E merkure, 30.04.2025, 11:59 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

At Zef Pllumi: I lirë

E marte, 03.06.2008, 06:10 PM


At Zef Pllumi
Fragmente nga libri ''Rrno vetëm për me tregue''

At Zef Pllumi

Nga kapitulli: I LIRE

Fq. 301

''Po atë ditë më thirrën në mëngjes, mora vetëm torbën e bukës e nji palë ndrresa. Për tjerat ishem copë e leckë. I lypa dikuj nji palë pantallona të gjata e dola. U përshëndeta jo me të gjithë, por vetëm me At Aleksin e pak të tjerë, mbasi nuk ishem i sigurtë a po më lirojnë. Më çuen në Degën e Punëve të Mbrendshme të Korçës. Nji oficer më tha se nuk kishte marrë prej Shkodre kurrnji njoftim. Megjithkëtë më tha: Mos u shqetso, po të baj nji shkresë provizore për katër ditë ose pesë që të gjezdisish pazarit, por mos gabo me dalë prej Korçet se të arrestojnë. Përditë do vijsh për t’u paraqitë ne se të ka ardhë letra e lirimit nga Shkodra. Për bukë po të jap nji shkresë e të shkojsh me e marrë ti vetë racionin te ajo furra ushtarake, e cila furnizon kampin e Orman Pojanit.
Kur dola me atë shkresë në dorë u nisa drejt e te furra me marrë racjonin e bukës. Ata më dhanë nji gjysë bukë të ngroftë grunit për shyqyr që ishem lirue.“

Fq.309

“Në hanin e Vasil Papajt kam banue nandë ditë, për ma tepër më binte edhe ushqimin e nuk më ka lanë me shti dorën në xhep. I kam tregue se si duhej ba për me mujtë me u dhanë ndihmë të burgosunve që kishin. Mbas dhetë ditësh më kanë gjetë nji kamion që shkonte deri në Durrës. Në atë kohë, të gjitha mjetet e transportit të vorfën shqiptar ishin në dispozicion të ushtrisë që thirrej „partizanë grekë“ dhe kishin qindra në Korçë, afër Pogradecit e porsa ulesh nga Qafë Thana: bashkë me ta më takoi me udhtue.
Si përfundim nji ndalesë dyditëshe në Durrës e nji tjetër në Tiranë, kesht mbas 13 ditësh që u lirova, mbrrijta në Shkodër, në Kuvendin e Arrës së Madhe.
Atyne u ra si i papritun lirimi im. Në Kuvend gjeta At Marin Sirdarin, At Justin Rrokën, At Mark Papaj e At Ferdinand Palin, si edhe fratelin plak Fr.Ndue Vila. Kuvendi ishte i vorfën, i zdeshun, si ata të kohës së Shën Françeskut. Nuk kishin asnji shtrat rezervë me u shkue ndonji mik. Ata ishin aq ngushtë edhe me ushqime. Racioni i bukës që merrej me triska kushtonte vetëm 17 lekë të vjetra dhe kishte rasa që as atë nuk mund e merrshin. Ushqimi i zakonshëm ishte nji supë bollgurit (grunë i trajtuem) e kurrgja tjetër. Un fjeta për tokë, si në burg, i mbluem me dy batanije. Gjate ditës u interesojshem me gjetë shokët e miqët e mij e familjet e tyne. Gjithshka bahej gjyse msheftësi, sepse e dijshem që gjithkund i kishem mbas meje sytë e veshët e Sigurimit. E para familje që kërkova, kje ajo e Xhabir Dibrës. Un e dijshem shtëpinë. I shkova në kohën e mbasdrekes, që mos t’i jepshem shqetsimin me më ndalë për mesditë. Kur krisa në derë, nji za femne pveti: “Kush asht?! Dhe hapi dritaren sipri mbi derë e bërtiti:
-Uu! Zef Pllumi.
Ishte motra e Xhabirit: na nuk ishim pa kurr në jetën tonë, por Xhabiri, që ishte lirue me pune kondicionel përpara meje, duket se i kishte folë shumë për mue. U përqafuem, më ngjiti prej shkallësh e nalt te Nana Nije: më prezantoi: „shoku i ngushtë i Xhabirit, Zef Pllumi“. Ajo më puthi në ballë. Ty të bekoftë Zoti! Djali im vetëm për ty flet. Mirë se të pruni Zoti! Po kur je lirue? Prit se tash po vjen edhe Xhabiri. Oh, sa mirë! Oh sa po gëzohet tash Xhabiri që je lirue! Sa më gëzove!
Oda e pritjes ishte me mobiljet ma luksoze. Në atë shpi gjithshka ishte e bukur, e pastër dhe e pasun.
Motra e Xhabirit në atë kohë ishte e fejueme. Un ishem i veshun gjithnji me ato leckat që m’i kishin la në Korçë.
-Po hiqi këto! Po të bie e veshi rrobat e Xhabirit.
-Jo, - i thashë – jam tue pritë se nesër më vjen familja.
Kur e motra më pruni nji shurup drandofillash, Nana Nije më tha:
Na fal se nuk mbajmë raki në shpi.
-Aq ma mirë. As nuk e pi.
-A djelmët e mij – tha Nija.
Kur erdhi Xhabiri e u ndie se hapi derën e shtëpisë, motra fluturim zbriti shkallët me i dhanë sihariqin. U përqafuem gjatë e gjatë; prej gzimit na shpëtuen edhe lotët. Nana Nije e motra na përqafuen të dyve. Ashtu krye më krye, katër vetë kaluem çastet e mallëngjimit. I lumtun.
-Tre djelm ka Zoti – tha Nana Nije. – Njani më ka mbetë në Itali. Zoti e ruajtë atje ku asht. Por qe, prap sot un i kam tre këtu e në zemrën teme: ti nuk je ma larg se këta. Ndërsa motra i kapi duerët tona:
-Po si u kanë lidhë ata katilat? Ku? Qe këtu! Po, këtu ende shifen plagët e hekurave! I bashkonte me duerët e veta duert tona. Ah, katilat si me i lidhë këto duerë? Vllazënt e mij janë pëllumba, pëllumba të vërtetë! Çfarë katilash – dhe ulte kryet e shikjonte me vëmendje gjithnji shejet e plagëve.
Kur u shtrue sofra, se ato ende nuk kishin hangër tue kenë se pritshin Xhabirin, un u ula pa ba fjalë. Gjella që kishem hangër në Kuvend nuk e prishte agjnimin ose ma mirë kishte zavendsue aperitivin. Gjatë drekës Xhabiri më tha: „Në të vërtetë un të pritshem pak ma vonë, bile kam pasë thanë që aty prej gjysës së Nandorit deri në gjysë të Dhetorit“.
Si vlla që e kishem i tregova të vërtetën: se si kishem përfitue nga injoranca e zyrtarëve që nuk dijshin me dallue Dhetorin prej të dhetëtit.
-Ah, çfarë djalli je! Po shifni – u suell motra – mos t’u shpëtojë goja se përndryshej këtë e mbysin aty në hu.
-Jo, po na nuk kemi luejtë mendsh – i tha ajo – pak vonë, por tash edhe na i kuptojmë mizoritë e tyne. Ty të lumtë, - më tha mue – sa bukur ua paske hedhë! Si të ka shkue ndërmend?
-Të ban halli – i përgjegja.
Ndërsa po hajshem ato gjellë të shijshme të cilat i njifshem që prej duerve të lidhuna me Xhabirin, mendojshem me vedi: Sa i lum asht i vorfni kur e bajnë vlla. Ungjilli duhej jetue e jo veç predikue. Ajo ishte nji familje myslimane: kurrgja nuk dijshin për Krishtin, as Ungjillin. Edhe un vetë e pashë se pak dij për Islamizmin. Ungjilli i vërtetë jetohej edhe prej atyne që nuk e njofin. Dashuni. Vetëm Dashuni për njerzit. Çaste lumnije në tokë.“



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx