Shtesë » Historia
Kur themelohej PD-ja
E merkure, 19.12.2007, 10:11 PM
Dy dokumenta autentike për historinë e partisë së parë opozitare në Shqipëri, urdhëri i ministrit komunist të drejtësisë që legalizonte krijimin e PD-së dhe lista me anëtarët themelues të saj. MAPO tregon emrat e njerëzve, të njohur dhe të panjohur sot, që ju dërguan atëherë autoriteteve komuniste. Si firmoste Berisha, Meksi, Hajdari, Pashko e të tjerët
Shkruan Lorenc Vangjeli
Një nga mbetjemendjet më të mëdha të Enver Hoxhës, siç dëshmon dhe vetë në kujtimet e tij, ka qenë humbja e gjithë dokumentave sekrete të themelimit të Partisë së tij Komuniste. Po sipas dëshmive të tij, arka me materiale ku ndodhej struktura organizative e PKSH, procesverbalet e mbledhjeve, programi minimal dhe maksimal i saj, por dhe emrat e personave më të rëndësishëm të saj, ra në dorë të pushtuesve fashistë vetëm disa muaj pas nëntorit 1941. Hoxha pohon se nëse në atë kohë, shqetësimi i tyre ishte për valën e arresteve të komunistëve që pasoi zbulimin e tyre, ndërsa më pas, edhe keqardhja për atë dëshmi historike të pazëvendësueshme. Fati i asaj arke me dokumenta është krejt i panjohur edhe tani, kur ato do të kishin një vlerë të posaçme jo vetëm për kuriozitete historike. Pak kush e di, se pothuaj i njëjti fat, por për krejt të tjera arsye, ka ndodhur dhe me materialet më të rëndësishme të partisë së parë opozitare në Shqipëri, asaj demokratike. Nëse në rastin e parë, “fajtori” ishte pushtuesi italian, në të dytin, neglizhenca tipike shqiptare në fiksimin e momenteve historike, por ndoshta dhe ndrojtja dhe frika nga kompromentimi. Pushteti komunist, ndonëse në grahmat e tij të fundit, vazhdonte të lëshonte një hije të rëndë frike dhe ankthi për kundërshtarët e tij. Përveç disa pamjeve të shkëputura filmike, një procesverbali të mbledhjeve të para të PD-së, programit të saj të shkruar fillimisht me dorë dhe disa materialeve të tjera të dorës së dytë, pak, për të mos thënë aspak nuk ka mbetur për të dokumentuar atë periudhë të nxehtë, kur edhe vetë ngjarjet e kishin të pamundur të arrinin rrokullisjen e shpejtë të ngjarjeve. Revista MAPO ka mundur të sigurojë dy dokumente të papublikuara më parë, urdhërin e ministrit të drejtësisë së kohës për legalizimin e PD-së dhe listën shumëemërore të anëtarëve themelues të saj. Të tjera dokumenta mësohet se ndodhen në arkiva private dhe pritet që të shohin dritën e botimit në një periudhë të afërt.
Legalizimi
“Pasi u njoha me këto materiale, konstatova se ato janë në pajtim me Kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe me dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor “Për krijimin e organizatave dhe shoqatave politike. Prandaj, në bazë të nenit 6 të dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, numër 7442, datë 17 dhjetor 1990, urdhëroj: Miratimin e kërkesës për formimin e Partisë Demokratike, regjistrimin e saj në librin përkatës dhe depozitimin e akteve në arkivin e kësaj ministrie”.
Ky tekst është firmosur në datën 19 dhjetor të vitit 1990 nga ish-ministri i fundit i drejtësisë së qeverisë komuniste të drejtuar nga Adil Çarçani, Enver Halili. Një faqe e vetme formati A4, i shtypur me makinë shkrimi, shënoi kështu aktin formal të lindjes zyrtare të së parës parti politike opozitare në Shqipëri. Kjo gjë ndodhi vetëm dy ditë mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor të asaj kohe, lejoi atë çka nuk mund ta ndalonte më pas dhe që në fakt e ndalonte edhe vetë kushtetuta e vendit, të cilës i referohej. Dokumenti i rrallë është vënë në dispozicion të revistës MAPO dhe publikohet për herë të parë në përvjetorin e shtatëmbëdhjetë të krijimit të PD-së. Sipas këtij dokumenti, bëhet e ditur se në Ministrinë e Drejtësisë, që kishte vetëm pak muaj që ishte rikrijuar si pjesë e kabinetit qeveritar dhe pjesë e koncesioneve të njëpasnjëshme politike që po bënte diktatura në ato kohë, grupi organizues për formimin e partisë demokratike kishte paraqitur kërkesën zyrtare për miratim duke bashkangjitur dhe programin dhe dokumentacion tjetër shoqërues. Urdhëri i ministrit në vulën e të cilit dallohet qartë mbishkrimi “Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë”, ishte hapi i parë që do ta bënte Shqipërinë të mos ishte më as Popullore dhe as Socialiste. Ai hynte në fuqi menjëherë duke legalizuar krijimin e PD-së, ndërsa një kopje e tij, shënohet se i vihej në dispozicion edhe kësaj partie, mbas regjistrimit të saj në arkivin e ministrisë së drejtësisë.
Anëtarët themelues
Në arkiv ndodhen dhe listat me rreth 320 emra të anëtarëve themelues të PD-së; sipas dekretit të kryesisë së kuvendit të atëhershëm, kërkesa për legalizim të partive të reja politike, duhej të shoqërohej patjetër edhe me një listë të tillë. Janë rreth 18 faqe të shkruara me dorë në fletë të numerotuara. Vetë faqet janë prodhuar me shaptilograf dhe përmbajnë listën emërore të anëtarëve të parë të PD-së. Historia ishte e thjeshtë, ajo që ishte marrë tashmë në rrugë, duhej të legalizohej. Në datën 12 dhjetor, grupi organizativ i PD-së, bashkë me dy – tre të tjerë që nuk përfshiheshin në të, përgatitën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm që duhej për t´u paraqitur në Ministrinë e Drejtësisë. Deri në këtë moment, partia që pritej të krijohej nuk kishte ende një emër konkret dhe hezitohej të zgjidhej mes emrave Lëvizje, Union, Lidhje, të gjithë të shoqëruar me prapashtesën “demokratike”. U vendos të cilësohej me emrin parti për shkak se të tillë e brohoritën qytetarët e Tiranës, në një nga mitingjet e para në Qytetin Studenti, pikërisht në natën kur studentët ktheheshin nga takimi me ish-Presidentin Alia. Aleksandër Meksi dhe Gramoz Pashko, ishin ata që insistuan më shumë që lëvizja e re politike që pritej të krijohej të cilësohej partia demokratike.
Në dy faqet e para janë shënuar emrat e firmëtarëve më të rëndësishëm, sipas një hierarkie të brishtë të vendosur në ato ditë kur pikërisht hierarki të tilla ndërtoheshin dhe prisheshin me shpejtësi marramendëse. Megjithatë, bie në sy, se një pjesë e madhe e tyre, sidomos ata që gjenden në dy faqet e para të listës, janë individët që i kanë dhënë fizionominë e tyre vetë PD-së. Me numrin e parë rendor ishte ai që do të bëhej më pas dy herë kryeministri i PD-së Aleksandër Meksi, ndërsa numri i dytë i listës zihet nga emri i Sali Berishës, dy herë president i republikës dhe aktualisht kryeministër. Në vend të tretë dhe të katërt, ndodhet Azem Hajdari dhe Gramoz Pashko, të dy kanë humbur jetën, i pari në një atentat në Tiranë në shtator 1998 dhe i dyti në një aksident në verën e tetë viteve më pas. Në faqen e paër të listës dallohen emrat e politikanëve Arben Imami, Genc Ruli, Preç Zogaj, Genc Pollo, Eduard Selami, Arben Demeti, Arben Meçe, si dhe të studentëve Shinasi Rama, Arben Lika, Blendi Gonxhe, Tefalin Malshyti. Të gjithë firmëtarët, sipas një rregulli që e kishin vendosur vetë, kanë shkruar me dorën e tyre atësinë dhe kanë firmosur. Në pjesën më të madhe të saj, lista është e shoqëruar dhe me numrin identifikues të letërnjoftimit. Berisha nuk e ka të shënuar një detaj të tillë.
Interesante është të kujtohet se lista, në atë kohë, u firmos me shpejtësi deri në numrin rendor 150 dhe më pas pati probleme të mëdha për të gjetur dhe 150 emrat e tjerë. Sipas lajmit gojor që qarkulloi në ato kohë në Tiranë, njëkohësisht me përpjekjet për mbylljen e kësaj liste, thuhej se ish-presidenti i vendit i kishte cilësuar firmëtarët si agjentë të të huajve, fashistë dhe elementin më të rrezikshëm në vend. Këto fjalë i atribuoheshin Alisë në mbledhjen me kuadrot partiakë të Tiranës, në një fjalim të pabotuar kurrë, por që ishin të mjafta për të rikthyer frikën se një listë e tillë mund të shërbente dhe për represion ndaj firmëtarëve. Shumica e emrave në lista u siguruan nga studentët, në konvikte, por dhe në disa qëndra pune që ndjeheshin më pranë asaj lëvizje, nga dy veprimtarë të PD-së, sot që të dy kryetarë të dy partive politike.