E hene, 29.04.2024, 11:29 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Si u pengue botimi i “Kanunit të Skanderbeut” nga Akademia e Si u botue nga prifti italian?

E premte, 15.02.2008, 02:24 AM


Nga Kolec Çefa

Tradita e pasun juridike, doket e zakonet e virtytet e çmueshme etnike të Shqipnise Qendrore, nën emnin “Kanuni i Skanderbegut” gjetën punëtorin e palodhun, Imzot Frano Illinë, për t’u kthye në visar e vlerë për të gjitha breznitë tona. Imzot Franoja i kushtoi një jetë të tërë mbledhjes, përpunimit, kodifikimit e studimit të kësaj tradite me zell përkushtues e vullnet vetmohues arrijti të bëjë gati për botim “Kanunin e Skanderbegut”. Në fillim gjeti përkrahjen e Rrok Zojzit, i cili e porositi me dashamirësi të lejë çdo punë tjetër e të merret me të, se po na humbë ndër duer. Por, i ndjeri Monsinjor nuk e dinte se shkrimet, letërsia në atë kohë ishin armë e armët jepeshin me leje. Kështu, filloi të kuptojë ngadalë-ngadalë peripecitë e botimit a ma mirë të mosbotimit, e hilet e pengesave që vepra të kishte autor tjetër a bashkautor.
Monsinjori iu drejtue organit ma të naltë shkencor, Akademisë së Shkencave. Po japim ma poshtë letrën:
Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Tiranë
Unë, i nënshkruemi Frano Rrok Illia pranë repartit 302/2 Zejmen (Lezhë), me heqje lirie, Ju drejtohem për sa vijon:
Ndër këto dit lexova në shtyp se do të botohet Korpusi i së drejtës kanunore shqiptare me punime të botueme e të pabotueme të kësaj lande.
Si bashkëpunëtor i jashtëm i sektorit të etnografisë pranë Universitetit të Tiranës kam mbledhë, përpunue e kodifikue simbas kritereve juridike normat kanunore të Shqipnisë Qendrore: Krujë, Mat, Dibër etj. me titullin e njoftun “Kanuni i Skanderbegut”. Ky punim më, vëllim mbi 700 faqe të daktilografueme format mesatar i kje parashtrue në sesion shkencor komisionit të sektorit të etnografisë me të ftuem të jashtëm si Emid Tedeskini etj., tue kenë pranë edhe unë si autor, nën kryesinë e Rrok Zojzit që ishte përgjegjës i atij sektori. Punimi në fjalë ishte në dorën e Rrok Zojzit.
Tashti, unë kërkoj, në bazë të ligjeve në fuqi që, po u botue punimi im, të më njifet autorësia dhe të gjitha të drejtat e autorit, si edhe të më jepet mundësia t’i jap punimit dorën e fundit, gja që e shof shumë të nevojshme dhe të frytshme.
Në pritje të përgjigjës Suej, me nderime
Frano Illia
Zejmen, 5.XI.1985
U përpoq mjaft të merrej vesh, por jo. Atëherë i shkroi Aleks Budës, mbas dy vjetësh shpresash se do të merrte dorëshkrimin për ripunim. Po e riprodhojmë më poshtë:
Shokut Aleks Buda
Unë, i nënshkruemi Frano Illia si bashkëpunëtor i jashtëm i Sektorit të Etnografisë, sot Instituti i Kulturës Popullore kam pasë mbledhë e kodifikue, simbas kritereve juridike “Kanunin e Skanderbegut”, Kanuni i Shqipnisë Qëndrore me volum prej rreth 700 faqesh format mesatar.
Pa e pasë përfundue veprën, u arrestova më 1967 dhe dorëshkrimi më mbet në Arkiv të Institutit Tiranë.
Mbasi u lirova nga burgu me falje 1986, iu drejtova Institutit të më dorëzonte dorëshkrimin për ta përfundue e përmirësue. Dorëshkrimi nuk m’u dha, tue më thanë: “E kemi blerë”! Në të vërtetë, nuk më asht dhanë asnjë shpërblim, si u pranue ma vonë edhe prej nëpunësve të Institutit, prandaj nuk asht ble.
Tashti Ju drejtohem Ju shoku Aleks të ndërhyni që dorëshkrimi të më jepët për ta përfundue e përmirësue dhe ky asht qellimi i vetëm i kërkesës sime.
Kam besim se nuk do të më mohohet një e drejtë e imja si autor. Prandaj mbetem në pritje të përgjigjës Suej të favorshme.
Me shumë nderime
Frano illia
Shkodër, 15.XI.1987
Por etika akademike qe kjo: Asnjë përgjigje, as gojore, as me shkrim; as private, as zyrtare; as pozitive, as negative. Akademia qe tejet e politizueme. Ideja autoritare e djallëzore përhapej nga koka e sekretarit të parë, për t’u realizue nga penda sofistike e akademikut, nga penda servile e shkrimtarit të realizmit socialist e peneli i ngjyrave mashtruese të piktorit. Ajo ide dhunuese e agresive, që urdhënonte persekucion, futi në punë edhe daltën e skulptorit, frymëzoi artistin e skenës e të celuloidit e nxiti lëvizjet himnizuese të baletit të ri socialist. Ajo ide egoiste qe politika e artit e realizimi qe arti politik: një njollë e kuqe në ndërgjegjën kombëtare; një dinjitet i përlyem; një personalitet i shpërbërë. Nëse nuk mund të shkruhej e vërteta, s’duhej të lustrohej gënjeshtra! Por: “S’ka e s’ka si heroizma/ s’ka e s’ka si idealizma/, por kur dimër del behari, s’ka si zjarri. (Noli).
Vërtetë, diktatura s’jepte, as liri shkrimi, as garanci jete. Por edhe po të mos shkrueje për të, nuk të merrej jeta. Levërtia praktike, gradat shkencore e titujt onorifikë lustruen identitetin e diktaturës, miratuen mjetet e metodat e saj. Kështu, ideali shkencor i disa akademikëve gjindej në mendjen e turbullt e vesëligë të diktatorit Edhe arti e shkenca ishin monopol i tij. Rrjedhimisht, disa akademikë u zgjodhën sipas kriterit politik, vepruen sipas vijës politike e u vlerësuen sipas besnikërisë politike. Këtej kemi akademikun a profesor doktorin e kontributit të veprave të shokut Enver, e boshtit politik në shkollë: mësim, punë prodhuese, edukim fiziko-ushtarak, akademikun e gjuhës së njësuar … , e Selam Musait si udhëheqës i Luftës së Vlorës, e Haxhi Qamilit, akademiku i estetikës marksiste-leniniste, i revolucionit kultural dhe ma i miri: Akademiku pa vepra! Për t’u çuditë, akoma sot e gjithëditën, shkrimeve të tyne u vjen era diktaturë. Nostalgji a rehabilitim? Po i japin hapësinë atij arti, për të argëtue nostalgjikët që malli për kohën e shkuar të çlodhet në kujtimet e rizgjuara, që ndjenjat të përkdhelin lavdinë e shtirur për atë art të retushuem që nuk ka të ardhme, që nuk ka përsëritje! Madje diskutojmë, nëse duhen heqë realizimet e artit socialist, në mes të kryeqytetit. Homazh i artit të diktaturës. Homazh i trishtueshëm, zhgënjyes, absurd.
Edhe Institutit të Kulturës Popullore i ka dërgue dy letra. Me vështirësi ka marrë përgjigjën “e kemi blerë”, pa u tregue nga kush asht ble, sa qe çmimi, ndonjë dokument blerjeje. Ndërsa autori nguli kambë se do të kërkoj të drejtat e autorit! I dërgoi letër edhe kryeministrit, shokut Adil Çarçani, tue tregue odisenë e kërkesës për botim. Kryeministri iu përgjigj: “Letrën ia kemi përcjellur Ministrisë së Arsimit e Kulturës për kompetencë e përgjigje”. Në të vërtetë, filluan fjalët e sheqerosuna, por realiteti i hidhur. Atëherë i shkroi shokut Ramiz Alia.
Shokut Ramiz Alia, Sekretar i Parë i K.Q. të P.P.SH.
Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të R.P.S.SH.
Unë, i nënshkruari Frano Illia Ju drejtohem për sa vijon: Si bashkëpunëtor i jashtëm i Sektorit të Etnografisë, sot Instituti i Kulturës Popullore, kam mbledhur, përpunuar e kodifikuar mbas kritereve juridike “Kanunin e Skanderbegut”, kanuni i Shqipnisë Qendrore: Dibër, Mat, Krujë etj. mbi 700 faqe të daktilografuara format mesatar.
Në vjeshtën e vitit 1967 punimi i naltpermendur iu parashtrua komisionit të sektorit të etnografisë me të ftuar juristë të jashtëm, si: Emid Tedeskini, Vangjel Meksi. Ky komision, mbasi bëri vërejtjet e sugjerimet e veta, dha mendimin që punimi të botohej. Ndersa ishem duke zbatuar vërejtjet e sugjerimet, u arrestova dhe punimi i papërfunduar kje depozituar për t’u ruajtur në Arkiv të Sektorit. Me dekret të posaçëm numër 7029, datë 9.IV.1986 të Presidiumit të Kuvendit Popullor të R.P.S.SH. m’u fal dënimi i mbetur.
Më 21.V.1986 iu drejtova Institutit të Kulturës Popullore që të ma kthente punimin për ta përfunduar e përmirësuar. Më 28.V.1986 Instituti m’u përgjigj negativishht, duke thenë: “E kemi blerë”. Më datën 2.XII.1986 iu drejtova kryeministrit sh.Adil Çarçanit, i cili më 26.XI.1986 m’u përgjigj se letrën time ia kishte përcjellë ministrisë së arsimit e kulturës për kompetencë e përgjigje.
Më 6 mars 1987 më takuan dy përgjegjësa të Institutit, njeri ndër ta Abaz Dojaka me të cilin njifesha në Sektor. Ata gojarisht m’u përgjigjën: 1. Të njifet autorësia. 2. Punimi nuk të është paguar. 3. Punimi është depozituar në Arkiv të Institutit të Kulturës Popullore për t’u ruajtur. 4. Do të jepet për t’i dhënë shikimin e fundit, kur të caktohet për botim nga Akademia. Mbas insistimit tim që punimi të më dorëzohej tani për ta përfunduar e përsosur, meqë edhe në moshën 70 vjeçare, më thanë: “Do të mendojmë”.
Atëherë e sot, megjithëse ia kam kërkuar edhe ndonjë herë tjetër, asnjë përgjigje, as pozitive, as negative
Mbasi trokita kot në të gjitha dyert e mundshme, nuk më mbetet tjetër, veçse t’Ju drejtohem Ju, si autoritetit më të lartë, duke kërkuar punimin tim si kërkon prindi fëmijën e vet. Kam besim Sh.Ramiz që lutjen time, që mua më duket krejt e arsyeshme dhe e ligjshme, ta merrni parasysh dhe me këtë mbes i nënshkruar, me shumë nderime
Frano Illia
Shkoder, 9.VI.1987
Si perfundim: Prifti italian Dom Mikel Braga, sot famullitar në Juban, në fshatin e lindjes së Monsinjorit, bani një fushatë ndihme në Breshia dhe e botoi “Kanunin e Skanderbegut”.

Shenim: Letrat e masiperme, dhurue nga autori, janë në arkivëzen time!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora