E hene, 29.04.2024, 02:38 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Mark Bregu: Shkodra, kryeqyteti i mbretërisë ilire

E marte, 06.05.2008, 06:04 PM


Shkodra, kryeqyteti i mbretërisë ilire

Nga Mark Bregu, Shkodër

I pari prijës që bashkoi fiset ilire dhe u bë mbret i tyre, ishte Bardhyli, i cili jetoi në kohën e Filipit të Maqedonisë. Në krye të trimave ilirë, Bardhyli luftoi për të bashkuar të gjithë popujt e asaj race nën kurorën e tij. Armata ilire pati sukses në fillim, duke pushtuar Maqedoninë dhe Epirin dhe duke detyruar sundimtarët e tyre t’i dërgojnë Bardhylit në kryeqytetin e tij, Shkodrën, djemtë e tyre si peng. Por, Filipi, i ati i Lekës së Madh, mbasi i dha fund luftës që po bënte kundër grekëve, marshoi kundër Bardhylit dhe e detyroi të tërhiqej nga tokat e Maqedonisë që i kishte zaptuar. Disa vjet më vonë, Filipi bëri përsëri luftë kundër Ilirisë dhe ushtria e tij prishi qytetet dhe shkatërroi fushat në mbretërinë e Bardhylit. Mbas vdekjes së Bardhylit, mbretërinë ilire e ndanë në mes tyre i biri, Kliti dhe kushëriri, Glaku. Klitit i ranë në hise tokat ilire në veri të Drinit, që përfshinin fisin e Tribalëve. Glaku mbretëroi mbi Taulantët dhe fiset e tjera deri në malet e Himarës. Të dy këta në fillim luftuan kundër Lekës së Madh dhe më vonë u bënë vasalë të tij për t’i dhënë ushtarë dhe të holla për ekspeditën e tij kundër persianëve. Gjatë rrëmujës që pasoi vdekjen e Lekës së Madh, ilirët rifituan lirinë e tyre dhe luftuan me sukses kundër Perandorisë Maqedone që ishte në shkatërrim e sipër. Glaku priti në oborrin e tij mbretëror në Shkodër, Pirron, i cili kishte qenë i detyruar të arratisej nga rivalët e tij për fronin e Epirit. Me ndihmën e mbretit të Ilirisë, Pirroja u kthye përsëri në mbretërinë e tij. Ai që njihet më mirë ndër mbretërit e Ilirisë është Agroni, i biri i Pleuratit. Agroni mbretëroi në shekullin e III-të para Krishtit dhe bashkoi nën sundimin e tij të gjitha tokat që përbënin mbretërinë e vëllait të tij, Bardhylit. Sipas historianit grek, Polib, mbretëria ilire arriti kulmin e pushtetit dhe të famës nën Agronin. Agroni kishte një ushtri dhe një flotë më të fuqishme se të gjithë paraardhësit e tij, - shkruan Polibi. Në vitin 231 para Krishtit, u vërtetua një gjë e pashembullt: Mbreti i Maqedonisë kërkoi ndërmjetësimin e Mbretit të Ilrisë (armikut tradicional). Kështu u çel rruga që i bëri grekët të njohin vetitë luftarake të ilirëve. Dhimitri i Maqedonisë i kërkoi Agronit që t’i shkojë në ndihmë kundër Akranonëve mbasi Etolasit kishin rrethuar qytetin e tyre, Medeon, në Gjirin e Ambracisë (Artës), për t’i detyruar të futen në lidhjen e tyre. Agroni dërgoi në ndihmë të forcave të rrethuara në Medeon, 1000 anije me rrema që quheshin “Lembi”, si dhe 5000 luftëtarë. Sa zbritën në tokë, ilirët u vërsulën kundër Etolasve dhe i thyen aq keq sa u detyruan të ngrinin rrethimin e qytetit Medeon, duke lënë prapa plaçka të mëdha. Grekët ishin hutuar nga tmerri. (Ref.: Hecquat - Historie dela Haute Albanie, fq.401).

Në analet e asaj kohe përmendet se Agroni vdiq menjëherë mbasi mori lajmin e fitores kundër grekëve. Thuhet se ai hëngri e piu tepër në gostinë që u shtrua për të celebruar tirumfin e armëve ilire. Agroni vdiq në vitin 231 para Krishtit dhe la si trashëgimtar djalin e tij të vogël. Mbretëresha Teuta u bë regjente dhe fitoi famë në histori me luftën që bëri kundër Republikës së Romës.

Në kohën e Teutës, mbretëria ilire përfshinte Shqipërinë e sotme deri në Vjosë, Malin e Zi, Dalmacinë dhe pjesë të Serbisë dhe Kroacisë, deri në brigje të Danubit. “Vlen në këtë rast për t’u kujtuar bashkëqytetarëve të mi, të cilët para tridhjetë vjetësh në “sugjeronin” në një shkrim, se Mbretëria Ilire (në kohën e Teutës) kufizohej nga Kotorri në Lezhë, jam i mendimit se kur flasim për ngjarje historike, duhet përdorur referenca.”

Kryeqyteti i Ilirisë ishte Shkodra e rrethuar me muret e Rozafës. Në bregdetin e Ilirisë, grekët e Korinthit dhe të Korfuzit kishin themeluar tri kolonitë e Apollonisë (Pojan), Epidamnit (Durrës) dhe Lisus (Lezhë) në shekullin VII para Krishtit. Korfuzi vetë kishte qenë në fillim një koloni e Korinthasve, prandaj këta të fundit kishin vendin e parë në kolonitë që themeluan së bashku më vonë. Rivaliteti që plasi (më vonë) në shekullin V para Krishtit, në mes të Korinthasve dhe Korfiatëve në Durrës, pati oshëtimë në Greqi dhe u bë një nga shkaqet e luftës së Peloponezit në mes Spartës dhe Athinës. Kolonistët grekë ishin ndërmjetësit e një tregtie të Taulantëve që banonin në ato vise dhe botës së jashtme.

Në lindje të Ilirisë ishin maqedonasit, mbretëria e të cilëve shtrihej deri në Detin Egje, duke përfshirë edhe Selanikun. Ata kanë lënë gjurmë të thella në histori nën Lekën e Madh, i cili mundi Persianët e prirë nga mbreti i tyre Dari (ose Darius), dhe shkoi për të zaptuar Indinë. Përveç sllavëve dhe turqve, në Maqedoni sot ka vetëm shqiptarë si raca më e vjetër e asaj krahine. “Një fakt ky që ligjëron autoktoninë e vëllezërve tanë në Maqedoni”, (M.B.). Kjo na jep arsye për të thënë se maqedonasit ishin të një race me ilirët, megjithqë këta dy popuj herë luftonin, herë bashkëpunonin mes tyre. Këtë e konfirmojnë dhe shkrimtarët grekë, të cilët i quanin maqedonasit “barbarë”, d.m.th. të huaj. Dihet gjithashtu se Filipi dhe Leka i Madh u flisnin ushtarëve të tyre në një gjuhë të cilën grekët nuk e kuptonin. Historiani anglez W.Tarn, duke shkruar mbi Lekën e Madh, bën këto vërejtje: “Shqiptarët thonë se është i tyre. Megjithatë, që të dy prindërit e tij pretendonin se ishin me origjinë greke, Leka i Madh, sigurisht, kishte nga i ati dhe ndoshta nga e ëma, pak gjak ilir, d.m.th. shqiptar”. Kjo shpjegohet mbasi e ëma e Lekës, Olimbia, ishte e bija e Neoptolemit t Epirit. Nga ana tjetër, arkeologu anglez Stanley Casson, i cili shihet si autoritet mbi këtë çështje, shkruan kështu: “Njësia e kulturës në mes të Bosnjës dhe Maqedonisë në kohën e qytetërimit të hekurit na jep të kuptojmë se ka ekzistuar një element i fortë ilir në jug. Por, maqedonasit e asaj epoke ndryshonin thellë dhe nga shumë pikëpamje prej ilirëve, mbasi Maqedonia në atë kohë kishte një popullsi të përzier dhe ilirët nuk ishin elementi racial më i fortë. Megjithatë ka shumë rëndësi fakti që është provuar identiteti i kulturës së Bosnjës dhe Maqedonisë, mbasi kështu shpjegohet prezenca e ilirëve në krahinën e Manastirit, që është në kufi të Maqedonisë. “Duke lënë mënjanë çështjen e origjinës Keltike të kulturës Hallsatit dhe të racës ilire që është lidhur ngushtë me të, duket si një gjë e provuar se ilirët e kohëve historike sollën kulturën e Hallsatit në Maqedoni dhe në Greqi. Kjo do të thotë se Bosnja, Shqipëria, Greqia e Maqedonia u invaduan nga ilirët. Nga kjo rrjedh medoemos se dorianët që invaduan Greqinë ishin nga raca ilire që zbritën prej veriut. Kjo vërtetohet edhe nga shumë aspekte të kulturës materiale e që janë njësoj në të gjitha këto krahina”. Gasson e përfundon këtë kapitull të veprës së tij me këto fjalë: “Ilirët vetë shiheshin si një racë me themeluesit e Maqedonisë dhe ndryshimet në mes këtyre dy popujve kanë qenë më tepër ndryshime të kulturës se sa të racës”. Në mes të Ilirisë dhe Greqisë së vjetër ishte Mbretëria e Epirit, që ka lënë gjurmë në histori, sidomos për shkak të luftërave të Pirros kundër romakëve. Fiset kryesore të Epirit ishin Thesprotët, Kaonët dhe Mollositët. Emri Epir vjen nga një fjalë greke që do të thotë kontinent. Historianët grekë e kanë përdorur këtë emër për të theksuar kontrastin në mes të Epirit dhe Greqisë që ishte një gadishull.

Epiri mori famë në histori me mbretërimin e Pirros, i cili ishte vetëm gjashtë vjeç kur vdiq i ati, që ishte princi i Mollositëve (Mallakastra e sotme). (Ref. “Stanely Gasson - Macedonia, Thrace and Illyria”, fq.309-326).

Pra, siç thamë më lart, gjithnjë sipas arkeologut Gasson, nga gërmimet arkeologjike u zbuluan mjaft gjëra sa për të provuar se qytetërimi i Hallsatit u përhap edhe në Shqipërinë e sotme. Në fshati Koman të Rrethit të Pukës, është zbuluar një neprokale (varrezë) ilire, prej misionit arkeologjik italian të kryesuar nga Luigji Ugolini. Simbas zakonit të kohës ilire, pranë kufomës varroseshin armët, veglat dhe orenditë vetjake të burrit ose gruas së varrosur. Në Koman janë gjetur pjesë armësh prej hekuri, vathë, gjerdanë, karfica, unaza dhe breza prej bronxi që janë pikë për pikë njëlloj si ato të zbuluara më parë në Hallsat dhe në Gallzinos të Bosnjës. Në Veri, ilirët ishin fqinjë me Keltët, të cilët hapën më vonë qytetërimin e hekurit në Europën e Mesme, në Francë e deri në Spanjë. Historiani francez, Gamille Julian, autor i një vepre klasike mbi Galët, stërgjyshërit e francezëve të sotëm, shkruan se gjaku i Keltëve u përzie me gjakun e ilirëve dhe u formua një racë e re, Kelto-Ilire, e cila u përhap në Shqipëri e në Ballkan. Ndonëse kjo hipotezë nuk mund të quhet krejtësisht reale, gjithsesi studimet serioze të mëvonëshme mund të ndriçojnë çdo dyshim për të arritur tek e vërteta. Problemi nuk mund të zgjidhet definitivisht deri sa arkeologjia nuk e ka thënë fjalën e saj të fundit. Sidoqoftë, prezenca e një elementi keltik në tiparet raciale të ilirëve nuk mund të vihet në dyshim. Nëse ekzistenca e kelto-ilirëve, si një racë e veçantë mund të vihet në dyshim, ajo e thrako-ilirëve është një fakt i provuar. Thrakasit që ishin si të thuash, kushërinj me ilirët, u vendosën në Rumani, në Bullgari dhe në Thrakinë e sotme. Ata kishin shumë kontradikta raciale dhe gjuhën e përbashkët me ilirët, aq sa albanologu i mirënjohur austriak, Norbert Jokli, është munduar të provojë se shqipja e sotme e ka origjinën në një dialekt të gjuhës së thrakasve. Thrakasit, si ilirët, ishin një popull i ndarë në fise dhe ata që përmenden më tepër në histori janë Besët dhe Tribalët. Mbasi ranë nënsundimin e romakëve, ata harruan gjuhën e tyre dhe u latinizuan krejtësisht. Megjithatë, në rumanishten e sotme ka ende fjalë që janë njësoj si në shqip: buzë, bukur, etj. Janë siguruar prova se deri në shekullin VI mbas Krishtit, Besët flisnin një gjuhë që nuk ishte latinishtja dhe që besohet se mund të ketë qenë një dialekt ilir. Fakti që në Rumani gjetën mbështetje shumë rilindas, mund të na çojë drejt asaj tërheqjeje “magnetike” të genit Iliro-Thrakas. Ajo që më shtyn të studjoj historinë tonë dhe të shfletoj me ëndje çdo fletë të saj, është intersimi për të hulumtuar në çdo “skutë” për gjetjen e rrënjëve tona etno-kulturore, që fillojnë nga pellazgët, për të ardhur tek ilirët, arbërit e deri në ditët tona. Mendoj se është vërtet krenari dhe mburrje kur konstaton (historikisht) se Shkodra ishte kryeqyteti i Ilirisë dhe pikërisht kryeprijësit ilirë ishin Bardhyli, Genti e Teuta. Jam gjithashtu i mendimit se duhen bërë më shumë studime dhe kryesisht Komani duhet parë si një thesar vlerash që paraqet interes të veçantë. Vetëm përmes këtyre studimeve serioze, do të hedhim poshtë çdo orvatje të fqinjëve të cilët më shumë se njëherë janë munduar të mohojnë prejardhjen tonë iliro-pellazge dhe të na quajnë “turma nomadësh”! Një ballafaqim i kulturës tonë të lashtë besoj se duhet të “zbusë” sadopak kërkesat e standardeve për të hyrë në Bashkimin Europian.

Ne, që i dhuruam Romës 15 perandorë dhe që e nxorëm nga krizat e shekujve III-IV para Krishtit, me Klaudin, Aurelianin, Probin, Dioklecianin dhe Kostandinin e Madh, meritojmë më shumë vëmendje nga Europa.

Mendoj gjithashtu që Italia duhet të bëjë më shumë për Kosovën, për hir të tre perandorëve me origjinë dardane, të cilët në momentet më deçizive që po kalonte Perandoria e saj Romake, gjatë shekujve III dhe IV, e nxorën nga krizat. Historia është nëna e “kujtesës” dhe këtë më mirë se ndonjë tjetër e njohin italianët, të cilët i dhuruan botës të parin universitet, atë të Bolonjës, ndaj duke kontribuar më shumë për Kosovën, në kancelaritë europjane, nuk bëjnë asgjë më shumë veçse shlyejnë një borxh të vjetër. Është folur shumë për pushtimin romak, por simbas mendjes time, ky pushtim ngjason më shumë me vetëpushtim, ose e thënë më shqip, ne e paskemi pushtuar Romën.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Bizantin, ku katër perandorë që sunduan mbi këtë perandori ishin me origjinë ilire.

Turqisë vërtet i dhuruam 28 kryeministra, por asnjëri prej tyre nuk e sundoi Perandorinë Otomane, dhe pikërisht sepse Veziri i Madh vinte i treti në radhë në hierarkinë otomane, d.m.th. mbas Sulltanit dhe Sheh Ul Islamit. Ndaj dhe versioni i hedhur nga ndonjë individ se ne e kemi pushtua Perandorinë Otomane është i pasaktë dhe pa asnjë bazë historike.

Një meritë e jashtëzakonshme e Perandorit që sundoi mbi Romën, Kostandinit të Madh, është se duke ligjëruar krishtërimin në Romën pagane, bëri hapin më progresist të kohës. E pra ky burrë i madh dhe i papërsëritshëm ishte prej Nishit të Dardanisë (Kosovës së sotme). Ishte pikërisht Kostandini që e hapi kristianizmin deri në brigjet e Indisë, duke i dhuruar botës fenë e mëshirës dhe të harmonisë. A nuk është ky një premis për të zgjuar ndërgjegjen mbarë ndërkombëtare për një përkujdesje më të madhe ndaj atij populli që i “dhuroi” botës të tilla vlera? A nuk ishte shpata e fuqishme e Gjergj Kastriotit ajo që ndaloi vërshimin e hordhive aziatike, duke i bërë një shërbim kaq të vyer krishtërimit dhe qytetërimit europjan?! Atëherë pse fëmijët tanë duhet të bredhin udhëve të Europës, kur Europa ka mundësi të bëjë më shumë për t’u siguruar një të ardhme më të begatshme në tokën e tyre, e cila në të njëjtën kohë është tokë europjane! Të gjitha këto pikëpyetje e pikëçuditëse duhet të jenë “trokitje” në ndërgjegjen e kancelarive europjane për më shumë përkrahje dhe trajtim sa më dinjitoz, për stërnipat e Klaudit, Probit, Aurelianit, Dioklecianit, Kostandinit, e deri tek miku i madh i Alfonsit të Napolit dhe papëve të shenjtë të shekullit XV, strategut dhe gjeniut të Arbërisë, Gjergj Kastriotit.

Ne i kemi treguar me kohë botës se nuk jemi “barbarë” dhe se përveç forcës së shpatës kastriotiane, kemi edhe mishërimin e mëshirës dhe dashurisë kristiane, mesazh të cilin do t’ua përcjellim brezave përmes kampiones së mëshirës dhe dashurisë, shenjtëreshës së ardhëshme, Nënë Terezës.

Janë këta korifej që na bëjnë të ndihemi krenarë dhe që çdo ndihmë që mund të na serviret, të mos konsiderohet si mëshirë apo dhuratë, por një detyrim dhe borxh i hershëm.

Vërtet se për t’u anëtarësuar në BE duhen realizuar standardet, por duke patur parasysh sakrificat që kemi kaluar nga pushtimet dhe aplikimi i ideologjive dekadente, vëmendja e Europës duhet të jetë më evidente, një Shqipëri stabile garanton edhe qetësinë rajonale e cila është e domosdoshme.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora