E enjte, 01.05.2025, 03:33 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Vatikan, zbulohen dokumente të reja për Shqipërinë

E merkure, 05.03.2008, 06:43 PM


I shumëpërfoluri, kryesisht nga ata që shkencën e bëjnë në kafene apo mbi dokumente të recituara, Musa Ahmeti më në fund ka filluar të nxjerr në shesh punën e tij kërkimore, një pjesë të të cilës, madje edhe në dorëshkrim, në disa mija faqe, kam pasur fatin ta kem në dorë.
Ky kërkues i pasionuar, të cilin e shoqëron edhe studiuesja Etleva Lala, pas kërkimeve ndër biblioteka e arkiva, këtë vit nxori vetëm Majën e Ajsbergut, një vëllim jashtëzakonisht me interes në fushë të historisë kombëtare.
I lumtë, Begzadi (Baliu)
----------------------------

ZBULOHEN DOKUMENTE TË REJA PËR SHQIPËRINË

Dr. Musa Ahmeti
Dokumente origjinale, dorëshkrime dhe letërkëmbime të pabotuara më parë. Studiuesit Musa Ahmeti dhe Etleva Lala, i kanë kërkuar nëpër arkivat e shumtë. Një punë 10-vjeçare në arkivin Sekret të Vatikanit, në arkivat e Venedikut, të Kroacisë, Austrisë, Hungarisë, Greqisë, Francës. Të gjitha materialet i kanë përmbledhur në një botim luksoz nga “Ombra GVG” i titulluar “Illyricym
Dr. Musa Ahmeti.

Sacrum 10”. Për herë të parë vjen në shqip një vëllim i kësaj kolone, një prezantim i punës së paçmuar që kanë bërë jezuitët në Shqipërinë e asaj kohe. Është një udhërrëfyes i vlefshëm (nis nga shek VI deri në vitin 1910) për një numër të madh dorëshkrimesh, kodikësh, korrespondencash, libra të rrallë të pabotuar më parë e që presin t’u hiqet pluhuri i arkivave. Gjatë prezantimit, autorët janë shprehur se ky është vetëm fillimi i një pune që do të pasohet me botimin në shqip të
gjithë kësaj lënde të pashfrytëzuar. Studiuese Musa Ahmeti tregon për punën disavjeçare.

Një vëllim i “Illyricym Sacrum” për herë të parë në shqip. Ku synon kjo sipërmarrje?

Në kryeveprën monumentale “Illyricum Sacrum” punuan tri gjenerata studiuesish: at Filip Riçeputi, at Daniel Farlati dhe at Jakob Koleti, të cilët, në një periudhë kohore prej 125 vjetësh (1695-1819), hulumtuan, mblodhën dhe studiuan burime të shumta dhe të shumëllojshme; dorëshkrime dhe dokumente; libra të rrallë dhe modernë të kohës, hartuan disa prospekte të veprës, përpiluan tetë vëllime me indekse si dhe shkruan më shumë se njëqind katalogë të ndryshme. Por të papërfshirë në veprën e tyre të botuar, lanë në dorëshkrime me qindra vëllime dokumentesh dhe burimesh të dorës së parë për historinë e Ilirisë ose thënë ndryshe, të Gadishullit Ballkanik dhe popujve që jetuan dhe ende jetojnë aty.
Shpresojmë që ky libër do të shërbejë si një udhërrëfyes i mirë për ata që duan të studiojnë burimet e pabotuara, të mbledhura nga autorët e këtij korpusi. Ky libër ofron ndihmë në identifikimin e materialit burimor të pabotuar, dhe në theksimin e rëndësisë që ka ky material për historiografinë shqiptare por edhe atë rajonale.

Çfarë përfshihet në këtë vëllim dhe në cilat arkiva keni hulumtuar?

Kemi bërë punë kërkimore shkencore në arkivin sekret të Vatikanit, por edhe në arkiva të tjera në Itali, Kroaci, Austri, Hungari, Greqi, Francë.
Në këto arkiva ruhet një lëndë e jashtëzakonshme burimore e pabotuar, e cila ka të bëjë me historinë e mesjetës shqiptare. E gjithë kjo lëndë është përfshirë në “Illyricum Sarum 10” (Iliria antike, e shenjtë), në të cilën paraqitet historia në bazë të burimeve dhe dokumenteve të pabotuara ndonjëherë që nga antikiteti deri në shek e XIX-të. Lënda e përfshirë botohet për herë të parë. Këto dokumente janë origjinale ose të noterizuara. Autorët nuk botonin ose përdornin si burim një dokument që nuk ishte origjinal, ose i noterizuar. Të gjitha këto materiale janë të sakta dhe korrekte edhe në citimet që bëjnë.

Si paraqitet historia e Shqipërisë në këto dokumente?

Në gjithë këto dokumente që zbulohen për herë të parë, pasqyrohet në mënyrë besnike Shqipëria që ishte, dhe ajo çka ndodhte në atë kohë.
Paraqitet gjendja reale dhe nuk ka hiperbolizim të situatës. Sigurisht pas pushtimit turk kjo ishte shumë e rëndë. Ndërsa dokumentet tregojnë se para pushtimit kishte një lulëzim të kulturës, një jetë e nivelit evropian, e zakonshme për shtete e qytete të zhvilluara të asaj kohe.

Sa e vështirë ishte përshtatja në shqip e gjithë këtij materiali arkivor?

Ka qenë shumë e vështirë, sepse kur gjejmë një dokument, ai jo vetëm do përkthyer, por së pari duhet të transkriptohet e më pas të sillet në gjendjen reale për gjuhën shqipe. Problemi i veçantë është terminologjia kishtare. Një fjalor i tillë për momentin nuk ekziston në gjuhën shqipe.
Ne zakonisht konsultojmë njerëz që kanë përvojë në një fushë të tillë, qoftë teologjike, priftërinj të ndryshëm, ku ndër ta është edhe Don David Xhulio që jeton e vepron në Vatikan, zotin Vili Kamsi dhe zotin Zef Simoni si përkthyes i njohur. Kemi pasur bashkëpunime me specialistët dhe jemi konsultuar para botimit.

Keni punuar mjaft arkivin sekret të Vatikanit. Sa është moria e dokumenteve që ruhen aty?

Arkivi sekret i Vatikanit është një nga qendrat kryesore për historinë e popullit shqiptar në trojet etnike, jo vetëm në Shqipërinë e kufijve të sotëm politik. Aty ruhen një mori e jashtëzakonshme dokumentesh. Sipas të dhënave zyrtare që disponon arkivi sekret i Vatikanit, një lëndë arkivore lineare është 4 kilometra e 400 metra me dokumente që nuk janë të njohura e të botuara. Por kjo mund të zgjerohet dhe më tutje, sepse deri më sot
nuk ka një regjistër të saktë.

Sa janë shfrytëzuar nga historianët shqiptarë?

Për fat të keq kemi shumë pak studiues që kanë bërë kërkime shkencore në arkivin sekret të Vatikanit. Më 1743-ën është Gjon Nikoll Kazazi, 1992 Pranvera Bogdani, nga viti ’92 jam unë dhe nga viti 2000 e sot është Etleva Lala. Këta janë gjithë studiuesit shqiptarë që kanë bërë studime në arkivin sekret të Vatikanit. Të tjerët flasin duke hamendësuar, pa qenë asnjëherë prezentë. Këto janë të dhëna zyrtare të publikuara nga arkivi i Vatikanit.

Ka pengesa për hulumtimin e këtyre arkivave?

Nuk ka pengesa, por kërkohen kushte të veçanta pune. Duhet të jesh i përgatitur me gradë shkencore, duhet të kesh botuar disa tituj shkencorë me karakter ndërkombëtar dhe të jesh njohës i mirë i të paktën gjuhëve latine e greke. Duhet të kesh mbaruar një nga kurset e Akademisë Papnore për diplomaci dhe paleografi.

Shqipëria laike dhe kishtare, si qëndrojnë këto dy dimensione në dokumentet e Vatikanit?

Të dyja janë të barabarta. Nuk ka një favorizim të njërës apo tjetrës, mund të bësh kërkime për ato që interesohesh dhe je i specializuar. Tema është e saktësuar që në fillim dhe është shumë e vështirë t’i largohesh asaj.

Do ta vazhdoni këtë nismë?

Patjetër. Ky është libri i parë në shqip dhe së shpejti do të sjellim edhe vëllime të tjera, ku do të përfshihen dokumente, dorëshkrime dhe letërkëmbime të pabotuara më parë, të cilat janë gati. Sipas një marrëveshje me shtëpinë botuese “Ombra GVG”, do të vazhdojmë botimin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx