E diele, 28.04.2024, 08:53 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Fan Noli në 542 letra

E shtune, 14.06.2008, 12:15 PM


Fan Noli
Nga Admirina Peçi

Një letër mbresëlënëse...

Letër Milto Sotir Gurrës
Boston, Mass, 5 janar 1919

I dashur mik,
I lodhur nga shpirti dhe nga trupi, i plakur përpara kohës, i thyer nga shëndeti, me luftë dje dhe me luftë nesër, me një rrezik të ri përpara posa lashë tjatrin pas, me detyrën e tmerruar të sulem e të udhëheq kur këmbët e rëndaura dëshirojnë shtrihje, ndodhem në situatën e njeriut të torturuar, që përpiqet ta fshehë mjerimin e tij moral dhe fizik dhe shtrëngon dhëmbët me një cfort të fundme nga frika se mos i shpëtonjë ulërimë e përmbytur e dëshpërimit.
Pas kësaj parafjale, tragjike, në e besofshi, melodramatike, në dyshofshi me nënqeshje, merrni vesh përse më rëndohet pena dhe përse kam heshtur. S’kam qenë mirë dhe s’ma ka kënda për asgjë. Me gjithë që më kini kujtuar me katër letra, dhe megjithë që s’gjeja në asnjë çip të zemrës as hien e ndjesës për heshtjen time, prap e rrëfej me kanu- do të mos ju kisha shkruar, sikur të mos më zbriste papritur një frymësim, në formën dykupësh rakie prej rrushi, të cilat më dhanë forcën të mbaronj këtë detyrë të harruar përpara një miku të vjetër. Shishen e çmuar e kam përpara. E vogël për fat të zi, por ka edhe disa kupa brenda, kuqë që shtrojnë nervat, që kullojnë gjakun, që shërojnë të sëmurin, që ngjallin të vdekurin. Ma fali sot një besnik zemërdhembshur, pasi mbaroi mesha. Besniku e di që unë s’pi, por ma dha për ilaç. Se i vetëmi ilaç në të cilin besojnë shqiptarët, është rakia. Dhe qënka ilaç me të vërtetë. Vetëm dy kupa dhe m’u ndreq shëndeti: dëshpërimi i lëshon vend një lumturie dhe m’u ndreq shëndeti: dëshpërimi i lëshon vend një lumturie endërore; buzëvarja ikën e ndjekur prej buzëqeshjes dhe pastaj e bombarduar prej argalisjes; e sotmja s’më duket aq e keqe, dhe për nesër ka Perëndia. Dhe më e mira është që me një kupë të tretë mund të ndreqen të gjitha punët.
O burrani! Nën flamurin e Shahinit(1) trimëria më shtohet, bëhem zjarr e shpuzë! Të kam gjetur, or Milto! Më duket sikur të shoh përpara përmes mjegullës diafane(2), “me të cilën më rrethoi fuqia magjike e ilaçit të vilajetit. Që të kthjellohet koka dhe të më çelen sytë, rrëmbenj kupën e kaltërt, se ashtu këshillojnë theriaklinjt(3) tanë, të shtruar këmbëkryq, që pinë me njërën dorë dhe ia kërcasin me tjatrën! Dhe tani të humba fare! Po kudo që të jesh mos pandeh se të harrova. Të kam kujtuar këtu e ca ditë në Manchester, ku u poqëm herën e parë. Njëditëzaj shkova ca çaste të lumura dyke kënduar legjendën “Plaku i motshëm”. Po këtu duhet të mbaronj se m’u errë sytë dhe nisi të më dhëmbë koka. U muar vesh që ilaçi i mjekëve tanë me kallca dhe me silah s’bëa për mua. Me gjithë këtë prapë mbaroj një punë, se ja ku të shkrova këtë letër me gjallërinë më fluturake që më dha. Nesër do ta cprovonj edhe një herë kush e di, munt të bëj prapë nonjë çudi. Gjer ahere natën e mirë! Ju falemnderit me gjithë zemër për fjalët e mira që më shkruani dhe përkrahjen besnike që më keni dhënë. Qofshi shëndoshë!
Ju përshëndosh vëllazërisht dhe mbetem Juaji me besë
F.S. Noli

(1)Shahin Kolonjës
(2)Mjegull e tejdukshme
(3)Terjaqinjtë

Nëse rastësisht na bie në dorëditari i një personazhi, sado i njohur të jetë ai për ne, do na shtyjë të besojmë se nuk e paskëshim njohur aspak. Por nëse arrijmë të jemi më me fat, dhe na jepet mundësia të lexojmë gjithë letërkëmbimet e tij, atëherë do të zbulojmë deri edhe skutat më të fshehta të mendimeve dhe shpirtit të tij. “Epistolari, është letërsi. Dhe për mendimin tim, më i shquari në lëvrimin e epistolarit shqip është Noli”. Kështu e nis bisedën për botimin më të ri mbi Fan Nolin, Nasho Jorgaqi. Bëhet fjalë për “Veprën VI” të Fan Nolit, e cila sapo është hedhur në qarkullim. Është një përmbledhje voluminoze, befasuese, me letërkëmbimet e gjithë jetës së poliedrikut Fan S. Noli. Ky botim i shtëpisë botuese “Dudaj”, plotëson atë pjesë të kuadraturës ku shkrihen shumë dimensione të personalitetit të Nolit. “Deri më sot nuk është botuar nga asnjë personalitet shqiptar një përmbledhje si kjo, për nga numri i letrave, rrokja e problemeve të historisë e shoqërisë shqiptare, fushat që trajton, nivelit artistik, letrar e së fundmi sinqeritetit...”, - thotë studiuesi Nasho Jorgaqi, duke u ndalur te cilësimi i fundit sinqeriteti. Ai thotë se kjo transparencë e cila sundon në letrat e periudhës së parë të jetës së Nolit, më vonë zbehet. Kjo, sepse më vonë, pas disfatave politike dhe zhgënjimeve që pësoi ai do të mbyllej në vetvete. Mes mijëra letrash hetojmë lidhjet e tij shpirtërore, komunikimet rutinë, angazhimet atdhetare e politike. Qindra personazhe të cilëve iu drejtohet dhe pret përgjigje prej tyre. Një mendim i beftë do të na çonte në konkluzionin se Noli ka pasur shumë miq, komunikimi me të cilët i rrëmbente orë e ditë të tëra. Por siç thotë miku i tij dhe publicisti Qerim Panariti, “Noli ka shumë miq, veç nuk ka asnjë mik konfident”. Ndërsa vetë Noli thoshte: “Kam shumë miq të beharit dhe pak miq të dimrit...”. Mes labirintesh pa fund, duke nisur nga letra e parë e botuar prej Jorgaqit në vëllimin me letërkëmbime, letër e cila mban datën 8 maj 1906 e deri tek letrat e fundit në vitin 1965, mund të zbulojmë jo vetëm caqet më të fshehta të personalitetit të tij, por edhe një panoramë të ngjarjeve historike dhe karakteret e personazheve të caktuara, sigurisht sipas këndvështrimit të tij.

Libri juaj i fundit studimor është ndërtuar i gjithi me letërkëmbimet e Fan Nolit. Një vështrimi i shpejtë na zbulon se në këtë vëllim ju keni përfshirë plot 542 letra. Ky është i gjithë letërkëmbimi i tij?

Natyrisht që jo. Kjo anë e krijimtarisë së tij është ende e pazbuluar krejtësisht. Në jetën e tij, Fan Noli ka shkruar me mijëra letra, kartë-postale, telegrame etj. Sipas sekretares Meri Xhons, “Peshkop Noli ishte një letërshkrues i ndërgjegjshëm. Ai harxhonte kohë dhe energji për letra..”. Këtë e dëshmon qartazi fondi i trashëguar i epistolarit të tij, i cili ndonëse nuk na ka arritur nga gjithë çka shkroi, prapë është i konsiderueshëm dhe me vlera të gjithanshme. Noli, padyshim, është nga personalitetet e kulturës dhe historisë sonë, që për nga pasuria dhe cilësia e letrave që ka, zë një vend parësor në fushën e epistolarit shqiptar. Burimet për të gjurmuar dhe siguruar letërkëmbimin e Nolit kanë qenë të ndryshme dhe të shpërndara në kohë dhe në hapësira të mëdha. Tregues i gamës tepër të gjerë të korrespondencës së Nolit janë jo vetëm letrat që kemi në dorë, por dhe blloqet me adresa të shumta që ai ka lënë. Vetëm nga një bllok adresash, mbajtur në vitet ’20-’30, ku ato janë shënuar alfabetikisht, gjejmë me dhjetëra emra njerëzish, shqiptarë e të huaj, miq dhe të njohur, veteranë dhe veprimtarë, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë me banim në SHBA dhe Evropë, në Amerikën e Jugut dhe në Afrikë, pa përmendur vende të tjera. Janë aty adresat e bashkatdhetarëve shqiptaro-amerikanë, por dhe të shokëve të KONARE-s, të personaliteteve të huaja politike, të albanologëve, madje emra grash prapa të cilave fshiheshin lidhjet ilegale politike. Në mes adresave janë dhe ato të familjarëve, të vëllait e motrave. Për të kuptuar se sa shumë letra ka shkruar Noli, mjafton të sjellim dëshminë që gjejmë në Ditarin e tij politik, mbajtur në vitet 1917-1918, nga i cili del se vetëm brenda 9 ditëve (8-17 gusht 1917) ai ka shkruar 108 letra personale dhe zyrtare në cilësinë e kryetarit të “Vatrës”! Por pasqyra më e plotë e letërkëmbimit të pasur e të gjerë të Nolit janë të dhënat që na ofron Biblioteka “Fan Noli”, e krijuar më 1970 pranë shkollës së Kryekatedrales Ortodokse Shqiptare të Shën Gjergjit në Boston, ku gjendet dhe fondi i korrespondencës, me 3000 letra dërguar Nolit në 1930-1965 dhe rreth 100 kopje letrash të shkruara prej tij. Sipas një dëshmie tjetër, rezulton se fondi i letrave të ardhura rezulton në 12.000 letra. Nga sqarimet e at A. Liolinit, kjo pasuri epistolare përbëhet nga korrespondenca kishtare, politike, diplomatike dhe personale. Përafërsisht letrat janë shkruar 55% në gjuhën shqipe, 20% greqisht, 20% anglisht dhe 5% në gjuhë të tjera. Për fat të keq, këtë fond, me gjithë përpjekjet e bëra, nuk e kemi njohur dhe shfrytëzuar për arsye të ndryshme që nuk vareshin prej nesh.

Meqë jemi këtu, cilat janë fondet arkivore nga ku janë marrë këto letra?

Në fakt, ne kemi shfrytëzuar të gjitha burimet e mundshme, në radhë të parë ato të brendshmet, kryesisht fondet e Arkivit Qendror të Shtetit. Këto i kemi pasuruar dhe nga burime të tjera si nga ish-arkivi i PPSH-së, arkivi i Institutit të Historisë, ai i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, nga muzeumet e ndryshme të vendit. Një pjesë e letrave janë nxjerrë nga shtypi i kohës (“Drita”, “Dielli”, “Republika”, “Liria Kombëtare”, “Imigranti”, “Federata Ballkanike” etj.) Nga ana tjetër, persona të ndryshëm me banim në SHBA, po sidomos trashëgimtarë të miqve dhe bashkëpunëtorëve të Nolit, kanë pasur mirësinë të na japin letra të tij. Po kështu, letrat familjare i kemi siguruar nga mbesat dhe nipërit e Nolit që jetojnë sot në Greqi. Letrat e Nolit në shumicën e tyre u kopjuan nga tekstet origjinale, ndërsa pjesa tjetër u mor nga tekste të botuara. Të tjerat, në gjuhë të huaja, (anglisht, greqisht, frëngjisht) u përkthyen dhe po i jepen lexuesit në gjuhën shqipe.

Letërkëmbimi i Nolit shtrihet në një periudhë kohore afro gjashtëdhjetëvjeçare, nga vitit 1906 deri në vitin 1965, pas së cilës qëndron historia shqiptare e gjysmës së parë të shekullit tonë. Nëse do të fokusoheshim në këto periudha, si do t’i klasifikonit këto letra?

Noli do t’i përjetonte tri epokat; Rilindjen, Pavarësinë dhe erën e shndërrimeve social-ekonomike të Shqipërisë së pasluftës. Prej tyre sigurisht, do të përcaktohej edhe brendia kryesore e letrave, idetë dhe mendimet, qëndrimet ideo-emocionale, gjendjet e ndryshme psikologjike. Kohët do të vepronin tek ai në mënyrën e tyre dhe ai do të reagonte në mënyrën e vet. Ky raport duhet mbajtur mirë parasysh në balancën e gjykimeve, sepse Noli nuk u shkëput asnjëherë nga koha. Por nga ana tjetër ai ruajti gjithnjë individualitetin e tij dhe kjo e bën letërkëmbimin e tij origjinal, të pavarur, me peshë. Në përgjithësi, epistolari i Nolit është unik, mban vulën e një personaliteti, ka tipare të përbashkëta. I projektuar në kohën kur është shkruar, ai ruan disa karakteristika të veçanta që lidhen me etapa të caktuara të historisë sonë kombëtare dhe të vetë jetës së tij. Në varësi me këto rrethana, letrat mund t’i ndanim në katër grupe. Në grupimin e parë janë letrat e viteve 1906-1912, shkruar në hullinë e ngjarjeve të Rilindjes shqiptare. Në grupimin e dytë janë letrat e viteve 1912-1924, që lidhen me veprimtarinë e Nolit për mëkëmbjen dhe konsolidimin e shtetit shqiptar dhe për një regjim demokratik në Shqipëri. Në grupin e tretë përfshihen letrat e viteve 1925-1939, që përfshijnë kohën e emigracionit politik, tërheqjen nga jeta politike dhe përkushtimin pas studimeve. Ndërsa në grupimin e katërt hyjnë letrat e viteve 1940-1965, që pasqyrojnë kthimin e tij në jetën politike gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe lidhjet me Shqipërinë e pasluftës.

Noli e ka shpërfaqur në një farë mënyre gjithë personalitetin e tij te vepra “Autobiografia”. A s’është ky lëvrim me letërkëmbime një vepër e ngjashme me të?

Nuk do të gabonim po të thoshim se letërkëmbimi i Nolit në tërësinë e vet i ngjan një varianti të detajuar të “Autobiografisë”, pasi ndjek e reflekton në një farë mënyre jetën e tij nga mosha e rinisë deri në pleqëri të thellë. Madje, nga disa pikëpamje, ai paraqitet më autentik se “Autobiografia.
Në disa prej letrave gjejmë të nënshkruar në fund, jo rrallëherë edhe pseudonime...
Po autori i ka nënshkruara letrat zakonisht me emrin Fan Noli, Fan Stilian Noli ose Fan. S. Noli. Ndërsa në fillimet e korrespondencës i nënshkruante Theofan Mavromati, emër me të cilin figuron në dokumentet e hershme shkollore dhe kishtare. Por shpesh, sidomos në vitet 1906-1913 përdori pseudonime ose nofka të ndryshme si Ali baba Qyteza, Ali papa Qyteza, Ali Asllan Qyteza, Ali Dervishi, Ali Dyrmish Qyteza etj. Në letrat familjare gjejmë dhe nofkat Theofan Durrsaku, Theofan Bostoni etj. Në shkresat kishtare nënshkruan Peshkopi Theofan dhe Kryepeshkopi Theofan.
Çfarë do të veçonit më tepër në këto letra sa i takon gjinisë së epistolarit?
Letrat e tij dallohen nga një gjuhë e bukur, e rrjedhshme, plot nerv, e një stil konçiz, pa fjalë të tepërta, me një grafikë të hijshme që e bëjnë shembull në historinë e epistolarit shqiptar.

Një ndalesë që shkakton habi në letërkëmbimin e tij, është periudha kur Noli kthehet në një “bashkëpunëtor” me ish-kundërshtarin e tij të përbetuar Ahmet Zogun? Si mundi t’i hidhte pas krahëve përplasjet e mëdha politike që kishte me të?

Kjo përkon me vitet 1939-1942. Zogu bëri ç’ishte e mundur ta afronte Nolin në rrethin e interesave të veta politike në kuadrin e përpjekjeve për bashkëpunim dhe mirëkuptim gjithëkombëtar. Por duhet të theksojmë se nuk është Noli ai që i afrohet Zogut, por e kundërta. Do të jenë rrethanat e ndërlikuara ndërkombëtare dhe rreziqet e mëdha që i kërcënojnë Shqipërisë nevojat imperative të ditës, që do ta detyrojnë Nolin të pranojë bashkëpunimin me kundërshtarin e tij politik. Në këtë mes nuk ka vend për asnjë keqkuptim dhe ekuivok. Politikani i zgjuar Fan Noli është krejt i ndërgjegjshëm për taktikat dhe strategjitë që do të ndjekë. Nëse taktikat e afrojnë me Zogun, sepse legjitimitetit formal i monarkut mund t’u shërbejë interesave imediate të Shqipërisë, strategjia e tij politike shikon larg. Ai ka bindjen e patundur se populli shqiptar që ka provuar zgjedhën e monarkut, do të vendosë vetë për qeverisjen e nesërme. Përvoja historike e bën Nolin t’i ketë të qarta etapat e luftës dhe të mos i ngatërrojë me njëra-tjetrën. Ai tregohet në këtë rast një politikan largpamës e realist, përtej paragjykimeve të ngushta dhe skemave të vjetra politike. Letërkëmbimi me Zogun flet qartë për një taktikë elastike të Nolit.

Një detaj që bie në sy në letrat e tij është edhe drejtshkrimi, i cili ka ndryshuar në etapa të ndryshme të jetës së tij...

Letrat në këtë botim janë dhënë me drejtshkrimin e kohës kur u shkruan, me disa ndryshime të vogla, sipas kritereve të përcaktuara. E njëjta gjë është bërë dhe me alfabetin. Siç dihet, Noli përdori alfabetin latin, por në letrat e hershme ai ndryshon nga alfabeti i sotëm në rastet kur përdor germat ts për ç, ch dhe gh për gj, gn për nj, dzh për xh ose q e zëvendëson me c. Për tingullin ë përdori e-në greke. Këto lëkundje të alfabetit në letrat e Nolit do të vijojnë deri në 1909. Ndërsa më pas, ai do t’i përmbahet plotësisht alfabetit të Manastirit.

A mund të themi se me këtë botim është shpërfaqur tërësisht personaliteti i tij?

Gama tematike dhe e problemeve të letrave dërguar Nolit është shumë e gjerë dhe e pasur. Ato përbëjnë anën tjetër të medaljes, raportet e të tjerëve me të, ku spikat pesha e personalitetit të tij me jetën dhe historinë shqiptare, vlerat e liderit dhe politikanit, të klerikut dhe dijetarit, të artistit e të njeriut. Ndihet në to autoritetit i tij i padiskutueshëm, besimi që ai gëzonte te shqiptarët, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive të ndryshme, po dhe respekti që kish ndër të huajt. Por në këto letra Noli zbulon edhe botën shpirtërore, del në to natyra e tij humane, fisnikëria, toleranca, kultura e gjerë dhe inteligjenca e madhe, shpirti tepër i ndjeshëm, bota e tij emocionale, etja e madhe për dituri, sikurse zbulon edhe hije, siç janë natyra e tij e vetmuar, karakteri i rrëmbyer, sidomos në pjesën e parë të jetës së tij, të dashuruarit me vetveten, një vetëbesim i tepruar apo një farë kopracllëku... Siç thotë Panariti: “Noli kishte gjithë virtytet dhe veset njerëzore, plus të vetat...”


Katër telegrame mbi përpjekjet për t’u njohur nga SHBA

Telegram Enver Hoxhës
19 maj 1946

Rezoluta speciale e delegatit Amerikan, Stettinius, që e shtyn diskutimin e çështjes së antarsisë gjer në gusht, u pranua unanimisht nga Këshilli i Sigurimit në mbledhjen e 17 majit stop. Vënia e Shqipërisë në rangun formal të antarsisë mbetet e varur stop. Delegati i Bashkimit Sovjetik, Gromiko, në votimin e kësaj rezolute tha se ay e konsideronte të panevojshme me qënë se, simbas pikëpamjes së tij, ajo i dyfishon rregullat e anëtarësisë së përgjithshme që janë aprovuar nga Këshilli. Stop. Delegati Polak, Lange, i kujtoi Këshillit se Polonia do ta përkrahë çështjen e Shqipërisë ashtu siç bëri në Londër, së pari për shkak se populli Shqiptar luftoi trimërisht kundër fashizmit dhe së dyti, për shkak se pranimi i Shqipërisë... (ësht mbështetur nga aleatja Jugosllavi?/stop/Shpresoj se vonesa prej dy muajsh mund të ketë përfundime të mira. Stop. Kjo gjë mund t’ju japi rast të rregulloni pikëpamjet me Shtetet e Bashkuara dhe me Britaninë, duke fituar kështu përkrahjen e tyre. /Stop/ Kjo gjë mund t’ju japë kohë gjithashtu të dërgoni delegacionin prej Shqipërisë në New York./Stop. Do ta çmoj shumë çdo informatë mbi zhvillimin e mëtejshëm.
Peshkop Fan Noli
26 Blagden St
Boston 16 Mass.

Telegram Enver Hoxhës
1946

Dy Shqipëtarë, të quajtur Dr. Ali Kuçi dhe Stavro Skëndi kanë ardhur, kohën e fundit në Shtetet e Bashkuara/ stop. Lutem na këshillini mi besimin dhe besnikërinë ndaj këtyre personave stop. Me të arritur këtu. Dr. Ali Kuçi mori lidhje me grupin e gangsterëve të Shqipërisë së Lirë/ Stop. Shqiptarët e këtushëm ankohen për taksat e rënda që janë vënë për të gjithë rrobat e përdorura që dërgohen prej Shteteve të Bashkuar në t’afërmit dhe në miqtë e tyre në Shqipëri/ stop. Lutem juni në dijeni, se po të jetë kështu, dërgesa e teshave prej këtej do të pakësohet ose do të ndalohet krejtësisht, meqënë se asnjeri prej këtej nuk dëshëron të krijojë vështirërira financiare për të afërmit dhe miqtë e tij në Shqipëri/ Stop. Kjo është një çështje vitale/ stop. Kini mirësinë të na informoni mi gjendjen ekzakte/ Stop. Na telegrafoni me anë të Dielli, 30 Huntington Are Boston.
Peshkopi Fan Noli

Telegram Enver Hoxhës
28 Maj 1946

Të tre mesazhet t’uaj që m’i dërgoi Ministri fuqiplotë Hysni Kapo nga Belgradi më 10 prill, më arritën sot më 28 Maj/ stop. Për shkak të kësaj vonese lipsen me urgjencë shpjegime të tjera/ stop. Më parë, në se nga pikëpamja e juaj traktatet e regjimeve të kaluar do të mbeten të pandryshuar/ stop. Së dyti, cilët traktate në përgjithësi dhe cilat pika në veçanësi i konsideroni ju të papranueshme/ stop. Së treti, në se ia kini shpjeguar pikëpamjen t’uaj mi traktatet dhe pikat Qeverisë së Shteteve të Bashkuar me shkrim/ stop. Së katërti, në se të tre mesazhet t’uaj janë vetëm për udhëheqjen t’ime apo munt t’i botoj ose t’ua komunikoj departamenteve ose delegasioneve të interesuar/ stop. Ju them me keqardhje se John Nasse dhe gangsterët e tij të të ashtuquajturit Komitet i Shqipërisë së Lirë bëjnë korrespondencë të fshehtë dhe kanë bashkëpunim me reakcionarët dhe me fashistët përtej për përmbysjen e regjimit t’uaj demokratik/ stop. Para lufte ata u munduan shumë t’a sillnin këtu Peshkopin renegat Pandelimon Kotoko dhe ta vinin në krye të Kishës Orthodhokse në Amerikë/ stop. Kryetari i delegacionit frances Alexandre Parodi, hero i famshëm i rezistencës franceze, që shërben tani si President i Këshillit të Sigurimit, tregoi një interes të dukshëm në shpjegimin t’im të hollësishëm mi betejën t’uaj të forta kundër armikut të përbashkët dhe me reformën agrare që kini bërë pas çlirimit të atdheut/ stop. Ay më sugjeroi regullimin e shpejtë të ndryshimeve t’uaja me Shtetet e Bashkuar dhe Britaninë e Madhe është si konditë e domosdoshme për pranimin e Shqipërisë në anëtarësinë e Kombeve të Bashkuar/ stop.
Peshkop Fan Noli
Blagden St
Boston 15 Mass.

Telegram Enver Hoxhës
Gjen. Kol. Enver Hoxha
Tiranë
Boston, 10.VIII.1946

Në “Newyorker Ost” të 9 Gushtit Arthur Marsalo shkruan: U dukën diferenca të mprehta midis tre Fuqive të Mbëdha në lidhje me pranimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara. Duket e pabesuarshme sot që Shtetet e Bashkuara dhe Britania t’i venë keto kërkese të satelitëve ballkanikë të Rusisë/ stop. Kjo vetëm nuk i siguron Shqipërisë vënt (siege) kur Asambleja e Përgjithshme të mblidhet në Shtator/ stop/ Me gjithë që oratorë të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë pranuan që delegatët e tyre të mos bllokojnë dëshirën e shumicës së Këshillit të Sigurimit nuk ka shenja që kutija e Shqipërisë për pranimit të munt të mbledhë 7 vota të nevojshme/ stop. Varet shum thanë ata se Shqipërija do të munt të përgjigjet në forma të kënaqshme listës së pyetjeve të pregatitura nga Nënkomiteti/ stop. Shënon se gjithë gazetat pranojnë (aprovojnë) se pyetjet në lidhje me abrogimin e mënjianshëm të traktateve me Shtetet e Bashkuara kanë shumë rëndësi/ stop.
Peshkop Fan Noli
(28 Blagden St. Boston 16 Mass)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora