Shtesë » Historia
Sadik Bejko: ''Desidentët e Rremë'' (Kreu VI)
E marte, 01.07.2008, 07:40 PM
Fragment nga libri ''Desidentët e Rremë''
Sadik Bejko
Kreu VI
Përndjekja në letërsi dhe në arte gjatë komunizmit
1. Kthesa e dhunshme në kulturë
Ndryshimi politik i vitit 1944, vendosja e regjimit komunist, do të sillte fatkeqësi deri dhe zhdukjen përgjithmonë nga jeta të shumë individëve, eleminimi nga jeta sociale të disa shtresave dhe klasave të shoqërisë së atëhershme shqiptare, fashitjen e dokeve dhe të zakoneve tona tradicionale. Shqipëria u përball me një shtet të dhunës, i cili në emër të luftës ndaj një bote të vjetër për t’i lënë vendin një bote të re, në emër të luftës për ndërtimin e një shteti të të varfërve, kundër atyre që ishin të pasur, përmbysi gati gjithë raportet pronësore dhe sociale dhe i vuri në mjerim, në burgje e deri në majë të bajonetës të gjithë ata që e kundërshtuan hapur ose dhe ata që ishin të paragjykuar për t’u quajtur armiq, kriminelë, reaksionarë.
Ndryshimi rrënjësor preku dhe sferën e kulturës. Komunistët ndryshimin e kuptonin si ndërrim të thellë në jetën shpirtërore, në filozofinë dhe në mënyrën e të jetuarit. Gjithë të tjerët, veç komunistëve, quheshin njerëz të botës së vjetër që fillimisht duheshin duruar, por gradualisht duheshin ndërtuar e ndryshuar në përputhje me vizionin e komunistëve për një njerëzim tjetër, të ri. Për të realizuar këtë ndërrim gati apokaliptik shkrimtarët dhe artistët u thirrën nga politika që të prodhonin në art dhe në letërsi modele të këtij njeriu të ri.
Kauza komuniste e revolucionit ishte e detyrueshme për të gjithë, ndaj aparatet e dhunës ishin përherë në këmbë, për të gjithë, sidomos për ata që i rezistonin kësaj fryme të re.
Ndryshimi nuk preku vetëm prodhimtarinë artistike të ditës, por dhe gjithë trashëgiminë letrare e kulturore të së kaluarës. Gjithë sa ishte krijuar më përpara do të shikohej me dyshim, do të shkohej në sitën e hollë të përzgjedhjes e deri në mohimin e saj.
Ky ndërrim ishte tragjik për shumë nga intelektualët krijues që vinin nga vitet ’30, intelektualë me prirje evropiano-perëndimore, ku edhe ishin shkolluar e formuar. Po ndërpritej kështu një traditë kulturore e atdhetare me prirje nga liria individuale, nga dëshira për të krijuar të bukurën, estetiken, artin brenda natyrës së tij, brenda pavarësisë krijuese që siguron lulëzimin e prirjeve origjinale.
Do të kufizohej dhe do të shihej shtrembër literatura fetare dhe gjithë trashëgimia tjetër me prirje dhe me frymëzim të tillë. Më vonë, pas vitit 1967, ushtrimi i fesë, institucionet dhe profesioni i fetarit u ndaluan me ligj.
Krijimtaria botërore e krijuar në shekuj do t’i nënshtrohej përzgjedhjes mbi bazën e ndarjes në letërsi dhe art përparimtar dhe në letërsi dhe art reaksionar. Kështu do të ndaheshin shkrimtarët, piktorët, muzikantët e traditës botërore që nga fillimet. Kjo ndarje solli ndërprerjen e komunikimeve me letërsinë, artet, filozofinë dhe estetikën e Europës Perëndimore. Pothuaj gjithçka aktuale me burim prej këndej konsiderohej reaksionare, borgjeze, armiqësore, e rrezikshme.
Në këtë frymë, të mbizotëruar nga pikëpamja leniniste e vështrimit materialist të jetës dhe të historisë, u hartuan dhe tekstet mësimore, tekste që do të përgatisnin njeriun e ri dhe shoqërinë e re. Shembujt për këtë u morën nga Moska. Shkenca, letërsia dhe artet sovjetike u shpallën më të përparuarat në botë. Për një kohë të gjatë pothuaj të gjitha tekstet shkollore, deri dhe ato për biologjinë, kiminë, psikologjinë, pedagogjinë, letërsinë e huaj, historinë, gjeografinë, gjeologjinë e fizikën kanë qenë përkthime të teksteve sovjetike. Kjo jo vetëm se shumë nga mësuesit e pedagogët u dërguan për shkollim në Rusi, por mbi të gjitha për atë fillin e kuq marksist-leninist që duhet të ndihej edhe në shkencat e natyrës jo vetëm në ato shoqërore.
Model për shkrimtarët u shpall letërsia sovjetike e realimit socialist dhe predikohej hapur imitimi i saj prej shkrimtarëve shqiptarë.
Letërsia dhe artet duhet të pasqyronin jetën, por edhe të propozonin ndryshimin e saj. Në filozofi kjo quhej art që i shërben revolucionit, shoqërisë, një prodhimtari ku vlerësohet mesazhi përmbi vlerat estetike, në praktikë ishte vënie në jetë e tezave leniniste, sipas të cilave arti është levë dhe burmë në punën e partisë, pra, jo art, por propagandë partiake. Mbi këto baza filloi eliminimi i gjithë atyre letrarëve dhe i librave të traditës që nuk shkonin me propagandën e regjimit. Librave të padëshiruar iu ndalohej botimi, krijuesit e padëshiruar i nënshtroheshin mënjanimit të detyruar nga jeta krijuese, burgimit, internimit, dërgimeve në punë të përbuzura, ekzekutimit.
Kështu Gjergj Fishta(1871-1940), Faik Konica (1875-1942), Zef Skiroi (1865-1927), Ernest Koliqi dhe të tjerë ishin shkrimtarë të anatemuar e të përjashtuar nga botimi dhe nga përfshirja në tekstet e historisë së letërsisë shqiptare. Veç shkrimtarëve të anatemuar, kishte dhe shkrimtarë të mënjanuar si klasiku i gjallë i letërsisë së atëhershme shqipe, Lasgush Poradeci etj. Edhe shkrimtarët e tjerë botërorë apo kombëtarë, të pranuar nga regjimi, kurrë nuk botoheshin në të gjitha veprat e tyre. Botimet e tyre shoqëroheshin nga studime a parathënie ku viheshin në dukje “kufizimet ideore”. Naim Frashërit, poetit më të publikuar nga ajo kohë, asnjëherë nuk iu botuan veprat me “kufizime ideore”, si: “Qerbelaja”, “Fletore e bektashinjve” etj.
Krahas kësaj krasitjeje, filloi rekrutimi i artistëve të quajtur të rinj, i atyre që vinin nga malet dhe i atyre që në vitet tridhjetë kishin prirje nga e majta.
U ndaluan shtëpitë botuese private dhe gazetat private, u krijua Lidhja e Shkrimtarëve si organ kontrolli për shkrimtarët dhe kështu gjithë krijimtaria që publikohej iu nënshtrua vetëm një dore, dorës së shtetit.
Kritika letrare merrte porosi nga partia për veprat që do të lavdëroheshin dhe për ato që do të ndëshkoheshin.
Shkrimtarët që erdhën nga vitet ’30, e konformuan procesin krijues me regjimin, me metodën e realizmit socialist.
Organizatat e partisë në të gjitha institucionet shtetërore krijuese vigjilonin dhe ndalonin ose lejonin publikimin e librit, muzikës, pikturës a filmit. Jeta artistike u nën një këmishë force, nën një terror të ftohtë por të pandërprerë, ku shoku përgjonte shokun për të gjuajtur ndikimet e huaja, shkeljen e normave të shpallura të partishme. Përgjimet, spiunimet, kongreset, plenumet, mbledhjet, orientimet e drejtorisë së shtypit në Komitetin Qendror që merrte në analizë ndonjëherë dhe gati në çdo muaj prodhimtarinë, përbënin klimën krijuese dhe shkencore për gjatë gjithë kohës së komunizmit.
2. Një parantezë
Këtu do të hap një parantezë. Prapë krijimtaria letrare dhe shkencore e krijuar nën komunizëm ka vepra që e tejkalojnë kohën e komunizmit. Arti i vërtetë del mbi kohët. Parime të rrepta krijuese të imponuara ka pasur në disa periudha historike të shoqërisë njerëzore. Edhe Molieri ka qenë një shkrimtar tipik klasicist, por veprat e tij prej atëherë e deri sot i përkasin gjithë njerëzimit. Edhe perandoria romake ka pasur shkrimtarët e saj të preferuar dhe ata të ndëshkuar. Edhe arti bizantin e mesjetar kanë pasur kanune që e kufizonin shkrimtarin, piktorin dhe muzikantin. Edhe nazistët kishin normat e tyre për artin. Por prej gjithë këtyre kohërave kanë ardhur letrarë e artistë të shquar. Letërsia, piktura, muzika mund të ngjajnë se janë krijuar që t’i shërbejnë një kohe të caktuar, por veprat e talenteve të mëdha dalin përtej kohëve që i krijuan. Kjo ka të bëjë me natyrën e brendshme të artit. Veprat e mëdha, edhe kur duket se janë të pranueshme vetëm për një kohë, në thelb janë të ndërtuara me parimet universale e të përjetshme, sipas modeleve të krijuara nga artistët e mëdhenj të të gjitha kohërave. Si të tilla, ato i mbeten thesarit të letërsisë dhe të artit botëror a kombëtar.
3. Përndjekja në vitet e para
Më poshtë do të ndalem te ata shkrimtarë dhe artistë që u ndëshkuan prej komunizmit.
Përndjekja ka qenë valë-valë dhe ka përshkuar gjithë kohën e komunizmit. Në fillim u përndoqën ata që u quajtën reaksionarë me damkë dhe që “revolucionin” nuk e pranonin. Artistin në cilëndo shoqëri mund ta konsiderosh një ëngjëll, në kuptimin një qenie që punon me lëndë nga bota shpirtërore. Qenie të tilla në një komb të varfër si ky yni, ku artisti kurrë nuk arrin të shpërblehet për punën e tij, duhet të rrethohen me mirënjohje. E them këtë se shumë nga krijuesit që tradicionalisht e kanë mbajtur ndezur qiririn e artit tek ne, kanë pasur jetë tragjike. Shqipëria që nga krijimi i saj si shtet, por edhe më parë, i ka ushqyer fëmijët e saj me ndjenjat e moralit, të atdhetarisë, të së bukurës me penën e shumë shkrimtarëve të shquar që nga Budi dhe Bogdani, nga De Rada e Serembja, nga Naimi dhe Fishta, nga Konica, imzot Prenushi dhe imzot Noli, nga Asdreni dhe Gjeçovi, nga Koliqi dhe Kuteli. Por këta shkrimtarë, në të shumtën e rasteve, nuk e kanë pasur a nuk e kanë ende edhe sot një pëllëmbë dhé për varrin e tyre në këtë vend.
Artistët e shkrimtarët që u përndoqën nga komunizmi, qenë fatkeqë se i përkitën një kohe fatkeqe për ata dhe për të gjithë ata që e jetuam atë.
Të parët ndër shkrimtarët dhe intelektualët e përndjekur qenë nga ata që u përkisnin grupimeve politike që ishin të predestinuar për t’u kositur. Intelektualët që kishin bërë shtetin shqiptar në vitet tridhjetë, ata që kishin shkëlqyer në letërsi dhe në shkencë, vetëm se gjatë luftës ishin përfshirë në formacione politike të tjera, u quajtën armiq dhe me gjyqe speciale komuniste u shkuan në plumb. Ata mbase duhet të merrnin një mirënjohje shtetërore dhe një pension shtetëror se kishin shërbyer në shtet, por u shpërblyen me plumb. Disa që arritën të largohen nga ky vend, u dënuan në mungesë, u shpallën kriminelë dhe u ndaluan të kthehen në atdhe. Të tillë qenë disa nga anëtarët e Institutit të Studimeve Shqiptare, një bërthamë akademie mund ta quash, ku bënte pjesë E. Koliqi (1903-1975), M. Kruja, Karl Gurakuqi (1895-1971), Namik Resuli (1908-1985) etj. Ata, veçan politikës, kanë kontributin e tyre të pashlyer në shkencën e albanologjisë, të cilin e vazhduan dhe në emigracion. Një intelektual shumë i hollë, si Lef Nosi (1873-1945), etnograf dhe bibliofil, u pushkatua nga gjyqet speciale të viti 1945.
Sëpata si rrallë kund tjetër ra mbi atë që është quajtur qarku letrar katolik i Veriut të Shqipërisë. Varri i poetit kombëtar Gjergj Fishta u dhunua, emri i tij tashmë do të ishte i frikshëm. Do të shpallej reaksionar dhe i zi, si ai. Klerikë të tjerë, savantë të shquar do të fashiteshin nga historia e kulturës sonë përgjithmonë. Vinçenc Prenushi (1865-1949 ), një figurë prej rilindasi, arqipeshkv i Durrësit, poet i njohur, arrestohet ndër të parët, dënohet me njëzet vjet burg, vdes nga torturat më 1949. Dramaturgu Ndre Zadeja (1891-1945), poeti dhe përkthyesi Dom Lazër Shantoja (1892-1945), poeti atë Bernardin Palaj (1884-1947), patër Anton Harapi (1888-1846), publicisti Gjon Shllaku (1907-1946) arrestohen, torturohen dhe ekzekutohen. Këta janë martirët e kasaphanës së viteve të para komuniste. Me kohë teologët, mësuesit, veprimtarët e kësaj kishe, kishë prej nga kemi dhe kardinalin e parë shqiptar, imzot Mikel Koliqin (1911-1997), një muzikant krejt origjinal, do të pësojnë ndëshkime rrënuese, burgime të përjetshme dhe mizori të pandërprera. Një prift po i kësaj kishe do të shkojë në litar në vitet shtatëdhjetë vetëm se pagëzoi në fshehtësi një fëmijë në kampet e punës në Lushnje.
Pas klerikëve katolikë për nga përndjekja radhiten klerikët bektashinj me kryegjyshët e tyre të pushkatuar, por edhe kleri ortodoks me ekzekutimin e imzot arqipeshkop Visarion Xhuvanit, të peshkop Irene Banushi dhe imzot Kristofor Kisit (zhdukur në mënyrë të dyshimtë). Dënime të rënda morën klerikë të tjerë më të ulët në rang. Më 1948 do të pushkatohet në Gjirokastër Baba Ali Tomorri (1893-1948), pseudonim i Ali Abas Skëndit, poet, publicist, teoricien dhe veprimtar bektashian, autor i gjashtë librave.
Dramaturgu Kristo Floqi (1873-1951) arrestohet menjëherë pas luftës dhe vdes në burg. Të tjerë, si: folkloristi atë Donat Kurti (1903-1969), romancieri Dom Ndoc Nikaj (1864-1951), përkthyesi dhe publicisti Lazër Radi (1916-1998) me mbi dyzet vjet burg dhe internim, botuesi Nebil Çika (likuiduar më 1944), botuesi Ibrahim Dalliu (1878-1952) morën përsipër vdekjen apo urrejtjen dhe përndjekjen e përjetshme të atij shteti. Themi urrejtjen e përjetshme të shtetit se emri i të ndëshkuarve si të tillë fshihej përgjithmonë nga historia e kulturës. Madje njolla e ndëshkimit politik binte si pasojë dhe mbi familjarët e trashëgimtarët. Trashëgimtarëve të tyre iu ndalohej shkollimi universitar dhe nëpunësia. Mbas lirimit prej burgut politik të hiqej e drejta e botimit. Librat, filmat e autorëve të burgosur viheshin në indeksin e veprave të ndaluara. Komunistët shqiptarë nuk e njihnin institucionin e rehabilitimit.
Këtë fat tragjik do ta kishin dhe dy shkrimtarë të tjerë, Musine Kokalari (1918-1983) dhe Ethem Haxhiademi (1902-1965).
Musine Kokalari më 1941 mbaroi “con lode”, shkëlqyeshëm, Universitetin mbretëror të Romës, u laurua Doktore në Letërsi. Botoi librat “Siç më thotë nënua plakë” (1939) dhe “Rreth vatrës” e “Sa u tund jeta” më 1944. Në vitet 1943-44 tentoi të formojë një parti socialdemokrate. Dy nga vëllezërit e saj, pronarë të një shtypshkronje, u eliminuan nga komunistët në hotel Bristol në prag të çlirimit të Tiranës. Në janar 1946 Musinenë e arrestojnë dhe e dënojnë me njëzet vjet burg me akuzën se donte të rrëzonte pushtetin. Musineja u kishte dërguar një notë përfaqësive të forcave aleate në Tiranë, ku, veç Frontit komunist, kërkonte dhe pjesëmarrjen e partive të tjera në zgjedhjet e vitit 1945. Më 1961 e lirojnë nga burgu dhe e internojnë në Rrëshen. E vunë të bëjë punë të rënda në ndërtim dhe në komunalen e këtij qyteti. Më 1980 iu shfaq kanceri në gji. Gati pa mjekim, e braktisur nga të gjithë, vdiq më 1983 dhe, si e ndëshkuar, u varros pa njeri nga komunalja e qytetit të Rrëshenit. 37 vjet e dënuar me punë të rëndë, në burg dhe në internim. Fat më të zi se të sajin nuk mund ta gjesh te asnjë shkrimtare tjetër e botës komuniste.
Ethem Haxhiademi një tragjedian i drejtimit të neoklasicizmit, një nga anëtarët e parë të Lidhjes së Shkrimtarëve, vetëm se i përkiste udhëheqjes së lartë të Ballit kombëtar, arrestohet më 1947; dënimi me vdekje iu kthye në burgimim të përjetshëm. Vdiq më 1965 në burgun e Burrelit ku u mor dhe me përkthime.
Në vitet e quajtura të Koçi Xoxes terrori mbi intelektualët do të përfshinte gjithë intelegjencën tjetër, si: mësues, shkencëtarë, historianë, pianistë, piktorë. Janë me qindra ata muzikantë, piktorë, teknikë e gazetarë të një rangu jo kaq të shquar sa emrat që përmendëm më lart, që i detyruan të lënë profesionin, u burgosen, dhe mbeten keq për bukë të gojës, nga që i degdisën në punëra të rënda krahu.
Në këtë klimë terrori shumë nga intelektualët e mbetur gjallë nga e kaluara, por që vepra u mohohej dhe u denigrohej, të tillë si Lasgush Poradeci (1899-1987), një nga poetët më të shquar të letrave shqipe, nuk u morën më me letërsi, iu kthyen përkthimit, për të nxjerrë bukën e gojës. Pas burgimeve, me përkthime u morën Mitrush Kuteli dhe poeti Kudret Kokoshi (1907-1991), i cili gjatë luftës ishte burgosur nga fashistët, por u burgos 19 vjet edhe nga komunistët.
Poeti Manush Peshkëpia (1910-1951) u burgos e më pas u pushkatua me rastin e hedhjes së bombës në ambasadën sovjetike.
Përkthyesi Jusuf Vrioni (1916-2002), shkrimtari M Greblleshi (1922-1986), gjuhëtari Selman Riza (1909-1988) pësuan burgime e mënjanime nga jeta krijuese.
Përndjekja do të zërë Arshi Pipën (1920-1997), një emër në kritikë, i diplomuar me “cum laude” për filozifi në universitet italiane. Vëllai i tij u pushkatua. Vitet e burgur Pipa do t’i përjetësojë në disa sonete mjaft ekspresive. Mitrush Kuteli (1907-1968), një nga shkrimtarët më mjeshtërorë të prozës shqipe, kritik i shquar dhe poet, do të degdiset burgjeve i dënuar me punë të rëndë. Prej andej ka shpëtuar paq, nga që njëri nga gardianët desh e varrosi për së gjalli. E shtyu në një kanal dhe e groposi aty derisa dheu i erdhi deri në fyt.
4. Shkrimtarë komunistë të përndjekur
Komunistët, pasi i lanë hesapet me ata që i quanin reaksionarë me damkë, do t’iu ktheheshin të vetëve. Me kohë e pëson Sejfulla Malëshova (1900-1971) dhe Mark Ndoja (1912-1972), i cili pas një internimi të rëndë nuk e ngriti më kokën nga sëmundja deri sa vdiq. Vitet e fundit të jetës Mark Ndoja ia kushtoi përkthimeve nga Horaci dhe përkthimit të Ferrit të Dantes.
Sejfulla Malëshova, ish-sekretar i kryeministrit Fan Noli në vitet ’20, doktor i shkencave në filozofi dhe pedagog filozofie në Moskë, një nga krerët e lartë komunistë gjatë luftës, ministri i parë kulturës pas luftës, poet, përkthyes i shquar, leksikograf, vetëm se pikëpamjet e tij liberale ishin jo në përputhje me vijën politike të Partisë, u internua në Fier. Punoi mbi dhjetë vjet në një magazinë barakë dhe vdiq i vetmuar në spitalin e Fierit. Në grahmat e fundit, i sëmurë me kancer në stomak, i lënë pa mjekim, ai i ndaloi mjekët që të ndërhynin. Ishte vonë. E varrosi komunalja e qytetit. Fjalori rusisht-shqip i vitit 1957, një nga veprat më të mira të leksikografisë shqiptare, u botua pa emër autori, se ishte punë e Sejfulla Malëshovës. Proza e M.Gorkit, Zgalemi, për dyzet vjet botohej në antologjitë e shkollave të mesme pa emrin e përkthyesit S.Malëshova.
Edhe Kasëm Trebeshina (l.1926) është në këtë vazhdë: oficer i lartë i Sigurimit, punonjës në Ministrinë e Industrisë, student për aktor në Leningrad, aktor në Teatrin Popullor, redaktor në Lidhjen e Shkrimtarëve, burgoset rreth një vit, internohet, mësues në Gramsh, rehabilitohet në vitet ’60 dhe boton një poemë dhe një dramë… përkthyes në ndërmarrjen e botimit “Naim Frashëri”… më 1981 burgoset për së dyti. Mbase Kasëm Trebeshina u vu në mëri me shtetin dhe me vetveten, që kur e hoqën nga kariera e ushtarakut, e vetmja punë ku ai ka kërkuar të rikthehet. Të gjitha punët e tjera, edhe shkollimin, ai i ka ndërprerë prej përplasjeve me shefat. Duke i ofruar pesë-gjashtë vende pune dhe rehabilitim, diktatura atë e ka toleruar si asnjë tjetër. Pas një poeme për Stalinin në vitet ’50, pas dy veprave të realizmit socialist në vitet ’60, veprat e tjera në prozë dhe në poezi të Trebeshinës janë publikuar pas ’90-tës. Disa nga këto vepra, vepra që shërbyen si material akuze për burgimin e fundit, vetë policia ia ka kthyer në shtëpi.
Viktor Stratobërdha, ish-partizan, kineast i studiuar në akademitë më të mira të artit në Rusi, asistent regjisor i filmit Skënderbeu, regjisor i filmit të parë shqiptar “Fëmijtë tanë” (film tashmë i zhdukur), pas Konferencës së Tiranës (1956) dërgohet në Berat. Punoi në fillim si regjisor estrade, pastaj në gurore. Pas burgut, punoi në fermë. Më 1991 emigroi, vdiq 76 vjeç në Kanada më 1998.
Petro Marko (1913-1991), një antifashist ndërkombëtar, u burgos nga komunizmi më 1947, më pas iu ndaluan veprat dhe e pësoi rëndë me ndëshkime të tjera familiare. Ai mbetet në veprat e tij një krijues sa konformist aq dhe antikonformist, falë natyrës së tij rebele.
Një shkrimtar komunist me tesër dhe me zemër, si Kin Dushi (1922-1994), autor i disa novelave dhe i romanit “Një emër në mes të yjeve” vuajti gjatë në burg nga që lufta e klaneve komuniste për pushtet shpesh, për të mos thënë gjithmonë, vihej përmbi parimet e mëdha e të deklaruara të kauzës së komunizmit. M. Myftiu (l.1931) do të burgoset dhe pas viteve ’90 do të botojë një roman të ndaluar.
Ibrahim Uruçi, dramaturg i njohur në atë kohë, pas goditjes për liberalizëm në kulturë më 1973, nga kryeredaktor i gazetës “Drita”, nga sekretar i partisë në Lidhjen e Shkrimtarëve u dërgua të punojë si fshesar i rrugëve në qytetin e minatorëve, në Memaliaj. Nuk e kthyen më në Tiranë. Vdiq i parehabilituar, i braktisur dhe nga familja.
5. “Biografia” si shkak përndjekjeje
Martin Camaj (1925-1992) dhe Sami Repishti (l. 1924) pas përndjekjeve do t’ia dalin që të arratisen nga ky vend, për t’u bërë emër në diasporë. Këtë fat do të ndjekë më pas dhe Bilal Xhaferi (1935-1986), megjithëse vdekja e ndërpreu shpejt.
Pas këtyre përndjekjeve në vitet dyzet dhe pesëdhjetë, përndjekja prapë do të mbetet vazhdë për njerëzit e letërsisë dhe të arteve, sadoqë njerëzit mësuan të konformohen me regjimin.
Që atëherë të merreshe me letërsi e me art duhet të kishe një prejardhje familjare të pranueshme nga shteti. Atyre që konsideroheshin, siç thuhej atëherë, me biografi të keqe, nuk iu botoheshin krijimet, nuk mund të luanin muzikë apo të pikturonin. Zef Zorba (1920-2003), një poet formalist nga Shkodra, pas burgut, do të bëjë punë të rëndomta; poezitë e tij u botuan pas vitit 1991. Pas vdekjes, më 2002, botohen poezitë e tregimet e Mihal Hanxharit (vdekur më 1999), një punonjës biblioteke në kryeqytet, i cili kishte shkruar në fshehtësi. Astrit Delvina (1920-1990), kish studiuar për mjekësi në Itali, burgoset, në hetuesi deklarohej hapur se ishte kundër realizmit socialist. Pas vdekjes në internim i janë botuar disa romane, të nxjerra nga dosja hetimore që e çoi në burg. Poetit dhe publicistit Izet Shehu (l.1942), për arsye të prejardhjes familiare, libri i parë iu kthye në karton dhe u ndalua të shkruajë gjatë kohës së komunizmit. Gëzim Hajdari (l. 1957 ), me prejardhje kulakësh, tani në Shqipëri dhe në Itali ka botuar poezitë e tij në dy gjuhë dhe ka marrë çmimin Montale. Poeti dhe përkthyesi Jorgo Bllaci (1938-2002) nuk botoi më pas burgimit.
6. Vitet 70
Me ndëshkimin për pikëpamje liberale në kulturë të dy anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë, të F. Paçramit (l.1922) dhe të T. Lubonjës (1923-2004), më 1973, do ta pësojnë shumë shkrimtarë, piktorë, këngëtarë, regjisorë, publicistë etj. Disa do të shkojnë në burg e të tjerë në punëra të rënda, në miniera, në kooperativa. Ndër këngëtarët operistikë do të përmendim Stavri Rafaelin dhe Lukë Kaçajn (1924-2001), një bariton që mund të kishte fat botëror për aftësitë e tij vokale dhe skenike. U burgosën dhe u flakën nga jeta krijuese. Kujtim Spahivogli (1932-1987), ish-partizan dhe komunist, pas ndëshkimit me punë të rëndë, nuk u kthye më në teatër. Ai ishte regjisor e pedagog i shquar, ishte dramaturg, teoricien i teatrit dhe poet. Vdiq i vetmuar. Mihallaq Luarasi, regjisor i shquar i viteve ’70, dhe dramaturgu Minush Jero (1932-2006) pas burgimit, do të bëjnë punë krahu. Mihallaqi dhe e shoqja, aktorja Edi Luarasi, u kthyen në skenë pas viteve ’90. Me burg u ndëshkuan piktori Ali Oseku (l. 1944), arkitekti dhe piktori M.Velo (l. 1935). Piktori i talentuar E Gjergo (1938-88) pas burgut vdiq në depresion dhe i alkolizuar. U përjashtuan për gjithmonë nga skena shpesh për një këngë të kënduar jo në përputhje me shijet zyrtare këngëtarë si: Besnik Taraneshi, Alida Hisku, Sherif Merdani, i cili vuajti edhe burgimin. Në vitin 1972 Viktor Gjoka (vdekur më 2007), aktori më i njohur komik i kohës, do të përjashtohej përgjithmonë nga skena se u nda nga gruaja dhe u martua me një më të re.
Gaspër Çiurçia (1934-1985), instumentist brilant, kompozitor, orkestrues, drejtuesi i një orkestre frymore xhazi, orkestër par excellence atëhere në Shqipëri, pas goditjeve në kulturë më 1973, u përjashtua nga Radio Tirana, punoi si elektricist, si roje objektesh. Më 1983 realizoi evolimin dhe përshtatjen për të luajtur muzikë ritmike të veglave muzikore tradicionale të tilla, si: çiftelia, lahuta, bakllamaja ejt. Krijoi familje orkestrale për secilën nga veglat më sipër sipas tipit të orkestrave të buzukut grek apo të balalajkës ruse. Kjo punë prej specialistëve iu vlerësua shumë, por iu hodh poshtë nga politika. Pas kësaj Gaspër Çiurçia ra në depresion dhe gjeti një mënyrë tjetër për të vrarë veten. U përfshi në një grup që falsifikonte bileta udhëtimi me tren. Të vetmin nga ai grup pushkatuan Gasprin, që mbase ishte fare rastësisht midis tyre. Familja e tij, gruaja dhe tre djemtë, u internua në një fshat pranë malit Tomorr deri më 1991. Gaspër Çiurçia vinte nga një familje shkodrane intelektualësh e pronarësh të shpronësuar nga komunizmi.
Në mënyrën e vet përndjekjen e kanë provuar shumë shkrimtarë me ndalime veprash, me ulje në detyrë, me vënien e emrit ndër ata që shihen shtrembër nga regjimi. Burgimin e gjatë e provuan dhe poeti Frederik Reshpja (1941-2005), poeti V. Zhiti (l. 1952), prozatori Bashkim Shehu (l.1955), Z.Morava (1946). Poeti V. Qurku (1941-1983), pas largimit nga gazeta “Drita”, ra në depresion dhe vrau veten.
Do pasur parasysh dhe kategoria e atyre që partia i ndëshkonte, duke i quajtur prapë “njerëzit tanë”. Këta ndëshkoheshin për të venë mend, për t’u bërë më të konformuar me kërkesat e propagandës në art. Si të të ndëshkuar kësisoj, ata bëheshin më të popullarizuar, më të lexuar nga publiku. Pas ndëshkimeve, shkruanin vepra më pro regjimit dhe merrnin shpërblime vlerësuese shtetërore. Ndër këta që quheshin “tanët” mund të hyjë dhe Kasëm Trebeshina. Kur Maks Velos dhe të tjerëve ua digjnin pikturat dhe romanet, Trebeshinës edhe veprat kundra regjimit ia çonin në shtëpi.
7. Shteti vrasës i shkrimtarëve
Në anën tjetër, rruga në art e në letërsi është e larë me gjak gjatë gjithë kohës së komunizmit. Kjo mund të jetë e pashembullt në gjithë Lindjen. Komunizmi shqiptar i ka pushkatuar artistët që në çastin që vuri këmbët në krye të regjimit në Shqipëri dhe deri në frymën e fundit të tij. Kjo histori gjaku do të thotë shumë. Do të thotë se sa e vështirë ka qenë të ishe shkrimtar nën atë regjim. Do të thotë se sa armik i lirisë dhe i lirisë krijuese në veçanti, ishte ai shtet.
Ai shtet i shkonte në plumb dhe në litar artistët e tij. Pas të pushkatuarve të viteve 1945-50, më 1963 do të pushkatohet poeti ushtarak Trifon Xhagjika (1932-1963) nga Peshtani i Tepelenës. Vëllai i tij, Ylli, mjek, vuajti dhjetë vjet burg vetëm se gjatë dhënies së dënimit me ekzekutim bërtiti: “Mbahu, vëlla!”. Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Xhelal Koprencka u pushkatuan në vitet ‘70. Vangjush Tushi, piktor, në këto vite vdes në burg. Megjithëse jemi në fund të viteve shtatëdhjetë, pushkatimet vazhduan. Vriten në lule të moshës dy poetët e rinj nga Bërzeshta e Librazhdit, Vilson Blloshmi (1948-1977) dhe Genc Leka (1940-1977). Kjo vazhdë e shkuarjes në plumb dhe në litar do të mbyllet në mënyrën më të përzishme në vitin 1988, gati dy vjet para se të bjerë regjimi, me varjen në litar të poetit të burgosur Havzi Nela (1934-1988).
Disa nga shkrimtarët e burgosur si: Uran Kostreci (l.1938), Visar Zhiti, Maks Velo, Fatos Lubonja tashmë kanë shkruar letërsi me tema nga burgjet. Nuk mund të mos ta përmendësh dhe Uran Kalakullën (vdekur më 2001) me librin “Njëzet vjet burg komunist”. Ky i përndjekur në pak vite, arriti të shkruajë libra, monografi shkencore dhe publicistikë. I kësaj rruge qe dhe Pjetër Abnori (1935-2006) që bëri të njohur romane dhe novela të nxjerra nga telat e burgjeve. Po ashtu Pano Taçi (l.1935) ka sjellë një poezi të pazakontë në vitet e lirisë. Padre Zefi Pllumi (1924-2007) me librat e tij sidomos me librin “Rrno vetëm për me tregue”, dëshmoi për energjinë e pashterrur të njeriut, dëshmoi ringjalljen e ndritur të traditës së katolicizmit shqiptar. Një dëshmi kjo, si dhe shumë të tjera nga ato që përmendëm më lart, se rrënjët e kulturës sonë nuk u thanë nga ngrica dhe tmerri komunist që e përfshiu gjatë këtë vend.
Më së fundi eksperimenti komunist dështoi në shkallë botërore. Dështoi një sistem që nëpërmjet inxhinerisë sociale donte të bënte një botë të re, një njeri të ri. Shkrimtarëve ky sistem iu kishte vënë mbi supe barrën që të ishin inxhinierë të shpirtrave. Detyrë që nuk arrihet asnjëherë, veç që mori më vete shumë shkrimtarë dhe artistë, i përndoqi egërsisht, i çoi në plumb dhe në litar.