komunitetet fetare”. Perveç kësaj në nji prej fjalimeve të Enver Hoxhës, i mbajtun në Rrëshen në vjetin 1954, thohet tekstualisht se “propaganda kapitaliste e revizioniste çirret me të madhe se në Shqipëri nuk ka liri feje, se janë mbyllur kisha e xhamija. Por kur kanë ndodhur këto në Shqipëri? – pyet Enveri. – Këto gjëra mund të ndodhin atje ndër vendet borgjeze, kapitaliste e revizioniste, por jo kurr në Republikën Popullore të Shqipërisë”.
- I kam thënë ato fjalë me të vërtetë, - iu drejtova Shyqit, - por ti e ngarkove me to procesverbalin për me më ngarkue sa ma shumë.
- Me të ngarkue sa ma shumë? Ti pate fatin që të mora un, shkodranë. Ti e din fjalën e popullit që thotë: „Vllau yt mishin ta han, por kockën ta len“. E sikur t’ish kenë për ty nji hetues nga jugu? Ik, ban si të duesh e fol si të duesh, para gjykatet je i lirë, veçse përsëri ndër duer tona vjen.
Atëherë thirri me të madhe:
- Jonuz, e ke gadi tjetrin?
- Zoti hetues. Ju e keni në dorë punën; ata prokurorët e gjykatësit shkë i keni dhe mund i porositni që ta kalojnë atë faqe të procesverbalit e mos të më pvesin aty.
- Jo, more jo, na nuk i porosisim ata, por vetëm të themi ty se të duem të mirën.
Jonuzi pruni Dom Nikollë Mazrekun duerlidhun. Ja hoq prangat e me ta na lidhën bashkë të dyve.
Na nxuerën jashtë të rrethuem me gjashtë ushtarë t’armatosun e na drejtuen përtej birucave t’ajrosjes, aty ku gjindej nji portë e madhe druni me dalje në Rrugën e Daullës, kështu thirrej ajo. Priste nji kamion i zbuluem. Hypën ushtarët e me vështirësi edhe na. Kur u hap dera, rruga ishte plot me njerëz që pritshin në të dy anët. Makina ecte kadalë, me ritëm mortor, për me na pa bota. Ndigjojshim gjithfar thirrjesh, që nga „të mjerët“ e deri te „tradhtarët”. Rruga Gjuhadol Serreq, ishte mbushë me parrulla nga ma të ndryshmet. Perveç atyne të zakonshme: „Vdekje tradhtarëve të Atdheut!“, „Poshtë reaksioni i klerit katolik!“, etj. Më bani përshtypje nji parrullë tepër e gjanë e e gjatë e varun në hymje të rrugës së murgeshave. Aty ishte shkrue me germa ma të mëdha: „Kur guri i fundit i kishës së fundit t’i bjerë në krye priftit të fundit, vetëm atëherë njerëzimi do të jetë i lirë.”
Didëro
Makina ecte me ritmin mortor. Populli bërtiste, shanin e mjeronin. Vuna buzën në gaz e thashë me vedi „ditë që nuk do të mbrrijë kurrë. Bota lavdon marritë“!
Altoparlantët çirreshin gjatë gjithë rrugës me kangët „Hakmarrje rini“, „Në njerën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën”, “Dy luana që ka bota, nji Azia e nji Evropa!” Frynte nji erë cingërimë, siberiane. M’u ftof trupi, megjithse zemrën e kishem të ngroftë. Na zbritën te kisha e murgeshave. Te dera pritshin hetuesat Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani. Na shoqnuen deri te „kafazi i të pandehurve“. Kisha ishte plot e përmajë me njerëz. Te vendi i elterit kishin ba nji podium për trupin gjykues. Mbrapa podiumit, nalt, ishte shkrue me shkronja tepër të mëdha: „Drejtësia në shërbim të popullit“. E kqyrshem me kureshtje atë parrullë se më dukej si nji „kashë e lashë“ (gjë e gjëza i thonë në Jugë) dhe mundohesha t’i gjej kuptimin se çdo të thotë nji Drejtësi që nuk asht në shërbim të së Drejtës, por të dikuj tjetër, kushdo kjoftë ai. I dhashë nji vështrim sallës dhe popullit; ishin të gjithë me ftesa, pra njerëz të Partisë ose të Sigurimit. Dom Nikolla shfrytëzoi atë ças e më foli: „Absolucionin“ tha: „Confiteor“. I dhashë të zgjidhmet e mëkateve për çastin e vdekjes. Ashtu bana edhe un dhe ai m’i dha. E pamë se na priste vdekja.
Ndërsa pritej trupi gjykues, Shyqi më tha:
- Bukur ka dalë ky sallon i rinisë.
Iu përgjigja se arkitekt i kësaj kishe ishte kenë Fishta.
- E vetmja gja që i mungon asht ngrfoja.
- Ditë kaq të ftohta janë të rralla.
- Sot asht 7 gradë nën zero, - tha Shyqi.
Hyni trupi gjykues i pritun me duartrokitje të përgjithshme. Me sa më kujtohet, Kryetar ishte Nuri Resmja; anëtarë: njani quhej Gligor (mbiemnin nuk ia mësova, ishte nji punëtor) e tjetri nji grue që nuk ia dij profesionin. Prokuror ishte Faik Minarolli. Sekretarit gjithashtu nuk ia mësova emnin.
Kryetari u çue në kambë e mbajti nji fjalim, jo të shkurtë për hapjen e séances. Tha se gjyqi bahej kundra nji grupi priftërinjsh katolikë, t’akuzuem për “tradhti të lartë”, të cilët, ashtu si nuk kishin mujtë t’i shpëtonin synit vigjilent të Partisë, nuk do t’i shpëtonin as “Drejtësisë Popullore”.
Mbasi u ul, e mori fjalën Prokurori i cili nga pupitri i tij lexoi nji aktakuzë të gjatë. Ishte formulue e njillojtë me ato të viteve 1945-1948.
Thirrën në fillim Dom Nikollën, i cili duel para tyne, aty në kambë, te mikrofoni. Foli për jetën e vet, studimet, veprimtaritë kishtare, e kryesisht mbi 20 vjetët e fundit, kalue ndër kampet e dënimit, midis të burgosunve e të internuemve. Në fund tha se nji Athe i cili u binte bijve të vet vetëm robin, vuejtje, mundime, tortura e vdekje nuk ishte ma Atdheu i zemrës dhe duhej braktisë me lot ndër sy, mbasi nuk jepte kurrnji shpresë për ndonji gëzim shpirtnuer. Në nji Atdhe të tillë njerzit, t’ushqyem vetëm me inad, urrejtje, mëni e pabesi do të jetojshin në luftë mes vedit gjithë jetën. Ky nuk mund thirrej ma Atdhe, tha ai, - dhe mendova me u largue sa ma parë që të mujshem. Për ketë kërkova ndihmën e këtij shokut tem, mbasi njizet vjetët e burgjeve e internimeve më kishin shkëputë nga të gjithë tjerët, ndër të cilët mund të kishem besim.
Kështu e përfundoi ai tregimin e vet.
Mandej kryetari i gjyqit filloi ta pyeste për çdo gja që përfshihej e nuk përfshihej në procesverbal. U vu në dukje se në nji fletore të tij të konfiskueme ishte shkrue: „Gjuha shqipe asht tue ecë si babili“. Ç’doni të thoni me ketë?“ e pytën. Dom Nikolla spjegoi se babili ishte nji zog i verdhë, që bante folenë e vet thellë në tokë, në ndonji bregore. Ajo ishte nji vrimë e gjatë, horizontale, e ngushtë, ku hynte tue u zmbrapsë, mbasi nuk kishte mundësi të sillej. Gjuha shqipe, që nga Naimi, filloi përparimin e vet të madh. Ndërsa shkrimtarët e sotëm, vazhdoi Dom Nikolla, që nga vjeti 1945, në krahasi me pastërtinë e gjuhës së Naimit, përdorin aq shumë turqizma e fjalë të hueja, marrë nga frengjishtja, italishtja e rusishtja, sa e ka humbë vleftën dhe bukurinë e saj.
Pa i mbarue mirë këto fjalë, kur t’u çuen peshë të dy përnjiheri, kryetari e prokurori, njani mbas tjetrit:
- Shihni ku arrin poshtërsia e një intelektuali borgjez! Reaksionar! Zëdhënës i klerit ultra konservator e nacional-shovinist! Që thotë letërsia shqipe është zhytur që atë ditë që ka ardhur në fuqi Pushteti Popullor! Dhe me paturpësinë më të madhe na vë një poet të krimbur me ideologjitë fetare, siç është Naimi, përballë letërsisë së realizmit socialist. I pandehur ke lexuar apo jo letërsinë tonë të re të realizmit socialist, veprat e Shevqet Musarajt, Andrea Varfit, Llazar Siliqit, të Dritëro Agollit e të Ismail Kadaresë? E çfarë vlere kanë veprat e Naimit, „Qerbelaja“ dhe „Skënderbeu“ në krahasim me „Gjeneralin e ushtrisë së vdekur“?
- Nuk kam mujtë me i lexue sepse ato janë propagandë partiake dhe jo kurr letërsi. Kur t’i fillojsh, të mbesin në fyt.
Atëherë u çue prokurori e tha:
- Sigurisht, që me ardhjen e revolucionit kulturor do të bëhet edhe reforma shkollore në programet e letërsisë. Ne nuk na duhet më letërsia reaksionare nacional-shoviniste, as ajo fetare. Letërsia jonë do të fillojë e mbarojë me realizmin socialist. Por me të pandehurin kemi në gjë tjetër me shumë interes për kohën e sotshme. Ky ka thënë publikisht në Kishën e Laçit te Vau Dejës se shkenca aprovon fenë. A është kështu? Përgjigju.
- Po, e kam mbrojtë ketë tezë kundra atyne që thonë se shkenca nuk njef Zotin. Kam tregue në atë kishë se në nji anketë që u asht ba, tash vonë, 100 shkencëtarëve të botës, 90 ishin pro dhe 10 kundër. Për ketë fjalë kam kalue dënimin dhetë vjet ndër kampe t’internimit. Mendoj se kjo çashtje asht e mbyllun.
- Si e mbyllur? Kjo sot është çështja më aktuale. Revolucioni kulturor pikërisht këtu ngulmon. I pandehur, - tha kryetari, - thuaj ç’mendon për fjalimin e shokut Enver dhe veprimet popullore që pasuan ketë fjalim?
- Si, shka të thom?
- Thuaj mendimin tend këtu para popullit që të dëgjon.
- Nuk mund e them mendimin tem, sepse ndoshta do të kërkoni të më dënoni për agjitacion e propagandë. Prandej po u thom se zakonisht njerzimi vjen gjithmonë tue përparue e ndërkaq kështu do të dishirojshem me interpretue edhe veprimet e fundit që nga fjalimi i 6 shkurtit. Kaq mjafton për ju.
U ba nji heshtje, po thuej si nji pushim i shkurtë. Prokurori atje e kryetari këtu shfrytëzonin procesverbalet. Ndigjohej çpalosja e fletoreve. Pritej diçka e madhe.
- Ndigjo, i pandehur, - tingëlloi zani i Nuri Resmjes, - këtu kemi bisedat që ti ke zhvilluar kohë mbas kohe me të pandehurin tjetër, Zef Pëllumbi. Ç’do të na thuash për këto biseda? Ishin armiqësore apo jo?
- Zoti gjyqtar, bisedat e mija me At Zef Pllumin ishin të përzemërta, vllaznore, ma shumë se miqsore. Çka kërkoni ndër t? Mendoni t’i ktheni në „agjitacion e propagandë”? Do t’ishte qesharake! Un me i ba agjitacion At Zefit që asht anmik, po si un, i komunizmit?
- Nuk asht pun ate agjitacioni, port e komploti.
- Komploti!? E çfarë komploti!? – tha Dom Nikolla. – Na dojshim me ikë për vedi e jo me u rrxue ju!
- Po, ja, këtë do ta shohim, - tha kryetari dhe mbasi shikoi sallën anë e mbanë foli: - Bëjmë pushim. Vazhdojmë pas pak.
Gjyqtarët u tërhoqën mbrapa skenës, ndërsa në sallë buçiti kanga e vjetër partizane: „Hakmarrje rini, dëshmori thërret!“ ... „Hakmarrje rini, hakmarrje rini!“ ... „Hakmarrje rini, dëshmori thërret“!
Mbeta shtang. Nuk mund e kuptojshem se në cilin vit ishim: në 1948 apo në 1968. Populli shqiptar kishte mbetë në vend. Tashma e kishim të kjartë se tirania nuk mund lejojë kurrnji hap para. Populli shqiptar kishte vdekë nji herë e përgjithmonë. Përgjithmonë? Përgjithmonë?!...Konstatim i vështirë. T’ardhmen nuk e din kurrkush. Në shkencë diskutohet e kaluemja dhe e tashmja, por jo kurr e ardhmja. Megjithkëta, megjithkëta, po ta lejojë shkenca, konkludojmë se populli shqiptar nuk ka t’ardhme. Sentencë gjyqsore tepër e vështirë, por nuk kemi ç’t’i bajmë...
Ndërsa ishem ndër këto mendime, mes asaj zhurme popullore, më preku në sup Shyqyri Çoki dhe më tha:
- Zef, motra jote asht aty, në bankën e parë. Don ta shikojsh?
- Sigurisht që po!
Në bankën e parë ishte ulun nji grue zadrimore, nji nuse; përkrah kishte burrin e vet. Shyqi shkoi dhe foli me te. Ktheu dhe më tha:
- A asht motra jote ajo?
- Jo, nuk e njof.
- Nuk e njef?
Në ças u veprue: gruen dhe burrin e saj e nxuerën nga salla. Shifej mirë se publiku aty ishte me ftesa.
Mbas nji të katërt ore thirrën emnin tem. Dola aty para mikrofonit. Nuk e ndjeva vedin mirë, sepse më kishte kapë aq të ftohtë sa dridhesha, por ndërkaq m’u desh me u përgjegjë. Pyetjet silleshin kryesisht në katër pika kryesore: a) te bisedat për arratisje, b) mbajtja me ushqim e diversantave, c) bisedat që kishem ba me të tjerët për mbylljen e kishave dhe d) mshefja e disa dorëshkrimeve, kur na nxorën prej Kuvendit Françeskan.
Për nji kohë, relativisht të gjatë, në sallë ushtoi vetëm zani im që e shifshem kjartë se populli e ndiqte me ma të madhen kureshtje. Spjegova me ma të madhin sinqeritet gjendjen teme shpirtnore gjatë mbylljes së kishave si edhe bindjet e mija personale për t’ardhmen e errtë e të panjoftun që na priste. Thashë se që në moshën e njomë i ishem kushtue Zotit e fesë në ketë tokë, se kishem predikue disa herë në ketë kishë që sot po dhunohet në mënyrë të pabesueshme.
Vetëm në ketë moment ma kputi fjalën Nuri Resmja.
- Ç’mund të bëje ti kur shërbimi fetar ishte i ndaluar?
- Un nuk mund bajshem kurrgja, por prania e personit tem në çdo ambient që të gjindesha do të vepronte te mendjet e njerzve tue shkue nga prifti te Zoti, dhe se çdo katolik, po të gjindej vetëm për vetëm përballë meje, në mos me gojë, së paku me mend do të thonte:
„Kjoftë levdue Krishti!“ Dhe kaq do t’ishte e mjaftueshme për misionin tem fetar. Liria e fesë ishte garantue me Kushtetutë dhe me ligjet përkatëse, por ju tregoheni kontradiktorë në veprime e në doktrinë. Si asht e mujtun që ju, si leninista, të shkrueni me shkronja të mëdha parrullën e nji ideologu të borgjezisë, Dideroit?
- Shihni ç’armik kemi përballë! Një armik ideologjik, i cili me më të madhen qetësi tregon metodën e vet të djallëzuar për të përgjumur vigjilencën revolucionare!
Kështu foli kryetari dhe që n’atë ças populli në sallë filloi gumëzhitjen.
Pjesët ma të vështira kjenë ato të agjitacionit e propagandvs, mbasi bisedat e thanuna ishin zhvillue ndër rrethe krejt konfidenciale, të mbylluna, ndërsa të shqiptueme para publikut, aso kohe, mbaheshin si herezi aq të mëdhaja sa me ia kalue marrisë; populli ishte çmendë nga servilizmi dhe dhuna tiranike. Ndër proceverbalet e mija qe shkrue se „udhheqsat e Partisë e të Shtetit kalojnë nji jetë luksoze, ndërsa populli i mjerë shkrryhej me dit e me net ndër rashat e gjata, para dyqaneve të bukës e të qumështit dhe të shumtën e herës kthehej duer bosh“. Aq ma t’ashpra e të papranueshme ishin interpretimet për veprimet revolucionare të vjetit 1967, të cilat, un me kolegët e mij i mendojshem jo si nji tregue i forcës së Partisë e Pushteti, por si nji ligshti, sepse Kisha Katolike kishte si parim bazë vetëm lirinë e njeriut, me zgjedhë vetë ai, ndër të gjitha idetë e ekspozueme ate të mbrojtun me logjikë; pra kishte si themel propagandën e mbushëmendjes. Ndërsa Partia e Pushteti kishin dështue në këto punë dhe kishin zgjedhë rrugën e dhunës.
Populli shqiptar kaherë kishte harrue ligjet e logjikës e të realiteti dhe i ishte nënshtrue fatalisht fatit të keq, ndoshta edhe me mburrje, prandej fjalët e mija tinglluen në atë heshtje kishtare si të pandigjueme ndonjiherë, si fjalët e nji të marri.
Kryetari Nuri Resmja tha:
- Po bëjmë një pushim të vogël, se e shoh që i pandehuri është lodhur.
Gjatë pushimit Dhimitër Shkodrani më kqyrte me nji vështrim të posaçëm, ndërsa Shyqi më tha si nën za:
- Zef, kqyr e mos e zgjat shumë. Ndër disa biseda tueja esenca nuk asht aty. Rueje gjakftoftësinë.
- Un nuk do çeksha asnji nga këto biseda private, por po më ngacmojnë dhe un duhet të mbrohem.
- Ti mbrohu, por jo tue sulmue; mos u ban agresiv se nuk të shkon. Ti je njeri i qetë.
- Zotni, jam njeri i sinqertë dhe nuk mund e cungoj mendimin. Flas ashtu siç më vjen, pa kqyrë në se të tjerëve u pëlqejnë apo jo fjalët e mia.
Seanca e dytë nisi aty nga ora 12.30. Kryetari bani sikur kaloi disa nga faqet e procesverbaleve dhe filloi me çastet e fundit të mbylljes së Kuvendit Françeskan dhe të kishës në Shkodër, me 19 mars 1967.
- Na trego si është puna e atyre dy domizhaneve të verës.
- Zotni, asht krejt e thjeshtë. Ndër ditët e mbrame të Kuvendit Françeskan rrinte nji polic aty jashtë në rrugë. Na fretnit e priftnit, bashkë me Ipeshkvin, ishim të grumbulluem me forcë aty. Pritshim se çdo të ndodhte me ne. Kryetarët e Këshillave Popullore, që vijshin tash e parë, thonin: presim. Gjatë kësaj pritje, në Kuvendin Françeskan vërshuen gjithfarë njerzish, të gjithë të panjoftun, djelm të rij e burra të pjekun, gra të ndryshme, deri gabele. Me paturpësinë ma të madhe hyjshin në Kuvend e dikush merrte karriget, dikush divanet, dikush qylymin. Na pritshim që Këshillat Popullore ose autoritetet shtetnore të merrnin në dorëzim gjithçka me inventar, por ndërkaq Kuvendi plaçkitej çdo ças. Kurrgja nuk u ba në ketë drejtim. Atëherë un mora dy domizhana me venë Meshe dhe i dërgova për ruejtje ndër kojshi. Zotni, për ne vena e Meshës duhet me kenë e saktë dhe e zgjedhun. Ju mund e interpretoni si të doni, por mjerisht jam i smundë me ulçër duodenale dhe nuk mund duroj asnji pije. Shka doni tjetër?
- Po për ato dorëshkrimet ç’do të na thuash?
- Për dorëshkrimet? Zotnij, sigurisht që ju e keni të vështirë ta dini se ç’ishte Kuvendi Françeskan, mbasi nuk jeni nga Shkodra, por nga Maqedonia ose nga Korça, tue nisë nga mbiemnat tuej. Kuvendi Françeskan ma shumë se nji shtëpi priftënsh katolikë ishte nji akademi shkencëtarësh, akademi e pashpallur, ku sejcili prift ishte i specializuem në nji shkencë, dikush në gjuhësi, nji tjetër në histori, në etimologji, në folklor, antropologji e të tjera shkenca humane, si drejtësi, arte, etj. Kemi punue pa kurrnji interes, por vetëm për popullin shqiptar. Ndër këto kohët e fundit, në Kuvendin Françeskan të Arrës së Madhe në Shkodër, kishin teprue dy shkencëtarët e fundit: At Justin Rrota, gjuhëtar dhe At Marin Sirdari, historian e folklorist. Shkrimet e At Justin Rrotës ishin shpërnda, vjedhë e masakrue nga xhambazë të shkencës gjuhësore shqiptare. Ndërsa shkrimet e historianit e folkloristit At Marin Sirdari, ishin ma pak të njoftuna e të kërkueme. Mendova me i shpëtue, por jo, ato ranë të gjitha në dorën tuej. Kaq.
Ti ia dhe Zef Mjedës at?
- Përpara i çova tjetërkund, por mandej e pashë se ato duhej t’i kishte në dorë nji intelektual. Zoti prokuror, simjet asht 500-vjetori i vdekjes së Skanderbegut. Këto shkrime të At Marin Sirdarit kanë nji vlerë të madhe, prandej duhen studiue me imtësinë ma të madhe.
- Zef, tani do të përfundojmë. Dua të të bëj edhe një pyetje. Si e konsideron ti fjalimin e 6 shkurtit të Shokut Enver?
- Zotni, nuk mund të jap nji gjykim të saktë mbasi na mungon distanca historike.
- Distanca historike? Çdo të thuash me këtë?
- Zotni gjykatës, kur flasim për distancën historike, flasim për nji shkencë të kulluet. Kjo shkencë nuk asht vetëm historike, por edhe juridike. Kur ju më kërkoni mendimin për këtë çashtje të caktueme, siç asht mbyllja e kishave, un do të ndryhem në veten time, do të shqyrtoj historinë e ndërgjegjen dhe vetëm atëherë do të vendos se cila asht e drejtë. Na nuk duhet të influencohena as nga pasionet, as nga emocionet e aq ma pak nga nji ideologji e caktueme. Distanca historike asht çveshja nga çdo passion.
- Zef, të pyes për herë të fundit: Si e konsideron ti fjalimin e 6 shkurtit?
-E thashë ma parë se më mungon distanca historike.
- Jo, nuk e duam këtë. Ne kërkojmë se si e sheh dhe e gjykon ti sot për sot fjalimin e 6 shkurtit të shokut Enver!
- Mendimi im personal? Thashë me vedi: Alea iacta est. (U hodh zari, shorti.)
- Krejtësisht i gabuem! Gjykimi i saktë do të vijë mbas 30 vjetësh, por un thom që të gjithë do ta dënojnë nji herë e përgjithmonë.
Kur e thashë ketë fjalë nji antar i trupit gjykues, që thirrej Gligor, shkrepi grushtat për kokë. Fjala ime i dukej nji marri e madhe.
Gjyqi mbaroi. Më kthyen në qeli. Aty të vijnë plot mendime: Si fola? Mirë apo keq? Sigurisht do mund të flitshem edhe ma mirë.
N’e nesre gjyqi vazhdoi; ai i popullit; me të vërtetë në dukje ishte i popullit.
E kërkoi fjalën Prof.Luigj Franja. Kishte studime në Shkollën Françeskane. Të naltat i kishte ba në Itali. Atje ishte puqë me idetë komuniste, të cilat i mbronte edhe në Shqipni. U çue në kambë e foli vetëm për idetë revolucionare të kohës dhe të shkencës, mbasi, siç tha ai, këto ide ishin kundra fesë. Deshta t’i përgjigjesha fjalës së tij, por Shyqyri Çoku më tha:
- Ti nuk ke punë me te as me të tjerët që do të flasin. Ndërkaq të tjerët mbas tij, kund gjashtë persona, kërkuen dënimin tim me vdekje. Në të vërtetë, kur e kërkojshin ata, më dukej mjaft i largtë. Të gjithë flitshin me letra në dorë, sikur t’ishin shkrue dikund njeti. Dikur u paraqit nji grue që punonte në spital e kishte ardhë me bluzën e saj të bardhë. Tha se kishte ndigjue nga altoparlantat e radios lokale se këta priftën këtu thane se feja nuk asht kundra shkencës. Si asht e mundun që t’i thotë këto fjalë, mbasi këta vetë, kur janë të sëmundë, vijnë në spital ten e dhe kërkojnë ndihmën e ilaçeve dje jo të fesë, tha ajo.
Mbasi e mbaroi fjalën e saj, Nuri Resmja e pyeti:
- Ti e dëgjove që të tjerët kërkuan dënimin me vdekje, po ti çfarë i propozon gjykatës?
- Të dënohen randë.
- Rëndë? Po, sigurisht... Edhe ti kërkon dënimin me vdekje si të tjerët?
Ajo u skuq, na kqyri me dhimbje, sikur të donte të na kërkonte falje, mandej tha:
- Të dënohen randë, por jo me vdekje.
Ra nji qetësi e madhe, mandej u çue në kambë Prof. Jup Kastrati. Ky gëzonte emën në Shkodër, si nga prejardhja familjare, si nga pregatitja shkencore, por edhe nga ledhatimet e dukshme që i banin institucionet partiake e shtetnore.
- Ndigjova se këtu u fol se „gjuha shqip, që nga Çlirimi e deri më sot, po ecën si balili. Ndërsa unë këtu do t’argumentoj se kurr gjuha shqipe nuk ka përparuar shumë. Këto janë parulla të klerit katolik, që donte të monopolizonte gjuhën shqipe dhe patriotizmin.
Atëherë ai filloi të thotë se që në vjetin 1945 kishin fillue botime të revistave shkencore si “Buletini i Institutit të Shkencave” etj. Si dhe Fjalori I Gjuhës Shqipe të sotme etj. Foli mjaft gjatë, gjithmonë tue naltue antishkencën e re shqiptare të drejtueme, në të gjitha fushat, nga Partia dhe i quejtuni Pushtet Popullor. Mbasi i cilësoi përfaqësuesit e klerin katolik shqiptar, si „pseudoshkencëtarë“ dhe pseudopatriotë”, u ul. Nuk I kërkoi kush mendimin se me ç’masë duhej të dënoheshim me vdekje apo jo.
Mbas tij u çue Tomë Nikolla, nji kangëtar popullor I maleve që kishte thurë sa e sa kangë për Partinë dhe udhëheqësin Enver. Kishte nji za të fortë dhe foli nga lozha:
- Ndigjuem këtu tue folë at Zef Pllumin, që përpiqej t’I rrshqasë si njala drejtësisë popullore. Por ndigjuem këtu të flitet vetëm kundra klerit katolik. Mendoj se nuk duhet ba fjalë vetëm për tradhtinë e klerit katolik, por për tradhtinë e të gjitha klereve të gjitha besimeve fetare në Shqipni. Sigurisht që tradhtia e naltë e klerit katolik u vrejt ndër këto kohët e vona kundra Pushtetit Popullor, por ama nuk duhet të mbyllim sytë para tradhtisë së klerit musliman, që për pesqind vjet i shërbeu me ma të madhen devotshmëri okupatorit turko-osman, tue u përpjekjë të shkombtarizojë popullin shqiptar, tue luftue doket e kanunet tona kombëtare, për me na ba pjesë integruese të Perandorisë Osmane. Kjo ishte nji fatkeqsi e madhe historike e kombëtare. Gjithashtu kleri i besimit ortodoks, siç na tregon historia jonë kombëtare, vazhdimisht asht përpjekë me shkombëtarizue, me anën e fesë, popullin shqiptar, tue e identifikue me atë grek. Të gjitha këto tradhti, njana ma e naltë se tjetra, nuk duhet të kalojnë pa u dënue në ketë process gjyqsor që populli i ban fesë. Për të gjithë këta, që janë e nuk janë këtu, populli shqiptar kërkon të dënohen nga Gjyqi i Popullit për tradhti të naltë.
Mbasi i tha këto fjalë u ul. Kje i fundit.
M’u duk sikur jo vetëm ndër fytyrat e hetuesve, Shyqyri Çoku e Dhimitër Shkodrani nuk gjet përkrahje fjala e tij, por as në trupin gjykues, as te prokurori e as te shumica e popullit në salle.
Ishte ba mesditë e kryetari lajmëroi nji pushim për nji të katërt re. Seanca tjetër e mbasidtes filloi me dëshmitarët.
Ata, të pregatitun me porosi, u paraqitën si nji mizerje njerzore. Kje nji gafë e vërtetë. Si ata të Dom Nikollë Mazrekut, si ata të mijët ishin të pavendosurn, të mangët, të friguem, të dhunuem e që do të shprehshin si papagalli thaniet e Sigurimit. Ata u banë qesharakë para elitës popullore të zgjedhun nga Partia.
Mbas kësaj gafe seanca mbaroi. U dha pretence. Pretenca e Faik Minarollit kje: Dënim kapitaö (me vdekje) për mue dhe dënim me 25 vjet heqje lirie e punë të detyrueme për Nikollë Mazrekun.
Kthyem në qelitë e famshme. A fjeta atë natë? Fjeta pak. Pretenca ishte me dënim kapital, por në rishqyrtim në kohë të mavonshme. Kishem frigë, kishem edhe shpresë. Por atë ditë të ftohtit më kishte lodhë shumë.
Revolucioni kultural kishte përfshi edhe gjykatat. Me arsyetimin se gjykatat ishin të popullit, e rrjedhimisht, duhen të jenë të drejta, nuk do t’ish ma nevoja për avokatë mbrojtës. U hoqën ata. Mbrojtja do të bahej nga vetë i akuzuemi. U pregatita po atë natë. Fola gjithë natën me vehte: kështu dhe ashtu. Kur dola në gjyq ne nesre, nuk fola as dhetë përqind të mendimeve t’asaj nate.
Kur m’erdh fjala e fundit thashë:
- Dua vdekjen.
- Kerkon vdekjen?!...
- Po, se vetëm përmes asaj mund të fitoj lirinë.
- Çdo të thuash tjetër? – pyeti Nuri Resmja.
- Zotni, kam thanë gjithçka. Kjo jetë që ju projektoni, tue hjekë fenë, asht e padurueshme.
Në sallë ra nji heshtje vorri. Mbas ndonji minuti, dikush andej nga lozha e fundit, tha:
- E pse mos t’i heqim qafet këto qelbsina klerikale që duen të pengojnë jetën tonë të lumtun?
- Si të quajnë? – pyeti gjykatsi.
- Zef Rrushi, - së paku kështu m’u duk se tha.
- Do të tërhiqemi për të përgatitë vendimin, - tha kryetari.
Në sallë filloi kanga si motit. Mbas nji të katët ore trupi gjykues hypi në podium dhe të gjithë në kambë ndigjuen vendimin: 20 vjet për Dom Nikollë Mazrekun dhe 25 vjet për mue, ku përfshihej, nga bashkimi i neneve, tentativa për arratisje e agjitacion e propaganda. Në dënim përcaktohej edhe konfiskimi i gjithshkafe që më përkiste mue.
Mbasi lexoi këtë vendim tha:
- Shumë nga ju në ketë sallë keni kërkuar dënimin me vdekje, por dua t’ju skjaroj se ne si gjykatë nuk mund ta jepshim atë me që faji ka mbetë në fazën e tentativës. Megjithatë Gjykatat tona Popullore e japin vendimin e tyre mbështetur edhe në opinionin e popullit. Prandaj para se t’i dërgojmë dokumentat për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, kërkoj që ju të shprehni përsëri mendimet tueja. A kërkoni ju dënimin me vdekje? Po apo jo? Thuajeni mendimin tuaj.
Po thuej dhetë minuta vazhduen pyetjet e tij n’atë heshtje të gjatë. Kurrkush nuk foli. Atëherë ai tha:
- Me kaq përfundojmë.