E marte, 30.04.2024, 07:54 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

22 ambasadat shqiptare gjatë regjimit komunist

E marte, 05.08.2008, 01:22 AM


Ku ishin selitë diplomatike gjatë 50 viteve diktaturë   
     
Armand Jonuzi

Gjatë 50 viteve të regjimit komunist Shqipëria ka pasur 22 ambasada në të gjitha kontinentet. Por disa herë më i madh është numri i vendeve me të cilat kishim marrëdhënie diplomatike. Sipas diplomatit shqiptar Lisen Bashkurti gjatë sistemit komunist Shqipëria ka pasur marrëdhënie diplomatike me 72 vende në të gjithë botën. Por diplomatët thonë se numri i vogël i ambasadave në krahasim me relatat zyrtare midis shtetit tonë dhe të tjerëve, shpjegohet me faktin se një ambasador mund të mbulonte shtete të tëra në një kontinent. Pjesa më e madhe e shteteve me të cilat Shqipëria vendosi marrëdhënie diplomatike në atë periudhë ishin vende të bllokut komunist. Por njëkohësisht nuk mungonin marrëdhëniet edhe me vende shumë të zhvilluara perëndimore.

Ambasadat e para

Vendi i parë me të cilin qeveria komuniste vendosi marrëdhëniet pas çlirimit të vendit, ishte fqinja e saj, Jugosllavia. Krerët komunistë të qeverisë jugosllave i kishin dhënë një ndihmë të konsiderueshme komunistëve shqiptarë gjatë luftës. Marrëdhëniet midis dy vendeve u lidhën në fillim të vitit 1945 dhe ambasadori i parë në Jugosllavi u emërua Hysni Kapo, një nga drejtuesit më të lartë të Partisë Komuniste. Menjëherë pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike, Jugosllavia dhe Shqipëria nënshkruan disa marrëveshje ekonomike si dhe Traktatin e Miqësisë dhe Ndihmës së Përbashkët. Gjithashtu nga viti 1945 deri në vitin 1947, sipas diplomatit të njohur Lisen Bashkurti, politika jugosllave ishte shtrirë në Shqipëri në të gjitha fushat, si tek ato ekonomike e deri te ajo arsimore. "Në shkollat shqiptare jugosllavët arritën të fusin si gjuhë e dytë edhe serbo-kroatishten", tregon diplomati i njohur Bashkurti. Madje, sipas historianëve, në atë periudhë lideri komunist i Jugosllavisë, Titoja, në atë periudhë dëshironte të krijonte Federatën Komuniste Ballkanike, në të cilën bënte pjesë Shqipëria dhe Bullgaria. Por nëse Jugosllavia ishte vendi i parë me të cilën vendosëm marrëdhënie diplomatike, ajo ishte e para edhe me të cilën i shkëputëm ato. Në vitin 1948 pas përplasjes së Titos me Stalinin, Shqipëria i ndërpret marrëdhëniet me Jugosllavinë. Në fakt ftohja e marrëdhënieve midis dy vendeve kishte filluar që në vitin 1947. Kjo periudhë shënon edhe nisjen e marrëdhënieve të ngushta të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Pasi megjithëse marrëdhëniet midis dy vendeve ishin vendosur që në dhjetor të vitit 1945, ato gjithmonë kalonin nëpërmjet Jugosllavisë. Ambasadori i parë në Bashkimin Sovjetik u emërua emëruar Koço Tashko. Menjëherë pas shkëputjes nga varësia diplomatike e Jugosllavisë, Shqipëria vendosi marrëdhënie me shumë vende të Evropës Lindore. Marrëdhëniet e ngushta me Bashkimin Sovjetik zgjatën deri në vitin 1960, ku bashkimi Sovjetik i ndërpret marrëdhëniet me vendin tonë në mënyrë të njëanshme. Kjo erdhi pas përkrahjes që Enver Hoxha i bëri Kinës, duke dalë kundër linjës së Bashkimit Sovjetik. Kjo gjë çoi deri në shkëputjen e dyanshme të marrëdhënieve në vitin 1961. Por nëse me Jugosllavinë Shqipëria i vendosi përsëri marrëdhëniet në fundin e viteve '50, me Bashkimin Sovjetik ato u rilidhën përsëri pas 30 vjetësh, në vitin 1991.
Por Shqipëria gjatë regjimit komunist nuk pati marrëdhënie vetëm me vendet komuniste, por edhe me shumë vende perëndimore.

Marrëdhëniet me Perëndimin

Vendi i vetëm me të cilën marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë nuk u ndërprenë pothuajse asnjëherë ishte Franca. Vendi perëndimor ishte nga të paktat vende të fuqishme demokratike që njohu qeverinë komuniste të krijuar në vitin 1946. Kjo bëri që marrëdhëniet midis dy vendeve të lidheshin menjëherë dhe të vazhdonin pa ndërprerje. Vendi i dytë perëndimor me të cilin Shqipëria vendosi marrëdhënie ishte fqinja i saj, Italia. Megjithëse Italia e kishte pushtuar Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1946 ajo do ta njihte qeverinë komuniste të sapokrijuar. Gjithashtu, në vitin 1946 Shqipëria dhe Italia nënshkruan Traktatin e Paqes, gjë që u hapi rrugën lidhjes së marrëdhënieve midis dy vendeve. Nënshkrimi i Italisë së këtij traktati, i solli Shqipërisë edhe përfitimin e një shume prej 5 milionësh dollarë. Kjo sasi parash ishte vendosur si dëmshpërblim për dëmet që Italia i shkaktoi Shqipërisë gjatë luftës. Pas kësaj marrëdhëniet diplomatike midis dy vendeve u lidhën menjëherë. Por në vitin 1957, Shqipëria lidhi marrëdhënie diplomatike edhe me Austrinë, pasi kjo ishte deklaruar si vend neutral gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Bumin më të madh të vendosjeve të marrëdhënieve diplomatike gjatë regjimit komunist, sipas diplomatit të njohur Lisen Bashkurti, Shqipëria e pati në vitet '70. Ku sipas diplomatit, nga 24 vende me të cilat Shqipëria kishte marrëdhënie në vitet '50, në vitet 70 ajo do kishte marrëdhënie me gati 72 vende në të gjithë botën. Dy vendet me të cilët regjimi komunist lidhi marrëdhënie në vitet e fundit të rënies së tij ishin dy vendet perëndimore, Gjermania Perëndimore dhe Spanja. Ato u vendosën përafërsisht në vitet u 1987 dhe 1988.

Ambasadat

1. Bullgaria
2. Çekosllovakia
3. Algjeria
4. Austria
5. Kina
6. Rumania
7. Bashkimi Sovjetik
8. Polonia
9. Vietnamit
10. Italia
11. Hungaria
12. Republika Demokratike e Gjermanise
13. Jugosllavia
14. Greqia
15. Republika Popullore e Korese
16. Franca
17. Egjiptit
18. Turqia
19. Kuba
20. Argjentina
21. Spanja
22. Republika Federale e Gjermanise



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora