E hene, 29.04.2024, 07:22 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Fan Noli një letër plot zemërim gjeneral Enver Hoxhës

E shtune, 19.04.2008, 12:48 PM


Fan Noli
Boston, 30 shtator 1946.
Peshkop F.S.Noli i shkruan një letër plot indinjatë e zemërim Enver Hoxhës. Shkaku janë mosmarrëveshjet që ai ka pasur me delegatin shqiptar, Tuk Jakova. Pas shumë këshillash, ndihma pa rezerva, ndërhyrje në rangje personalitetesh, Noli ka marrë si shpërblim dyshimet e vazhdueshme të Jakovës, deri edhe akuza të pabaza. I njohur me gjithë prapaskenat, gafat diplomatike dhe fodullëkun e Jakovës, Noli i shkruan me imtësi kryeministrit Hoxha çdo pakënaqësi të tijën lidhur me vizitat dhe takimet e delegacionit shqiptar. Kjo letër e shkëputur nga përmbledhjen “Vepra VI” e Fan Nolit, botohet e plotë, si më poshtë.

Gjeneral Enver Hoxhës
Kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë
30 shtator 1946

Zoti Kryeministër:
Kolloneli Tuk Jakova, në lamtumirën që botoi në Diellin, 18 Shtator të mbyllur këtu brenda, më hapi luftën me disa akuza dhe insinuata të shëmtuara. Nuk munt t’i përgjigjem botërisht tani për tani, se nuk dua të embarasoj guvernën në këtë kohë kritike as tërthorazi, dyke goditur delegatin e saj. Do të flas pasi të shkonjë kriza. Sa për tani, nuk më mbetet veçse t’ju qahem juve, që na dërguat këtë kërcu të pagdhendur.
Për të nisur, Kolloneli nuk di Shqip, as Gegërisht as Toskërisht; Në çdo dialekt që i flisja ay nuk më merrte vesh nga shkaku që është një budalla pa kulturë. Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq sa kur e pashë këtë njeri si përfaqësonjës të Shqipërisë së Re. Me gjithë këtë, posa arriu në New York, i blatova ndihmën time, dijen time, dhe eksperiencën time pa kondita, pa rezerva dhe pa pritur as ndonjë çpërblim, as ndonjë memuriet. Po ay më shikonte shtrëmbër me mosbesimin instiktif të barbarit kundrejt njeriut të mësuar. Flas vetëm për Kollonelin, se delegatët e tjerë ishin aq të dominuar prej tij sa ay as i përfillte fare.
Në mbledhjen e parë biseduam mi konferencat, që do të bënin nëpër kolonitë shqiptare. Më dolli shpirti gjersa shtruam një program, të cilin pastaj Kolloneli e ndronte dhe e sakatonte, dyke dëgjuar mendjet e atyre që u kishte besim, e çiliminjve që i njihte si vëllezër nga mentaliteti. Konferencat vanë mjaft mirë sa kohë ishte këtu z. Behar Shtylla, por kur ky shkoi në Paris pushuan menjëherë. Duket që Kolloneli nuk i shikonte aspak.
Pas konferencave u hothmë në veprimin dipllomatik. E këshillova Kollonelin të kërkonte menjëherë një pjekje nga Sekretari i Përgjithshmë Z. Trygve Lie. Ia gatita udhën me anën e profesorit Laugier, një zyrtari të lartë të UNO-së, i cili është Ndihmës Sekretar për punët Shoqërore dhe Ekonomike. Po Kolloneli e shikonte me dyshim çdo çap që i këshillonja. Kujtonte se unë i vinja nonjë grackë. Mezi pranoi dhe bëri kabull ta shikonte Profesorin. Ky priti mirë delegatët dhe ua rregulloi pjekjen me Trygve Lie-në. Bashkëfjalimi i zvarnis pak minuta me dy dragomanë. Kolloneli fliste Shqip, Behari ia kthente Frëngjisht, edhe një dragoman i Sekretariatit ia kthente Trygve Lie-së Inglisht, meqënë që ky nuk dinte as Frëngjisht, as Shqip. Nga ky muhabet me dy terxhumanë, Kolloneli hoqi konkluzjen groteske, që hyrja e Shqipërisë në UNO ishte punë e mbaruar, telegrafoi në Tiranë, dhe e vuri guvernën në gjumë me lajmën e një triumfi imagjinar. Unë isha në prakun e derës së tij, gati që t’i shërbenja si dragoman, po nuk më thirri, se nuk më kishte besim. Bëri vetëm një përjashtim, kur më mori si përkthenjës në pjesën me delegatin Amerikan. Për çudi, nuk i kishte besim as Alqit, edhe i vazhdoi bashkëfjalimet me anë dy dragomanësh edhe në disa raste të tjera. Lajmën që Kolloneli e kishte vënë guvernën në gjumë me fjalët e bukura të Trygve Liesë e mësova disa javë, pas ngjarjes, se Kolloneli nuk m’i tregonte sekretet dipllomatike. I çfaqa dyshimin që fjalët e ëmbla diplomatike nuk duhen marrë si senate, “po ay veshin shurdhër. Që në pjekjen e parë e këshillova të shkonte në Washington dhe të hynte në kontakt me Departamentin e Shtetit edhe me Kryqin e Kuq Amerikan. Nuk më dëgjoi. I la këto vizita kryesore për ditën e fundme të Gushtit, dy muaj më vonë.
Kur mori pyetjet nga Komisioni i Anëtarësisë, Kolloneli më bëri favorin të më pranojë si dragoman, dhe kështu e ndihmova në formulimin e përgjigjeve dhe të memorandëve, të cilat më kanë mbajtur pa gjumë disa netë. Ditën Kolloneli m’i ndreqte, dyke insistuar jo vetëm në esencën, po edhe në retorikën e kulluar. Kur ardhi çështja e traktateve, e këshillova të pyeste guvernën përpara se të përgjigjej me argumentin e vjetëruar të vendimeve të Përmetit, të cilave u kishte shkuar koha, pasi u shtrua projekt teksti i paqës me Italinë prej Këshillës së Ministrave të Jashtëm në Paris. Kolloneli refuzoi t’ju pyeste, pse pretendonte që jua dinte mejtimin. U çudit kur mësoi më vonë që ju e kishit rikonsideruar çështjen dhe i kishit pranuar traktatet multilaterale pa kondita.
Në funt të Gushtit Kolloneli shkoi në Washington dhe kur u kthye, më siguroi se rilidhja e marrëdhënjeve midis Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Kuq Shqiptar ishte punë e mbaruar. Siç u muar vesh pastaj, Kolloneli u bë prapë viktima e naivitetit dhe e padijes së gjuhës. Puna jo vetëm nuk ishte ndrequr, por ishte prishur fare. Tani Kryqi i Kuq Amerikan, sipas fjalës, i lidhi ndihmat e mbledhura këtu, dhe nuk i la të shkojnë në Shqipëri.
Sa për çështjen e bashkimit, ju lutem të këndoni një komunikatë që botoi Vatra në “Diellin” më datën 25 Shtator, të mbyllur këtu brenda. Nga kjo do të merrni vesh që Vatra ka bërë një propozim për tretjen e plotë të dy organizatave, dhe nuk ka marrë ndonjë përgjigjë nga Shqipëria e Lirë. Këtë gjë e di fare mirë Kolloneli, po nuk e përmendi në Lamtumirën. Veç kësaj, ky propozim i Vatrës është akoma i hapur, dhe negociatat nuk janë prerë. Përse ahere Kolloneli i deklaroi luftë Vatrës edhe mua pa pritur përfundimin e këtyre bisedimeve. Më në funt, rolli i nërmjetarit është t’i pajtonjë të dy anët jo të përkrahë njërën anë dhe t’i dekllaronjë luftën anës tjetër, siç bëri Kolloneli.
Tani vinj në konkluzjen: Nga budallallëket e Kollonelit nuk do ta ndryshonj qëndrimin tim përpara Shqipërisë dhe guvernën suaj në theori. Po në praktikë puna ndryshon. Në doni bashkëpunimin tim, duhet të dërgoni një njeri, i cili të më ketë besim dhe i cili të dijë të paktën shqip që të merremi vesh. Sa për të huajt, duhet të dijë të paktën Inglisht, meqënë që këtej nuk shkon shumë Frëngjishtja. Nga ana tjetër, nuk duhet të më impononi zevzekë të këtushmë si bashkëpunëtorë, të cilët ju nuk munt t’i njihni.
Dy fjalë për marrëdhëniet me Amerikën, të cilat janë kyçi i problemeve tuaj këtu. U lodha dyke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim pa kondita, se fundi i fundit kjo nuk është vetëm një çështje formulle pa rëndësi praktike. Pasi të lithni marrëdhënje dipllomatike me Amerikën, ahere çështja e Kryqit të Kuq Amerikan do të zgjidhet vetëvetiu me pak durim dhe vetëm ahere do të hapet udha për të nisur një fushatë serioze.
Një fjalë për të mbaruar. Kolloneli kur më hapi luftën, nofta kishte harruar që ishte delegat i Shqipërisë. Po mileti kujtojnë që ay flet në emrin e guvernës. Tani, nëqoftëse nuk jeni në një mendje me Kollonelin, duhet ta këshilloni t’i marrë prapë akuzat që më ka bërë. Në mos i marrtë prapë, do të jem i shtrënguar të konkludonj që guverna e aprovon luftën që më dekllaroi Kolloneli. Ashtu e do llogjika për fat të keq. Dhe ahere bashkëpunimi ynë mërr funt në praktikë.
Kam shpresë që episodi i Kollonelit është vetëm makthi i një nate të keqe, dhe që kurrë nuk kini patur qëllim t’u bini me sheklmë miqve tuaj.

Mbetem,
Me të fala vëllazërore
Juaji me besë
Peshkop F.S.Noli
26 Blagden Street
Boston 16, Mass



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora