Shtesë » Historia
Sadik Bejko: ''Desidentët e Rremë'' (Kreu VII)
E merkure, 02.07.2008, 04:49 PM
Fragment nga libri ''Desidentët e Rremë''
Sadik Bejko
Kreu VII
Shembuj të çuditshëm
Pse nuk u bë qytet fshati ynë
Një fragment nga ky tregim:
“Se nuk është gjë e vogël t’i humbasësh varrin njeriut që mban në kokë tas me brirë cjapi. U përpoqën më vonë shkronjëtarët më të zellshëm që t’i gjenin një anë asaj pune. Dhe çfarë nuk shpikën dhe nuk thanë. Sikur atje nën rrobën e kuqe të Çezarit kishin qenë eshtrat e atij që grabiste kopshtet e zarzavateve. Sikur armiqtë e fshatit tonë i kishi thyer ato kocka dhe i kishin ndarë për t’i varur në qafë. Sikur ata që do t’i varnin ato kocka nuk do të vriteshin në luftëra dhe as vdisnin kurrë.
Bre, çfarë u thanë dhe nuk u thanë vetëm e vetëm si të gjenin një domethënie për humbjen e atij varri. Po, po. Varri humbi se në fshatin tonë ua kanë ndërruar disa herë vendin atyre varreve. Mirëpo përsëri puna ngec, si ngec? Po ja. Ai që mbante brirë cjapi na u ngatërrua me një që mbante bishtra kuajsh. Sigurisht për punë të zarzavateve ose të ndonjë dhije. Se që të dy ishin të zotë shumë. U ngatërruan keq. Më në fund një nga ata të bricjapit e vrau me pushkë të gjatë bishtkalin. Gjer këtu puna nuk ka gjë të ngatërruar, se me pushkë të gjatë tjetri të vret. Por… ja ku është halli. Iku njëri, vdiq edhe tjetri. Njërit jo vetëm që nuk i humbi varri, por i ndezën qirinj për një kohë të gjatë sa nuk mbahet mend, kurse tjetrit ia thyen eshtërat e i varën në qafë. Të thuash se nuk ishin të zotë nuk e thua dot, se për punë lakrash e bostanesh shokë nuk kishin. Vetëm se më i zoti nga të gjithë ishte ai burri i botës me rrobe të gjatë. Ai shkroi një libër shumë të bukur dhe aty të gjitha llojet e zarzavateve i ktheu në njerëz dhe atij njeriu me brirë cjapi ia shtoi aq shumë luftërat me zarzavatet, sa aty u përmendën jo vetëm lakrat dhe lëpjetat e fshatit tonë, por u radhitën edhe hithërat që bëhen në klimën e nxehtë të Tinglimajmunit. Dhe sikur nuk mjaftonin gjithë ato lloje zarzavatesh, ai shkronjtari vuri aty edhe një dem të egër, që burri i botës me brirë cjapi e preu përgjysmë në vend.
Trimëria burazer është punë e madhe dhe këto të gjitha janë trimërira që i kalojnë trimëritë. Dhe prapë nuk ndihmuan që atij burri të ndjerë t’i ruhej varri. Nga kjo ka pasur dëme të mëdha fshati ynë edhe sot e kësaj dite të gjithë shkronjëtarët, me syze dhe pa syze, kanë ndeshur në vështirësi të mëdha nga një gjë e tillë.
Nuk është e lehtë ta humbësh tjetrin kur i humbet varri. Apo nuk e keni dëgjuar ju atë mallkimin që bëjnë në fshatin tonë: “Të humbtë varri!”
Nga një e keqe e tillë fshati ynë u pengua shumë që të bëhej qytet.
Shënime mbi këtë tregim
Tregimi i Kasëm Trebeshinës “ Pse nuk u bë qytet fshati ynë” që nga viti 1994 është i përfshirë në antologjinë “Maja e çelur”, tekst për shkollat e mesme, hartuar nga Gjergj Zheji ( fq.187-191).
Për të marrë vesh se me çfarë tekstesh helmohen nxënësit tanë, po japim përmbajtjen dhe disa nga idetë e këtij tregimi “antologjik”. Tregimi nëpërmjet gjuhës simbolike rreh të vërtetojë se fshati (vendi) ynë nuk u qytetërua kurrë ngaqë në gjithë historinë e tij ai është udhëhequr nga hajdutë dhe kriminelë. Tregimi është një satirë e pamëshirë dhe një tallje e ashpër me të rënët, me Skënderbeun, me Naimin Frashërin dhe me gjithë shkronjëtarët që iu kanë kënduar ngjarjeve dhe figurave kombëtare.
Ironia më e hidhur i rezervohet Skënderbeut.
Tregimi na vë përpara një fshat që ka shumë pasuri, por ato që të gjitha ua grabsin. Duke bërë aluzion për kohën e komunizmit, fshatarëve u marrin edhe dhinë apo dhe delen e vetme. Pastaj u rrafshojnë pyjet dhe shkurret. Fshatarët fillojnë luftërat me njëri-tjetrin. Komandën e merr njeriu që mbante në kokë një tas me ca brirë cjapi. Ai krijon bandën e tij dhe grabit zarzavatet e gjithë fqinjëve, shkul edhe lisin e vetëm të fshatit.
Në këtë fshat bëhet zakon që të ndërrohen herë pas here vendet e varreve (aluzion për ndërrimin e identiteteve). Edhe të rënët e rinj (lexo: dëshmorët e luftës nacionalçlirimtare) nuk e duan lavdinë, rininë e përjetshme të therorisë së tyre. Edhe këta dikur kanë qenë hajdutë fiqsh, mollësh dhe vodhëzash.
Pasi ka parodizuar “Historinë e Skënderbeut” të Naim Frashërit, (me bricjapin aludohet për Skënderbeun dhe me bishtkalin për Ballabanin) autori vazhdon më tej. Në krye të fshatit ka ardhur një kryeplak që i rrihte njerëzit tri herë në ditë. Ai nis njerëz te një falltar për të shpjeguar “një ëndërr me nishan”. Falltari u thotë se duhet t’i bëjnë një varr për së gjalli Raketakes (aluzion për Enver Hoxhës) se do t’u mbetet dhe ai pa varr si ai i bricjapit. Tregimi mbyllet pa shpresë: fshati duhet të hyjë i gjithë në një pellg se kështu i thotë mendja Raketakes.
Kasëm Trebeshina mund të ketë cilëndo pikëpamje mbi historinë, por këto nuk ka pse të hyjnë në shkollat tona. Idetë fikse kundër Skënderbeut dhe kundër figurave të tjera kombëtare Trebeshina le t’i mbajë për vete. Zhgënjimet a frustimet nga komunizmi nuk duhet të na çojnë deri atje sa të urrejmë gjithë historinë tonë.
Mendime për veprën “Mekami” të Trebeshinës
Gynter Gras, në pleqërinë e tij të thellë, rrëfeu një ngjarje të rinisë së tij, ngjarje që nuk mund t’ia zbulonte dhe nuk po ia kërkonte askush. Ai e bëri këtë për t’u çliruar nga një e keqe, se ky çlirim nga e keqja fillon së pari me vetveten, para se ta kërkojmë atë tek të tjerët.
Ç’ndodh tek ne me ata që kanë bërë një karrierë nën komunizëm? E kërkojnë këta njerëz me një karrierë në atë kohë, çlirimin nga e keqja? Çlirimin duke filluar nga vetvetja.
E kundërta po ndodh. Në librat e tyre, në intervistat që japin, në dossierët e gazetave, ata vazhdojnë ta quajnë njëri-tjetrin të nderuar, vazhdojnë të shprehen me një ton nostalgjik për komunizmin, për punët dhe misionet e larta që kanë kryer. Duke qenë ajo një kohë e fatkeqësisë, fajtorët e këtyre fatkeqësive cilët janë? Duhet të ketë fajtorë? Këtu puna ngec. E shumta, për disa prej njerëzve të ish-nomenklaturës, fajtor për atë periudhë ka qenë vetëm njëri, vetëm diktatori. Fajet fillojnë dhe mbeten vetëm tek ai. Ose mbeten në erë. Te koha… te ne të gjithë…, te sistemi…
Shumë nga njerëzit e kësaj kategorie, për të mos thënë të gjithë, e fshehin të kaluarën e tyre. Disa prej tyre, komunistët që u dënuan nga komunistët, vazhdojnë ta mbrojnë veten dhe të kaluarën e tyre. Gjer në ditën që këta morën ndëshkimin prej shokëve të tyre, komunizmi ishte i mirë. Pas kësaj dite, komunizmi u bë i keq. Nuk ishte i keq atëherë kur ata siguronin privilegje duke i shërbyer me zell Komandantit dhe partisë. Dhe këto privilegje ata i siguronin në dëm të shumicës, shumicë që për ta nuk ekzistonte.
Një palë prej tyre dështimin e komunizmit duan t’ia bëjnë pajë Shqipërisë. Sipas tyre, nuk dështoi komunizmi, ajo që dështoi ishte Shqipëria. Se Shqipëria është një vend pa histori dhe shqiptarët janë popull që nuk meritojnë një vend në histori etj, etj. Mund të mendosh se këta njerëz as e kanë dashur kurrë dhe as e duan edhe sot Shqipërinë. Kanë dashur vetëm privilegjet e tyre. Që kur humbën postet, e humbën Shqipërinë. Dhe e urrejnë atë. Të tillët janë sot e gjithë ditën njerëzit e ish-nomenklaturës dhe disa prej pinjollëve të saj.
Mbetur kështu bosh, pa një të shkuar e me një të ardhme të helmuar nga e shkuara që verbërisht e kanë të mbushur plot me krime, krime që i përkrahën a që i bënë me dorën e tyre, ata e hedhin fajin jashtë vetes. Armiqtë e dikurshëm prapë mbeten armiqtë e tyre. Në librat, në publicistikë vazhdojnë të mbrojnë veten. Në këto libra nuk ka asgjë për t’u penduar.
Dhe vazhdojnë t’i bëhen krah njëri-tjetrit. Fusin në këtë valle dhe veglat e tyre të dikurshme.
Një nga ata që e ka fshehur të kaluarën e tij është Trebeshina. Një nga ata që urren diktatorin komunist është Kasëm Trebeshina. Kjo urrejtje kalon pastaj te shqiptarët, te Shqipëria, te historia e saj. Te gjithë njerëzimi dhe bota... Derisa edhe veten e shpall turk e jo shqiptar.
Trebeshina me kohë grumbulloi brenda vetes një vrer të pashembullt. Aq vrer sa nuk ka ku ta shfrejë më mirë se sa kundër vendit të vet, kundër figurave të tij. Asnjë turku të djeshëm a të sotëm nuk do t’i kishte shkuar në mendje ajo që thotë ai te libri “Mekami”: Shqipëria edhe sot është toka jonë, e turqve, se ne e blemë atë me gjakun e djemve tanë që në shekullin XVI. Kjo është me të vërtetë përtej fuqive të arsyes së njeriut.
Ky i dështuar në idealin e tij komunist, i dështuar dhe si njeri për të bërë një jetë të paqtë dhe në paqe me veten dhe me të tjerët, kullon veç vrer. Themi i dështuar për të jetuar paqësisht, se ai i ka humbur shtatë a tetë punë në komunizëm vetëm e vetëm se përplasej me shefat e tij. Këtë e thotë vetë në një intervistë të datës 25 janar 2007 në “Gazetën Shqiptare”: u përplasa në luftë me shokët e mi dhe i vrava nja dy prej tyre, u përplasa me shefat e Sigurimit, u përplasa në Beograd, u përplasa me profesorët në Leningrad, u përplasa me regjisorin në Tetrin Popullor, u përplasa në Ministrinë e Industrisë, u përplasa me shefin në Lidhjen e Shkrimtarëve, u përplasa në Ndërmarrjen e botimit... Komunizmi me të është treguar zemërgjerë. I ka dhënë kaq e kaq herë punë, edhe pse ai i shkelmonte. Pse i shkelmonte? Se donte të ishte vetë në krye të punëve. Të ishte ai shefi dhe jo njeri tjetër. Dhe po të mos i bindeshin të tjerët poshtë tij, do t’iu vinte koburen në kokë si atyre në luftë. Kushedi ç’diktator i lemerishëm do kishte dalë prej tij, po t’i kishte ecur të merrte pushtet?
Libri “Mekami” është një dëshmi e prekshme si me dorë e kësaj që thamë më lart.
Ngjarjet e librit fillojnë me prishjen e një Mekami diku në fshatrat e Ballshit. Mekami prishet në vitet ’60, kur në gjithë Shpipërinë filloi një histeri antifetare.
Nga varri i gërrmuar në truallin e Mekamit, për të cilin flitet në këtë libër, dalin tri skelete: skeleti i një burri, i një gruaje dhe i një kali. Ata që e prishën Mekamin e pësuan: një vdiq gjatë rrëzimit të çatisë, një çmendet dhe një i tretë më pas ia heq vetes.
Më tej shfaqet fantazma e një turku që tregon historinë e Mekamit. Këtu ne jemi në vendin tonë, jemi në tokën tonë, thotë ai, dhe ju që e prishët Mekamin jeni nipërit tanë. Tri skeletet i përkasin një kalorësi të ri turk, kalit të tij dhe të fejuarës së tij, Angjelinës shqiptare.
Shqiptarët paskan nderuar si të shenjta skeletet e armiqve të tyre.
Në retrospektivë vijnë ngjarjet që lidhen me tradhtinë e Beratit, ku shqiptarët nën udhëheqjen e Skënderbeut humbën dhe u mbytën në plojë e në gjak.
Turku trim dhe fisnik që rrëfen ngjarjen, është krenar për fitoren në Berat. Ky turk dhe njerëzit e tij kanë simpatinë e hapur të autorit, madje ai i glorifikon fitoret dhe virtytet e tyre. Përbuz vetëm shqiptarët fund e krye. Libri ngjan sikur është i shkruar nga një kolon turk, një kolon i mallëngjyer për gjyshërit e tij asganë, kolon që vendosjen në tokat shqiptare, të cilat edhe sot (sipas tij) janë të turqve, e ka merituar me pagën e gjakut dhe të trimërisë. Ky komandant turk mbizotërohet nga një botë lirike, nga një thellësi meditative, e trishton dhe e turbullon poetikisht kredhja në natyrë e në kujtime. Një komandant me shpirt të gjerë poetik dhe të përmalluar që patrullon nëpër Myzeqenë tej e ndanë si në shtëpinë dhe në tokën e tij. Është fisnik e paqësor në paqe dhe trim si ai në luftë ndaj shqiptarëve të fëlliqur dhe të pabesë. Trimëria dhe madhështia tragjike, sublimja janë vetëm në anën e turqve. Shqiptarëve u mbeten tradhtia dhe humbja, kredhja në gjak e në gjellë qensh.
Shqiptarët janë aq të ulët, sa iu fusin në shtrat vajzat e tyre turqve.
Veç ngjarjeve dhe heronjve ajo që e bën të pështirë këtë libër është toni fyes, fryma përçmuese për shqiptarët dhe për historinë e tyre. Kjo frymë e mbizotëron librin fund dhe krye. Në mbyllje të librit, autori gjen rast që të bëjë një sintezë të tillë historike: shqiptarët janë armiqtë më të mëdhenj të vetvetes. Janë të paaftë dhe dështakë. Kurrë nuk e meritojë një shtet të tyre. Mos ardhtë ajo ditë kur shqiptarët të kenë shtetin e tyre, të kenë në krye të shtetit një udhëheqës shqiptar. Një ditë e tillë do të jetë mallkimi më i rëndë për ta.
Ky mund të jetë libri i parë në gjuhën shqipe kundër Skënderbeut. Mbase i pari në botë si libër i zi për Skënderbeun. Skënderbeu, sipas autorit, është i dhënë vetëm pas pasurisë dhe pushtetit. Një bukëshkalë që mbështetet te napoletanët dhe te aragonasit. Turqit atij dhe aleatëve të tij u japin një mësim të mirë në Berat.
Të tillë qëndrim ndaj Skënderbeut mbajnë sot ca nga hoxhallarët tanë të tjetërsuar shpirtërisht në turq, hoxhallarë të skajeve të trojeve të sotme shqiptare. Edhe këta thonë se Skënderbeu ishte një i pabesë që iu kundërvu turqve.
Koha ka dëshmuar të kundërtën e predikimeve të tilla. Figura e Skënderbeut vazhdon të mbetet emblema që i bashkon të gjithë shqiptarët. Statuja e Skënderbeut në Tiranë, në Prishtinë po edhe në Shkup flet për atë që figura e tij është me peshë, për shqiptarët dhe për ballkanasit. Ai mbetet heroi qendror i historisë së shqiptarëve.
Fjalët e fundit të këtij libri japin mesazhin se Mekame të tilla janë të shenjta. Ata që vunë dorë mbi muret e tij, u vranë, u vetëvranë a u çmendën. Se “të vdekurit kanë jetën e tyre dhe, ka të ngjarë, që jeta e tyre të jetë shfaqja më reale e kësaj bote...”. Pra, sipas kësaj, ne realisht jemi turq, jo shqiptarë, dhe duhet të nderojmë mekamet me eshtrat e shenjta të turqve dhe të kuajve të tyre. Kjo, sipas autorit, është e vërteta në thellësinë e saj, jo ajo antihistoria që ne ia paskemi sajuar vetes.
Për Kasëm Trebeshinën dështimi i komunizmit ishte dështim i Shqipërisë, jo dështim i diktatorit, i diktaturës së ideologjisë së kuqe, dështimi botëror i një eksperimenti të tillë historik.
Është thënë se çfligarët kanë atdhe çifligjet e tyre. Kur vdesin çifligjet, vdes çifligari dhe gjithë bota. Çifligarët e kuq komunistë me vdekjen e komunizmit e të privilegjeve që vinin prej tij, shpirtërisht mbaruan me gjithsej. S’ka privilegje, s’ka atdhe, s’ka asgjë që t’ia vlejë mbi këtë dhé. Shembulli më i shpallur prej tyre, ai që jo vetëm e mohon atdheun, por dhe e urren dhe e neverit atë, është Trebeshina. Madje ky e dëshmon hidhët dhe fare hapur me letërsinë e tij.
Më poshtë po japim fragmente nga ky libër.
Kasëm Trebeshina
M E K A M I
Faqe 18
Ajo ishte koha e stërgjyshërve të mi, kur ata erdhën në vendin që ishte caktuar të bëhej Atdheu ynë për kohërat që do të vinin!... Dhe me sa jetë qe përcaktuar ta paguante familja jonë sigurimin e së drejtës për të qenë ne shtetas të këtij vendi të çuditshëm!...
- Dhe të gjitha shkuan kot!...
Unë u çudita tej mase: kishim qenë aty vetëm unë dhe nata dhe...Zot i madh! Një
zë, një zë i çuditshëm, një zë më i çuditshëm se nata po vinte nga nata!...
- Unë po të flas ty!...
Pikërisht atëherë pashë afër meje… fare pranë meje hijen e një qenieje njerëzore
që dukej si turk, hijen e një njeriu që e fliste shqipen me një theks të huaj, ndoshta me një theks që ishte i gjuhës turke. Të thuash të vërtetën, në fillim u tremba shumë, se atmosfera që ishte krijuar sillte me vete që unë t’i provoja të gjitha frikat e njohura dhe të panjohura, por turku… Sepse tashti nuk kisha asnjë dyshim që ai ishte një turk i vërtetë.
Qiell i pakufishëm! U tremba aq shumë sa nuk e kuptoja më ku isha dhe kush isha, por qetësia e turkut, se turku ishte i qetë dhe kishte një pamje të bukur dhe madhështore… Po! Ai kishte një pamje të bukur dhe madhështore dhe unë… Nuk mund të tregohet ajo që ndodhi në shpirtin tim dhe nuk mund t’i shpjegoj të gjitha ato që ndjeva në ato momente, por me siguri Turku ishte shumë i pashëm, shumë i ditur, shumë i dashur dhe… Dhe unë e ndjeva dashurinë e tij prej prindi... Edhe pse ishte natë, edhe pse ishim pështjellë nga ajo errësirë e çuditshme, edhe pse unë nuk kasha parë kurrë Turk në jetën time, e ndjeva se ai njeri ishte i afërt dhe i dashur për mua.
- Dhe të gjitha shkuan kot! -Përsëriti Turku sikur të ishte duke folur me veten e tij. Gjaku u derdh dhe me triumfin e armikut të njerëzimit, të gjitha mbaruan!
Kuptimi i fjalëve të tij ishte fare i pamundur për mua, por ndieja një farë besimi...
Po, po! Unë i besoja Turkut të panjohur dhe e pyeta:
- Ç’kuptim kanë fjalët e tua dhe pse i thatë?
Ai nuk iu përgjigj pyetjes sime dhe vazhdoi:
- Shumë keq!... shumë keq!... nuk është e njerëzishme t’u prishësh gjumin dhe paqen e përjetshme të vdekurve. Gjithë popujt e qytetëruar nuk guxojnë të ndërmarrin një veprim të tillë të urryer. Por mos ki asnjë frikë, se unë e di që ti qe i detyruar të veproje kundër vetes sate!... Ti qe i detyruar të kryeje një veprim mizor, se fyerja dhe dhunimi i varreve është një veprim shumë i turpshëm dhe ai që e kryen, i bën vetes së tij një fyerje shumë të rëndë dhe një dhunim nga më mizorët!...
E çuditshme!... Ai e kishte kuptuar që unë nuk kisha pasur ndonjë dëshirë për të fyer dhe dhunuar varret dhe në mënyrë të veçantë unë nuk doja që të fyeja një mekam! Në asnjë mënyrë nuk doja të fyeja dhe të dhunoja Mekamin e Shenjtë! Prandaj e pyeta me ndroje:
- Ti e nderon Mekamin e Shenjtë?
M’u përgjigj ai menjëherë:
- Ai është vëllai im!... Dhe ta dish, ne jemi nga i njëjti fis!
Unë u çudita aq shumë sa nuk munda të kërkoja shpjegim për atë që më kishte
thënë, se fjalët “ne jemi nga i njëjti fis” i kishte thënë në një mënyrë të atillë që nënkuptonte se ata dhe unë... Po! Se ne ishim nga i njëjti fis!... Dhe unë thirra gjithë dyshim:
- Nga i njëjti fis?... Ti dhe unë?... I kam kuptuar drejt fjalët e tua?
Ai buzëqeshi dhe tha:
- Po, i ke kuptuar ashtu siç i thashë unë. Megjithëse në mes mesh kanë hyrë
pesëqind e dyzet e nëntë vjet!... Siç e shikon vetë me sytë e tu, vendi është i ndriçuar me shumë pishtarë dhe atje janë ata të gjithë!... Po na presin!... Eja me mua!
- Atje janë ata të gjithë? Pyeta unë i ngatërruar sa më s’bëhet, duke përsëritur fjalët e tij. – dhe kush janë ata që janë mbledhur atje?
Ai m’u përgjigj:
- Ata janë... Ju u keni prishur qetësinë, u keni dhunuar paqen!... Tani le të shkojmë atje! Eja!...
Dhe duke thënë këto fjalë, ai u nis poshtë në drejtim të fshatit duke prerë përmes
disa monopateve që nuk i kisha parë ndonjëherë më parë. Unë shkova pas tij pa pasur ndonjë farë kuptimi se ku po shkonim dhe pa mundur të gjeja pse fshati im, fshati ku kisha kaluar gjithë jetën time gjer në atë natë, ishte ndryshuar aq shumë sa të bëhej fare i panjohur për mua. Ishte me të vërtetë një gjë shumë e çuditshme që një i huaj, një Turk nga Lashtësia, ta njihte fshatin tonë aq mirë sa të gjente monopatin më të shkurtër për të
dalë drejtpërsëdrejti tek Mekami i Shenjtë dhe, ajo që të linte fare pa mend në këtë punë, ishte se, kur dolëm tek sheshi i Mekamit të Shenjtë, aty nuk kishte kurrfarë Mekami të Shenjtë ose varri, nuk ishin as gërmadhat që të gjithë ne... Ose më mirë, gërmadhat që ata kishin lënë me shkatërrimin që kishin bërë një ditë më parë. Ishte vetëm sheshi, ai shesh që unë e kisha parë që kur kisha hapur sytë dhe kisha kuptuar se po vërtitesha në këtë botë dhe gjer... Tashti aty ishte vetëm sheshi!...
Përmes errësirës së zymtë të asaj nate dukej sikur sheshi ishte i shkretë. Nuk dukej frymë njeriu!...
Pastaj pak nga pak fillova të dalloja... Fillova të dalloja... Aty ishin dy kufoma!...
Po!... Aty në mes të sheshit ishin jo dy, por tri kufoma: një burrë një grua dhe një kalë!... Kështu!... Aty ishin tri kufoma të përgjakura!... Kalit i rridhte akoma gjak, kurse gjaku i dy kufomave të tjera kishte ngrirë mbi rrobat dhe mbi pjesë të trupit të tyre!
Ajo që ishte e çuditshme, dhe madje shumë e çuditshme, qëndronte në faktin se në mes të natës, nëmes të asaj nate të jashtzakonshme për atë errësirë që nuk e kisha parë ndonjëherë, unë e dalloja fare qartë të gjithë skenën. Të vdekurit edhe pse ishin mbuluar në gjak, megjithatë u kishte rënë një nur i jashtzakonshëm. Ai ishte një djalë fare i ri, shumë i pashëm dhe me leshra të verdha, kurse vajza ishte shumë e bukur dhe leshrat i kishte sterrë të zeza.
- Ki kujdes, nipçe! – tha Turku aty fare pranë meje. -Në mes teje dhe fisit tënd që po sheh të vrarë këtu qëndrojnë më shumë se pesëqind vjet. Eja me mua!
Dhe Turku çau mes errësirës dhe hyri në shtëpinë që ishte në perëndim të sheshit para Mekamit... Të sheshit që nuk kishte Mekam të Shenjtë.
Ajo ishte një shtëpi në ndërtim e sipër, me një kullë në anë të lindjes. Unë hyra në shtëpi duke shkuar pas Turkut dhe nuk kisha as një farë ideje ku isha dhe pse nuk e kisha parë më parë këtë lloj shtëpie.
Në fillim nuk po arrija të kuptoja ndonjë gjë nga ato që po më tregonte, por më vonë e kapa fillin dhe kuptova se po trajtonte disa ngjarje me të cilat ishte hapur Shekulli i Pesëmbëdhjetë, po trajtonte çfar kishte ndodhur në një vend të quajtur Saruhan dhe në kohën kur Timuri i Çalë dhe Bajazit Jillderëmi ishin mbërthyer me njëri-tjetrin në një luftë për jetë a për vdekje. Duke vazhduar tregimin e kuptova që atë luftë e kishte fituar Timuri i Çalë dhe Bajazit Jillderëmi i thyer ra në dëshpërim dhe vdiq nga që i plasi mëlçia e zezë. Në ato ngjarje të çuditshme saruhanasit dhe popuj të tjerë turq dhe të krishterë, që e shikonin me frikë ngritjen e vrullshme të fuqisë osmane, u bashkuan tërësisht me tartarët kundër Sulltanit të Ri Osman. Për një kohë të gjitha punët shkuan mirë, por menjëherë pas fitores së tartarëve dhe vdekjes së Jilldëremit vdiq edhe vetë Timuri i Çalë.
Sa kaloi tufani i tmerrshëm dhe duke e ndjerë se ishin akoma të fortë, osmanët u ngritën përsëri me të gjithë forcën e pushtetit të tyre, mposhtën të gjitha rebelimet dhe e vendosën përsëri qeverisjen që nuk mund të përmbysej. Tashti të gjithë ata që ishin ngritur kundër pushtetit osman e mësuan se çfar donte të thoshte t’i zemëroje osmanët që nuk mund të nposhteshin. Tashti të gjithë ata që kishin kundërshtuar e provuan ç’ishte zemërimi i atij populli turk. Emiri i atij vendi të Saruhanëve dhe peshkopi i atyre anëve e paguan me jetën e tyre qëndresën që u kishin bërë Osmanëve!... Dhe për Saruhanin ajo kishte qenë një kohë shumë e turbullt. Kështu kishte vazhduar gjer në kohën kur Osmanët më në fund e kishin shtruar plotësisht vendin, kishin marrë në duart e tyre qeverisjen dhe gjyshi ynë...
Po! Gjyshi ynë!... Turku im po e tregonte historinë në një mënyrë të atillë sikur ajo të ishte edhe historia ime, sikur ajo të ishte historia jonë e përbashkët! Sikur ai, unë dhe të gjithë ata turq për të cilët ai po fliste të kishin një gjysh të përbashkët dhe ai Gjyshi ynë të ishte një dikushi që quhej Durasi!... Çudi, por ai Durasi ishte stërgjyshi im dhe unë nuk e gjeta forcën e duhur që ta kundërshtoja këtë thënie të tij. Por si e vazhdoi ai më tej këtë histori?
Më tej puna shkoi... Ai stërgjyshi ynë qe internuar nga Mehmeti i Parë në vitin e Krishtit 1417 dhe u dërgua në Shqipëri si timariot.
Dhe si shkuan punët më tej?
Vazhdimi ishte po ai. I internuari, duke përfituar nga dënimi, kapi rastin për të krijuar në Shqipëri një pasuri në toka për veten dhe për familjen e tij dhe, duke u ndjerë më tepër se i sigurt në vendin e ri, thirri edhe të birin aty dhe e bëri timariot si veten e tij. Që në fillim u duk se punët e plakut Durasi do të shkonin në mënyrë të shkëlqyer, se nuk kishte si bëhej ndryshe!
Gjatë sundimit të Mehmetit të Parë dhe të Muratit të Dytë at e bir këmbyen disa Timare gjersa më në fund fshati ynë i mbeti Baliut, djalit të Durasit. Plaku kishte siguruar për veten e tij, me leje gojore nga Sanxhak Beu i Janinës, një gjysmë dyzine timare në vende ku fillojnë ultësirat e fushës së Myzeqesë. Pasuria u dha atyre mundësinë që të vendosnin për të mbetur përgjithmonë në Shqipëri. Ky vendim u muar në vitin e Krishtit 1455, gjë që kishte sjellë pakënaqësinë e madhe të Turkut me të cilin unë isha duke folur... Ose më mirë të Turkut që unë po dëgjoja. Dhe ai po më tregonte se në ato kohëre ai e kishte kundërshtuar vendosjen e familjes së tyre në Shqipëri. Ishte e qartë: atij nuk i pëlqente vendi ynë.
Dhe pse kundërshtove ti që familja juaj ... jonë të vendosej në Shqipëri?... Këtu çdo gjë është e njohur për ne, e kemi tonën... Pse nuk të pëlqen ty ky vendi ynë?...
Në fillim Turku u çudit, por një moment më vonë buzëqeshi dhe, në vend që të më përgjigjej, më pyeti:
- Ku kërkon të dalësh me pyetjet e tua?
Unë kisha një dëshirë të madhe që t’i shpjegoja atij ato që instruktori kishte në kokën e tij, por duke sjellë ndër mend që ai kishte vdekur, e ndërrova drejtimin e muhabetit dhe vetëm thashë:
- Nuk e shikon? Ne këtu jemi në vendin tonë, në vendin e të parëve.
Ai e kuptoi ku doja të dilja me fjalët e mia dhe ma ktheu përgjigjen duke më thënë:
- Si mund të mos e kundërshtoja atë vendim? Unë kisha lindur në vendin e Saruhanëve dhe ishte e dhimbshme për mua që të braktisja vendlindjen time, lumin Herm... Pamjen e bukur të Izmirit atje tej në largësi... O zoti im! Sa vjet dhe vjet kanë kaluar që atëherë!... Dhe ne e humbëm për gjithmonë mundësinë për t’u kthyer atje në vendin tonë të bukur të Saruhanëve!... E humbëm... Dhe unë mbaj mallin dhe brengën e rëndë në shpirtin tim dhe e çoj nga shekulli në shekull si një bartës i mallkuar malli dhe brenge.
Më kujtohet ajo kohë sikur të ishte dje – e nisi përsëri historinë e tij të çuditshme Turku im! Ne saruhanasit në atë ditë prilli po shkonim kaluar që nga Margëlliçi në drejtim të Fushës së Myzeqesë. Unë kisha pesë vjet që isha në Shqipëri, ndërsa vëllai im më i vogël, Ergyni, kishte vetëm një vit. Pikërisht pak ditë më parë ne qemë njoftuar për vendimin e gjyshit tonë që të vendoseshim për gjithmonë në Shqipëri.Unë e kundërshtova në një farë mënyre atë vendim, por të gjitha kishin qenë të kota: ata ishin të mendjes se pas atyre që kishin ndodhur si rrjedhojë e luftës me Timurin e Çalë, mundësia për të jetuar në Saruhanin tonë ishte mbyllur përfundimisht. Ne, pasi kishim siguruar prona të gjera në Shqipëri, qemë të detyruar të vendoseshim këtu dhe ky ishte një vendim me të vërtetë i arsyeshëm... Mund të themi më i drejti.
Siç të tregova, gjatë drekës në festën e shenjtë, ne patëm rastin që të njiheshim mirë me njëri tjetrin dhe, kur u ndamë, u duk sikur miqësia jonë qe siguruar përfundimisht. Angjelina, që ishte me të vërtetë një ëngjëll i zbritur në tokë, i dha vëllait tim si dhuratë një peshqir të bukur që e kishin mbushur me stolizma të mrekullueshme disa duar padyshim lartësisht mjeshtërore. Nga përvoja e familjeve tona dhe nga ajo politikë e vendeve që kishim parë, ne e dinim se objekte të tilla ishin shumë të dashura e të shtrenjta për një vajzë, sepse ato ishin pjesë e pajës së saj... Ne, duke mos dashur të shkaktonim pakënaqësira dhe armiqësira në Shqipëri, mundoheshim të silleshim sa më mirë, që popullatën ta kishim nga ana jonë, se, një hap i pamatur yni, do t’i shtynte ata njerëz të bëheshin me Republikën e Venedikut, ose me Mbretërinë e Napolit. Një gjë e tillë edhe mund të na shkatërronte, prandaj vëllai im, sa e pa dhuratën e çmuar, u praps nga që nuk guxonte ta pranonte sendin e bukur të pajës së asaj vajze. Edhe unë u turbullova shumë nga ai fakt, sepse, të them të vërtetën, nuk i njihja aq mirë zakonet shqiptare. Por Spiro Gozua ishte në njeri shumë i shkathët dhe ndërhyri në kohë:
- Një dhuratë nuk mund të kthehet, veçanërisht kur atë e jep një vajzë!
Në këtë mënyrë ai më shkarkoi nga një barrë shumë e rëndë dhe, në shenjë mirënjohjeje, u përkula në drejtim të të zotit të shtëpisë. Vëllai im bëri siç bera unë, pastaj e mori dhuratën dhe vajza, e skuqur flakë, u çlirua përfundimisht nga ankthi i të dhënit të dhuratës dhe u largua me nxitim si një zog i trembur. I zoti i shtëpisë buzëqeshi dhe ne u tokëm me përzemërsi me bindjen e patundur në miqësinë tonë të pathyeshme. Të paktën unë dhe im vëlla besonim se miqësia jonë do të ishte e pathyeshme dhe e përjetshme.
Pastaj u ndamë dhe ne shkuam më tej për të kryer patrullimin tonë të zakonshëm përmes fushës së Myzeqesë.
Ngado që ta hidhje syrin, shihje një bukuri të pafund që tregonte paqe dhe qetësi dhe dukej sikur pushteti turk qe vendosur njëherë e përgjithmonë.
Kur patrullimi qe kryer pa asnjë ngjarje të jashtzakonshme, ne u kthyem në Klos ku kishim qendrën kryesore dhe nga ku kishim një kohë të gjatë që ishim larguar. Aty unë shpresoja të gjeja lajme të reja ose udhëzimet e rastit nga babai ynë ose gjyshi...
Gjer më sote kësaj dite nuk arrij të kuptoj se si një baba mund të shesë vajzën e tij. E di shumë mirë se paraqiten gjithfarë nevojash, interesash të larta dhe domosdoshmërisht familjare, të fisit, qoftë edhe të vetë shtetit dhe të mbretit. Të gjithë janë gati të bërtasin me sa kanë në kokë që i sakrifikuan fëmijët e tyre për mbretërit, princat ose patriarkët!..Për fisin ose për vendin e tyre të lindjes, por ne, në të gjitha veprimet tona e çfardolloj natyre që të jenë, duhet të udhëhiqemi nga qëllime dhe përfundime të moralshme, përndryshe kjo bota jonë e varfër do të popullohej me frikashë dhe maskarenj. Vajza ime është vajza ime, nderi dhe lumturia e saj janë gjithashtu të miat dhe unë nuk kam asnjë të drejtë të tregtoj me nderin dhe lumturinë e saj. Unë nuk e shes kurrë vajzën time, nuk e blej dhe as nuk e rrëmbej kurrë vajzën e tjetrit dhe ky është shkaku që ne nuk kemi gjë të përbashkët me osmanët. E di, Ata e krijuan dhe e kanë perandorinë e tyre, kurse ne nuk e kemi. E pranoj që ata meritojnë lavdërimet më të mëdha për veprën e paparë që arritën të bëjnë, por ne saruhanasit kemi mënyrën tonë të veçantë të jetesës dhe të gjitha veprimet tona janë të kushtëzuara nga morali që del nga jetesa që bëjmë ne. Osmanët mund të krahasohen historikisht vetëm me Mbretëritë Mëdha të Lashtësisë dhe me Romën e Lashtë, por ata janë shkëputur plotësisht nga jeta e të parëve të tyre turq. Ne Saruhanasit nuk mund ta harrojmë kurrë jetën tonë të thjeshtë në Stepat e Azisë, në mes të njerëzve tanë të fisit, në mes të grave tona pa ferexhe, në mes të tufëve të bagëtive tona, të lirë si vetë shtrirja e atyre stepave!...
Atje ishte jeta jonë, por furtuna e popujve na shkuli dhe na fshiu prej atij vendi dhe na hodhi tej nëpër botë, herë këtu dhe herë atje, duke na lënë që të përkundim shpresën se do të jemi tanët dhe të lirë në këto vende të reja.
Pak më parë të tregova se nuk besoja në asnjë mënyrë për një jetë më të mirë në Shqipëri. Shpirti im turk dhe grek ishte mësuar me jetën në Saruhanin tim të bukur, por të gjithë njerëzit e familjes sime e quanin Shqipërinë plotësisht të bukur dhe të mirë për të ardhshmen e familjes sime. Shqipëria do të ishte Atdheu ynë i ri dhe djepi i sigurtë për pasardhësit tanë, se me këta njerëz ne kishim shumë gjera të përbashkëta. Gratë këta këtu i trajtonin si ne!... Dhe gjyshi, duke u nisur nga sa të thashë, kishte vendosur që të mos tundeshim së këtejmi, kishte vendosur që ta mbronte gjer në fund këtë vend, prandaj ne niseshim herë pas here për patrullim përmes fushës së Myzeqesë. Donim ta siguronim veten nga ndonjë rebelim i papritur.
E di! Nuk është nevoja që të ngulësh këmbë! Shqiptarët i kishin të gjitha të drejtat që të ngriheshin kundër nes, ashtu si ne i kishim të gjitha të drejtat që të ngriheshim kundër osmanëve, por në veprimet historike njeriu duhet të jetë patjetër shumë i matur. Kur ndërmarrim veprime historike ne jemi të detyruar të vlerësojmë aftësinë për ta jetuar jetën dhe jo të llogarisim guximin dhe gatishmërinë për të bërë kryengritje. Megjithatë unë nuk do të ngul këmbë për të mbrojtur mendimet e mia. Le të ketë çdo njeri pikëpamjen e tij të veçantë. Unë këtu dua vetëm të them se nuk është njerëzore të jesh maskara. Dhe Spiro Gozua atë ditë u soll me të vërtetë si maskara. Ai vinte buzën në gaz, ai qeshte hapur, ai piu shëndete pa mbarim dhe ngriti po aq dolli me njerëzit e tij. Ai e lejoi vajzën e tij që të na shërbente sikur të ishte sherbetorja e një pijetoreje për të mos thënë edhe më keq. Ç’është e vërteta, ajo na shërbeu me gjithë zemër dhe me një gatishmëri të pakrahasueshme dhe asnjë nuk mund ta parashikonte atë që do të ndodhte më vonë. Tashti, pas asaj që ndodhi, më duket sikur i kuptoj të gjitha dhe e kam të qartë pse nuk e hodha fjalën për fejesën e Angjelinës me vëllain tim Ergynin. Në fakt unë nuk e kisha të drejtën që ta bëja një gjë të tillë pa e kërkuar lejen e prindërve të mi, por e dija shumë mirë se propozimi im do të aprovohej nga ta, nga që ishim të interesuar që të lidheshim me familjet e forta shqiptare. Familja e Spiro Gozos ishte shumë e fortë dhe me influencë dhe ne do të fitonim shumë po të lidheshim me ta me lidhje gjaku. Kjo ishte e qartë, unë e kisha dorën të lirë për një veprim të tillë politik por, të thuash të vërtetën, nuk më pëlqeu gatishmëria me të cilën Angjelina më shërbente dhe , sidomos, nuk më pëlqente si i shërbente dhe mundohej të afrohej me vëllain tim më të vogël në praninë time. Mua, nga të gjitha ato që shihja, m’u duk sikur ajo vajzë ishte mendjelehtë dhe babai i saj e shtynte hapur në atë mendjelehtësi. Më vonë arrita të kuptoj që Angjelina Gozo ishte një vajzë shumë e bukur, një flutur e paparë, më e lehtë se penda e laureshës dhe të gjitha gjërat i bënte thjesht dhe me fisnikërinë e natyrshme të zemrës së saj të mirë. Ajo kishte një zemër të madhe dhe fisnikëria e saj ishte e barabartë me karakterin e saj të fortë. Edhe murrizi i ka lulet e tij të bukura! Vetë fati i lumtur na e dha si dhuratë atë vajzë me cilësira të atilla të larta, por ne kishim sy dhe ishim të verbër, kishim veshë dhe ishim të shurdhër, kishim zemër dhe nuk ishim të zotët të ishim të drejtë! Spiro Gozua ishte duke përgatitur një kryengritje kundër nesh, por jo vajza e tij! Për qëllmet e tij ai e shiti vajzën e tij, e përdori atë për të na mashtruar, e përdori si një send të rëndomtë kundër nesh!... Ajo dhe vëllai im janë tashti atje lart në qiell pranë të Madhit Zot... pa dyshim, janë pranë të Madhit në Qiell, se ajo ishte vetë mirësia, kurse Ergyni, në botën tonë të trazuar, ishte njeriu më i drejtë që ka jetuar mbi faqen e këtij dheu!...
Ajo që pashë dhe ajo që dëgjova në Kishën e Shën Ilisë ma hoqi përfundimisht dëshirën për të hyrë në ndonjë kishë në Shqipëri. Nuk doja t’i dëgjoja më priftërinjtë e këtij vendi dhe nuk e di se si mu mbush mendja se ky popull ishte pajtuar njëherë e përgjithmonë me padijen, se vetëm në padije e ndjente veten të qetë dhe i bëhej e mundshme që të dëgjonte dhe të respektonte mashtruesit që për të përfaqësonin dijen në formën më të vërtetë
E lamë kishën me një keqardhje më shumë dhe shkuam drejt dhe te shtëpia e mikut të familjes sonë, ku na pritën me përzemërsi dhe me të gjitha të mirat. Pasi e kryem edhe atë vizitë, u nisëm poshtë fushës për patrullimin që kisha urdhëruar.
Ajo ishte një ditë e mrekullueshme maji. Ne po çanim nëpër Fushën e Myzeqesë pçranë kënetës dhe lamë pas Jagodinën, Marinzën dhe, duke ndjekur rjedhën e lumit, arritëm tek vau i Belinës. Kaluam në anën e përtejme dhe morëm fushën nën Ardenicë. Gjer nën Ardenicë patrullimi kishte shkuar si gjithnjë dhe pa ndonjë ndodhi të jashtzakonshme. Koha e bukur e ndihmonte udhëtimin tonë dhe të gjitha dukeshin sikur e kishin bekimin e qiellit...
Kështu po vazhdoja të shkoja kaluar, i humbur në ëndërrimet e mia, kur papritur ky Vendi im i Zanave u lëkund dhe u zhduk nga thirrma e dikujt. Sa e flaka atë gjumë të çuditshëm dhe ëndrrat, shikova rrotull për të kuptuar se çfar po ndodhte dhe dëgjova që thirri:
- Një kalorës! Po shkoj ta kap!
Duke shikuar tej dallova një kalorës në fushë, por nuk pata kohë të mendoja çfare po ndodhte dhe çfarë duhej bërë, se Ergyni u sul si një furtunë për ta kapur atë kalorës që nuk e dinim kush ishte. Pak momente më vonë ne pamë se si po zgjateshin përmes fushës dy re të çuditshme pluhuri.
Unë e kisha humbur dhe po qëndroja në vend si i gurosur: Ishte një gjë me të vërtetë e bukur për mua të shihja vëllain tim kaluar, qoftë edhe si një re e zgjatur pluhuri tek ndiqte një tjetër. Ishte i papërmbajtshëm ai çunaku im në raste të tilla. Ai dhe era ishin një element i vetëm. E di, në këtë botë ka pasur kalorës të ndryshëm dhe shumë të shkëlqyer, por një në mes të tyre ka qenë edhe vëllai im Ergyni. Ai, si të gjithë ata, kishte lindur për të jetuar kaluar mbi kafshën fisnike dhe për të vdekur gjithashtu kaluar dhe së bashku me kalin e tij. Unë do të doja ta shihja mot e jetë mbi kalin e tij të bukur dhe gjithmonë të lirë si vetë Gjithësia prej së cilës kishin dalë dhe ku silleshin aq natyrshëm.
- Im zot- dëgjova dikë fare pranë meje.
Ishte Karaxhai që po më fliste.
Ç’është? – e pyeta unë gjithnjë i mrekulluar nga mënyra se si shkonte kaluar im vëlla, megjthëse tashti po shikoja vetëm atë re pluhuri që zgjatej dhe hapej duke pushtuar fushën.
- Im zot – përsëriti pa nxitim Karaxhai afër meje,- A më lejoni që të shkoj pas tyre?
- Po! ti Karaxha dhe ti Gjedik, ndiqni ata të dy! Gjithë të tjerët pas meje!
Karaxhai dhe Gjediku u larguan me nxitim në drejtim të atyre dy reve prej pluhuri që zgjateshin drejt fushës, kurse unë me kalorësit e tjerë morëm një rrugë që priste shkurtër.
Për një moment të dyja retë e zgjatura u ndërprenë. Unë e kuptova: dy kalorësit kishin hyrë në një livadh. Preva arave për të dale atje. Im vëlla kishte vepruar me një shpejtësi rrufeje, sa, kur arrita unë, kalorësi i panjohur gjendej i shtrirë në livadh i mbështjellë në lakun që i kishte hedhur Ergyni. Të gjitha ishin bërë si me magji dhe im vëlla po qëndronte në mes të atij livadhi të mbuluar nga bari i blertë dhe nga lulet e verdha të zhabinokut.
- Zoti im! -u qa robi që kishte kapur Ergyni.- të lutem mos më bëj dëm. Unë do t’jua tregoj të gjitha ato që di… Se kam me të vërtetë diçka për të treguar… Disa lajme shumë të rëndësishme për ju.
Unë jam juaj! Ju nuk e dini, por Gjikë Ristiçi do të zotohet për mua! U betohem…
Ai u lëkund për një moment dhe filloi:
- Kolë Bujani arriti të mësonte se po përgatitet një kryengritje dhe, me sa më duket, një kryengritje e madhe. Im zot më dërgoi tek Gjikë Ristiçi për të mësuar gjëra më të reja dhe për t’u marrë vesh për qëndrime dhe veprime të përbashkëta. Isha tek zot Gjika dhe ai më tha se gjithashtu kishte dëgjuar për një kryengritje dhe më urdhëroi që t’i them tim zoti se ai nuk ua ka besimin dhe nuk pyet për Kastriotët dhe Napoletanët dhe në rastin më të pare do t’i njoftonte turqit për ato që po ndodhnin. Ai kishte shpresë që të takohej me zot Kolë Bujanin dhe të dy të shkonin tek turqit që të merreshin vesh për veprime të përbashkëta. Kur isha duke u kthyer nga zot Gjikë Ristiçi me përgjigjen që më dha me gojë, e solli rruga që të bie…
Gjithë ditën e ditës ne qëndruam në pyll duke ruajtur me kujdes që të mos na shihnin dhe ne t’i kontrollonim të gjitha ato që ndodhnin rrotull nesh. Sa ra nata ne i shikuam imtësisht kuajt dhe u nisëm për të shkuar tek Gjikë Ristiçi. Që nga ai moment filloi ngjarja më e madhe e familjes sonë në Shqipëri.
Të gjitha ato që na kishte treguar njeriu që kapëm rob ishin të vërteta dhe, duke besuar në fjalën e nderit të Gjikës e lashë të lire shqiptarin që e kishim ndeshur rastësisht dhe me fat në rrugën tone.
Ndërkohë që po përgatitnin darkën ne patëm kohë më se të mjaftuesme që të këmbenim me Gjikën mendime të ndryshme rreth situates që ishte krijuar. Ai kishte të dhëna të hollësishme se aty nuk po përgatitej një kryengritje, por, Napoletanët, të ndihmuar nga Kastrioti, do të ndërmerrnin një fushatë për ta ripushtuar Kështjellën e Beratit.
Këto informata ishin më se të mjaftueshme për mua. Gjëja e parë që mendoja të bëja ishte të shkoja në shtëpi dhe, pa humbur kohë, t’ua bëja të ditur prindërve të mi se ç’po ndodhte, sipas atyre që kisha dëgjuar. Pasdreke ne u nisëm menjëherë: unë me Karaxhain dhe Umunin, morëm rrugën drejt Jugut. Të tjerët vazhduan rrugën për në Klos.
Pasi e mbyllëm në këtë mënyrë çeshtjen e familjes, unë kalova tek ajo që më shqetësonte më shumë. U thashë:
- Kam nxituar gjithë natën e natës për shkak të disa lajmeve shumë të këqia që i mësova rastësisht ndërsa po patrullonim përmes Fushës së Myzeqesë: Napoletanët do të sulmojnë Kështjellën e Beratit.
Gjyshi dhe babai mbetën të hutuar se, po të merrej ajo kështjellë, rrezikoheshin të gjitha forcat tona më në Jug dhe në drejtim të Greqisë.
- Që nga e nxjerr ti një përfundim të tillë? –pyeti gjyshi.
- Nga lajmet që mësova! –iu përgjigja. –Dhe ato lajme m’i vertetoi vetë Gjikë Ristiçi. Ai më tha se Kastrioti është vegël e tyre dhe gjithashtu do të na sulmojë me të gjithë njerëzit e tij. Siç duket, një pjesë e mirë e Myzeqesë është gati për një eshkë të ndezur që të marrë flakë!...
Babai im pa të atin. Gjyshi pyeti:
- Je i sigurt për ato që na the?
- Po. Jam shumë i sigurt!- iu përgjigja dhe në atë moment m’u kujtua i nipi i Spiro Gozos.
Pa humbur as edhe një moment të vetëm babai im u nis për Janinë dhe unë, pasi mora një sy gjumë, dhe hëngra pakëz bukë, mora rrugën e Klosit i vendosur që ta arrestoja të nipin e Spiro Gozos, por m’u desh që, sa të arrij në Klos, të ndërroja mendim, nga që të nipin e Spiro Gozos e gjeta atje duke më pritur. Po! Ai po më priste dhe më dha lajme të reja për Napoletanët dhe për Kastriotin që ishin nisur për të pushtua Beratin!... Dhe më siguroi për besnikërinë dhe miqësinë e Ungjit të tij!… Dhe më në fund e mbylli fjalën e tij duke na ftuar për një gosti të madhe.
Të gjitha dyshimet e mia u shpërndanë menjëherë. Spiro Gozua ishte një nga miqtë tanë më besnikë. E pranova ftesën dhe kur qëlloi që të patrullonim permes Fushës së Myzeqesë për kontrollin e zakonshëm, unë dhe vëllai im, me një grup të përforcuar kalorësish,përfituam nga rasti dhe i bëmë një vizitë Spiro Gozos. Gostia u dha në afërsi të një pylli të vogël, në hijen e bukur të vidhave. Aty pranë ishte një burim dhe na pëlqeu shumë mënyra se si na gostiti i zoti i atij vendi. Më në fund ne e falenderuam nga zemra Spiro Gozon dhe i kërkuam leje që të ikim. Pas përshëndetjeve të zakonshme u nisëm për udhë.
Më e keqja ndodhi disa ditë më vonë. Ne ishim duke shkuar nga Verbasi për në Mashkullorë, kur papritur ne takuam në Margëlliç... Asnjeri nuk mund ta besonte atë gjë, por ne takuam Angjelina Gozon!... Vajza po na priste në Margëlliç!...
Një gjë e tillë nuk më kishte ndodhur ndonjëherë!... E dija: ajo po na priste ne, por qëllimet i kishte... Si ta them atë!... Ajo kishte rënë në dashuri me vëllain tim!
- Karaxha! -thirra pa pritur më gjatë.-Merre vajzën dhe shpjere në ndërtesën tonë në Mashkullorë. Ndërkohë ju, Gjedik, Umun dhe Burak, ejani me mua!
- Po unë, -më pyeti Ergyni.
- Nuk ka asgjë të rëndësishme. Ti duhet të jesh këtu gati për çdo gjë që mund të ndodhë. Unë do të kthehem menjëherë.
Dhe me kalorësit e mi bëra me nxitim tatëpjetë. Nuk qe nevoja fare që t’i thërrisnim Spiro Gozos, se ai kishte dalë tek sheshi përpara shtëpisë së tij dhe na priti me një gjendje shumë të shqetësuar.
Ia zbrita kalit dhe e përshëndeta.
Tashti, kur e kujtoj fytyrën e tij, më duhet patjetër të shpreh gjithë admirimin tim, se ai ishte i aftë që t’ia hidhte edhe vetë djallit me brirë!... Dhe t’ia hidhte keq!...
Kishte një mënyrë të çuditshme të paraqituri që të gjithë ligësinë e shpirtit të tij ta shiste për një dashamirëi nga më të çiltrat. Nuk ishin fjalët që ai ndofta nuk i lidhe edhe aq mirë, por mënyra e të thënit që i bente aq të besueshme të gjitha dhe shiste kungullin për pjepër
- Spiro Gozo! -i thirra unë atij të mallkuari. – ne nuk kemi pasur asnjë qëllim për të të fyer duke të rrëmbyer vajzën tënde. Ajo erdhi atje pa na pyetur fare dhe kundër vullnetit e dëshirës sonë. Ne nuk i kemi dhënë asnjë shkak, nuk e kemi nxitur as drejtpërdrejt dhe as tërthorazi që të braktisë të atin dhe familjen e saj!...
- Vajza ime? –tha ai shumë i çuditur.
- Po,vajza jote! –iu përgjigja unë.
-Vajza ime ka braktisur babain e saj?!...
- Po! Ajo është në ndërtesën tonë në Mashkullorë. Por e them hapur këtu para teje dhe para të gjithëve se ne nuk kemi asnjë faj dhe për ta provuar pafajsinë tonë...
- Për vajzën time?!... pyeti ai dhe dukej qartë se u lehtësua nga një barrë e rëndë që e mundonte gjer një moment më parë. Dhe ai vazhdoi kështu: As mos u shqetësoni për atë punë! Pa dyshim miqësia jonë vlen shumë më tepër se vajza e Spiro Gozos!... Unë, t’u them të drejtën, kisha parasysh diçka tjetër!... Një vajzë!... Një vajzë është një hiç përpara punëve të mëdha dhe të rëndësishme, për miqësinë që nuk duhet të thyhet kurrë.
E shkreta vajzë! Çfarë vështirësish përballonte natyra e saj e gëzuar në atë shekull të turbulluar që sillte gurë dhe drurë!...Dhe ajo, që i dinte të gjitha, nuk e hapi njëherë gojën, nuk vendosi ta tregonte historinë e saj, nuk vendosi të fliste për tradhtinë e babait të saj që po i shkatërronte atë lumturi të vogël që mund të ndërtohet në këtë botën tonë të vogël!.. Nuk mundi të fliste për ato të gjitha, megjthëse ishte vetë babai i saj që e shtynte me qëllim në ato punë!... Ajo i mori të gjitha në varr dhe vendosi ta tregonte vetëm me heshtjen e varrit dhëmbjen për të atin që humbi dhe për familjen që nuk mundi të krijonte!...
Si mundi ajo të heshtte gjer në fund?!... Se jam më se i sigurt që ajo i dinte të gjitha dhe gjer në vdekje qëndroi në mes të atyre dy dashurive: të dashurisë së vajzës për të atin, të asaj dashurie që përplasej tek ai që e kishte lindur, dhe të dashurisë tjetër, të dashurisë së virgjër për tim vëlla, të dashurisë që për një vajzë është sa vetë jeta!... Prandaj nuk mund të ngushëllohem kurrë në dëshpërimin tim, se në atë moment vendimtar nuk dyshova për Spiro Gozon, por vetëm deklarova në mënyren më të çiltër:
- Ne jemi miq dhe si një provë të miqësisë sonë unë do t’ua kthej vajzën duke u siguruar për nderin e saj me fjalën time të nderit si kalorës.
Spirua, i siguruar plotësisht se vajza e tij kishte ikur e shtytur nga dashuria dhe nuk kishte treguar ndonjë gjë rreth komplotit të tij me Napoletanët dhe Kastriotin, nxitoi të thoshte:
Kur është kështu, unë kap rastin për të treguar gjithashtu besnikërinë ndaj jush: vajza ime është juaja!
Kjo i kaloi të gjitha ato për të cilat isha i përgatitur dhe, pa e pasur pëlqimin e prindërve të mi, u përgjigja:
-Të lutem ty dhe gjithë familjes sate që të më lejoni ta kërkoj vajzën tuajtë na i jepni nuse për vëllain tim më të vogël.
Ai u përgjigj menjëherë:
- Unë ua jap vajzën dhe bashkë me të edhe besnikërinë time të patundur. Tashti ne jemi tanët. Ne shtrënguam duart të kënaqur sa më s’bëhet... Natyrisht secili sipas mënyrës së tij dhe sipas qëllimeve që kishte në kokë.
Pas kësaj unë thashë:
-Tashti dërgoni njerëzit për ta marrë vajzën!
- Për të marrë vajzën? –u çudit ai sa më s’bëhet.-Dhe pse ta marrim!...
- Sepse ju atë e kini vajzën tuaj! –iu përgjigja edhe unë i çuditur akoma më shumë.
- Por ajo a nuk është nusja juaj?
- Ja prita: -Ashtu është, unë e thashë fjalën dhe ne nuk e kemi zakon të hamë fjalën tonë, por ne turqit kemi zakonet tona, ashtu si edhe ju shqiptarët keni zakonet tuaja të mira. Nusja, për ne turqit, vjen në shtëpinë e dhëndrit vetëm pasi të jenë ndarë të gjitha punët e martesës. Ne nuk e kemi zakon t’i rrëmbejmë gratë.
Pasi e mbylla në këtë mënyrë çështjen me vëllain tim, fillova të mendoj si do t’ia dilja mbanë të bindja prindërit e mi. Çfar do t’u thosha dhe si do t’ua shpjegoja krushqinë që kasha nxituar të bëja me Gozot?... Me gjyshin tim Durasi puna do të ishte më e lehtë dhe kisha bindje të plotë se do t’ia merrja pëlqimin, se ai ishte shumë i mprehtë në të kuptuarit e situatave dhe kishte një shkathtësi të madhe në politikë, por im at ndryshonte. Ai ishte një turk i vërtetë në të gjitha të dhënat e asaj race, ishte një njeri i guximshëm, një njeri i fjalës dhe i punës. Ishte shumë tolerant në çeshtjet fetare, por krejtësisht intolerant në shkeljen e traditave, qoftë të races së tij, qoftë të atyre të racave të tjera. Sipas tij të gjitha traditat ishin të mira, se e kishin kaluar proven e shekujve dhe me ato nuk mund të kishte shaka. Vajza e Spiro Goros mund të ishte një nuse shumë e mire, sipas mendimit të babait tim, por pa dashuri, pa përfolje dhe pa rrëmujë.
Lajmet që kishim marrë bënë që ngjarjet të zhvilloheshin me një shpejtësi marramendëse. Napoletanët dhe kryengritësit shqiptarë të udhëhequr nga Kastrioti filluan rrethimin e Beratit dhe kështu po vihej në jetë fushata për të na nxjerrë nga Ballkani. Duket, se Saruhanasit e mbetur pa Atdhe, nuk kishin më ku të shkonin!...
Të gjitha grupet e armatosura turke kishin marrë urdhër që të ishin në gjendje gatishmërie. Unë prisja ardhjen e Sanxhak beut të Janinës dhe isha i sigurt që Napletanët, pot ë qe se dote merrni një mësim të mire para Beratit, pa asnjë dyshim nuk do të guxonin më kurrë në të ardhshmen që t’i futeshin të papriturës duke ndërmarrë fushata në Shqipëri ose në Greqi. Me një fjalë, ata do t’u jepnin lamtumirën e fundit ëndrrave të tyre të bukura për një perandori të madhe mesdhetare.
Në kohën kur ne ishim duke pritur ardhjen e Sanxhak beut tone nga Janina, papritur më erdhi ftesa nga miku ynë Spiro Gozo. Ai do të jepte një gosti të madhe për të nderuar miqësinë tonë dhe për fitoren që ne do të arrinim kundër armikut tone të përbashkët. Ne nuk kishim asnjë arsye që të mos shkonim dhe unë urdhërova që të bëhehin të gjitha përgatitjet për gostinë dhe për gatishmërinë në rast se dote detyroheshim të ndërmerrnim ndonjë veprim ushtarak. Në Margëlliç unë lashë Umunin dhe disa të tjerë, ndërsa me tim vëlla dhe me pjesën më të madhe të kalorësve u nisëm për në shtëpinë e Spiro Gozos.
Nuk mund dhe nuk duhet të trillojmë gjëra më kot pas muhabetit! Kur hymë në shtëpinë e Gozove ne nuk pamë asnjë shenjë që mund të dukej e dyshimtë. Dhe gostia filloi dhe vazhdoi me një gëzim të vrullshëm, me shëndete, dollira, këngë, valle dhe thirrje për miqësinë. Në një moment Spiro Gozua kërkoi leje se kishte diçka për të porositur dhe u ngrit e doli jashtë nga dhoma. Tanët ishin duke ngrënë e duke biseduar dhe asnjërit nuk i ra në sy se të gjithë gozot kishin ikur nga dhoma!... Edhe unë vetë nuk e dallova një gjë të tillë dhe nuk u shqetësova për ikjen e Spiros. Ajo për mua ishte një gjë e zakonshme… Dhe m’u duk sikur ra rrufeja kur në një moment hyri papritur në dhomë Angjelina Gozo dhe thirri sa mundi:
Tradhti! Dilni jashtë!
Asnjëri nuk arriti të kuptonte çfarë po thoshte ajo.
- Ç’ka ndodhur? –e pyeta unë.
Vajza më shikoi në sy si të ishte e marrosur.
- Dilni jashtë dhe menjëherë! Ju kanë tradhtuar!
Ishte një gjë e pabesueshme!... Ne të gjithë ishim sikur të na kishte goditur rrufeja dhe nuk arrinim të njihnim as vajzën që ishte për ne më se e afërt. Ajo ishte prishur aq shumë në fytyrë, sa dukej sikur sapo kishte shpëtuar nga ferri ku kërkonin ta mbanin me forcë!...
Kur goditja e parë e furtunës kaloi, fillova të mendoj për atë pamje të jashtëzakonshme të vajzës dhe m’u duk sikur e gjeta përmes çfarë mundimesh kishte kaluar ajo. Megjithatë, në moment për mua ishte e pamundur që t’i kuptoja ato që po ndodhnin. Dhe ai qe vetëm një moment, se një moment më vonë dëgjova thirrjen e Karaxhait:
Ah, ti qen!... ti qen i pabesë shqiptar!...
Dhe u dëgjua tingëllima e shpatave. Ky ishte fillimi i përleshjes.
- Te kuajt! – thirra unë sa munda.
Por ishte një gjë më se e vështirë që të përmbusheshin urdhrat në atë rrëmujë të tmerrshme që u bë.
- Dera është e mbyllur, - bërtiti Buraku.
- Te kuajt! – përsërita unë urdhrin nga që më dukej se tanët atje përjashta ishin në vështirësi.
- Një sopatë!...
- Dilni këtej! - tha Angjelina.
Unë shkova pas saj dhe të tjerët na ndoqën pa marrë ndonjë urdhër të veçantë.
Lavdi Zotit, populli ynë e ka në gjak rregullin dhe disiplinën dhe vetëm kur t’i kesh vrarë mund t’i ndalësh!
M’u afrua Karaxhai i plagosur.
- Im zot! - më tha duke shkuar kaluar pranë meje. - Vajza është plagosur shumë rëndë!...
- Shko pranë saj dhe kujdesu për të!... Përpara djem!
Në këtë kohë Ergyni doli nga moçali dhe e sulmoi armikun nga ana tjetër. Kështu më në fund e hapëm rrugën. Duke e parë qartë se e humbën lojën, shqiptarët e lanë fushën e luftës dhe u zhdukën përtej Qafës së Shën Sotirit...
Vetëm më vonë e kuptova se ne kishim pasur një fitore të madhe si në fushën e betejës, ashtu edhe ...
Që nga maja e kodrës ku po rrija pashë të vinin në drejtimin tonë disa kalorës. Ata kaluan nga e majta dhe morën drejtimin për në Mashkullorë. Unë bëra poshtë dhe në rrugë më njoftuan se te shtëpia jonë kazermë kishte ardhur i vëllai i Spiro Goros! Kjo gjë për mua ishte fare e papritur dhe natyrisht më çuditi shumë. Megjithatë unë e dija se ky vëlla nuk nuk lozte ndonjë rol në çështjen e madhe që na kishte plasur. Spirua, që ishte shumë i rëndë në familje, as që donte të dinte për mendimet e të vëllait dhe e çmonte si një kafshë me dy këmbë.
Unë i prita mysafirët, at e bir, në atë dhomë që e përdornim si dhomë pritjeje. Ai e filloi fjalën duke kërkuar ndjesë në mënyrë të zgjatur. Më shpjegoi se i vëllai nuk pyeste fare për të dhe vazhdoi në këtë mënyrë:
- I thashë vëllait tim, Kastrioti është një njeri shumë i rrezikshëm për vendin tonë, ai është një njeri që do vetëm veten e tij dhe familjen e tij, është një njeri i pangopur për pasuri dhe pushtet dhe, për t’i arritur këto dy qëllime të tij, ai mund të bëhet me Napoletanët, me Venedikasit, me Serbët dhe me djallin vetë!...
Ia preva fjalën:
- A dije gjë ti për rebelimin?
Kisha bindje të plotë se ai do të mohonte çdo gjë, por u çudita shumë kur m’u përgjigj hapur fare:
Po, unë e dija!... Unë ua thashë hapur se nuk pajtohesha me ta!...
Çudi! Ai po më fliste thjesht dhe në një mënyrë që nuk linte asnjë dyshim për çiltërsinë e tij, një gjë që jo shumëkush e ka guximin ta bëjë! Tashti po i njihja në të vërtetë të dy vëllezërit: kush nga ata të dy mund të merrej për shqiptar më origjinal?!...Për mua puna sikur po ngatërrohej... Dhe ai po vazhdonte:
- Të gjitha ua thashë, por ai që e bëri lëmsh këtë punë, ai që na solli të gjitha këto fatkeqësi, ishte nipi... Ai nipi ynë!... Ai vagabondi që bredh si laraska gardh më gardh! Ai qeni i Kastriotëve!...
Tashti nuk mund të ngushëllohesha për atë moskujdesje që kisha treguar Ditën e Pashkës së Madhe! ... Por ishte shumë vonë dhe të gjitha këto e kishin humbur rëndësinë. Për mua tashti kishte vlerë çiltëria e atij njeriu. Ajo po më çudiste pa masë dhe e ndërpreva përsëri:
- Të gjitha shpjegimet e tua i gjej me vend dhe ti me familjen tënde je i falur!
- Zoti të shpëtoftë ty dhe të tutë! ... Ne jemi tanët ... Ne e njohim fajin tonë! ...
Ia preva: - Kjo tashti nuk ka asnjë rëndësi! Përgjersa ju kam falur, nuk do të kthehem më aty dhe ti nuk ke asnjë nevojë që të vazhdosh të përmendësh një faj të falur. Tashti më thuaj hapur: ke ndonjë kërkesë?
Ai sikur e humbi. Pas pak tha:
- Të kam prurë dy kuaj, për ty dhe për vëllain tënd ... Të lutem shumë që t’i pranosh nga ana ime!...
I thashë: - Qoftë e bërë! Tani më thuaj çfarë nevoje ke?
Ma priti ai: Për hir të Zotit që është një, ki mëshirë për familjen tonë!
Mbeta ngushtë dhe i fola kështu:
- Unë ta thashë njëherë: ne nuk jemi të zemëruar me familjen tënde!
- E kam fjalën për familjen e të ndjerit zot Spiros! – tha ai si me frikë.
Iu përgjigja: edhe familja e Spiros nuk do të preket!
Ai psherëtiu dhe tha:
- Zoti ju bekoftë! ... Dhe unë ...
Ai deshi të shtonte diçka, por duket nuk guxoi dhe heshti. I fola:
- Mos ki frikë! Për çfarë është fjala?
Ai filloi, por si me frikë:
- E kam fjalën për vajzën, për Ngjelinën...
E pyeta: - Çfarë kërkese ke ti lidhur me vajzën?
U përgjigj ai: Po qe se më jep leje ... Spirua kishte qëllime të liga ...
Ia preva: - Le t’i lëmë të vdekurit të pushojnë në paqe! Ti çfarë kërkon lidhur me vajzën?
- Tha
ai: - Me lejen e zotërisë suaj, ju lutemi shumë që të na ktheni vajzën ... Të kthehet çupa jonë në shtëpinë tonë ...
Ia preva fjalën në mënyrë të thatë:
- Për vajzën të mos thuhet qoftë edhe një fjalë më shumë! Vajza është jona, është kunata ime, është e fejuara e vëllait tim më të vogël. Ti i di mirë një gjë të tillë! Ne jemi njerëz të ndershëm dhe i dimë rregullat e nderit të familjes dhe të mbretërisë. Fejesa u bë në mënyrë të ndershme dhe nuk mund të krijojë ndonjë shkak për pakënaqësi. Kështu mendojmë ne!
Kisha shpresë të madhe që vajza të shërohej dhe ndërrova plotësisht mendim për ato që kisha bërë. Komandimi kishte qenë fund e krye i saktë, i kishim dhënë Kastriotit një mësim të mirë si dhe herët e tjera dhe, pas gjithë asaj që kishte ndodhur, ne ishim përsëri në gjendje që të ndërmerrnim një patrullim të ri përmes Fushës së Myzeqesë.
Sanxhak beu më bëri një përshtypje shumë të madhe. Ai ishte një burrë i vjetër dhe fisnik, një njeri i mrekullueshëm, por më shumë i mençëm dhe i lindur për të qeverisur se sa për të komanduar. Unë fillova ta admiroj dhe ta dua shumë që në vështrimin tim të parë. Im vëlla u prek thellë dhe nga mallëngjimi iu përlotën sytë ... se ne për herë të parë në jetën tonë kishim rastin të ishim ushtarë të një ushtrie të rregullt turke. Aty ne pamë flamujt e kuq me hënë dhe me yll të bardhë, pamë grupet e daullexhinjve, të culexhinjve dhe borizanëve. Ne tashti nuk kishim veçse të zhvishnim shpatat tona turke! Ne ishim vetëm rreth dhjetë mijë veta por, me siguri, nuk kishte forcë në botë që t’i qëndronte goditjes së kombit tonë të ri.
Dhe çfarë gëzimi na pushtoi kur mua dhe tim vëlla na urdhëruan që të çanim përpara për të zbuluar pozicionet e armikut dhe për të marrë lidhje me forcat shqiptare që mbronin grykat dhe qafat mbi Berat. Ne me kalorësit tanë marshuam me shumë nxitim dhe po atë ditë hymë në bisedime të fshehta me rojat e armikut dhe arritëm një marrëveshje që ata të kalonin në anën tonë porsa që ne t’i lajmëronim për një gjë të tillë. Për shërbimin që do të na bënin ne do t’i shpërblenim bujarisht.
Ishte e qartë, ata shqiptarë u kënaqën shumë për shpërblimin dhe nga që kaluan në anën tonë. Ata na dhanë njoftime të sakta për pozicionet e armikut. Shqiptarët dhe Napoletanët i kishin vendosur kampet në disa pika: në verilindje të Kështjellës, në fushë ishin forcat kryesore të armikut të komanduara nga i kunati i Kastriotit, Muzak Topia. Forcat e tjera ishin vendosur në këto pika: në lindje të Kështjellës ishin disa forca të Tanush Topisë me detyrën që t’i bënin trysni garnizonit të Kështjellës dhe të kontrollonin kalimet, grykat dhe qafat në drejtim të Jugut; në jugperëndim ishte një tjetër Muzakë i quajtur i Angjelinës, që kishte të njëjtën detyrë që kishte edhe Tanush Topia. Kastrioti vetë qëndronte më në Veri me forcat kryesore që të ishte më i lirë për të ndërmarrë sulme kundër aleatëve tanë nëpër Fushën e Myzeqesë. Nga përvoja ime personale e dija ç’ishin ato sulme të papritura.
Ky ishte rreshtimi i armikut dhe ky rreshtim bëhej shumë më i rrezikshëm për ne se në pikën kryesore, përballë portës së Kështjellës, ishin vendosur forcat e zgjedhura: dy mijë Napoletanë, forca këmbësorie me armë zjarri dhe forca artilerie. Po aty ishin edhe dy mijë shqiptarë të zgjedhur. Këto forca ishin vendosur tek ullinjtë dhe komandoheshin nga Tanush Topia dhe napoletani Palerino.
Shumë i kënaqur për njoftimet që kisha marrë, ua dhashë ditën tjetër shenjën që do t’u bëja kur duhej të kalonin në anën tonë dhe pastaj u fsheha përsëri në pyll. Menjëherë ia nisa Sanxhak beut të gjitha ato që kisha mësuar. Pastaj ne qëndruam të fshehur gjersa erdhi ushtria jonë.
Që nga vendi ku ishim fshehur, porsa ra nata, pamë zjarret e panumërta të armiqve tanë. Tashti ne ishim të sigurtë se ato zjarre, që po ndizeshin për disa ditë me radhë, natën tjetër nuk do të ndizeshin më. Ne ishim të sigurtë se duhej vetëm të prisnim që të zbardhte dita e re dhe çështja e Napoletanëve do të arkivohej njëherë e përgjithmonë...
Përfundim
U mor vesh: Kasëm Trebeshina nuk është heroi, as disidenti i atyre që pretendojnë të jetë i tillë.
Si fati i të gjithë atyre që vijnë nga paliria, nga mungesa e lirisë, rasti i Kasëm Trebeshinës dhe i rrethanave në të cilat ai jetoi, duhen gjykuar gjysmë për gjysmë, duhen parë dhe në ndërthurjen e rrethanave të jashtme me cilësitë e brendshme të karakterit të tij. Po t’i marrim veçmas këto gjysma, në gjysmën e parë faji të ngjan se bie i gjithi përmbi rrethanat. Ai asnjëherë nuk ka qenë i lirë. Në fillim ka ndihmuar për vendosjen e situatës së dhunës. I përjashtuar nga puna në Sigurim, më pas ai nuk e gjente dot veten asgjëkundi. Dhuna si një bumerang iu kthye e i ra mbi kokë. Në ato kushte, atij më shumë se sa të dojë, i ka volitur të urrejë, në vend që të mendojë bardhë, ka menduar zi. Nuk ka arritur të pohojë asgjë. Urrejtja e ka mbajtur më këmbë njeriun dhe shkrimtarin. Po ka qenë një urrejtje që mbetej përherë e papërmbushur, e pangushëlluar kurrë. Një urrejtje si në ato rastet kur do të hakmerrersh dhe e kupton se dëmi që ke pësuar, është aq i gjëmshëm sa asnjë hakmarrje nuk ta ngop e nuk ta ngroh më zemrën. Një njeri, rob i kushteve të tilla, me kohë rrit në zemrën e tij një përbindësh që prodhon helm. Helmi sa vjen e rritet. Bëhet më i fortë se njeriu. Rritet deri në atë masë, sa mund të hedhë në erë njeriun dhe botën rreth tij.
Kjo situatë prodhoi atë letërsi të urrejtjes dhe të neverisë për vendin dhe për njeriun.
Kështu paliria e ka tjetërsuar njeriun aq sa ai nuk e njeh më veten.
Kjo është gjysma e parë e tij, e diktuara nga rrethanat.
Gjysmën tjetër e ka të gjithën mbi shpatullat e veta. Rrethanat ishin të vështira, po edhe ai qe një rast i vështirë. Në këtë kuptim, askush nuk i ka borxhe sot Trebeshinës.
Si shkrimtar ai nuk prodhoi dot letërsi të madhe.
Si personalitet që nga fillimet ka prodhuar dhunë dhe dhunë të skajshme, kur duhej dhe duhet paqëtim. Paqëtim brenda njeriut dhe midis njeriut e shoqërisë.
Në paskomunizëm, me falsifikimin dhe idealizimin e vlerave të rrejshme, ai prapë mbeti dukuri e komunizmit. U vu në funksion të shkatërimit moral.
Secilit i duhet ta paguajë nderin e vet të shkrimtarit dhe të njeriut, jo të dredhojë nga moraliteti. Si mjeshtër dhe ushtrues i dhunës në vitet ’40-’50, ai duhet, së paku, të pendohet për fajet e veta. Në vitet e mëpasme, për t’u ruajtur, ai është përshtatur me kohën e komunizmit. Mospranimi i fakteve, për më tepër, sajimi i të paqenave, e ndotin sot letërsinë e tij me urrejtje. Ndotin dhe mjedisin kulturor me agresivitet. Secili duhet të përballet ndershmërisht me kohën dhe me veten.
Dhe është thënë: askush nuk ka aq para, sa ta blejë të kaluarën e vet.