E marte, 30.04.2024, 02:47 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

At Zef Pllumi: Pranë familjes

E shtune, 14.06.2008, 12:31 PM


At Zef Pllumi
Fragment nga libri ''Rrno vetëm për me tregue''

At Zef Pllumi

Pranë familjes

Fq.313

Mbasi pagova borxhin që i kishem marrë Kel Çobës në burg, gjeta nji kamion që shkonte për Shëngjin. Kur zbrita atje, mora malin përpjetë: e dijshem se aty rreth nji orë ma nalt ishte shpia ime. Ishem largue nga mali që në moshën 5 vjeçare. Mbas nja 20 minutash u ndala me marrë frymë e u ula mbi nji gur. Ishte nji ditë e kthjelltë me erën e ftofte të fillimit të Nandorit. Karshi kishem detin e gjanë e të pafund. Ai det ishte kufini që ndante dy botë: të dritës dhe të territ; të gzimit dhe të vuejtjes. M’u duk det i mallkuem: kufi i përhershëm ndërmjet lirisë e robnisë. E pse nuk hapej ky si dikur Deti i Kuq? U çova përsri, u nisa rrugës përpjetë. Nji rrugë kuajsh, por ndër hundë më vinte aroma e veçantë e malit tim, që nuk e kishte kurrnji mal tjetër në botë. Fotografinë e shpisë sime e kishem të ngulun vetëm ndër tru që në moshën fëmijnore. Rruga do të më çonte vetë: rrugët të çojn deri në fund të botës, mjaft që të dijshe me i ndjekë. Kush pvetë nuk tretë – asht ajo shprehja popullore që zëvendson tabelat e qarkullimit. Por un nuk ndesha rrugës kurrnji nieri për me e pvetë. Ai mali im nuk kishte majë. Mal i veçantë në botë: pa majë mali. Atje nalt rruga përshkonte nji shesh të gjanë e të gurtë, për disa kilometra. Mandej më çoi ku fillonte shpati tjetër i malit. Ishem i sigurtë se rruga do të më çonte te ndonji shpi e aty do të pvetshem. Kur fillova teposhtën, mali ishte i ndamë me mure të thata. Aty nji portare e drujtë. Hapa portaren e drujtë me vazhdue rrugën. Poshtë mbi nji moje m’u shfaqën dy shtëpia largas njana-tjetrës gadi 1 km. Këtu do të pves, sepse shtëpia ime tashma nuk duhet të jetë larg. Mbas pak hapash që kalova portaren, përmbi rrugë u duk nji qen i frigshëm si ujk. Ai lehtë e lehtë papushim, por nuk i nxirrte dhambët jashtë për kërcnim. Un vazhdojshem rrugën time në teposhtë dhe ai më shoqnonte me ato të lehuna. Kur mbrrijta te nji portare tjetër mes mureve, aty ku daheshin dy rrugë, njana për shtëpinë ma të afërme e tjetra vazhdonte gjatë malit, aty vendosa me shkue te shtëpia e parë. Qeni i pushoi lehjet. Ai erdhi mbas meje, më muer erë dhe nuk lehi ma. Përshkova atë rrugë bashkë me ato kujtime të vagëta që mund mbesin prej moshës fëmijnore: a thue kjo asht shtëpia ime? Kur hyna n’oborr me pluhun e pashë pesë shkallët para derës, pothuej isha i sigurtë. Kishte mbetë nji pikë e vetme dyshimi e thirra simbas zakonit të malsorve:
-O i zoti i shpisë!
Nga mbrendë ndjeva nji za të njoftun:
-Nuse! Shpejt lidh qenin!
Doli me vrap nji grue e re. E njofta e më njofti. Ajo bërtiti me të madhe:
-Nanë, erdh Preka! – dhe pa u ndalë u turr drejt meje që sapo ishem ndalue kah fundi i oborrit. Ndërsa po përqafoheshim e ndiejshem se qeni i madh u merrte erë mbrapa kambve të mia. Nana më priste me krahë haptë në krye të shkallve: u ngjita. Tash ishem ndër krahë të nanës sime.
-Janë njizet vjet, bir, që ike prej ksaj shpije, me këtë erdhe, kush të pruni?
-Duhet me thanë: për erë veçse as un nuk e dij si e gjeta: më pruni vetë rruga. Kunata duel në ograja me lajmue babën e vllaun e madh, ndërsa un ndeja aty me nanën. Ajo më pruni nji copë bukë e nji pjatë me mjaltë e nji tjetër me maze (krem) tamblit. Ndërsa po hajshem, më pveti:
-A të kanë rrahë shumë, more bir? A të ka marrë uja shumë? Na nuk kemi mujtë me ardhë gadi kurr se malsorë që nuk i njofim rrugat e qytetit; ndonji mik atje nuk e kemi. Por shyqyr që ke shpëtue pa shkue si dajat e tu: i gjalli e ka dermanin. Tash rri këtu në shpi e mos gabo me folë gja se asht ba dynjaja e keqe. Mos pvet! Tash i merr vesh të tana.
Ma vonë erdh vllau me nji dru të madh në krah, që lshoi m’anë të oborrit. As baba nuk u vonue pa ardhë me grigjën e deleve. Un ishem si djali i humbun që kthehet në shpi. Fëmijt e vogjël m’silleshin rreth e rrotull se nuk më kishin pa kurr. Edhe qeni erdh aty e nuk m’u da deri që me dorë i fërkova kryet. Ai atëherë luejti bishtin e shkurtë cubel e me kambët e para m’u hodh ne gju. I bërtitën dhe e nxuerën jashtë. Çudi – thanë ata – ky nuk të ka pa kurr e po të gzohet e po të njef se je rob i shpisë, por kur vijn miq tjerë hjekim keq me e lidhë se i mësynë. Gjithë shpisë i ra nji gzim i madh për ardhjen time. Megjithkta mbas atij gzimi shifej se në ballin e babës sillej nji re e turbull.
-Vetëm këto tesha ke, - më tha – nuk ke tjera?
-Jo.
-Pjetër, - i tha tem vllau – duhet me shkue nesër pa cajre pa derman e me i ble nji palë tesha të reja, se kanë me ardhë njerz për shyqyr e asht marre me e pa me kto zhele.
-Duhet me doemos, por mbasi nuk kemi pare ç’ka t’ulim me shitë?
-Nji mshtjerrë – tha baba.
-Të gjitha shiten lirë se nuk asht as ditë pazarit.
N’e nesre mbasdite, vllau më pruni nji palë rroba të reja prej pazarit e disa plaçka tjera të vogla. Mbytën edhe nji dash e lkurën e tij e varën aty jashtë nën strehë të shpisë si shej bujarie. Vendosën me mbytë edhe thinë para kohet, mbasi atje në malsi ishte zakon kur mbytej thiu me thirrë në gostë gjithë kushrininë. Mirë se gosta u ba n’e nesret mbrama, por natë për natë, prej larg e prej afër, vijshin miq e dashamirë për shyqyr që un kishem dalë gjallë prej burgut. Vetëm atëherë jam njoftë me shumë burra të malsisë që kishin shpëtue gjallë.
Kur vizitat filluen me u rrallue paksa, axha im, që gjatë ktyne ditve ndej aty në shpi, më thirri veçmas e më tha:
-Tash ti e shef vetë që puna e fretnisë ka mbarue. Burg bane e shyqyr që dole gjalle. Por tash un kam mendue me të gjetë nji nuse, me u fejue e me u martue si të tanë dynjaja.
-E ke me gjith mend?
-Un kurr nuk kam folë pa mend, e jo sot që jam 76 vjeç.
-Un e dij se je burrë i mendshëm e i përmendun për urti ndër kto malet tona, megjithktë un punët e mija i dij vetë e nuk të la me m’u përzie ndër to. Nuk të kam lypë kshill, as mendim. Kur t’i kërkoj, atëherë m’i jep.
-Un kam folë edhe me nanën tande, se asht grue e mendshme e...
-Lene nanën e me len mue rehat! Kët po ta thom: Sot jam burrë 25 vjeçar, në lulzim të jetës e nuk të la me hi si të duesh ti në jetën time.
-Po çka don me ba?
-Un baj ata shka due un. E kam caktue nji herë rrugën e jetës e nuk los ma prej saj.
-Por ajo ka mbarue mor bir; msuesat t’i kanë pushkatue, shokët t’i kanë pushkatue e ku don me shkue ti? Edhe ti don me u pushkatue?
-Un nuk due, për këtë të jesh i sigurtë, ama në më pushkatofshin, ç’faj kam unë?
-Mirë pra, ban si të duesh, vetëm mos na korit.
Sigurisht që me keqardhje të madhe u zhvillue biseda me axhën: un ia ktheva fjalën me padurim e pak nderim, por ishem i mbushun mendje se ndër momentat ma vendimtare të jetës, ndoshta, kjo metodë kryente punë.
Gjatë tre muejve që ndeja në shtëpi, ia dola me e largue atë zijen e bukës, që prej barkut ndoshta kishte fillue me kalue edhe në tru. Familja ime ishte nji ndër të pasunat e malsisë. Edhe mbas atyne „reformave“, që kishte ba „Pushteti Popullor“ (komunist), të cilat në të vërtetë mund të quheshin grabitje, kishin teprue shumë bagti: dele edhe lopë. Delet i ruente baba, ndërsa lopët nuk i ruente kurrkush. Atje poshtë malit ishte këneta. Në breg të kënetës ishin dy ksolla me dyer të hapuna: lopët ishin të lira për me kullotë në knetë ose në mal, si t’u pëlqente. Po ashtu edhe kuajt. Te shtëpia në mal mbajshin pula, thi e bletë, ndërsa në kënetë kishin rezervuaret e peshkut të punuem me kallama ku peshku dijte me hy por jo me dalë. Kështu sa herë që dishrojshin me hangër peshk, u ulshin në breg të kënetës dhe me nji karriq merrshin peshkun që u pëlqente, tjetrin e hidhshin përsri në liri. E vetmja mërzi që kishin për kah pasunia, ishte ajo e taksave në natyrë, sepse duheshin pague „mish, lesh e voe“. „Mish, lesh, voe“ ishte nji metodë komuniste për me i detyrue njerzit me qitë lutje për me hi në kooperativë, mbasi këto detyrime ishin aq të randa sa hiqej shumë keq me i pague. Bile shi n’atë kohë, në nji mëngjes, para agjensisë së udhtarve në Lezhë, u gjet nji pulë e varun e cila kishte nji kartelë në qafë ku shkruhej: “Mos kërkoni vrasësin, se jam un vetë që po mbys vedin sepse më kanë vu detyrimin me ba njimij vezë në vit, ndërsa un si pula ma pjellore e botës mund baj vetëm treqind!” Sigurimi ishte alarmue dhe të gjithë sigurimsat ishin lshue për erë me e gjetë autorin.
Nji të Djelë vjen im vëlla, i madhi, kur kthen nga Lezha ku shkonte me pa Meshë edhe mandej për treg, i tronditun më merr anësh e më pvetë:
-A thue ke gisht në këto punë?
-Pse m’i thue këto fjalë: un nuk kam dalë kurr prej shpije pa kenë i përcjellun prej dikujt.
-Shikjo – më tha – nji që merret me ata, më ka thanë se dyshojnë shumë për tand vlla e i kishin thanë se “ai është një dobiç dobiçit që mund bëjnë këso punërash”. Prandej Sigurimi i Shtetit dyshon mbi ty.
-Ndigjo – i thashë tim vllaut – ke me shkue te ai që merret me ata e thuej kështu: “Dhelpna kambëkëputun nuk bjen në kurthe për të dytën herë” – thote populli.
E kuptova se familja ime, sadoqë ishte në nji vend tepër të izoluem, nuk ishte për mue nji strehë e sigurtë. Un tashma kishem ndigjue se konsiderohej si „familje e prekun“ jo vetëm për pasuninë, sa edhe për shkakun tim, por sepse ndër dajat e mij kishin pushkatue 10 vetë, të gjithë vllazën e nipa të nanës sime. Jo veç kaq, por kur nipi i nanës, Fran Miri, ndiqej gjithkund prej forcave të Sigurimit, kishin torturue në mënyrën ma barbare edhe babanë tim e vllaun e vogel tue pvetë „ku e keni mshefë Fran Mirin?“. Pra un nuk kishem pse jetoj ma pranë familjes, jo që ai vokacjoni im ishte nji tjetër: shërbimi i fesë.
Ndër ato ditë ndodhi diçka e posaçme. Mbasdite mali u rrethue prej forcave të ndjekjes. Ata bllokuen të gjitha rrugët që çojshin ndër katund e ograja, ndër ksolla të bagtive e në afërsitë e pyjeve. Baba e pruni tufën e deleve ma herët se tjera dit. Edhe vllau, e të gjithë tjerët, u mblodhën ma herët në shtëpi. Të gjithë pvetshim njani-tjetrin: A i pe këtu, a i pe atje? Cubit, qenit tim, i dhanë me hangër herët dhe e nxuerën jashtë. Në familjen tonë ishte si zakon me hangër vonë. Ata ushtarët e forcave të ndjekjes i kishin shti të gjithë në mendim. Sikur pritej dishka e zezë. Mue nuk ma thojshin, por e shifshem se dyshohej për nji tjetër arrestim tim. Nuk dij çka të thom, por ma gjakftofti atë natë ishem un. Nuk vonoi e u ndigjuen të lehunat e egra të cubit (qenit). Ato erdhën tue u avitë e tue u egërsue.
-Cubi po lehë ndër njerëz – tha baba. Këndej po vijnë...po, po, këndej po afrohen.
Ndërsa fliste baba shtohej trishtimi ndër njerzët e shpisë. Të gjithë, pa frymë, ndiqshin të lehunat e qenit që avitej. Kunata u çue prej stolit e shkoi në odën mbrapa me pa fëmijët që i kishte vu në gjumë, apo, ndoshta, me mshef ndoj gjasen. Ajo kthei mbas pak pikë e vner. Tashma cubi jashtë ishte tërbue. U ndigjuen njerz që flasin e kërcënohen. Edhe të shame. Kur hynë n’oborr njani thirri:
-O i Zoti i shpisë!
Kunata duel vrap me nji fener në dorë. Ajo e uli fenerin në shkallë dhe u turr vrap me kapë qenin. Po kë të kapte? Cubin? Ai ishte tërbue krejtësisht. Njani prej atyne i kishte sjellë armën, por ai i kishte kërcye e kapë aq fort sa gadi me ia hjekë duarsh. Ata dy tjerët i kishin sjellë gryket për ta vra. Thirrën ata, thirri edhe kunata pse nuk ishte e zoja me e ndalue qenin. Atëherë me turr duel im vlla, e kapi për qafe e i lmoi kryet cubit. Vetëm atëherë qeni e lshoi prej goje pushkën.
Hynë mbrendë, u falën me të gjithë. U lyshem kryet e vendit pranë votrës. Zjarrmi ishte flakadà, sepse jashtë ishte dimën. Nuk ndigjuen me u ule në krye të vendit, por u rreshtuen mbas meje. Ishin tre ushtarakë pa grada në supe, veshun me kapota të thinta. Armët i varën ndër kuja. U banë përshëndetjet formale edhe mandej nji farë prezantimi: prej dy palve buzëqeshje të rreme. Ata treguen se kishin ardhë me nji shërbim, porse, nga shpejtimi, nuk kishin marrë bukë me vedi dhe se na e kishin mësy për darkë.
-Bujrum! Bujrum, - u tha im at e mirëse u pruni Zoti.
Ata atëherë hoqën edhe kapotat e u çliruen këpucësh e filluen muhabetin:
-Ama, ky qeni juaj ishte trimi i trimave, tamam për dekoratë.
-Për nji plumb – thashë un që e njifshem gjuhën e tyne.
-Jo, jo – tha – se për ta vrarë këtë duhen shumë plumba: një breshëri e tërë. Un e them me gjithë mend se, po ta kishte secila shtëpi nga një qen të tillë, ne do ta kishim shërbimin shumë më të lehtë, sepse ky përveç njerëzve të familjes nuk lejon asnjë t’afrohet dhe nuk dallon nëse janë miq o armiq. Ky shoku deshi ta vriste kur u vërsul e kapi armën, por s’e lashë unë: është dëm të vritet një qen i tillë.
Mandej me ambëlsi u zhvilluen gjithfarë bisedash: mbi planet e detyrimet, mbi reformat e deri për letërsinë e më tha se aij i pëlqente shumë Vehbi Skenderi, i cili kishte fitue edhe çmimin e parë. Un nuk pata ma kurrfarë dyshimi: ai ishte nji oficer i dërguem për mue. Un iu ruejta provokimeve të tija dhe sa herë ai fliste me nënqeshje o gjysëtallje për reformat e planet e Pushtetit, un i mbrojshem ato gjakftohtë me arsyetime sofistike. Në mënyrë të tërthortë e të largtë kërkohej mendimi im për banimin e profesionin. Un, pothuej krejt të kjartë ua bana me dijtë se do të ngulshem në Shkodër, mbasi atje duhet t’ishin dokumentat e gjendjes civile e së profesionit të priftit nuk kishem pse t’i largohem mbasi ishte nji dishir i gjithë jetës. Ai ma kshilloi me mirsi heqjen dorë nga priftnia, se nuk ka ma kurrnji perspektivë për t’ardhmen: Un – tha ai – jam i bindur, që nuk do të kalojë shumë kohë dhe priftërinjtë do të vdesin nën këmbët e urave, pa strehë, mbasi populli nuk shkon mbas tyre dhe nuk u jep gjë prej gjëje.
Mbasi hangrën e pinë, u veshën e u mbathën, muerën armët e duelën jashtë tue u përshëndetë me gjithë zemër, sidomos me mue.
-Sa gojëambel ishte ky burri këtu – tha baba im.
- Po, more po, - iu përgjegja – por mos të qitet Zoti ndër duer të tija se ky ta ban gjamën. Shihej se ishte oficer, kishte edhe shkollë, ky të përdredhë mirë. Mbas nja nji çerek ore, u ndie nji krismë pushke e vetme.
-Tash po hiqet rrethimi – tha vllau.
U pa e kjartë se kishin ardhë vetëm për mue. Nuk kishem si të rrij ma gjatë në shpi. N’e nesre im vlla më thirri anash e folëm gjatë e gjatë. I kishte hi friga për t’ardhmen time.
-Sigurisht – i thashë – që do ta kemi shumë të vështirë, por nuk kthehem mbrapa: Besoj!
Njatje kah mbasditja tue ndejë rreth votrës vetëm për vetëm me nanën, po më thotë:
-Ndigjo biri em: të gjithë janë kundër që ti të kthehesh në Kuvend e me u ba frat. Por ti ban si ta thotë ajo mendja jote e e ke bekimin tem: Zoti ta priftë mbarë ndër të gjitha rrugët e tua.
Mbas nja katër-pesë ditësh un dola përsri prej shpije. Kso here, kur u ndava i lashë të gjithë me lot ndër sy. U solla e u thashë “E pse kjani? Un jam tue dalë i gjallë e jo i dekun, vetëm për dekunin kjahet”. Me me percjelle erdh vllau i madh. Kishte ngarkue kalin me miell grunit e me mish thiut; atje ku shkon – me tha – jetohet me triska e ti nuk i ke.
Kur mbrrijta ne fund t’oborrit, solla kryet. Fetyrat e trishta te prindve sikur thirrshin: “Djale, ku po mbytesh? A e shef stuhine? Kthehu!“ Por un vazhdova para. Vetem mjegull. Gjithshka mjegull. Shifshem vetem nji kryq. Eca mbas tij.“



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora