Shtesë » Historia
Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ju lutem, me lini te vdes!
E premte, 14.12.2007, 11:41 PM
Kur ushtarët e sollën H.N. në spitalin ushtarak, ajo ishte në mes jetës dhe vdekjes. Ndonëse mjekët ushtarakë nuk dinin si ta ndihmonin, pasiqë ajo ishte e dhunuar, ata ftuan një mjeke femër që ishte në zonën tjetër. E tëra ç`po bënìn ata ishte se po i jepnin gjak, ndonëse gjaku nga plagët vazhdonte t'i rridhte. Mjekët donin ta shpëtonin me çdo kusht. Kur erdhi mjekja, ndonëse gjinekologe e padiplomuar, vendosi që, edhe në ato kushte çfarë ishin, ta bënte intervenimin kirurgjik. Mjekja tjetër ndërkaq, gjinekologe e diplomuar, kur i pa plagët e vajzës, i tha: "mos e mundo, lëre të vdes. E sheh se kanë filluar t'i dalin organet jashtë, unë nuk do t'i hyja një pune të tillë". Mjekja e re, e shqetësuar, fshiu djersët dhe iu drejtua koleges: "Do t'më ndihmosh apo jo". "Unë mendoj se është rrezik, ajo mund të vdesë", foli prapë mjekja. Por, megjithatë, filloi të përgatitet. "Ajo edhe ashtu do të vdesë, nëse nuk qepet shumë shpejtë, prandaj, të lutëm më ndihmo, mos të humbim kohë", - foli mjekja e re e cila kërkoi ndihmën nga infermieret. Të gjithë në atë zonë tani ishin të informuar për atë që po ndodhte! Mjekja e re ishte mike gati me të gjithë, por ajo që e bënte të çmohej me tepër nga të gjithë ishte këmbëngulësia e saj. Minutat ishin të gjata, jo vetëm për H.N. por edhe për mjeken, edhe për ndihmësit... Më e rënda ishte se kur po mbushej një orë punë në atë sallë operacioni, mbi atë zonë filluan granatimet. Tani mund të vinte ndonjë i plagosur! Salla e vetme ndërkaq, ishte e zënë. Granatimet vazhdonin, kurse ushtarët filluan mbrojtjen. Dy granata ranë në afërsi të spitalit. Mjekja e re për një moment u tremb, por prapë vazhdoi punën. Çdo sekondë ishte luftë në shumë fronte për te dhe për të tjerët. Ajo pa se mitra e vajzës ishte e shqyer dhe se në organet gjenitale i kishin futur rërë, andaj vështirë e kishte ta qepte, pa e pastruar mirë çdo pjesë të plagës. Kur e përfundoi qepjen e brendshme, asaj iu duk se puna përfundoi, por po aq u shqetësua kur pa se edhe në stomak kishte një plagë tjetër. Ndonëse e shqetësuar, mjekja përfundoi punën me sukses. Ajo edhe pas operacionit nuk doli nga aty. Vazhdoi t'i qëndronte te koka. Pasi e vështroi disa minuta, mjekja e re prapë e zbuloi trupin e saj dhe filloi t'ia pastronte plagët e tjera. Ajo filloi nga këmbët e gërvishura, pastaj u ndal në gjoks, ku në mes të dy gjinjëve kishte të vizatuar, me maje thike, kryqin serb, dhe kur po pastronte aty, vërejti një copë xhami. E hoqi me kujdes, e pastroi mirë dhe i vuri sipër një fashë. Pastaj prapë ia mbuloi trupin. Dhe, kur në ditarin e saj filloi të shkruante diçka, H.N., me gjithë zërin e humbur, filloi të gjëmonte. "Mos lëviz, të lutem, je e operuar!", - i tha mjekja e re, e cila nuk e ndante shikimin e trishtuar nga sytë e saj të zverdhur. "Pse?", - pyeti ajo dhe dy lot i ranë nga sytë. "ke qenë në rrezik, por tani gjithçka ka përfunduar. Të duhet forca, ndaj të lutem, mos u mundo t'i kujtosh gjërat që të kanë lënduar, tani vetëm mbylli sytë dhe përpiqu të pushosh", - i foli mjekja, duke menduar se ajo nuk e dinte që ishte operuar. "Pse ma bëre këtë, pse më shpëtove? Të lutëm më le të vdes! Të lutem, ma bëj këtë shërbim! Te lutëm…", - i tha ajo dhe lotët vazhdonin t'i binin në flokë, e buza i dridhej pandërprerë.
Dëgjo: mos mendo por vetëm pusho tani! i tha mjekja, ndërsa ajo, duke kafshuar buzën, tundi kokën në shenjë mohimi.
Nga Libri i Luljeta Selimit ''Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë”