Shtesë » Historia
Një Shqipëri e panjohur në arkivat kroate
E diele, 25.05.2008, 12:01 PM
MESJETA SHQIPTARE SIPAS DORESHKRIMEVE, DOKUMENTEVE DHE BURIMEVE TE TJERA QE RUHEN NE BIBLIOTEKAT DHE ARKIVAT KROATE
Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë dhe mbeten një temë interesante si për intelektualët e dikurshëm, ashtu edhe për studiuesit e sotëm. Studiues të shumtë nga shumë vende të ndryshme, të specializuar dhe profilizuar në fusha nga më të ndryshmet janë marrë dhe merren me studimet për origjinën, kulturën, traditën, gjuhën, fenë dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me shqiptarët dhe trojet e tyre etnike. Debatet e shumta të mirëfillta me bazë shkencore, botimet e korpuseve të dokumenteve, analizat studimore dhe librat e shumtë, të botuar që nga zbulimi i shtypshkronjës së Gutenbergut e deri sot, janë një nga dëshmitë më të forta për interesin e veçantë që kishin të huajt për popullin shqiptar, fatin dhe rolin e tij gjatë furtunës shekullore mesjetare, por edhe gjatë zhvillimeve të vrullshme të rilindjes dhe iluminizmit evropian dhe atij shqiptar.
Krahas botimeve të shumta dhe voluminoze, janë për t‘u pasur në konsideratë edhe dorëshkrimet e vjetra të pabotuara akoma, që herë me autorë ose edhe pa autorë, kanë për temë bosht popullin shqiptar dhe trojet etnike të tij. Zbulimet e këtyre dorëshkrimeve janë një thesar i vërtetë, sepse jo vetëm pasurojnë shumë herë zbrazësitë në informacione që janë krijuar në epoka të caktuara kohore, duke na ndihmuar që të plotësojmë e saktësojmë njohuritë që kemi deri tani për ngjarje, personalitete dhe data të rëndësishme historike, por edhe na tregojnë për imazhin që kishin shqiptarët në sytë e bashkëkohësve, apo jehonën që kishin veprat e tyre te brezat e mëvonshëm. Studimet sistematike nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, anekënd Evropës, pasurojnë fondet e albanologjisë dhe historisë kombëtare shqiptare në përgjithësi. Çdo dokument, dorëshkrim apo libër i rrallë, i zbuluar rishtas, i panjohur deri tani për studiuesin dhe lexuesin e gjerë, ka një rëndësi të veçantë. Thesare të tilla kanë vlerë të dyfishtë: e para sepse me anë të tyre plotësohet ose argumentohet e kaluara jonë kulturore dhe së dyti njihemi me krijime të reja, të zhanreve e gjinive të ndryshme, gjë që na mundëson të kuptojmë rezonancën që kanë gjetur periudha të caktuara historike apo personalitete të caktuara historike në fushat e ndryshme të krijimtarisë.
Është theksuar tashmë disa herë, se qytetet bregdetare dalmatinase ruajnë në arkivat dhe bibliotekat e tyre të shumta, qofshin ato publike, shtetërore, kishtare apo private një lëndë jashtëzakonisht të pasur dhe të vlefshme për shqiptarët dhe Shqipërinë. Është më se e vërtetë se një pjesë e kësaj lënde është vjelë fillimisht nga studiues të huaj e më vonë edhe nga disa studiues shqiptarë. Studiuesit shqiptarë, edhe pse është dashur që t‘i hulumtonin më me përkushtim, vëmendje dhe këmbëngulësi, se sa të huajt këto burime, nuk kanë arritur t‘i tejkalojnë botimet e njëanshme, tashmë të vjetruara dhe herë-herë të papërdorshme të shekullit XIX dhe XX! Është e domosdoshme që në mënyrë sistematike, me një përgatitje serioze të bëhen hulumtime dhe kërkime në gjithë qytetet bregdetare të Adriatikut, sepse ekzistojnë të dhëna të shumta dhe të sakta për burime shumë të vlefshme, të cilat presin studiuesit dhe hulumtuesit seriozë e të përgatitur profesionalisht, si në aspektin gjuhësor, paleografik, diplomatik dhe epigrafik, kur bëhet fjalë për dorëshkrime, dokumente dhe burime të tjera.
Dorëshkrimi nga Shibeniku
Në Shibenik, në famullinë e Shën Lovrit, ruhet një dorëshkrim i at Mate Zoriçiqit, me titull: "Ogledalo prisvitloga i ponosnoga vojevagna vlastelina Jure Castriochianina, recenoga Scanderbeg", në signaturën: R.K - 17/I. II. Dorëshkrimi ka 92 faqe, format të madh, me dimensione 26.3 x 49.5 cm dhe ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përbëhet nga nëntë kapituj; ndërsa pjesa e dytë ka 13 kapituj, gjithsej 22 kapituj. Çdo kapitulli i paraprin një nëntitull i shkurtër, i cili në mënyrë përmbledhëse tregon se për çfarë bëhet fjalë në tekstin në vazhdim. I tërë teksti është i mbushur me data dhe vite të sakta, gjë që e rrit vlerën dhe rëndësinë e tekstit, pastaj me një korrektësi të jashtëzakonshme janë shënuar emrat e bashkëluftëtarëve të Skënderbeut dhe të kundërshtarëve të tij. Në disa raste vërehet një njëanshmëri e lehtë në favor të Venedikut, që autori me mjeshtëri të veçantë e arsyeton duke treguar madhështinë, forcën dhe diplomacinë e përkryer që kishte Republika e Shën Markut në atë kohë. Dorëshkrimi është shumë i dëmtuar, sidomos në faqet e para dhe ato të fundit. Edhe në brendi, në disa vende, vështirë lexohet. Lagështira, e në disa vende edhe ngjyra, e kanë gërryer letrën, e cila është e cilësisë së dobët. Teksti lexohet lehtë; është i shkruar në gjuhën kroate, në dialektin e Ikavicës. Është i përfunduar më 29 shkurt të vitit 1752. Këtë të dhënë na e ofron vetë autori në faqen e fundit, /f. 92/. Kjo datë na bën të pohojmë se ky është një ndër krijimet më të vjetra, deri sot të njohura, të një autori kroat, në gjuhën kroate, për Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Ky dorëshkrim është edhe më i vjetër se libri i Andrija Kaçiq-Mioshiqit për Skënderbeun.
Dorëshkrimet nga Arkivi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve Kroate në Zagreb
Në Arkivin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë, /HAZU-t/ në Zagreb ruhen disa dorëshkrime të shpërndara nëpër fonde të ndryshme personale të krijuesve të shquar kroatë. Këto dorëshkrime, për nga volumi, janë më të shumtat. Është i njohur vetëm dorëshkrimi I. K. Sakcinskit, ndërsa të tjerat deri më sot kanë qenë të panjohura fare. Në fondin e dorëshkrimeve të Ivan Kukuljeviq-Sakcinskit, njërit prej historianëve, arkivistëve dhe bibliografëve më të njohur kroatë, dhe njërit prej ideologëve të Rilindjes kroate, ruhet një dorëshkrim i një drame, që i kushtohet heroit kombëtar shqiptar të shekullit XV, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Dorëshkrimi ndodhet në signaturën: XV. 23/ C. II. - 7. Daton nga viti 1840. Këtë të dhënë e gjejmë në faqen e fundit, të shkruar nga vetë dora e Ivan Kukuljeviq-Sakcinskit. I. Kukuljeviq-Sakcinski është një nga studiuesit e shumtë kroatë, i cili u mor me hulumtimin e historisë, kulturës dhe traditës shqiptare. Përveç dorëshkrimit të dramës për Skënderbeun, ai herë pas here është marrë edhe me çështjen shqiptare deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, përmes shkrimeve me karakter letrar, historiko-informativ, studimor dhe botimeve të shumta në shtypin periodik të kohës, si dhe mbledhjes së dorëshkrimeve dhe librave të ndryshëm botuar gjatë shekujve. Dorëshkrimi i dramës në gjendjen e tanishme është i shkruar në 58 fletë të formatit të madh, me dimensione: 27,5 x 51.8 cm. Tetë faqet e para kanë një format më të vogël, 22,5 x 35 cm, në të cilat jepen shënimet paraprake për jetën dhe veprën e Skënderbeut sipas burimeve dhe autorëve të cilët ka konsultuar Sakcinski. Në vazhdim kemi 48 fletë të shkruara dhe 2 fletë të zbrazëta. Të gjitha këto fletë janë të palosura në dyshe dhe autori ka shkruar vetëm në njërën anë, në faqen "recto". Dorëshkrimi, përgjithësisht, është i ruajtur mirë. Disa fletë, ato të aktit të tretë dhe dy të fundit, janë të përlyera me baltë. Si duket kjo është pasojë e transportit të dorëshkrimeve dhe teksti në to lexohet me vështirësi. Sipas të gjitha gjasave, autorit i është kthyer disa herë ky dorëshkrim, ndoshta për përpunim dhe plotësim, sepse anash, me ngjyrë dalluese, ka shënime dhe përmirësime të mëvonshme, qofshin ato të natyrës ortografike-drejtshkrimore, qofshin plotësime teksti me fraza të reja, apo edhe ndryshime komplete paragrafësh. Një ndër problemet më të ndjeshme dhe të rëndësishme është çështja e burimeve historike, në të cilat është mbështetur Sakcinski, burime këto që duhet të sqarohen. Në shënimet paraprake autori shënon tre autorë: Georg Marnaviqin, Andrija Kaçiq-Mioçiqin dhe J. B. Hamerin, por, është evidente se Sakcinski ka shfrytëzuar edhe burime e autorë të tjerë, të cilët nuk i përmend, por nga leximi i vëmendshëm mund të vërejmë se cilat janë ato vepra e burime. Këtu në radhë të parë mendohet Marin Barleti dhe konkretisht vepra e tij, "Historia de Vita et Gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis", (Zagreb, 1743); pastaj për "Hungarische [Sibenbürgische] Moldau-Wallach/ Türch-Tartar-Persian und Venetianische", (1663, Francfurt am Maynn); pastaj për "Türchische - Tartarische - Persianische - Griechische Venetianische" (1665, Francffurt am Maynn). Është interesant fakti se Ivan Kukuljeviq-Sakcinski nuk i shënon titujt e veprave të tyre në dorëshkrimin e tij të dramës për Skënderbeun, por vetëm numrin e faqeve që ka konsultuar. Dorëshkrimi përmban disa momente të rëndësishme. Shkruhet nga penda e njohur e një historiani të shquar, i cili zbërthen anën faktografike në një tregim tërheqës dhe mjaft të lehtë për lexim. Gjuha e përdorur është e thjeshtë, e qartë dhe shumë melodike. Por më e rëndësishmja është se autori ka ruajtur paanshmërinë, duke qenë i kujdesshëm që personazhet kryesore të na i paraqesë në dritë pozitive, por asnjëherë më shumë se sa e meritojnë.
Dorëshkrime të tjera me vlera të larta artistike dhe shkencore nga arkivi i HAZU-t
Përveç dorëshkrimit të dramës së I. K. Sakcinskit, në arkivin e HAZU-t ruhet edhe një dorëshkrim i historianit me famë ndërkombëtare, Ferdo Shishiqit. Mendojmë se deri tani ky është dorëshkrimi më i kompletuar për heroin kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriotin Skënderbeun, i shkruar nga një autori kroat. Dorëshkrimi përbëhet nga dy pjesë, përkatësisht katër tërësi. Pjesa e parë ruhet në signaturën: XIII/ B 47; ndërsa pjesa e dytë ruhet në signaturën: XIII/ B/ 775. Historiani i njohur kroat, për monografinë e tij në dorëshkrim, ka shfrytëzuar burime të shumta të botuara, por edhe të pabotuara, si dhe ka konsultuar një literaturë jashtëzakonisht të gjerë. Nuk është shumë e qartë se si ka mbetur pa botuar një dorëshkrim i tillë, me vlera të jashtëzakonshme shkencore. Pjesa e parë ka gjithsej 63 faqe. Dimensionet janë: 21 x 34 cm. Faqet nuk janë të paginuara. Autori në këtë pjesë analizon situatën politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore të Ballkanit në përgjithësi, e të Shqipërisë në veçanti, sidomos periudhën paraturke. Pjesa e dytë ka 24 faqe, dimensionet janë të njëjta me pjesën e parë. F. Shishiqi në këtë pjesë të monografisë së tij shqyrton në mënyrë kritike rininë e Skënderbeut, qëndrimin e tij pranë Oborrit mbretëror në Stamboll, lidhjet e tija të ngushta me vendlindjen dhe betejën e Nishit. Ndoshta është ndër biografët e parë të Skënderbeut, që hedh idenë se Gj. K. Skënderbeu nuk qëndroi kohë të gjatë pranë Sulltanit dhe se kishte lidhje shumë të ngushta me Shqipërinë, përkatësisht, ishte Sanxhakbe i Dibrës! Pjesa e tretë e dorëshkrimit përbëhet nga 137 faqe, ka dimensione: 16.5 x 20.5 cm. Është e shkruar me shkrim të ngjeshur. Anash në margina të faqeve janë shënuar referencat, por në mënyrë të shkurtuar. Në këtë pjesë, autori shqyrton gjithë jetën e Skënderbeut, deri në vdekje. Në 8 faqet e fundit i bën një përshkrim të veçantë Shqipërisë pas-Skënderbegiane, veçanërisht luftërave të përgjakshme të Krujës dhe Shkodrës. Pjesa e katërt përbëhet nga 21 faqe. Këtu F. Shishiq ka shënuar me pedanteri dhe saktësi gjithë literaturën e shfrytëzuar, dokumentet dhe burimet. Si shtojcë /aneks/ sjellë edhe 17 dokumente të panjohura deri tani nga periudha skënderbegiane. Dokumentet janë të përkthyera në gjuhën kroate, por çdonjëri, poshtë, në të majtë, e ka të shënuar vendndodhjen e saktë të origjinalit. Në arkivin e HAZU-t ruhen edhe disa dorëshkrime të tjera, përkatësisht një dorëshkrim për Skënderbeun nga Franjo Raçki, prej 27 faqesh, një tjetër nga T. Smiçiklasi prej 52 faqesh etj. Botimi i këtyre dorëshkrimeve, qoftë si monografi të veçanta ose si tërësi, do të begatonte me burime të dorës së parë, mjaft serioze, periudhën e Skënderbeut.
Arkivi Shtetëror Kroat me fonde dhe dorëshkrime të shumta për historinë e Skënderbeut dhe të Shqipërisë
Thesare të çmuara për kulturën dhe historinë shqiptare ruhen edhe në fondin e dorëshkrimeve, në Arkivin Historik Shtetëror Kroat, në Zagreb. Dorëshkrimet janë të fushave të ndryshme. Për disa nga këto dorëshkrime me saktësi përcaktohet viti i shkrimit të tyre dhe autori, por, për fat të keq, për pjesën dërrmuese nuk mund ta themi një gjë të tillë. E veçanta e këtyre dorëshkrimeve është se të gjitha janë në gjendje të shkëlqyer, duke i shpëtuar "dhëmbit" të kohës. Deri sot, askush nga studiuesit, qoftë kroatë, shqiptarë apo të huaj, nuk ka bërë një studim apo botim të veçantë për këto dorëshkrime. Këtu ruhen tekste të një volumi jashtëzakonisht të gjerë, p.sh., histori të gjata, por edhe nga ato më të shkurtrat që janë përmbledhëse; ka përmbledhje këngësh popullore, aty nga fundi i shekullit XVIII, pastaj përkthime të pjesshme të kronikave dhe dorëshkrimeve që tashmë janë të zhdukura; fragmente librash të rrallë etj. I tillë është dorëshkrimi që mban titullin "Pisma od Szlavnog Naroda Szlavinzkoga na diku Ungarzke i Arvanezke Gospode iz Kronika od Mudrih vam zibrane kak szlide". Ky dorëshkrim nuk e ka të shënuar vitin dhe autorin. Por nga titulli dhe përmbajtja kuptojmë se është fjala për një përshkrim të një dorëshkrimi shumë më të vjetër, që i kushtohej Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Gjurmët e kronikës për të cilën bëhet fjalë, nuk gjenden askund! Ky dorëshkrim konsiderohet kopje e bërë nga shekulli XVII. Dorëshkrimi nuk është i paginuar. Edhe pas shumë konsultimesh me kolegët kroatë, specialistë të paleografisë dhe diplomatikës, nuk kemi arritur të përcaktojmë vitin dhe autorin e këtij dorëshkrimi. Në të njëjtin fond ruhet edhe dorëshkrimi me titull "Notizie e stemata degli famiglie Albanesi. Miscellanea". Edhe ky dorëshkrim është kopje nga një dorëshkrimi më i vjetër. Kopja mund të datohet në fillim të shekullit XVII. Gjithsej ka 298 fletë. Paginimi është vetëm recto. Për Skënderbeun dhe stemën e tij bëhet fjalë në faqet 23-97. Fillimisht përshkruhet origjina e Kastriotëve, që është shumë e ngjashme me atë të Historisë së M. Barletit, pastaj jepet një trung gjenealogjik, si dhe në fund stema tashmë e njohur e Skënderbeut nga dorëshkrimi i P.R.Vitezoviqit. Përveç këtyre dorëshkrimeve, në fondin e dorëshkrimeve të Milan Shufflay-t, në një kuti të veçantë, ruhen përshkrime të dokumenteve origjinale për Skënderbeun nga disa arkiva e biblioteka të Evropës. Gjithsej janë 289 dokumente, respektivisht 453 faqe. Asnjë nga këto dokumente deri më sot nuk është i botuar. Dokumentet janë në gjuhën latine dhe spanjolle. Kësaj kutie i mungojnë dokumentet që M. Shufflay ia kishte huazuar Jovan Radoniqit, e ky i fundit i kishte botuar në monografinë e tij kushtuar Skënderbeut me titull: "ÄuraÄ‘ Kastriot Skenderbeg i Arbania u XV veku".
Shumë dorëshkrime të pabotuara ruhen edhe në Bibliotekën Kombëtare Universitare të Zagrebit
Është fondi i librit të rrallë i Bibliotekës Kombëtare Universitare në Zagreb, që ruan më shumë se dhjetë dorëshkrime mbi jetën dhe veprën e Skënderbeut. Përveç shkrimeve të tjera, në këtë fond ruhen edhe disa krijime letrare si drama, tragjedi, poema, poezi etj. Të gjitha këto dorëshkrime janë të inventarizuara dhe pa vështirësi mund të shfrytëzohen nga studiuesit. Kryesisht janë të shkruara në gjuhën latine dhe kroate, por ka edhe në gjuhën hungareze, gjermane dhe italiane. Dorëshkrim me vlerë të veçantë është ai i Gjuro Feriqit, me titull: "Georgi Scanderbegi duella cum Alia Scythico ac Persis...", i cili ruhet në signaturën: R. 3424 [Signatura e mëparshme: SM. 32. A. 17]. Dorëshkrimi është nga fundi i shek. XVIII. Ka gjithsej 38 fletë. Është i shkruar në gjuhën latine, por nga vetë autori, pra në autograf, është i përkthyer edhe në gjuhën kroate. Ky dorëshkrim është një poemë e gjatë prej 1740 vargjesh. Autori ka shfrytëzuar si burim Historinë e Barletit dhe atë A. K. Mioshiqit. Signatura R. 3617 ruan një variant të panjohur deri tani të "Razgovora ugodnoga naroda slovinskoga", me autor Andria Kaçiq - Mioshiqin. Dorëshkrimi është në autograf. Autori i është rikthyer disa herë, ngase në margina të fletëve ka shënime të shumta burimesh, citimesh dhe emra autorësh e tituj librash që autori i ka shfrytëzuar për të shkruar veprën e tij. Dorëshkrimi për Skënderbeun me titull, "Szedam piszam /od Jure Castioticha/", është shënuar në f. 16r-41r. Si duket, ky dorëshkrim ka qenë themel për të shkruar veprën e tij të njohur Kaçiq-Mioshiqi, e cila është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, por në një variant që rrënjësisht ndryshon nga ky dorëshkrim, i cili ka një vlerë të madhe, sepse në vetvete ruan ide, debate dhe një formulim të posaçëm për figurën psikologjike të Skënderbeut, që në tekstin e botuar nuk e gjejmë. Në vazhdim, në signaturën: R. 4046 ruhet dorëshkrimi në autograf i dramaturgut të njohur kroat me origjinë gjermane, Matija Juro Shporerit, me titull "Juro Kastriotić. Xaloigra u 5 uskazah". Shporeri tekstin e ka përfunduar në vitin 1839. Teksti ka 13 faqe, format i madh i shkruar me shkrim të imët dhe shumë të ngjeshur. Është e njohur se Shporeri ka shkruar më vonë një tragjedi për Skënderbeun dhe një tjetër për mbretëreshën Teutë. Ky dorëshkrim, mesa duket, është pararendës për të dyja tragjeditë e mëvonshme. Është i shkruar në gjuhën kroate dhe lexohet lehtë. Dorëshkrime, por edhe dokumente të ndryshme për Skënderbeun, ruhen edhe në Arkivin e Zarës, Senjit, Sinjit, Splitit, Pazinit, Krizhevcit, Trogirit, Karlovicit etj. Një lëndë e çmuar ruhet edhe në disa arkiva kishtare, sidomos në ato françeskane, domenikane, jezuite etj. Studimet sistematike që bëhen në këtë drejtim shpresojmë se do të japin rezultate të pritura, të cilat do të hedhin dritë të re për figurën madhore të Skënderbeut, marrëdhëniet e tij me kroatët, e veçanërisht me Raguzën /Dubrovnikun/.
Dorëshkrime nga Biblioteka Shkencore e Dubrovnikut
Biblioteka Shkencore e Dubrovnikut, krahas Arkivit Shtetëror Historik Kroat të Dubrovnikut, Bibliotekës dhe Arkivit të Vëllezërve të Vegjël [Male Braće], Bibliotekës dhe Arkivit të Domenikanëve, Jezuitëve... etj., ruan shumë dorëshkrime me vlera të veçanta për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilat deri më sot nuk janë botuar. Në fonde të ndryshme, nga autorë të njohur, por edhe anonimë, janë ruajtur një numër i konsideruar dorëshkrimesh nga shekuj të ndryshëm, vlera e të cilave është tepër e çmuar. I një rëndësie të veçantë për fushën e albanologjisë është dorëshkrimi i Françesko Maria Apendinit, nga gjysma e parë e shekullit XIX, që mban titullin "Shënime mbi shqiptarët, gjuhën e tyre si dhe një gramatikë për gjuhën shqipe me një fjalorth të vogël, krahasuar me gjuhën italiane". Ky dorëshkrim ka 4 fletë dhe ruhet në signaturën: Rkp. 608/1-11; int. 8; pjesërisht është në gjuhën italiane dhe shqipe. Ky dorëshkrim është një sprovë për një gramatikë dhe një fjalor në gjuhën shqipe. Është tepër interesant momenti që e shtyn studiuesin dhe historianin F. M. Apendini për të vepruar në këtë drejtim. Dorëshkrimi është autograf, në gjendje të mirë dhe lexohet pa vështirësi. Ka format in folio. Një dorëshkrim tjetër është ai i një autori anonim, po nga gjysma e parë e shekullit XIX, që mban titullin "Studim nga burime të ndryshme për qytetin Sebast në Shqipëri, që llogaritet si vendlindje e Shën Vllahut, Shenjtit mbrojtës të Dubrovnikut". Dorëshkrimi ka 14 fletë dhe ruhet në signaturën: Rkp. 613/1-13, int. 11; i tëri është në gjuhën italiane. Një ide e tillë është tepër interesante, ngase për herë të parë kemi një të dhënë të tillë, ku shenjti mbrojtës i Dubrovnikut na paraqitet me origjinë shqiptare. Të dhënat biografike dhe studimet e shumta për Shën Vllahun lejojnë një hipotezë të tillë, e cila mbetet për t‘u verifikuar dhe dokumentuar nga burime të ndryshme, qofshin ato kronika, anale, dokumente apo dorëshkrime të tjera të cilat ruhen në arkiva dhe biblioteka të shumta të Dubrovnikut. Dorëshkrimi ka format in folio. Dorëshkrimi në vazhdim është ai i konsullit gjeneral francez në Shkodër, Marco Bruere. Është autograf dhe daton para vitit 1814. Dorëshkrimi ka gjithsej 16 fletë dhe ruhet në signaturën: Rkp. 821, i tëri është në gjuhën italiane. Ky dorëshkrim tregon interesin dhe vazhdimësinë e konsujve francezë në tokat shqiptare. Me një stil të hollë, me një simbolizëm të fortë dhe gjuhë të matur, autori paraqet popullin shqiptar si shumë të virtytshëm, me tradita dhe kulturë të lashtë, por shumë luftarak për të drejtat dhe liritë e tij. Mesa duket, autori është tepër i ndikuar nga ngjarjet e vrullshme dhe të bujshme në qytetin dhe rrethinën e Shkodrës, kështu që lehtësisht mund të kapet një simpati e veçantë për popullin shqiptar dhe qytetin e Shkodrës.