E shtune, 25.01.2025, 05:21 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Nëna e Xhevdetit, misioni i pamundur në negociatat me të birin në rrethim

E premte, 08.08.2008, 06:30 PM


Zhama, fshati në afërsi të Lushnjës, buzë rrugës automobilistike, shënoi skajin fundor të aventurës së Xhevdet Mustafës. I mbërritur nga larg, njeriu që do të vriste Enver Hoxhën, mbeti në darën e rrethimit të forcave të ndjekjes pikërisht aty. Të dorëzohej apo të tentonte për më tej! Koha nuk premtonte për zgjedhjen e duhur. Çastet sa vinin e bëheshin kritike. Xhevdet Mustafa kapërceu oborrin e shtëpisë mbi kodrinë dhe u fut brenda. Vuri përpara fëmijët e saj me tytën e automatikut dhe mbylli derën. Pengjet mbeten shpresa e fundit për t'i shpëtuar sulmit të atyre që e ndiqnin. "U krijua një situatë shumë e vështirë, rrëfen Hasan Leka, një nga punonjësit e sigurimit që ndiqte aksionin nga afër. Të qëlloje, rrezikoheshin fëmijët. Të tërhiqeshe, inkurajoje banditin për terror". Dilema nuk do të zgjaste shumë. Për misionin e vështirë u shfaq opsioni i ndërmjetëm. Negocimi në distancë mbetej prova e fundit. "Në këtë moment, kujton Leka, unë me dy të tjerë u urdhëruam për të sjellë aty nënën dhe vëllain e Xhevdetit. Ata do t'i bënin apel për t'u dorëzuar. U nisëm me shpejtësi të rrufeshme. Sa mbërritëm në Durrës, ku qëndronin të izoluar, i morëm forcërisht dhe i futëm në makinën e policisë pa iu treguar gjë. Dukeshin të tronditur dhe hera-herës mundoheshin të mësonin ku i çonim. Me të do njiheshin kur të afroheshim tek objekti. Njëri nga oficerët e lartë të Sigurimit, u shpjegoi se çfarë do të bënin kur të mbërrinim te shtëpia e rrethuar. Nuk bëhej fjalë të hezitonin. Heshtja nënkuptonte miratimin e padiskutueshëm. Aty për aty hodha sytë nga nëna e Xhevdetit, e cila sa dëgjoi emrin e të birit lëvizi instinktivisht nga vendi, duke hequr një ngashërim të thellë. Përballë saj i biri rrinte i tulatur dhe përpiqej të deshifronte diçka nga vështrimi i të ëmës. Sakaq shefi filloi nga provat për thirrjet që do bënin para shtëpisë së rrethuar. E para nisi nëna, duke përsëritur formulën e diktuar. "Xhevdet, o bir, leri armët e dil të takohemi!". Pastaj i vëllai me një tekst të tillë. Disa herë kështu deri sa në kabinën e makinës ra heshtja, të cilën e thyente herë pas here zëri i altoparlantit të radios që mbante në dorë shefi. Në komunikimin e tij me eprorët në terren, vinin të rejat më të fundit nga fronti i goditjes. Sipas tyre vazhdonte e njëjta situatë. Xhevdeti i palëkundur në marrëzinë me pengjet e Sulajve. Të palëkundur përballë tij, skalionet e ushtarakëve që prisnin urdhrin për të hapur zjarr. E reja që vinte nga valët e radios ishte afrimi i tankeve te qoshet e shtëpisë. Gjithsesi, gjendja mbetej e ngrirë. Pritej vetëm reagimi i Xhevdetit pas thirrjeve së të ëmës dhe vëllait. Ankthi sa vinte e shtohej. Zërat nga altoparlanti i radios, tashmë e kishin tjetërsuar pamjen e familjarëve të Xhevdetit, që filluan të dridheshin e të mblidhen në gjunjë. Do vazhdonin kështu çaste të tëra, deri sa nga krahu tjetër i receptorit të radios të dëgjohej mbyllja e aksionit. Shefi që ishte në krahë të shoferit pyeti për të saktësuar lajmin. Po, iu përgjigj njëri nga eprorët. Xhevdeti vrau veten! Sakaq nëna u drodh e tëra dhe nëpër dhëmbë përsëriti disa herë emrin e të birit. Djali që kishte në krahë e mbështolli për gjoksi, duke e ruajtur që mos të binte në tokë..."
Më tej, Leka që e përshkruan me detaje misionin e pamundur të së ëmës së Mustafë për të negociuar me të birin në rrethim, thotë se e kthyen makinën në rrugë dhe i nisën nënë e bir në shtëpi.       a. imaj

Xhevdet Mustafa, historia e inkursionit të dështuar për të vrarë Enver Hoxhën

Zbarkimi dhe inkursioni i Xhevdet Mustafës në brigjet shqiptare, me qëllim për të vrarë Enver Hoxhën, është krejt i ngjashëm me filmat aksion që Hollivudi prodhon me shumicë.

Ferdinand Dervishi & Afrim Imaj

Kur një skuadër e mirëstërvitur dhe mirarmatosur zbarkon në një ambient të huaj për të shkatërruar një celulë mafioze, apo për të shpëtuar pengje. I tillë, i dhunshëm, me një varg kufomash, por i pamundur, ka qenë edhe inkursioni i Xhevdet Mustafës më 25 dhe 26 shtator 1982. Sipas ish-kryetarit të Hetuesisë së Tiranës në atë kohë, Dilaver Bengasit, që ka përfshirë historinë e Xhevdet Mustafës në librin e tij "Enigmat e 2 korrikut '90", qëllimi i grupit që zbarkoi në brigjet shqiptare në orën e parë të datës 25 shtator 1982, ishte të vriste Enver Hoxhën. Për të realizuar këtë objektiv tejet të vështirë, grupi nën drejtimin e Xhevdet Mustafës ishte stërvitur për disa vite me radhë. Mënyrat për të goditur Enver Hoxhën ishin llogaritur të ishin krejt të dhunshme dhe publike, me breshëri armësh, për të çorientuar Sigurimin e Shtetit, duke krijuar në këtë mënyrë mundësi për t'u larguar. Bengasi ka pasur mundësinë të marrë personalisht në pyetje Halit Barjamin, një nga anëtarët e grupit, i vetmi që u kap i gjallë, i cili ishte njëkohësisht edhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Zbarkimi i gabuar

Sipas rrëfimit të Halit Barjamit, grupi prej katër vetash drejtohej nga Xhevdet Mustafa, 42-vjeçar nga Durrësi, i larguar "arratisur" nga Shqipëria në vitin 1964, i cili kishte probleme me drejtësinë amerikane, pasi ishte në listat e të kërkuarve të akuzuar për krimin e trafikut të drogës. Vetë Halit Barjami ishte arratisur nga Shqipëria në vitin 1951. Kishte qenë oficer ushtrie dhe në një moment ishte përplasur për shkak të detyrës me Rita Markon, një nga drejtuesit më të lartë komunistë të kohës. Gjithsesi vendimi për largimin nga Shqipëria vjen pas një takimi me Mehmet Shehun, i cili nuk e mbështet për konfliktin me Rita Markon. Anëtar tjetër i grupit ishte Sabaudin Haznedari, edhe ky i larguar "arratisur" nga Shqipëria më 1951 së bashku me Halit Barjamin. Pjesëtari i fundit i llogaritur të futej bashkë me grupin në Shqipëri ishte Fadil Kaceli, larguar nga Shqipëria më 1948 dhe sistemuar në Zelandën e Re. Sipas hetuesit Bengasi, ideja apo detyra e marrë për të vrarë Enver Hoxhën ka lindur, apo është urdhëruar në vitin 1975, kur të gjithë pjesëtarët e grupit ishin ftuar në dasmën e Leka Zogut, të birit të Ahmet Zogut.
Sipas Bengasit, përgatitjet grupi i ka bërë në Itali, ku udhëzimet e fundit kanë dalë nga goja e Peter Pavliç, një agjenti të UDB-së, maskuar nën detyrën e Sekretarit të Tretë të Ambasadës Jugosllave në Itali. Pavliç, sipas rrëfimit të Halit Barjamit, u kishte përsëritur pjesëtarëve të grupit për herë të fundit detyrën e vetme: të vrisnin me çdo çmim Enver Hoxhën. Në takimin e fundit Xhevdet Mustafa i kërkon Pavliçit që futja në territorin shqiptar të bëhej nga Ulqini, por "diplomati" refuzon duke argumentuar se incidentet eventuale mund të komprometonin shtetin jugosllav. Kështu vendoset që hyrja në Shqipëri të bëhej me skaf dhe pika e zbarkimit caktohet të jetë në afërsi të Shkëmbit të Kavajës, pra në hyrje të Durrësit. Por lëvizja finale e grupit, që armatoset deri në dhëmbë, nis me incidente të pakëndshme. Fadil Kaceli, anëtari i katërt i grupit, teksa hipte në skafin që drejtohej nga dy italianë, rrëzohet dhe goditet keqas në shtyllën kurrizore. Për rrjedhojë ai tërhiqet në sekondat e fundit. Por edhe në momentin që skafi u afrohet ujërave shqiptare, ndodh një tjetër incident edhe më me pasoja të rënda. Skafit i pret rrugën një anije luftarake shqiptare dhe dy italianët ndryshojnë drejtim duke iu larguar nga pamja, por duke humbur njëkohësisht edhe mundësinë për të bërë zbarkimin në afërsi të Shkëmbit të Kavajës. Skafi takon brigjet në afërsi të Divjakës, pranë kënetës dhe tre anëtarët e grupit për pak nuk ngecin në baltë.

Inkursioni i përgjakshëm

Në orën 01:00 të natës në datën 25 shtator 1982, Xhevdet Mustafa vuri këmbën në tokën shqiptare pas gati 20 vitesh i larguar. Ajo ishte jomikpritëse, kënetë. Në të njëjtën kohë forca të ushtrisë, policisë dhe oficerë të Sigurimit të Shtetit kishin blinduar bregdetin e Durrësit, në pritje të "bandës". Sigurimi i Shtetit edhe në rastin e Xhevdet Mustafës e kishte kryer me sukses detyrën e vet. Ishte në dijeni të të gjitha lëvizjeve të grupit, dinte qëllimin, kohën dhe vendin e zbarkimit. Por Xhevdeti, ndërkohë gjendej i bllokuar në një "tokë të vdekur" në Divjakë. Vetëm aty nga dreka ai ka vizitorët e parë. Një skaf me në bord tri policë, një nga të cilët ishte me rroba banje, i afrohet vendit ku ai me dy të tjerët fshiheshin. Xhevdeti u afrohet dhe u bën shenjë që të shkojnë në drejtim të tij. Policët binden, por me t'u afruar, papritur Xhevdeti nxjerr pistoletën dhe qëllon ata dy që ishin me uniformë. Si rezultat vritet zëvendës shefi i Policisë së Lushnjës, Remzi Brixhi dhe polici tjetër me uniformë. Ndërkohë i treti, ai që ishte me rroba banje, i lutet Xhevdetit të mos e qëllojë, duke e gënjyer se ishte vetëm një copë peshkatar dhe jetim. Xhevdeti e kursen, por e detyron që t'i rrëfejë rrugën për në drejtim të Tiranës. "Peshkatari" që quhej S. Biti, bindet. Në kohën që ishin duke dalë nga brezi i pishave, me grupin këmbehet një kalimtar i veshur me rroba zbori. Quhej Vlash Përboti dhe Xhevdeti e vret, pasi ai nuk bindet të ndalojë. Duke ecur arave dhe ruajtur nga kontaktet me banorët, grupi arrin rrugën nacionale Lushnjë - Durrës dhe fshihet të kalojë natën në Qafën e Sokolit, në hyrjen jugore të Rrogozhinës. Plani ishte që në drejtim të Tiranës të niseshin me tren. Por gjithçka hidhet në erë, pasi grupi futet në mëngjes në stacionin e Rrogozhinës. Një shitëse që u shërben byrekë Sabaudinit dhe Halitit dyshon në veshjen e tyre dhe njofton një polic. Ky u afrohet të dyve dhe u kërkon pasaportat. Haznedari i kërkon që të shkojë te çanta dhe t'i marrë duke u larguar, ndërkohë që Haliti i dorëzon pistoletën policit dhe e paralajmëron se veç Sabaudinit, në brendësi të stacionit të trenit gjendej edhe një i tretë, më shumë i rrezikshëm. Me të mbërritur te çanta Haznedari hap zjarr me një automatik, por në të njëjtën kohë qëllohet nga disa pushkatarë të forcave vullnetare dhe mbetet i vrarë. Halit Barjami vetëdorëzohet, por Xhevdet Mustafa do të vazhdonte aventurën e përgjakshme, sipas stilit të tij.

Fëmijët peng

Me të dëgjuar krismat, Xhevdet Mustafa del i vetëm nga stacioni i trenit dhe i hipën një furgoni "Zuk", shoferi i të cilit kishte lënë çelësin në kuadër. Më tej ndalon të marrë një tjetër makinë, një autoveturë "Pabjeda", por shoferi fsheh çelësat. Kjo e ndëshkon me një goditje të përgjakshme me qytën e pistoletës në ballë. Në të njëjtin çast Xhevdeti merr peng një kamion, shoferit të të cilit i vë pistoletën në ballë dhe pak më tej ndërron mendje dhe ndalon një tjetër autoveturë, që brenda kishte krushq që shkonin të merrnin nusen. E urdhëron shoferin të shkojë në drejtim të Lushnjës, por ky pas pak minutash e devijon makinën, duke u kthyer majtas në qendër të fshatit Zhamë të Lushnjës. Dikur ngadalëson shpejtësinë dhe hidhet nga automjeti duke kërkuar ndihmë në zyrat e kooperativës. Xhevdeti e ndjek nga pas me armë në dorë. Në një nga zyrat, një plak me armë gjahu përgatitet ta qëllojë, por Xhevdeti e sheh në kohë që ia thyen armën në mes me një të shtënë të vetme. Pasi del nga zyra, ai futet në shtëpinë e Mersin Sulës, e vetmja që ishte në atë faqe kodre. Shtëpia rrethohet në pak minuta. Ndërkohë i zoti i saj shfaqet në derë dhe në rrethana që nuk dihen Xhevdeti e qëllon dhe e vret në sy të fëmijëve, të cilët llogarit t'i marrë pengje për të ruajtur kokën. Një oficer ushtrie, Tomorr Zykaj, që i afrohet shumë banesës qëllohet me një tricikël, vritet nga Mustafa me një plumb të vetëm në kokë. Që në komunikimet e para Xhevdeti tregon për pengjet dhe rrethuesit nuk ndërhyjnë. Nuk ndërhyjnë edhe për faktin sepse nuk kishin urdhra të qarta nga eprorët. Pas rreth një ore aty mbërrijnë edhe ish-ministri i Brendshëm, Hekuran Isai dhe ai i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu. Historia e pengmarrjes së fëmijëve zgjat për gati 2 orë, deri në momentin kur një autoblind i ushtrisë godet dhe rrëzon cepin e shtëpisë. I vdekuri i fundit i asaj dite do të ishte vetë Xhevdet Mustafa, i cili u gjet i shpuar nga plumbat në brendësi të banesës. Kështu me shtatë të vrarë, pesë nga të cilët policë e qytetarë dhe dy anëtarë të "bandës", përfundoi tentativa e përgjakshme e Xhevdet Mustafës për të eliminuar Enver Hoxhën. Një histori e gdhendur fortë në memorien e shqiptarëve, edhe për faktin se u përdor për të goditur e rrëzuar liderin komunist të radhës, Kadri Hazbiun.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora