E shtune, 27.04.2024, 04:25 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Do të doja të harroja çdo gjë

E shtune, 15.12.2007, 12:24 AM


H.G nga Prishtina duke fshier lotët, me trupin që i dridhej si purtek, duke shtrënguar duartë dhe duke shikuar herë kah vajza e herë kah dritarja filloi rrëfimin e vetë të dhembshëm:“ Prishtina gjatë bombardimeve, për herë të parë po e përjetonte luftën. Kur filluan ushtria, policia dhe paramilitarët t’i nxjerrnin njerëzit nga shtëpitë e tyre vetëm atëherë ua besova vatrave të luftës që ishte ndezur gjithandej Kosovës. Unë vetë, nuk ia kisha hapur askujt derën, dhe kur na nxorën jashtë s'kisha forcë të trokas askund. Dhe, nuk thuhet kot në popull se nuk ia beson kurrë i ngopuri të uriturit. Mbahesha si intelektuale dhe isha lidhur ngushtë me ata që ishin kundër luftës sepse ishim mësuar që të tjerët të vriten në demonstrata, të tjerët të dalin në protesta, të tjerët të vuajnë e shpresonim se do të mund të fitonim në kurriz të të tjerëve!!! Kur na nxorën dhe dëbuan nga shtëpija dhe ma morën burrin, e dëgjova kur e mallkoi vetën që nuk kishte shkuar t’i bashkohej UÇK-së, dhe kur po e futnin në veturë me zërin gjithë vaj tha: “Nuk e meritoj as të qahëm sepse unë nuk po vdes si trim, si trimat me pushkë në dorë, por si një qyqar, si një i marrë që nuk e përkrahu luftën Çlirimtare të popullit të vet. E di se kur po nisej vetura, vajza filloi të qante me zë. Nga shtëpitë e tyre i përzunë edhe fqinjët tanë. Edhe disa shtëpi të tjera i kontrolluan dhe pasi i morën meshkujtë, neve, të gjitha femrave, na dërguan në shkollën fillore "Naim Frashëri" . Ishim diku rreth 20 femra, dhe kryesisht të reja. Dy që ishin mbi 40 vjet i vranë menjëherë! E vranë poashtu edhe një plak tjetër. Natën e parë nuk erdhi askush, kurse të nesërmen në mëngjes erdhën dhe na zhveshën lakuriq të gjithave. Dy vajza të reja i morën dhe ne nuk dinim asgjë çka po ndodhte. Ato nuk u këthyen kurrë
më. Të nesërmen erdhën disa ushtarë dhe morën shtatë nga ato që u pëlqyen. Nuk e kuptoj se si nuk më plasi zemra kur ma morën vajzën. E sollën pas pesë orësh të tërën të përgjakur. E kishin dhunuar, ia kishin prerë trupin në disa vende dhe më tha me gjysëm zëri:
“Të lutem nënë merre një karrige dhe ma mësho në kokë që të vdes dhe të mos ndjehem kështu e poshtëruar, të lutem...” Klitha e qava por askush as që na dëgjonte, dhe askush as që donte të dinte për ne. Dy ditë më vonë i morën edhe disa të tjera dhe nuk i këthyen më. Të nesërmen më morën bashkë me vajzën time… Dhe njëri më ç’nderonte mua e tjetri vajzën time. O zot, sa të pafuqishme që ishim! Vetëm atëherë e pashë pse vajza ime e dëshironte aq shumë vdekjen. Nuk më kujtohet çka ndodhte me mua, e kisha hallin e vajzës, dhe kur provova ti mëshoj njërit, më la nuk më ç’nderonte më, por më lidhi dhe filloi të mi hiqte thonjtë me dana të rrymës. Vajzën time e këthyen në dhomën ku na kishin
lënë, kurse mua më detyronin ti shiqoja të gjitha femrat që po i dhunonin me radhë. E di se ishin më shumë se njëzet. Kaluan disa ditë e unë qëndroja e lidhur dhe pa futur gjë në gojë, bile as ujë. Disa ditë më vonë më hodhën në një bodrum bashkë me gjashtë gra të tjera të moshës sime, kurse vajzat e reja i ç’nderonin çdo ditë. Veç zoti e di sa kam qarë, bërtitur e vuajtur ato ditë sa isha aty tek po i dhunonin vajzat e reja! E unë, detyrohesha ti shiqoja përpelitjet e atyre trupave të njomë, dhe ti dëgjoja vaje, klithjet dhe britmat e tyre plotë dhembje! E ndaja dhembjen me to se më dhimbëte shpirti im i plagosur. O zot, si nuk po çmendej njeriu kur po përjetonte aq gjëra të tmerrshme? Kush thotë se njeriu çmendet nga tmerri? Kush thotë se njeriu vdes nga dhembja? Nëse zoti ka thënë se njeriu duhet të jetoj ai jeton pa marrë parasysh se çka ndodhë me të, vetëm tani e di fuqinë e zotit, vetëm tani e di se çka ndodhë kur ai ka thënë se ti duhet të jesh viktimë. Apo ndoshta zoti e ka humbur fuqinë mbi njerëzit, djalli i quajtur shka e mori Kosovën në dorën e vetë dhe bënte çdo gjë që donte në ato pjesë të saj ku nuk ishin djemtë e UÇK-së. E di se tani nuk kam të drejtë as ti përmendi, sepse unë dhe familja ime nuk bëmë asgjë për ta, por po të mos shpresoja se ata djem do ti thenin forcat serbe s'do të isha sot, s'do të mund të ishin as ato femra që aty torturoheshin çdo ditë nga bishat që nuk ngopeshin gjak shqiptari. Kur më së shumti lëndoheshim dhe torturoheshim i thonim njera tjetrës për ngushllim, zoti asnjë tokë nuk e le pa shpëtimtarë ndaj edhe Kosova i ka djemtë që i morën pushkët për atdheun dhe do ti dalin zot. Ndonjëherë deshironim që të mos vdisnim të gjitha që dikush nga ne të mbetej e gjallë që nesër do të mund të rrëfente për këtë që ka ndodhur. Kur më ç’nderonin serbët i kamë mallkuar edhe djemtë e mij të cilët vetë i dërgova në perëndim që ti shpëtoj! I mallkoja pse ata nuk më kundërshtuan dhe t’i marrin pushkët e t’i dalin zot atdheut. Edhe sot do të ta thoja emrin dhe mbiemrin e plotë për opinionin e gjërë dhe për njerëzit, sikur të mos i kisha djemtë që do të ndjeheshin të vrarë për së gjalli për atë që u kishte ndodhur nënës dhe motrës së tyre. Kur u këthye djali i madh në një mëngjes më tha: “ Nënë, edhe që ju kanë burgosur, rrahur e torturuar, është më lehtë, pasi i keni shpëtuar dhunimit”, Unë menjëherë u alivanosa. Ai, ndërkaq, as sot nuk e di se jemi të dhunuara që të dyja. Ai mendon se unë mërzitem për burrin e vrarë dhe nuk e di të vërtetën se çka ka ndodhur me ne. Nganjëherë dëshiroj të harroj çdo gjë që ka ndodhur! Por, a do t’ia dija vlerën lirisë sikur t’i harroja këto të zeza? E di se edhe shumë kohë do të më mundojnë përjetimet e hidhura që na i shkaktuan barbarët e Millosheviqit, por nuk dua të vdes sepse do të dëshiroja që ta shihja pavarësinë e Kosovës! Dhe vetëm atëherë, do të vdisja e qetë, sepse do të sigurohesha se nipat dhe mbesat s'do t’i vrasin as dhunojnë kurrë më barbarët serbë...

Nga Libri i Luljeta Selimit ''Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ecja në vdekjen e paralajmëruar Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ju e gëzofshi lirinë, mua më mbetet t’i qajë plagët Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Caku i policëve ishte bunari i axhës!!! Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Më shpëtoi shiu që binte rrëmbyeshëm Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Atë ditë qante edhe Prishtina Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ajo do të mbetet e çmendur pëgjithmonë Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Më braktisi mua dhe fëmijët Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Rrëfimi i vogëlushes nga Dukagjini Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Ankthi që nuk po përfundon Rrefimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë - Cilat janë shifrat e vrasjeve dhe dhunimeve? Shqiptarët, në historinë mijëvjeçare Si u ngrit propaganda komuniste në luftën e egër kundër besimeve fetare Një studiues korçar përmes Mirditës në dimrin e 1930-s “Çamët u masakruan, u përzunë dhe më pas ua grabitën pasuritë” Masakrat. Historia më se 160-vjeçare e barbarizmave sllave ndaj shqiptarëve Skënderbeu duhet ri-interpretuar Kujtime nga Lufta e Drenicës në Vitin 1945 Ismail Qemali firmosi ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri “Klonimi”, sundimi dhe “fluturimi” i mbretit Zog në arrati Dosja e zezë e Greqisë, 1912-2007

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora