E marte, 30.04.2024, 03:25 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Miku i Xhevdet Mustafës nga SHBA: Ju tregoj të vërtetën e bandës së vitit ‘82

E diele, 03.08.2008, 07:20 PM


“Xhevdet Mustafën në Shqipëri e njohin vetëm sipas Halit Bajramit dhe versionit të Sigurimit të Shtetit.

Nga Afrim Imaj

Po e vërteta është krejt ndryshe”Pas shumë vitesh njëri nga miqtë e Xhevdet Mustafës në SHBA, mundohet të korrigjojë versionin e njohur deri tani për misionin e bandës që zbarkoi në vendin tonë në shtatorin e vitit ‘82 dhe të vërtetën e kapos së saj. Ish-banori i fshatit Mizë të Divjakës, i arratisur para 40 vjetësh nga Lezha ku shërbente si kapter në ushtri, aktualisht rezident në Detroid të SHBA-së, pretendon se është nga njerëzit e paktë që e ka njohur nga afër Xhevdet Mustafën. I rezervuar në rrëfimin e tij, 75- vjeçari që ka pasur lidhje me pjesën më të madhe të legalistëve që jetojnë në Amerikë, pranon të sqarojë rrethanat e panjohura deri tani rreth bandës së mikut të tij. Xhevdet Mustafa për të ka qenë një aventurierë i cili ra në grackën e tradhtisë së Halit Bajramit dhe njerëzve të tij. Ai tregon se është tërhequr në momentet e fundit nga aventura për të zbarkuar në Shqipëri në vjeshtën e ‘82 nisur nga dyshimi për mënyrën e organizimit dhe emrat e njerëzve të përfshirë në këtë mision diversionist. Madje, thotë se e ka parandjerë fatin e keq që në nisje. Gjithsesi, për të mbetet diçka e tejkaluar të cilës nuk ka dëshirë t’i kthehet. Ca më tepër kur ka parasysh viktimat e pafajshme të kësaj bande gjatë zbarkimit në vendin tonë. Kontakti me Koli Markon u bë i mundur falë këmbëngulejs së bashkëpunëtores së gazetës Rajmoda Mosiu, e cila prej vitesh jeton në SHBA. Nga sa shpjegon Marko për “Panorama”, motivi që e shtyn për të zbardhur historinë e Xhevdet Mustafës, është shtrembërimi që i ka bërë Halit Bajrami, njeriu i mistershëm i gjendur mes tyre nëpërmjet kombinacioneve të Sigurimit të Shtetit. Në tregimin e shokut të Xhevdet Mustafës shtjellohet një variant ndryshe nga ai që njohim deri tani. Po çfarë thotë konkretisht miku i dikurshëm i kreut të bandës që zbarkoi në vendin tonë në 83-shin...
Fillimisht, diçka për njohjen tuaj me Xhevdet Mustafën...
Unë kam mbërritur në Amerikë para 40 vjetësh. Jam arratisur nga Lezha ku shërbeja si kapter dhe pas shumë peripecive jam gjendur atje. Në ditët e para më janë gjendur pranë disa nga të arratisurit nga Shqipëria, kryesisht nga të arratisurit e Partisë së Legalitetit. Nuk kam për të harruar kurrë Hasan Dostin e Petraq Kolevicën, që më ofruan ndihmën e parë dhe më mbështetën fuqimisht për t’u integruar në shoqërinë amerikane. Në kontaktet e shpeshta me ta, u njoha edhe me Xhevdet Mustafën. Fillimisht më dukej i motivuar për të më ndihmuar. Ishte energjik e impulsiv në biseda të ndryshme. Dukej më i riu në radhët e të tjerëve...
Si kishte mbërritur Xhevdet Mustafa në Amerikë?
Ai kishte ardhur në Amerikë si gjithë të arratisurit e tjerë. Xhevdet Mustafa kishte lindur në Krujë dhe ishte rritur në Durrës në një familje të thjeshtë. Me sa më kujtohet kishte kryer vetëm shkollën fillore. Që me mbërritjen në SHBA ishte angazhuar me njerëzit e legalitetit dhe shoqërohej kryesisht me njerëzit e kësaj partie që kishin ardhur në SHBA pas arratisjes nga Shqipëria. Ai kishte shoqëri të veçantë me disa ulqinakë, me shqiptarë që kishin ardhur aty nga Mali i Zi. Mbaj mend mirë që miku i tij më i ngushtë ishte një farë Isa Manastiri. Ai ishte një njeri që merrej me drogë dhe me vjedhje të ndryshme. Njihej jo vetëm në mjediset e policisë, por edhe në qytetet si vjedhës njerëzish dhe shtëpish. Këtë zanat e kishte marrë edhe Xhevdeti. Ai ishte penalizuar për këtë disa herë nga autoritetet e policisë...
Pra, Xhevdet Mustafa njihej në komunitetin e shqiptarëve që jetonin në Amerikë si një njeri që ndiqej nga policia...
Xhevdet Mustafa ishte futur disa herë në burg, por kishte mundur të dilte shpeshherë falë fenomenit të “BOND”-eve, lekëve, që vinte si garanci. Në disa raste kur kërkohej manovronte me dokumente false. Më kujtohet që lëvizte shumë me pasaportën e një ulqinaku. Është pikërisht kjo pasaportë me të cilën ai hyri në Shqipëri në shtator të vitit ‘82. Xhevdet Mustafa e kishte të pamundur të qarkullonte me pasaportën e tij, pasi e kishte të ndaluar të hynte në disa shtete të botës e Evropës ...
Halit Bajrami thotë në kujtimet e tij se, Xhevdet Mustafa ushtronte biznese të suksesshme. Me se merrej në fakt ai në SHBA?
Unë nuk e di të ketë ushtruar biznes, ca më tepër biznese të mëdha. Xhevdet Mustafa në kohën që unë u njoha me të kishte një “CAR-Repair–Shop”, përndryshe një ofiçinë për rregullimin e makinave. Nuk më kujtohet me saktësi sa kohë e kishte në pronësi   këtë, po sidoqoftë nuk bëhej fjalë për ndonjë biznes që jepte të ardhura të mëdha. Unë kam punuar vetë në këtë ofiçinë që kishte në pronësi Xhevdeti dhe pak a shumë e dija sa mund të shkonte fitimi që mund të vinte prej punës atje. Vetë Xhevdeti vinte shumë rrallë aty, pasi kohën më të madhe e kalonte në shoqërinë e gangsterëve, me punë të dyshimta, me vjedhje e gjëra të tjera të kundërligjshme...
Megjithatë thonë se Xhevdeti kishte shumë para. Dini gjë se si i siguronte ato?
Që Xhevdeti kishte para të shumta, këtë për herë të parë e kam marrë vesh kur doli nga burgu. Më tha se kishte mundur të fitonte një liri me kusht në këmbim të një shume prej një milion dollarësh që kishte depozituar në interes të drejtësisë amerikane. Këtë lloj garancie pastaj e bëri një biznes më vete, madje goxha fitimprurës. Ai ofronte shumat e tij në formën e “BOND”-ve, të garancive bankare për njerëz të ndryshëm që binin në burg dhe sa i nxirrte ata prej aty ju merrte dyfishin, madje edhe trefishin. Ishte bërë mjeshtër i këtij “biznesi”. Për para nuk pyeste, nuk e kishte fare problem burimin e tyre dhe i grumbullonte me një babëzi të çuditshme. Ndërkaq i konsumonte pa kriter, me jetën aventureske që bënte. Ishte kjo mënyrë jetese të cilën ja njihte mirë i gjithë grupi i njerëzve që i rrinte pranë. Rrezikshmëria që paraqiste ky “biznes” i tij, i kishte pakësuar gjithnjë e më shumë rrethin e miqve e të shokëve. Një pjesë e madhe e tyre kishte filluar më herët se Xhevdeti të vinte në Shqipëri t’i rezervohej, paçka se nuk shprehej...
Cilat ishin lidhjet e tij me të arratisurit nga Shqipëria?
Pjesa më e madhe e miqve të tij ishte pikërisht nga kjo kategori.
Xhevdeti ishte një nga legalistët e hershëm të komunitetit të shqiptarëve që jetojnë në Amerikë. Në çdo bisedë kur binte fjala te politika, ai shprehte krenarinë për anëtarësimin e tij në partinë e monarkisë. Kishte një simpati të veçantë për Leka Zogun dhe liderët e hershëm të partisë së tij. Thuhej atëherë se kishte edhe kontakte me të birin e mbretit të shqiptarëve. Për një takim të tillë me Leka Zogun, kam dëgjuar pak kohë para se ai të vinte në Shqipëri. Nëse mund të jem i saktë, ky takim është bërë në Paris.
Ju ishin një nga miqtë e tij, madje keni punuar tre muaj në  ofiçinën e automjeteve që kishte në pronësi. Si nuk u bashkuat në aventurën për të zbarkuar në Shqipëri?
Xhevdetin unë e kisha të njohur, bile në fillimet e mija në emigrim, ai më kishte ndihmuar. Mirëpo jeta e tij, veprimet që bënte herë pas here, nuk më pëlqenin. Shkurt, nuk guxoja ta merrja nga prapa, ta shoqëroja në aventurat e bujshme që bënte. Vërtetë që punova në ofiçinën e tij, plotë tre muaj, po fare pak kam qëndruar me të, pasi Xhevdeti vinte shumë rrallë aty. Më ofroi të bashkëpunonim kur kishte bërë planin për të hyrë në Shqipëri. Më kërkoi ta orientoja për t’i treguar zonën e mundshme ku mund të zbarkonte. E dinte që isha nga Divjaka dhe këmbëngulte ta ndihmoja për të dalë fillimisht aty. Me justifikime nga më të ndryshmet ju shmanga këtij bashkëpunimi dhe refuzova t’i shkoj nga pas në këtë aventurë. Jo vetëm që ndjehesha i pasigurt, por nga mënyra si e shpjegonte ai atë që do të bënte në Shqipëri, më dukej një marrëzi. Ishte ky shkaku, tërheqja pra nga shoqërimi i tij që ika prej aty dhe shkova e u vendosa në Detroid. Prej aty jam njohur me atë çfarë ndodhi me Xhevdetin dhe bandën e tij në Shqipëri...
Pra, ju e shikonit me shumë rezerva planin e Xhevdetit për të mbërritur në Shqipëri...
Nuk e shikoja thjesht me rezerva, por më dukej një marrëzi nisma e Xhevdetit për të zbarkuar në Shqipëri në atë periudhë. Nuk e di  kush ja kishte vënë këtë në vesh, por Xhevdeti pretendonte se nga ky aksion do të merrte shuma të mëdha...
Çfarë ju bënte të dyshonit në suksesin e këtij aksioni që do të kryente Xhevdeti...
E para më dukej absurde objektivi i tij: Atentati ndaj Enverit. Dhe kur, në atë periudhë që gati e gjithë Shqipëria ishte në gatishmëri. E dyta, emrat e njerëzve që përmendte Xhevdeti në këtë sipërmarrje nuk i njihja. Tjetra, mënyra gati vulgare si e shprehte Xhevdeti aksionin që do të bënte atentatin ndaj Enverit. Që mos ta zgjas, gjithçka sa shfaqte nga kjo skemë, më dukej se mund të ishim në një kurth të Sigurimit të Shtetit. Të tilla sigurimi shqiptar kishte bërë disa në kohën që unë isha ende pa arratisur...
A kishte kontakte Xhevdeti me njerëzit e UDB-së?
Kontaktet e Xhevdetit me UDB-në për herë të parë i kam dëgjuar nga dëshmitë e të mbijetuarit të bandës, Halit Bajramit, i cili mendoj se mashtron me ato që thotë. Unë për vete asnjëherë nuk kam ditur gjë për këto lidhje. Bile me sa kam folur edhe me miqtë e Xhevdetit, të gjithë thotë se ato që ka dëshmuar Halit Bajrami për këto lidhje janë sajesa të tij. E vërteta është krejt tjetër...
Atëherë, kush fshihet pas misionit të Xhevdet Mustafës në Shqipëri? 
Me siguri nuk mund ta identifikoj njeriun që ideoi misionin e bandës së Xhevdetit. Thashë që ai ishte një legalist, një antikomunist i vendosur dhe në Shqipëri u nis për të vrarë Enverin. Të gjithë këtë e bëri për para. Ju ofrua një shumë e madhe dhe ai sigurisht u josh nga kjo...


Historia ndryshe e bandës që zbarkoi në ‘82 në Shqipëri

Banda nuk ka ardhur për të vrarë Enver Hoxhën. Atë nuk e thirri Kadri Hazbiu. Të tjera kanë qenë qëllimet e saj. Shqiptarët duhet ta dinë të vërtetën e bandës së Xhevdet Mustafës. Ky është thelbi i mesazheve që vijnë për herë të parë nga matanë Atlantikut prej  miqve, shokëve dhe familjarëve të njeriut që u bë i njohur me aventurën e bandës të vitit ‘82 në vendin tonë. Rrëfimet e tyre megjithëse shumë të rezervuara risjellin një histori ndryshe për Xhevdet Mustafën. Kontakti i gazetës me ta ka zbuluar misteret e panjohura të njërës prej bandave më të bujshme, e cila desantoi në Shqipëri në fillimin e viteve ‘80. Me investigimet tona kemi mundur të shkojmë deri te pjesa e mbetur e familjes së kapobandës që jehon në State Island të SHBA-së. Gruaja, Fatime Mustafa dhe dy djemtë, e kanë lënë tashmë prapa këtë histori dhe jetojnë përditshërinë larg bujës që ka shkaktuar dikur aventura e njeriut të tyre.


Halit Bajrami: Xhevdet Mustafën e pagoi zbulimi jugosllav

Për herë të parë me Xhevdet Mustafën më ka njohur Sabaudini, shoku im nga Durrësi me të cilin u arratisëm nga Shqipëria në vitin 1950. Sabaudini në vitin 1981 më dërgoi një letër nga Italia, ku ishte vendosur qysh në fillim dhe më thoshte se kishte bërë mik të afërt Peter Paviçin, një nga diplomatët e rëndësishëm jugosllav në Romë. Me Xhevdet Mustafën më prezantoi në Zelandën e Re, aty nga fundi i tetorit ‘81, teksa kthehej nga një rrugëtim që kishte bërë në Amerikë. Ai ma solli aty Xhevdetin dhe pasi më tha se ishte nga Durrësi, tregoi se ishte një njeri i vendosur që ishte stërvitur nga CIA. Aty për aty më shpjegoi se Xhevdeti nuk donte gjë tjetër, vetëm të vriste Enver Hoxhën. Siç mësova nga  Sabaudini, ai kishte qenë në SHBA me porosinë e mikut të tij jugosllav Peter Paviç. Ishte ky pra takimi i parë me Xhevdet Mustafën, njeriun e zgjedhur nga zbuluesi jugosllav që do të krijonte grupin e vogël sipas porosisë së tij me shqiptarë të arratisur që do të zbarkonte në Shqipëri. Paviçi kishte instruktuar që grupi që do të zbarkonte do të ishte i vogël dhe me njerëz të vendosur e besnikë. Ndërkaq ai kishte theksuar që në këtë grup të ishte një njeri që të bënte atentatorin, vrasësin. Sabaudini e kishte vënë në zbatim këtë porosi të Paviçit dhe kishte gjetur këtë atentator në Amerikë. Ky ishte pra Xhevdet Mustafa që Sabaudini siç na shpjegoi, kishte 18 vjet që e njihte. Që në takimin e parë me Xhevdetin, ai nuk kërkonte tjetër gjë, por boll t’i ofronim Enverin dhe ai do të bënte punën e tij, siç thoshte gjë që nënkuptonte atentatin me armë zjarri. Qoftë edhe 100 metra të më afroni me Enverin, thoshte ai me bindje, gjithçka do marrë fund menjëherë. Unë do ta vras se jam stërvitur për këtë, shtonte Xhevdeti. Bile ai pretendonte se  ishte stërvitur nga CIA. Jo mor Xhevdet, i thashë unë, duhet me kujdes, të gjenden shokët së pari, ta studiojmë një herë këtë punë, ta analizojmë, pastaj të vendosim. I kujtova se kjo binte sikur ne do të fusim kaptinën në qese, në trastë. Se nuk ishte si të shkonim në dasmë. Shqipëria është e rrezikshme, i thashë. Nejse. Ai nuk dinte të kthehej mbrapsht. Me kaq do të mbyllej takimi i parë me të. Sabaudini bashkë me të u nisën pastaj për në Itali. Për disa muaj me radhë nuk pata ndonjë kontakt me ta. Diku nga prilli i vitit ‘82 Sabaudini më telefonoi nga Italia dhe më tha se duhet të shkoja aty për t’u takuar me mikun e tij Peter Paviç, i cili kishte shprehur dëshirën për t’u njohur personalisht me mua. Dhe kështu bëra, lashë punën, u përgatita dhe mora rrugëtimin për në Itali. Kur mbërrita aty diplomati jugosllav nuk ndodhej në Romë, por kishte lënë porosi që ta presim ca ditë. Nejse, gjate kësaj kohe, ne shkuam në Italinë e Jugut për të gjetur një shtëpi afër bregut ku do të kishim mundësi të formonim grupin me 4-5 vetë që do të përgatiteshim për misionin që na priste. Shtëpinë e gjetëm afër Lezhës, në afërsi të Torodelorsos. Paguam qiranë për 3 muaj, morëm çelësin dhe u nisëm sërish në Romë. Me sa na shpjegoi Sabaudini, Peter Paçivi nuk ishte kthyer akoma. Më shqetësuese nga kjo ishte përgjigjja negative që Peter Paçivi i kishte thënë Sabaudinit lidhur me pamundësinë që kishte për të na siguruar armatimet e nevojshme. Atij i kishim kërkuar më herët të na gjente armë speciale, revole, automatikë e gjera të tjera që do të na duheshin për misionin që do të kryenim në Shqipëri. Peter Paviçi i kishte thënë Sabaudinit, se vërtetë që nuk kishin mundësi me na gjet aty do armatime, por do bënte çmos që t’i gjente tjetërkund. Lindi kështu ideja që armët mund t’i blinim jashtë Italisë.



(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora