E shtune, 27.04.2024, 08:00 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sadik Bejko: Fabrikim i disidentëve të rremë (II)

E enjte, 26.06.2008, 08:44 PM


Fragment nga libri ''Desidentët e Rremë''

Sadik Bejko

Kreu I
Fabrikim i disidentëve të rremë

6. Pazaret me denoncime të një denonciuesi të vjetër

Në librin e N. Dragoit, një vend të rëndësishëm zënë raportet e Trebeshinës me shkrimtarët shqiptarë. Për fat të keq, krahas fakteve të njohura, që tashmë dihen, ka aty dhe disa gjysmë të vërteta apo dhe pjesë të errëta e fare të pashpjegueshme, një pjesë e të cilave janë të fshehura me kujdes.

E gjithë kjo nuk mund të mos ndodhte me një libër si ky, i bazuar herë mbi gjëra të paqena e herë-herë mbi dezinformime.
Përmendet numri prej 17 shkrimtarësh që kanë bërë denoncime ose ekspertiza kundër Trebeshinës, por emrat e tyre nuk dalin asnjëherë qartë. Diku dalin ca emra të plotë, si Dalan Shapllo, Naum Prifti, diku ca gjysma emra, diku një inicial e herën tjetër del ndonjë eufemizëm që turbull nënkupton dikë, përshembull, “përfaqësuesi i Lidhjes” ose “shefi i Lidhjes” etj,etj.
Që ka një mungesë transparence, për mos ta thënë troç fjalën “dredhi”, kjo duket qartë. Ashtu siç duket qartë edhe që Trebeshina vetë ka futur duart në këtë libër. Ka qenë dëshirë e tij që denoncuesit të përmenden si nëpër dhëmbë.
Sa më tepër që përpiqesh të kuptosh marrëdhëniet me shkrimtarët denoncues, aq më shumë të krijohet përshtypja se këtu kemi të bëjmë me një pazar të pistë. Disa nga denoncuesit janë pikërisht ata që i kanë bërë lajka më pas Trebeshinës. Ky i fundit e ka pranuar, siç duket, këtë pazar: lavdëromë që mos të ta nxjerr emrin. Bile ka raste kur pazari shkon më tej: vetë Trebeshina u bën ndonjë lavdërim denoncuesve. Kulmi arrin kur shefi i hetuesisë së Tiranës, i akuzuar për kaq krime, siç e pamë më lart, është në krye të lajkatarëve të Trebeshinës.
Shefi i hetuesisë së Tiranës është armik i njohur i shkrimtarëve shqiptarë, e sidomos i Kadaresë.
Në vitin 1982, një nga vitet më të errëta, kur terrori komunist shënoi një nga kulmet e tij, Dilaver Bengasi kryesonte hetuesinë e Tiranës. Pikërisht në atë kohë zhvillohej një fushatë diskriminimi kundër Kadaresë, çështje ku Bengasi, siç e ka treguar dhe vetë në shkrimet që ka bërë për të, ka qenë i përzier kokë e këmbë. Në atë kohë, siç ka dalë në shtyp, një agjente e Sigurimit, dëshmitare e rreme e përdorur në dënimin e grave ruse, zhvillonte mitingje përpara banesës së Kadaresë, duke thirrur: “Kadare, agjent i borgjezisë! Agjent i Mehmet Shehut!”. Të gjithë habiteshin se nga i vinte guximi kësaj gruaje, aq më tepër që në atë kohë Kadare, përveç se shkrimtar i njohur, ishte ende deputet i parlamentit. Tani, me hapjen e dokumenteve sekrete, disa çështje dalëngadalë po sqarohen. Gazeta ““Panorama”, në numrin e saj të 31 korrikut 2007 ka botuar dialogët sekretë të mbledhjes së Byrosë Politike zhvilluar në 20 shtator 1982. Midis tyre gjenden fjalët e Enver Hoxhës për grupin e Todi Lubonjës, Fadil Paçramit dhe Ismail Kadaresë. “Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre si Ismail Kadareja me shokë”.
Është hera e parë qe emri i shkrimtarit të njohur përmendet si pjesëmarrës në një grup armiqësor. Kjo do të thotë se në ato momente ai ishte caktuar për t’u eliminuar. Por mbledhja ishte tepër sekrete dhe këtë fakt shumë pak njerëz e dinin. Agjentija e Sigurimit bënte pjesë në këta njerëz. Fjalët e saj për kontakte me Nexhmije Hoxhën, nëpërmjet Liri Gjolikut, anëtare e gjykatës së lartë komuniste, një nga xhelatet e njohura të diktaturës, si dhe inkurajimi : shko t’i vësh zjarrin shtëpisë së Kadaresë, tingëllonin ndoshta si fantazi, por në dritën e dokumentit që sapo cituam këtu, ngjajnë fare të besueshme. Ishte në praktikën e gjithë diktaturave komuniste që, përpara se t’i rrëzonin personalitetet, përpiqeshin t’i diskreditonin ata.
Diskreditimi i Kadaresë kishte filluar me dënimin e “Pallatit të ëndrrave” dhe po vazhdonte në një plan privat. Më pas, i trembur nga reagimi i fortë ndërkombëtar, i cili në mënyrë spektakolare tregoi se do ta mbronte gjer në fund Kadarenë, Enver Hoxha u tërhoq, hoqi dorë nga dënimi i shkrimtarit.
Në librin “Letërkëmbim me presidentitn” është botuar një letër e njohur qysh më parë, letra që Kadareja i ka shkruar Ramiz Alisë, ku, ndër të tjera, i flet edhe për intrigat e kryehetuesit të Tiranës kundër tij. Kadareja e ka akuzuar këtë zyrtar për ushtrim terrori, duke kërkuar shkarkimin e tij, bashkë me kriminelë të tjerë të njohur si Zylyftar Ramizi, Aranit Çela, Rita Marko, Rrapi Mino etj.
Këtu qëndron njëri nga çelësat e shpjegimit. Trebeshina është gati të falë këdo, duke përfshirë edhe njeriun që e ka marrë në hetim, pra, Dilaver Bengasin, mjafton që ky të jetë kundër Kadaresë. Le të kenë bërë denoncime kundër tij 17 shkrimtarë, ai e ka mendjen pikërisht tek shkrimtari që nuk ka pasur punë me të asnjëherë, te Kadareja.

Kadareja ka bërë një deklaratë të qartë përpara publikut shqiptar dhe atij botëror: “Kundër meje janë shkruar qindra faqe me denoncime, kurse një mijë vite të kërkohet, në një mijë arkiva, nuk do të gjenden kurrë dy radhë të mija kundër askujt”.
Merret me mend se sa i nervozon kundërshtarët e tij kjo sfidë e tij.
Kasëm Trebeshina prej shumë vitesh ka një obsesion e një urrejtje të frikshme ndaj I.Kadaresë. Biografi i tij flet për “përplasjet e tij me Kadarenë” ose për acarim “të shkaktuar nga xhelozitë midis të mëdhenjve”. E gjitha kjo të bën të vësh buzën në gaz. Kur kanë ndodhur këto përplasje? Xhelozi e kujt ndaj kujt?
Vite më parë, në emisionin radiofonik me pjesëmarrjen direkte të publikut, Trebeshina, duke folur për dënimin e tij në Lidhje të Shkrimtarëve, tha se një nga shkrimtarët që e kërkuan këtë dënim në vitin 1952, ka qenë Kadareja. Një dëgjues e ndërpreu, duke i thënë se në atë kohë Kadareja ishte nxënës në gjimnazin e Gjirokastrës. I gjendur ngushtë, Trebeshina u bë qesharak përpara dëgjuesve, duke thënë se Kadare me siguri e ka ndërruar moshën.
Të qeshurat e dëgjuesve nuk iu bënë mësim Trebeshinës. Ai nuk ka lënë rast pa kërkuar të trillojë kundër tjetrit.
Ja ç’thotë Trebeshina, sipas citimit që bën N.Dragoi:
“Me Ismailin jam njohur qysh në vitin 1952. Kishim pikëpamje të ndryshme. Ai ka qenë në gjyqin tim më 1954. Dhe jemi takuar për herë të parë e të fundit më 25 janar 1955 në Rrogozhinë. Kur u kthye nga Bashkimi Sovjetik më 1960 ishte transformuar i tëri në një njeri agresiv”.
Pasazhi duket si i shkruar përçart. Siç u tha, më 1952 Kadareja ishte nxënës në klasën e dytë të shkollës së mesme në Gjirokastër. Më 1954 gjithashtu. Takimi i fundit në Rrogozhinë më 1955 tingëllon si haluçinacion. Ç’ishte ky takim? Pse në Rrogozhinë? Ç’donte në Rrogozhinë dhjetë muaj pas dënimit të tij Trebeshina dhe aq më tepër ç’donte aty Kadareja, që në atë kohë ishte student i vitit të parë për letërsi në Tiranë?

Kadareja thote se s’ka pasur kurrë punë me Trebeshinën. Dhe “s’ka pasur kurrë takim me të as miqësor, as armiqësor, as në Rrogozhinë, as në Ndroq”. Më 1980 kur në Lidhje të Shkrimtarëve u shpërndanë veprat e Trebeshinës për ekspertizë, I.Kadareja refuzoi të merrte pjesë. Trebeshina, në vend që të ishte mirënjohës, ka bërë të kundërtën. Më 2006, në rastin që u përmend më lart të fushatës kundër familjes së shkrimtarit, Trebeshina u tregua një zelltar meskin, duke përkrahur një agjente të Sigurimit, kundër kolegut të vet.
Mungesa e ndjeshmërisë që tregojnë Kasëm Trebeshina dhe Ardian Klosi ndaj denoncimeve të tilla të habit shumë. Por edhe ajo e ka një shpjegim: atyre nuk iu bën shumë përshtypje kjo ngaqë ndërgjegjja e tyre në këtë sferë s’është fort e pastër.
Dy dokumente, një e vitit 1954 për Kasëm Trebeshinën dhe një tjetër i vitit 1979 për Ardian Klosin hedhin dritë mbi atë që u tha më lart.
Po shqyrtojmë dokumentin e parë, procesverbalin e seancës hetimore kundër Kasëm Trebeshinës ( prill 1954), hartuar nga major Sotir Zavalani, hetues i Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit.
Nga pyetjet dhe përgjigjet e këtij procesverbali, na del një Kasëm Trebeshinë tepër zhgënjyes, që s’ka asgjë të përbashkët me namin “heroik”, që i ka krijuar vetes ai dhe mbeshtetësit e tij. Idetë e tij “të gabuara” janë më shumë cic-mice, për gjëra fare të parëndësishme. Qëndrimi i tij është meskin. Tregon ankesën që ka bërë kundër Dhimitër Shuteriqit, i cili në raportin e tij të 2 prillit 1953 “ e konsideroi punën time, të Mehmet Myftiut dhe të Luan Qafëzezit si një punë pa duk”. Më poshtë Trebeshina pohon se “Kam pasur kontradita me regjisorin sovjetik Kriçko, në lidhje me trajtimin e figurës së Selfos, tek drama “Besa” e Sami Frashërit, Kriçko thoshte që Selfo mos ta flakë unazën që, mbasi ia dhuron Merushes dhe ajo nuk ia merr, por ta fusë në xhep, kurse unë isha i mendimit që të flaket unaza nga Selfua sepse shqiptari kështu e ka zakon...”
Më poshtë, në lidhje me Kriçkon, Trebeshina vazhdon të jetë meskin dhe, duke përgojuar kolegët e vet, thotë se tek ky regjisor “kanë influencuar intrigat e Besim Levonjës dhe të Behije Çelës”.
Dy a tri mendime për nivelin e dobët artistik të letërsisë shqipe dhe nevojën për të mësuar jo vetëm nga letërsia sovjetike, por edhe nga klasikët, mund të merren si të vetmet mendime “rebele” të tij.
Asgjëkund në këtë hetim dhe në asnjë dokument tjetër nuk përmendet “promemorja” e famshme, ajo ku gjoja i thotë Enver Hoxhës se po përgatit katastrofën e Shqipërisë. Sipas Trebeshinës, promemorja është dërguar në tetor të vitit 1953, pra gjashtë muaj më parë. Është e kuptueshme se çdo hetues do të merrej në radhë të parë me të, përpara se të merrej me broçkulla të tilla: Selfua do ta hidhte apo s’do ta hidhte unazën e Merushes.
Pjesa më e pamoralshme në këtë dokument është ajo kur Kasëm Trebeshina, pa ia kërkuar njeri, flet kundër Mark Ndojës, pra e denoncon atë.
Gjer më sot “grupi armiqësor” i viteteve ’50 në Lidhje të Shkrimtarëve është konsideruar treshja “Ndoja-Trebeshina- Myftiu”. Nga kjo treshe, i vetmi që ka përfituar më pas frytet e disidencës është Trebeshina. Të tjerët, e sidomos ai që kishte edhe statusin më të lartë të intelektualit midis tyre, profesori dhe latinisti Mark Ndoja, mezi përmendet. Nga ky dokument i hetuesisë marrim vesh që njeriu i parë që e ka goditur me thikë pas shpine Mark Ndojën, ishte pikërisht “miku dhe shoku i tij i ideve”, Kasëm Trebeshina.
Një pjesë e dokumentit, tekstin e plotë të të cilit e disponon gazeta “Panorama”, flet fare qartë për këtë:
“Pyetje (e hetuesit): Mehmet Myftiu deponon se në kohën kur ju shtruat këto pikëpamje në “Lidhje”, Mark Ndoja i ka thënë Mehmetit: “dolli opozita, a bëj unë për Kryetar?” Ç’mund të na thoni ju për këtë?
Përgjigje (e K. Trebeshinës) : Këtë gjë mua ma ka thënë Mehmet Myftiu në tetor, për çështjen e opozitës nuk dij gjë, por për çështjen e kryetarit më ka thënë dhe bile jemi tallur dhe Mehmetit i kam thënë që absolutisht të shkëputet nga Marku. Unë, kur më ka pyetur Mehmeti si të duket Mark Ndoja, i kam thënë se Mark Ndoja kërkon një republikë shkodrane. Mark Ndoja mua më duket enigmatik, është dembel i madh. Kam pranuar dhe unë se është njeri enigmatik dhe tipa të tillë janë të predispozuar që të bëhen spiuna; ky ishte opinioni im”. (Shih dhe faksimilen).
Ishte e lehtë të godisje Mark Ndojën, intelektualin me kulturë të thellë latine dhe gjermanike, aq më tepër që vinte nga tradita veriore katolike. Si i tillë, edhe kur i ishte dhënë një post sa për demagogji, ai prapë do të mbetej i huaj për regjimin. Ai nuk kishte kryer “detyra speciale” (të llahtarshme, siç do t’i shohim më poshtë), si Trebeshina. Prandaj dënimi i tij ishte i vërtetë, përfundimtar, pa cic-mice, pa hyrje e dalje nga burgu, pa përkëdhelje të fisit nga partia, përkundrazi, familja Ndoja iu nënshtrua terrorit gjer në fund.
As A. Klosi, as Mimoza Ahmeti, as N.Gragoi, as D.Bengasi nuk kanë dëshirë ta kujtojnë Mark Ndojën, sepse ai është shqetësues për ndërgjegjet e tyre. Në internim dhe në izolimin e gjatë shtëpiak M. Ndoja përkthente “Ferrin” e Dantes dhe me të në duar i ka mbyllur sytë.

7. Dy vrasjet e zëvendëskomisarit Trebeshina

Ëmbëlsira në fund, thonë latinët. Në këtë rast, ne do të themi: hidhërimi në fund. Do të flasim këtu për pjesën më të errët të kësaj historie: dy vrasje kriminale.
Autori i biografisë së Trebeshinës, disa herë thotë se dosja e këtij mban brenda shumë mënxyra. Meqenëse ai është shumë glorifikues për personazhin e vet, këtë shprehje lexuesi e merr si “mënxyra” që janë bërë kundër shkrimtarit.
Siç do të shohim, është e kundërta: është Trebeshina që ka bërë mënxyra të vërteta kundër të tjerëve. Është fjala për dy vrasje që i rëndojnë në ndërgjegje “disidentit” tonë. Dy vrasje, një fjalë goje, por ato janë dhe mbeten dy vrasje!
Del pyetja, përse autori i biografisë i ka përmendur këto dy vrasje, me fjalë të tjera, pse ka trazuar shejtanin, siç thuhet, kur mund të bënte sikur s’i dinte, ashtu siç ka bërë për mjaft fakte të tjera?
Përgjigjja është e thjeshtë: i ka përmendur dy vrasje të Trebeshinës meqenëse ato gjenden të depozituara në dokumentet e dënimit të Koçi Xoxes dhe se është shumë e vështirë për t’i zhdukur. Atëherë autori i biografisë bashkë me Kasëm Trebeshinën kanë menduar t’i dalin së keqes përpara, të falsifikojnë të vërtetën, duke i paraqitur vrasjet si vetëmbrojtje.
Siç thotë proverbi, ka raste kur në vend të vësh vetullat, nxjerr sytë. Nuri Dragoi pa dashur e ka bërë këtë dhe kjo është e vetmja meritë e këtij libri.
Po e themi që në krye: kemi të bëjmë me dy vrasje, njëra, siç e pranon vetë Trebeshina, është vrasje pa gjyq, e urdhëruar nga ai vetë, (përshkruhet në faqen 103 të librit të N. Dragoit) dhe tjetra, një vrasje prapa krahëve, vrasje tipike e një krimineli burracak, që Kasëm Trebeshina, siç e pohon vetë, jo pa kënaqësi, e ka kryer me dorën e tij.
Ne do të merremi me këtë të fundit pa bërë asnjë lëshim. Do të tregojmë të vërtetën, do ta vërtetojmë atë katërcipërisht, në mënyrë që publiku i gjerë shqiptar, ta kuptojë se përpara ç’rreziku të madh ndodhet sot Shqipëria. Ky rrezik është zhytja në krim. Jo vetëm që vendi ynë po heziton të dënojë krimet e komunizmit, por ai po kalon në një fazë tjetër: kthimin e krimit në një gjë të zakonshme, për të mos thënë, glorifikimin tinzar të tij.
Të shpallësh disident numër një të vendit një vrasës ordiner, ta propozosh për “nder të kombit” e ta futësh në libra shkollore, kjo është një fyerje e një tallje e madhe për moralin e çdo vendi.
Vrasjet prapa krahëve kanë qenë dhe mbeten një nga njollat më të zeza të luftës. Ato ende mbulohen me kujdes, ngaqë me ato ka filluar në të vërtetë diktatura dhe terrori komunist. Me dhjetëra janë partizanët që janë vrarë pabesisht ndërsa ishin duke pirë ujë tek ndonjë përrua a duke fjetur.
Në librin e tij tepër tronditës “Lufta civile në Shqipëri”, botuar më 2006, historiani Uran Butka përshkruan dhjetëra vrasje të tilla. Sejfulla Malëshova, në plenumin e Beratit më 1944 e ka ngritur i pari dhe i fundit këtë problem. Ai e akuzoi udhëheqjen komuniste si nxitëse të terrorizmit. “Me terror i zgjidhnim të gjitha”, thotë S.Malëshova, “ Nuk u çudita kur më thanë se sa më brutal e terrorist të ishte njeriu, aq më komunist ishte”. Opinioni publik shqiptar duhet të njihet, më në fund, me këto vrasje. Aty i ka rrënjët krimi komunist. Kasëm Trebeshina bën pjesë në njerëzit për të cilët flet Sejfulla Malëshova.
Në librin e tij për Trebeshinën përshkruhet një vrasje e tillë tipike. Autori i biografisë mundohet ta justifikojë, tregohet naiv, bën sikur s’e kupton, por nuk arrin dot ta mbulojë të vërtetën.

Ne do ta zbërthejmë rresht pas rreshti tekstin e botuar, që lexuesi të bindet për atë që ka ndodhur.
Përshkrimi i ngjarjes zë pak më shumë se tre faqe (80-83) , në kapitullin me titull “Vrit ose do të të vrasë”. (Shih më poshtë tekstin e plotë të këtij kapitulli).
Ngjarja ndodh në njësitin partizan ku bën pjesë Kasëm Trebeshina. Në këtë njësit ka dalë një problem me njërin nga partizanët.
Po citojmë tekstin (fq.80) : “Ishte pikërisht njëri prej shokëve të njësitit, i cili kishte nisur të shfaqte shenja të theksuara të bajraktarizmit individual, duke shpërfillur detyrimet që buronin nga betimi luftarak”.
Më poshtë tregohet se një nga të zemëruarit kundër rebelit ishte Kasëm Trebeshina. Bile ishte ky që në formë kërcënuese e ka paralajmëruar tjetrin.
Teksti (fq.81) : “Por dukej se ky kërcënim publik nuk ndikoi shumë te i pabinduri”.
Më poshtë, tregohet se shokët vendosën ta dënonin mendjemadhin.
Teksti (fq.81) “Gjyqi ishte i shkurtër dhe nuk kishte kaluar as gjysmë ore nga fillimi i tij, kur u dha vendimi: Të dënohet me vdekje!”
Më poshtë teksti vijon: “Madje për këtë u ngarkuan edhe dy nga shokët e grupit, të cilët ishin Luto Sadiku e Gramoz Kaloshnja. Por rebeli nuk donte t’ia dinte për ndëshkimin”.
Pra, gjer këtu kemi këtë tablo disi të çuditshme: kemi një partizan të pabindur, mendjemadh. Kemi gjyqin special që e dënon me vdekje për këto vese. Kemi dhe të dënuarin që nuk çan fare kokën për dënimin! Madje, për çudi, nuk çan kokën as kur caktohen pushkatuesit!
Vijojmë me tekstin (fq.81) “Më vonë rebeli kërkoi të ikte drejt qytetit dhe për këtë arsye, ose për faktin se rebelimi i tij i kishte kaluar caqet e durimit, shokët e njësitit caktuan Kasëmin që ta pushkatonte”.
Çudia dyfishohet. I dënuari mendjemadh, jo vetëm që s’çan kokën për asgjë, por kërkon të bëjë një rrugë për në qytet!

Dhe autori na tregon si u nisën të dy për në qytet, i dënuari dhe njeriu që do ta pushkatonte, Kasëm Trebeshina. (Ku janë dy pushkatuesit e parë? Përse hoqën dorë? S’thuhet asgjë).
Situata është më tepër se absurde.
Ç’është ky i dënuar me vdekje që paska leje të udhëtojë për në qytet? Dhe krah për krah me atë që do ta vrasë, me Kasëmin!
A është, së paku, i lidhur?
Më tutje çudia vazhdon. Autori na përshkruan ecjen e tyre drejt qytetit. Po citojmë tekstin (fq.81): “Megjithatë në ato momente kur Kasëmi po shoqëronte të pabindurin, tek ai u shfaq ideja për ta falur atë dhe aty për aty mendoi ta linte të ikte përtej kënetës, për të shpëtuar kokën”.
Pak me poshtë çudia dhjetëfishohet. Në kohën që poeti, domethënë Kasëm Trebeshina, sipas autorit, ka këto mendime kaq të fisme në kokë, ndodh një gjë e papritur.
Citojmë tekstin (fq.82)
“Papritur, rebeli i vuri Kasëmit grykën e pushkës tek kolona vertebrale duke e kërcënuar”.
Situata është më absurde se në teatrin absurd. Tani na del se viktima (partizani rebel) jo vetëm që ka të drejtë të bëjë një xhiro gjer në qytet, bashkë me xhelatin e vet, jo vetëm që është i palidhur, por kulmi i të gjithave, na qenka edhe i armatosur me një goxha pushkë!
Po citojmë tekstin: (fq.820)
“E gjithë kjo ngjarje e shpejtë e befasoi poetin, por mjaftuan vetëm dy minuta që ai të bindej se për kundërshtarin nuk duhej pasur mëshirë dhe se në luftë ekziston formula: “vrit ose do të vrasin”.
Pas kujtimit edhe të disa proverbave të tjera me këtë motiv, poeti (lexo: krimineli) , ndërsa ecën drejt kënetës nën kërcënimin e viktimës, bën planin e vrasjes.
Po citojmë nga teksti tregimin e vetë Kasëm Trebeshinës: (fq.82)

“...E kuptova që ai mendonte të më vriste në anë të kënetës dhe shkova përpara, duke e ndjerë në shpinë tytën e pushkës së tij.

E lamë pyllin dhe thirrëm lundërtarin, që erdhi menjëherë. Ai, rebeli, ishte një ujk i vjetër, por unë isha ustai i tij. I gëzuar, duke parë nga këneta dhe duke biseduar me lundërtarin, ai humbi vigjilencën dhe, sa të hapësh e të mbyllësh sytë, unë u ktheva dhe e qëllova në mes të ballit!... Në moment e çarmatosa , pastaj e flaka të vdekur në tokë.
- Varrose atë ! – i thashë lundërtarit dhe shkova në fshat. “

Kështu e jep ngjarjen ky libër. Një histori krejtësisht e pabesueshme, pa asnjë logjikë, e rreme nga kreu në fund. Mashtron autori i vrasjes. Mashtron autori i librit. Mashtrimi dallohet që larg ngaqë është i qepur me pe të bardhë.
Le të rivendosim logjikën në këtë tekst mashtrues: Kemi një partizan që konsiderohet rebel, mendjemadh, me mendime të pavarura. Vendosin ta vrasin, ngaqë nuk e durojnë dot. Po si? Me ç’pretekst?
Këtu fillon mashtrimi. S’është gjyqi partizan që vendos, sepse sado të ashpra të ishin këto gjyqe nuk vrisnin për mendjemadhësi. Vendimi është marrë fshehurazi, nga dy ose tri vetë, siç bëhej për vrasjet prapa krahëve. Kasëmi, zëvendëskomisar i këtij njësiti dhe oficer i shërbimit sekret të luftës, ishte ndër ata që kishte marrë urdhrin e fshehtë për eliminimin fizik. Prandaj viktima nuk di asgjë. Prandaj niset me mision drejt qytetit. Prandaj është i armatosur, madje me një pushkë që duket njëqind metra larg. Prandaj ecin të dy normalisht, viktima dhe xhelati i fshehtë.
Dhe te bregu i kënetës, Kasëm Trebeshina, oficer i fshehtë i Sigurimit qysh në atë kohë, në mënyrë të fëlliqur e burracake vret pas krahëve një djalë të ri e të pafajshëm.
Kjo është e vërteta dhe s’mund të ketë tjetër. Kështu janë vrarë gjatë luftës djemtë më të mirë, ata që kishin mendime të pavarura, ata që zgjonin zilinë e që ishin shpresa e vendit.
Nuri Dragoi, ndërsa tregon emrin e viktimës tjetër, të pushkatuar pa gjyq, të Jani Milos, nuk e tregon emrin e këtij djali të ri. Siç duket, ende Trebeshina ka frikë prej familjes së viktimës së vet, e cila, sipas ligjeve demokratike, edhe sot mund të kërkojë vënien në vend të drejtësisë. Dhe mirë do të bënte ta kërkonte.
Ajo që bie në sy në këtë riprodhim të ngjarjes së bërë tani prej Kasëm Trebeshinës, është mungesa e çdo keqardhjeje, pa le pastaj pendimi për këtë vrasje.
Jo vetëm kaq. Në përshkrimin e vrasjes ndihet një farë kënaqësie dhe krenarie. Ndihet edhe teatraliteti, karakteristikë kjo e shumë vrasësve. Fraza “Ai ishte ujk i vjetër, por unë isha ustai i tij” e zbërthen në mënyrë kuptimplote gjendjen. Ç’do me thënë “unë isha ustai i tij”? Do të thotë se, sado i zoti të ishte viktima (ujku i vjetër), Trebeshina kishte me vete vendimin e fshehtë, domethënë favorin që të jep pabesia.

8. Sarkastik, panegjerist dhe… denonciator i miqve

Një pyetje ia bëjmë publikisht Ardian Klosit, reklamuesit kryesor të Trebeshinës, njeriut që ka bërë parathënien e librit në fjalë: si është e mundur që pas leximit të këtij episodi e të tjerëve si ky, mund të shkruhet ajo parathënie aq himnizuese?
Kasëmi pasi i ka fyer dhe vrarë realisht atëherë, i vret prapë moralisht 60 vjet më pas disa nga viktimat e tij. Në librin biografik (fq. 112-117) përshkruhet me hollësi se në shtatorin e vitit 1944 Kasëmi lidh dy kapitenë, i burgos në kishën e Pilurit dhe, po të mos kishin ndërhyrë preraz titullarët e brigadës, u bën gati plumbin, vetëm e vetëm se njëri syresh po fejohej me një partizane. Kasëmi ishte kundra atyre që dashuronin në luftë, kundra pjesës më të përparuar të rinisë së kohës. Dhe është aq me fanatizëm kundra dashurisë, sa siç thuhet me mburrje në libër, siç është dhe në traditën turke, gruan e tij të ardhshme ia ka gjetur nëna. Është gjerësisht e njohur se ç’rol të keq luajnë disa herë në jetën e njerëzve, duke përfshirë shkrimtarët, kompleksi i inferioritetit dhe i dështimit erotik. Ato shtojnë dozën e egërsisë dhe sidomos zilinë për të tjerët.
Ka kohë që shtypi shqiptar ka dhënë alarmin për njollat e errëta në biografinë e Kasëm Trebeshinës. Ka kohë që lista e themeluesve të Sigurimit shqiptar, ku ai ka bërë pjesë qysh nga viti 1943, është bërë e njohur. Ka kohë që Trebeshina është akuzuar drejt për drejt.
Atëherë si shpjegohet ky vesh i shurdhër?
Veshi i shurdhër e ka gjithmonë një shpjegim. Ish nomenklatura komuniste ndihet tepër e inkurajuar në Shqipëri. Shurdhimi i Shqipërisë ndaj vendimit të Europës për dënimin e
krimeve të komunizmit i ka ngjallur shumë shpresa.
Ardian Klosit i pëlqen shpesh të dalë në shtyp e në televizion, me një buzeqeshje ironike, për t’iu dhënë mësime morali të tjerëve.
Shtypi shqiptar ka vënë në dukje se, kur bije fjala për krimet e komunizmit, ai, sikurse familjarë të tjerë të ish-nomenklaturës komunist nuk shfaqin ndjeshmëri ose pendesë. Siç e pamë më lart, asnjë gjurmë pendimi nuk duket në tregimin e Trebeshinës për vrasjen e kryer prej tij. Në parathënien e librit për të, A.Klosi shkruan se Trebeshina “Kurrë nuk i shkeli sinorin njeriu dhe kurrë nuk deshi t’i bënte njeriut dëm”.
Të gjitha këto tingëllojnë si tallje me vuajtjet e popullit shqiptar nën diktaturën komuniste. Ato u ngjajnë kujtimeve të Nexhmije Hoxhës, sidomos ngjajnë të tilla kur vijnë nga një pinjoll i nomeklaturës si Ardian Klosi.
Shoqëria shqiptare paskomuniste është treguar tepër tolerante dhe e emancipuar dhe nuk iu kujton këtyre pinjolleve, atëherë kur duhet t’ua kujtojë, krimet e kaluara. A.Klosi e të tjerët, siç duket, e kanë përkthyer gabim këtë tolerancë. Përndryshe A.Klosi kur ka rënë fjala për babanë e tij, Bilbil Klosin, një nga kriminelët më të mëdhenj të diktaturës, do të kishte qenë më reflektiv. Në vend që të dënojë krimin, ashtu siç ka bërë me aq dinjitet disa herë djali i ish-kryeministrit, Bashkim Shehu, Klosi, na e paraqit babanë e tij si një figurë liberale, gati-gati disident. A duhet t’ia kujtojmë atë se babai i tij, si ministër i Drejtësisë që ishte, ka dënuar e ka çuar në burg, në pushkatim apo në litar mijëra shqiptarë të pafajshëm? A duhet t’i kujtojmë se ditën e parë që u emërua ministër, nënshkroi pushkatimin pa gjyq të 22 njerëzve të pafajshëm, të akuzuar për gjoja bombën në ambasadën sovjetike? Paraardhësi i tij, Manol Konomi, ndonëse ministër komunist, e refuzoi këtë gjë makabre ndaj dhe u pushua në vend. Kurse Bilbil Klosi, me këtë krim nisi karrierën.
Sa herë që bie fjala për krimet e ish-nomenklaturës, pinjollët e tyre bëhen nervozë, madje dhe agresivë. Etërit e tyre duan të na i servirin në një dritë njerëzore, në kohën që shumica e këtyre etërve, madje edhe ata që më vonë kanë marrë një hije liberale, në fillimet e diktaturës kanë qenë të përlyer në mënxyra, e sidomos në famëkeqet komitete të pushkatimit pa gjyq. Dëshmia më e saktë që ata janë bij të denjë të prindërve shfaqet te personaliteti i tyre.
Ardian Klosi ka diçka prej prokurori të diktaturës. Herë-herë është përjashtues deri në asgjësimin e tjetrit dhe herë-herë merr pozën e panegjeristit naiv. Klosi hiqet naiv kur ia do halli. Kur i thonë se Trebeshina ka qenë themelues i Sigurimit, ka qenë hetues i birucave me kamxhik në dorë, ka qenë kryetar dege në Fier, punë e madhe, thotë Klosi, le të ketë qenë. Dhe shton se oficerë të shërbimit të fshehtë kanë qenë dhe Oruelli, dhe Kiplingu. Po, kanë qenë dhe shumë të tjerë, i themi Klosit, edhe filozofi i madh francez Volteri ka qenë i tillë. Por askush nuk ua përmend për keq. I kanë shërbyer atdheut të tyre. Edhe në ushtrinë shqiptare të kohës së diktaturës ka pasur oficerë të zbulimit, por puna e tyre ka qenë dhe mbetet e nderuar. Ama nuk është e tillë puna e ndyrë dhe e urryer e oficerëve të Sigurimit shqiptar, e oficerëve të Sekuritates rumune, e atyre të Stazit gjermanolindor etj.
Klosi ngjan me një shakaxhi kur shkruan se K. Trebeshina u mbrojt se ka qenë komandant(!) në luftë. Kështu paska ndodhur? Enver Hoxha likuidoi disa nga “komandantët legjendarë” më të shquar të brigadave të luftës, si M. Shehun, B. Ballukun, P.Dumen, ekzekutoi shefat e mëdhenj të Sigurimit, Koçi Xoxen, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, çoi në burgime të rënda gjithë shtabin e shtatmadhorisë së ushtrisë shqiptare dhe u ndruajt, e mbajti dorën, ndaj një zëvendëskomisari të një batalioni partizan siç ka qenë K. Trebeshina. Sofist dhe shakaxhi i prapë ky Klosi! Apo jo?

A.Klosi, mbase do të na shfaqet prapë në TV me ato ironitë e tij të liga të varura përherë në cep të buzëve, por ne do t’i sjellim këtu një dokument prej të cilit atij, nëse i ka mbetur një fije ndërgjegje, do t’i prishet gjumi. Ky dokument, ashtu si ai i kushëririt të vet, K. Trebeshinës, është një procesverbal hetuesije dhe mban datën 1 shkurt 1979. Ai fillon me fjalët klishe “Unë hetuesi Dhimitër Shkodrani, mora në pyetje Valer Dyrzin, i cili pohoi:”
Shënojmë se Valer Dyrzi ose Valer Tarasovi, është biri i shtetasit shqiptar inxhinier Seit Dyrzit dhe i gruas ruse Inga Tarasova, e burgosur barbarisht prej shtetit shqiptar më 1978.
Në kohën që Valer Tarasovi merrej në pyetje, ai ishte 19 vjeç, i lidhur në pranga, kurse nëna e vet, ndodhej në burg.
Midis të tjerash, djali i arrestuar flet edhe për një broshurë angleze, e cila, siç kuptohet, ka qenë edhe preteksti kryesor i arrestimit.
Po citojmë pjesë nga dokumenti, tekstin e plotë të të cilit e zotëron gazeta “Panorama”.

“Valer Dyrzi: Dua të sqaroj se broshurën që ka pasur Sokol Ngjela, e cila fliste për udhëheqësit tanë, siç më ka thënë Sokoli, atë broshurë ia kam lexuar ose treguar Ardian Klosit dhe këtë gjë e kishte marrë vesh sigurimi. Një kushëriri i Sokolit, i cili ishte në Ministrinë e Brendshme, i kishte thënë Sokolit që të kishte kujdes, të mos merrej me këto gjëra. Cili ishte personi në Ministrinë e P. të Brendshme Sokoli nuk ma ka thënë. Vetë Sokoli lidhur me këtë broshurë kishte diskutuar vetëm me Ardian Klosin, e, për rrjedhim, meqenëse e kishin marrë vesh njerëzit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ai ka nxjerrë konkluzion se këtë punë e kishte denoncuar Ardian Klosi. Unë e kam pyetur Ardianin nëse e kishte denoncuar ai këtë punë, por siç thashë më lart, nuk ma pranoi një gjë të tillë”.
(Shih faksimilen).
Siç del qartë nga ky dokument janë tre djem të rinj që akuzohen për leximin e një broshure subversive: Sokol Ngjela, Valer Dyrzi dhe Ardian Klosi. Ndryshimi është se dy të parët janë në pranga, kurse Ardian Klosi i lirë. Dy të burgosurit akuzojnë Ardian Klosin si denonciator. Dikush mund të thotë se ligjërisht kjo ende nuk përbën një vërtetim të akuzës. Ashtu duket. Por këtu kemi një situatë të njohur: kur në një grupim prej tre vetësh ndodh një tradhti, dyshimet lindin për njëri-tjetrin. Më thjesht: kemi dyshimin e dy “pjesëtarëve të grupit” kundër të tretit. Fjalën e tyre kundër fjalës së tij.
Në një rast të tillë, analiza që bëhet, është e njohur: në qoftë se midis tre të akuzuarve për të njëjtin faj, dy dënohen dhe i treti shpëton, është e qartë se dyshimi i denoncimit do të bjerë mbi të shpëtuarin. Në këtë rast mbi A.Klosin.
Edhe sikur të pranojmë se për A.Klosin u bë një mbyllje sysh për shkak të lidhjeve familjare, një mbyllje sysh e tillë s’mund të funksiononte deri në atë masë, sa A.Klosi jo vetëm të shpëtonte nga dënimi, por të merrte, siç do ta shohim, edhe një shpërblim.
Bëhej fjalë për një broshurë analizë, që tallej me udhëheqësit e Shqipërisë, duke përfshirë dhe Enver Hoxhën, gjë për të cilën nuk të falte askush. Ne e dimë ashpërsinë e Hoxhës: për gjëra të tilla ai nuk kursente as njerëzit e rrethit të vet më të afërt.
Pas përfundimit të hetimit, gjithçka bëhet e qartë: ndërsa dy prej të akuzuarve, Sokol Ngjela (vëllai i Spartak Ngjelës) dhe Valer Dyrzi (Tarasovi) u kalbën vite të tëra në burg, të tretit, Ardian Klosit, jo vetëm nuk i hyri gjemb në këmbë, por e dërguan për specializim në Austri e Gjermani!
Vetëm budallenjve mund të mos iu shkojë në mendje ajo që Ardian Klosi, duke u dërguar jashtë shtetit, mori kështu shpërblimin për tradhtinë e tij.
Sokol Ngjela nuk rron më, por Valer Tarasovi jeton në Itali, duke qenë sot një nga piktorët më të shquar në atë vend.
Valer Tarasovi është piktor me prejardhje ruso-shqiptare, por ai ka të drejtë të ketë prej Shqipërisë kujtime të hidhura. Ne, duke përfituar nga rasti i botimit të këtyre shënimeve, do të donim t’i shprehnim, bashkë me simpatinë tonë, mendimin se ka edhe një Shqipëri tjetër veç asaj që, për fat të keq, ka njohur ai. Kjo Shqipëri sot ka guximin dhe vullnetin të dënojë terrorin e shkuar dhe të shfaqë solidaritetin e vet me ata që vuajtën prej tij.

9. Dhora Leka: një ish-spiune apo Nder i Kombit?

Nga njoftimet në gazetat e përditshme mësojmë se Dhora Leka ka qenë agjente e disa shërbimeve sekrete. Dhora Leka ka bërë me dhjetëra denocime për figurat politike të kohës së diktaturës. Dhora Leka ka dhënë raporte të fshehta për disa nga shkrimtarët dhe artistët më të rëndësishëm të kohës. Sigurimi mbi këto raporte ka ndërtuar punën e tij, dmth ka përndjekur njerëz për një kohë shumë të gjatë. Raportet e saj ishin aq të rëndësishme, sa sekretari i Byrosë Politike për ideologjinë, Ramiz Alia, i mbante në zyrën e tij dhe vëzhgonte intelektualët më të rëndësishëm të sferës së letërsisë. Këto raporte, siç pranon ish-ministri i Brendshëm Hazbiu, u kanë shkuar dhe disa shërbimeve të huaja si UDB-së dhe KGB-së. Ish-ministri i fundit i Sigurimit, H. Isai i dëshmoi këto fakte në një gazetë të ditës dhe shtoi se ajo u paska dalë në hetuesi disa prej të dënuarve më të mëdhenj politikë të kohës. Sipas tij, ajo ishte aq e mbaruar, sa recitonte në hetuesi dhe në gjyq të gjitha ato që Sigurimi ia vinte përpara. Ajo ka qenë dëshmitare e rreme në gjyqet më të bujshme politike që nga Bedri Spahiu e deri te K. Hazbiu. Kjo, sipas dokumenteve dhe dëshmive në shtyp, paska qenë Dhora Leka.
Pas ’91-shit ajo doli nga vrimat e birucave të hetuesisë dhe nga baltërat e internimeve. Me pak publicitet përnjëherë u bë e famshme. Filloi të luajë martiren. Lartësonte veten dhe viktimizonte të tjerët. Tashmë hapur, jo ashtu fshehtas siç kishte bërë në tërë jetën e saj. Tirana e tranzicionit e pranoi me një si ndjesë ngushëlluese të ndëshkuarën prej komunizmit, Dhora Lekën. Në këto vite një pjesë nga ajo që quhet elita mondane dhe artistike e kryeqytetit, (një elitë gati si shtojcë shumë e respektuar e ndonjë ceremonie funerale) e mbante në mesin e saj Dhora Lekën. Shkonte në koncertet e fondacionit të saj. Po ashtu ajo ishte e ftuara speciale e mbrëmjeve të tyre. Dhora Leka u shndërrua kështu në simbol të së persekutuarës së jashtëzakonshme. Një martire dhe disidente e madhe. Gazetat shkruanin për të. Portreti i shfaqej në TV. Ajo kishte marrë nurin e heroinës. Sipas dëshmisë publike të Maks Velos, me urdhër të ish-kryeministrit Nano asaj Instituti i të Përndjekurve i ka bërë financime disa dhjetëra milionëshe. S’mjaftoi me kaq. Më pas ajo mori dekoratat më të larta të këtij vendi, u shpall Nder i Kombit. Veç fondacionit, një shkollë dhe një rrugë në kryeqytet mbajnë emrin e saj. Me gjallje këto ndere nuk iu bënë as muzikantit më të madh që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, Çesk Zadesë, ish-burrit të saj, martesën me të cilin ajo e kishte përdhosur me diplomatët dhe me gjenaralët e shërbimeve sekrete të një shteti fqinj.
Të gjitha këto përdhuni të shndërrimit në idhull të një spiuneje ndodhnin në dritë të diellit dhe për një kohë të gjatë. Askush nuk ngrinte zërin se kështu po fabrikohej një disidente e rreme. Përkundrazi, ishte Dhora Leka që jo një herë, për të lartësuar veten, viktimizonte të tjerët.
Njerëzit tek ne thonë se duhen mëshiruar ata që kanë vuajtur. Mëshira është e mirë dhe në mjedisin tonë të egërsuar së tepërmi, duhet të kultivohet e të ushtrohet si një virtyt i lartë. Po. Duhen mëshiruar dhe duhet t’iu krijohet një jetë për të qenë gjithë të persekutuarve. Edhe Dhora Lekës. Por fajet kurrësesi nuk ke pse t’ua falësh atyre që i kanë. Dhe aq më tepër nuk mund t’i shndërrosh të fajshmit në heronj. Një pyetje vetiu do përgjigje? Pse iu bënë gjithë ato favore materiale e morale asaj, kur mijëra të tjerëve, ndër ta, Maks Velos, një artist dhe piktor i përndjekur, nuk i është dhënë falas qoftë një biletë avioni, nuk i është dhënë as shtëpi dhe asgjë tjetër? Pse për disa ne tregohemi mëshirëmëdhenj dhe bujarë të vërtetë, ndërsa për mijëra të tjerë, për të persekutuarit e vërtetë i kemi të mbyllur sytë?
Kuptohet. Këtu ka vepruar një logjikë tjetër. Shumë e llogaritur dhe shumë djallëzore: heronjtë e sigurimit duhet të jenë dhe heronjtë e demokracisë. Është shumë e trishtuar për cilindo shoqëri që të krijojë heronj nga njerëz të ish-shërbimeve të fshehta të kohës së Luftës së Ftohtë, të shërbimeve vëndase dhe të shërbimeve të huaja. Një shoqëri si kjo e jona për 17 vjet i ka pranuar shumë të tillë. Ndër ta dhe Dhora Lekën.
Dh. Leka dhe disa të tjerë si ajo, kanë qenë vegla kriminale të regjimit, janë përdorur kundër të tjerëve. Kanë bërë krime të vërteta. Për disa nga këto krime edhe sot, edhe pas njëqind vjetësh, mund të hetohesh dhe të dënohesh. Tradhtinë cilado shoqëri e sotme demokratike e ndëshkon. Vetëm tek ne mund të sajosh heronj nga njerëz të tillë, nën maskën se ata kanë vuajtur nga komunizmi.
Pse ndodhi që u nderuan këto produkte false të shërbimeve? Është mungesë totale e përgjegjshmërisë, apo është diçka tjetër? Është ajo që, në tollovi e sipër, struktura të caktuara me synime të mprapshta ndaj këtij vendi ngrenë njerëzit e tyre në rangun e vlerave më të dalluara shtetërore dhe kombëtare.
Njerëzit e shërbimeve të Sigurimit sot janë ende në parlament, në qeveri: deputetë, ministra, kryetarë të komisioneve parlamentare, ambasadorë etj. Spiunët, siç dihet, mund të ndërrojnë ngjyrë, flamur, padron, të bëjnë nga dy - tre shërbime njëherësh. Sipas momentit dhe urdhrit, mund dhe të shiten nga një shërbim te tjetri. Dhe, pasi i shërbyen djallit, mund të marrin mantelin e shenjtorit. Tek ne kështu po ndodh. Shqipëria nuk deshi ta flakë nga jeta publike këtë shtresë. Ajo, siç po e shohim, krijon dhe heronj të rremë prej tyre.
Dhora Leka ka mbetur ende e nderuar zyrtarisht. Te ish-aviacioni shkolla e re dhe e bukur tetëvjeçare mban emrin e saj. Financuesit e saj misteriozë pranë fotografisë dhe biografisë së “viktimës së komunizmit” Dhora Leka, nesër mund të porositin dhe një bust për ta përjetësuar më tej atë. Kështu ne po i mësojmë nxënësit e asaj shkolle që të nderojnë një ish-agjente të të tjerëve kundër vendit të saj, po i mësojmë që të spiunojnë shokët e miqtë pa dallim. Po i mësojmë se si nga një e përlyer kësisoj, lehtësisht mund të shndërrohesh në qytetare të nderuar të këtij vendi.

10. Basti për rikthimin e pushtetit të krimit

Në fund të këtyre shënimeve dëshiroj të theksoj se u çikën vetëm disa nga çështjet dhe u përdorën vetëm disa nga moria e dokumenteve që presin të dalin në dritë nga arkivat e mbyllura.
Dihet tashmë acarimi i madh që shkaktojnë këto lloj dokumentesh te shumë njerëz. Mbi këtë fshehje dokumentesh bazohet fshehja e së vërtetës, prej zbulimit të së cilës këta njerëz, disa prej të cilëve u përmendën në këto shënime, dalin të njollosur. Mashtrimet e tyre nuk mund të jetojnë veçse në kushtet e territ informativ. Prandaj ata përpiqen të varrosin të vërtetën, duke e zëvendësuar atë me përralla e trillime, si puna e “promemorjes” së rreme të Trebeshinës.
Kohët e fundit gjithmonë e më tepër në shtypin shqiptar shtohet kërkesa për të hedhur dritë mbi anët e errëta e të pasqaruara të asaj që ka ndodhur në kulturën shqiptare.
S’është fjala për “gjueti shtrigash”, as për ulje ose ngritje shkrimtarësh e artistësh, por për rivendosjen e së vërtetës. Është fjala që njerëzit që përpiqen sot të vendosin në Shqipëri pushtetin e gënjeshtrës, të bëhen të ndërgjegjshëm se nuk do të mbeten pa u ndëshkuar.
Nga shembujt që u treguan nuk është e tepërt po të themi se në kulturën shqiptare, çdo ditë e më tepër po shtrin sundimin diçka e ngjashme me atë që quhet “krim i organizuar”. Kemi të bëjmë me një rrjet të kriminelëve ballkanas që janë ende krenarë dhe të kënaqur me krimet e tyre të dikurshme. Ata i duan ende krimet, e duan kohën e krimeve. Atëherë e kanë ndier veten superiorë, atëherë në kohën kur kishin leje me pashë të bënin ç’të donin dhe si të donin mbi shpinën e një populli. Kjo i bashkon këta njerëz. Dhe si çdo sferë e botës së krimit të organizuar ajo do të ketë ndikimin e vet në pushtetin e lartë të kohës. Dhe pjesërisht ia ka arritur.
Duket e rëndë? Është e vërtetë se mund të duket ashtu, por ç’emër tjetër mund t’i vëmë asaj që po ndodh?
Ç’emër tjetër mund t’i vëmë faktit që ish-kryetari i hetuesisë komuniste në vitet 1981-1985 , vite terrori të pashembullt , ka sot guximin të japë mendime për letërsinë, të vlerësojë shkrimtarë e të hedhë baltë mbi të tjerët. Edhe kur, sot, në vitet 2007?
Ç’emër t’i vëmë asaj që në të njëjtin libër bashkohet ky kriminel me një informator të Sigurimit, që ka futur në burg shokët e vet? Që këta të dy na reklamojnë një gjoja disident të letërsisë shqipe dhe shajnë e përgojojnë shkrimtarët e tjerë?
Kjo është diçka e padurueshme .
Regjimi i rrëzuar komunist ka pasur disa suksese pas rrëzimit të tij. Nuk ka njeri në Shqipëri që nuk ka dijeni për ish-agjentët e këtij regjimi të infiltruar në partitë politike, në parlament, në qeveri, në media, në biznes, në sistemet gjyqësore. Dhe ja rezultati: të inkurajuar prej këtyre sukseseve, ata duan të shkojnë më larg.
Përpjekja e Sigurimit shqiptar, që të shpallë një ish-oficer të tij, një themelues të tij, e sidomos një letrar të rëndomtë, si ajkën e artit e të disidencës shqiptare, është një bast i ri dhe një tallje e re. Tallje me vetë disidencën, me njerëzit që kanë vuajtur prej regjimit, me tërë vlerat e artit dhe vlerat demokratike që shoqëria shqiptare kërkon të përqafojë e të mbrojë sot.
Ky bast përmban në vetvete një ndjenjë hakmarrjeje e revanshi kundër këtij populli, atij që përmbysi geton komuniste, për t’u bashkuar me familjen e popujve europiane. Ndaj shoqëria shqiptare duhet të ngrihet në këmbë për t’i thënë “ndal!” këtij reva

Faksimile I

Themeluesit e armës së Sigurimit
Origjinali është në Arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtoria e mbrojtjes se Popullit. Emri i Kasëm Trebeshinës është në krah të Nesti Kerenxhit, Kadri Hazbiut, Vaskë Kolecit e të shumë figurave të larta të këtij Shërbimi. Atëherë Sigurimi ishte nën vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe quhej Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit.

Faksimile II

Gradimi kapiten i parë i Kasëm Trebeshinës nga Enver Hoxha, mars 1945
Origjinali është në arkivin e Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit (lexo: Sigurimi i Shtetit). Prapë emri i kapiten të parë Kasëm Trebeshina del në krah të Kadri Hazbiut, Nesti Kerenxhit, Teme Sejkos. Të graduarit kanë nënshkruar përbri emrit të tyre.

Faksimile III

Akuza të K. Trebeshinës kundër Mark Ndojës
Arkivin e Ministrisë së Brendshme, Dosja Trebeshina, 1954. Deponim në hetuesi i datës 9. 4. 1954 i Kasëm Trebeshinës kundër Mark Ndojës

Faksimile IV

Valer Dyrzi akuzon Ardian Klosin për denoncim në Sigurim
Dosja hetimore nr. 168/1 Arkivi i Ministrisë së Brendshme. Deponime të Valer Trarasovit (Dyrzit) kundër A. Klosit



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora