E diele, 28.04.2024, 07:34 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Më shpëtoi shiu që binte rrëmbyeshëm

E shtune, 15.12.2007, 12:21 AM


Shtatëmbëdhjetë vjeçarja R.S. e cila është nga rrethi i Obiliqit, ndonëse nuk e ngriste kokën, plagët që i kishin mbetur në fytyrë nga të prerat e thikave nuk mund t’i fshehte dot. Ato prerje në fytyrë, jo vetëm atë, por çdo gjë rreth saj, sikur e bënin më të mjerë dhe më të merzitur. Ajo, e mërzitur shtrëngonte duartë, kurse dridhjet që i shfaqeshin në trup ia ndalnin fjalët. Edhepse dridhjet po i bëheshin gjithnjë e më të papërmbajtura, ajo mblodhi forcën e fundit, kafshoi buzën dhe tha: “ Rrethina e Obiliqit e ndjeu luftën menjëherë pas masakrës së Prekazit. Meqë nuk kishim mundësi të shkonim në ndonjë vend më të sigurtë qëndruam në shtëpi. Kishte ditë që vetëm prisnim radhën, kur do të na futej policia në shtëpi. Çdo ditë kalonin tanke dhe mjete të tjera luftarake. Ata, kur pësonin humbje rrugës bënin gjithçka: vrisinin, kidnaponin, dhunonin dhe krejt çka u tekej. Të gjithë banorët e vendbanimeve buzë magjistrales Prishtinë - Mitrovicë ishin shumë të frikësuar, edhe ne poashtu. Nga granatimet që bëheshin përreth, shpesh nuk mund ta bënim asnjë sy gjumë, e as të fusnim bukë në gojë. Disa ditë para se të fillonin bombardimet, shkuam në një fshat më tej, andej kah zona e Llapit. Atje kishte pasur më tepër se dhjetë mijë banorë . Kur filluan bombardimet atje numri u rrit edhe më shumë, nuk dihej çfarë po ndodhte. Nga të gjitha anët ishim të rrethuar. Shtëpitë e fshtatit Barilevë, ishin shumë të vogla për t’i pranuar të gjithë ata njerëz, ndaj ditë e natë qëndronim vetëm ulur, nuk kemi pasur mundësi që asnjë natë të shtrihemi dhe të flejmë. Por, edhe po të kishim vend ndonjë i rritur vështirë do të fuste gjumë në sy. Të gjithë prisnim të pashpresë, të gjithë shikonim kah fëmijët dhe ndonëse askush nuk thoshte asgjë me gojë, të gjithë e shqiptonin vetëm një fjalë me vete: “Sikur të na shpëtonin fëmijët”. Dhe erdhi dita të cilës iu druam aq shumë. Bishat serbe arritën në fshat. Së pari na i morën të gjithëve stolitë earit dhe paratë e pastaj filluan t’i ndajnë burrat nga gratë. Para syve ma vranë vëllanë, sepse nuk kishte asgjë të vlefshme t’ju jipte policëve të tërbuar. Unë vrapova drejt vëllaut, i cili më shikoi sikur deshi të më thoshte diçka, dhe ai, i mbylli sytë përgjithmonë. Kraharorin ia kishin marrë disa plumba, këmisha iu skuq shpejt nga gjaku, kurse unë shtrëngoja grushtat dhe mallëkoja nepër dhëmbë e pafuqishme. Nuk di si nuk më pëlciti zemra në ato momente. Një nga policët më tërhoqi për flokëve dhe më largoi nga kraharori i vëllait. Nga aty na drejtuan për në Prishtinë. O zot, si ndjehej motra e cila po braktiste trupin e vëllait të pavarrosur, dhe si do ta donte ajo jetën kur ia vranë vëllaun para syve. “Më mirë do ta kishte po të shkonte ushtar”- foli nëna nepër dhëmbë dhe vazhdoi rrugën duke e tërhequr për dore motrën e vogël. Ajo nuk e këtheu kokën më as kah unë. Për krahu më mori një grua e atij fshati, por hapat e mij sa ecja e bëheshin më të vegjël. E di që në një moment, dikush më dha një pikë ujë dhe sikur u këndella pak, por ajo këndellje më ndihmoi shumë pak.
Në hyrje të Prishtinës kishte dalë grupi tjetër i policëve. Ata, këtë herë, nga kolona ndanin vetëm femrat. Aty më ndanë edhe mua. Gruaja që më mbante për krahu kur po më ndanin më këshilloi: “Bëhu gjakftohtë, mos iu trego se ta vranë vëllanë”.Dhe kur kolona po ikte një nga policët më lidhi dhe më dërgoi në një nga shtëpitë e afërta buzë rrugës. Kur më solli aty, e luta të mi zgjidhte duartë, por ai vetëm më shikoi dhe më përplasi për tokë. Në mbrëmje një tjetër më mori me veturë dhe më dërgoi në pjesën tjetër të Prishtinës. Aty kishin qenë edhe tre policë të tjerë. Njëri nga ata, sa arritëm aty filloi të më zhvishte. I kisha duartë e lidhura. Vaji dhe lutja ime nuk iu bënte as përshtypje. Më ç’nderuan dy dhe i treti u afrua dhe filloi të ma presë fytyrën, si të isha djath e jo njeri. Gjaku i nxehtë rridhte vrullshëm në flokët e mi, dhe unë i lutesha zotit që ai mos të ndalej por të rridhte sa më shumë, që të vdisja sa më parë. Por, atëherë kur unë mendova se atyre nuk iu duhesha më, njëri nga ata u sul mbi mua dhe përveç se më ç’nderonte, lëpinte gjakun tim, dhe u thoshte shokëve:
“Ja unë po pi gjak shqiptari”. Vetëm Zoti mund të di edhe sa kohë ata do të loznin me mua, sikur mos të fillonte një shi i rrëmbyeshëm. Ikën ata dhe unë mbeta gjallë. Sot, edhe po të përpiqem ti këthehem jetës, e di që çdonjëri që me njeh e di të vërtetën. E unë sa herë e prek fytyrën time , kujtimet e hidhura më rishfaqën, dhe jeta ime bëhet e pavlerë”.

Nga Libri i Luljeta Selimit ''Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora