E marte, 30.04.2024, 02:10 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

I pushkatuar në vitin 1968, gjendet në 1994

E hene, 04.08.2008, 12:11 PM


Luan Mersini, i dënuari që u balsamos në laborator


Familjarët: Si e gjetëm pas 30 vjetësh trupin e tij mes kadavrave të spitalit

Afrim Imaj

Eshtë tronditëse, por gjithsesi e vërtetë: Një qytetar nga Vlora gjen pas 30 vjetësh trupin e të vëllait me pamjen e ditës kur janë ndarë!

Ngjarja e rrallë ka për protagonist 70-vjeçarin, Lavdosh Mersini, nga fshati Çeprat i Labërisë, që pas shumë mundimeve në kërkim të eshtrave të të vëllait, pushkatuar nga gjykata komuniste, mundi të gjejë trupin e tij në kabinetin e anatomisë së fakultetit të Mjekësisë. Pikërisht atëherë kur po humbiste shpresat dhe çdo përpjekje i dukej e kotë, rastësia do t’i falte ”privilegjin” e pabesueshëm dhe këmbët do ta çonin aty ku qëndronte trupi i Luanit, madje me pamjen e dikurshme, kur ishte 25 vjeç.
”Fillimisht nuk u besova syve. Më dukej ëndërr. Si në ato baladat e lashta. Duhej ta përmbaja veten. Po nuk ishte e lehtë. Zgjata kokën dhe e pashë. Direkt në sy. Ishte ai. Po, po Luani! Sytë e tij sikur deshën të më thoshin diçka. Se vetëm sytë mund të flisnin. Çdo gjë tjetër, nga koka te këmbët, dukej e ngrirë. E akullt. Vetëm vështrimi ofronte jetë, ngrohtësi, kujtesë. Vështrimi i tij mbërthyer tutje, në horizont, dukej i lodhur. Si ato ditë në burg kur pyeste për mëmë Hajrien. Hodha hapat e parë drejt tij. Shkoja drejt vëllait, apo drejt një fantazme?! U zgjata ta përqafoj, ta puth. Si vëllai i përvëluar nga malli për vëllanë. Dukej i ri, fare i ri. Aq sa ç’ishte kur u ndamë para 30 vitesh. Ishte Luani, ashtu siç kishte qenë! Me atë ballë, me ata sy, me ato vetulla të zeza. Me atë trup të bëshëm e të drejtë. Veç flokët i kishte të qethur. Dhe një vrimë plumbi në rrëzë të kreshpës së hundës. Ishte gjurma e fundit e atyre që kishin vendosur për fatin tragjik. Dhe formalinë, shumë formalinë që mbante vigan trupin e tij”.
Po Lavdosh Mersini duhej të përmbante veten, për t’u ngritur mbi dhimbjen dhe tronditjen e jashtëzakonshme. Duhej të rikthente vëllanë te strehëza e tij, në Çepranin e largët, për ta çmallur me vëllezërit dhe motrat, me nipërit dhe mbesat, me miqtë dhe shokët. Pastaj rrugëtimi, i gjatë, i lodhshëm, ngazëllyes...
 
Burbuqja, e motra: Luani si Kostandini u kthye pas 30 vjetësh
 
“E ke dëgjuar atë legjendën ti për Kostandinin?! Padyshim që e ke dëgjuar, si edhe unë. Po nuk ma do mendja që e ke përjetuar. Nuk e di kush tjetër e ka pasur këtë fat. Rikthimi i Luanit pas 30 vjetësh ishte njësoj si i Kostandinit. Po, po! Teksa e puthja ashtu të ftohtë, kujtoja legjendën e qëmotshme. Legjendën e asaj pritjes së gjatë të kalorësit që kapërceu male të tërë për të takuar nënën dhe motrën e vet. Se edhe Luani që pati mort e vdekje, nuk pati varr e tretje. Si Kostandini! Po jo edhe si Kostandini! Se Luani nuk e gjeti nënën dhe nuk e pa si u tret e gjora me dhimbjen për të...”
Të trondit ky rrëfim i motrës së Luan Mersinit, Burbuqe Haxhiaj, ndërsa ke trokitur në derën e apartamentit të saj, diku në periferi të Durrësit. I duhet forcë të përmbajë ngashërimin dhe lotët që i rrëshqasin në faqe. I shoqi, Enveri, i mësuar tashmë me këtë gjendje të saj duhet ta çojë vet fillin e bisedës më tej, të paktën sa të thyejë çastet e dënesës së Burbuqes...
“Luanin e arrestuan se nuk pranoi të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit. Pas kësaj i montuan një akuzë për shpërdorim detyre gjatë ngritjes së objekteve social-kulturore në kooperativë. Dhe u qep një shumë deficiti 50 mijë lekë për ta ekzekutuar natën me plumb”. Kaq thotë Enveri sa për të rifutur të shoqen në bisedë dhe nxjerr një tufë me letra, në të cilat ka mbetur verdikti i gjykatës, zbardhur në kulisat e kohës së zymtë. Pastaj motra e djaloshit të martirizuar barbarisht vazhdon mendueshëm: “E morën papritur. I hodhën prangat në fshat, aty ku punonte dhe e nisën për në qelitë e Vlorës. Rrugës u takua me vëllanë dhe i dha orën e dorës. Sigurisht për ta ruajtur. Më tej do ta takonim vetëm me lejen e hetuesisë. Nuk iu venit kuraja për asnjë çast. Nuk lypi kurrë mëshirë. Vetëm cigare na kërkonte çdo herë, dhe asgjë tjetër. Merak i vetëm i mbeti nënë Hajria. Për të e kishte porosinë e parë dhe të fundit. Kështu deri më 24 tetor 1968....kur e vranë.”
Vetëm kaq mund të thotë Burbuqja, ndërkohë që është e bindur se më shumë di vëllai i madh, Lavdoshi. Adresa e tij është edhe momenti i ndarjes me këtë nënë zemërlënduar...
Lavdoshi, njëri nga vëllezërit: Luani kërkoi ta shikonin gjykatësit në sy
Lavdosh Mersinit, vëllait që e ka gjetur pas 30 vjetësh trupin e Luanit në laboratorin e anatomisë, i ka mbetur në sy qëndrimi përpara trupit gjykues. Sa herë i është dashur të kujtojë imazhin e të vëllait, i është rikthyer atij dueli ku Luani sfidonte pa asnjë drojë akuzat e montuara nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit. Eshtë kjo arsyeja që fillin e bisedës e zë pikërisht këtej...
“Pas hetimeve të mbyllura, e nxorën në gjyq. E akuzuan për shpërdorime në shumën 50 mijë lekë. Ishte rrumbullakosur kjo shifër në zyrat e Sigurimit të Shtetit dhe ligjërohej në sallë nga prokurori Sotir Spiro dhe gjyqtari Irakli Bozgo. Sipas tyre, Luani, gjatë punës për ngritjen e objekteve social-kulturore në kooperativë, kishte krijuar një dëm ekonomik për shtetin që do t’i kushtonte jetën(!). Për momentin askujt nuk i shkoi në mendje se do të arrinte deri në dënimin fatal. Ca më tepër, që edhe dëshmitarët e thirrur në gjyq kundërshtuan prerazi akuzën. I pari e hodhi poshtë dëshmitari kryesor, kryetari i kooperativës së Mavrovës, Telo Danaj. Ai nuk pranoi asnjë nga provat e hetuesisë, madje në gjyq foli pa frikë për figurën e mirë të Luanit. Ky reagim do ta nxehte kreun e trupit gjykues dhe do ta nxirrte jashtë me arrogancë. E njëjta skenë u përsërit edhe me dëshmitarin tjetër, shefin e llogarisë së kooperativës, Maliq Hoxha. E nxorën edhe atë jashtë shpërfillshëm. Në këtë situatë u çua vrullshëm Luani, me vështrim të egërsuar nga podiumi. ”Mos i tundoni njerëzit e nderuar! I bini shkurt asaj që keni menduar! Unë do t’ju qëndroj ballasi deri në fund, provoj burrërisht mashtrimet tuaja. Ju nuk e njihni burrërinë. Prandaj nuk dini të shikoni në sy. Se veproni fshehtaz, në errësirë me të pavërteta dhe akuza bajate!...” Deshi të vazhdonte më tej me këtë reagim Luani i prangosur, po fjalën do t’ia linte në mes zëri i prokurorit: “Do ta paguash me plumb Luan Mersini! Në litar do ta paguash...”
Vetëm kaq i kujtohet nga ai vegim i largët, por gjithsesi domethënës Lavdosh Mersinit, nga gjyqi i të vëllait në shtëpinë e Pashait, në qendër të Vlorës. Për çka do të rridhte më tej,shton ai, u pa hapur se fati i Luanit ishte paravendosur...
Bardhyli, vëllai tjetër: I çuam rrobat e dimrit në burg dhe na thanë se e kishin vrarë
I pari që e ka marrë vesh ekzekutimin e Luanit ka qenë vëllai i madh, Bardhyli. Ka qenë një ditë e ftohtë tetori e vitit 1968, kur u nis me porosinë e nënës për t’i çuar veshjet e dimrit dhe ca ushqime në birucat e policisë së Vlorës. Ndërsa ka trokitur në portën e oficerit të rojës dhe e ka sqaruar për çka është gjendur aty, ka marrë edhe përgjigjen tronditëse. “Akoma nuk e dini ju se Luanin e kanë pushkatuar!” Ka mjaftuar kjo dhe Bardhylit i janë prerë gjunjët. “Rashë në tokë pa ndjenja dhe nuk e di kush më çoi në këmbë, kujton njeriu që është njohur i pari me lajmin e kobshëm për të vëllanë. Mbaj mend si më përmendën duke më hedhur ujë në fytyrë dhe shkelmat e oficerit rojë mbi torbën e rrobave dhe ushqimeve që kishin rënë poshtë sportelit të zyrës së tij. Në çast kujtova mëmë Hajrien. Si mund t’ia thosha asaj. Ashtu, i trullosur, u nisa për në fshat. Nuk duhej të qaja. Këtë më kishte thënë në takimin e fundit Luani, që me sa dukej e kishte parandjerë fatin e keq...”
Përtej kësaj skene tronditëse, Bardhyl Mersini ka dëshirë të kujtojë ato ngjarje që lidhen me jetën e virtytshme të vëllait të martirizuar barbarisht. Në përfytyrimin e tij ka mbetur Luani çapkën që mbaroi shkëlqyeshëm shkollën e mesme dhe i vunë përpara postbllokun e biografisë së keqe. Kanë mbetur të gjalla mbresat nga bisedat për filmat dhe sportin ku Luani ishte “zembereku” i tyre.
Ka mbetur meraku i tij për t’u veshur bukur e për t’u krehur “allafrënga”, madje deri te guximi për të vënë kollaren e zgjedhur me shije. “Erdhi nga shkolla dhe iu fut jetës me vrull, tregon Bardhyli. Iu përvesh punës në ndërtim 10 /12 orë në ditë. Duhet të çajmë të parët, na thoshte. Dhe me të ardhurat e fituara na ngriti në këmbë derisa përfunduam tre shtëpi, për të tre vëllezërit. Sa kthehej nga puna, bëhej tjetër njeri. Lahej, vishej dhe shpesh shkonte në Vlorë, sidomos kur kishte ndonjë ndeshje futbolli. Kishte pasion kinemanë. Aktorët më në zë të kohës i njihte të gjithë dhe mundohej të dashuronte me ta të rinjtë e tjerë. Ishte i gjallë e aktiv në shoqëri. Ishte i gjendshëm për çdo hall të atyre që njihte. Për pak vite pas shkollës, filloi të bjerë në sy të të gjithëve. Këtë mesa dukej e kishin vënë re edhe ata të Sigurimit. Deshën të përfitonin nga shkathtësia e tij, por edhe nga ceni politik si djalë kulaku. Prandaj e thirrën për t’i kërkuar bashkëpunim. Për të siguruar informacion për grupet që përgatiteshin atëherë në Vlorë për t’u arratisur. Kundërshtoi prerë. Ndërkaq e kuptoi edhe koston që do t’i paguante kësaj. Na i shprehu edhe neve se nuk do t’ia harronin kollaj. Që këtej nisi drama fatale për të...”
Enveri, i kunati: E ëma, Hajria nuk pranoi t’u japë policëve kostumin e Luanit
“Erdhën punonjësit e sigurimit të shoqëruar nga një duzinë policësh dhe kontrolluan në të gjitha skutat e shtëpisë për të marrë çdo gjë të Luanit, libra, blloqe, fletore, rroba, e deri te teshat e fjetjes. Kur zunë me dorë kostumin e ri që atë vit e kishte qepur për ditën e dasmës, turfulloi mbi ta pa marrë parasysh asnjë rrethanë Hajria. Jetën mund të ma merrni, po këtë jo, u tha dhe ua rrëmbeu nga duart. Ndenjën për një çast të hakërryer policët dhe kur u bindën që ajo nuk mund të lëshonte pe më tej, ia lanë. Atë kostum e mbajti te koka deri në ditën që vdiq...”
Është Enver Haxhiraj, kunati i Luanit që tregon këtë detaj, për të cilin thotë se nuk ka për ta harruar asnjëherë. Gjithsesi, nënë Hajria mundi të jetojë vetëm pak ditë nga gjëma e Luanit dhe vdiq në moshën 55-vjeçare me marazin e madh që nuk mori vesh asnjëherë ku pushonin eshtrat e të birit të martirizuar barbarisht pas gjyqit farsë....
Një ish-punonjëse e laboratorit:Trupin e djaloshit nga Vlora e balsamosën natën
Një nga ish-punonjëset e hershme të laboratorit të mjekësisë ligjore që nuk pranon të indetifikohet, ka guxuar qysh atëherë për të çuar lajmin te familja e Luanit. E pohon këtë edhe Lavdoshi, i cili e ka marrë mesazhin nga një i njohuri i saj në Vlorë, ndërkohë që e kërkonte trupin e vëllait sa nga Pylli i Sodës, te Pusi i Mezinit, fidanishtja e ullishteve, plazhi i vjetër etj. Po tregimi i gruas që puna e ka lidhur me laboratorin e kufomave, nuk mbaron këtu. Ka qenë një moment i veçantë që ky rast është ngulitur në kujtesën e saj. Gjithçka ka të bëjë me çastet e mbërritjes aty të trupit pa pajetë të Luanit. “Ishte viti 1968, madje diku nga muajt e fundit të tij. Mbaj mend që në këtë periudhë në fakultet ndjehej krizë për kadavrat. Sipas një urdhri nga lart, u ngrit një grup ekspertësh me tre katër veta mjekë e hetues dhe vizituan disa nga burgjet e vendit. Kryesisht, pre e gjahut të tyre, ishin kontingjentet që ishin ndëshkuar, ose prisnin të ndëshkoheshin me vdekje. Një ditë, herët në mëngjes, kur sa kishte mbërritur ekspedita nga Vlora, dëgjova një nga specialistët që kthehej andej t’i thoshte shefit se në Vlorë kishte konstatuar një ”material” shumë të mirë, të cilin, sipas tij, kishte rënë dakord me sektorin e Ministrisë së Brendshme për ta bërë pjesë të kabinetit. Më tej mora vesh se bëhej fjalë për një djalë 25-vjeçar që ishte dënuar për abuzime ekonomike. Të nesërmen pas kësaj na lajmëruan natën, pasi e kishin sjellë. Pata rastin ta shikoja sa e zbritën nga makina. Ishte një djalë i bukur me një trup të rregullt. Njerëzit që e përpunuan thanë se ishte një nga rastet që do të mbijetonte për shumë kohë në laborator. Dhe, teksa pashë dokumentet që e shoqëronin, gjeta rastin dhe çova në rrugë të tërthortë lajmin te familja e tij...”.

Një i vdekur mes të gjallëve

Kështu ka ndodhur me djaloshin 25-vjeçar, Luan Mersini nga Çeprati i Vlorës. Ndërsa është pushkatuar me vendim gjyqi e kanë transportuar po atë natë për në Tiranë. Me orë të tëra dhe në fshehtësi të plotë, mjekët kanë përpunuar trupin e tij dhe pas balsamosjes e kanë vendosur në laboratorin e anatomisë së fakultetit të Mjekësisë, me një matrikull të thjeshtë. Qysh të nesërmen është gjendur në podiumin e kabinetit dhe ka vazhduar të “dialogojë” në heshtje me bluzat e bardha. Breza të tërë mjekësh do të ushtroheshin mbi trupin e tij. Një i vdekur do të bashkëjetonte kësisoj me të gjallët! Dhe jo pak, por 30 vjet me radhë. Derisa një ditë “pedagogu” pa zë do ta braktiste “profesionin” e detyruar, për t’u kthyer në vendlindje. Prapa do të mbetej misteri i zbardhur dhe shumë kujtime të dhimbshme...

Laboratori
Nikulçenko, rusi që krijoi laboratorin e Anatomisë

Doktor Gazmend Velçani, një nga veteranët e kirurgjisë dhe pedagogëve të fakultetit të Mjekësisë, fillesat e institucionit të shkollimit të bluzave të bardha shqiptare i lidh me kontributin e kolegëve sovjetikë gjatë fillimit të viteve pesëdhjetë. “Aty nga viti 1952, kujton ai, në fakultet u krijua kabineti i Anatomisë, i cili bashkë me laboratorin u pajis edhe me muzeun përkatës, ku u vendosën pjesë të trupit të njeriut në mjedise të ruajtura, sipas kërkesave specifike. Gjithçka e realizuar në të ishte fryt i punës krijuese të profesorit sovjetik, Nikulçenko, i cili gjatë asaj periudhe kontribuoi shumë për institucionalizimin e shkollës shqiptare të mjekësisë”. Për herë të parë pra, studentët tanë do të konkretizonin leksionet e anatomisë në laboratorin që mbante për bazë materiale pjesë nga trupi i njeriut. Për mësimdhënësit shqiptarë fillimisht kjo nuk do të ishte e lehtë, po më tej çdo gjë do të kalonte në rutinën e përditshme dhe do të bëhej monotone. Pjesa më e vështirë, rrëfen doktor Velçani, ishte sigurimi i “lëndës së parë”, që mbetej detyrë e dekanatit dhe katedrës së anatomisë. Pikërisht për këtë u vendos një bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe me drejtoritë e azileve ku jetonin njerëz pa familje. Në bazë të procedurave ligjore të kohës, ekipi i mjekëve të fakultetit bënte tërheqjen e trupave dhe më vonë bëhej përpunimi i tyre në laborator, për t’u vendosur në muzeun e anatomisë. Për veteranin e kësaj katedre, një mbështetje të madhe ka dhënë në fillesat e kompletimit të këtij kabineti ish-dekani, Mendar Shtylla. Ndërkaq, Velçani nuk harron të kujtojë kontributin e kolegëve të tij, Skënder Dauti e Fiqiri Basha, si dhe punën pasiononte të laborantit, Kol Pepa. Ishin këto çastet e para kur bluzat e bardha do të operonin me trupin e njeriut për ta bërë bazë materiale për kabinetin e fakultetit. Puna për krijimin dhe zgjerimin e tij, siç thonë shumë nga mjekët e tjerë që vazhdojnë të jenë pjesë e këtij dekanati, mbartte një lloj misteri, sidomos gjetja dhe përgatitja e trupave të njerëzve që shtoheshin rishtaz në muzeun e tij. Doktor Velçani përjashton në mënyrë kategorike, për aq sa ai ka qenë pjesë e kësaj katedre, faktin që mjaft nga kufomat vinin nga radhët e të dënuarve politikë. “Me sa di unë, ne mund të kemi tërhequr trupin e ndonjë të dënuari ordiner, të paktën për aq sa na thoshin, pasi për politikanët, balsamosja e tyre, sipas diktaturës, ishte njëlloj si t’i hipje në piedestal. Gjithsesi, tani që çdo gjë është transparente mund të zbardhet çdo lloj misteri që përflitet lart e poshtë”, përmbyll veterani i kirurgjisë shqiptare.

Familja Mersini dhe drama e kulakëve

Etiketimi “Kulak” i kushtoi familjes Mersini një dramë të tmerrshme. I pari provoi qelitë e burgjeve komuniste, i ati i Luanit, Tofiku. Pas tij u arrestua, xhaxhai, Bexheti, që i shpëtoi rastësisht pushkatimit. Në vijim u ekzekutua Luani. Ndërkaq, në ferrin e internimeve pa fund përfunduan vëllezërit e tjerë, Bardhyli, Lavdoshi dhe motra Burbuqe. Vetëm pse ishin fëmijët e kulakut dhe njërit prej nacionalistëve me emër në zonë


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora