E marte, 30.04.2024, 06:46 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Banda e Xhevdet Mustafës mori në qafë Kadri Hazbiun.

E hene, 04.08.2008, 07:22 PM


AFRIM IMAJ/ RAJMONDA MOISIU

I gjithë skenari mbi të cilin ishte ngritur, synonte asgjësimin misterioz të tij”
Përkundër opinionit zyrtar në Shqipëri rreth bandës së bujshme, që zbarkoi në vendin tonë, në vjeshtën e vitit ‘82, për herë të parë zbulohet një profil tjetër i misionit dhe qëllimeve të saj. Në vijim të rrëfimit të tij, një nga miqtë e Xhevdet Mustafës i cili hezitoi t’i bashkëngjitej aventurës për të desantuar në Shqipëri, tregon rrethanat e vërteta në të cilat u ideua një mision i tillë. Ai shpërfill interpretimin që i është bërë në atë kohë e në vijim motiveve mbi bazën e të cilave u ngrit kjo bandë terroriste, që do të mësynte në vendin tonë. Në gjykimin e tij, bandën e Xhevdet Mustafës e ngriti dhe e thirri Sigurimi i Shtetit për nevojat e veta djallëzore. Sa për atentatin ndaj Enver Hoxhës, kjo për të nuk ka qenë gjë tjetër, por vetëm një alibi e Policisë Sekrete. Ish-miku i Xhevdet Mustafës hedh poshtë çdo deponim sipas të cilit, banda ishte një nismë e Kadri Hazbiut për të realizuar një grusht shteti pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Më shumë se kaq, për të misioni i bandës kishte për qëllim djegien, zhdukjen e Kadri Hazbiut nëpërmjet krijimit të situatave të papritura, që do të përvijoheshin pas mësymjes së Xhevdet Mustafës dhe shokëve të tij në vjeshtën e vitit ‘82 në territorin shqiptar. Më herët, miku i kreut të bandës që vazhdon të jetojë në SHBA ka rrëfyer për portretin e vërtetë të Xhevdet Mustafës, si njeri i trafiqeve të kundërligjshme dhe mjeshtër i sigurimit së të ardhurave në rrugë kriminale. Kur shumëkush e lidh protagonizmin e tij në këtë bandë me suporte politike të caktuara, miku i Xhevdetit thotë se parimi i tij ishte vetëm përfitimi i të hollave, për të cilat Xhevdet Mustafa ishte i papërmbajtshëm dhe nuk kishte kurrfarë principesh. Ndërkaq, miku i kapos që zbarkoi me bandën e tij në vitin ‘82 në Shqipëri pohon se Halit Bajrami i mbijetuari i vetëm i kësaj bande ka qenë misionari i Sigurimit të Shtetit dhe pasi ka bërë aksionin, është riatdhesuar nën sigurinë e Policisë Sekrete shqiptare në Zelandën e Re atje ku ka jetuar prej vitesh...
Nga gjithë banda e Xhevdet Mustafës mundi të mbijtojë Halit Bajrami. E keni njohur ju atë?
Halit Bajramin nuk e kam njohur. Emrin e tij e kam dëgjuar pas asaj që ndodhi gjatë zbarkimit të bandës së Xhevdet Mustafës në Shqipëri. Fillimisht, më ka çuditur dëshmia e tij, po më vonë, atëherë kur Sigurimi i Shtetit e mori në mbrojtje dhe e riktheu sërish në Zelandën e Re aty ku kishte qenë rezidenca e tij, kuptova diçka me misionin e tij në atë bandë...
Dhe ndani të njëjtin mendim me të...
Është krejt e kundërta e atyre që ka dëshmuar Halit Bajrami.
Halit Bajrami thotë se gjithçka ishte një operacion i ideuar dhe i organizuar nga UDB-ja...
Asnjëherë nuk ka qenë kjo. UDB-ja vërtetë ka qenë e interesuar prej vitesh për destabilizim të Shqipërisë, sidomos në periudhën e ngjarjeve të Kosovës të vitit ‘81, por me bandën e Xhevdet Mustafës nuk ka lidhje fare.
Gjatë hetimeve Halit Bajrami dëshmon për udhëzimet dhe porositë që ka marrë nga Peter Paviçi, zbuluesi i Beogradit në Romë...
Nuk e di historinë e këtij njeriu, po druaj se mund të jetë ndonjë alibi e ngritur nga mjeshtrit e Sigurimit...
Pra, këmbëngulni se nuk është UDB-ja regjisorja e kësaj bande...
Jo se them unë, por kështu është e vërteta. Xhevdeti nuk kishte lidhje me UDB-në. Ndoshta, ndonjëri nga ata që e ndoqën në aventurën e tij, mund të ketë pasur lidhje me zbulimin jugosllav, po në rastin e këtij operacioni nuk ka gisht UDB-ja...
Sipas jush Xhevdet Mustafa u nis për të vrarë Enver Hoxhën i shtyrë nga lekët e shumta që ju premtuan. Dini gjë kush do ta paguante këtë faturë?
Unë di të them se Xhevdeti këtë do ta bënte për lekë, ashtu si vepronte edhe herë të tjera, ku rrezikonte shumë për të përfituar shumë. Fitimin e kishte bërë qëllim në vetvete...
Po kush do ta paguante në këtë rast?
Ata që e porositën, miqtë e tij, ata që ishin të interesuar për ta hedhur në Shqipëri. Më saktë ata që e donin patjetër një bujë të jashtëzakonshme në Tiranë në atë periudhë.
A keni parasysh këtu njerëzit e legalitetit në SHBA, mik i të cilëve ai ishte...
Nuk besoj se Xhevdeti do të ndërmerrte një aventurë të tillë me porosinë e miqve të tij të legalitetit. Mbi të gjitha ai e dinte xhepin e tyre. Jo, jo, nuk ka lidhje kjo aventurë me Legalistët e Amerikës...
Është folur që Xhevdet Mustafa është takuar me Leka Zogun para këtij operacioni diversionist në Shqipëri...
Është e vërtetë që Xhevdet Mustafa është takuar me Leka Zogun. Është takuar këtu në Amerikë, mesa di unë. Më ka thënë për këtë vetë Xhevdeti. Po nuk ka lidhje fare operacioni i tij në Shqipëri me Leka Zogun. Jo, jo, nuk ka lidhje...
Atëherë kush ishte pas Xhevdet Mustafës, kush ishte i interesuar për aventurën e tij në Shqipëri?
Më vjen çudi që edhe pas kaq vitesh nuk thuhet e vërteta për atë që e futi Xhevdetin dhe miqtë e tij në këtë aventurë. Pra, për ata regjisorë që u duhej kjo situatë e turbullt në Shqipëri në atë kohë dramatike, kur sa kishte vrarë veten Mehmet Shehu.
Gjithsesi, ka një emër ai që e ftoi Xhevdetin në këtë aventurë...
Padyshim që ka një emër ai që e thirri Xhevdet Mustafën në këtë sipërmarrje të rrezikshme. Ka një emër dhe quhet Sigurimi i Shtetit. Atij i duhej alibia e bandës misterioze për të gjetur e shfarosur armiq të tjerë pas kryqëzimit të Mehmet Shehut.
Ju thoni pra, që ishte një kurth i Sigurimit të Shtetit...
Jo kurth, po një operacion i organizuar në mënyrën më të mistershme për ato qëllime që i duheshin...
Gjatë procesit gjyqësor Halit Bajrami ka dëshmuar se kjo bandë u thirr në ndihmë të Kadri Hazbiut...
Ka qenë krejt e kundërta. Misioni kryesor i bandës ishte pikërisht penalizmi i Kadri Hazbiut. Gjithçka e thënë nga Halit Bajrami për mesazhin që ajo do t’i çonte Kadri Hazbiut është një alibi misterioze. Me siguri që Kadri Hazbiu mund ta ketë kuptuar shumë vonë fillin e këtij lëmshi. Sidoqoftë, ai nuk mund ta ndryshonte rrjedhën e dramës që ishte strukturuar me shumë mjeshtëri. Banda në vetvete mori në qafë kot Kadri Hazbiun...
Të kthehemi pak te Xhevdeti. Në rrëfimet e tij Halit Bajrami ka dëshmuar se dikur ai është ndëshkuar nga drejtësia amerikane se ka dashur të vrasë presidentin e SHBA-së Roland Regan i paguar nga Kadafi i Libisë...
Ky është një mashtrim shumë i madh. Nuk e di ku e ka gjetur guximin ky zotëri për të hedhur këtë akuzë fantazmë. Nuk dua të merrem fare me këtë. Është e guximshme madje të merreni edhe ju në gazetë me këtë gënjeshtër të Halit Bajramit. Jam i sigurt që sa ta marrë vesh këtë informacion të rremë FBI, mund të nisë procedurat e saj. Nuk ia vlen fare të merresh me të tilla broçkulla, që gjithsesi, mund të sjellin telashe. 
vijon nesër...

“Halit Bajrami ishte misionar i fshehtë i Policisë Sekrete”

I mbijetuari i bandës së Xhevdet Mustafës jeton në Zelandën e Re. Miqtë e kreut të bandës, që zbarkoi në vjeshtën e vitit ‘82 në vendin tonë thonë se aty ka mbërritur me përkujdesjen e veçantë të Sigurimit të Shtetit, menjëherë pas dëshmive të tij në gjyqin e Kadri Hazbiut, ish-ministrit historik të policisë sekrete shqiptare. Madje, ata thonë se kanë edhe prova e dëshmi për këtë. “Halit Bajrami edhe sot jeton me lekët e Sigurimit të Shtetit në rezidencën e tij në kontinentin e largët”, shprehet miku i Xhevdet Mustafës. Ai do të vërë në vëmendje të opinionit mënyrën e fshehtë me të cilën u procedua për njeriun e mistershëm të kësaj bande. Halit Bajrami sipas tij, u kap gjatë asgjësimit të bandës terroriste dhe kur duhej të përgjigjej para ligjeve shqiptare për veprën kriminale, u strehua në hotelin 15-katësh në Tiranë(!) Dëshmoi në gjyqin e fshehtë të Kadri Hazbiut alibinë, që i thanë dhe pasi mori shpërblimin e premtuar, iku nga kishte ardhur. Për miqtë e Xhevdet Mustafës mbetet e çuditshme indiferenca e opinionit shqiptar, rreth misterit qëndrimit të Halit Bajramit në Shqipëri dhe faktit, pse nuk u ndëshkua penalisht si terrorist...
 

Halit Bajrami: Xhevdeti kishte mesazh nga UDB për Hazbiun

Me Peter Paviçin pata rastin të takohesha pak ditë para nisjes për në Shqipëri. Ai bënte detyrën e sekretarit të parë të ambasadës së Beogradit në Romë. Sabaudini kishte lënë takimin me të në restorantin Via-Markoni aty rreth orës 8:00 të mbrëmjes. Ai erdhi aty disa minuta para orës së caktuar. Ishte djalë i gjatë, burrë nja 40 vjeç, i hijshëm i veshur elegant. Puna e parë që bisedoi Peter Paviçi më pyeti mua për familjen teme, për punën teme, për shokët e mi në Zelandën e Re, për udhëtimin e gjatë që kishim bërë me erdh deri këtu. Ju falënderoj shumë, tha dhe bisedoi pak për Kosovën, duke thënë që gjendja aty është jashtëzakonisht alarmante dhe e ndezur. Pastaj shtoi se kishte dy vjet që kishte biseduar gjatë me Sabudinin për të përgatitur një grup të vogël që të hyjë në Shqipëri. Ndërkaq, pohoi se ndehej mirë që në grupin që kishte grumbulluar Sabaudini kishim dhe një njeri të stërvitur mirë. E kishte fjalën për Xhevdet Mustafën. Ai kishte krijuar një bindje se misioni që kishte projektuar ai me një njeri të tillë të vendosur e të stërvitur si Xhevdeti, do të mundej të realizohej me sukses. Në bisedë e sipër ai më pyeti nëse e njihja Kadri Hazbiun e Feçor Shehun. Për të, ata ishin dy nga miqtë e tij të fshehtë. Pastaj Paviçi iu rikthye sërish temës së Kosovës. Ai tha se, Jugosllavia kishte një problem shumë të madh lidhur me Kosovën. Të gjitha tensionet e turbullimet, atje, shtoi Paviçi, i ka shkaktuar Enver Hoxha. Në vijim, zbuluesi jugosllav duke u kthyer nga mua më tha se, kishte biseduar me Sabaudinin rreth një mesazhi që unë personalisht duhej t’ia jepja në dorë Kadri Hazbiut kur të shkonim në Tiranë dhe mu afrua për të ma sqaruar në detaje përmbajtjen e tij. “Kur ta takosh Kadri Hazbiun, shpjegoi Paviçi transmetoi gojarisht këtë porosi. Shpjegoi përbërjen e grupit, sqaroja mirë rolin e Xhevdet Mustafës si njeri i vendosur dhe i stërvitur nga CIA, si njeriu që do të futet në një mënyrë, ose në një tjetër për të vrarë Enver Hoxhën gjatë gjullurdisë që do të bëhet. Më tej, ai zbërtheu detajet e tjera, sipas të cilave pas vrasjes që do t’i bënte Xhevdet Mustafa Enverit, Kadri Hazbiu duhej të merrte pushtetin, gjithmonë në emër të partisë, me anën e puçit ushtarak. Të merrte shtetin në dorë e të pastronte elementët e tjerë kundërshtarë. Pika e dytë e mesazhit që do t’i transmetoja Kadri Hazbiut ishte që ai të organizonte koordinimin e veprimit të bandës me puçin ushtarak. Pika e tretë është, tha Paviçi, Kadri Hazbiu të caktojë ekzaktësisht vendin, kohën, ditën dhe mënyrën se si Xhevdet Mustafa do të vriste Enver Hoxhën. Pika e katër ishte ndërlidhja midis meje e Kadri Hazbiut, të cilën do ta mbaja unë e askush tjetër. Pika tjetër, sapo të merrte pushtetin Kadri Hazbiu do të merrte kontakte me ambasadën jugosllave në Tiranë. Petër Paviçi saktësoi se, në rast se nuk do të kishim asnjë mundësi me marrë kontakt me Kadri Hazbiun, nuk duhej të bënim asnjë veprim në Shqipëri, por do të dilnim nga Jugosllavia. 
Megjithëse të gjithë në grupin tonë shpreheshin të bindur për rolin e Xhevdet Mustafës, unë kisha krijuar ca rezerva për figurën e tij. Kur kisha qenë në Amerikë para nisjes për në Shqipëri dikush më kishte thënë për të se, ai kishte rënë dikur në burg për drogë po kishte mundur të dilte nga një garanci bankare një milion dollarësh. Po kështu, kisha dëgjuar se dikur Xhevdeti ishte paguar nga Kadafi i Libisë për t’i bërë një atentat Presidentit të SHBA-së Roland Regan. Të gjitha këto i kisha rezerva të brendshme.
Nejse, ndodhi që nisjen e bëmë me urdhrin e Peter Paviçit një ditë krejt papritur. Xhevdeti që na dha këtë porosi tha se duhej të shkonim shpejt, pasi shokët në Tiranë, Kadri Hazbiu dhe bashkëpunëtorët e tij ishin në rrezik. Mbërritëm... Viktima plot. Në Rrogozhinë rashë në dorën e forcave të sigurimit. Mua më çuan në polici, më lidhën këmbë e duar e po rrija aty. Isha i ulur në një karrige, kur nga korridori vjen një njeri me dorë në xhep e filloi të ecë përpara meje duke më sharë. Unë ngrita kokën, kur shikoj Kadri Hazbiun. Më hyri frika, se ne kishm për ta takuar këtë njeri, por po e takonim këtu, në një vend tjetër. Pasi më shau nja dy-tre minuta, iku. Pas dhjetë minutash, erdhi aty ministri i Brendshëm Hekuran Isai. Ai erdhi dhe më pyeti për identitetin e ku di unë çfarë. Më morën pastaj me makinë e më sollën në burgun e Tiranës. Kështu që mbaroi misioni që na dhanë jugosllavët për Kadri Hazbiun.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora