Shtesë » Historia
Fritz Radovani: Një monument nën dhé (I)
E shtune, 09.08.2008, 03:58 PM
Fritz Radovani de Angeliis
Një monument nën dhé
At Mati Prennushit O.F.M.
Në prag të 100 vjetorit të Meshtarisë,
që, me guxim e nderë iu kushtue Atij Ideali
për Fé e Atdhé e, pa i shkrepë qerpiku....
...VDIQ SI ME LÉ!...
Autori
Bibloteka “Imzot Lazër Mjeda”
Libri 14
Recensent: Prof. Dr. Zef Mirdita; Dr. Don Shan Zefi
Lektor: Prend Buzhala
Boton: Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci, Baboniceva 12
Melbourne 2oo4
Parathanje
“As ma pak e as ma shumë se ajo që kam dijtë me kohë, se,
komunistët janë veç trathtarë!...” Don Lazër Shantoja (Shkodër, Sheldijë, 26 Janar 1945)
Në sistemin komunist një rrashtë e shprazun nga armët trofé
e, në ballë e shkrueme me gjakun e saj fjala “çlirim”,
ka ma shumë vlerë,
se një kokë e skalitun,
me Idealin:
Fé, Atdhé, Përparim.
NUK DUE ME E BESUE!
Nën rêtë e zymta si futa të shoh vetëm Ty! … Mbajtë me dy pyka që tokën e kanë plasë. Ujt’ e zi rrëkajë shkon n’për të thyemet e gollëve të saja.
Prej majës së malit, atjé në kupë të qiellit rrokullisën gurë e, në tëposhtë nëpër kalldrame përplasën tue sjellë me vedi gjamë, ushtim’ e rrënim, ashtu si lumi i rrëmbyeshëm e i harlisun që përmbytë pa mëshirë të pambrojtunit e shkretë... As diell, as hanë nuk shoh, veç rrëfé që shkrèp pa dá e natën ditë ma ban...
... Sa me të pa Ty!...
... N’ dy druj tërthuer që më shndritë ...
... Lavdi e thurun në ferra!...
Tèj për tèj ku eshtnat lidhën dy e, dhimbja në shpirt të piskatë ...
... Aty, të kanë mbërthye ...
A THUE EDHE TY TË KANË GOZHDUE SHQIPTARËT!?
Padova, Tetor 1995.
Tiranë, 13 Tetor 1943,
Ora 13.13’.
SHTËPIA NR. 173, NË RRUGËN E KAVAJËS…
Edhe pse isha vetëm 3 vjeç, e kujtoj si tashti…
Një zhurmë e mnershme, shurdhuese, vinte si gjamë prej qiellit, e dukej se po na merr me vedi bashkë me pullaze, oxhakë, hatlla e trena, tue rrënue e prishë murët prej qerpiqësh bashkë me dyer e dritare.
Krizmat e xhamave të thyem përzihëshin me uturimat e avionëve anglezë, që pa pikë mëshire, hidhnin bomba mbi krenat tonë, që nuk merrnim vesh asgja se çka po bahej mbi né e pranë nesh. Ashtu si ishim në atë sofër të asaj të zezë drekë, pa u çue mirë e me kafshatë të fundit në gojë, u drejtuem nga shkalla për me zbritë në podrum.
Ajo ishte pamja e vetme e fundit e babës së gjallë, kur u çue në kambë me një vile rrushi që kishte në dorë, më tërhoqi prej krahu…e nuk di gja ma gjatë….veç, për pak çaste, rá në fundin e shkallëve dhe, i shtrimë ndër pllaka të korridorit, përballë derës kryesore të hymjes, u mbulue me gjak. Pizhamat ngjyrë banane, me polseta e kolet të zi, i tërhiqja me sa forcë kisha n’atë lamë gjaku, tue thirrë: “BABË , ÇOU !”
Prej skeçes së një bombës, që ra në oborr dhe hyni nga dritarja në gjysmën e shkallave dhe preku anën e djathtë të ballit të tij, tue përshkue trunin, e tue dalë mbas veshit të majtë (si më tregonte nana ma vonë), kishte marrë fund gjithshka. Nana vërriste me një britëm kushtrimi :”Kuku, Kolë,...shka të gjeti...rrezikziu ti...!” E, nësa rrihte kryet me grushta, tue kja, thërriste:
”Kolë...si më lé!”. Unë vetëm vështroja me trishtim e, pa kuptue asgja ma gjatë, i strukun për fustan të nanës, veç tue pritë kur po pushonte zhurma, rrëbeshi e, po kalonte drama. Nuk di sesi u hap dera, veç kujtoj një prift, me këmishë të bardhë dhe të shkurtë, që hyni mbrendë, nëpër atë breshën bombash, me një gju në gjak, u ul pranë babës, përshpëriti diçka…! Unë mendova se po e çon babën prej atij pellgu gjaku,…por kishte mbarue gjithçka. Prifti nuk iku për pak kohë, derisa nanës i erdhi axha i saj At Mati Prennushi, i cili kishte marrë vesh fatkeqësinë e madhe që e kishte gjetë shtëpinë tonë, e kishte vrapue edhe Ai me kenë pranë nesh. Prifti doli me vazhdue vojimet ndër rrugët e Tiranës, të lame me gjak nga qindra të vramë e të copëtuem. Rreth vitit 1962 pata marrë vesh prej nanës, se prifti që i bani babës Shartët e Fundit, ishte kenë At Pjetër Meshkalla. Pikërisht atë vit u njoha afër me té, mbasi pat dalë prej burgut, mbas 15 vjetëve të para që kishte kalue në burgun e Burrelit.
Natën që baba vdiq, u nisëm për Shkodër bashkë me nanën, At Matinë, dajën Paulin dhe disa ushtarë që erdhën për siguri rruge nga plaçkitjet që baheshin tek ura e Zogut, (flitëj nga çeta të vogla partizanësh). Mërritëm vonë, aty nga ora 10.00 e natës. Kujtoj se të nesërmen, baba ishte i veshun ushtarak me tesha ngjyrë gri, në një shtrat të bardhë hekuri i rrëthuem me lule të bardha. Shumë vetë përrreth vajtonin. Vaji e gjamët me kishin topitë. Di se dikush më çoi hopa dhe unë i putha faqën. Ai ishte aq i ftohtë, sa nuk mund ta harroj kurrë atë akullinë që edhe sot ma përqeth trupin.
Babën, nuk e pashë, as nuk e putha dhe, as e pëqafova kurrma…!
Ai u varros në Rëmaj, me një funeral madhështor, që drejtohej nga Don Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës, pothuaj gjithë Kleri Katolik me murgesha e xhakoj, përsonalitete civile dhe ushtarake, gjithë qytetaria e Shkodrës dhe mbarë Shiroka, vendlindja e tij. Ndonse vdiq shumë i ri, 40 vjeç (datlindja 5 fruer 1903 ), pak ditë para gradimit me gradën nënkolonel, një ushtarak i lartë gjerman i gjendërmarisë, ndër varreza ka thanë këto fjalë: “Sikur Shqipnia të kishte 10 ushtarakë të përkushtuem dhe atdhetarë, si major Kolë Radovani, komunizmit nuk i kishte bijtë as fara tek ju!”. Nanën e kujtoj pothuej gjithmonë me tesha të zeza. Kam pas kujtue se koha asht kenë ma e shkurtë por isha gabue, mbasi plot 1 vit mbrapa më 29 nandor 1944 u vesh gjithë Shqipnia me të zeza, pikërisht atë ditë kur patën hi “këta”.
SHKAMBI I LATUEM
“Mbrojtja ma e madhe e
nacionalizmit, ishin gjoksët e
shkodranëve”.
GINO BERRI
“Rrethimi i Shkodrës”
Tetor 1912 - Prill 1913
Thonë kur plasë një shkamb, i ka plasë zemra njenit prej zotave...
Si vizë e hollë, sa fija e flokut duket ajo plasë mjedis atyne Alpeve, që thirren Bjeshkët e Nêmuna, prej nga buron ai lumë që edhe emnin e ka të fshatit prej ku gurgullon. Asht Kiri, gurra e të cilit mjedis atyne krepave e gërxhave poshtë e përpjetë të kujton hova-hovet e xhubletës që ulën e çohen ndër ato shpate malesh, ku, gjithkund, duken se marrin një përrue gjaku me vete. Rrjedha e tij gjarpnushë gjithmonë e trazueme nga shkëmbejtë shekullorë që shpesh e përpijnë në gollet, zgavrrat e gomnat e veta e bajnë me shkumzue si kali në vrap e, të bardhat dallgë përzi me ngjyrë zafiri mëshehën nën trungjet e rrëzueme të pishave, që dalin porsi krye gjarpni nga strofulla tue thye qafën tëposhtë e nëpër zallishta.
Malësorët shalgjatë porsi azgaj ndjekin rrjedhën e tij, me ra në qytet. Aty-këtu për me i zbutë lodhjen vetës kalojnë prej shkambit në shkamb mbi një a dy trena çift, të latuem me spatën a këmesën e tyne shekullore. Këtyne trupave u kanë vu emnin ura ku kalohet si mbi një tra ekujlibri, veç se janë mësue, se një rrëshqitje kambe të ban mos me u pa ma në këtë jetë... Rrugët mbi gurë bajnë punën e vet. Dikund, nën ndonjë pishë, gështenjë ose ah asht shenja e pushimit: Një Kryq që u përtrinë forcën e, sikur, u thotë: ”Qëndro, se mërritëm!”. Dredhet një cigare, ndërrohën kutitë e duhanit simbas zakonit, dikush ha një kafshate bukë kakini me shka ka falë Zoti i ulun mbi cung apo gurë të lmuet në atë fresk pranë zhumhurit të lumit, që në fund të shpërlanë edhe fytin. Si me komandë çohen e vazhdojnë rrugën. Bukuria e lëvizjes së çakçirve dhe e hedhjes së xhubletës prej flladit të erës, murrlanit ose veriut e bajnë aq të ambël egërsinë e pejsazhit, sa sfondet e përgjakuna nga ngjyra e shqemës apo errësina e gjelbërimit plak, lidhen me qiellin gri me një brez të bardhë, majet e malëve që të largojnë frikën, tue ndejë mbi to bash si të ishin kësule malësori të vumë nga vetë dora e Zotit. Janë malet që u përkasin vetëm atyne, sëpse, siç thonte Fan S. Noli: “Mbetnë Katholikë vetëm Malësorët e Veriut me armë në dorë”.
Aq sa të shuejnë etjen e të kënaqin shpirtin me atë ujë të kulluem brilant e të freskët, të gjithë përrojet e lumejtë e atyne zonave të shtijnë mnerën në kohë pranvere e vjeshte me pabesinë e vërshimit tyne.
Mbushen e shprazen për pak minuta tue rroposë çka u del përpara si bisha të tërbueme. Mjer ai që e provon zemrimin e këtij lumi që shkrep si rrëfeja kur përplaset për Stom të Golemit e zbret nëpër atë ultësinë në verilindje të Shkodrës, që ka emnin e tij: ZALLI I KIRIT e, që, kur shkapetët për pendë të duket si të kishte dreqnit mbrendë. Gurët e vumë njeni mbi tjetrin, shpesh të rrethuem me rrjeta teli, janë vendosë për me i ba ballë rrëbeshit e me i pritë hovin përmbytjes së pamëshirëshme të tij. Penda e Kirit jo vetëm asht mburojë e Fushës së Rëmajit por e krejt qytetit të Shkodrës, që, si për çudi, rrëthohet prej një patkoni ujnash që asnjëherë nuk e kanë rrënue. Kiri derdhët në Drinazë, Drinazi në dalje të Bunës i shtërnguem nga pesha e randë e Taraboshit që shpërthen Liqenin e Shkodrës. Shpesh, kur shtohen ujnat e Drinazit i zanë grykën liqenit tue përmbytë krejt bregun e Bunës deri në Velipojë prej ku shprazen në det.
Pra, qyteti i Shkodrës, prej verilindjes e deri në veripërëndim gjithkah rrethue me ujna, merr pamjen e një luani të shtrimë përtokë me kokë përpjetë, Kështjellën Rozafat, gjithmonë në vështrim. Rreth e rrotull asht me male të çveshuna, ranë e zallishtë e zbritun poshtë prej këtyne lumejve që shinat e shumtë shpesh i kanë mbushë shtretnit e tyne, tue përmbytë përreth dhe tue u ndrrue drejtim. Nga veriu Cukali e Maranaj deri ku nxjerr synin dielli në lindje, në mal të Sheldisë, venë cakun e Alpeve e poshtë Taraboshi mburret: “Dielli flenë mbas meje!”. Ndonjëherë Kiri ka kërcënue qytetin, tue ba pré një pjesë të tij.
Vërshimet e befasishme nga kallamat e Kol Xhuxhës, tue zbritë çka merr Arra e Madhe e Perashi bashkë me Pazarin e vjetër, për pak minuta janë gjetë të zhytuna nën ujë, pa harrue me lanë në kopshtije e hajate të shtëpive të kësaj zone, nga një pëllambë lym e lagështinë të përhershme ndër thëmele. Dallgët e liqenit përplaseshin për kodrat e Tepës e deri në Luguçesme, tek vorri i Sheh Shamisë. Shtëpijat e dyqanet e vjetra të qytetit të dikurshëm dukeshin si plaçka të mbetuna mbi ujë. Mjedis Pendës dhe murit të vorreve ishin gjurmët e lumit të dikurshëm, një zonë me zall e kaçuba mrinash, murrizash e ferrash, ku, nuk ndihej tjetër veç zane fëmijësh, gardalinash, babilash e trumcakësh.
Trapola të vendosuna aty-këtu me kapakë të hapun, ndërsa djelmoçat e të gjitha moshave mëshehëshin ndër kaçuba, në pritje të përplasjes së kapakëve prej zogjve fatzez që mbyllin jetën e tyne ndër kafaza. Si duket, zogjët e rinjë të kapun e të mbuluem me shamia për me ia largue dëshirën e përplasjes për me dalë prej kafazit, por, njëkohësisht, tue i ndalue lirinë dhe dritën e diellit, ndillshin diçka që nuk ishte fort larg.... Në mbramje binte qetësia. Shihej vetëm ndonjë çoban tue fishkullue mbas dy a tri delesh, ose ndonjë çobaneshë, që bante rrugën e përnatëshme të saj e shoqnueme prej furkës tue tjerrë lesh për xhupat e dimnit të egër, me akull e borë të pandame. Kalonin kah toka e Zef Sylës e shkonin në drejtim të lagjës “Skenderbeg”, të bame bardh prej pluhunit. Nata i xente ndër ato baraka të ngrata nën dritën e mekun të kandilit me voj-gurit. Kah e vona mbështetnin shpatullat për dyshekët e mbushun me sânë të shtruem përtokë.
Grupe-grupe njerëzish këthenin për të gjatë Zallit tue këndue:” Po vjen përëndimi!”, ”Në liqe të Shkodrës”, ”Loredan, Loredan” ose ”Nëpër terr që lëshonte nata”.... Ishin të gëzuem prej shëtitjes së asaj dite në Bardhej, një fshat andej Kirit i mbuluem me pemë frutore, vneshta e ullinj. Mendohej edhe për pleqtë tek shtëpia. Ushtorët ua mbushnin shportat plot e përplot me fiq e rrush, për me ua lagë gojën edhe të pamujtunve me shkue atje. Flladi i erës e hidhte zanin dikund atje larg por, që vinte e ulej në shenj respekti, kur ata i afroheshin murit të vorreve. Në ditët e verës për djelmtë nuk mungonte edhe kënaqësia e ujit të freskët, garat e kërcimit nga stomi, stilet e notimit dhe në fund me gur rrasikë baheshin “petulla” në ujë. Me të vërtetë një kënaqësi!....
Zalli atëherë ishte i bardhë e vezullues gja që tregonte se mbretnonte pastërtia që sillte stina e vjeshtës dhe e dimnit, që i lante ata gurë një nga një me kujdesin ma të madh e që në atë hapsinë të pafund prej shkëlqimit të rrezeve të diellit, dukeshin si badema nusjet. Mbi stomin e Fushës së Rëmajit ngrihën dy çinarë shekullorë. Madhështia e tyne frikën e vdekjes e ka kthye shpesh në përjetësi. Ishte i pari Don Gjon Gazulli, që provoi tmerin dhe madhshtinë e vdekjes nën ata dy çinarë.
Nën degët e tyne, kufizohen vorret e Rëmajit të popullatës katolike të qytetit, që zunë vend aty nga viti 1895. Pamja e tyne me ato selvi karakteristike ishte asqyrë e kësaj popullsie që edhe pse e pakët në numër punoi shumë për me sjellë qytetnimin evropian në Shqipni. Prof. Sami Repishti shkruen: ”Shqiptarët katolikë janë përpjekë për shekuj me radhë të sjellin në Shqipni frymën civilizuese të Evropës, mendjet e ndrituna të kontinentit, arritjet e pakrahasueshme në fushën e mendimit njerëzor, të krijimtarisë letrare artistike, të shkencës dhe të teknologjisë dhe të organizimit politik të shtetit modern, që siguron zhvillimin e përparimin e njeriut të lirë” (përshëndetje në përurimin e kishës shqiptare në Harstdale, New York, më 25 prill 1999). Deri vonë mendohej nga komunistët me i shkatrrue ato vorre, mbasi kenja e Kryqave aty u dukej se i ka zanë rrugën e nisun.
Nga Kisha Kathedrale drejt veriut asht rruga e Ballabanës. Kjo rrugë rrahët ma shumë se asnjëherë në fillimin e nandorit, javën e të Shuemve, kur ajo merr pamjen e pjacave tona por me një ndryshim, se fëtyrat e kalimtarëve janë të vrajtuna dhe ndër duer kanë tuba lulesh ku janë ma të bukrat dhe ma të fresktat e oborreve të shtëpive shkodrane, që nuk u kanë mungue në asnjë stinë të vitit. Ato ditë secili mendon për një kunorë shemshirësh, të gërshetueme me lule korclla e drandofille. Uratët, lutjet e lotët nuk prajnë pranë atyne që pushojnë në atë paqë të përjetshme, nën tingujt e përmortshëm të kumbonës që rrah në njenën anë, tue na grishë: “Eni, eni e lutuni për né, se të gjithë për këtë rrugë jeni!”.
E tham me bindje se çka përfshin syni prej Majës së Zabelit e deri në Kep të Paganës e, ku ka gurë e dhé, zall e ranë të trojeve shqiptare, të tana janë të lame në gjak. E, pse kështu? Vetëm që Shkodra të zgjohej nga shprazjet e automatikëve e mitralozëve mbi gjokset e Atdhetarëve dhe ta merrte vesh njëherë e mirë, se, komunizmi nuk asht tjetër gja, veç kob, terror, vëllavrasje e mjerim! Shpesh, më kujtohet një Nanë e kapun për dru, me faqe mbështetë për kambë të përgjakuna, kah i plaste zemra. Me duert e Saja lëmonte gozhdën e ftohtë si akulli...
Futa e zezë nuk më lente me ia pa fëtyrën...
AJO ISHTE NANA SHQIPNI, që edhe sot ecë e marrakotun. Kot kërkon në tokën Arbnore të njomun me lot e tamth të birin që, dikur, e pat fashue për djep me duert e Saja. Me atë brez që e shtrëngonte Nana asht edhe sot i lidhun brryl në brryl me tjerë Fatosa, ndër duer me dryj e vargoj, pa asnjë shenj tek kryet!....
Lotët e Saj rrjedhin thellë në tokë, e mbushin dy zgavrra pa dritë atë botë. Ajo i fal dritën e syve të Saj nëpër gjurmët e lotëve që derdhen rrëkajë ndër gurë e ferra, pikërisht, aty, ku edhe sot Ajo ndigjon tik-takun e zemrës së shporueme, që vazhdon me rrahë ma fort se zemra e Saj e thame, e zharitun dhe e plasun.
Kërkon nëpër zhavor e gjen dhé e baltë, kërkon nëpër dhé e baltë e gjen zhavor, ashtu si kërkova edhe unë me duert e mija e gjeta ZALLIN E KIRIT, të mbrujtun.... të ngjeshun... të fortë e të bamë SHKAMB.
AI SHKAMB SOT ASHT NJË MONUMENT.
Ai asht nën dhé ...... Ai, edhe pse sot asht nën dhé, njëditë do të ngrihët lart!
Po, po, do të ngrihët shumë lart.... madje, edhe ma lart se vendi prej ku Kiri solli zhavorin e guralecat e tij në këtë Zallë!.... Ai, do të ngrihët fort lart, se Ai,.... asht i mbrujtun me gjakun e Martirëve të Kombit Shqiptar!