Shtesë » Historia
Zhamë, ku fantazma e Mustafës vazhdon të ndjekë nga pas banorët
E shtune, 09.08.2008, 06:32 PM
E konsumuar 26 vite më parë me gjithë vrazhdësinë e një ngjarjeje nga ato që mbartin në bark një varg kufomash të përgjakura, historia e Xhevdet Mustafës vazhdon të sjellë frikë në fshatin Zhamë të Lushnjës. Një frikë që të përplaset në fytyrë krejt papritmas, në një kohë kur gjithçka të fiksohet në mendje me përmasa të largëta e të konsumuara për shkak të kohës së rrjedhur.
Nga të dërguarit tanë në Lushnjë, Afrim Imaj, Ferdinand Dervishi
Në fakt, ngjarja mbase më e bujshme e këtij lloji e kohës së komunizmit duket nuk ka aspak ndërmend të mbetet në harresë. Kjo sepse, pas ndërrimit të sistemit, në fshat, si të mbirë nga nëntoka, kishin zbarkuar të afërm të Xhevdet Mustafës, të interesuar për t'i ngritur njeriut të tyre një përmendore, pikërisht në vendin ku ai u vra. Një tentativë që në të gjitha rastet kishte hasur në kundërshtinë e fisit të Sulajve, të cilëve ai u vrau njeriun e afërt dhe terrorizoi familjen. Për më tepër, shtëpia e Mersin Sulës, edhe pse e ndërtuar nga e para, kishte ende një pllakë përkujtimore, ndërsa pak metra më tej ishte edhe ajo e një oficeri ushtrie të ekzekutuar po nga Mustafa. Koha e ndryshuar, qyshkur në vitin 1990 ndërroi kurs edhe regjimi komunist, kishte nisur me tentativa herë të suksesshme e herë të pamerituara për të devijuar adresën e meritave. Në këtë rrjedhë, të afërmit e Mustafës pretendonin që t'i ngrinin atij një përmendore, duke argumentuar se qëllimi për të vrarë Enver Hoxhën ishte krejt fisnik dhe synonte që pas kësaj të sillte një tjetër fat për të gjithë shqiptarët. Ky pretendim do të sillte një gjendje të nderë, madje ndjenja frike mes familjarëve, që dikur i shërbyen Mustafës si mburoja të gjalla përpara forcave të shumta që e kishin rrethuar. Por gjithsesi, kjo është një histori që del me vonesë, pasi duket shtrëngohet në një numër të kufizuar njohësish. Sepse, jashtë familjes Sula, në fshat pothuaj askush nuk e di, pasi të gjithë vazhdojnë të jetojnë ende me një zhvillim të vetëm, me ngjarjen 26 vjet të vjetër.
Këndej erdhi Xhevdeti
"Këndej erdhi Xhevdeti, me një veturë. Ndaloi te kandari i madh i magazinave të grumbullimit, sepse pa përpara në rrugë disa policë...", rrëfen Isuf Nuhu, një 87-vjeçar me origjinë nga Çamëria, banor nga më të vjetrit, madje themelues i fshatit Zhamë të Lushnjës. Sipas rrëfimit të plakut, asokohe ngjarja sikur të kishte rënë nga qielli, kishte shokuar gjithë fshatin mesditën e 26 shtatorit 1982. "Me sa dëgjuam në atë kohë, ata do të ishin nisur me kohë për në Tiranë nga stacioni i Rrogozhinës, sikur të mos kishte ndryshuar orari i nisjes së trenit. Sepse u ekspozuan shumë duke pritur. Orari ndryshonte gjithmonë në këtë periudhë të vitit", hidhet në bisedë Abdyl Hasani, pronari i një minimarketi në qendër të fshatit, që gjendet në afërsi të kandarit, vendit ku Xhevdeti zbriti nga makina. Pasi kishte vënë këmbët mbi tokën e fortë, njeriu i veshur me një bluzë të zezë dhe me një pistoletë me silenciator në dorë, ishte drejtuar duke rendur zyrave të një brigade frutikulture, që gjendeshin mes vreshtave dhe me të mbërritur aty kishte hapur zjarr. Më tej ishte larguar për t'u futur në shtëpinë e Mersin Sulës, e vetme në atë faqe kodre. Në brendësi kishin qenë vetëm fëmijët, ndërsa të atin e tyre Xhevdeti e kishte vrarë teksa tentonte të hynte. Madje, kufoma e tij ishte dergjur për disa orë në fillim të shkallëve. Rrethimi ndërkohë ishte vendosur. Banorët, kush me armë e kush vetëm, për kuriozitet i ishin afruar shtëpisë, aq sa i kishin lejuar forcat e ushtrisë dhe të policisë. Të njëjtët janë bërë dëshmitarë të negociatave për të liruar fëmijët, të incidenteve dhe të pranisë së ish-ministrave Kadri Hazbiu dhe Hekuran Isai...
Nga i pari tek i fundit, banorët e Zhamës rrëfejnë sipas njohurisë së tyre copëza të aksionit të ngjarjes. Kështu deri kur trokasim në shtëpinë e ngritur mbi rrënojat e asaj ku ndodhi ngjarja. Skënder Sula, një ish-polic dhe njëkohësisht nipi i të zotit të vrarë të shtëpisë, vihet në siklet kur pyetet për ngjarjen. Madje, me kalimin e momenteve bëhet edhe më i pakuptueshëm. Pretendon se gazetarët nuk kanë të drejtë të shkruajnë më për këtë ngjarje, se në disa raste i ka kthyer ata mbrapsht, se plagët nuk duhet të hapen, se familjarët nuk dëshirojnë të bëhen publikë, pasi kanë hallet e tyre e të tjera të ngjashme. Shkurt nuk hap rrugë, madje nuk lejon shkrepjen e aparateve fotografikë. Përfundimisht kthen kurrizin pa tentuar as tokjen e duarve.
Plaga e hapur
"Ka të drejtë Skënderi. E kanë pasur këto kohë një hall të madh ata...". Një burrë rreth të gjashtëdhjetave, që ndeshëm në dalje të Zhamës, na mbajti për një çast frymën. Njeriu që tha se quhej Llaqi Petro, na shpjegoi se dikur kishte qenë polici i zonës dhe se ende vazhdonte të kishte lidhje me njerëzit e saj dhe, për rrjedhojë, edhe me historitë e tyre. Me të mësuar për qëllimin e vizitës, ai u fut menjëherë në temë dhe filloi të fliste me një siguri të plotë për zhgënjimin tonë pranë shtëpisë, ku 26 vite më parë Xhevdet Mustafa shkroi aktin e fundit të aventurës së tij. "Janë plagë të vjetra, të cilave u janë shtuar të reja miqtë e mi, prandaj nuk u kanë pritur mirë", vazhdoi ish-polici duke na bërë edhe më tepër kuriozë.
"-Por ai njeriu, Skënderi, ishte shumë i ftohtë. Të paktën të ishte treguar i sinqertë..."
"-Ka të drejtë. Ka të drejtë, se u kanë rënë boll në qafë. E vërteta është se të afërmit e familjes që Xhevdeti mori peng, aty rreth vitit 1994, ndoshta edhe më pas kanë pasur probleme me njerëzit e Xhevdet Mustafës. Donin të ngrinin një përmendore...".
Pasi ka peshkuar një kuriozitet maksimal, Llaqi Petrua nuk nxitohet. E merr shtruar shpjegimin. Sipas tij, menjëherë pas përmbysjes së komunizmit, edhe për historinë e Xhevdet Mustafës kishin nisur të frynin erëra të tjera. Kështu që nëse deri në këtë kohë shumëkush ishte vënë në garë të merrte meritën e ekzekutimit të drejtpërdrejtë të Xhevdet Mustafës, ishte radha që familjarët e këtij të fundit të pretendonin për lavdi. Pasi, sipas tyre, Xhevdeti sakrifikoi jetën e vet për qëllimin fisnik të eliminimit të Enver Hoxhës, një diktatori që ishte shkaktar i vuajtjeve të një populli të tërë. Por përpara se të afërm të Xhevdet Mustafës të trokisnin në portën e shtëpisë ku ai ishte vrarë, në fshat kishin ndodhur edhe disa incidente të vogla. Duket sjellja me shenjat përkujtimore të kohës së komunizmit e kishin trazuar njeriun që dikur kishte bërë kryepolicin. "Në fillim u prish lapidari i Shkurte Pal Vatës në Dushk, në vazhdim ai i Brigadës 23 Sulmuese, më vonë memoriali i Tomorr Zylos, atij oficerit të ushtrisë që vrau Xhevdet Mustafa në Zhamë", rrëfen ish-polici.
"-Po ofensiva mbi përmendoret e komunizmit ka ndodhur kudo. Ishte si një lloj fushate, menjëherë pas rrëzimit të monumentit të Enverit".
"-Ka ndodhur, po jo si në Zhamë. Ky fshat nuk ka qenë si gjithë të tjerët".
Sakaq Llazi Petrua vijoi me atë që e quante shkëndijën e një zjarri të padukshëm. Gjithçka për të kishte nisur kur njerëz të panjohur kishin prishur përmendoren e vrasjes po nga Xhevdet Mustafa të Mersin Sulës, që gjendej te porta e shtëpisë së tij. Sipas ish-policit, vetëpërmbajtja e familjarëve me idenë për ta ribërë përsëri, do ta qetësonte vetëm për pak ditë situatën. Po ata që kishin vënë dorë te memoriali i Mersinit, nuk mjaftohen me kaq. Llazi Petro rrëfen se aty nga viti 1994, në fshat u shfaq një grumbull njerëzish të ardhur nga larg. "Thanë se ishin miqtë e Xhevdet Mustafës dhe se do të bënin përmendoren e tij pikërisht në vendin ku ai ishte vrarë në vitin 1982. "Madje, duke kërkuar njëherazi veç vendvendosjes së përmendores së Mersinit, edhe vendin e shtëpisë ku u bë beteja e fundit", kujton Llazi Petrua. Ka mjaftuar kaq, sipas tij, për t'i vënë Sulajt në pozita të vështira. "Gjithsesi është një histori që e dinë një numër i pakët njerëzish. Sulajt qëndruan të fortë përballë këtyre kërkesave dhe u duk sikur ideja e të afërmve të Mustafës u rrëzua. Të paktën këtë ka treguar koha. Gjithsesi kjo ngjarje ka bërë që Sulajt të jenë tepër të kujdesshëm, madje ekstremisht të vështirë përballë kujtimit të kësaj ngjarjeje. Prandaj edhe ju kanë pritur ftohtë", përfundon ish-polici i zonës.
“Ishin dy ministra përballë Xhevdet Mustafës”
"I pari mbërriti Kadri Hazbiu, pastaj Hekuran Isai. U vendosën 20 metra përballë shtëpisë ku ishte Xhevdet Mustafa. Hekurani i rrethuar me policë mori megafonin dhe filloi t'i bëjë thirrje për t'u dorëzuar. Kadriu urdhëroi komandantin e tankeve për t'iu afruar shtëpisë. Ata të dy vetëm ishin urdhërdhënësit në atë amfiteatër luftimi. Por edhe midis tyre ndjehej njëlloj ngërçi. Hekurani herë pas here preferonte t'i rrinte në distancë Kadriut dhe linte të kuptonin për vartësit e tij se duhej parë me rezervë çdo komandë e tij. Kështu vazhduan gati dy orë në tension e ankth. Ndodhi një moment kur Kadriu qortoi nismën e Hekuranit për të hapur zjarr në drejtim të shtëpisë. I dyzuar për të njëjtin urdhër ish-ministri i Brendshëm, u kthye me mospërfillje nga Kadriu si për t'i thënë se çfarë duhej bërë. Aty për aty ministri i Mbrojtjes, i cili i kishte ditët e fundit në detyrë, urdhëroi për të sjellë përballë Mustafës familjarët e tij që ishin në Durrës. Ishte një ide e mirë që çliroi disi ankthin e atyre çasteve. Sidoqoftë, Xhevdeti e humbi një moment durimin dhe ia futi vetes...".
Është ky rrëfimi i Lulëzim Hitajt, radistit personal të Kadri Hazbiut, që thotë se edhe ai atë ditë ka bërë detyrën e fundit në shërbim të tij.