E hene, 29.04.2024, 03:54 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sadik Bejko: Fabrikim i disidentëve të rremë (I)

E merkure, 25.06.2008, 08:00 PM


Fragment nga libri ''Desidentët e Rremë''

Sadik Bejko

Kreu I
Fabrikim i disidentëve të rremë

1. Shqipëria dhe kërkesa e Europës për dënimin e krimeve të komunizmit

Shqipëria dhe qytetërimi i saj i sotëm në ballafaqim me parimet më themelore për një demokraci e për një qeverisje të standardit europian ku mëton të integrohet, për fat të keq, vazhdon të mbetet një vend jo serioz. Ndonjë herë sinjalet dhe porositë që lëshojnë drejt nesh kanceleritë europiane këtu vijnë me vonesë si korrierët në provincat e largëta romake, ose vijnë aq të pakuptuara sa zbatimi i tyre ngjan i përçudshëm e krejt grotesk. Mjafton të përmendim një nga kërkesat e Europës për dënimin e krimeve të komunizmit. Kjo Shqipërinë e ka zënë gafil. Si gjithmonë edhe këtë herë Shqipëria është e turbullt dhe në mëdyshje. Si gjithmonë edhe këtë herë ajo mbetet në vendnumëro, mbetet e fundit në zbatimin e orientimeve të tilla europiane. Shqipëria, vendi ku diktatura është ushtruar më ekstremisht se kudo tjetër në Europë, kësaj herë ngec e nuk di të bëjë asgjë.
Jo vetëm kaq, kjo do të ishte gjysma e së keqes. Shqipëria, si në shumë aspekte të tjera të shtetësisë, të demokratizimit e të progresit, duke mos pasur në sirtarin e saj asnjë strategji, asnjë përfytyrim se ku duhet shkuar e si duhet shkuar, në vend që të shkojë përpara, bën pas, i hap udhë kaosit dhe moskuptimit. Ajo vetëm bëlbëzon dhe luhatet. Më së shumti parimet themelore të qytetërimit të sotëm ajo i artikulon vetëm si slogane pa asnjë pëmbajtje të thellë përbrenda. Merr një hap sot, pastaj shqepon një tjetër nesër, se ajo nuk ka optika që rrokin atë që vjen, atë që pritet. Shqipëria si atdheu a si shtëpia e varfanjakëve, mendon vetëm sot për sot.
Një kërkesë të tillë, si ajo për dënimin e krimeve të komunizmit, Shqipëria jo se nuk e njeh. Madje ajo djallëzisht e ka përdorur problemin e të persekutuarve politikë, i ka shfrytëzuar ata sa për propagandë elektorale, pra, një gjë kaq themelore e ka pranuar vetëm për demagogji. Duke mos menduar thellë, Shqipëria ngjan se nuk ka shpatulla për të vërteta të mëdha. Ajo me parimet e mëdha, më së shumti mashtron veten dhe të tjerët në nivel propagandistk, sipërfaqësor, dhe asgjë më shumë.
Shqipëria jo vetëm që nuk ka predispozitën serioze për të kthyer kokën pas, për të pastruar veten nga helmet e komunizmit në trupin e saj, por ajo ka bërë një lojë të keqe me një plagë kaq serioze, ajo ka nxjerrë gjuhën e talljes ndaj një problemi të tillë. Pse një cinizëm i tillë? Ndër të tjera, kjo vjen jo nga që ajo nuk ka fuqi reale të përballohet me një gjë kaq themelore, por sepse një pjesë nga ata që sot drejtojnë këtë vend, janë vetë të përlyer dhe nuk e duan ballafaqimin me të kaluarën.
Dhe ç’ka ndodhur?
Në Shqipëri janë shtuar përpjekjet për të lancuar deri për t’i ngritur në pushtet disa nga figurat më të dyshimta, figura të lidhura me njëmijë fije me diktaturën: udhëheqës, xhelatë, kriminelë në Shqipëri kanë gjetur punë në shtet, në biznes, në diplomaci, në kulturë. Shqipëria ka qenë dheu i artë, ku vetëm me fjalë mund ta shash diktaturën sa të duash, por prodhimet e saj më të shpifura, mund t’i kesh në krye të vendit.
Veç se në politikë apo në biznes, në botën e artit e të letrave ndodh po e njëjta gjë: janë bërë përpjekje për të ngritur e glorifikuar personazhe të dyshimtë. Shpesh këta janë shpallur deri heronjtë e moralitetit dhe të nderit suprem të shoqërisë shqiptare.
Kjo rendje me kokëposhtë domosdo do të shoqërohej me hedhje të baltës mbi vlerat e vërteta, do të shoqërohej me fabrikime disidentësh të rremë, me lajka e lavdërime për ish- spiunë të shtetit komunist, shkurt, me çoroditje totale të sistemit të vlerave.
Këto ditët e fundit gazeta “PANORAM”A ka botuar në shumë numra të saj materiale sekrete të Byrosë Politike. Shprazet aty gjithë turpi, gjithë mizerja e kupolës komuniste. Por botimi i këtij arkivi u ndoq me vëmendje nga opinioni, jo vetëm sa për të shuar kuriozitetin. U ndoq për atë që mosnjohja e të vërtetave ka ndikuar thellë mbi të sotmen. Po sjellim vetëm një shembull. Të bënte përshtypje që në këto dokumente përmendej emri i një muzikanteje të njohur, i Dhora Lekës. Emri i saj lidhet me problemin që sapo e ngritëm, me fabrikimin e disidentëve të rremë.
Deri më tani ne e njohim këtë zonjë si një disidente të madhe. Ka një fondacion me emrin e saj. Ka një shkollë me emrin e saj. Ka nderime e çmime të mëdha për të. Mundet dhe një emër rruge mban emrin e saj. Dhe të gjitha këto asaj ju dhanë qysh në gjallje.
Ndërkaq, veç të tjerash, ne lexojmë në dokumentet e “Panoramës” se Dhora Leka na paska qenë një denoncuese e shquar kundër shkrimtarëve, artistëve, intelektualëve e politikanëve. Sidomos pas Konferencës së Tiranës më 1956.
Me dhjetëra njerëz janë dënuar nga këto denoncime. Bedri Spahiu, ish-prokuror i përgjithshëm dhe ish-udhëheqës komunist i penduar, ka folur për këtë denoncuese disa vite më parë.
Mirëpo kujtesa shqiptare është e shkurtër. Kjo grua vazhdoi të marrë nderime edhe pas kësaj.
Ky është vetëm një shembull që tregon se sa e nevojshme ka qenë hapja e dosjeve dhe arkivave të fshehta, që u kërkua me këmbëngulje shumë vite më parë nga shkrimtarë dhe artistë të njohur.
Kjo hapje do t’i vinte stop, çoroditjes, kaosit, do t’i thoshte stop përpjekjeve të diktaturës së rrëzuar, për t’u ringjallur në fillim shpirtërisht e pastaj realisht. Duke mos e respektuar këtë kërkesë, Shqipëria ngriti në piedestal disa nga fundërrinat e diktaturës.
Në një analizë të shkëlqyer, të bërë kohët e fundit në SHBA, zonja Madelene Ollbrajt e quante vazhdimësi logjike faktin që sot në Rusinë e Putinit po ringjallet simpatia për Stalinin. Terrori stalinist bazohej mbi policinë e fshehtë, KGB-në. Eshtë e logjikshme që një oficer i KGB-së si Putini, të sillte me vete nderimin për mjeshtrin e terrorit, Stalinin.
Në Shqipëri prej kohësh shtypi ka vënë në dukje përpjekjet për ringjalljen e enverizmit. Është folur për nostalgjitë ndaj regjimit, për kujtimet me ngjyrë rozë të anëtarëve të nomenklaturës ose të servilëve të saj, për praninë skandaloze në shtyp të anëtarëve të familjes Hoxha e të familjeve të tjera, që e kanë shtypur këtë popull. Mirëpo kjo nuk e ka ndaluar hovin e tyre. Më keq akoma, janë sulmuar ata që e kanë vënë në dukje këtë fenomen.
Në këtë shkrim do të përqendrohemi për shtrirjen e fenomenit në sferën e kulturës, kryesisht të letërsisë. Për këtë dukuri ka pasur shkrime të shumta, emisione televizive, debate e polemika, shoqëruar këto nga mendime kontradiktore. Por ende nuk ka një mendim pak a shumë të kristalizuar. Së paku, për disa gjëra themelore. Kjo do të ndihmonte jo vetëm për një analizë shkencore e objektive, jo vetëm për një vlerësim konstruktiv të letërsisë shqipe, por më gjerë: për hartimin e teksteve shkollore me nivel më të lartë. Për programet shkollore e universitare etj.
Kështu do të ndërpritej sëmundja e kaosit, që ka zënë rrënjë në shkolla e po vazhdon për vite me radhë.

2. Vlerat dhe antivlerat në art dhe kulturë

Vlerësimi objektiv i letërsisë së një epoke është pjesë e historisë së një kombi.
Kjo kërkon një vullnet e një përgatitje serioze.
Ka një ligj universal: çdo letërsi e çdo art vlerësohet nga majat, nga kuotat më të larta të tij. Askush nuk merret me shkrimtarët e rëndomtë, me ata që në çdo regjim janë të destinuar të harrohen.
Në këtë pikë krijohet gjithmonë një problem: cilat janë vlerat e cilat antivlerat?
Ka një përpjekje për seleksionim. Çdo vend, sipas nivelit kulturor që ka, e zgjidh këtë problem.
Në vende me tranzicion si i yni, problemi ndërlikohet. Vetë kalimi nga një epokë në tjetrën, nga robëria në liri, e sjell ndërlikimin.
Përveç faktorit të vlerave, që është themelor në çdo letërsi, një faktor tjetër përzihet: ai i moralitetit.
Kjo është e njohur.
Janë shfaqur dy mendime: Njëri që njeh vetëm faktorin vlerë dhe nuk çan kokën për qëndrimet morale e politike të shkrimtarit. Tjetri, që i merr parasysh të dyja.
Mendimi ynë është me këtë të fundit.
Mirëpo orientimi nuk është i lehtë. Ka shumë spekullime. Një shkrimtar që ka vuajtur nga regjimi, natyrisht, me të drejtë kërkon që t’i njihet kjo. Por nuk mundet vetëm nga mundimet, sado të mëdha qofshin, të përcaktohet vendi i tij në letërsi, se, në radhë të parë, shkrimtarët vlerësohen nga vlerat e mirëfillta letrare.
Vlera morale e favorizon, pa asnjë dyshim. Ndër dy shkrimtarë, me vlera artistike të afërta, natyrisht, ai që ka vuajtur nga regjimi, vetvetiu është më i vlerësuar dhe kjo është absolutisht e drejtë.
Problemi tek ne lind kur kalohet në skajin tjetër: përpjekja që, për shkak të biografisë, shkrimtari të zejë pa të drejtë një vend, vend që vlera e veprës nuk ia siguron dot.
E vërteta është se tek ne, në shumicën e rasteve, shkrimtarët e artistët nuk janë dhënë pas një spekullimi të tillë. Kështu, për shembull, i ndjeri Pjeter Arbnori, ndonëse me një vuajtje gati legjendare, e ruajti modestinë si shkrimtar, pa kërkuar që, për shkak të biografisë të ngrihet mbi të tjerët. E raste të tilla ka plot, si Visar Zhiti, Edi Hila, Sherif Merdani, Frederik Rreshpja etj. Pa përmendur këtu dëshmitarin e madh At Zef Pllumbin dhe veprën e tij monumentale “Rrno vetëm për me tregue”.
Problem krijojnë disa shkrimtarë të tjerë, që janë përpjekur e vazhdojnë të përpiqen me të gjitha mënyrat e të gjitha spekulimet për të zenë atë vend që arti i tyre nuk ua jep.
Jo vetëm kaq. Këta bëjnë zhurmë të tepëruar për vuajtjet e tyre, sajojnë mite e gjëra të paqena. Me fjalë të tjera, jo vetëm që shpesh mashtrojnë e spekulojnë me vetëviktimizimin, por janë jashtëzakonisht agresivë ndaj të tjerëve: shpifin kundër të tjerëve, kërkojnë t’i rrëzojnë ata me çdo kusht.
Tek këta hyjnë disa nga “disidentët e rremë”, për të cilët kanë folur në shkrimet e tyre Mehmet Kraja, Ardian Ndreca, Rushen Alimerko, Arben Kallamata, Skënder Gjoni etj.
Duke qenë marrë me njërin nga shembujt, atë të Kasëm Trebeshinës, ne do të përqendrohemi te ky shkrimtar, për të trajtuar më gjerësisht fenomenin.

3. Histori me disidentë të rremë

Menjëherë pas rënies së komunizmit më 1992, u shfaq edhe emri i Kasëm Trebeshinës si “shkrimtar dhe disident i jashtëzakonshëm”. U bënë të gjitha përpjekjet për ta paraqitur atë si të tillë, por, për një çudi të madhe, zhurma për kultivimin e këtij miti hasi gati në shpërfilljen e plotë të lexuesit dhe opinionit publik shqiptar.
Cili ishte shkaku?
Vetë autori Kasëm Trebeshina si edhe mbështetësit e tij ngulnin këmbë me shumë britma e rrahje gjoksi, se ky shkrimtar e disident i paparë luftohej ende prej shtetit komunist. Meqenëse shteti komunist ishte rrëzuar, kjo tezë nuk ishte fort e besueshme.
Por këmbëngulja vazhdonte. Flitej për 150 vepra të tij, ose më mirë për kryevepra, për rreth 70 romane e 40 drama etj,etj, që do ta mahnisnin publikun shqiptar dhe atë botëror.

Paralelisht me këtë zhurmë, vazhdonte legjenda e pengesës. Ky shkrimtar ende po pengohej! Nga kush? Kjo nuk kuptohej!
Më në fund, autori vetë e gjeti çelësin e enigmës. K.Trebeshina pengohej nga I.Kadareja! Sipas Trebeshinës, megjithëse diktatori i parë i Shqipërisë, Enver Hoxha, kishte vdekur, kishte mbetur gjallë diktatori tjetër, I. Kadareja. Sipas tij, këta dy diktatorë e kishin sunduar së bashku Shqipërinë, bile diktatori I.Kadare ishte edhe më i keq se diktatori E.Hoxha.
Me këto përralla njerëzit që sigurisht do të qeshnin. Dhe ata qeshën vërtet.
Ndërkaq K.Trebeshina botoi rreth 15 vepra, që, pas një shuarjeje të kuriozitetit prej bujës së krijuar në media e në shtyp prej adhuruesve të tij, ato u pasuan nga mospërfillja dhe indiferenca absolute. Si duket orkestruesit e bujës mediatike u ndodhën para një bumerangu. U ra mbi kokë heshtja, jo lavdia, ajo që pritej. Heshtje dhe shurdhëri brenda dhe jashtë vendit. Por Trebeshina prapë ankohej se ishte përsëri I.Kadareja që ia organizonte këtë indiferencë.
Shpjegimi i asaj që dukej si enigmë, shpërfillja e publikut për këtë shkrimtar, gjendet pikërisht te këto 15 vepra të botuara. Ato jo vetëm s’kishin ndonjë gjë për t’u dalluar, por ishin vepra fare të rëndomta, të ngjashme me ato të letërsisë shqipe të realizmit socialist, e disa herë të letërsisë sovjetike, po të realizmit socialist. Ishin vepra me partizanë e gjermanë, me shqiptarë e turq, me histori folklorike e me ndonjë imitim gjoja modernist në formë.
Meqenëse nuk po linte dot mbresë me veprën letrare, K. Trebeshina e hodhi gjithë shpresën tek disidenca. Ai u vetëshpall si i tillë e, fill pas kësaj, u shpall prej mbështetësve të tij si i vetmi disident i jashtëzakonshëm i Shqipërisë, madje i gjithë ish- kampit socialist.
Tre çereku i lavdisë së disidencës së tij, i kushtohet një “Promemorjeje”, që ai ia paska dërguar Enver Hoxhës në 1953(!). Në këtë promemorje ai nuk paska lënë gjë pa i thënë diktatorit shqiptar: që ti sillesh si monarku Luigji XIV, që ti me shokët e tu do ta mbytni Shqipërinë në gjak etj,etj.
Kjo “promemorje” u botua me 1992 dhe i la të habitur krejt njerëzit. Si gjithmonë u gjendën njerëz naivë ose edhe jo naivë , që e besuan. Të tjerët prapë qeshën dhe e quajtën thjesht një mashtrim. Analizën mbi çështjen e “promemorjes” do ta bëjmë më pas.
Pas këtyre rropatjeve, K.Trebeshina ra po në harresë.

Mendimet për të mbetën prapë të ndara. Ndjekësit e tij, me në krye të kushëririn, Ardian Klosin, vazhdonin ta ngrinin në qiell, duke mos i kursyer asnjë lavdërim, qoftë për veprën, qoftë për “promemorjen” e tij. Këto lavdërime shoqëroheshin gjithmonë me zemërim të madh kundër Kadaresë, penguesit të tij. Ky i fundit është shprehur dy herë fare shkurt dhe pa ndonjë respekt për K.Trebeshinën. Një herë e ka përmendur si pseudodisident të çuditshëm (që sulmon kolegët e vet nga pozita staliniste). Herën e dytë si oficer të Sigurimit. Të tjerë si Arben Kallamata, Ardian Ndreca, Dr.Skënder Gjoni etj kanë mbajtur jo vetëm qëndrim mosbesues, por edhe mjaft kritik ndaj Trebeshinës, si shkrimtar dhe si njeri.
Midis këtyre dy qëndrimeve të kundërta, ishte dhe mbetet indiferenca e lexuesit.
Publicisti A.Kallamata, në një shkrim të tij bënte pyetjen: kundër kujt ankohet K.Trebeshina? Përgjigja ishte: kundër lexuesit shqiptar që nuk e lexon!

4. Na ishte s’na ishte një promemorje

Çështja e Kasëm Trebeshinës shfaqet e rishfaqet në mënyrë ciklike.
Kështu ndodhi në vjeshtën e vitit 2006, kur kundër Kadaresë dhe familjes së tij u organizua një nga fushatat më të pamoralshme në historinë e kulturës shqiptare. Pikërisht në ditët kur kjo fushatë, që indinjoi pjesën më të madhe të publikut shqiptar, ishte në kulmin e saj, K. Trebeshina, më aktiv se kurrë, filloi të dalë në shtypin dhe në ekranet e TV-ve në Shqipëri e në Kosovë, për të hedhur edhe ai baltën e vet kundër Kadaresë. Ky qëndrim meskin kundër një kolegu do të ngjallte padyshim reagime të ashpra. Dhe ato nuk vonuan. Bomba fatale kundër Trebeshinës ishte botimi i listës së themeluesve të fshehtë të Sigurimit shqiptar më 1943. Lista tregonte se Kasëm Trebeshina jo vetëm kishte qenë një oficer i Sigurimit, siç ishte folur prej kohësh, por ai kishte qenë themelues i tij. Ai bënte pjesë në stafin e ngushtë të famëkeqit Koci Xoxe, krimet e të cilit kishin marrë dhenë. Në atë kohë, Sigurimi, i cili drejtohej më shumë nga jugosllavët se sa nga komunistët shqiptarë, ishte zyrtarisht mbi partinë. Ai bënte ç’të donte pa pyetur askënd.
Kasëm Trebeshina, i reklamuar si “disidenti numër një” i letërsisë shqipe, kishte qenë pjesëmarrës aktiv në këtë organ shtypës, duke u përlyer, siç do ta shohim më poshtë, në krimet e tij. (Shih dhe faksimilet në vijim)
Një shkrim i gjatë, i ashpër e tepër tronditës u botua në shtyp dhe u përhap gjerësisht në internet nga Skënder Gjoni, pas emrit të të cilit është, me sa duket, një mjek i vjetër. Nga të dhënat e shkrimit kuptohet se njeriu kishte dijeni të thella mbi të kaluarën jo vetëm të Trebeshinës, por edhe të zyrtarëve të tjerë të Sigurimit, që, siç del, bënin vizita mjekësore tek ai. Kështu ai tregon bisedat me një tjetër themelues të Sigurimit, Thoma Karamello, një personazh i harruar prej kohësh, por që në atë kohë, ashtu si Trebeshina, ishte hetues. Komentet e Thoma Karamellos për egërsinë e kolegut të vet, kapiten Trebeshinës, janë ngjethëse.
Në shtyp është shkruar për shkrimtarin Sotir Andoni, i arrestuar fill pas luftës dhe i marrë në pyetje ditë dhe net prej Trebeshinës.
Kjo pjesë e errët e biografisë së “disidentit”, do të vinte në dyshim gjithë versionin e reklamuar të heroizmave të tij. Do të kujtoheshin periudha që ai nuk i përmendte, si dy vjetët e shërbimit në Beograd, etj.
Por dyshimi kryesor do të binte mbi “Promemorjen” e tij, atë për të cilën ai mburrej dhe mbi të cilën ishte ngritur legjenda e tij.
Asnjë arkiv nuk vërtetonte vërtetësinë e kësaj “promemorjeje”. Në asnjë dokument tjetër hetimor, apo vendim gjyqi, ose kritikë kundër Trebeshinës, nuk përmendet kjo “promemorje “ si faj i këtij shkrimtari. Një analizë logjike e saj të çonte në përfundimin se ajo ishte e sajuar, pra e rreme.
“Promemorja” ka datën tetor 1953. Ndërkaq, disa muaj më parë, autori i promemorjes ka botuar në “Zëri i Popullit” poemën për Stalinin, veprën më servile të letërsisë shqipe, për këtë tiran. (Shih poemën për Stalinin në faqet më pas)

Shumë njerëz me të drejtë bënë pyetjen: si është e mundur që një autor disident të shkruajë këtë poemë kaq servile për diktatorin komunist, Stalinin? Dhe pyetja tjetër; si është e mundur që autori që i thotë Stalinit “Promete”, është i njëjti me autorin e promemorjes, ku i thotë Enver Hoxhës “vrasës”?!
Këto dy gjëra nuk mund të rrijnë bashkë. Njëra duhet të bjerë. Poema është e botuar në “Zëri i popullit” më 1953, kurse promemorja na doli në shesh pas rënies së komunizmit. Pra, ajo që bije, që është e rreme, është promemorja.
Pyetje të tjera e rrëzojnë të ashtuquajturën promemorje. Si është e mundur që ky udhëheqësi ynë, pasi t’i thuash “vrasës”, na qenka kaq liberal saqë nuk ta quan për të madhe, por të dënon si me pupla? Ne e dimë ç’të bënte Enver Hoxha për një të qindtën e akuzës së promemorjes.
Pas përjashtimit nga partia dhe ca ecejakeve nga burgu në spital, e nga spitali në internim, Trebeshina, më 1960, pra disa vite më pas, na qenka i rehabilituar, bile ka fituar të drejtën e botimit dhe boton njëra pas tjetrës poema e drama, si “Artani e Minja”, “Kruja e rrethuar” etj. Vërtet liberal i madh ky Enver Hoxha!
Por ne e dimë se sa liberal ishte Enver Hoxha, e sidomos po t’i thoshe se do ta mbytësh Shqipërinë në gjak.
Por çudia s’mbaron me kaq. Kasëm Trebeshina na reklamohet si një i burgosur politik i statusit të madh, ndërkaq, vëllai i tij, Myzafer Trebeshina, vazhdon të jetë anëtar i Komitetit Qëndror të partisë dhe familja e tij, gjysma vazhdon të jetë në Sigurim e gjysma në aparatin e partisë. Çudira, çudira të mëdha! Ne e dimë mirë se ç’ndodhte me një familje ku kishte një të burgosur të vërtetë politik. Ajo shtëpi ishte më e izoluar se sa shtëpia ku ka rënë murtaja. Mirëpo kjo shtëpi e Trebeshinës paskësh qenë ndryshe!
Kaq e vërtetë është kjo, saqë në librin biografik mbi Trebeshinën, të hartuar nga Nuri Dragoi, tregohet se, kur erdhi puna të kryhej një nga ndalimet e Trebeshinës, ishte nipi i tij, Fatos Trebeshina, hetues kryesor i Ministrisë së Brendshme në kryeqytet që duhej të bënte arrestimin. Kësaj i thone lodër kukamshefthi brenda familjes! Lodër me disidencë e me arrestime. Por ne e
dimë se e vërteta për arrestime dhe ekzekutime ka qenë fare e ndryshme.
Ka edhe më. Në një intervistë të tij, Trebeshina vetë pohon se gjatë kohës që ishte i dënuar, Enver Hoxha i vinte për vizitë në familje, në festa! Dhe, për çudi, kjo nuk është fantazi, por e vërtetë, po ta lidhim me ato që thamë më lart.
Ne e dimë se ç’ndodhte me familjet ku kishte pasur arrestime politike. Jo Enver Hoxha, por edhe një anëtar i thjeshtë partie nuk afrohej më. Jo një anëtar partie, por as fqinji i shkallës nuk guxonte të trokiste.
Atëherë si shpjegohet e gjithë kjo?
Shpjegimi është i thjeshtë: Kasëm Trebeshina, në shumicën e kohës së regjimit komunist, nuk është konsideruar i burgosur politik, por një njeri me probleme shëndetësore. Ai, pavarësisht se mund të bënte proçka, konsiderohej gjithmonë “i yni”, “i partisë”. Ndaj i faleshin proçkat dhe familja nuk pësonte asgjë. Ai, e shumta quhej një “dele e zezë”, që, ndoshta, mund të përmirësohej. Atij i lejoheshin nazet, sepse fisi i tij i kishte bërë shërbime të mëdha partisë. Ai vetë kishte bërë shërbime tepër speciale ndaj ndihej i përkëdhelur. Për disa nga këto shërbime, prej të cilave lexuesit do t’i ngjethet mishtë, do të flasim më tutje.
Përpara se të vijmë tek ato, na duhet të themi se kanë plotësisht të drejtë ata që mendojnë se “promemorja” e Trebeshinës s’është gjë tjetër, veçse një trillim, një sajesë e prodhuar prej atij vetë dhe kushëririt të tij, Ardian Klosi, në fillim të viteve ‘90.
Në letrat e Kasëm Trebeshinës të vitit 1962 dhe 1963 drejtuar Byrosë Politike dhe vetë Enver Hoxhës, botuar së fundi në një “dossier” special nga gazeta “55”, thuhet se ai është një qytetar i bindur, që e respekton shtetin dhe autoritetet e tij, që nuk ka asgjë kundër partisë dhe pushtetit, që ka shkruar vepra të realizmit socialist, që do t’i djegë veprat e tij të gabuara, që do të mbyllet e struket në shtëpi, vetëm që të kthehet në Tiranë. Vallë i ka harruar Trebeshina këto letra e lutje të përulura drejtuar diktatorit, atij që në “promemorjen” fantazmë e paska quajtur vrasës? Po vallë Haxhi Kroi, sekretari personal i diktatorit, i lënë nga trutë ishte, kur në përgjigjen për letrat e Trebeshinës përmend ndaj tij vetëm dy akuza: ka ikur nga partia, ka dashur të shkojë në një vend kapitalist? Si e kishte harruar ai Promemorjen ku shefi i tij, Enver Hoxha, quhej vrasës? Trebeshinën e takojnë gjeneralët famëkeqë të Sigurimit, të tillët, si: Hakani, Haznedari dhe i thonë “ti je shoku ynë”. Edhe këta e kishin harruar promemorjen? Ramiz Alia, Rita Marko, Haki Toska, Vangjelo Sotiriadhi, gati gjithë kupola e lartë e partisë, merren me letrat e Kasëm Trebeshinës. (Shih faksimilet) Ata nuk harrojnë të japin deri porosi që mund t’i konsiderosh stringla, përshembull, atë që ai “të mos japë letërsi në Gramsh”, por e harrojnë promemorjen. Pse kështu? Sepse për turp e për faqe të zezë promemorja është vetëm e sajuar, se me të është spekuluar ndyrësisht. Nga kjo ngritje e shtetit dhe e partisë në këmbë në vitet 1960 për problemet e letrave të Trebeshinës, mund të kuptohet diçka tjetër: çfarë gjëje me rëndësi dinte Trebeshina, për të cilën Kupola e lartë e Partisë dhe e Sigurimit ishte aq e interesuar? Me ç’shërbime e ka paguar Trebeshina largimin e tij nga internimi në Gramsh? Normalisht ai ishte kaq i zënë pisk prej tyre, sa gjithçka të rëndë të radhës mund ta pranonte. Për këto një ditë do të flasin arkivat. Diçka do ta themi dhe në vazhdim të këtij shkrimi.

5. Himnizimi i një të vetëshpalluri antishqiptar

Nga vitet 2000 figura e “disidentit dhe e shkrimtarit të madh” po venitjej dhe po merrte përherë e më me kokëposhtë. Reagimi i palës tjetër, i mbështetësve të Trebeshinës, nuk do të vononte. Përveç ndonjë emisioni televiziv për letërsinë, ndonjë shkrimi a interviste aty-këtu do të botohej një libër biografik aq shumë himnizues saqë vështirë të merret seriozisht. Parathënien e ekzaltuar, si gjithmonë, e ka shkruar panegjeristi i tij Ardian Klosi. Këtij tani do t’i shfaqet në krah dhe një shok armësh i ri, një farë Dilaver Bengasi, ish-kryetar i hetuesisë së Ministrisë së Brendshme në Tiranë, ish drejtor i përgjithshëm i policisë më 1990. I akuzuar për krime dhe dhunë kundër studentëve të dhjetorit, i akuzuar për vrasje në Shkodër dhe në Tiranë, ai u dënua me burgim të rëndë për krime
kundër njerëzimit, kur ishin në pushtet demokratët më 1995. U shpall i pafajshëm me ardhjen e socialistëve në pushtet pas 1997-tës. Së fundi, këto ditë Bengasi u gjend i rreshtuar në një listë të “xhelatëve të popullit shqiptar” prej të përndjekurve politikë nga komunizmi. Shoqëri të bukur zgjedh Ardian Klosi për t’i bërë lobing Trebeshinës! Në vazhdim të këtij shkrimi, do të sjellim ca dokumente shumë besdisëse për A.Klosin dhe kjo shoqëri s’do të na duket aq e papritur!
Libri biografik i N.Dragoit është hymnizues, por, për çudi, pikërisht në këtë libër, siç do të tregohet më pas, dalin disa nga njollat më të errëta të biografisë së Trebeshinës.
Para se të merremi me këto njolla, do të shohim dy-tri çaste të tjera, gjithmonë të lidhura me këtë libër.
Ka kohë që është bërë e njohur shpallja prej vetë Kasëm Trebeshinës si shkrimtar turk, ose me origjinë turke. Asgjë të keqe nuk ka në këtë identifikim. Letërsitë europiane e botërore janë të mbushura me shembuj shkrimtarësh që lëvrojnë një gjuhë, por origjinën e kanë në një komb tjetër. Tek ne gjithashtu ka e mund të ketë prapë shembuj të tillë.
Problemi me Trebeshinën ndërlikohet kur ai, duke u shpallur turk, nis e shan Shqipërinë dhe shqiptarët. Edhe për këtë është i lirë në një shtet ligjor demokratik. Ndërkaq, duhet thënë, se ndërsa është i lirë ligjërisht, nuk është i tillë moralisht.
Urrejtja e Kasëm Trebeshinës kundër shkrimtarëve shqiptarë, sharjet e tij, shpifjet, nuk njohin asnjë kufi. Kjo urrejtje zgjerohet e drejtohet kundër Shqipërisë, kundër kombit shqiptar, dhe sidomos kundër ikonave të tij si Gjergj Kastrioti Skënderbeu etj.
Toleranca ndaj tij, natyrisht, është e mirë dhe shqiptarët bëjnë mirë që tregohen tolerantë. Mirëpo, në këtë rast, nuk do të bënin keq po t’i drejtoheshin Trebeshinës, “zoti turk, në qoftë se paske kaq urrejtje për këtë vend, s’do të bëje keq të ikje në vendin që e ke shpallur atdheun tënd, në Turqi”.
Antishqiptarizmi i këtij njeriu është i padurueshëm. Në librin e Dragoit tregohet episodi kur Trebeshina mburret përpara gazetarëve italianë. Habisë së një farë profesori italian që pretendon se i njeh mirë shqiptarët, dhe që haptaz lë të kuptojë se ata nuk janë të guximshëm, ndërsa Trebeshina na qenka i tillë, Kasëmi i përgjigjet se ai është trim ngaqë është turk! “Ndryshoj ia ktheva, se jam me origjinë turke. Ne kemi bërë një perandori të tërë që u shtri në tre kontinente” (fq.302).
Por antishqiptarizmi shpallet në mënyrë të plotë në librin e tij “Mekami”. Ky libër është fyerja më e pabesë që i është bërë kombit shqiptar nga një shkrimtar që, kur ia do interesi paraqitet si shqiptar, e kur i leverdis, kthehet në turk.
Novela e gjatë flet për pushtimin e Shqipërisë prej turqve. Turqit paraqiten në novelë si trima e fisnikë e që po qytetërojnë Shqipërinë. Mirëpo shqiptarët, si “kaurë të pabesë” që janë, nuk e çmojnë fisnikërinë turke. Dhe me djallëzi përpiqen t’i mashtrojnë ata. Shqiptarët frikacakë iu servirin gratë dhe vajzat e tyre azganëve turq, me qëllim që t’i vënë në gjunjë e për t’i goditur pabesisht. Në krye të shqiptarëve është një farë Skënderbeu, një hajdut kuajsh dhe spiun i Italisë. Por dredhitë e shqiptarëve demaskohen dhe turqit trima iu japin një mësim që ta mbajnë mend gjithë jetën.
Kjo është përmbajtja e këtij libri, që autori me shumë krenari ua kushton stërgjyshërve të tij turq. (Shih fragmente nga ky libër)
Një pyetje del: si e justifikojnë në ndërgjegjen e tyre tifozët e Trebeshinës këtë pamflet antishqiptar? Për ne të tjerët kjo nuk duket kaq shumë e papritur. Po të kujtosh biografinë e Trebeshinës, pjesëmarrjen e tij në grupin themelues të Sigurimit, i cili drejtohej nga jugosllavët, stafin e Koçi Xoxes, ku Trebeshina ka bërë pjesë, urrejtjen e jugosllavëve, e veçanërisht të Koçi Xoxes për Gjergj Kastriotin, del se në të gjitha këto ka një fill të pandërprerë antishqiptar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora