E merkure, 04.12.2024, 07:08 PM (GMT)

Shtesë » Historia

“Momentet kur vëzhgoja Xhevdet Mustafën që mbante peng familjen”

E diele, 10.08.2008, 06:33 PM


“Ehh!, ishin kohëra të tjera. Tani asnjë polic nuk të lë në duar pistoletën personale... Kështu e nis rrëfimin Muharrem Berberi, me moshë e pamje që tregojnë se ka kaptuar të pesëdhjetat, por me shumëçka rinie, madje fëmijërie, në atë që përcjell.

Nga të dërguarit tanë në Lushnjë/ Ferdinand Dervishi,Afrim Imaj

Rrëfen historinë e 26 shtatorit 1982, kur në fshatin e tij Zhamë, të Lushnjës, Xhevdet Mustafa, njeriu që kishte zbarkuar në Divjakë, me qëllim që të vriste Enver Hoxhën, përfundimisht ishte rrethuar në një shtëpi banimi. Rrema, asokohe 30-vjeçar, kishte rendur drejt vreshtit të fshatit, për atje ku dëgjoheshin krisma pushkësh, krejt të rralla e të pazakonta për veshët e banorëve të zonës. Madje, këmbët e shpejta kishin lënë pas edhe tanket e ushtrisë të ardhur nga Kolonja, si dhe të gjithë pushkatarët e fshatit. Ishte një nga djemtë më të shkathët të Zhamës dhe nuk mund të linte rastin t’i ikte duarsh. Ai duhet të tregonte, qoftë duke u mburrur para shokëve të një moshe, të nesërmen, se sa pranë ngjarjeve kishte qenë. Por pa llogaritur kurrë se rrethanat, por edhe formimi i tij do e cytnin të ndërmerrte një aventurë të pazakontë.   
Vrima në tavan
“Kur më dëgjoi se kisha vendosur të ngjitesha mbi çatinë e shtëpisë, ku Xhevdet Mustafa mbante peng pesë fëmijët e familjes Sula, një polic që gjendej pranë më dha pistoletën e tij. E mbushi dhe ma zgjati. Tani ky veprim as që mund të konceptohet, por ja që në atë kohë, nuk ishte një problem. Të gjithë konsideroheshin ushtarë përballë një ngjarjeje të tillë”, nis rrëfimin Rrema. Pas kësaj djaloshi muskuloz ishte përvjedhur në anën e pasme të shtëpisë së Mersin Sulës dhe ishte ngjitur në çati pa ndonjë mundim të veçantë, pasi ndërtesa ishte e ulët. Deri në këtë kohë Xhevdet Mustafa kishte qëlluar dhe vrarë të zotin e shtëpisë, Mersinin, që ishte duke zier rakinë në bahçe. Madje e kishte qëlluar në kohën kur ky i ishte afruar banesës, duke mbajtur në krahë një kovë me ujë, të mbushur në pusin që ishte pak më poshtë banesës, që i shërbente për të ftohur llullanë e kazanit të rakisë. Pak minuta më pas, Mustafa, me një plumb të vetëm kishte vrarë edhe një oficer ushtrie, Tomorr Zykajn, i cili i ishte afruar shtëpisë me një tricikël përmes një rruge të vreshtit. Në brendësi gjendeshin vetëm Xhevdet Mustafa dhe pesë fëmijët e mitur të familjes, pasi e ëma e tyre ende nuk ishte kthyer nga puna në fermë. “Më të më parë që u ngjita në çati, të gjithë mbajtën frymën. Kështu që mu desh të lëvizja tjegullat, duke u munduar të bëja sa më pak zhurmë”, rrëfen Muharremi. Një çast më vonë guximtari futet në tavan dhe në mes të njërës prej dy dhomave nis të gërvishtë llaçin e mpiksur për të parë se ç’po ndodhte në brendësi të shtëpisë, ose për të parë atë që askush nuk kishte mundësi ta shihte, përkundër dëshirës shumë të madhe. Shpejt vrimëza formohet, por duket copëzat që bien poshtë i tërheqin vëmendjen Xhevdet Mustafës, që duke kujtuar se sipër mund të ishte një polic apo një ushtar, qëllon pa paralajmërim. “E pashë që ngriti dorën me pistoletën në drejtim të tavanit dhe menjëherë u hoqa anash. Plumbi shpoi llaçin pranë meje dhe ciflat e tij më goditën në trup duke më gjakosur, pasi nga mesi e lart isha lakuriq”, rrëfen Muharremi për një nga çastet më të vështira të asaj dite. 
Ujku i tërbuar
Muharremi shpjegon se nuk i ishte dashur shumë kohë të mësonte se njeriu poshtë tij sillej një ujk i tërbuar. “Ishte i frikshëm. Dukej të ishte dy metra i gjatë, i fuqishëm, veshur sipër me një bluzë të zezë të thjeshtë prej pambuku dhe i armatosur vetëm me një pistoletë me silenciator. Kishte zhvendosur një bufe në drejtim të derës duke e pozicionuar diagonalisht, pra pa e bllokuar krejtësisht atë, duket me qëllim që të mos humbte kohë për të dalë nëse do i krijohej mundësia. Po kështu diagonalisht kishte vendosur edhe një dollap rrobash, por këtë e kishte pozicionuar në anën e kundërt të dhomës. Ndërsa më mes qëndronte vetë, i rrethuar nga pesë fëmijët, më i vogli prej të cilëve nuk kishte mbushur as dy vjeç”, vazhdon rrëfimin njeriu që vëzhgonte lëvizjet e Mustafës nga vrima në tavan. Në të njëjtën kohë nga jashtë kishin nisur tratativat për të mundësuar lirimin e fëmijëve. “Dikur Xhevdeti pranoi t’i dorëzonte, vetëm nënës, dy nga fëmijët, më të voglin në moshë si dhe një nga vajzat, e cila ishte plagosur në këmbë në rrethana që nuk dihen”, rrëfen Muharremi. Nga një tjetër pozicion ai kishte parë nënën e fëmijëve, Sheje Sulën, të afrohej dhe më tej edhe dy fëmijët t’i bashkoheshin. Më pas, kishte mësuar se një polic i kishte dhënë gruas, para se të futej në banesë, një pistoletë të mbushur, por ajo kishte refuzuar. Po kështu, teksa ishte në çati ai kishte dëgjuar edhe një krismë pushke në një kohë, që urdhrat ishin që të mos qëllohej kategorikisht, pasi Xhevdeti mund të vriste fëmijët. “Mësova se kishte qëlluar një nga gratë e çetave vullnetare dhe se në çast në formë ndëshkimi i kishin marrë armën”, rrëfen Muharremi.
Pak çaste më pas ai ishte afruar te vrima në tavan për të vëzhguar lëvizjet e Mustafës. “Pas lirimit të dy prej fëmijëve, dëgjova Xhevdetin t’u thotë të tjerëve: Shikoni, ai që është në tavan nuk është shqiptar, por anglez. Kur ta shihni, më thoni. Dhe sa herë që unë vija syrin në vrimë, fëmijët i tregonin: jaaa ku është! Britmë që shoqërohej me një tjetër vrimë në tavan, të bërë nga pistoleta pa zhurmë e Mustafës”, vazhdon rrëfimin protagonisti i aventurës së rrallë. Pyetjes se si kishte mundësi që Xhevdeti nuk arriti ta qëllonte, i përgjigjet: Sepse unë, sapo fëmijët më vinin re, largohesha në një tjetër kënd të tavanit. Por edhe sepse Xhevdeti më qëlloi vetëm tre herë, duket se kursente municionet. Vrimat në tavan ishin në formë trekëndëshi”, rrëfen i njëjti. Ndërsa pyetjes tjetër “Po ti pse nuk e qëllove”, Muharremi i përgjigjet: Sepse kisha frikë se mos lëndoja fëmijët, që ai i mbante pas trupit.
“Xhevdeti vrau veten”
Mes zërave që negocionin, më në fund njeriu në tavan kishte dëgjuar edhe atë të Ministrit të Mbrojtjes së asaj kohe, Kadri Hazbiut. “Kadriu i bëri thirrje Xhevdet Mustafës që të dorëzohej. Xhevdeti e pyeti se kush ishte dhe kur dëgjoi tjetrin të shqiptonte se ishte Kadri Hazbiu, dëgjova qartë reagimin e Xhevdetit: Ku je o mace e zezë?”, vazhdon me të njëjtën dëshirë rrëfimin Muharrem Berberi.
“Përse sipas teje Xhevdeti përdori një frazë të tillë?”
“Për mua sepse mund të kenë pasur ndonjë lidhje bashkë. Por ky është vetëm një dyshim i paprovuar”.
Pas këtij dialogu minutat e jetës së Xhevdet Mustafës ishin të numëruara. “Një moment një ushtar i vendosur mbi autoblindën e policisë hap zjarr në drejtim të shtëpisë. Shumica e plumbave rrahën tjegullat dhe unë shpëtova për mrekulli. Në çast nxora kokën te vrima, ku kisha zhvendosur tjegullat dhe u bëra me shenjë ushtarëve të mos qëllonin. Ushtari i autoblindës duket më pa në kohë, para se të shtypte butonin për një batare të dytë. Në të njëjtën kohë drejtuesi i blindës e nisi atë në drejtim të shtëpisë. Pas pak çastesh blinda goditi me trupin e vet dhe rrëzon cepin e banesës. Në të njëjtën kohë pashë vëllanë e të zotit të shtëpisë të shqyente në një bajonetë derën e hyrjes. Situata u rëndua. Zgjata vështrimin në vrimën e tavanit dhe pashë Xhevdetin të rrëzonte bufenë që kishte vendosur diagonalisht në anën e derës. Kur ajo ende nuk kishte lëshuar zhurmën e rrëzimit ai drejtoi pistoletën drejt gushës dhe ja hoqi vetes. Kur pashë se u vra, shkelmova tavanin dhe u hodha brenda në banesë. Fillimisht askush nuk afrohej edhe pse unë dola te hyrja dhe u thashë se Xhevdeti është vrarë. Kujtoj se më i guximshëm u tregua një civil, që hyri dhe preku me duar kufomën e Xhevdetit për t’u bindur për vdekjen. Po ai, mori në duar pistoletën gjithë gjak të të vdekurit. Më tej erdhën të gjithë”, përshkruan Muharremi momentet e fundit të ngjarjes. Sipas rrëfimit të tij, kufomën e Xhevdetit e kishin nxjerrë jashtë zvarrë. Po në këtë kohë ishte konsumuar edhe një tjetër incident i fundit, pasi i vëllai i të zotit të shtëpisë që u vra, në zemërim e sipër qëlloi me sëpatë në kurriz kufomën e Xhevdetit. Një veprim i ndaluar në kohë nga Kadri Hazbiu që i bërtet: Mos gjuaj në mish të ngordhur!
Në të njëjtën kohë Kadri Hazbiu i kishte rrahur shpatullat personazhit tonë, Muharremit, madje i kishte marrë edhe emrin shënim. “Kufomën e Xhevdetit e hodhën në një kamion të hapur. Vura re se si i lëviznin muskujt edhe pse kishte më shumë se një gjysmë orë që kishte vrarë veten”, përfundon rrëfimin e aventurës së çmendur të tij Muharrem Berberi.

“Xhevdeti, im vëlla” libri që përgatit Sami Mustafa

Fatimja, e veja e Xhevdet Mustafës që heziton të flasë për historinë e tij, thotë se rrëfimin e saj ia ka besuar vëllait të të shoqit, Samiut i cili do të botojë së shpejti një libër me kujtime. Me të njëjtin argument justifikohen për heshtjen e tyre  disa nga miqtë e afër të njeriut, që zbarkoi në krye bandës në vjeshtën e ‘82. Todi Marko njëri ndër ta shprehet se i ka treguar Samiut ngjarje të padëgjuara deri tani. Madje, shton se me botimin e librit të tij do të zbardhen për herë të parë mjaft mistere të tjera. Gjithsesi autori i këtyre kujtimeve iu përgjigj gazetës nga Amerika se, është në fazën përmbyllëse të librit.

Pengjet e Mustafës, emigrantë prej vitesh në Greqi

“Ata panë me sytë e tyre vrasjen e të atit, Mersinit te pragu i shtëpisë dhe përjetuan për orë të tëra tmerrin e qëndrimit me armën te koka”. Teksa kujton çastet dramatike të fëmijëve të Mersin Sulës, Hava Zylfaj 50-vjeçarja që atë ditë ishte në kuzhinën e sektorit të fermës, rrëfen për fatin e tyre përtej këtij momenti tronditës. “Shteti i sistemoi në një apartament te pallatet e sektorit dhe u lidhi një pension të mirë për kohën” kujton ajo ndërsa shton se në shtëpinë e tragjedisë u sistemua xhaxhai i tyre i cili e ringriti nga themelet. Hava Zylfaj gruaja që është rritur me fëmijët e Mersinit, viktimës së fundit të bandës së Xhevdet Mustafës më tej thotë se ata janë ndjerë në një pozitë të vështirë në vitet e para të demokracisë. Të ardhurat e pakta dhe veçanërisht presioni i njerëzve të kapobandës për të bërë përmendoren e tij te streha ku ishte vrarë i ati i tyre, i detyruan të marrin rrugën e kurbetit, përmbyll ajo duke përmendur vëndqëndrimin e tyre prej vitesh në Greqi.

“Mësimi i fundit për Xhevdetin në “Mësimoren” e ushtrisë”

Spartak Naqellari ish-ndërlidhësi i Shtabit të Përgjithshëm ka qenë ndër të parët, që është futur në dhomën ku Xhevdet Mustafa vrau veten. “Kur po tërhiqnim kufomën për ta nxjerrë jashtë, rrëfen ai, na ndaloi tek dera Hekuran Isai. Te fundi i shkallëve ishte afruar një ambulancë. Ish-ministri me ton autoritar urdhëroi për ta larguar dhe aty për aty i bëri shenjë me dorë shoferit të një “Mësimoreje” të ushtrisë, që ishte disa metra larg. Pa mbërritur mirë zizi me karrocerinë e zbuluar, Isai u kthye nga turma, që kishte vërshuar mbi kufomën e Xhevdetit dhe dha porositë e fundit: “Hidheni aty si qen dhe i thoni ta mësojë edhe për në botën tjetër se, ky do të jetë fundi i gjithkujt që do guxojë të shkelë tokën tonë...” Ish-ndërlidhësit të shtatmadhorisë që ka ndjekur nga afër çastet e fundit të operacionit për asgjësimin e bandës së vjeshtës ‘82-it, i ka bërë përshtypje ftohtësia e ministrit të Brendshëm ndaj kolegut të tij Kadri Hazbiu. “Hekurani, shton Naqellari, kur u largua nuk denjoi t’i jepte dorën Kadriut”. Në kujtesën e njeriut me detyrë sekrete në kupolën e ushtrisë është fiksuar pamja triumfatore e ministrit të Brendshëm dhe profili njerëzor i Hazbiut, që ato çaste interesohej për fatin e pengjeve të Mustafës dhe ushtarakëve të plagosur...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora