E marte, 30.04.2024, 06:12 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Pashalimani: Si u ngrit baza detare më e madhe në Mesdhe

E shtune, 02.08.2008, 10:05 PM


Nëndetëset shqiptare, shkëlqimi dhe fundi i lavdisë së tyre

Flet për “Panorama”-n Skënder Spahivogli, ish-kryeinxhinieri i Brigadës së Nëndetëseve


Afrim Imaj

Ishte një kohë kur Pashalimani u bë baza më e madhe e Mesdheut. Shtatmadhorët e Traktatit të Varshavës besonin te nëndetëset e saj sovranitetin detar të të gjithë Evropës.

Për mjaft nga strategët e Lindjes, baza e Vlorës u bë një shtëpi e dytë. Po kjo vetëm për disa vjet. Do vinte një ditë që shkëlqimi i saj do fillonte të venitej. Momentet e lavdisë do t’i mbeteshin të kaluarës. Do të mbijetonin vetëm protagonistët, njerëzit që bënë të famshëm Pashalimanin. Do t’u takonte atyre për t’ia destinuar këtë të vërtetë historisë, me tërë dinamikën, dritëhijet, të papriturat, lavdinë dhe shkëlqimin e spikatur që përjetoi gjigandi i nëndetëseve në gjirin e Vlorës. Skënder Spahivogli, njeriu që ka bërë detyrën e kryeinxhinierit të nëndetëseve qysh nga dita e parë e mbërritjes së tyre, punon së fundi për të sistemuar biografinë e bazës së Pashalimanit, me të gjitha ngjarjet e rëndësishme dhe kontributet e jashtëzakonshme të detarëve shqiptarë, që i dhanë emër dhe e bënë të njohur në të gjitha hartat ushtarake të Lindjes e Perëndimit. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ushtaraku i lartë i Flotës Luftarake, zbardh për herë të parë konfigurimin e plotë të bazës së nëndetëseve me tërë inventarin e arsenaleve ushtarake dhe momentet më të rëndësishme, që u përjetuan nga shokët dhe bashkëmisionarët gjatë ditë-netëve të vigjiljes në hapësirat detare nga Otranto në Gjibraltar, nga Sazani në Toradoro etj. Në rrëfimin e tij zë një vend të veçantë drama e divorcit me ushtarakët sovjetikë gjatë kohës së konfliktit politik me ish-BRSS, po edhe shumë mbresa të tjera, që hedhin dritë mbi ngjarje e ndodhi të shumta, të arkivuara për kohën në dosjen “Top Sekret”. Ndërkaq, përtej armiqësisë së viteve ‘60 me kolegët sovjetikë, Skënder Spahivogli sjell edhe një tjetër profil interesant nga takimet e nënujësve tanë pas katër dekadash me ish-kolegët e Traktatit të Varshavës. Mjaft fotografi e dokumente të tjera nga “bashkëjetesa paqësore” e dekadave të kaluara nga Pashalimani i famshëm, që në Shqipëri i kishte përpirë paniku i luftës së klasave, shokët e tij i gjetën në Moskë, tek ish-kolegët dhe i sollën për t’ia bashkëngjitur historikut të bazës, duke i shtuar asaj dimensionin e censuruar të epokës së komunizmit...

Pashaliman 1957,
Baza e parë e nëndetëseve në Ballkan

Zoti Skënder! Ju jeni një nga oficerët e parë të nëndetëseve që u vendosën në bazën e Pashalimanit. Si mbërritën ato nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe kur starton funksionimi i kësaj baze?
Aty nga fundi i nëntorit të vitit 1957 u zhvillua në qytetin e Durrësit ceremonia e përurimit të Brigadës së parë të Nëndetëseve. Në këtë ceremoni morën pjesë mjaft të rinj që kishin marrë urdhrin e mobilizimit ushtarak, marinarë e oficerë të flotës, ushtarakë të tjerë dhe bënë rreshtimin sipas një liste në të cilën pozicionohej detyra e tyre luftarake, tashmë në një njësi të re të Ushtrisë Shqiptare. Pas fjalës së rastit të gjeneralit, Nexhip Vilçani, në atë kohë komandant i Mbrojtjes Bregdetare, admirali Abdi Mati, komandant i Flotës Luftarako-Detare, lexoi urdhrin e ministrit të Mbrojtjes për krijimin e Brigadës së Nëndetëseve dhe listën me emrat e kuadrove komanduese të Shtabit të Njësisë së bashku me ekuipazhet e nëndetëseve, që priteshin të vinin shumë shpejt nga ish-Bashkimi Sovjetik. Komandant i Brigadës së Nëndetëseve u emërua Xhemal Shani, një nga oficerët e Flotës Detare i specializuar jashtë shtetit, i cili deri në atë kohë kryente detyrën e komandantit të flotiljes së Durrësit. Mihallaq File, një tjetër detar ky me përvojë, u caktua zëvendëskomandant për anën politike. Ndërkohë, sipas po këtij urdhri, mua m’u komunikua detyra e shefit elektro-mekanik të njësisë, funksion ky që më vonë u identifikua me detyrën e kryeinxhinierit. Në emërimin e ekuipazheve të nëndetëseve u komunikuan aty edhe emrat e katër komandantëve të tyre, Dashamir Ohri, Muharrem Lulolli, Spiro Kote e Shyqyri Çukaj. Vasil Palodhi u caktua shef i navigimit (drejtimit), ndërkohë që me detyrën e shefit të minësilurës u caktua Skënder Sulku. Naim Seseri qysh ditën e parë kreu detyrën e shefit të ndërlidhjes. Në ditën e inaugurimit të saj brigada kishte shumë mungesa në njerëz e specialistë, por me kalimin e kohës strukturat e saj do të kompletoheshin sipas parametrave të kohës. Qysh nga ajo ditë, ne, efektivi i porsaemëruar, do të merreshim me masa organizative për ta filluar mbarë ngritjen e brigadës. E gjithë historia e brigadës së nëndetëseve përshkruhet me realizëm dhe me tërësinë e ngjarjeve në një libër të zgjeruar që ka botuar së fundi një shoku ynë, Petrit Myftiu, i cili ka qenë ndërkaq një nga nënujësit e parë dhe më vonë kreu detyra të rëndësishme në Flotën Luftarake...
Pra, u shpall krijimi i Brigadës së Nëndetëseve, kur ende nuk i kishim ato, madje edhe njerëzit që u caktuan në funksionet organike të tyre, as që kishin parë ndonjëherë nëndetëse nga afër...
Krijimi i shtabit dhe emërimi i efektivave që do të kompletonin Brigadën e Nëndetëseve filluan nga puna ende pa ardhur teknika. Puna e deshi të merreshim më parë me krijimin e infrastrukturës dhe kompletimin e listëorganikës, mbi bazën e së cilës do të funksiononte kjo bazë e rëndësishme e ushtrisë sonë. Vetëm një muaj nga ceremonia e celebrimit të brigadës, u nisëm për t’u kualifikuar jashtë shtetit të gjithë specialistët dhe kuadrot që do të shërbenin në nëndetëset që do të vinin shumë shpejt në Pashaliman. Ekuipazhet e nëndetëseve u imbarkuan në anijet pasagjere “Krim” dhe “Bjelloostrov” dhe u nisën nga Durrësi në Odese me dy rejse. Prej andej, lundrimin për në Shkollën e Nëndetëseve në Sevastopolit e bëmë me një anije luftarake. Kështu, për pesë muaj me radhë në Shkollën e Specialiteteve të Nënujëseve në qytetin e Sevastopolit të Krimesë, në Detin e Zi, bëmë trajnim sipas funksioneve që do të kishim në brigadën e nëndetëseve. Bashkë me grupin e nënujësve, kishin mbërritur aty edhe ekuipazhet e gjuajtësve detarë, të cilët, pas këtij trajnimi për lundrime mbiujëse, iu bashkëngjitën efektivit të dragaminave të vogla që ndodheshin në Durrës dhe krijuan në atë kohë Brigadën e Mbrojtjes së Ujërave Territoriale, me qendër në ishullin e Sazanit.
Brigada e nëndetëseve dhe ajo e mbrojtjes së ujrave territoriale, veprimtarinë e tyre e nisën në vitin 1958, kohë në të cilën komandant i flotës ishte kundëradmirali, Teme Sejko dhe shef shtabi, Mark Plani, një kuadër i lartë ky, bashkëkohës i Xhemal Shanit dhe Azis Hasës, të përgatitur në akademitë detare më në zë të kohës që nga viti 1945 e deri në vitin 1953, në Baku të Azerbajxhanit dhe në Leningrad (sot Shën Peterburg) të Bashkimit Sovjetik.
Periudha e trajnimit na shërbeu edhe si një kohë miqësie me kolegët rus. Në mjaft veprimtari të përbashkëta shoqëria jonë zgjerohej me ta. Mbaj mend nga kjo kohë dy ndeshje futbolli, midis ekipit të nënujësve shqiptarë dhe atyre sovjetikë, që u zhvilluan në stadiumin e qytetit. Të dyja i fitoi ekipi ynë, madje fituam edhe ndeshjen me ekipin e qytetit.
Sidoqoftë, ditët e trajnimit kaluan shpejt dhe aty nga qershori i vitit 1958 u kthyem në atdhe. Nga Stevantopuli në Odesë lundruam me destrojerin e bazës, pastaj me vapor deri në Durrës.
Ju ishit pjesë e këtij grupi që u kualifikuat për të operuar me nëndetëse. Pas kthimit nga ish-Bashkimi Sovjetik, me se u angazhuat në Pashaliman?
U kthyem nga Bashkimi Sovjetik dhe u sistemuam menjëherë në Pashaliman. Qysh ditët e para u kujdesëm për të sistemuar literaturën teknike dhe instruksionet përkatëse, të cilat i kishim përkthyer gjatë studimeve në Rusi dhe krijuam me to bibliotekën e nëndetëseve. Një punë të lavdërueshme bënë për këtë oficerët, Petrit Myftiu, Naim Seseri e Skënder Sulku, të cilët në një periudhë të shkurtër përkthyen dhe përshtatën në shqip literaturën për sektorët e lundrimit, të minësilurës, të radiondërlidhjes nënujëse dhe të elektromekanikës, si dhe një sërë instruksionesh e manualesh teknike, të cilat ishin shumë të domosdoshme.
Gjatë asaj periudhe, ne të porsambërriturit në Pashaliman, fillimisht u sistemuam në çadra në qytetin e Orikumit. Na qëlloi pastaj të merreshim me sistemimin e kazermave pranë shkollës së specialiteteve, të sapopërfunduar nga një ndërmarrje ndërtimi e ushtrisë që drejtohej nga Tomorr Take dhe Rexhep Hoxha. Me punën e kësaj brigade do të përfundonte ndërkaq edhe ndërtimi i objekteve ushtarake dhe banesave për oficerët dhe ushtarakët e tjerë të bazës. Me efektivin e njësisë, gjatë asaj periudhe do të punonim me aksion për të sjellë në bazë ujin e pijshëm. Për ditë me radhë punuam me orar të zgjatur për të hapur trasenë nga vendburimi i lumit të Izvorit në Tragjas deri në Pashaliman dhe montuam tubat përgjatë gjithë kanalit me gjatësi rreth 12 kilometra. Nga baza e çuam pastaj ujin e pijshëm deri tek bankinat, ku do të bregëzoheshin më vonë nëndetëset, që priteshin të vinin nga Bashkimi Sovjetik. Ishte kjo një punë që u vlerësua nga komanda eprore, madje edhe nga Ministria e Mbrojtjes.
Nëndetëset shqiptare, krenaria e Traktatit të Varshavës në Mesdhe
Si mbërritën nëndetëset e para nga Bashkimi Sovjetik në Pashaliman?
Këtu mendoj se ka nevojë për një parantezë. Duhet të shpjegoj faktin se si u përcaktua Pashalimani vend bazë i nëndetëseve. Më konkretisht: në mes të tetorit të vitit 1957, e vizitoi vendin tonë ministri i Mbrojtjes së ish-Bashkimit Sovjetik, mareshal Zhukovi. Pata rastin bashkë me kolegët e mi, Muharrem Lulollin dhe Zeqo Feçanin ta shoqëronin atë në lundrimin nga Ujët e Ftohtë deri në Sarandë, përgjatë gjithë vijës bregdetare me katërsiluruesin e Sazanit. Pikërisht kur u afruam në zonën e Pashalimanit ai i kërkoi shoqëruesit të vet t’i binte hartën e detit Mesdhe dhe aty për aty me një laps të trashë kuq e blu shënoi dy shigjeta të kuqe, njëra me drejtim për nga kanali i Suezit dhe tjetra me kahje nga ngushtica e Gjibraltarit, me nisje nga Pashalimani. Më vonë morëm vesh si ai skicim kishte qenë piketa e parë për bazën e famshme, që do të bëhej më vonë...
Tani, si erdhën nëndetëset në Shqipëri? Aty nga fillimi i tetorit të vitit 1958, ne grupi i nënujësve, që do të merrnim pjesë në transportimin e nëndetësve nga Rusia në Shqipëri, udhëtuam me avion për në Moskë. Bëheshim gjithsej 12 veta dhe kishim për drejtues komandantin e Brigadës së Nëndetëseve, Xhemal Shani. Në fillim mbërritëm në Kaliningrad dhe prej andej udhëtuam për në Bazën detare të Baltiskut, 40 kilometra më tej.
Ishin plot katër nëndetëse së bashku me bazën e tyre lundruese “Nemçinov”, e cila më vonë mori emrin “Tomorri”. Lundrimi u bë në një kolonë. Në krye printe baza lundruese, në bordin e së cilës ishte vendosur komanda dhe shtabi i brigadës sovjetike të nëndetëseve. Të katër nëndetëset lundronin pas saj mbi ujë me një shpejtësi 10 nyje. Lundrimi vijoi kështu nëpër ngushticën e Kategarat-Skategatit të Danimarkës, duke vazhduar për në Detin e Veriut, ku filloi edhe ndjekja nga afër që na bënin avionët e NATO-s. Fluturimet e tyre që na u qepën si mushkonja, kalonin deri afër urës së komandimit. Edhe më i vështirë lundrimi nëpër Lamash, në gjirin e Biskajës, deri në mbërritje. Ky udhëtim zgjati 18 ditë. Të nesërmen e mbërritjes u bë edhe ceremonia e mikpritjes së mysafirëve të ardhur nga larg që kishin sjellë këtë “dhuratë” mjaft të çmuar për flotën dhe ushtrinë tonë. Qysh nga kjo ditë, Forcat tona të Armatosura do të kishin në korpusin e armëve të tyre luftarake edhe gjigandin e deteve, nëndetëset...
Mbërritën kështu katër nëndetëset e para në bazën e Vlorës. Si u procedua më tej me pozicionimin e tyre në misionin luftarak?
Fillimisht, ato u kaluan në pronësi të shtetit tonë sipas modaliteteve përkatëse, për të cilët kishin punuar juristët nën konsulencën e zotit Abdi Mati, që ishte një nga komanduesit më me përvojë në flotë. Ceremonia u bë menjëherë me mbërritjen e nëndetëseve në Pashaliman. Në mëngjesin e datës 21 tetor 1958, në prani të komandantit të Flotës Luftarake Detare, Teme Sejko, u ngrit me ceremoni flamuri i flotës sonë, i bardhë me shqiponjën në mes, me një rrip të kuq poshtë, pasi ishte ulur flamuri sovjetik që kishin në direk dhe në bash nëndetëset. Në këtë ceremoni ndodhej edhe ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, i shoqëruar me drejtues të tjerë të shtetit dhe me diplomatë të ambasadës ruse në Tiranë etj. Me ngritjen e flamujve përligjej kalimi “de jure” i pronësisë mbi anijet luftarake nga shteti sovjetik në pronësi të shtetit shqiptar, sipas marrëveshjes në kuadrin e Traktatit të Varshavës.
Pra, në Pashaliman filloi nga dinamika luftarake njësia e nëndetëseve me katër të tilla. Po nëndetëset e tjera kur erdhën?
Aty nga fillimi i vitit 1960, bazës së Pashalimanit, respektivisht Brigadës së Nëndetëseve të vendosur aty, iu shtuan edhe tetë nëndetëse të tjera, po të projektit C 613 së bashku me bazën lundruese “Katjelnikov”. Kësisoj, brigada e nëndetëseve u kompletua me 12 anije të tilla të tonazhit të mesëm dhe dy baza lundruese. Ajo e kishte vartësinë nga Komanda e Flotës Detare të Detit të Zi, e cila asokohe komandohej nga admirali Kasatanov, i cili më vonë u emërua në detyrën e kryekomandantit të Flotës së ish-Bashkimit Sovjetik…

Jetëshkrimi
Kush është Skënder Spahivogli


Skënder Spahivogli ka lindur në qytetin e Elbasanit në vitin 1930 dhe ka përfunduar shkollën fillore e tetëvjeçare në Shkodër e Tiranë. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ka marrë pjesë në grupin partizan të Pezës, bashkë me nënën Dyrien dhe vëllanë e vogël, Kujtimin. Pas çlirimit të vendit, në vitin 1945, ka filluar studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Në vijim ka shkuar me studime në Institutin e Inxhinierisë Navale në Leningrad të ish-Bashkimit Sovjetik, ku edhe është diplomuar me titullin e inxhinierit. Pas kthimit nga studimet filloi punë në bazën e Sazanit me detyrën e kryeinxhinierit të skuadriljes së katërsiluruesve luftarakë, detyrë, të cilën e kreu deri në vitin 1957. Pikërisht në këtë periudhë shkoi përsëri për kualifikim në ish-Bashkimin Sovjetik, këtë radhë për nëndetëset dhe pas tyre u kthye me detyrën e kryeinxhinierit në bazën e nëndetëseve në Pashaliman. Nga viti 1967 deri në vitin 1973 do të punonte në Komandën e Flotës Detare. Në vitin 1973, për motive politike do të largohej nga ushtria dhe do të punonte deri në ditën e pensionit në një uzinë në Tiranë, me detyrën e inxhinierit të thjeshtë.

Hrushovi: Me nëndetëset tona në Shqipëri do të kontrollojmë Mesdheun

Nëndetëset tona në Bazën Shqiptare të Vlorës, tani, kur në Mesdhe kanë dalje shumë nga vendet e NATO-s, janë shumë të domosdoshme, madje me bazën e tyre atje duhet të kemi nën kontroll tërë rajonin detar ku demonstron Pakti i Atlantikut Verior. Kështu argumentonte Nikida Hrushovi përpara Sovjetit Suprem të ish-BRSS vjeshtën e vitit 1956 investimet serioze, që do të bënte atëherë lidershipi i Traktatit të Varshavës në territorin shqiptar. Dhe shifra marramendëse do të kalonte pa ndonjë vështirësi nga vendimmarrësit e ish-superfuqisë komuniste, ndërkohë që shumë shpejt do të fillonte implementimi i projektit sovjetik për një bazë të madhe nëndetësesh në Pashaliman. Nuk është e rastit, që në librin me kujtime ish-kreu i Bashkimit Sovjetik shpalos pasazhe të tëra nga preokupacionet e udhëheqjes ruse për ngritjen dhe konsolidimin e saj.
“Ishte Bashkimi Sovjetik ai që mori përsipër mbajtjen e ushtrisë shqiptare me uniforma, ushqime, armatim dhe municione gratis”, nënvizon Hrushovi. Një arsye për këtë padyshim ishte ekzistenca e Paktit Ushtarak të Perëndimit dhe synimet e tij në Mesdhe, ku Shqipëria dominonte një pozicion të lakmueshëm strategjik. “Prandaj, - shkruan Hrushovi, - u morëm vesh në atë kohë me shqiptarët për të ngritur tek ata një bazë të madhe detare dhe miratuam vendosjen e 12 nëndetëseve atje. Ishte ky një përqendrim ushtarak shumë i madh në detin Mesdhe. Marinarët tanë arritën në Shqipëri bashkë me të gjitha pajisjet zhytëse dhe riparuese për t’i trajnuar ushtarakët vendas dhe sapo të krijohej njësia shqiptare e nëndetëseve, do tua dorëzonim atyre këto mjete”. Këtë filozofi të ish-lidershipit të Paktit Ushtarak të Varshavës, kreu i BRSS do ta shpaloste edhe një herë gjatë inspektimit që do t’i bënte në vend kësaj baze të ngritur rishtaz në Pashaliman. Në ato ditë vjeshte të vitit 1959, kur Hrushovi do të vizitonte detarët shqiptarë e rusë në bazën e Vlorës, i shoqëruar nga Enver Hoxha dhe krerët më të lartë të shtetit komunist shqiptar, do ta çonte më tej vizionin e vet strategjik për të shtuar dimensionet luftarake të kësaj baze, që, sipas tij, ishte më e madhja e bllokut komunist në Mesdhe. Në konsultimet me ushtarakët madhorë, po edhe me kolegët shqiptarë, nga Pashalimani Hrushovi do të hidhte idenë për ndërtimin e një aeroporti ushtarak përbri bazës detare, por edhe zgjerimin e bazës ekzistuese, madje, siç kujtojnë dëshmitarët e atij takimi, Hrushovi foli edhe për mbërritjen sa më të shpejtë aty të nëndetëseve bërthamore nga Rusia. Gjithsesi, kohët rrodhën ndryshe dhe pas divorcit historik. Të gjitha projektet dhe idetë për Pashalimanin e famshëm mbetën në letër.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora