E hene, 29.04.2024, 08:51 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Izber Hoti: Marrëdhëniet Kosovë – Mirditë gjatë Luftës së Dytë Botërore

E shtune, 17.05.2008, 02:14 PM


Marrëdhëniet Kosovë – Mirditë gjatë Luftës së Dytë Botërore

(vrojtime të përgjithshme)

Prof.dr Izber Hoti

Sado që Kosova dhe Mirdita, thënë kushtimisht, nuk janë në kufi njërame tjetrën, marrëdhëniet e tyre gjatë historisë ishin të ndjeshme, siç edhe ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ato filluan në shekullin XV dhe vazhduan deri në ditët e sotshme. Si të tilla herë-herë arrinin në shkallën e një bashkëpunimi të ngushtë, veçanërisht në kohën e krizave historike. Në këto kohë kapërceheshin dallimet fetare dhe largësia e konsiderueshme dhe kosovarët dhe mirditorët bëheshin një, të çliruar
dhe të pavarur, që në fakt ishin synimet e tyre shekullore.

Dëshmi historike

Kosova dhe Mirdita janë afër dhe larg, varësisht si dhe nga cili këndvështrim shikohen. Mirëpo, është e sigurt se marrëdhëniet dhe lidhjet në mes të këtyre dy viseve shqiptare dëshmohen që nga shekulli XV. Që në atë kohë pati lëvizje të ndryshme në drejtimin Kosovë – Mirditë dhe anasjelltas. Kjo dëshmohet edhe nga patronimet  (Gojani, Kaçinari, Martini, Shkorreti, Kryeziu etj.), siç janë edhe patronimet Mirdita e Fani, ky i fundit konsiderohet këpujë në mes Mirditës dhe Kosovës. Marrëdhëniet e këtyre anasve nuk shquhen me vendosje dhe zhvendosje, por me batica dhe zbatica do të shënohen edhe në fusha të tjera të jetës ekonomike dhe shoqërore. Natyrisht, këto marrëdhënie do të forcohen më shumë në kohën e lëvizjeve për çlirim kombëtar, përkatësisht në kohën e rilindjes Kombëtare Shqiptare, por si të tilla do të vijojnë edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndihma e ndërsjellë

Si edhe më parë, ashtu edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore marrëdhëniet Mirditë-Kosovë dhe anasjelltas shquhen me një varg veçorish që lidhnin këto dy anë shqiptare. Që në fillim duhet theksuar se në historiografinë dhe shkrimet e  tjera shqiptare, ndërsa më shumë në ato të huaja, si mirditorët ashtu edhe kosovarët konsideroheshim malësor dhe luftëtar të denjë të çlirimit, mikpritës dhe trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të veçorive ilire-shqiptare. Këtu qëndron mbështetja kryesore e krijimit të marrëdhënieve të këtyre anasve, jo në përmasa të mëdha por jo edhe për tu injoruar. Ani pse shumica absolute e mirditorëve ishin të krishterë, ndërsa shumica absolute e kosovarëve ishin mysliman, nuk pengoi shqiptarët e këtyre anëve që të bashkëjetonin dhe bashkëvepronin. Megjithatë, duhet pranuar se ky bashkëpunim do të jetë më i ndjeshëm në kohën e kthesave të mëdha historike, apo thënë ndryshe në kohën e krizave politike. Kështu ndodhi edhe në prag dhe në ditët e para të shpalljes së cunguar të Pavarësisë së Shqipërisë, si dhe në vitet e para të vendosjes së komunizmit si sistem shoqëror dhe shtetëror. Kjo nuk do të thotë fare se në ndërkohë nuk kishte marrëdhënie në mes të kosovarëve dhe mirditorëve. Veç kësaj, nuk duhet krijuar përshtypje të gabueshme se kështu do të ndodh vetëm në fushën politike dhe të luftës për çlirim. Në këtë frymë nuk duhet harruar ndihmën e shumë arsimdashësve mirditorë, apo që kishin prejardhje nga Mirdita që ia bënë Kosovës, duke filluar ndërmjet dy Luftërave botërore  (mëkëmbja e shkollës në Zllakuqan) dhe duke marrë përmasa të gjëra gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur në Kosovë u hapën në mënyrë masive shkollat shqipe, tejet të etshme për kuadër arsimor.
Është për tu shënuar dhe për tu lavdëruar ndihma që kosovarët ua bënë mirditorëve në këtë kohë, të vendosur në shumë vende të Rrafshit të Dukagjinit por edhe në anën e Rrafshit të Kosovës.

Ndërmjet dy Luftërave Botërore dallon ndjeshëm dhe është i pakapërcyeshëm bashkëpunimi i mirditorëve dhe kosovarëve, të udhëhequr nga Isa Boletini e Bajram Curri dhe nga Preng Bibë Doda “për ruajtjen e pavarësisë nga rebelët e organizuar”, por nuk harrohen as veprimet patriotike të Prend Doçit, Imzot Gjon Gazullit, Zef Kolë Ndokut, të njohur si Zefi i Vogël, Kolë Tomës së Velës, Nënë Terezës, Anton Çetës, që kishin prejardhje të hershme apo të vonshme nga Mirdita. Që të gjitha këto personalitete do të ndikojnë ndjeshëm në jetën e gjithmbarshme dhe në historinë e Kosovës, mu ashtu siç ndikuan në orientimin dhe personalitetin e mirditorit të mirënjohur Bardhok Biba me qëndrimet e tyre Emin Duraku, Branko Kadia, Sadik Bekteshi, Hajdar Dushi, Xheladin Hana, Nazmi Rushiti, Tomë Kola e të tjerë. . Nëse dihet autoriteti dhe ndikimi i Bardhok Bibës në Mirditë, nuk mund të mohohet edhe ndikimi i tërthorët i këtyre kosovarëve në këtë anë. Kjo vlen sa i përket atyre që kishin orientime dhe ishin pjesëtar të Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare të Shqipërisë përkatësisht Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës.

Përvoja e hidhur si mësim

Si në Kosovë ashtu edhe në Mirditë pati forca me orientime nacionaliste dhe antikomuniste që krijuan marrëdhënie të ndërsjellta dhe bashkëpunuan dendur. Zëri dhe emri i Kapidan Gjon Marka Gjonit si nacionalist i spikatur dhe trashëgimtar i një familjeje të njohur patriotike, si pjesëtar i Qeverisë së kohës, ndërsa më shumë si antikomunist i palëkundshëm, u përhap në mbarë Kosovën si te kundërshtarët ashtu edhe te përkrahësit e tij. Mirëpo, Kapidan Gjon Marka Gjoni nuk ishte i vetmi personalitet historik i Mirditës për të cilin dihej dhe flitej në Kosovë gjatë luftës së Dytë Botërore. Pra kishte edhe shumë të tjerë. Kjo ishte e natyrshme ngase, siç është e njohur nga historia mu ashtu si kosovarët kishin provuar si krimet ashtu edhe bashkëpunimin dhe tradhtinë e serbëve. Kjo e dhënë si dhe fakti se serbët në këtë kohë paraqiteshin si piemont të lëvizjeve ballkanike antifashiste, humbën plotësisht besimin në bashkëpunimin serbo-shqiptar. Në këtë mënyrë u dëshmua plotësisht se për mirditorët feja e krishterë mbi të gjitha ishte shprehje e nacionalizmit dhe si pasojë bashkëpunimi me gjermanët nuk kishte mbështetjen ekskluzive në orientimin fetar, ani pse në këtë rast as kjo nuk mund të mohohej por mbështetej në interesat kombëtare.

Bashkëpunimi dhe synimet

Falë së kaluarës historike dhe rrethanave mbizotëruese mund të pohohet lirisht se rrjedhat politike dhe luftarake në Mirditë ishin të njohura për shumë kosovarë, veçanërisht për ata që udhëhiqnin apo ishin goditur nga lufta, që mendoni e shqetësoheshin për të ardhshmen jo të ndritur të shqiptarëve në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti. Këtu duhet përmendur shumë pjesëtarë të jetës politike dhe të forcave të armatosura qeveritare bartës të arsimit e të jetës ekonomike dhe antikomunist të shquar Ymer Berisha, Muharrem Bajraktari, Kryezinjtë etj. S’do mend, se sa dini nacionalistët mirditorë për ata kosovarë, aq dinin nacionalistët kosovarë për ata mirditorë. Për këtë arsye janë të konsiderueshme korrespodencat e ndërsjella  (Pashk Bibaj – Ymer Berisha, Pashk Bibaj- Muharrem Bajraktari etj.), por edhe takimet e drejtpërdrejta, siç ishte ai në mes të Ymer Berishës dhe Pashk Bibës në Vogovë afër Gjakovës. Në këtë frymë bëheshin përpjekje që nacionalistët kosovarë të lidheshim edhe me Kolë Bibë Mirakën, që kështu të sendërtohej lidhja e viseve shqiptare me nacionalistët që në këtë kohë gjendeshin në shtete të huaja. Për lidhjen e organizatave kundër komuniste shqiptare me 20 korrik 1945, sipas dëshmive të nacionalistit të mirënjohur Sadik Ramë Gjurgjevikut, në Mirditë u mbajt një mbledhje në të cilën përveç të tjerëve, nga Kosova së bashku me Ymer Berishën morën pjesë Ndue Përlleshi, Ndrec Përlleshi dhe Gjon Dedë Gjoni . Mirëpo, për synimet kundër komuniste si duket, nuk mjaftoi as kjo mbledhje prandaj bëheshin plane që në muajin shtator 1945 të mbahej edhe një mbledhje po në Mirditë, ku do të ishin të pranishëm delegatët e të gjitha organizatave të tilla pra edhe të Kosovës. Kështu edhe ndodhi, ani pse sipas dëshmive të të përmendurit para organeve hetimore jugosllave për shkak të kohës së shkurtë, kosovarët nuk arritën të mobilizoheshin e t’i dërgoni delegatët e kërkuar.

Ngjasimi me të kaluarën

Mbështetur në materialet arkivale, në kujtime dhe në arritjet e historiografisë së huaj dhe shqiptare fitohet përshtypja se në vitet e para të vendosjes së komunizmit në trojet shqiptare historia po përsëritej ngjashëm si në kohën e rrethanave të veprimtarisë së vitit 1912, kur njëri nga konsujt anglezë raportonte sa vijonte:“Qendër e zbatimit të vendimeve të saj paraqitet Komiteti i saj i Shkodrës, pa e humbur rëndësinë e mëparshme Komiteti i Vilajetit të Kosovës. Vendosmëria e kësaj organizate politike-ushtarake për t’u dalë zot trojeve etnike vërtetësohej me deklaratën e përfaqësuesve të krahinave të rrezikuara, të Komitetit të Shkodrës, si dhe të komiteteve të tjera të Veriut, të cilat ishin shqetësuese për përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Shkodër. Raportohej për një unitet të befasueshëm midis shqiptarëve të krishterë e myslimanë. Për t’u vënë në mbrojtje të krahinave të rrezikuara shquhen shkodranët e pasur, shtresat e tjera të qytetit, myslimanët e katolikët, malësorët pa përjashtim, përfshirë edhe klerikët e dy feve, si dhe mijëra vullnetarë nga krahina të tjera shqiptare, nga viset e Vilajetit të Kosovës, Mirdita, Mati, Dibra, Tirana, Kavaja etj. ”Për fat rrethanat ndërkombëtare dhe rrjedhat politike në vend nuk zhvilloheshin në dobi të këtyre forcave dhe të veprimtarisë së tyre dhe si pasojë ato do të dështojnë dhe shumë prej tyre u asgjësuan ose u detyruan të iknin në botën e jashtme, por edhe atje mirditorët dhe kosovarët vazhduan të mbanin gjallë lidhjet e dikurshme e të bashkëpunon, duke ruajtur kështu këtë traditë jo të varfër të së kaluarës, që po dëshmohet edhe sot me këtë takim në të cilin po marrim pjesë edhe ne.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora