E hene, 29.04.2024, 01:15 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Kelmendasit: Nga fitoret me Vuçi Pashën te kanibalizmi i Mehmet Shehut

E merkure, 20.02.2008, 07:10 PM


Nga Gjovalin Gjeloshi

Dimri i robëruar

Prek Cali, drejtuesi kryesor i kryengritjes se Kelmendit te janar-shkurtit 1945
Ai dimër ishte ndryshe, më i ftohtë se të tjerët, i akullt, dëborë pafundësi. Mbi bjeshkë, hisja e qiellit të Kelmendit nuk dukej prej shumë ditësh. Retë ishin të acarta, të ftohta. Kishin atë ngjyrën gri të pluhurit të një paslufte. Në këtë gjendje ato rrinin pezull mbi kokën dhe supet e bjeshkëve. Lufta thoshin se kishte pushuar e vendi ishte çliruar, por ato re ndillnin luftë. Edhe retë dukej se po luanin ritin e dëborës. Kur nuk shkrihet bora e parë që bie thonë se pret tjetrën. Edhe retë e murrme, gati si ajo ngjyra e kapotës ushtarake, nuk largoheshin. Siç duket, prisnin një luftë tjetër. Kelmendasit i njihnin retë, sidomos ato që paralajmëronin luftë. Kishin 5-6 shekuj të mësuar me to. Ata shihnin te retë shenja të veçanta, ashtu siç shikohen shenja te shpatulla e dashit apo shpueri i pulës. Ata e parashikonin se çfarë e priste Kelmendin, kështjellën e tyre të pamposhtur…

Nga Shkoder locja, nga qyteti i tyre i dashur, vinin lajme që më mirë mos me i ndigjue, apo mos me u besue veshëve. I gjithë dhjetori i 1944-ës ishte kthyer në ditë zie në të gjitha rrugët dhe shtëpitë shkodrane. Kalaja e Shkodrës po njihte sundimtarin më të zi të pesë shekujve të fundit. Vllezërit e tyre shkodranë, miqtë, të njohurit e deri te udhëheqësit e tyre shpirtërorë, kleri katolik, po kalonin ditët në agoni. Komunistët shqiptarë, vllezër të armiqve të tyre shekullorë, serbo-malazezëve, po silleshin me kryeqendrën e tyre më keq se pashallarët turq. Ishin kthyer në dhoma torturash shumë shtëpi deri edhe objektet fetare. Kishin filluar vrasjet civile.

Çfarë bëhej? Pushtuesi kishte ditë që e kishte kaluar Hanin e Hotit. Shkodra e pafajshme po trajtohej prej komunistëve shqiptarë më keq se Berlini i pas pak muajve, prej ushtrive aleate, ku u dorëzuan nazistët e fundit. Terror, britma, klithma, arrestime, burgosje, vrasje e varje, tortura ç’njerëzore, vdekje nëpër burgje, çizme e shtypje më e rëndë se e gjermanëve. Kasaphanë, asnjëherë si e malazezëve kur turreshin mbi Shkodrën e ëndërruar, ishte më gjakatare. Baltë e vrer kundër kishave, e pakrahasuar me atë të turqve. Pushkatimet e para të vllezërve të tyre, kelmendasve nënshkodrakë, në Malin e Koljave, në Trush, në Breg të Matës etj.

Të gjitha këto, a nuk ishin të mjaftueshme që atje lart në “bjeshkët e kuqe” të nxitej instikti vetëmbrojtës i kelmendasve? Fatkeqësisht, ato çka thuheshin për komunizmin nuk qenkan vetëm fjalë apo propagandë shpifjesh. Ata e kishin vënë me pahir “tribojnicën” jugosllave përkrah flamurit me shqype, te kompanjeli i Kishës së Madhe. Në kujtesën e kelmendasve kishin kaluar shumë dimra të vështirë, dimra luftrash e vuajtjesh, por asnjë i robëruar. Ky ishte dimri i parë që ata vërtet nuk donin luftë, por nuk donin as robëri, nuk donin as miqësi të imponuar me shkjaun. Ata nuk mund të prekeshin në shpirtin e tyre të lirë.

13 janar - 26 shkurt 1945

Në kaq ditë, pat filluar dhe pat mbaruar kjo luftë e imponuar dhe aspak e dëshiruar prej kelmendasve. Kjo luftë, deri më 1990-ën, e shkruar vetëm në kujtesën e atyre që mbijetuan e pak edhe në arkivat shtetërore, është lufta e parë antikomuniste, jo vetëm në Shqipëri. Kjo luftë, që ishte edhe dështimi i parë pas ikjes së nazistit të fundit prej Hanit të Hotit, nuk u përmend asnjëherë…

Kelmendin e mësynë. Atij populli trim, i cili kurrë “nuk nguci as nuk duroi askënd”, i duhej dhënë një mësim, i duhej ulur dinjiteti i malësorit që i ruajti dlirësinë e shpirtit dhe pastërtinë e bjeshkëve. “Kelmendasi, - shkruan At zef Pllumi, - asht’ prototipi i atij shqyptarit që nuk don me iu nënshtrue kurrkuj.” Ata luftëtarë lirie të përhershme quheshin në zhargonin e fjalëve komuniste “mbeturinat e fundit të reaksionit të Veriut”. Drejt Kelmendit filloi mësymja e batalioneve të para, që në fakt nuk përbënin mësymjen e parë ushtarake. Përpara 400 vjetësh mësynte Arsllan Pasha i Podgoricës, por këtë radhë nuk ishte ai. Nuk ishte as Ibrahim Aga që i shpallte luftë Kelmendit më 1617-ën dhe as Mehmet Beu i Stambollit, i cili mësynte këtë kështjellë më 1633. Kelmendasit nuk e kishin zemrën të thyer kur luftonin më 1638-ën me Vuçi Pashën, i cili komandonte ushtrinë prej 15 mijë ushtarësh, por e kishin zemrën të plagosur atë dimër të 1945-ës, kur nuk kishin tashmë përballë pashën më të tmerrshëm të sulltanit. Në përbërje të kësaj ushtrie sot nuk ishin mercenarë si serbë, dalmatë, boshnjakë apo bullgarë, si atëherë, por fati i zi i kishte sjellë të gjithë shqiptarë përballë shqiptarëve. Kelmendin, këtë radhë nuk po e mësynte as Pasha i Begollajve të Pejës, i cili e mësynte më 1700-ën dhe as Brahim Pasha i Trebinjës, i cili i shpallte luftë më 1739-ën. Atë dimër në Kelmend nuk tentonte të hynte Sulejman Pasha me ushtrinë e vet si më 1740-ën dhe as Krajl Nikolla i Malit të Zi në vitet e mëvonshme. Kësaj radhe, në krye të ushtrisë nuk ishte Mark Milani, që u printe 12 mijë ushtarëve për të pushtuar Kelmendin, por ishte Mehmet Shehu, gjakatari i njohur, i prekuri me “sindromin” antinacionalist, antikatolik, antiverior, anti gjithçkaje të shtrenjtë të ruajtur deri atëherë me fanatizëm në malet tona dhe pro sllav e prokomunist.

Pushka e parë

Historia thotë se Luftën e Parë Botërore e shkaktoi një vrasje. Një serb vrau princin austro-hungarez, Franc Ferdinant, i cili në atë kohë po vizitonte Sarajevën. Luftën e përgjakshme dhjetëvjeçare të Trojës së lashtë e shkaktoi një grabitje femre: Helena. A thua nuk do të shkaktohej Lufta e Parë nëse studenti serb nuk do të qëllonte princin? Kushedi. Fillimin e luftës së Kelmendit e shkaktoi vrasja e një malësori prej partizanëve: Mark Gjeloshi i Rehovicës, sapo kishte dalë prej mullirit me barrën e bluar. Ai shpejtonte për të çuar në shtëpi bukën e fëmijëve. Pushka ia preu në mes. Ajo krismë ishte fatale. Ajo breshëri prej mitrolozi të lehtë këputi në mes çdo mundësi që këta shqiptarë të merreshin vesh mes vedit. Ndoshta përleshja ishte e pashmangshme, sepse komunistët nuk bënin asnjë pakt me askënd, por gjithsesi koha do të bënte punën e vet. Mbase do të kalonin ditë e do të gjendeshin burra edhe në palën mësymëse që të bënin bilancin e një përleshjeje të panevojshme. Megjithatë, këto fjalë tashmë tingëllojnë bosh. “Shpata ishte hequr nga milli.” Koinçidencë e keqe. Partizanët vranë një njeri të pafaj që po ngarkonte barrën, mbase të miellit të fundit të magjes për atë dimër.

Ura e Tamares, vendi ku u zhvilluan luftimet me te pergjakshme
Ura e Tamares u bë kësisoj në mënyrë të pashmangshme fushëbeteja e parë e kësaj lufte mizore. Zjarri i befasishëm u derdh mbi brigadat partizane prej drejtimeve të Brojës, Gropave të Sterës, Katabuqit etj. Lugina e Cemit ushtoi prej luftës vëllavrasëse, por gjithsesi jo civile: përballë kishte brigada ushtarake të njohura për terrorin e tyre, më shumë mbi popullsinë civile sesa mbi armikun. Uji i lumit të Cemit e humbi kthjelltësinë. U skuq me gjak shqiptarësh që doktrina komuniste po i ngrinte në luftë kundër njëri-tjetrit.

Megjithëse bilanci i kësaj përleshjeje ishte tragjik dhe Batalioni i Parë i Brigadës së Parë sulmuese rrezikohej të dilte komplet jashtë luftimit, komanda e njoftonte qendrën se, “Brigada e Parë vazhdon të jetë një forcë e shëndoshë luftarake… Morali i tyre qëndron lart. Nuk shihet në ta ndonjë lodhje apo pakënaqësi.” Ndërsa, një ditë më parë ishin vrarë bij nënash. Nuk ka rëndësi se në ç’llogore i kishte vendosur koha. As pas këtij çmobilizimi të plotë të batalionit partizan, askujt prej udhëheqjes nuk i shkonte në mendje të bënte analizë, të merreshin në konsideratë vështirësitë dhe të mendohej ndryshe, pos luftës. Jo, ushtarët ishin pa dhimbje. Ata ishin “mish për top” në duart e shtabit të divizionit. Ndërsa kelmendasit, kuptohej se tashmë ishin “armiku”.

Lufton vendi dhe jo Kelmendi

Kushedi se qysh kur e prej kujt ka ardhur kjo shprehje, por një gjë dihet: “Bajlozët” që mësynë njëri pas tjetrit këtë vend, që “shkuan me shpatë dhe u kthyen pa kokë”, për të larë disi turpet e humbjeve, sepse ushtritë mësymëse ishin gjithmonë disa herë më të shumta në numër se forcat e Kelmendit, thanë: “Atje lufton vendi dhe jo kelmendasit.” Në të vërtetë edhe ata vetë e dinin se luftonte “vendi dhe Kelmendi”.

Pas ballafaqimit të parë të forcave partizane me kelmendasit, të njëjtin fat pësuan edhe tentativat e tjera për të kaluar Urën e Tamares. “Dëshmitari” i vetëm okular i të gjithë atyre përgjakjeve është vetëm Cemi. Çdo përpjekje për të kaluar atë lumë të rrëmbyeshëm e të akullt haste në një kundërveprim luftarak të paimagjinueshëm prej forcave qeveritare. Ato ditë, çdo shkrep e çdo gëmushë e Kelmendit u kthye në llogore për këta petrita të paepur dhe çdo gur u bë plumb për kundërshtarët. Lufta frontale, megjithëse me forca shumë të pabarabarta midis palëve, u bë shkatërrimtare për batalionet partizane. Përveç qëndresës së pashoqe me armë, në ndihmë të Kelmendit vinte edhe dimri i ashpër. Partizanët i mbërtheu paniku. Shumica tashmë nuk mendonin më për luftën, por mendonin për të strehuar e për të shpëtuar kokën. Ata u shpërndanë në atë terren të panjohur, ku të mundnin, si turma pa prijës. Në këtë luftë, prej palës vendase nuk ishin “ca mbeturina reaksioni” siç dëshironte t’i quante propaganda e kuqe, por ishin pothuaj të gjithë ata që mundnin të luftonin. Ishte Kelmendi, me burra e me gra. Ishin të gjithë Vukli e Nikçi, këtë radhë jo “mashkull për shpi”, por “shpi për shpi”, megjithëse pak më e tërhequr; ishte Selca, me heronjtë e saj më të spikatur. Në këtë epope të përgjakshme nuk mungonin gratë luftëtare që dhanë edhe jetën. Pashkë Elezja e Katrinë Nikja, gra të Nikçit, që u vetësakrifikuan kur ranë në dorë të partizanëve, të cilët iu kërkuan t’i çonin drejt shtigjeve që ata nuk i njihnin. Ishte i pamundur përparimi i brigadave partizane në ato drejtime që ata i kishin vënë vetes objektivat. Morali i forcave partizane të rrethuara nga të ftohtit, dëbora e gërxhet e panjohura kishte njohur fundin. Vetëm tre vetë në Pshtan Gjon Sokoli e Zef Nik Marku të Nikçit si dhe Ujk Mash Leka i Selcës mbajtën të gozhduar për 12 orë një batalion të forcave partizane. Ata e kaluan qafën vetëm mbi trupat e tyre të vrarë. Kudo në Brojë, Qafë të Cjapit e gjithkund luginës së Cemit forcat ushtarake hasnin në qëndresën e pashoqe të malësorëve dhe ishin të detyruar të ktheheshin në bazën e nisjes. Do të mbetet gjithmonë në historinë e malësisë akti i tri grave të Selcës: Mri Lucja, Mri Mirukja dhe Make Docja që “kapën” rob një skuadër partizanësh, të cilët edhe pse me armë ishin të dalë jashtë luftimit prej kushteve të vështitra të motit. Veçse ato nuk bënë gjë tjetër, por u prinë dhe i çuan në shtëpitë e tyre për t’i sjellë në jetë. Aty-këtu gjendeshin trupa të ngrirë. Në dy javë e më tepër luftë frontale, forcat, tashmë të “qeverisë së përkohshme”, që kishin sulmuar Kelmendin, kishin shkuar tashmë drejt inekzistencës.

Tashmë nuk mund të fshihej gjendja reale dhe shtabi i divizionit të dytë nuk mund të raportonte më në Tiranë “për gjendjen e shkëlqyer të forcave tona në mësymjen e Kelmendit”. Kelmendi nuk mund të nënshtrohej me 2-3 batalione dhe Mehmet Shehu nuk mund ta drejtonte më operacionin nga Shkodra, ku ishte dislokuar prej ditës që kishte marrë detyrën e komandantit të operaciont kundër Kelmendit. Qëndresa e Kelmendit po rrezikonte seriozisht pushtetin e sapovendosur të komunistëve, i cili edhe pa pasojat e kësaj lufte ishte në curulajë. Rezistenca burrërore e kelmendasve po jepte shpresa për forcat antikomuniste në të gjithë Shqipërinë e Veriut, por edhe për forcat antikomuniste që vepronin jashtë. Qeveria e përkohshme e komunistëve akoma nuk ishte njohur dhe kjo luftë, së paku edhe zgjatja e saj, do t’iu kushtonte shumë në legjimitetin e fitores së komunistëve, të cilët e kishin larë më shumë me gjakun e shqiptarëve këtë fitore sesa me gjakun e ushtarëve pushtues, aq më tepër që Kelmendi nuk ishte i panjohur në kancelaritë e Europës dhe fama e luftës së drejtë të tyre në shekuj i kishte kaluar kufijtë e rajonit. Në luftën e Kelmendit u aktivizuan edhe nacionalistë të tjerë nga Trieshi, Gusia etj., si dhe disa serbo-boshnjakë çetnikë që kishin ikur për të shpëtuar nga hakmarrja e Titos.

Në Kelmend kishte ngecur sharra në gozhdë, bëhen plane të tjera për mësymje të përgjithshme e ndërmerren veprime luftarake në shkallë shumë më të gjerë se sa deri në këto momente. Mehmet Shehu i afrohet Kelmendit, duke u dislokuar në Rapsh të Hotit që të ndiqte luftimet më nga afër. Nga 24 brigada që numëronte ushtria nacional-çlirimtare në vjeshtën e vitit 1944, katër prej tyre morën urdhër për të sulmuar Kelmendin. Edhe pse nga pala tjetër bëhej fjalë vetëm për një batalion forcash, komandanti i operacionit iu shmang luftës frontale. Duhej dredhia, ndryshe realizimi i kësaj detyre ishte i vështirë. Kelmendi tashmë u sulmua nga tre drejtime të ndryshme. Nga Tuzi i Malit të Zi, andej nga nuk e priste askush prej malësorëve, sepse prej asaj ane u kishte ardhur vetëm shkjau. Batalione të tjera do të merrnin rrugën nga Shkreli, nëpërmjet Bogës dhe do të kapërcenin Alpet dhe drejtimi i tretë ishte sërish Rapsha dhe Grabomi, prej nga ishin bërë të gjitha mësymjet e para. Kësisoj, Kelmendi u rrethua dhe u la me gjak.

Ndëshkime mesjetare

Mac Luca, i fundmi i mbetur gjalle sot, nga te ngujuarit ne shpelle me Prek Calin
Është lufta. Është edhe paslufta. Secila ka ligjet e saj. Mund të jesh ushtar në luftë dhe ke vrarë, sepse po të mos vrasësh do të të vrasin, por mund të jesh një rob ose thjesht një civil i paarmatosur pas përfundimit të konfliktit. Me përjashtim të një rasti, ku u kap rob një komandant batalioni dhe pas një gjyqi të improvizuar pa dijeninë e drejtuesit të kelmendasve, Prêk Calit, u pushkatua, malësorët u sollën me dinjitet me robërit, të cilët nuk ishin të paktë gjatë kësaj lufte. Janë plot rastet që partizanët e lodhur e të rënë moralisht të zënë rob nga malësorët i kanë futur në shtëpi, i kanë veshur e mbathur, ngrohur e mbajtur dhe pasi iu kanë mbushur torbën me ushqime janë lënë të lirë të shkojnë andej nga kanë dëshiruar ata, madje edhe i kanë përcjellë. Trupat e gjetur të partizanëve të ngrirë në dëborë janë varrosur me respekt e nderime. Bij nënash, shqiptarë. Por, do të përmbysej ky respekt prej forcave partizane të drejtuar nga njerëz me instikt kanibalisti sapo kelmendasit u mundën. Në këto rreshta përkujtimorë unë nuk do të shkruaj emra që ranë në luftë frontale apo guerile, sepse gjithsesi ata u vranë me armë në dorë. Po të shkruaja emra malësorësh duheshin rreshtuar edhe emrat e partizanëve. Ata që luftonin me njëri-tjetrin në këtë rast nuk ishin armiq, vetëm mendimet e kundërta, për atë kohë që po vinte, i kishin hedhur në anë të ndryshme.

Ndëshkimet që u ndërmorën në hakmarrje të kryengritjes së kelmendasve ishin mesjetare. Me dhjetëra, faj e pa faj, u masakruan, u dogjën të gjallë në kulla, u prenë në fyt si bagëtia, u mbuluan me gurë e dhè për së gjalli, hodhën nga shkëmbinjtë të copëtuar, u mbytën me hunj e pastaj u qëlluan me pushkë të vdekur, u pushkatuan në sy të familjarëve, fëmijëve e nanave.

Dedë Gjon Bajraktarin e Vuklit e djegin të gjallë në shtëpinë e vet, pasi e shkëpusin ashtu të plagosur nga gjiri i nënës dhe nga ledhatimet e fëmijëve të vegjël. Për një javë rresht vinte era e mishit që kanibalët kishin pjekur. Në kullën e Fran Zef Nikçit djegin edhe trimin nga Trieshi, Lukë Tomë Trieshi, i cili banonte në Gusi, por i ishte përgjigjur thirrjes së Kelmendit për luftë. Po kështu bëjnë edhe me Zhukë Tomën. Luc Gjon Bajraktarin bashkë me vojvodën e Vuklit, Luc Gjon Rapukën, e pushkatojnë në Buçë, ashtu siç pushkatuan edhe tre vllezër njëherësh në Brojë: Marash, Ujk dhe Ndue Mark Bikun. Edhe katër vëllezër të tjerë të pushkatuar: Pal, Lekë, Mark e Lulash Vuksani, edhe këta më banim në Gusi. Nikën, djalin e Luc Gjon Bajraktarit, e presin në qafë te varri i komandantit Fejzi Micoli. Të njëjtën gjë bëjnë edhe me Losh Fran Alinë. Edhe serbo-boshnjakut Pero Kolashini i presin fytin me thikë. Fran Zef Bajraktarin e masakrojnë, duke i nxjerrë sytë dhe e mbulojnë me gurë për së gjalli. Ndërsa Shyta Tomë Lucës i rrjepin kryet për së gjalli dhe ashtu e mbulojnë me dhè. Mark Tomë Lucën me të atin, Tomë Luc Prelën, i mbytën në hunj derisa u doli shpirti. Idriz Kadri Muçën, pasi e mbytën e qëlluan me pushkë për së vdekuri dhe Dedë Gjon Dedën e Gusisë e mbytën në Koplik, duke e torturuar. Lazër Dedë Shyti u pushkatua në Godi, në fund të Vermoshit. Lul Mirash Ujka, Preldakaj u pushkatua në Ravinos, bjeshkë e Nikçit. Gjon Locin e pushkatuan në oborr të shtëpisë së tij; Fran Gjokë Lulën, gjoja se po e ulin në Koplik për t’i bërë gjyqin e vrasin në Leqe të Hotit; Marash Vatën e Vermoshit e pushkatuan te kisha e këtij fshati dhe Nikë Lulash Smajli pushkatohet në Gërçar. Nik Mark Ujkën e pushkatojnë në një ditë me Dom Lek Sirdanin. Rrok Zef Gjon Rapukën, nipin e vojvodës, e hodhën copa-copa në She të Noriut dhe Rrok Gjon Rapukën e hodhën nga shkëmbi në vendin e quajtur Shpella e Dhelpnës. Nuk u kursye as Mria e Tomë Dosh Prekës, e cila u pushkatua bashkë me të kunatin Fran Dosh Preka.

U pre në besë legjenda

Maç Luca ishte më i riu prej atyre që në përfundim të luftës u mbyllën për me vdekë në shpellë bashkë me Prêk Calin. Sot është më i vjetri e rrjedhimisht edhe i vetmi i mbetur gjallë, një burrë me moshë mbi 80-vjeçare, por aspak i lodhur për vuajtjet e tmerret që ka kaluar. Kur tregon zërin e ka të plotë, paçka se herë-herë mallëngjimin nuk e nënshtron dot. Lotët i bashkohen poshtë mjekrës.

“Na prenë në besë, - thotë ai, - në besë të Zotit e të fratit. Prek Cali nuk dorëzohej, por as ne që qëndruam me të. Nuk e di as sot se çfarë roli pati Padër David Pici në dorëzanin e besës sonë, por di se ai ishte ndër të vetmit priftërinj që nuk u dënua e as nuk u pushkatua. Bela rastësisht. Prêk Calin në shpellë e mbaj mend të ulur në një çullë. Pinte vazhdimisht duhan. Ishte i lodhun e i plakun vigani. Mbaj mend se pyeste vazhdimisht: “Bac, edhe sa ditë don me ardh data…” Duket se ai e priste një datë, një ditë”, - përfundon së treguari monumenti i gjallë Maç Luca.

Mbase një premtimi që “po të qëndroni e të luftoni Ju Kelmendasit, ne do t’iu ndihmojmë e do të ndërhyjmë”, priste atë ditë që nuk erdhi kurrë. “Kurrë” është, edhe kur vjen vonë. I thonë 45 vjet.

Pushkatimet e Prêk Calit, Dedë Lulash Smajlit etj dhe të ushtarakëve të vërtetë të Kelmendit, Gjek Marash Preka (Selca) e Gjergj Lul Toma e mbyllin këtë urrejtje që nuk e kishin parë ndonjëherë malet e Kelmendit edhe kur atje tentonin të hynin ushtritë pushtuese të huaja.

“U thoni malësorëve të Kelmendit që të mos hanë peshk prej lumit të Cemit për ca kohë, sepse ata janë ushqyer me mishin e kufomave të baballarëve të tyre që unë i kam hedhur nga shkëmbinjtë në këtë lumë”, - do të ngërdheshej kanibali Mehmet Shehu në fund të operacionit. Kështu u mbyll kjo mënxyrë e pashembullt për t’u hapur historia 45-vjeçare e vuajtjeve. Kelmendi do të paguante haraçin e mosnënshtrimit.

Vonë, një kelmendas, i cili ishte gjyshi im, dergjur në shtratin e vdekjes, në fund të vitit 1981, kur i treguan lajmin e radios se, Mehmet Shehu kishte vrarë veten, duke lëvizur me zor buzët foli këto fjalë: “E ka vrarë gjynahi i popullit, - tha, - nuk e ka vrarë veten.”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora