E merkure, 04.12.2024, 06:29 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (II)

E diele, 10.08.2008, 06:40 PM


Fritz Radovani de Angeliis

Një monument nën dhé

SHKODRA NË 1946

“Shprehja ma e egër e dhunës
ndaj popujve, asht me i vorfnue!”

Mohandas K. Gandhi

Flas për atë Shkodër që në fillim të vitit 1900 kishte 28 pianoforta në shtëpitë katolike të qytetit. Ky ishte vetëm njeni prej treguesve të qytetnimit evropian që kishte fillue me zanë vend në qytetin e lashtë brij Rozafës. Kanga dhe muzika nuk janë cilësi të vorfnisë, ato u përkasin atyne njerëzve që u këndon zemra. Pra, këta janë shkodranët! Deri tashti vonë një kuadrat çimentoje në lulishtën e kafes rrumbullake përballë Kafes se Madhe, ishte dëshmi e qëndrimit të bandës së Bashkisë së qytetit aty, që drejtohej prej Zef Kurtit dhe shoqnonte shëtitjet e qytetarëve në mbasdreket e së dielës. Shëtitja në Pjacë fillonte nga Dugajtë e Reja dhe vazhdonte lumi i njerëzve deri tek Foto Marubi, që dukeshin si një grumbull bletësh kur dalin nga zgjoni. Kjo thirrej Fusha e Çelës, sëpse, dikur, tek sheshi qendror shtrihej një fushë ku ishte një qelë prifti, pikërisht aty ku sot asht Xhamija.
Shëtitja vazhdonte deri në orët e vona të mbramjes në të gjitha stinët. As dielli i fortë i zhegut përvlues, as shiu që bie mjaft në stinët e vjeshtës dhe të dimnit, as bora që kur fillon nuk din me pushue, as morlani që pret Pjacën prej rrugës së Re e, as shiroku i fortë që të merr mendët e të shpupurishë flokët nuk e prishnin traditën...xhirot vazhdonin. Në orën 11.00 të ditës së dielë në Kishën Françeskane të Gjuhadolit thohej një meshë solemne që shoqnohej nga kori i xhakojve, ku, dikur, spikati basi Luk Kaçaj nën drejtimin e At Martin Gjokës dhe ma vonë At Filip Mazrekut. At Martini, përveç tjerash ka një meritë të madhe se krejt brezi i muzikantëve dhe i kompozitorëve prej Prenkë Jakovës e deri tek ma i riu, janë frut i veprës së tij. Ai ka vue thëmelin e muzikës moderne në Shqipni. Kisha mbushej plot e përplot me popull nga të gjitha moshat. Dikur zgjidhej edhe predikuesi që fliste në këtë meshë. Mbas meshës populli grumbullohej nën çinarin para Kishës. Grumbujt e qytetarëve përshëndetëshin dhe ndaheshin tue marrë drejtimin nga Pjaca. Aty-këtu, ndonjë sy tinzar vështronte për kohën e ardhshme..., sigurisht ndonjë vajzë që binte në sy kjoftë për thjeshtësinë e saj, kjoftë për modelin e flokëve, për buklehat apo bishtalecat e gjatë, ose për bukurinë që Zoti nuk e ka kursye kurrë për vajzat shkodrane. Djelmtë ma në za pushtonin Fushën e Çelës, si Alfred Ashiku, Prenkë Kaçinari e Qemal Draçini me shokë, të rrethuem nga zonjushat bukuroshe që me profumet e tyne kundërmonin Pjacën e, me erën e tyne sollën ma mirë me thanë një epokë që për ata që e kujtojnë, zor se përsëritet ma në qytetin plak.
Secila rrugë, Kishë apo shtëpi kishte bukurinë e saj artistike. Ndër to ishte dora e piktorit e arkitektit të pavdekshëm Kol Idromeno, të pasuem nga Ndoc Martini, Simon Rrota, Zef Kolombi e Vladimir Jani. Në vitin 1923 në Shkodër, hapet ekspozita e parë e pikturës ku merr pjesë edhe një Zonjë e nderueme piktore, Lajde Muzhani. Prej derës së oborrit, fillonte kalldrami e deri tek shkallat e gurit ishte dalta, një mjeshtri e madhe dhe shumë e përhapun ndër të gjitha harqet e strehët e këtyne shtëpive. Pusi i famshëm i gurit të grishte për një gotë ujë të freskët mbas zhurmës së çekerkut që rrotullohej disa metra në thellësi. Aty afër lugu i gurit ku gratë punëtore lanin rrobat e zbardhuna me fi ndër vozgat e drunit që në fund i mbushnin me ujë, për me ujitë lulët e bukra rreth oborrit në të katër anët. Në një anë shermasheku, në anën tjetër lule vilja, se leni karajfilat, lulemustakun e drandofillet që të kënaqnin shpirtin me erën e kandshme të tyne. Çardaku, një mrekulli me ato trena të latuem nalt e poshtë deri ndër podrume. Rreth e rrotull çardakut rreshtoheshin parmakët e dyert edhe ato me drunin special të çamit, ku kornizat e mjediset e tyne të shtangnin me bukurinë e vizatimeve të daltueme.
Dyshemët e verdha nga ngjyra që hidhej mbas lamjes të kënaqnin synin. “Urdhno, mirëse të ka prue Zoti!”, hapej dera e njeriu asht vështirë me përshkrue bukurinë e dhomës së pritjes. Mjedis atij tavani artistik edhe ky i daltuem, një lampadar i madh i varun me qindra vite, pëshqesh i kumbarës së martesës së stërgjyshit. Për nderë të mikut ndizej edhe poçi i fundit i porcelanit të kacavarun ndër vargojt e artë, që shkodranet e vjetra i lanin me farën e pjekun fort të mollatartave ose të pjepnave. Ato shkëlqenin bashkë me enët e bakrit të vëndosuna ndër serxhia. Në ballë të dhomës oxhaku i bardhë i derdhun në çimento speciale ose gjeso që përzihej me të bardhin e vezës para derdhjes, për me forcue landën e hollë e të bukur, ku mjeshtri kishte shkri krejt talentin e tij. Nuk mungonin anash armët e vjetra të varuna në mure me dorëza argjenti. Aty afër shkëlqente tangari i bakrit me prushin e mbuluem me hi e sipër masha në pritje të mikut.
Një dhomë aq madhe rreth 8x7 ml. krejt e shtrueme me qylyma e anash me cerga, të sjelluna nga Kosova, mbasi njihej mjeshtria e tyne për punimin e cergës me lesh dhije. Këto kanë pasë ngjyren kafe dhe rrethonin qylymin e kuq e të madh mjedis dhomës, tue formue një kornizë shumë të bukur rreth atij qylymi që dukej si një kuadër pikture i shtruem në dysheme. Në një kand ishte edhe arka e grues ma të vjetër që ruhej për bukurinë e njohtun të ngjyrave të vizatueme jashtë e mbrendë në kapakun që ndrynte pajën, me sofrabeza e mësalla që shtroheshin ndër sofrat e paharrueshme të këtyne shtëpive me raste festash. Të gjitha të punueme me tezgjah gjatë kohës së vajznisë. Krejt afër murit ishin minderët e mbuluem me qarqafa të kuq dhe me jastekë të bukur për mbështetje të trupit, si e si, miku me e ndie vedin rahat gjatë vizitës. Nuk do të flas për pritjen e përcjelljen, mbasi atë Shkodra edhe pa bukë, ujë e dritë, nuk e harron,..... janë të sajat.
Arkitektura e shtëpive të fillimit të Pjacës, Dugajtë e Reja, Gjuhadoli, Serreqi i vjetër e shumë shtëpi të Parrucës e Zdralejve që edhe sot janë ma të bukrat në qytet, janë vepra të Kol Idromenos. Njerëzit ecnin tue bisedue me za të ultë, me t’u dukë se po flasin në vesh. Çdo bisedë me masë rreth artit, kulturës, muzikës, shkencës, sportit, etj. Flitej për idhujt e shkodranëve, si: At Fishta, Luigj Gurakuqi, At Anton Harapi, Don Ndre Mjedja, Don Lazër Shantoja, për mjekët, Saraqi, Shiroka, Radoja, Pogu, Prela e Dr. farmacistet Pjerin Bushati e Elez Troshani. Për muzikantët Palok Kurti, Kol Mati Tukja, Prenkë Jakova, Tonin Harapi etj. Për figurat e njohtuna Kel Marubi, Gjon Kamsi, Imzot Mjedja, Serreqi, Thaçi, Bumçi etj. Avokatët e njohtun Benussi, Kol Dhimitri, Tedeschini, Pipa, Paulin Pali, etj. Kishin vendin e vet Pjetër Gjini, Zef Hila, Kol Tivari, Filip Daija, që pasunonin pjacën me ndonjë të qeshun të fortë të grupeve rinore që përsërisnin humorin e pavdekshëm të këtyne njerëzve, që qeshnin se nuk kanë mujtë me ndejë tue kja, mbasi e shihnin mirë ku po shkonte puna.... Etnit Françeskanë pa asnjë përjashtim ishin epiqendra e asaj përiudhe historike për trimninë e tyne dhe atdhetarizmin e flaktë, që me
plot gojën mund të konsiderohën jo vetëm për Shkodrën, por për gjithë Shqipninë, NJË RILINDJE KOMBËTARE. Aty, në atë Kuvend shtrohej sofra për bukë e rrinin me bujtë (me fjetë): Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali, Çerçiz Topulli, Mustafa Qulli, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Avni Rrustemi, Mehdi Frashëri, Kristo Floqi, Lef Nosi, dhe nën zhgunin e At Pal Dodës shpëtoi kokën Mbreti Ahmet Zogu. Deri vonë aty asht ruejtë dhoma ku flente miku i posaçëm i Kuvendit, Ded Gjo’ Luli, i vetmi njeri laik që asht varrosë në Kishën e tyne.
Nuk do të zgjatem me intelektualët e profesorët, mbasi kenja e katër gjimnazëve dhe dy seminarëve teologjike, tregojnë ma së miri nivelin kulturor të këtyne banorëve që janë edukue pa dallim Feje ndër ato banka të atyne shkollave. Ngjarjet që do të shtjellohën ma vonë do të tregojnë ma shumë se një listë emnore e tyne se kush jetonte, mësonte e punonte këtu.
Kjo ishte Shkodra! Shteti, jeta, kultura, arti dhe sporti, zanafillën e tyne deri në ditët tona e kanë nga burimet dhe gurrat e pashterrëshme të Shkodrës.
Një Shpirt i pajisun me atë edukatë, kulturë e art që merrej në gjimnazet fetare dhe laike të Shkodrës, përsonifikonte até, që bota moderne sot e thërret vetëm me një emën: NJERI. E thom me bindje të plotë se natyrën e shkodranit dhe të malësorit trim të Veriut, nuk e ka njohtë askush ma mirë se malazezët e serbët. Jo, kot, tash një shekull ata vazhdojnë me gjuejtë me TOP Kathedralën e Shkodrës; jo, kot, ata mbyllën çerdhet e edukimit fetar e atdhetar; jo, kot, ata e dëbuen Fishtën nga vorri e bankat e shkollës; jo, kot, ata plaçkitën bibliotekat e muzeumet e tyne; jo, kot, ata të parët pushkatuen Prenkë Calin me shokë; jo, kot, ata dogjën male e shpella, ku, strukej ndër shekuj Shqipja; jo, kot, ata vollën vnerë kundër Fishtës, Gjeçovit, Harapit, Shantojës, Prenushit, Palajt, Donat Kurtit, Konicës, Pipës e deri tek Qemal Draçini, që e mbytën në hu, vetëm pse At Fishta, me gishtin shënues drejtue kah ai, tha: “Qé, një talent i ri!”. Pse morën malët Gjelosh Luli me shokë? - Jo, kot, se ishte “Besëlidhja e Veriut, Rranxave dhe Postribës”, kockë në fytin e serbit. Pse duhej zhdukë inteligjenca? - Jo, kot, por ajo nuk përulej dhe nuk e thente majën e penës para shërbëtorëve të Titos. Pse u rrënuen Kishat e Xhamitë? - Jo, kot, por duhej shpallë “Shqipnia Socialiste Ateiste”.
Pse “vrau vetën” Prenkë Jakova? - Jo kot, por ishte Prenka i birucës nr. 6, në Sigurimin e Shkodrës të vitit 1946, që jo vetëm ishte i vëllai i Ndocit, por, ky ishte atdhetar, ishte artist antikomunist, ishte edhe katolik i mirë. Ai nuk e la asnjë çast Shkodrën; se, tue kalue nëpër Serreq frymëzohej; se, tue u zgjue nën tingujt e kumbonëve të Kathedralës i vinte muza; se, tue përshëndetë gratë shkodrane me jepanxhe e degërmia, i kujtohej vuejtja dhe sakrifica e një populli, që deri dje, i veshun në çakqirë e xhubletë me Ded Gjo’Lulin, Luigj Gurakuqin, Ismail Qemalin e Isa Boletinin, valvitën Shqipën dykrenare në qiellin shqiptar. Ishte pikërisht ai, që i thuri lavdi Gjergj Kastriotit – Skëndrbeut në operën e tij!
Përgjigja asht vetëm një: Kjo qendër antishoveniste sllave që thirret SHKODËR, duhej shue, duhej rrënue, duhej rrafshue, duhej qitë fare!......dhe, shihe sot si ka vojtë halli i saj!... Shkodra, deri dje djepi i Fatosave të Atdheut duhej kthye në vorr të qytetnimit evropian!
Djelmtë shkodranë pa dallim Feje, studentë, intelektualë, artistë, politikanë e jo politikanë, tregëtarë e zejtarë, puntorë e shegertë e vigaj për kah pamja, vetëm se u thonin “shkodranë”, shumë shpejt mbas vitit 1944 do të boshatisnin pjacat, shkollat, rrugicat, shtëpitë, kinematë, fushat e sportit dhe do të mbushnin birucat e Sigurimit të Shtetit komunist. Bashkë me këta azgaj do të jenë edhe mjaft vajza ku ishin ma të mirat e familjeve atdhetare shkodrane për kah pamja e ndera. Ministria e Punëve të Mbrendshme me Seksionet e Mbrojtjes së Popullit, në çdo skutë të krijueme që në qershor të vitit 1943 nga jugosllavët dhe të drejtueme gjithënjë prej tyne dhe veglave qorre, kryesisht vëlleh (shif indeksin e drejtorëve të drejtorive të kësaj Ministrie), vëmendjen e kanë pasë gjithmonë në Shkodër. Fillon me Gjush Dedën e Ndrekë Nallbanin, Ali Qorrin (Bushatin), Cuf Lohën, Lilo Zenelin, Hysni Ndojën, Qamil Gavoçin, Jonuz Dinin, Kasëm Troshanin, Pjerin Kçirën, Ylvi Dibrën, Rasim Deden, Filip Pemën, Pjetër Ballaten, Xheudet Milotin, Vehbi Fishtën, Hys Zajen dhe vazhdon me Zoi Themelin, Vaskë Kolecin, Kolec Ilinë, Hilmi Seitin, Feqorr Shehun, Rexhep Kollin etj. që të gjithë së bashku i kanë shërbye një qëllimi: TRATHTARË E ANTISHQIPTARË.
Për këtë arësye këta kriminelë të pashpirtë, terroristë e gjakatarë, kanë krye në qytetin e Shkodrës veprat ma të shëmtueme tue torturue në mënyrën ma mizore atdhetarët, gja që dokumentohet vetëm me kenjen e këtyne qendrave të torturave, spijunazhi, hetuesie, vrasjesh, zhdukje, burgje dhe shtëpi strehimi për të parainterrnuem që kishte qyteti i Shkodrës në vitin 1946:
1. Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme.
2. Hetuesia (Shtëpia e Pjetër Çiurçisë).
3. Burgu i Prefekturës (Kati përdhé).
4. Konvikti “Malet tona”.
5. Burgu i Madh pranë Prefekturës.
6. Burgu i Kishës së Fretënve (Kuvendi) në Gjuhadol.
7. Burgu i vjetër i Gestapos pranë shtëpisë së Zef Shirokës.
8. Shtëpia e Ulqinakut.
9. Kuvendi i Motrave Servite.
10. Kisha e Motrave Servite.
11. Shkolla e Çelës.
12. Podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, (nën farmaci).
13. Burgu i Çekës (sot Instituti “Nanë Tereza”).
14. Toga e Ndjekjes së Sigurimit (tek Sanatoriumi i sotëm).
15. Burgu i Postës tek harku kundrejt Xhamisë së Kuqe në Perash.
16. Shtëpia e Rrojëjve (pranë Maternitetit të vjetër).
17. Shtëpia e Guljelm Lukës, në krye të rrugës Jezuitëve (ku interrnonin).
18. Shtëpia e Dr. Karamitrit.
19. Shtëpia e Lec Shkrelit, tek Dugajt e Reja.
20. Hoteli i Bepit të Mishiqit (ishte përballë Institutit Pedagogjik).
21. Shtëpia e Guljelm Sumës.
22. Shtëpia e Sandër Saraçit.
23. Shtëpia përdhese e Vuksanëve, mbas shtëpisë së Shkrelit.
24. Spitali i burgut përballë Shtëpisë së Kulturës.
25. Spitali i burgut tek Spitali Civil sot.
26. Burgu i ushtrisë tek rekrutimi.

Gjyqet janë zhvillue në kinema “Rozafat”, kinema “Republika”, Teatri i Jezuitëve, në shtëpi të Kadukut, Pogut, Dr. Prelës etj.
Gjyqet e mbylluna janë zhvillue kryesisht tek Burgu i Kishës ose Kuvendi i Fretënve në Gjuhadol (në mensë), ndër dhomat e Shtëpisë së Çiurçisë, ku, shpesh, vriteshin, hudheshin nga dritaret dhe zhdukeshin kufomat me proces-verbale false të gjyqeve gjoja të zhvillueme aty. Qendrat e masakrave ma të mëdha janë kenë: Shtëpia e Çiurçisë, Burgu i Kishës së Fretënve, Konvikti “Malet tona”, Dega e Punëve të Mbrendshme, Shtëpia e Lec Shkrelit, podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, shtëpia e Ulqinakut, etj.
Të vetmit dëshmitarë sikur të “flisnin” do të ishin: Pema e blinit në oborrin e Kuvendit të fretënve, ullinjtë e pemët e shtëpisë së Çiurçisë, pemët e konviktit “Malet tona”, etj. që, edhe sot ndër rranjtë e kalbuna të tyne ruajnë britmat e virrmat e njerëzve të lidhun dhe të varun, që kanë derdhë gjakun e shenjtë e kanë dhanë Shpirtin nën degët e tyne. Po, sa ishte popullsia e këtij qyteti martir me 26 burgje e ndoshta, ma shumë që nuk i dij unë? - Kurrë, asnjëherë, nuk do të tregohet sa mijë vetë ishin ata që mendoheshin me u zhdukë!.... Ka me kalue një kohë e gjatë e ma e gjatë se ajo që kujtojmë na, për me dalë në dritë vepra terroriste e kriminale e Partisë Komuniste (së Punës dhe e asaj “Socialiste”) të Shqipnisë, e kryeme nga dora e Sigurimit të Shtetit gjakatar, shërbëtore besnike e Partisë Komuniste të Jugosllavisë që nga thëmelimi i saj.
Ndër krimet e shëmtueme kujtohen: Në shtëpinë e Çiurçisë: Simon Darragjati e Kolec Deda, mbasi u torturuen për një kohë të gjatë dhe nuk pranonin akuzat, u hodhën nga dritarët prej hetuesve Fadil Kapisyzi, Lilo Zeneli e Zoi Themeli. Pal Thanin e ka mbytë në torturë me duart e tija krimineli Fadil Kapisyzi.
Avokat Muzafer Pipën e kanë mbytë në torturë Zoi Themeli e Vaskë Koleci. Mbasi e kanë lidhë për karrigë të palëvizëshme me duer mbrapa, tue dashtë me i futë ndër muskujt e krahve një hekur të skuqun, i kanë prekë me hekur shtyllën kurrizore, tue i shkaktue vdekjen në çast. Mandej, kanë çue Elez Mesin me ble një pulë, e kanë therë pulën dhe kanë shpërnda gjakun e saj nëpër oborr. Kanë fillue me shtij me armë, gjoja se u vra Muzaferi tue dashtë me ikë nga hetuesia. Ma sakt e din Aranit Çela që i premtoi Muzaferit “gjysmën e lekut”, kur u takuen tek dera e Bar “Impero” (Kafja e Hardallit), kohë në të cilën Muzaferi, mbronte At Gjon Shllakun në gjyq.
Don Mark Hasit i ka mbërthye me thikë gjuhën për tavolinë hetuesi kriminel Nesti Kopali, derisa të japin shenjë se do të flasin. Kishte humbë ndjenjat nga hemoragjia. E kanë mjekue vetëm me krypë, tregonte fatziu Don Mark.
Në konviktin “Malet tona”, At Gjon Shllaku asht lanë deri në bel në ujë të qelbun në dhomën e mjedisit të ndërtesës, pa dritare dhe me zbritje 4-5 kambë shkallë, ku, dikur, ruheshin të freskëta ushqimet. Gjatë proçesit gjyqësor asht lanë aty për me thanë se kam formue Partinë Demokristjane në Shqipni. Asht pushkatue me plagë të hapuna, me mish të dërmishun e varrë që i kullonin qelb. At Bernardin Palaj i ka mbetë në dorë Dul Rrjollit e Fadil Kapisyzit, mbasi nuk i besonin fjalës së tij se asht i sëmurë me zemër dhe e torturonin me rrymë elektrike, ashtusi Simon Kraja e sa të tjerë.
Pandi Kristo pohon në burg se: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sëpse kanë qenë katolikë!...” Kur, në Shkodër Françeskani At Martin Gjoka, u fliste studentëve për muzikën e Bet-hovën, Moxart e Verdi, në Moskë, Lenini thonte: “Britmat e të burgosunve nuk i ndrroj as me Sinfoninë IX-të Bethovenit”

O SHQYPE, O ZOGJËT E MALËVET, KALLXONI!

“Kultura asht shpirti i qytetnimit”

Dy çinarë shekullor mbi një stom me emnin çinarët e Zef Zorbës, brij lumit Kir, që vazhdon rrugën e tij derisa derdhet në Drinazë brijë Kalasë Rozafat, aty ku janë ledhet e qytetit të vjetër që pjesa ma e madhe janë nën shtratin e këtyne lumenjve, më kanë shtye me pyetë: “Kush ishte Ai burrë, që vuni gurët e qytetnimit mbi këtë stom me emnin Rëmaji?”
Një fushë mbi këtë stom që ma shumë ishte zallishtë me ferra e mrina kishte tërhjekë prej kohësh djelmoçat e rinj për me u argëtue, tue gjuejtë në shenj objektet e mbështetuna në trungjët e këtyne çinarëve.
Këta dy trungje janë koleksionerët ma të vjetër të predhave që janë përdorë në armët e mbajtuna në brezat e qytetarëve të Shkodrës. Një predhë e kalueme andej Zallit të Kirit aty rreth vitin 1840, pat plagosë një ushtar turk i cili mbas pak ditësh pat vdekë. Gjuejtësi i shenjës nuk asht kenë djalë i fisit Ejllori ose Radovani prej Shiroke, por, kjo vrasje padashje i mbet se asht ba prej Pjetër Pal Ejllorit dhe i kushtoi aq shumë këtij fisi, sa prej asaj kohe pasunia, të hollat e tokët e pagueme si damshpërblim nuk u zëvendsuen kurrma në këtë shtëpi. Kjo ngjarje u pat ba shkak me u rrallue ky argëtim në atë vend. Në 10-vjeçarin e fundit të shekullit XIX-të, aty nga 1895, u vendosën disa rrethime mbrenda të cilave ishte një faltore e vogël shumë e vjetër, rreth së cilës filluen me u varrosë qytetarët të cilët nuk kishin tokë ndër vorret e vjetra në fund të rrugës së Badrave, emni i së cilës ka mbetë nga kjo lule që rritët ndër vorre. Hapsina e atij vendi filloi me joshë dëshirën për vendosje të vorreve të reja që janë edhe sot.
Mendja e një shkodrani me emnin Ludovik Zojzi, vendosi përjetësisht mbi atë stom nën ata dy çinarë ato vepra arti që janë sot aty dhe, që thirrën Vorret e Rëmajit. Kapela e atyne vorrezave u projektue dhe u zbatue nga vetë ky ingjenjer. Planimetria e bame prej tij ruhet edhe sot në familjën Zojzi.
Ludovik Zojzi ka lé në Shkodër, më 23 nandor 1910, në familjën e vjetër të Zojzakëve. Kjo shtëpi njihet për intelektualët e mirëfilltë që i ka dhanë qytetit. Keli ka përfundue shkollën tregëtare dhe ishte një kangëtar i njohtun si tenor në grupet e muzikantëve të At Martin Gjokës. Zefi, ishte dr. avokat i lauruem në Itali. Rroku, ishte një ndër etnografët ma të mirë të Shqipnisë, për mos me thanë ma i miri dhe ma i zoti. Ludoviku, mbasi përfundoi Liceun “Illyricum”, më 27 qershor 1928, dhe doli me rezultate të shkëlqyeshme spikati me sjelljen e tij shumë të mirë dhe bani për vedi përsonelin e shkollës Françeskane, i cili e dërgoi për studime në Padova, Itali. Atje, ai nderoi brezninë shqiptare për zellin dhe vullnetin me studjue. Më 10 nandor 1933, u laurue me doktoratën e ingjenjerit elektrik, pikërisht, atëherë, kur Shqipnia po bante hapat e para me dalë nga errësina shekullore. Erdhi në Shkodër si profesor në Liceun e Shtetit, deri më 1 tetor 1937. Në dy vitet e fundit të qëndrimit në vendlindje ishte edhe ingjenjer këshillues pranë Bashkisë së qytetit. Në vitin 1937, emnohet Drejtor teknik i Drejtorisë së Përgjitheshme të PTT në Tiranë, punë të cilën e vazhdoi deri më 15 shtator 1943, ditë në të cilën sapo delte nga shtëpia me shkue në punë, u vra pabesisht nga komunistët e Tiranës. Kuptohet thjeshtë arësyeja, një ingjenjer shkodran, katolik, i lauruem në Padova, familje intelektuale që nuk ishte pajtue me komunizmin, indiferente ndaj lëvizjes nacional-çlirimtare ashtu si pjesa ma e madhe e Shkodrës që etiketohet shpejt nga grupet komuniste: “..agjent, fashist, bashkëpunëtor i okupatorit e i klerit, spijun e trathtar ..” Këtë fat të zi pat edhe Dr. Ingj. Ludovik Zojzi në moshën 33- vjeçare, i formuem dhe i paisun me kulturën e shëndoshtë bashkohore. Ingj. Ndoc Naraçi, i cili e ka njohtë afër Ludovikun, mbasi ka punue me té në Tiranë, më tregonte aty nga viti 1989 se arsyeja e vërtetë e vrasjës së tij asht kenë kërkesa e komunistëve, që ai me bashkëpunue me ta, gja të cilën Ludoviku nuk e ka pranue. PTT e Tiranës ishte një ndër qendrat ma aktive të grupeve komuniste, prandej ata që nuk ishin të lidhun me këta grupe, mendoheshin të rrezikshëm për punën e tyne, duheshin “çëruar”. Kjo dokumentohët nga gazeta “Zëri i Popullit”, datë 3 dhetor 1959, në artikullin e Qeverim Çelit, ish anëtar i grupit komunist të PTT-së, i cili shkruan: “...Suksesi që arritën grevistët e Drejtorisë së Përgjithëshme të PTT-së, bëri që edhe punonjësve të tjerë t’u shtohej besimi në Partinë Komuniste dhe në udhëheqjen e drejtë të saj. Nga radhët e këtyre grevistëve u organizuan më vonë guerilet, që përlanë spiunin dhe armikun e popullit Ludovik Zojzi.” Ma poshtë shënohën edhe autorët e këtyne veprave të “suksesëshme”, organizatorët dhe kriminelët gjakatarë. Ja si vazhdon artikulli: “...Në atë kohë në Drejtorinë e Përgjithëshme të PTT-së, punonin shokët: Adil Çarcani, Fiqrete Shehu, Nikolla Profi, Mustafa Qilimi, Ilo Panduku dhe të tjerët që ishin organizatorët...”. Cili nga këta kriminelë analfabetë mund të duronte mbi kokë një ingjenjer të lauruem në Padova të Italisë? Kush nga këta fanatikë mund të shihte me sy një ish student të gjimnazit të Fretënve, apo ish nxanësin e shkollës së Jezuitëve të Shkodrës, kur detyra e këtyne grupe vagabondësh ishte shkatrrimi e shqymja nga faqja e dheut e bazave të kulturës Evropiane?
Çfarë menduan për 50 vjet kokat e mykuna me idetë marksiste-leniste e stalinjane, të edukuem antishqiptarë ndër çerdhët e imoralitetit të komunistëve jugosllavë, që vetëm dinin me vra, dhe përshëndetëshin çdo mëngjez me parullat “plumbin ballit Atdhetarëve!?” Çka i sollën Shqipnisë përveç vorrezave këta kriminelë të drejtuem nga një masu i flligtë, i dalun prej katakombëve të kabareve të Parisit, siç ishte Enver Hoxha? Çka do të mësonin nga Mugosha e Popoviqi vëllavrasësit Fiqrete Shehu, Adil Çarçani, e Mustafa Qilimi me shokë? - Vetëm me vra trathtisht mbas shpine, si vranë edhe njeni-tjetrin! Atentati i bamë kundër Ludovik Zojzit, ishte fillimi i terrorit
komunist kundër inteligjencës shqiptare që ishte formue në shkollat Përëndimore, ishte atentat kundër Evropës së kulturueme, ishte zbatim detyre ndaj mësuesit jugosllav, ishte betim për trathtinë e madhe kombëtare që po bante Partia vëllavrasëse Komuniste e Shqipnisë, kundrejt Popullit të vet Shqiptar!
Kryqat e Vorrëve të Rëmajit ishin ngacmues për nervat e fanatikëve antikatolikë komunistë. Shumë herë u projektuen plane e platforma mashtruese gjoja për ndërtime të reja, vetëm si me i shkatrrue ato vepra arti që kishte projektue dhe zbatue shkodrani Dr. Ingj. Ludovik Zojzi. Sa herë kalonin udhëheqësit e Partisë së Punës andej pari përshpërisnin nën za: “Akoma, këta këtu?!”... Ishte gjoksi i atdhetarit Gjon Kamsi, ishte Gjikami, vëllai i gjakut të Luigj Gurakuqit që nuk i tutej syni para askujt, veç, shtërngonte nofullat e i thonte hasmit: “ JO! Nuk guxoni me prekë këtë tokë se asht e bekueme me gjakun e Atdhetarëve që kanë punue dhe vdekë për Shqipni! Nuk guxoni me luejtë eshtnat e lyeme me Bagmin Shenjtë të Filip Shirokës, Kol Idromenos, Simon Rrotës, Hil Mosit, Kel Marubit, Don Ndre Zadejës, Dr. Federik Shirokës, Dr. Gjon Saraçit, Prenkë Jakovës, të Kakarriqit, Muzhanit, Topallit, Serreqit, Dedejve, Prelejve, Prennushve etj. që janë kenë gurët e thëmelëve të qytetit!”.
E dogjën një natë at Kapelë vorrezash të mbetun shkret... e dogjën një natë çatinë nën të cilën ishin Bekue sa e sa shqiptarë qyshë në rrethimin e Shkodrës, të vramë nga gjylet e malazezëve... me mauzerrët ruse... e dogjën një natë bashkë me tavolinën ku dora e Bekueme e Meshtarëve freskonte Shpirtnat e sa vetëve që nuk vdisnin, por, plasnin, se mbas atij muri rrethues të atyne vorrëve ata kishin të tretun nën pleh, pa një shenj tek kryet, Loçkat e zemrës të varruem nga plumbat e komunistëve gjaksorë!
E dogjën një natë, se, mendonin se nën atë çati, ruhën vizaret e kulturës kombëtare! E dogjën një natë, se, mendonin se ashtu bahët pluhun e hi fara e qytetnimit shqiptar! E dogjën një natë, se, kujtuen se do të rrëzohën edhe shtyllat, simbol i martirizimit!...
E dogjën një natë ashtu si librat e bibliotekave të Françeskanëve dhe të Jezuitëve!.... E dogjën një natë ashtu si shkollën ku mësonte Fishta, Harapi, Zadeja, Prennushi, Kurti, Nika.... E dogjën një natë se vrasësit kanë frikë vetëm nga vdekja!
E dogjën një natë se shumë larg u dukej se nëpër zhuri të Zallit të Kirit, përplaseshin tingujt e një kumbone që binte në një anë edhe nën dhé... e do të lajmëronte ringjalljen! E dogjën një natë, por, harruen se, thëmelet e Krishtënimit nuk prishen dhe as nuk digjen!
E dogjën një natë, por, harruen se mbi ato shtylla asht ende tymi i kemit, djegë në Lavdi të Zotit! E dogjën një natë, por, harruen fjalët e Meshkallës, se ka dymijë vjetë që digjni Ungjillin!
E dogjën një natë, por, harruen se nën atë tokë vlon gjaku i Ded Gjo’ Lulit me shokë! E dogjën një natë, por, harruen “me djegë” edhe Don Simon Jubanin!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora