E hene, 29.04.2024, 05:25 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

At Zef Pllumi: Dhuna bahet pushtet

E diele, 06.04.2008, 03:43 PM


At Zef Pllumi
At Zef Pllumi

Fragmente nga libri ''Rrno vetëm për me tregue'' 

„DHUNA BAHET PUSHTET

Dhuna tiranike e quejtun „proletare“, e ushtrueme ditë e natë, gjithkund e pa pushim, pa dallue fshat, as qytet, e  shoqnueme me britmat e slloganet papagale dhe torturat çnjerëzore, me rrenat e kacarrenat e njerzve servile o t’paguem:  mbas gjithë atyne pushkatimeve të përgjakshme, burgimeve e shpërnguljeve të dhunshme masive, ia duelën me e përkulë  popullin e lire të Shqipnisë dhe kështu dhuna partizane ia duel me u ba Qeveri.
Me 9 maj 1945 ra Gjermania. Erdhi urdhni për me u ra të gjitha kumboneve. Për botën duhej t’ishte gezim i madh. Por nuk kje  për ne. Fitues kishte dalë Stalini. Atij i këndohej ndër të gjitha rrugat nga grupet e reparteve partizane.

“Bijt e Stalinit jemi ne,
që çlirojme botën anë e m’anë,
e do t’valoje përmbi dhe
flamuri i kuq, flamuri partizan.“

Mbas darke, siç mblidheshim, tue folë për ngjarjet e ditës njani tha: ndigjoni fjalët e kangës: aman, sa shumë djelmët i  paska ky Stalini në kët dhenë tonë!
Lene ma – iu përgjegj nji plak – se këtu pat djelm baba Sulltani e kushdo që të na sundojë na e thrrasim babë o xhajë. Por  kjo luftë që mbaroi sa do të zgjasi pa fillue nji tjetër: ajo e treta!
- Pse po interesohesh ti? Sikur t’ishin këta të rijt hajde de, por ti?...Para njizet vjetësh sigurisht që jo.
- Un – tha – mendoj që Çurçilli nuk ka si e duron Stalinin që ka zaptue gjysën e Europës, prandej së shpejti anglezët e  rusët do të jenë në luftë.
- Anglia ka paktin njizetvjeçar të miqsisë me Bashkimin Sovjetik dhe ajo i mban paktet se e zen lepurin me qerre.
- Nuk asht pune paktesh – tha nji tjetër – por Çurçilli vetë për me shkatrrue Gjermaninë ja u ka shitë Europën me gjithë  kolonitë biznesmenëve të Amerikës e gjysën tjetër Rusve. Gjatë historisë shofim se shumë ngjarje të mëdha të politikës i  cakton vetëm trilli personal i udhëheqsave. Me këtë rasë ky i gëzohet vetëm titullit të naltë: “Strategu politik i luftës  së dytë botnore” pamvarsisht se gjysën e Europës e ka hjedhë në skllavni e gjysën tjetër copë e zhel në rrugë të madhe me  lypë nji copë bukë prej jankive.
- Ai që ban, din çka ban – tha plaku. – Un mendoj që ai bashkë me Amerikën nuk kanë me e lanë gjatë komunizmin në Europë.
- Po ti, Pater Gjon – pyeti nji tjetër, - çka mendon.
- Un ndryshoj – tha At Gjon Shllaku. – Kjo luftë asht ba për me i sjellë botës nji epokë të re, atë të “Kombeve të  Bashkueme”. Karta e Kasablankës na çon te nji bashkpunim i të gjitha kombeve.
- Ajo nuk asht gja tjetër, por nji version i ri i Lidhjes së Kombeve të presidentit Uilson: ajo ma shum e nxit luftën se e  kundërshton.
- Kjo lufta e dytë – tha At Gjoni – u ba luftë ideologjike. Në njanën anë demokracitë kapitaliste bashkë me komunizmin dhe  në tjetrën fashizmi e nazizmi që flitshin për nji Rend të ri. Kështu ky bashkpunim ka me i përpunue njerzit që hem  kapitalistat të përqafojne idetë e socializmit, edhe komunizmi ka me u ba demokratik e dikur do të jetojnë bashkë.
- Kurrgja nuk po na thue pater Gjon – tha përsëri plaku. Komunizmi e demokracia janë krejt dy shejtana të kundert dhe nuk  mund aviten kurr bashkë. Hori e pasaniku jeton veç me fitue, ndërsa komunizmi asht si ai djalli që kur rrin pa punë çohet e  rrahë e mbytë fëmijët e vet. Mjerisht ne na ka përfshirë ky e na do të vuejm deri të na lshojë. Ky nuk na lshon, por deri  të vije nji tjetër me e hjekë qafet...
Ndërkaq ndër të gjitha qytetet administrata erdh tue u forcue e pak a shum filloi me i sistemue edhe forcat deri atëherë  partizane. Disa i veshi me uniformë policie e disa tjerë me ngjyrë tjetër. Filluen me u dukë bile edhe oficera të veshun me  uniforma të bukura, por që nuk dihej se të çfare ushtrije mund ishin.
Edhe nëpër zyra filloi me marrë punën në dore ndonji nieri që ishte me mjaft shkollë, megjithse pak kush të kryente punë,  por të dërgojshin herë te ai o te nji tjetër deri që të shumtën e herës të përcjellshin pa gja. – U shpallën ligje  financiare e monetare me urdhnesa drakoniane: Vulosën kartmonedhat dhe vunë tatime luftet, superfitimit e fitimit dhe e  mblodhën gjithë florinin e ruejtun me shekuj ndër qypa. Ndër komisjonet e tatimit emnuen edhe shumë tregtarë, për me u dukë  se janë të ndershëm, por ata të shkretët as nuk i pyeste kush e ma vonë ranë edhe në burg. Së fundi, banë edhe shumë  reforma e filluen diskutimet për ligjin elektoral, i cili vazhdoi gjatë. Në kët kohë u zhvilluen edhe veprimtari të  randsishme kulturore. Shumë njerz edhe filluen të mendojne se këta e kishin marrë punën mbarë e përnjimend me vullnet të  mirë, se ishin djelm të mirë që dojshin me i dhanë nji zhvillim të vërtetë gjendjes sociale të popullit shqiptar aq të  mbrapambetun. Por shumë prej njerzve të dijtun e kishin kuptue gjendjen. N’at kohë në Kishën Françeskane kishim nji  kujdestar Kishet që ishte shumë i ndershëm e besnik, por edhe jepte shejet e nji të mbete mendore dhe kushdo që e shifte  tallej me te me dashuni. Ashtu vepronte edhe At Gjon Shllaku. Sa herë që e shifte n’oborr të Kuvendit apo në kjostër e  merrte mbrapa tue qeshë e i thonte: „O more Mark sa i lumtun je ti sot! Të gjithë duhet të kishin kokën tande që nuk shef  se çka ndodh: Hajde t’i ndrrojmë krenat bashkë“! Marku ikte si fëmija se ndoshta mendonte se kokat mund ndrrohen me të  vërtetë.
Deri aty kish vojtë puna: me ia pasë lakmi nji të marri.

Fq.73

„KUJTOJ

Ishte shkurt i vjetit 1946. Në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit At Frano Kiri kishte thirrë nji mbledhje të avoketënve ma  të përmendun me qëllim që me organizue mbrojtjen që do t’i bahej At Gjon Shllakut, si edhe organizatës „Bashkim Shqiptar“  në Gjyqin e Popullit. Dihej se prokuror komunist ishte Aranit Çela. Nji gjysë ore mbasi u err erdhën kto persona: av.  Dhimitër Bojaxhiu, av. Ranko Cervenkoviqi, av. Tedeskini, av. Myzafer Pipa; ishte edhe nji avokat tjetër që nuk po më  kujtohet emni, muer pjesë edhe Prof. Kolë Prela. Un ishem aty me makinë shkrimi, i gatshëm për çdo kërkesë. – At Frano Kiri  u kujtoi se kjo mbledhje nuk duhej të zgjaste ma shumë se tri orë, mbasi Shkodra ishte në gjendje shtet-rrethimi, e u  parashtroi kërkesën që At Gjon Shllakut i duhej shpëtue jeta me çdo kusht. Folën me rradhë e pa rradhë. Për të gjithë  gjendja ishte shumë e randë. Prof.Kolë Prela ishte deputet, mik i ngushtë i At Gjon Shllakut. Kishte ardhë me formulue nji  deklaratë mbrojtje për t’ia paraqitë gjykatës. Megjithkëtë avokatët, me prognozen e tyre, nuk ishin optimiste dhe vejshin  në dyshim edhe t’ardhmen e Profesorit deputet. Por ai ishte i vendosun për të edhe në rast se do t’i kushtonte jetën. Nxuer  nji copë letër të tutulueme prej xhepi ku kishte shenjue pikat kryesore mbi të cilat do të formohej deklarata mbrojtëse. U  diskutuen këto pika. U formulue edhe deklarata; un e rraha në makinë dhe ua lexova; kjenë të gjithë të nji mendje. Atëherë  filloi çashtja se cili prej avoktave duhej ta merrte përsipër mbrojtjen. Të gjithë ia propozuen Myzaferit. Ai përgjegji se  do t’ishte shumë i nderuem ta mbronte At Gjonin, bile ishte nji detyrë ndaj françeskanve, porse në kët process ishte i  ngarkuem randë edhe me mbrojtjen e nji prej kryesuesve të B.SH. (shënim Dita: Bashkimit Shqiptar) e kështu mund të binte në  sy, e në vend që me e mbrojtë edhe mund ta rrezikonte. Atëhere iu suellën avokat Dhimitrit, por edhe ky kishte ngarkesë të  madhe. Pothuej gjatë gjithë këtij takimi avokat Tedeskini kishte ndejë pa za. Iu suellën atij.
Ti, - i thanë – je ma i përshtatshmi për kët mbrojtje. Ti nuk ua acaron nervat prokurorit e gjyqtarëve se je gjithmonë i  qetë. Duhet ta mbrojsh.
Atëherë ai foli:
- Të dashtun kolegë, un kam studiue për drejtsi.
- Po mirë, - i thanë ata – edhe na të gjithë për drejtsi kemi studiue.
- Mirë, mirë, - u përgjegj ai, - un thom për vedi që kam studiue për drejtësi.
- Po çdo me thanë ti me këto fjalë, se na nuk kemi studjue?
- Jo, jo – tha – ju mos u nxehni. Punën e kam se këto procese gjyqsore të këtyne e sidomos këto “Gjyqe të Popullit” nuk  kanë të bajnë fare me drejtsinë.
Mbas këtyne fjalëve, megjithse deri n’ato çaste gjendja ishte shumë e randë e shqetësuese, shpërtheu nji ilaritet i  përgjithshëm. Kur u kthye përsri serioziteti, Tedeskini u shpjegoi se „këta“ At Gjon Shllakut i kishin vu akuzën si kryetar  i Demokristjanes dhe, rregullat e shoqatave fetare: „Antoniane“, „Bijat e Zojës“ e „I treti urdhën“, i paraqitshin si  statute organizatash politike. „Këta“ nuk mund kuptojnë asgja jashtë fjalve: politikë, spiun e terrorist, prandaj kjo  mbrojtje për të ishte e pamundun mbasi ishte antilogjike. Vetë fakti që akuza lidhte organizatën „Bashkimi Shqiptar“ me  këto organizata fetare e edukative jepte sinjalin e nji sulmi të tërbuem antikatolik. Prandej, në këto rrethana, mbrojtjen  duhej ta merrnin mbi vedi avokatë të nji feje tjetër. Muzaferi tha se jo vetëm ishte gati për kët mbrojtje, por ai para  komunistave këtu kishte nji minus të madh sepse ai vetë edhe pse mysliman, kishte studjue në gjimnazin françeskan derisa  ishin mbyllë shkollat e klerit në 1933, dhe kështu logjika partizane do ta nxirrte të kompromentuem si bashkëpunëtor. – Dhe  me të vërtetë ashtu ndodhi. – Nuk e mbaj mend aq mirë se si avokatët i ndanë mbrojtjet: ata ishin të gjithë bashkë nji grup  mbrojtësish. Megjithkëta, po gjatë seancës gjyqsore, prokurori Aranit Çela kërkoi arrestimin e Myzafer Pipës si  bashkëpuntor i Demokristjanes e Bashkimit Shqiptar. Nuk u arrestue atë ditë, por disa muej ma vonë me lëvizjen e Postripës.  Mbas sa vuejtjesh e torturash vdiq i pushkatuem në oborrin e seksionit të Sigurimit të Shtetit nën pretekstin se „deshti me  ikë “.
Seksioni i Sigurimit të Shtetit në atë kohë e kishte selinë e vet në shpi të Pjetër Çurçisë afër Sahatit të Inglizit.  Oborri i vogël mbrapa, me nji pjeshkë në mes, ajo trumë bishtshkurtë te dera, ato shkallë mbi WC, ato podrumet ngjitun.
O Zot i Madh vetëm ti e din se aty u kryen krimet ma të mëdhajat e tokës!
Ai oborr aty asht krejt i lamë me gjak të pafajshëm. Gjatë këtij moji kishin organizue banda rrugaçash që silleshin nëpër  lagjet katolike të Shkodres, kryesisht rreth institutive fetare për gjithë nate, gjithmonë natën vonë tue u çirre me sa za  kishin: “Vdekje tradhëtarve!”, “Poshtë pllumbi i paqes” ose “Poshtë pllumbi i Papës”. Sulmuen dyert e Kishës sikur të  dojshin me i shpërthye. Na kallshin frigë e tmerr: gjindeshim si delet mbrenda nji vathi të rrethuem prej ujqve të tërbuem.
Po ndër ato dit në Tirane u ba pushkatimi i At Anton Harapit, i cili, në njanën anë, e shtoi edhe ma shume etjen për gjak,  ndërsa na tjerët shifshim nji hekatombë të hapun që na priste.
Me 22 shkurt u dha sentenca e gjyqit. Me pushkatim:

1. At Gjon Shllaku
2. At Gjon Fausti
3. At Danjel Dajani
4. Mark Çuni
5. Gjergj Bici
6. Gjelosh Lulashi
7. Fran Miraka
8. Qerim Sadiku

Tjeret u dënuen prej 5 vjet deri përjetë. Prej të dënuemve me vdekje iu fal jeta Gjergj Bicit, i cili bani shumë burg, u  lirue, u martue, bani përsri burg derisa vdiq. Tjerët vuejtën dënimin disa në Burrel dhe e shumta ndër kampet e çfarosjes  së „punës së detyrueme“.
Në kino-teatrin „Rozafat“ kur u lexue sentenca me vdekje për 8 persona, salla e kinemasë pothuejse nuk ra mbrendë nga  duartrokitjet e çmenduna e brimet e çjerruna te asaj zhumilje që kishte përvetsue e monopolizue emnin „popull“ dhe e  shfrytzonte atë për t’i dhanë ngjyrën ultrakriminale gjithë popullit shqiptar.
Na prej Kuvendit Françeskan me vëmendjen ma të përqendrueme ndiqshim nga radio zhvillimin e gjygjit drejt nga salla e  teatrit „Rozafat“. Kur u dha ky vendim makabër, në vend të njaj heshtje mortore, u ndigjue rrahje shuplakëve triumfante të  nji sadizmi të pashoq. U filluen me çjerrje kangët e hakmarrjes të shoqnueme me shfaqje aq të egra e shtasore, sa At Mati  Prendushi nuk mund u mbajt pa thanë me të madhe: „të lumtë o serbian se sot ia dole me ia paraqitë tanë botës se shqiptari,  me bisht ose pa bisht, asht nji egërsinë e vërtetë!“
E ajo egërsi vazhdote çfaqjet e veta të terrorit përditë e përnatë rreth institucioneve katolike. Gazetat e radioja  mburreshin me këtë sukses të madh kundra „anmiqve të popullit“. „Drejtsia Popullore“ (ec e gjeje vështrimin e këtij termi  juridik) me fantazi të madhe ia kishte dalë me e ba mizën buell tue u nisë nga hovi guximtar i ndonji djaloshi të shkolluem  e veprimet e papjekuna të disa fëmijve, t’i paraqiste ato sikur t’ishin organizata terroriste të drejtueme prej atyne  njerzve ose instituteve që partia komuniste donte me i zhdukë.
Me ankth pritej çdo të ndodhte. Para se me dalë drita e datës 4 mars 1946 breshnitë e zgjatuna të armve thyen atë heshtje  të thellë që ndan terrin e dritën. Ato breshni vijshin prej vorreve katolike në breg të zallit te Kirit. Qyteti u zgjue i  tmerruem. Ishte nji zakon partizan që të pushkatuemët me i lanë ashtu të shtrimë rrah përmbi tokë, që popullit me i shti  frigën. Gjithkush e kuptoi se çka ka ndodhë. Prej të gjitha anve njerz vrapuen aty me pa. Ata që shpijat i kishin afër  mbrrijtën aq shpejt sa e gjetën ende të nxehtë gjakun e tyne tue gurgullue. Kje ndonji që nxori nji shami të bardhë dhe e  ngjeu në gjakun e At Gjon Shllakut. Por mandej roja partizane e vendosun aty nuk i lejonte që t’aviten ma afër se 2-3  metër. Ishin gjashtë të shtrimë në mënyrë të çrregullt siç ishin rrxue prej automatikve të skuadrës së pushkatimit. U  shifej në krye vetëm goditja e fundit e dhanun secilit prej prokurorit. Skuadra partizane e pushkatimit kishte kthye me atë  kamjon, tue këndue me histeri kangët e njoftuna partizane. Atë ditë ata u shpërblejshin nga komanda me dy racjone gjelle.  Njani prej tyre në konfidencë të madhe i kishte thanë nji djaloshit katolik: „kurr s’kam pare asi trimash“ të gjithë vdiqën  tue thirrë me të madhe: „Rroftë Krishti!. Deri mbas mesdite trupat e tyne mbetën aty të shtrimë e populli shkoi me i pa.  Atëherë erdhi nji skuadër tjetër partizane, u hapi nji vorr të përbashkët, kund nji gju të thellë, dhe i varrosi aty, në  varg me sa e sa të tjerë që përpara tyne ishin pushkatue mbas murit të vorreve katolike, nën hijen e dy çinarve të mdhaj:  Ata dy çinarë janë dhe sot dishmitarë të gjithe atij gjaku të derdhun pa faj ndër rrajët e tyne. Un shpesh shkoj aty e me  duket sikur flas me ta dhe shoh se qysh atëherë, kanë fillue me u brejtë e me u plakë.”

Fq.81

“DUHEN KURBANE TJERA

Këto triumfe të Pushtetit Popullor demokratik shkaktuen nji eufori të madhe në pushtetarët e rinj. Ata menduen se ia kishin  dalë me e rrejtë gjithë opinionin publik botnor me atë parodinë e „zgjedhjeve të lira“ që përfunduen me 90% e sa tjera këso  manipolimesh të dhunshme: ata ishin verbue fare, ose ishin kenë gjithmonë të verbuem për me shti në dorë e me mbajtë  pushtetin përmbi vllazënt e vet shqiptarë me të cilët aspak nuk u treguen vllazën, por si katila të verbtë të Beogradit: E  kryezoti i ri i Shqipnisë – Beogradi kishte me marrë shumë hake në shqiptarët deri atëherë kryeneçë. Së pari, duhej zhdukë  krenaria kombëtare e nji shteti sovran: ç’i duheshin përfaqsueset e huej Shqipnisë në Tiranë? Politika shqiptare  planifikohej në Beograd. Prandej qitën jashtë misionet përfaqsuese diplomatike të Anglise dhe SH.B.Amerikës tue shpallë se  kishin organizue spiunazhet në Shqipni. Si përfaqsues konsullarë simbolikë mbetën ai i Francës dhe i Bashkimit Sovjetik,  njani për Prendimin e tjetri për Lindjen. „Vllazërimi i popujve shqiptar-jugosllave“ mbrrijti kulmet e euforisë. Ky  „vllazërim“ kërkonte medoemos dy kurbane: Klerin katolik dhe inteligjencën shqiptare. Lufta kundër tyne ishte zhvillue qysh  nga dita 29 Nandor 1944, por disi e mbulueme me shkaqe të ndryshme tue u mundue me i dhanë pamjen ligjore: me akuzat o si  bashkpuntorë të ushtrive të hueja ose si pjesmarrës ndër veprimtaritë politike antinacional-çlirimtare. Këta që kishin  teprue nuk kishin njolla, megjithkëtë duheshin zhdukë: kushedi, ndoshta në nji t’ardhme mund të baheshin të rrezikshëm,  sepse mendojshin me krye të vet e jo të huej.
Viti 1946 kje viti i gjuetisë ma të tërbueme. Gjuetia nuk ishte ma ajo e shtrigave si dikur, por „e shtrigajve“. Të gjithë  u akuzuen sikur t’ishin rekrutue ndër spiunazhet e atyne vendeve ku kishin krye studimet. Për ma tepër edhe të gjithë ata  që kishin marrë mësim ndër shkollat teknike amerikane të Kavajës e Tiranës i futën në burg si spiuna të Amerikes: si  „agjenta të Fultzit“. Në të njajtën kohë u zhvillue e pamëshirshme lufta ndërmjet vllazënve në pushtet, „kundra grupit të  Deputetve“, e cila përfundoi me zhdukjen fizike të gjithë atyne njerzve me emën të cilët kishin marrë pjesë në drejtimin e  asaj që thirrej „Lufta Nacionalçlirimtare“."



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora