Shtesë » Historia
Sadik Bejko: Desidentët e Rremë
E marte, 24.06.2008, 05:04 PM
Fragment nga libri ''Desidentët e Rremë''
Sadik Bejko
Hyrje
Më kishte bërë përshtypje dhuna verbale dhe e shkruar në shtyp, në radio, në intervista deri dhe e bisedave në tavolina e një shkrimtari, e një njeriu të vuajtur, e Kasëm Trebeshinës. Një dhunë përherë në rritje… Kjo më bëri të shqyrtoj mendimin tim për të dhe të kërkoj se nga buron gjithë kjo urrejtje e pashuar te ky njeri. Mendimi i parë është se një njeri që ka vuajtur, domosdo ka dhe ngarkesa që ia kanë vënë mbi supe kohët dhe padrejtësitë. Por ky i përvuajtur nga komunizmi me agresivitetin e tij të helmët, kishte diçka që e dallonte nga të përndjekurit e tjerë të së njëjtës kohë. Kishte edhe maninë për t’u afishuar si hero, si disident i pakundërshtueshëm, si një shkrimtar që prapë edhe në këto ditët tona dikush ia do të keqen, se po ia ha hakun... Këto më bënë që të hetoj dhe të hulumtoj më tej në historinë e tij. Të lexoj librat e tij, të shfletoj në biografinë e tij, në dosjet e arkivave. Dhe gjithçka të re që zbulova rreth tij mendova ta paraqes në këtë libër.
Nga një botë e së keqes, nga një botë e vuajtjes, mund të dalësh jo domosdo si hero. Heronjtë ndonjëherë janë sajesa. Për të mos thënë se, për ne që vijmë nga komunizmi, shpesh ata janë të tillë: të rremë. Figura e të persekutuarit politik nga komunizmi në këto vite doli para nesh me dinjitetin e dëshmitarit, jo domosdo dhe me atë të triumfatorit. Vuajtja dhe të qenit kundër nuk janë vlera të pakundërshtueshme. Për më tepër në një sistem si ai që provuam mbi kurriz, sistem që nuk e pranonte kundërvënien ballas. Ai sistem shkoi në plumb dhe në litar edhe njerëz që nuk kishin ndër mend t’i delnin kundër. I ekzekutoi se dhunën e kishte praktikë. Se kishte apoteozën e dhunës. Se i dukej se nuk merrte frymë po të mos përdorte dhunën, ekzekutimin, varjen në litar. Këto ndëshkime kapitale, të jashtëzakonshme për çdo kohë, në komunizëm ishin si gjimnastikë për regjimin. Ai sistem mund të thuash se kishte frikë, po të mos ishte i dhunshëm, deri dhe gjakatar. Në këtë kuptim, jo cilido që ka vuajtur në atë kohë, ka të drejtën të na i tundë para syve viktimizimin e tij si shenjë heroizmi.
Ndonjëherë vuajtjet e së djeshmes sot kanë shërbyer si truall për disidentë të rremë, për idhuj të remë. Dhe deri më tani kjo ka ndodhur ndër ne.
Asgjë e re nën këtë diell. Kjo thënie e Solomonit të urtë na thotë se gjërat mund të përsëriten. Sidomos në një tokë si e jona. Një tokë ku njerëzit nuk mendojnë thellë, një tokë ku shpesh mungojnë vlerat dhe bindjet thelbësore. Ata që erdhën si heronj nga Lufta e Dytë Botërore (dhe shumë nga ata ishin vërtet të tillë) në emër të këtij heroizmi na u imponuan me të drejta të pakundërshtueshme. Dhe kjo praktikë e heronjve që kanë të drejtë për gjithçka, e dimë se sa na kushtoi. E dimë dhe se këta heronj me yll në ballë dështuan në paqe. Dështuan që të gjithë. Për fat të keq, dështuan.
Një tjetër urtësi dhe vlerë duhet të kërkojmë për të ndërtuar të ardhmen. Urtësi dhe moral universal që nuk mbahet në heronj, po në praktika që u kanë rezistuar thellësive të kohërave.
Ndër ne shoqëria dhe të vërtetat e saj ngrihen mbi mohimin dhe urrejtjen e atyre që ishin në fuqi përpara nesh. Ndërtohet vallë progresi mbi urrejtjen dhe mohimin e atyre që qenë në krye më përpara? Ai që ka vuajtur nën një regjim të urryer, a është domosdo hero në kohën që vjen më pas?
Në një klimë si kjo e jona ku, që të identifikohesh me të mirën, duhet të provosh se ke qenë kundra atij të keqit të djeshëm, në një kohë si e jona kur janë tronditur të vërtetat dhe bindjet thelbësore, universale, është e lehtë të fabrikosh një idhull të rremë.
Kështu, ndodh që heronjtë e remë që prodhoi koha e komunizmit, këmbehen me martirët dhe me disidentët e rremë të së sotmes. Dhe asgjë e re në këtë truall.
Dosja më poshtë do të flasë për fabrikimin e një disidenti të tillë. Do të sjellë fakte dhe dokumente mbi Kasëm Trebeshinën.
Dikush mund të ulërijë se ai ka vuajtur. Po është e vërtetë: ka vuajtur dhe shumë. Por nga se? Vuajti se humbi në luftën brenda llojit, vuajti nga përplasja me sivëllezërit e tij. Shumë nga ata që i përkisnin hierarkisë së komunizmit, kanë vuajtur nga përplasja e klaneve komuniste për pushtet e privilegje, jo nga se ishin më pranë apo më larg idealeve të tyre komuniste. Jo se kishin ndonjë ideal a moral të ndryshëm nga shokët e tyre.
Dhe të tillë “heronj” kanë edhe një anë tjetër, që na e kanë fshehur. E kanë fshehur heronjtë e rremë, ose ata që u duheshin idhuj të tillë.
Të çmitizosh një idhull nuk është keqdashje. Është përpjekja për ta kthyer atë në përmasat reale, në dinjitetin e tij të zhveshur nga fabrikimet. Të zhveshur dhe prej vuajtjes. Vuajtja nuk mund të shërbejë si alibi për ata që dikur kanë bërë krime. Për më tepër, kur shumica e atyre që janë persekutuar me rrënjë e me degë, që u janë pushkatuar bijtë, vëllezërit dhe të afërmit, vuajnë edhe sot.
Po ai është shkrimtar, mund të thotë ndokush. Është shkrimtar. Por vallë të qenit shkrimtar i jep dikujt të drejtën e një fuqie shkatërrimtare, të drejtën e një fuqie që nuk pranon asgjë tjetër veç vetvetes? Pastaj dhe fuqinë që të falsifikojë të kaluarën e tij apo të drejtën të thotë gjëra të paqena, të urryera për ata që i quan kundërshtarët e tij?
Në një tokë ku bindjet dhe të vërtetat thelbësore ndërrojnë e përmbysen shpesh është e vështirë të gjesh një taban të fortë si mbështetje për dinjitetin personal dhe atë kolektiv.
Megjithatë diçka mund të propozojmë. Besoj se virtytet e dashurisë, të durimit dhe ato të kundërshtimit të çdo gjëje të rreme nuk e kanë shterrur forcën e tyre, për sot dhe për nesër.
Kur thuhet me ngulm se një idhull duhet zhveshur prej fabrikimeve, njerëzit zihen bosh. Fillojnë mospranimet, kërcitjet, reagimet. Bëhen pyetjet: pse t’i shkojmë të vërtetës gjer në fund? Pse të shtojmë konfliktimin etj, etj.
Arsyet e një reagimi të tillë mund të vijnë nga mosdija, ose nga që dija për disa gjëra është fshehur me mjeshtëri apo është falsifikuar sa për t’u dukur si e vërtetë.
Zhurmuesit më të mëdhenj në këtë pikë janë ndër ata që kanë frikë se mos iu preket idhulli, të cilin vetë e kanë krijuar. Mendja e tyre nuk punon që të dallojmë të vërtetën nga jo e vërteta. Ata dredhojnë, e devijojnë objektin gjetkë. Ngrenë barrikadën: Trebeshina këndej, shkrimtarët e tjerë andej. Ky ka qenë i tillë dhe të tjerët të këtillë. Ky është martiri, të tjerët pa dallim e kanë viktimizuar atë.
Objekti i këtij libri është tjetër: të rindërtojë portretin e ”disidentit”, të tregojë se ç’pamje ka ky idhull i rremë, po ta zhveshësh nga gjysmë të vërtetat e nga fabrikimet.
Ka pasur raste flagrante, siç është ai i Dhora Lekës. Rehabilitimi moral dhe material i saj të ngjan me një lojë të pastër shërbimesh.
A mund të ketë edhe raste të tjera si ai i Dh. Lekës?
Fakt është që njerëzit e ish-shërbimeve shqiptare dhe një pjesë e intelegjencës sonë me prejardhje nga nomenklatura e lartë komuniste, dashur pa dashur, janë të përfshira në këto tollovi. Ata, ndonëse kanë ditur gjithçka, kanë heshtur, ose janë bërë pjesë e lojës kundër vendit të tyre. Pastaj kanë fabrikuar idhuj të dyshimtë dhe i kanë përdorur ata si kamxhik kundër të tjerëve. A janë në këtë lojë dhe disa nga zelltarët dhe trumbetuesit e Kasëm Trebeshinës?
Ky libër merr për sipër të informojë dhe të japë një sinjal për të parandaluar fabrikimet e idhujve të rremë nga radhët e rrugaçërisë, nga radhët e spiunëve dhe të sigurimsave, të ndalë trillimin dhe falsifikimin, shndërrimin e monstrave në heronj. Për deformime të tilla do të na vinin në turp të gjithëve nga ata që do te vijnë pas nesh.