E hene, 29.04.2024, 02:52 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Tradita gardiste në rrjedhat e historisë

E diele, 22.06.2008, 12:00 PM


Nga Inspektor Gjin Vatnika & Ramiz Lushaj
    
Tradita gradiste i ka fillesat e veta mijëravjeçare, që në ndarjen e ngritjen politiko-ekonomike-ushtarake të fiseve të ndryshme, por organizimin e saj strukturor, në nivelet e kohës, në mënyrë të dokumentuar, e gjemë rreth 2 mijë vjet para Krishtit në hapësirat e Mesdheut, sidomos tek Pellazgët, Hititët, etj. Fiset pellazge (proto-ilirët), me një kulturë 10 mijë vjeçare në të gjitha fushat e dijes e veprimtarisë, aty nga shek. XII-XIII para Krishtit, sipas Homerit të Madh, etj, morën pjesë në Luftën e Trojës, ku prijësit e tyre, përveç ushtrisë së mobilizuar, mbanin edhe gardën e vet të përhershme, siç përmendet rasti i Priam Dardanit, etj. Mbretëria Hitite, me shtrirje të asokohshme në hapësira të gjëra të Lindjes së Mesme, që në vitin 1680 para Krishtit, dinastitë mbretërore të saj, mbanin gardën e tyre me truproja të specializuara. Në Egjipt, në vitin 1274, në kohën e Ramesit II, garda kishte deri në 5-6 mijë vetë. Dinastia kineze Tang, në vitin 617 para Krishtit, kishte rreth 30 mijë trupa gardiste, ndërkohë që thirrnin në luftëra deri në 200 mijë luftëtarë. Persët, në vitet 547-479 para Krishtit, mbanin një gardë elitare deri në 10 mijë vetë, ndërsa në kohën e Shahut të Iranit, më 1978, kishte një gardë perandorake me 4-5 mijë trupa, duke përfshirë edhe një batalion tankesh. Tradita pellazgjike e gardës elitare vijojë natyrshëm e me profesionalizëm edhe në periudhën e shteteve ilire të Enkelejëve, Taulantëve, Epiriotëve, Dardanëve e Ardianëve, nga fundit shek. V para Krishtit deri në vitin 97 pas Krishtit. Mbreti i Ardianëve përdorte gardë tokësore dhe detare, Pirroja i Epirit edhe elefantë, Dardanët gardë këmbësore, etj. Garda pretoriane e tyre ishte e fuqishme dhe besnike, saqë Mbreti Gent, në vitin 168 para Krishtit, pasi rezistoi gjatë në fushë të hapur me romakët, bashkë me gardën e vet pretoriane hyri në kështjellën e Shkodrës, ku gardistët kishin mbetur luftëtarët e fundit që jepnin jetën e tyre të parët për Mbretin, ndaj, më 15 qershor të këtij viti, Genti u dorëzua dhe bashkë me familjen e të vëllanë e dërguan në Gubbio të Italisë, ku ndrroi jetë në nëntor të vitit 146 para Krishtit. Aleksandri i Madh (336-323 para Krishtit), në Gardën e Tij Perandorake të fuqishme, që arrinte edhe mbi 40 mijë e në disa raste edhe mbi 80 mijë trupa, mbante më së shumti ilirë, biles edhe në betejën e tij të fundme drejt Pakistanit, shumica e gardës ishte iliriane, ku një pjesë e madhe qëndruan atje. Perandoria Romake, në kohën e Augustit, në vitet 27 para Krishtit deri në vitin 14 pas Krishtit, fillimisht mbante një gardë me numër forcash në rritje efektivi nga 500 deri në 1.000, ndërsa perandorët e tjerë e shtrinë ruajtjen nga Garda Pretoriane edhe të Senatit Romak, etj. dhe e rritën shumë efektivin e tyre. Në shekujt e parë pas Krishtit e deri në rënien e Kostandinopojës, veçanërisht Perandoria Romake e Lindjes (Bizantit) e kishte bërthamën e fuqinë e Gardës Pretoriane tek ilirët (si dhe tek fiset gjermanike), sidomos kur sundonin perandorë me origjinë ilire, biles ne shek. III-V dhe IX ishin mbi 60 për qind e efektivit gardistë ilirianë, që merrnin pjesë në beteja tepër të veçanta. Edhe në ishujt britanikë, mbretërit e shekujve të parë pas Krishtit, e kishin parësore marrjen në Gardën e tyre Pretoriane të vikingëve. Papati i Romës, nga shek. I, në kohën e Apostullit Pal, që shkeli me bekimin e tij edhe në tokën shqiptare, veçanërisht pas Perandorit me origjinë ilire nga Nishi, Konstandinit të Madh, rojet e veta, në Selinë e Shenjtë, i kishte pothuajse të gjithë me origjinë ilire apo kelte dhe kjo ka vazhduar edhe pas vdekjes së Skënderbeut, në shek. XV, duke marrë arbëreshë. Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, mbante një gardë të përzgjedhur për në Kalanë e Krujës apo në udhëtimet brenda e jashtë vendit ose në luftërat e tij kur ishin masive e ballore, biles Garda Pretoriane (Mbretërore) e Skënderbeut, në janar 1468, shkoi në betejë pa Kryetrimin e vet. Në kohën e sundimit otoman, Porta e Lartë në Stamboll (por edhe pashallarët shqiptarë në Trojet Tona Etnike apo në vendet të tjera të kësaj perandorie), kishte një numër të madh shqiptarësh (arbnorë), që shërbenin në Gardën e Sulltanit dhe quheshin “çaush”. Gardat më të fuqishme i kishin pashalleqet e Bushatllinjëve e Ali Pashë Tepelenës, dinastia shqiptare në Egjipt, etj. Garda, në kohërat antike e deri në Mesjetën e Vonë, kishte për detyrë të ruante prijësit, por edhe të hidhej në veprimet luftarake në betejat më të vështira, në situatat më kritike të luftërave, ndërsa në kohërat moderne, detyra parësore e vetme e saj është ruajtja e personaliteteve të larta të shtetit të vet apo të personaliteteve të huaja që vizitojnë vendin tonë dhe ruajtjen e sigurinë e institucioneve më të rëndësishme të shtetit.
Gardë, në kohë të kufizuar, kanë pasus edhe disa udhëheqës të pendës e luftës, si Arqipeshki i Shkupit, Pjetër Bogdani, i cili punoi shumë për organizimin e rezistencës antiosmane gjatë Luftës Austriako-Otomane. Në nëntor 1689, kur austriakët hynë në Prishtinë, Bogdani mobilizoi edhe 6 mijë luftëtarë shqiptarë në Prizren duke u shkuar në ndihmë austriakëve. Në Gardën e tij, sipas përvojës austriake, kishte rreth 200 shqiptarë trima e besnikë, por në dhjetor u sëmurë nga mortaja dhe vdiq dhe, pas thyerjes së austriakëve, tatarët dhe turqit e nxjerrin nga varri trupin e tij, ku rezistuan ish-gardistë të tij kundër këtij veprimi antinjerëzor, duke dhënë edhe jetën e vet. Edhe Ismail Qemali, bashkë me patriotë si Luigj Gurakuqi, në rrugëtimin e tij diplomatik për Pavarësinë Kombëtare Shqiptare, kur arriti në Bukuresht, më 3 nëntor 1912, kishte 8 truproja shqiptare me vete, ndërsa më 5 nëntor, në hotelin “Kontinental” të këtij kryeqyteti, përveç 4 përfaqësuesëve të kolonisë shqiptare të Rumanisë, iu shtuan edhe 6 truproje të tjera për sigurinë e tij dhe të delegacionit. Në udhëtimin e tij nga Vjena (7 e 10-11 nëntor), në Budapest (8-9 nëntor), Itali (18 nëntor), teksa arriti në Durrës, me vaporin austriak “Baron Bruck” më 19 nëntor 1912, që në ditën e parë, i pati rreth 50 truproja vullnetare. Duke parë situatën e tensionuar në Durrës, ku deti ishte bllokuar nga flota greke, dhespoti Jakov kishte bërë kompromis me Myftiun e qytetit bregdetar, qëndrimin e disa shqiptarëve stambollitë, fakti që pushtuesit serbë po vinin drejt Shqipërisë së Mesme, nuk u ngrit Flamuri Kombëtar Shqiptar në këtë qytet bregdetar, sipas planifikimit më 22 nëntor 1912, por, vet prania e “gardës vullnetare” me mbi 200 vetë rreth Ismail Qemalit, nuk iu mundësoi arrestime e gjakderdhje. Ismail Qemali, me delegatët e ardhur nga jashtë vendit dhe ata të Durrësit, Tiranës, Shkodrës, Kavajës, etj.,e më pas edhe ata të Elbasanit, etj. u nis drejt Vlorës dhe karvani i tij shoqërohej me truproje të shumta, të emëruara apo vullnetare, të cilët, sipas traditës shqiptare e detyrës misionare, i shoqëronin pandërprerje ose nga një krahinë në tjetren. Kjo ndikoi që gjenerali i divizionit turk Kara Seit Pasha, që kontrollonte zonën Fier-Lushnje-Berat, të mos ndërmerrte veprime ushtarake si arrestime apo ndalim të karvanit kalorsiak të Pavarësisë drejt Vlorës historike. Më 27 nëntor 1912, Ismail Qemali hyri në Vlorë me gardën e tij dhe i pritur me entuziazëm të lartë nga populli, pavarësisht se anije greke iu kishin afruar portit të qytetit dhe serbët përparonin drejt Jugut. Më 4 dhjetor 1912, në Qeverinë e Vlorës, me kryetar Ismail Qemalin, u caktuan Ministër i Brendshëm, Myfit Bej Vlora dhe Ministër i Luftës, Mehmet Pashë Dërralla, që kishin detyrë parësore mbrojtjen e çlirimin e vendit dhe ruajtjen e forcimin e sigurisë të vendit. Në këtë kohë, ministri i Brendshëm, ndër veprimet e para organizative, vendosi truprojën zyrtare të Kryetarit të Qeverisë Shqiptare, nisën startimi e lartësimi i Gardës së Republikës në historinë moderne të Shqipërisë, por ende nuk kemi të dokumentuar këtë akt e për më tepër nuk kemi të bëjmë me një formacion të plotë gardist, për vet kushtet historike të kohës e sipërmarrjet diplomatike ndërkombëtare të Ismail Qemalit. Princ Vidi, më 7 mars 1914, kur erdhi në Durrës me anijen austriake “Taurus” dhe i shoqëruar nga tre anije angleze, italiane e franceze, në suitën e tij kishte edhe truprojet e sigurisë me vete, por, më 17 mars 1914, sipas Statutit Organik të Shqipërisë, me formimin e Qeverisë së re, u shtuan truprojet e tij me shqiptarë, por nuk mund të kemi mirëfilli një gardë të rregullt zyrtarisht. Në këtë akt e proçes organizativ ndikuan faktorët e brendshëm e të jashtëm, shtrirja jo e plotë në të gjithë vendin e sundimit të Princit dhe lëvizjet e kufizuara të tij,ndrrimet e shpejta në qeveri, konfliktet për pushtet, revoltat e armatosura, përbërja e truprojës me të huaj, shqiptarë të emëruar e vullnetarë, etj.
Pas Kongresit të Lushnjës, më 1920, në drejtimin e atdhetarit Sylejman Delvina, kemi një organizim të mirë të mbrojtjes, sigurisë e qetësisë të vendit. Në këtë drejtim ndihet edhe roli i Ahmet Zogut si Ministër i Brendshëm e nga viti 1922 deri më 1924 si Kryeministër i Shqipërisë në strukturimin e një force gardiste efektive, por nuk krijoi mirëfilli një gardë proteriane të niveleve europiane, e përndryshe, nuk kemi ende dokumentim ligjslativ apo administrativ për këtë çështje. Në vitin 1925, kur Ahmet Zogu u zgjodh President i Republikës, dijmë që kishte një kompani garde presidenciale me organik e buxhet të caktuar. Nisur nga ky nënvizim duhet të kërkojmë nga ana historike, nëse themelimi i Gardës i përket saktësisht qershorit të vitit 1925, kur, në zbatim të Programit të marsit të këtij viti, u “shkri” Ministria e Luftës dhe u formua nja Fuqi Armate me 5.000 forca efektive dhe një Forcë Milicore me 3.000 vetë, nëse i përket 1 gushtit të vitit 1925 kur u formua “Fuqia Shëtitëse”, nëse i përket 8 majit të vitit 1926 kur u dekretua Ligji për “Shërbimin e Adjutantëve të Kryetarit të Republikës”. Në tetor të vitit 1926 Garda Presidenciale ka pasë 699 forca, prej tyre 25 ishin oficera, 106 nënoficera, një togë kalorësie me 71 kuaj dhe një bandë presidenciale, etj., çka do të thotë se kemi të bëjmë më një traditë organizative të krijuar të paktën dy vjet më parë, por nëse hulumtohet më tej e më mirë, edhe në vitin 1923.
Si datëlindje e Gardës së Republikës, tashmë njihet e sanksionuar zyrtarisht 24 qershori i vitit 1928, duke u marrë si pikënisje e eveniment Dekret-Ligji mbi strukturën e Forcave të Armatosura, ku përfshihej edhe Garda e Republikës, që rreth dy muaj më vonë u cilësua “Garda Mbretërore Shqiptare”. Me këtë akt zyrtar të datëlindjes së Gardës të Republikës u hodh një hap i mirë, sepse kjo kishte mbetur padrejtësisht tek 12 shkurti 1944, 16 vjet më vonë dhe e caktuar nga forca politike, që donte të bënte historinë e vet. Por, në kuadrin e rivështrimit e rishkrimit të historisë tonë kombëtare, vëmendja e studiuesëve duhët të kërkojnë edhe më herët, ndoshta nga koha e Qeverisë së Ismail Qemalit më 1912, në vitin 1923, ose, të paktën, më e afërta, viti 1925, në të kundërt, e fundmja, viti 1926. Ne kemi 95 vjet Pavarësi dhe 80 vjet të krijimit të Gardës, ndaj distanca kohore për këto dy data është e largët. Kjo datëlindje e Gardës duhet të përkojnë me realitetin historik, me të vërtetën historike. Gjithashtu, kemi parasysh se në historinë moderne, shumë shtete europiane të kohës së sotme, datëlindjen e Gardës së tyre Republikane apo Mbretërore e kanë më të hershme se sa Republika e Shqipërisë. Natyrisht, ne nuk jemi në garë datash me të tjerët, por, me këtë histori të pasur, pse duhet të mbesim mbas tyre. Pikërisht 10 vjet më parë, në vitin 1998, kur ish-Presidenti i Republikës, deklaroi para gardistëve se Garda dhe Shteti, Garda dhe Republika, janë një binom me lidhje të forta mes tyre dhe Garda është një pasqyrë e Shtetit, shprehte një realitet dimensional e spektrues. Në maj të vitit 1997, nisur nga misioni i saj historik, për të përmushur detyrat e detyrimet ndaj Atdheut e qytetarëve shqiptarë në sigurimin e rendit e të qetësisë, Garda e Republikës, u hodh dhe u ndodh në situata të vështira të luftës me krimin, ku, më 23 maj 1997, në Cërrik, 5 nënoficerë e gardistë dhanë jetën në mënyrë heroike e tragjike, duke u vetëflijuar në emër të Kombit e Detyrës, si: Sali Martinaj, Bashkim Mella, Halit Haxhia, Besnik Syla e Qemal Mehmeti, të cilët sot janë shpallur nga Qeveria aktuale “Dëshmorë të Atdheut” dhe emrat e tyre janë skalitur në Memorialin e Gardës së Republikës së Shqipërisë.
E rëndësishme është se në këto 80 vite, Garda u krijua, organizua e konsolidua në nivele të larta bashkëkohore, pamvarësisht nga format e organizimit të Shtetit, duke treguar një devotshmëri të lartë atdhetare, një profesionalizëm modern, një kontribut mirënjohës. Garda e Republikës, e dekoruar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” (1998) dhe komandanti i saj, kolonel Ndre Prendi, në dhjetor 2007, i vlerësuar me Çmimin “Imazhi në Forcat e Armatosura”, tregojnë se kemi të bëjmë me përkushtim të admirueshëm në misionin shtetëror e qytetar të saj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora