E premte, 06.12.2024, 09:55 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Dionis Qirixidhi: Franca në shkrimet e Ismail Qemalit

E diele, 17.08.2008, 09:27 AM


Ndihmen kryesore per perhapjen e shtypit shqiptar dhe idete kombetare shqiptare e jepte qeveria austro-hungareze.

Franca në shkrimet e Ismail Qemalit

Nga Dionis Qirixidhi

Hyrje

Liberalizmi i Ismail Qemalit e ka burimin te kultura e tij politike dhe historike. “Ai e di se vetëm shtetet demokratike janë shtete historikisht të qëndrueshëm. Ai thekson se shovinizmi shtetëror, politik, kombëtar dhe fetar është varrtar i shteteve. Ai thekson se “çdo perandori që është krijuar me shpatë, në të njëjtën kohë ka mbjellë edhe farën e shkatërrimit të vet”. Për këtë arsye, për rregullimin shtetëror ai e çmon “forcën morale më të fuqishme se forcën e armatosur” por, natyrisht, “forcën morale të mbështetur në ligje demokratike… Ai kishte tri parakushte për sukses politik e shtetëror: e para, kishte prejardhje fisnike - çka shikohej shumë në atë kohë, e dyta, ishte aq i pashëm e përshtypjelënës, në mesin e burrave të tjerë - çka nuk ishte e parëndësishme as atëherë, as më vonë, e treta, ishte aq mendjelartë sa të shquhej fort mes të shquarve - çka çmohet shumë gjithmonë… Formulës së tij politike gjithnjë realiste, Ismail Qemali tani do t’ia shtojë edhe përbërësin idealist. Gjeniu i tij politik e çmon se ajo më e dëshiruara, ajo e mundshmja, tani ka mundësinë të bëhet e sendërtueshme”

(Prof. Rexhep Qosja, nga kumtesa e mbajtur në Itali, me rastin e 90 vjetorit të Pavarësisë)

Klemanson

Përzgjedhja

Besnik Mustafaj në librin e prof. dr. Uran Asllanit shkruan :”Pavarësia dhe Themelimi i Shtetit Shqiptar nuk ishte frut i luftërave heroike të shqiptarëve kundër të gjithë botës, siç është shkruar me këmbëngulje në tekstet e historisë sonë gjatë gjysëm shekullit komunist, nuk është as krejt dhuratë bujare e ndonjërës nga fuqitë e mëdha demokratike, siç po i mëshohet vend e pavend gjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Pavarësia e Shqipërisë është frut i ndërthurjes së të dy rrugëve, gjë që nënkupton se dhe diplomacia ka qënë po aq e domosdoshme sa dhe vendosmëria luftarake e popullit shqiptar”.

Ismail Qemal bej Vlora duhet të përzgjidhte lojtarët që të lozte. “Në pesë lojtarë-thoshte Bismarku- do të përzgjedh tre që të luaj”.

Por me kë do të bënte kompromise, për të kaluar mandej në finale?

Në grupin kundërshtar ishin Mbretëria e Serbisë dhe e Bullgarisë, me trajner Perandorinë Cariste, si, dhe gërdalla e vjetër dhe e regjur, Perandoria Osmane, me lojtarët e saj vezirë, spahinj, valinj shqiptarë-antishqiptarë.

Në grupin aleat fillimisht ishin Austria, Italia dhe Greqia. E dyshimtë  Franca, dashamirëse Anglia. Grupi pansllavist e dinte se e kishte kundërshtar të fortë.  Austro-Hungarinë, superfuqi, dashamirëse, në kuptimin, se u kishte bërë të qartë të gjithëve kushtet e lojës : Ajo s’do të linte Shën Adriatikun të ishte “liqen italian”, por nëse lojtarët serbë do t’i afroheshin brigjeve detare, kishte për t’i skualifikuar.

Nathalie Clazer (Kleje) na  jep, mendimin përmes  sintezës:

“Ndihmën kryesore për përhapjen e shtypit shqiptar dhe idetë kombëtare shqiptare e jepte qeveria austro-hungareze. Nuk ka dyshim se ajo kishte dhe interesat e veta, por kjo nuk ka asnjë rëndësi, në këtë botë njerëzore interesi luan shpeshherë rol vendimtar për triumfin e një çështje fisnike”.

Diku kam lexuar se Ismail Qemal bej Vlora shkon e ritakon Klemanson, tanimë me atë fytyrën e tij të ciflosur plot vraja mavi, që dëshmonte se kishte luftuar për atdheun dhe ishte plagosur për të nga një bombë. Përngjante çuditërisht me Rapo Qorrin, fyelltarin vlonjat, që na i sjell në kujtesë Fatos Arapi, me ato palë flokë të verdha në të kuq, të gjatë, që kur i binte fyellit, ëngjëjt e qiellit ruanin Vlorën. Klemansoi admirues i mitologjisë e pyet Ismail bej Vlorën, se ku qëndron ndryshimi mes heronjëve francezë nga ata shqiptarë. Plaku i Vlorës i përgjigjet se ndyshimi qëndron nga që francezët heronjtë nga balta i bëjnë prej bronxi, ndërsa shqiptarët heronjtë prej bronxi i kthejnë përsëri në baltë.

Thuhet se Klemensoni ka dashur të varroset në këmbë me vështrim nga Gjermania, gjithë jetën ai kishte dashur ta shikonte të rrënuar atë.  Para se të vdiste Zhorxh Klemenso dogji të gjitha letrat që i përkisnin atij pas përfundimit të Konferencës së Versajës.

Uillsoni kur erdhi në Versajë me parimin e tij kryesor, të drejtën e vetvendsosjes, e sanksionuar në Katërmbëdhjetë Pikat, ku në qëndër të vizionit të tij do të ishte Lidhja e Kombeve e cila do të ofronte sigurinë kolektive. Nga dëndësia e madhe e takimeve, me Klemanson dhe Llojd Xhorxhin, të tre mësuan ta njohin më mirë njeri tjetrin, të urrejnë dhe në fund të merreshin vesh. Synimi i tyre ishte vazhdimësia. 

Viktimizimi i Voskopojës

 Si në një nëmë viktimizohet gjatë Luftës së Parë Botërore përsëri Voskopoja, veç tani jo me logjikën e lumëzave fantazmash fanatike, të cilat vepruan, ashtu siç shprehet Paskali: ” Ne hidhemi pa merak në greminë, pasi të kemi vënë përpara diçka që nuk na lënë të shohim”. Për ironi të historisë, ” për të çuar në skajin e mbramë paradoksin e “qytetërimit”( Fenomeni Voskopojë-Aurel Plasari-f..70), gjatë Luftës së Parë Botërore regjistrohet dhe kjo ngjarje: Ushtarët francezë të Antantës, të tjetërsuar, prisnin të uritur para kazanit, në kuzhinën ushtarake, që ziente çorbën në Kishën e Fjetjes së Shën Mërisë. Oficerët ngroheshin,tymërat mjegullonin David Selenicën që ngjante se ri lotonte. Drurin e staxhionuar të ikonostasit të Shtëpisë së Krishtit, guxhinjieri e kishte përdorur për dru zjarri. Tymi, nga Kisha dilte shtëllunga shtëllunga, si ulërimë varrimi i kulturës, në një mesditë të akullt, mes një peizazhi bore të bardhë, voskopojare. Historia duhet shkruar ashtu siç është. Ajo nuk mund të shkruhet e diktuar nga qarqe të caktuara, politike qofshin apo shkencore.  Natyrshëm më vjen në mëndje aforizma e Jule Henry Poincaré, sipas të cilit: Shkenca historike përbëhet nga të dhëna faktike sikundër përbërësit e një shtëpie janë gurët e gdhendur.Megjithatë, lypet të vihet në dukje e të krahasohet qëndrimi zyrtar i qeverisë franceze, me atë të personaliteteve shoqërore e politike, që i karakterizonte një humanizëm i lartë. Në veçanti për gjuhën e kulturën franeze rilindasit kanë folur me admirimin e fjalëve të  Vloterit, Gëtes, Anatole France[1]: ” Nga të gjitha gjuhët, është gjuha franceze ajo që shpreh më me lehtësi, qartësi e delikatesë gjithë problematikën e bisedave të njerëzve të ndershëm” ( Volter). “Si mund të jesh armik i një gjuhe të cilës i detyrtohet pjesa më e madhe e kulturës dhe ne akoma për një kohë të gjatë do të mbështetemi para se të krijojmë personalitetin ton” ( Gëte).

Me të drejtë prof. dok. Uran Asllani,  gjykon në librin “Studentët shqiptarë në Francë dhe veprimtaria e tyre” :

” Historikisht shqiptarët e kanë dashur dhe e kanë respektuar Francën dhe francezët, kulturën dhe shkencën e tyre, edhe pse ka pasur një qëndrim shtetëror jo miqësor ndaj tyre…Politika e jashtme franceze, mori një rol edhe më impulsiv, në drejtim të mbështejes së kërkesave sllave, në Ballkan, kur në krye të qeverisë franceze, më 14 janar 1912, erdhi alsaziani Raymond Poincare, i cili pëlqeu, i miratoi edhe mbështeti çdo marrëveshje të fshehtë ruso-serbe, apo serbe-bullgare, në dëm të plotë të interesave shqiptare…”

Rreth Republikës Franceze

(Artillkull i Ismail Qemalit botuar në gazetën Sotirtia)

Republika e Francës, pasi kreu me zhurmë dhe potere të madhe, detyrën e korrierit, pezulloi të gjitha veprimet diplomatike dhe përpiqet të vjelë frutat e triumfit të saj. Është e trishtueshme të shohësh kombet më liberale të mos synojnë gjë tjetër përveç përfitimeve materiale dhe të sakrifikojnë për hir të tyre dinjitetin kombëtar dhe të gjitha përfitimet morale. Mosmarrëveshja franko-turke dhe qëndrimi i Republikës kundrejt sulltanit, rizgjuan për pak kohë zemrat burrërore të qytetarëve francezë dhe ngrohën shpresat e kombeve lindorë….

Të gjithë shpresonin se flota franceze nuk do të braktiste ujërat turke para se t’i impononte sulltanit njohjen e detyrimeve të tij ndërkombëtare dhe realizimin e reformave që kërkon ndërgjegjja publike dhe qytetërimi. Flota, në vend që të sjellë triumfin e qytetërimit, solli triumfin e spekulatorëve. Kjo Republikë e Madhe sugjeroi se mjafton që sulltani, me dashjen e vet ose me forcë, të pranojë kërkesat që kanë të bëjnë me interesat materiale të bankierëve e të spekulatorëve, që të lihet i lirë të shtypë miliona njerëz të paaftë të cilët gjenden nën pushtetin e tij arbitrar. Interpelancat dhe diskutimet parlamentare rreth çështjes armene dhe asaj të popujve të lindjes në përgjithësi, u shtynë për më vonë. Megjithatë popujt e Lindjes nuk humbasin shpresat për shpëtim dhe për përmirësimin e fatit të tyre nëpërmjet vendosjes së një sistemi liberal në Turqi.

Askush nuk mund të mohojë se tendenca e sotme e atyre që drejtojnë fatet e  popujve evropianë, është dekurajuese për popujt e Lindjes, që kërkojnë lirinë dhe të drejtën që të jetojnë si njerëz. Por në sytë e njerëzimit ekziston një parim më i lartë se çdo parim i vendosur me marrëveshje, ndërgjegjja morale për gjithçka të guximshme dhe njerëzore. Jemi të bindur se një ditë kjo ndërgjegje morale do të zgjohet në favor të popujve që vuajnë.

 Republika e Madhe, qyshkur humbi burrat e mëdhenj, Tierin, Gambetan dhe Zhyl Feryn nuk merret veçse me çështjet e saj të brendshme dhe pothuajse të gjitha qeveritë që pasojnë njëra tjetrën, preokupohen vetëm me politikën e brendshme ose, më mirë të themi, me politikën partiake. Politikë e jashtme franceze nuk ekziston më. Telashet  e brendshme janë të një natyre të jashtëzakonshme. Në krye të qeverisë janë demokratët e çdo nuance, kurse në krye të Bashkisë të kryeqytetit, ndodhen nacionalistët. Është e trishtueshme të shohësh qytetin e bukur të Parisit në një situatë kaq të nderë saqë qeveria e Republikës të mos guxojë të presë në Paris as carin, mikun dhe mbrojtësin e kombit francez.

Ngjarja e fundit karakterizon plotësisht frymën e elementeve të ndryshëm të Francës. Pas një harrese pesëdhjetëvjeçare, Republika deshi, në shenjë mirënjohjeje, të nderojë kujtimin e dëshmorit të njohur të saj Baudin. Mirëpo dita e përurimit të përmendores, u shty për shumë kohë për arsye se qeveria nuk dëshironte të merrte pjesë Bashkia e Parisit, e cila ishte autoriteti zyrtar në këtë ceremoni. U morën të gjitha masat preventive dhe shtypëse që Bashkia të përjashtohej nga ceremonia dhe qeveria e konsideroi arritje të madhe faktin që poterja e të pranishmëve dhe zhurma e daulleve dhe e muzikës nuk e lejuan kryetarin e këshillit bashkiak të mbajë fjalimin e tij…

Dy mendime nga Bostoni dhe nga Vjena

( si konkluzion )

Fan S. Noli shkruan , se:

Në momentin kur Sizifi shqiptar arriti në majën e malit, Lufta Ballkanike e përmbysi atë dhe Shqipëria u pushtua prej zaptuesve të rinj, akoma më të këqij se turqit. Këtu nis tragjedia… “( FATI I PALUMTUR I SHQIPRISË ËSHTË MË I KEQ  SE AI I BELGJIKËS-  Boston 24 shtator 1915)

Ndërsa në Letrën e një studenti shqiptar, të dërguar nga Vjena në Vlorë, lexojmë:Unë me gjithë shokët e mijë kur ishim rob të Nikollës Popit…kur Elbasani, Peqini, Durrësi me gjithë shokët e veta ranë nën tiraninë sllave…Kur Sazani i bukur ra në dorë të Greqisë vetëm një za dëgjoheshim, qe një plak, porsi flutur e bardhë pranvere shëtittëte qytet më qytet në Evropë e thërriste që shqiptarët s’mund të bëhen sllavër e grekër, u kthye në Vlorë ku s’mund gjeti përveç një grusht njerëzish pas vetes tija e ngriti flamurin historik të Shqipërisë…kur bombat e flotës armike kërcisnin mbi Vlorë për me rrëxuemun flamurin e shenjtë tonë, kur gjindja shqiptare kishte vdekur bashkë me gjithë aventurierët që flasin sot, ky plak me ata pak njerëz në vend që të trishtohesh, kqyrte flamurin që luante nga tundja e erës prej bombave t’ armikut, tue këndue e tue thanun:

Valo-valo, të paska hije

Pas pesëqind vjet tiranie…

( Letra është e cituar nga Fatos Arapi, të botuar në Gazetën Republika).

Dionis Qirzidhi- Athinë

Gusht 2008

[1] Anatol France:” Gjuha frënge është si një grua. Dhe kjo grua është kaq e bukur, aq krernare dhe e thjeshtë, e guximëshme, prekëse, voluptive, aq fisnike dhe familjare, e çmendur dhe e urtë, sa që e duam me gjithë shpirtin e saj dhe kurrë nuk kemi tentuar t’i jemi të pabesë »- cituar nga Luan Rama- “Frankofonia, jo vetëm gjuhë, por dhe solidaritet për demokracinë, të drejtën”, Gazeta Tirana Observer, 20. 3. 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora