Shtesë » Historia
Si e pagëzoi Shiraku sheshin "Skenderbej" ne 1978 ne Paris
E diele, 01.06.2008, 12:37 PM
![]() |
Jonuz Ndreu - Lec Shllaku |
Lidhur me këtë, 70-vjeçari Jonuz Ndreu dëshmon: "Po kështu në atë kohë, me kryebashkiakun e Parisit, Zhak Shirak, u njoh dhe zuri një miqësi të ngushtë, edhe Isa Ndreu, i cili së bashku me Lec Shllakun, botonin revistën ‘Koha e Jonë‘. Isai bisedoi me Lec Shllakun dhe Skënder Zogun, (nipin e Mbretit Ahmet Zogu, që jetonte në Paris), dhe të tre bashkë hodhën idenë e ranë në një mendje, që duke përfituar nga miqësia që Shllaku me Ndreun kishin me kryetarin e Bashkisë së Parisit, Zhak Shirak, t‘i kërkonin atij që të shihte mundësinë që një nga sheshet kryesore në qendër të kryeqytetit francez, të pagëzohej me emrin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Kjo ide e tyre u prit mjaft mirë, jo vetëm nga komuniteti i shqiptarëve të Parisit, por edhe qyteteve të tjera, deri dhe jashtë Francës. Dëshira e Ndreut, Shllakut e Zogut ishte që ajo gjë të bëhej me rastin e festimeve të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, që përveçse në Shqipëri, organizoheshin kudo në të gjitha vendet e botës ku kishte komunitete shqiptarësh. Pas kësaj, Isai me Shllakun e Skënder Zogun, ndërmorën shumë takime me autoritetet e larta të pushtetit vendor të Parisit dhe pas përgjigjes pozitive që morën prej tyre, ata iu vunë punës duke përgatitur të gjithë dokumentacionin e procedurat e nevojshme që kërkonte ajo gjë. Po kështu, që nga fillimi i viteve ‘70 e në vazhdim, Isai, Shllaku e Skënder Zogu, shfrytëzuan edhe të gjitha njohjet e popullaritetin që kishin në komunitetin e shqiptarëve të Parisit, për t‘i dhënë gjithë përkrahjen e mundshme zotit Zhak Shirak. Kjo gjë konsistonte në fushatat e ndryshme elektorale që ai zhvillonte së bashku me partinë e tij, në zgjedhjet për postin e Kryeministrit të Francës dhe të kryebashkiakut të Parisit. Ajo ndihmë kishte të bënte jo vetëm në dhënien e votave nga ana e shqiptarëve, por edhe në forma të tjera të ligjshme, duke e përkrahur zotin Shirak edhe me shkrime të ndryshme në revistën "Koha e Jonë" që ata drejtonin. Me gjithë dëshirën e mirë të autoriteteve bashkiake të Parisit, ajo gjë nuk u bë e mundur që të realizohej në vitin 1968, si rezultat i procedurave të shumta që zgjasnin për një kohë të gjatë", kujton Jonuz Ndreu lidhur me përpjekjet që i vëllai, Isa Ndreu, së bashku me Lec Shllakun e Skënder Zogun, ndërmorën gjatë viteve ‘70, për të pagëzuar me emrin e Skënderbeut një nga sheshet kryesore në qendër të Parisit.
10 korrik 1978, Shiraku miraton sheshin
Por dëshira e Isa Ndreut, Lec Shllakut dhe Skënder Zogut, si dhe e të gjithë komunitetit shqiptar të Parisit, që një nga sheshet e kryeqytetit francez të merrte emrin e Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, u bë realitet vetëm më 10 korrik të vitit 1978. Ajo ndodhi atë ditë kur të gjithë shqiptarët kudo në botë festonin me madhështi 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Miratimi i kërkesës së komunitetit të shqiptarëve të Parisit, të përfaqësuar prej Lec Shllakut, Skënder Zogut dhe Isa Ndreut, u bë pas shumë përpjekjeve të zotit Zhak Shirak, i cili në atë kohë mbante funksionin e kryetarit të Bashkisë së Parisit. Lidhur me këtë, Jonuz Ndreu dëshmon: "Me dhënien e emrit të Skënderbeut, sheshit ‘Villa Lumier‘ të Parisit, zoti Zhak Shirak, jo vetëm që plotësoi një kërkesë të shqiptarëve që jetonin në atë qytet, por ai ngriti lart prestigjin dhe krenarinë e Shqipërisë, duke bërë që Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, të njihej akoma edhe më shumë në botë". Po si e përjetoi komuniteti i shqiptarëve të Parisit atë eveniment? Kjo gjë dëshmohet më së miri edhe nga një shkrim i zotit Isa Elez Ndreu, i botuar ato ditë në revistën e tij "Koha e Jonë", ku midis të tjerash thuhet: "Edhe në Paris, në kryeqytetin e Francës, do të kemi ‘SHESHIN SKËNDERBEG‘. Vendimi u muer prej Këshillit Bashkijak, i cili më datë 10 korrik 1978 dha pëlqimin e vet dhe vendosi që Sheshi AZ/ 19 të pagëzohet me emërin e Heroit tonë Kombëtar. Për të mbërri në këtë përfundim, që ka gëzue të gjithë Shqiptarët, janë dasht gati dhjetë vjet, historikun e të cillit do ta botojmë në një vëllim të veçantë ma vonë. Nga letra që zoti Lec Shllaku iu ka drejtue bashkëatdhetarëve, kuptohet se si janë zhvillue bisedimet dhe korespodenca në mes Bashkisë dhe tij, dhe sa vullnet të mirë dhe durim i asht dashtë bashkëatdhetarit tonë, deri sa ia ka arrijtë qëllimit: me përjetësue kujtimin e Skënderbeut në Paris. E përkohshmja ‘Koha e Jonë‘ po e jep këtë lajm të gëzueshëm e kënellës, e bindun se të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, do të ndjejnë të njëjtën sedër dhe mallëngjim. E ndjejmë për detyrë morale e Kombëtare, t‘i drejtojmë në rradhë të parë, Shkëlqesisë së Tij, Zotit JAQUES CHIRAC-ut, e kryetar i Bashkisë së Parisit, tanë mirënjoftjen tonë se dhe falenderimet ma të sinqertat që, me ndërhymjen e vet, e bani të mundshme një mbrekulli të tillë. Falenderimet tona ia drejtojmë edhe Komisionit Kulturor të Bashkisë nëpër mjet Zotit Roger ROMAN-it, që me mirësi e kopetencë, ka dhanë mendimin të favorshëm rreth meritave tue e cilësue Skënderbeun të meritueshëm dhe të denjë që një shesh a rrugë të nderojë emrin e Tij. Ma në fund një mirënjohje të thellë ia drejtojmë Këshillit Bashkijak, me anën e përsonës, së Mr. Bernard ROCHER, i cili Këshillë vendosi të përjetësojë emnin e Skënderbeut tue i kushtue një shesh të kryeqytetit. Nuk mund të rrimë pa përgëzue edhe mikun e bashkëpunëtorin tonë, Lec Shllakun, i cili me ndërhymjen e vet këmbëngulëse, ia arriti qëllimit. Isa Elez Ndreu.
Medalja shqiptare për Shirakun
Në shenjë mirënjohjeje për atë që bëri zoti Zhak Shirak, për shqiptarët, Ndreu, Shllaku dhe Skënder Zogu, ndërmorën nismën dhe i akorduan atij një medalje ari, e cila iu dorëzua në një ceremoni madhështore në Paris. Në ceremoni morën pjesë dhe shumë personalitete të mërgatës antikomuniste shqiptare nga e gjithë bota, përveç ambasadorit të Shqipërisë që ishte i akredituar asokohe në Paris. Lidhur me këtë bëhet fjalë edhe në një shkrim të botuar nga Lec Shllaku, në dhjetorin e vitit 1987, me rastin e dhjetëvjetorit të dhënies së emrit Skënderbej, sheshit në qendër të Parisit. Në mes të tjerash aty shkruhet: "Mbasi qe realizue me shumë durim e kokëçamje, pagëzimi i sheshit kushtue Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në Paris, objektivi i dytë ishte ai i një avenimentit tjetër, të afërt në kohë, si ngrehja e monumentit dhe i një medalje përkujtimore, së paku, me rastin e 10-vjetorit të parë. Ideja e një monumenti në vehtëvete paraqet një rradhë problemesh e sidomos vështirsinash nga ana e Ministrisë së Kulturës dhe të Punëve Botore, përpos gjetjes së skulptorit të aftë, për të përkrye një vepër artistike. Por pengesa kryesore asht zgjidhja e problemit financiar, i cili në kushtet që ndodhemi, paraqitet i pazgjidhshëm, pa pasë përkrahjen e autoriteteve Bashkijake të Parisit. Vetëkuptohet se monumenti i Skënderbeut mbetet një dëshirë, por ai i medaljes që kërkon një shumë të hollash relativisht të ulët, për një rradhë rrethanash të favorshme u realizue. Përvjetori i Vendimit të Këshillit Bashkijak të Parisit, për të përjetësue Emnin e Skënderbeut në kryeqytetin e Francës, u muer më 10 korrik 1978, kështu që në korrikun e ardhëshëm (1988) mbushen plotë dhjetë vjet dhe për atë datë u shkri Medalja Përkujtimore, në formën ma artistike nga Miku i Shqiptarëve, zoti Josef Baier, në uzinat e tij në Austri. Inagurimi i Sheshit u zhvillue më datat 6 dhe 7 maj të vitit 1980, në Paris dhe ishte zoti Baier ai që gjeti kohë dhe mundësinë për realizimin dhe shkrimjen e Medaljes, duke e parë atë edhe nga vështrimi historik. Duhet të theksojmë këtu me dashamirësi dhe simpati se zoti Baier e ka prodhue medaljen pa asnjë shpërblim, falas, vetëm me realizue dëshirën tonë: atë që të përkujtojmë edhe njëherë Skënderbeun në dhe të huej por Mik. Por na medaljen e vejmë në dispozicion të bashkëatdhetarëve me një çmim të arsyeshëm, dhe shuma që do të mblidhet nga shitja e medaljes, do të përdoret për shkrimjen e një cope prej ari, për t‘ia dhurue zotit Jacues Chirac, të cilën do t‘ia dorzojë një përfaqësi shqiptare, tue i shprehun, njëkohësisht mirënjohjen tonë për ndërhymjen e tij në favor të përjetësimit të Skënderbeut në toponiminë Ville Lumierë. Tue konsiderue çmimin e naltë të arit (metal) dhe se medalja ka përmasa (dimensione) të konsiderueshme dhe një peshë prej 90 gramësh, u drejtohemi bashkëatdhetarëve të na përkrahin tue ble medaljen, në mënyrë që të kryejmë në këtë rast, një gjest fisnik ndaj zotit Chirac, tue ia kthye nderin që na ka ba. Dëshira jonë asht që me rastin e 10-vjetorit (korrik 1988) të bajmë një mbledhje bashkëatdhetarësh në Sheshin "Skënderbej" në Paris. Për këtë arsye iu drejtohemi miqëve dhe dashamirëve që dëshirojnë të marrin pjesë në atë eveniment, që të kenë mirësinë që të na njoftojnë më parë duke kontaktuar me ne. Po në atë rast mendohet të themelohet ‘Cercle Franco-Alabnias Scanderbeg‘, i cili do të merret ekskluzivisht me çështje kulturore e shoqnore dhe në krye të tij do të jetë një personalitet francez. Përfitojmë nga rasti të theksojmë se projekti për një përmendore të Skënderbeut dhe të tejtimit në gjuhën shqipe nga Radio Franceze Internacionale, në bazë të letërshkëmbimeve me Ministrinë përkatëse, do të ketë rezultate pozitive. Tue ju urue gjitha të mirat dhe festat e ardhshme, ju përshëndes me miqësi". Paris, Dhjetor, 1987. Lec Shllaku.
Shqiptarët përkrahin Shirakun
Në shenjë mirënjohjeje për politikanin e shquar francez, zotin Zhak Shirak, asokohe komuniteti i shqiptarëve të Parisit, e mbështeti atë pa asnjë rezervë në të gjitha fushatat elektorale. Për këtë bëhet fjalë edhe në një shkrim të editorit Lec Shllaku, i botuar në revistën "Koha e Jonë" në vitin 1987, ku midis të tjerash shkruhet: "Jemi në prakun e zgjedhjeve presidenciale në Francë, të cilat do të zhvillohen në prendverën e vjetit 1998. Nga zgjedhjet e fundit (1981) ku verdikti popullor zgjodhi Z, François Mitterrnand, për President të Republikës Franceze dhe si rrjedhim, ardhjen në fuqi të socialistave, të majtat kanë zhvillue përherë e ma tepër, fazën negative tuj humbë kredinë në popull, aqsa në marsin e vjetit 1986, Z. Jacues CHIRAC me R.P.R. dhe aleatët e U.D.F-it ngadhënjej në zgjedhjet politike. Në vjetin 1981 RPR dhe UDF humbën rastin të kenë një President nga rradhët e tyne, dhe kjo erdhi nga rivaliteti që tregoi UDF-i ndaj kandidaturës së Z. Chirac, kështu që ata që nuk dëshirojnë rizgjedhjen e Zotit V.G. D‘Estaing i dhanë votën Z. Mitterrand. Gjatë kohës së qeverimit socialist dhe kur personalitete të UDF-it dhe të organizatave të tyne kishin ra në letargi, vetëm zoti Chirac si kryetar i Bashkisë së Parisit dhe President i RPR me bashkëpunëtorët dhe militanët e partisë, treguen një gjallëni të jashtëzakonshme e me aktivitetin e tynë. Në zgjedhjet komunale, krahinore dhe parciale, u gryene socialistave në fuqi, vota dhe poste, aqsa në marsin e vjetit 1986 socialistat e zotit Mitterrand humbën zgjedhjet. Por, nëse votuesat do të mbajnë parasysh, e pa pasion, veprimtarinë pozitive të Z. Chirac në lamina të ndryshme të jetës franceze, e sidomos për dy herë si Kryeministër, Franca ndër kandidatët që parashef të paraqiten, në Z,Chirac, do të gjente personalitetin ma adapt. Këtë solucion na e përkrahim dhe e urojmë që të realizohet". Pasi jepet përkrahja e plotë nga shqiptarët e Parisit për zotin Shirak, në mbyllje të atij artikulli, publicisti Lec Shllaku u kujtonte bashkatdhetarëve të tij, nderin që iu ka bërë zoti Shirak me dhënien e emrit të Skënderbeut në një nga sheshet e Parisit. Lidhur me këtë ai shkruan: "Në ditët e para të korrikut 1998 mbushen Dhetë Vjet nga vendimi zyrtar i Këshillit Bashkijak të Parisit, me të cilin i kushtoi Heroit tonë Kombëtar Skënderbeut një shesh të kryeqytetit. Ky vendim që pavdekësoi Skënderbeun në Francë, u përkrah nga zoti Chirac, e vetëm tuj kujtue këtë fakt miqësor ndaj shqiptarëve, duhet t‘i jemi jo vetëm mirënjoftës, por edhe të përkrahim kandidaturën e tij në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Me rastin e dhjetëvjetorit të parë të pagëzimit të sheshit (1978-1988) Komisioni asht tue shqyrtue mundësinë e nji manifestimi në Paris, me pjesmarrje të gjanë të Huejsh dhe shqiptarësh, dhe në atë rast do të shpërndahet Medalja Përkujtimore, e cila asht përgatit për atë rast dhe asht shkri nga miku i ynë, austriaku Baier. Hollësina të tjera në lidhje me këtë ngjarje, do të japim me anë letrash dhe me ‘Koha e Jonë‘. Paris. Korrik, 1987 Lec Shllaku.