Shtesë » Historia
Fritz Radovani: Një monument nën dhé (III)
E marte, 12.08.2008, 03:14 PM
Fritz Radovani de Angeliis
Një monument nën dhé
NGA NA ERDHËN KËTA PARTIZANË?
“Të ngjeshuna dhe të
papushueshme ndiheshin qitjet e
mauzerrëve rusë, me të cilat ishte
paisë ushtria malazeze.”
Gino Berri, 1913.
Ma shqip: KUSH DREQI NA I SOLLI?
Në vitin 1951 ishim një grup fëmijësh që ndihmonim meshë në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, me Nikolin Lekën, Tonin e Bepin Ljarën, Kolec Ljarën, Karlo Marlekën, Tish Serreqin etj. Me datën 13 qershor ditën e Shna Ndout, që për atë Kishë ishte ditë e veçantë se besimi në këtë Shenjt në Shkodër asht shumë i madh, At Marjan Prela, që kishte “mbetë” si administrator na mori të gjithëve dhe na hypi në kompanjel. Ngjitja ndër ato shkallë thik ishte pak e frikshme. Kur mërrijtëm tek balkoni u mahnitëm me atë bukuri që të përfshinte syni. Për né ishte hera e parë që shikonim nga nalt krejt Shkodrën në të katër anët, me lumenj, fusha, kodra e male që e rrethojnë. Liqeni dukej i pafund si një tepsi e kallaisun prej rrezëve të diellit. Pullazët e shtëpive karakteristike me tjegulla dukeshin si kuadrate të kuqe si ufulla mjedis gjelbërimit që mizotnonte, sidoemos zonën e banueme nga myslimanët. Aty-këtu ngrihej ndonjë bajonetë e mbrojtjës së fesë së këtij qyteti besimtar; ishin minarët e xhamive dhe kompanjelat e kishave të tjera.
Secili prej nesh kërkonte me sy rrugën dhe pullazin e shtëpisë së vet. At Marjani me durimin e tij karakteristik na shpjegoi se të gjithë këta gur e parmakë të këtij kompanjeli janë daltue me dorë nga mjeshtrat shqiptarë, madje, edhe kupola e vogël që kishim mbi kokë mbi të cilën ishte vendosë Kryqi, ishte punue prej mjeshtërve të drunit, mandej e kishin veshë sipër me fletë metalike. Nën balkue ishin katër sahatët me një mekanizëm të thjeshtë, në të cilin varej një kovë shumë e randë e mbushun me hekra që shërbente për kurdisje. Njëherë kishte ra poshtë tue thy krejt shkallën. Mbas asaj herë ishte sigurue mjaft mirë lidhja e saj me mekanizmin. Prej atij balkoni At Fishta kishte lidhë kandilat e dritave të vumë në varg me minarën e Xhamisë së Fushës së Çelës, një minare shumë e bukur edhe ajo me gurë të daltuem dhe e ngritun me derdhje plumbi. Kjo lidhje me kandila isht kenë ba natën e Festës së Flamurit si shenjë vllaznimi. Pika e vendosjes së këtij kompanjeli tregonte qendrën ku asht vendosë kompasi kur asht vizatue qyteti i Shkodrës. Ai sahat shihej në çdo kand të qytetit mbasi i tillë ishte mendue ndërtimi i tij. Edhe kompanjeli i Kathedralës kishte pamje madhështore kur pata hypë ma vonë, madje, ma i naltë, por zona e Kirit zbehte gjallninë, atë që nuk i mungonte pejsazhit nga kompanjeli i Fretënve. Në anën përendimore të balkonit ku ishim na, nën parmakët e gurit lidhej me derdhje plumbi ndër gur një shufër hekuri, në kokën e të cilit kishte një unazë. Në atë unazë Françeskanët vendosnin Flamurin Kombëtar në ditën e Festës së tij. Valëvitja e tij kje kërcnue me topa nga turqit e Flamuri vazhdoi me qëndrue prapë atje nalt. Nën za At Mariani këndonte: “Porsi fleta e Engjllit të Zotit”!… Partizanët më 29 nandor 1944, aty vendosën një flamur të zhgarravitun me yllin e kuq. Shumë prej atyne që e kujtojnë atë ditë morti kanë mendue: “Ma mirë të ishte rrëzue me top flamuri bashkë me kompanjel, se kështu si po e shohim sot!”. Më duket, se nuk e kishin pasë gabim, të paktën marrja u mbetej turqve e jo “shqiptarëve”, nëse i thërrasim kështu. Tue mos i njohtë për shqiptarë gjithmonë populli thonte: “Kur kanë hi këta...!”, pra, “këta”, të pa emën dhe të pa atdhe. Pikërisht ishin “këta” që për demagogji në shumë prej këtyne Kishave e Xhamive ngjitën nga një copë teneqe, ku shkruhej: “Monument Kulture, mbrohet nga Shteti” dhe nuk zgjati shumë, fjala “mbrohet”, u zëvendsue me fjalën “shkatërrohet”. E, kush i shkatërroi? Mbas 50 vjetësh këtë e tregon me gojën e vet Ramiz Alia, kur thotë: “Ne nuk jemi as Lindje as Përëndim...” , po çka jemi, kur nuk jemi as mish, as peshk? Simbas tij na nuk jemi kurrkushi. Ai kur flet për vehte, nuk e ka gabim, por besoj, nuk ka turp ma të madh për një “president” se me mohue identitetin e vet. Këtë e ban një “president” që ka ardhë në pushtet kur kanë hi “këta”. Shfarosja e atdhetarëve, lufta kundër besimëve, zhbimja e intelektualëve në fillimet e vëndosjes kulturës evropiane përëndimore, e pasueme me grabitjet e florinit dhe të pasunive private, futja e frikës, skamit dhe terrorit në popull ishte rruga që i hapej shkatërrimit kombëtar të filluem me aq vështirësi në Shqipni. Ky shkatërrim kujt i interesonte? Vetëm shovenistëve sllavë dhe fanatikëve aziatikë të mbetun nga regjimi anadollak, me mentalitet antipërëndimor, me përvetësue pasuninë e tjetrit me grykën e pushkës edhe pse ai kishte derdhë shumë djersë me e fitue. Gjaja e yte asht e jona, me pikësynimin, nesër do të jetë e emja. Fjalët “çlirim, plaçkitje dhe vorfnim” fillojnë në njëditë, ky asht tipari i parë i pushtetit komunist.
Askush nuk llogariti se kujt po i shërbenin! Më tregonte njëditë në Tiranë Luigj Filipi, shkodran i vjetër, rreth 84 vjeç, komunist ndër të parët me Zef Malën. Kishte shkue në Kishën e Jezuitëve aty nga viti 1938 sa ishte ndërtue Kisha e re. Mbasi kishte predikue At Meshkalla, i ishte drejtue Luigjit, që mbas Meshe me u takue pak për një problem personal. Luigji kishte pranue tue ulë kokën. Kishte shkue në sakristi dhe ishin ulë në dy karriga. At Meshkalla e kishte pyetë, Luigj, ti je komunist? -Luigji kishte pohue se po, mbasi nuk kishte frikë nga At Meshkalla. Ai i ishte drejtue Luigjit me këto fjalë: “A e din ti Luigj se kujt i shërben me këtë ideologji? Komunizmi asht vetëm utopi. Ai nuk ka me u realizue kurrë, por për fat të keq ju të rinjtë tue mos e njohtë jeni futë në një rrugë shumë të rrezikëshme për kombin, mbasi nesër keni me e pa vedin ushtarë të Titos dhe të Stalinit. Ti vepro si të duash por me më ndigjue mue largohesh nga ajo rrugë antishqiptare!”. Pa kërkue përgjigje, i kishte dhanë dorën dhe ishin nda. Biseda kishte mbetë për 60 vjet e pahapun. Në vitin 1998 Luigji ma tregoi, që në rasën e parë që të paraqitej mundësia, unë me e botue. Në fund të bisedës, më tha: “Të lutem, ke me shënue edhe këte, se unë jam një ndër ata komunistë që kam dashtë me dalë ma i mendshëm se At Meshkalla!”. Për komunistët ishte “nderë e lavdi“ me vdekë tue brohoritë “Rroftë Stalini”, “Rroftë Bashkimi Sovjetik”, “Druzhe Tito, rrofsh sa...” Vëndimet e Jaltës janë kenë vëndimet ma fatzeza për popullin shqiptar.
Shumë gjermanë para largimit nga Shqipnia, u treguen miqve të tyne se do të kishte ndryshim sistemesh në Shqipni, këtu do të vinin në pushtet komunistët, se kjo zonë i asht lanë Rusisë stalinjane nën influencë. Shqipnia do të mbetët për 50 vjet nën kontrollin e Rusisë. Ikni, se komunistët do të iu zhdukin nga faqja e dheut! Po anglezët e amerikanët çka u thanë miqve të tyne? “Mos ikni, edhe pse njëherë do të drejtojnë komunistët, na do të vijmë prapë. Këtu do të vëndoset shtet demokratik, do të bahën zgjedhje të lira, pushteti i ardhshëm do të jetë i të gjithëve”. Pak vetë u besuen gjermanëve, shumica u trathtuen nga Aleatët. Sot ruhen në arkivat e tyne letrat e Muharrem Bajraktarit, Ahmet Zogut dhe të Klerit Katolik Shqiptar, që u kanë dërgue atyne pikërisht për problemin kombëtar deri në vitin 1946, nëpërmjet të ambasadave dhe misioneve të tyne këtu. Përgjigjën e din edhe populli: “Pritni gjethin!”, me siguri ishte fjala se nuk asht larg koha kur shqiptarët do të mbulohen me gjeth fiku.... Dhe me të vërtetë ajo kohë erdhi!
Po Atdhetarët shqiptarë çka banë? ATA SHKRUEN ME GJAKUN E TYNE HISTORINË E LAVDISHME TË REZISTENCËS ANTIKOMUNISTE NË TROJET SHQIPTARE.
24 shtator 1943: “Besëlidhja e Veriut” e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe të Postribës, në pikën e parë të së cilës shkruhet: “Mbrojtja e kufijve të sotçëm të Tokës Shqiptare”.
17 nandor 1943: Bahet Program-Veprimi i “Besëlidhjes së Veriut” dhe Betimi. Me “Besëlidhjen e Veriut” asht organizator edhe Muharrem Bajraktari për krahinën e tij çka përfshinë Dibër etj.
12-13 janar 1945: Kryengritja e Kelmendit nga Prenk Cali.
13-14 janar 1945: Kryengritja e Koplikut nga Llesh Marashi.
Vetëm në këto dy kryengritje u pushkatuen 118 burra të Malësisë së Madhe pa gjyq.
Shkurt 1945: Lufta e Bërdices dhe Anës së Malit nga Jup Kazazi dhe Abaz Ermenji.
Maj 1945: Përpjekja e parë për formimin e Partisë Demokristjane Shqiptare, me kryetar Andro Petroviq, në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut, në Rus, Shkodër.
Maj 1945: Formohet Organizata “Bashkimi Shqiptar” nga Mark Çuni.
26 maj 1946: Demostrata e Parë Antikomuniste e Rinisë Shkodrane, me rastin e vorrimit të Imzot Gaspër Thaçit, Argjipeshkëv Metropolitan i Dioçezit të Shkodrës.
9 shtator 1946: Kryengritja e Postribës.
1944-1948: Ndër male në Dukagjin janë mbi 400 burra të armatosun ndër shpella të organizuem nga Gjergj Vata, Pal Thani, Mark Mala, Nik Sokoli, Ndue Pali, Gjon Destanisha, Martin Sheldija etj.
1944-1954: Në Mirditë, Mark Gjon Marku organizon rezistencën, të cilën mbas vrasjes së tij në vitin 1946, e vazhdoi i vëllai Lleshi, që, edhe ky vritët më 10 gusht 1947. Lufta vazhdon në këtë krahinë ma vonë se kudo tjetër, deri në vitin 1954.
1944-1950: Në rrethin e Tiranës shquhet për qëndresë “Çeta e Hekurt” e Sul Selimës.
1944-1947: Në Shqipninë e Mesme, Prof. Alush Lushanaku organizon çetat e malëve, një tmerr i vërtetë për komunistët dhe brigadat e Ndjekjes.
Në vitin 1950, Mark Zef Pali, Alush Lushanaku dhe Gjon Mark Ndoj formojnë “Frontin e Bashkuem të Rezistencës Shqiptare”, që përfshinë edhe malët e Dukagjinit, Mirditës, Pukës, të Matit, rrethit të Tiranës dhe Elbasanit. Kryetari ishte H. Frashëri.
1945-1950: Grupet antikomuniste të studentëve të Gjimnazit të Shtetit në Shkodër deri në vrasjen e studentit Bardhosh Dani.
1944-1950: Nuk pushojnë asnjëherë shkrepjet e armëve nga Atdhetarët e Kosovës që vdesin për liri, si: Maria Shllaku, At Bernardin Llupi, Prof. Kol Parubi dhe mësuesi Gjergj Martini, të ekzekutuem në Prizren, më 15 nandor 1946.
Korrik 1947: Kryengritja e Myzeqesë me burrin e lindun me “këmishë”. Hamid Matjanin, i kapun trathtisht nga komunistët, të njoftuem për zbritjen e tij me parashutë në Shqipni nga spijuni anglez, kolonel Kim Filbi, në Londër.
“Shumica e tyne ecin zdathë, kështu, që, atij që i sheh nëpër ata shkambij i dukën dhi të egra”, kështu shkruen Mariano Bolica, në vitin 1614, në permbledhjen “Relacione”, fq. 277, Vëllimi I.
Historia e rezistencës antikomuniste në Shqipni fillon pa mbarue Lufta e Dytë Botnore. Atdhetarët e vërtetë nuk u pajtuan kurrë me komunizmin gjakatar. Volume të tana nuk mund të plotësojnë qëndresën shqiptare të Pjetër Dedës me gruen e tij, Maria (Zojzi), të Angjelina Markut, të Ludovik Saraçit, të Jup e Seit Kazazit, të Pashuk e Pal Bibë Mirakajt, të Frano Mirit, të Gjon Dodanit, të Hasan Isufit, të Dod Nikollës, të Marash Ndue Mirit, të Pashko Zef Hotit, të Hysen Lepenicës, të Zagoll Shenos, të Sami Lepenicës etj. Tue vue në fletën e parë të këtyne volumeve Gjelosh Lulin, që nuk e ban ma nana.
Secili gur mali në tokën shqiptare ka të daltuem një emën heroji, që kohëve të ardhshme do tu ngjasojnë me shkronjat e sarkofagëve, por mos harroni kurrë, po e përsëris, kurrë, se atë çka serbët i banë Kosovës në vitët e fundit, 50 vjet ma parë ia kanë ba Shkodrës tue rrafshue për tokë kulturën, tue zhdukë inteligjencën, tue pushkatue e mbytë me hu mbi 120 meshtarë, tue grabitë bibliotekat e thesarët e tyne, tue plaçkitë e vjedhë shtëpi e magazinë tregtari, tue grumbullue dupa e flori me arka nga gratë shkodrane mbasi i lanë të veja, tue angazhue vllaznit tanë spijuj të Sigurimit, me paditë vëllan tue i torturue si kafshët dhe në fund, sot, na rrimë tue kërkue eshtnat e këtyne Martirëve dhe çka asht ma keq se nuk dimë edhe ku janë!
Sot, dimë vetëm një fakt se pothuej të gjitha përpjekjet e shqiptarëve për liri shtypën me gjak, hekur dhe trathti. Koçi Xoxe deklaron: “Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut Komandant. Ka pasur edhe vendim Byroje për këtë!”(Dosja 1623)
Torturuesit dhe kriminelët Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter Lakrori, Muço Saliu, Siri Çarçani etj. tregojnë se kur ishin në Shkodër, në janar të 1945, ishte në dijeni edhe Mehmet Shehu për operacionin e Veriut, “që kishim urdhër me vra dhe me i tretë në proskë njerëzit e dyshimtë dhe Parinë e vendit” (po aty, Dosja 1623) Asht e shkrueme e nuk e lot topi: “Më 23 prill 1913, mbaroi lufta. - Shkodra ra!”
“PO SHPELLAT A M'I PRET KUSH?”
DED GJO’ LULI
Nuk kishte përfundue së kënduemi kanga e Gjeto Basho Mujit:
“A p’e marrim malin për me tretë?
A po biem ma mirë në lumë me u mytë?
A po hypim n’curr tëposhtë me u rrxue?
A po him n’ at kullë për me u ngujue ?”
E, jemi në 1945! Nuk kanë kalue as njëzet vjet që edhe njëherë po ndihen gjamët e paharrueshme, kur ndër ata male të egra si bishat që jetojnë ndër to e, kur, ende nuk ishin rritë ato lule të freskëta të Alpeve, ku, mendja ndalon për një çast mendimin; kah sheh vigajë të rreshtuem përreth asaj kunore që s’njihte marre.
Janë dukagjinasit po, rreshtue përbrij atyne currave, përrojeve, gurrave e lumit që zbret rrëmbyeshëm, harlisë tue marrë me vete ma shumë njerëz se cingla, cokla e trungje pishe, për me ushqye ushujzat e Velipojës, të pangopuna me gjak shqiptarësh të Kosovës, për të gjatë atyne brigjëve, në Ulqin e deri në Tivar.
Janë po, djelmët e Lokes, që shputat sëpari zdathë, shkelën mbi shqeme, e therë në murriz e kujza pishe, e ça ndër tehe gurësh, nën të cilët ende gurgullon në rrjedhje rrëkajë nëpër vizatje të ballit të Shqipes: GJAKU I GEGËVE. Janë po, djelmët e Lekës, që para se me u mbathë në opinga janë regjë ndër shekë e vozga të mëdha me shëllinë, për mos me i ça e shkye shpata e bajoneta e hasmit.
Janë po, ata, që mbas nanës e babës nuk njohin tjetër fëtyre veç atë të dhisë e brinat e saj gëdhenë në lahutë... me i këndue të Madhit Gjergj.
Shpatullat, e vetmja shpnesë e kallximit, tregojnë cuba me shenjë gjaku në ballë.
Huta e martina janë strukë ndër golle e shpella se veglat e serbit i kanë ba batall. Burrat kanë marrë malet. Gratë kanë shkepë postavë e sermt, për me i grahë kaut kularit. Nata i zen në përpjetë të malit ngarkue me hebe e buljera për me u çue bukë trimave ndër shpella. Sigurimi i Shtetit ka marrë përsipër me shburrnue Bjeshkët e Nêmuna, si për qejfë të serbit.
Janë e mbi 400 burra dukagjinas ndër male, çka merr në Qafë të Agrit tue zbritë në Urë të Shtrejtë, që nuk dorëzojnë as armët, as vedin, as shpellat. Janë lidhë njëbesë me u vra dhe në dorë komunistëve mos me u ra. Kërcnohën me vrasje, plaçkitje, djegëje kullash e kësollash, zhdukje të djelmëve të mbetun tek shtëpia, pa gjyqe, shfarosje fisi, grabitje bereqeti e buke, therje bagtishë, me skam e vorfni, e prapë se prapë nuk shtrohen. Asht fakt që shumë krahina kanë qendrue me armë në dorë për mos me u shkelë nga komunistët, kanë luftue deri ndër skutat ma jugore, por krahina e Dukagjinit do të zajë vend të veçantë në fletët e asaj historie të lavdishme. Rezistenca e popullit aty ishte shumë aktive, e gjatë, me vorfni të pashoqe, heroike dhe gjithmonë e papajtueshme me pushtetin komunist, sidoemos deri në vitin 1948. Çdo pëllambë e asaj toke asht la me gjak. Bajraktarët, vojvodët, shtëpitë ma në za për kah ndera, burrnia, besa e trimnia e gishtit kanë qëndrue me shekuj mburojë. Nuk përjashtohet ndikimi e roli i madh i Klerit Katolik kryesisht atij Françeskan, në formimin e shpirtit atdhetar. Ata e kishin ba të padiskutueshme e të palëkundshme ndaj çdo fortune formulën Fé-Atdhé, me të cilën lindte dhe vdiste malësori. Kjo dhe vetëm kjo ishte arsyeja që ai malësuer nuk mund të pajtohej me komunizmin. Kjo dihej edhe nga komunistët. Disa herë Enver Hoxha ka folë e shkrue, madje, edhe ndër “vepra” ai vé theksin në qëndrimin antikomunist të katolikëve. Në të vërtetë asht e vetmja gja ku nuk ka rrejtë asnjë rresht, mbasi aty bahet fjalë pikërisht për këto malësi që e kanë faktue qëndrimin kundër tij, përderisa për 40 vjet ai udhëheqësi “i dashtun dhe i shtrenjtë”, që rrinte “gju më gju me popullin”, nuk e ka shkelë asnjëherë me kambët e tij tokën e Dukagjinit, madje, edhe ai “trimi legjendar i luftës” krimineli Mehmet Shehu, që ishte komandant i Operacionit të Veriut, nuk pati as burrni as trimni me shkue me luftue kundër anmiqëve shaljanë, pra, megjithëse kishte pushtetin dhe armët me të cilat krenohej, por gjithmonë të përdoruna mbas shpine si me Prenkë Calin, ose kur Atdhetarët ishin të lidhun duersh e kambësh, të çarmatosun, ose rob e, gjithmonë të kapun trathtisht si Llesh Marashi me shokë.
Për këto arsye duhej fillue me njerëzit që kishin influencë në ato krahina. Vëprimet komunistët i filluen kundër Parisë së Malësisë dhe Klerit Katolik (ndonëse i pakët në numër, por shumë i fuqishëm), veprime të shpejta, të doemosdoshme dhe shumë kriminale për me u ba shembull për gjithë Shqipninë kundërshtare, si në kohën e luftës aty ku i shkeli kamba tue vra e plaçkitë, kryesisht në krahinat jugore, mbasi largohej gjermani. Instruktorët ishin jugosllavë, pikërisht anmiqtë shekullorë të atyne Alpëve aq të lakmueme prej tyne. Mbas rezistencës së Prenkë Calit e Llesh Marashit filloi terrori ndër male.
Qé, pra, i erdhi dita! Më 17 janar 1945 të parët arrestohen At Gegë Luma dhe At Dioniz Maka, dy klerikë atdhetarë. Ata në malësi zakonisht mbanin armë të lejueme, mbasi në kohën e turqve ata luftonin përkrah malësorëve, ashtusi kundër malazezve dhe serbëve. Armët i kishin edhe për vetmbrojtje nga plaçkitësit. Asht i njohtun rasti i Don Nikoll Kaçorrit, kur një natë për fat nuk u ndodh në qelë kur i pati shkue krimineli Haxhi Qamili me bandën e tij, i plaçkiti të hollat, i vrau shërbëtorin, tue i pre kokën dhe i dogji qelën bashkë me bibliotekën e pasun të tij. Ndoshta kjo asht edhe arsyeja që Enver Hoxha këtë shok të tij kriminel e cub malesh, e pat ba “hero”. Një arsye tjetër ishte edhe qarkullimi ndër zona të rrezikueme nga kafshët e egra kohë pa kohë për shërbime fetare. Asht e kuptueshme se atëherë nuk njiheshin bishat komuniste, tue i kujtue si “shqiptarë” prej shumëkujt. Këta klerikë shpëtuen vetëm se nuk kishte dalë ende ligji i dorëzimit të armëve. Dënimet nuk u dhanë të randa mbasi ndikoi shumë fjala e fundit e At Gegë Lumës, siç më ka tregue At Dioniz Maka i lidhun përdore me tè.
Ndër të parët pushkatohet Syl Martini, pa gjyq, para Kishës në Kodër Shën Gjergj, mbasi nuk pranon me dorëzue armët, i njohtun për burrni ndër kuvende malësoësh. Ai u tha para pushkatimit: “Çka i duhet jeta shqiptarit malëve pa armë? Nuk ua jap!”. Pra, filluan vrasjet! Në Palç të Nikaj-Merturit porsa At Mëhillë Miraj mbaron meshën, tue dalë njerëzit prej kishe, partizanët e Ndjekjes kërkojnë prej Fet Sadikut, burrë afër të 70-tave me dorëzue armët. Feta nuk i dorëzon, atëherë, ndihen krisma armësh në afërsi mbas një kodrës. Partizanët i thonë Fetës, se me që ti nuk pranon me na dhanë armët na të kemi pushkatue djalin 30 vjeç, Marashin dhe vëllain, Ademin, (kjo nuk ishte e vërtetë, por kishin shkrepë armët për me ligshtue Fetën që ai me tregue armët), atëherë, Feta iu përgjijget: “Mo’ brè, ju kishe dhanë edhe djalin tjetër, por vllain jo!”, e prapë armët nuk i dorëzoi. Tue pa vendosmëninë e Fetës, partizanët shtien mbi trupin e tij dhe ashtu të lamë me gjak dhe të shtrimë përdhé e lanë aty me e pa katundi. Kështu fshati u njoh me ata që thirreshin “çlirimtarë”. Gjatë kësaj kohe nga mesi i 1945, në Pult kërkohej At Anton Harapi, mbasi ishin sigurue se nuk ishte me Cafo Beg Ulqinin ndër krahinat e tij, ku Cafi u ruajt me besnikëri nga bashkëfshatarët e vet derisa u shpall amnistia. Siç më ka tregue vetë i ndjeri Cafo Beg, me të vërtetë e kishte ftue me shkue bashkë me Lef Nosin, por këta të dy nuk kishin pranue për mos me rrezikue fare e fisin e Cafo Begut, mandej, thonte, Cafo Begu, u dukej, se po dalin jashtë kufijve e po vriten nga malazezët a serbët. E pranonin vdekjen me kënaqësi prej shqiptarëve. Cafo Begu e vërtetonte këtë me takimin e At Antonit në Podgoricë me gjermanët që po largoheshin nga Shqipnia. Edhe atje At Antoni, nuk kishte pranue me shkue me ta në Gjermani ose në ndonjë vend tjetër, ku të dishronte ai, i mbrojtun nga forcat gjermane. Cafo Begu ishte shumë i sigurt se At Antonin e ka tregue në Sigurim një shirokas, kushrini i tij (L.B.), mbasi ai ishte thirrë nga ndjekja e mbajtë 2-3 ditë tue u torturue, se mos i kishte kalue me lundër nëpër liqenin e Shkodrës dhe mos e kishte dorëzue At Antonin bashkë me Lefin ndër miqtë e Cafo Begut. Tue u nisë nga siguria e kenjes së At Antonit në Dukagjin, Ndjekja fillon masakrat. Marrin 10 djelmoça të rinjë, gjoja me i angazhue me brigadën, por, meqë, ata kundërshtojnë me iu kundërvue bashkëfshatarëve të vet në fshatin Xhan i pushkatojnë pa gjyq. Fillojnë edhe arrestimet. Në Shalë arrestohet bajraktari Kol Ndou, pak ditë mbasi në Breg-Lumi sekretari i frontit të Qarkut të Shkodrës, Spiro Pano (organizatë nën të cilën mëshehej Partia Komuniste), organizon një mbledhje ku Sigurimi futë me vra Mark Sadikun, i shtëpisë së bajraktarit të Shalës. Vrasësi Ndok Pëllumbi vritet po aty prej Bal Markut, kështu fillon pushka... Për me ndalue gjakmarrjen dhe përçamjen e krahinës bajraktari Kol Ndou, hyp mbi një shkamb dhe thërret: “Në emën të Zotit burra, me prâ pushka!”, dhe pushkët pushuan. Sigurisht një burrë me kaq influencë që ndalon vëllavrasjen, nuk kishte si me u lanë pa pranga. Nipi i tij Prel Marku, ikë ndër shpella dhe njëditë bashkë me familje arratiset dhe nuk këthehët ma në atdhé, si shumë të tjerë ndër ato krahina.
E njajta gja kërkohet me u ba me bajraktarin e Shoshit, Lulash Gjeloshin, por ndodhë çka nuk e pret Ndjekja! Fshatarët lidhin besën mos me pranue thirrjen e frontit (ose të partisë). Kur forcat e Ndjekjes shkuan atje krisi pushka dhe vriten tre vetë të Ndjekjes. Bajraktari del në mal. Bashkë me te janë edhe gjashtë djelm sokola mali që syni s’u ban vék. Koha e gjatë bani që shpesh këta trima me u përpjekë me Ndjekjen dhe gjatë përpjekjeve u vranë pesë djelmë nga çeta e bajraktarit. Në Shkodër pushkatohet edhe prof. Gjelosh Lulashi me Organizatën “Bashkimi Shqiptar”, kështu bahën gjashtë vetë të një oxhaku. Me Lulashin mbeti vetëm një djalë që për mos me dalë faret fisi, e detyron Lulashin me u dorëzue. I shtymë në moshë dhe i vramë në shpirt nga fatkeqësitë nuk e pushkatojnë, por e lanë me plasë në burg tue e dënue 101 vjet. Gjatë kohës së burgut tregojnë se rrinte i vetmuem, nuk fliste, veç kalonte kohën tue dredhë duhan ose tue mbushë llullën. I vinin miqë në takim dhe nuk e lenin me vuajtë nga ana materiale, ndërsa shpirtit të brengosun nuk
kishte kurrkush çka me i ba. Ai nuk shërohej kurrma. Rreziku i daljes farët të fisit asht kenë ba shkak që shumë burra janë detyrue me u dorëzue. Kështu si Lulash Gjeloshit i ka ngja edhe Llesh Marashit e Prenkë Calit që dij unë, po kushedi sa të tjerë që jo vetëm janë dorëzue por edhe ua kanë pushkatue djelmoçat e fundit ashtu si Prenkë Calit. Ashtu i pat ndodhë edhe një burri tek ura e Breg-Lumit që i çuan fjalë në shpellë: “Eja, se, për një orë po nuk u dorëzove të pushkatojmë djalin 14 vjeç!”. Ai erdhi ma shpejtë. Aty ishte krimineli Xhemal Selimi tue thye arra me revolver mbi kokën e një të pushkatuemit. Porsa u dorëzue burri i malit Xhemali, ma parë i vrau djalin, mbasandej atë. Trupat e tyne u hodhën në Lumin e Shalës. Kur në Tiranë mendohej se rezistenca e malëve po dobësohej, ndër male ndodhë e kundërta. Më tregonte Ejëll Gërdani, shpellat sa vinin e u mbushnin me djelmë të tjerë. Ma siguri kishin ndër shpella se tek shtëpia. Forcat e Ndjekjes vazhdonin me lanë të vramë nga mosnjohja e krahinës, shkonin e binin si miza në qumësht ndër shtigje ku u fluturonte koka bashkë me “yllin e kuq” në ballë. Me u largue nga brigada prap pushkatohej si dezertor, kështu, vazhdonte sa të shkojë kjo punë. Për këtë arësye në muejn prill-maj të vitit 1946, Mehmet Shehu, dërgon një brigade të drejtueme nga një terrorist tjetër i njohun, major Ndreko Rino.
Dokumentacioni i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore që ruhet edhe sot, tregon ma së miri masakrat, pushkatimet pa gjyq, djegëjet e shtëpive dhe arsyet pse këta kriminelë dekoroheshin e thirreshin “heronjë të popullit” e, për fat të keq vazhdojnë t’i kenë edhe sot! (Lexoni vetëm radiogramet që vinin në Ministri nga këto zona!). Majori i porsaardhun filloi detyrën në Kuvendin e Bashkimit të Shalës e të Shoshit tek Ura e re e Dukagjinit. Aty pushkatohen katër vetë pa gjyq pse nuk kishin dorëzue armët. Në Vuksanaj vritën dy të tjerë, ndërsa në përpjekje me forcat e ndjekjes plagoset randë Zef Kol Prela, i cili mbasi mjekohet, torturohet në qeli nga Xhemal Selimi e Sabri Shema, i përcillet Aranit Çelës në Shkodër me i dhanë plumbin ballit. Edhe Araniti si terrorist i njohun e kreu porosinë më 11 mars 1948, tue e vue në rresht me atdhetarë të tjerë, në Zallin e Kirit. Kur Nik Sokoli formon Komitetin për çlirimin e Dukagjinit fillon një fazë e re. E rrethonin Nikën por nuk ua kapte plumbi, tregonte Ejëlli...
Fillon marrëveshja për organizimin e një Kryengritje të përgjithshme në Veri. Lidhja e malësorëve me Muharrem Bajraktarin, forconte besimin në fitore. Puka me Mirakaj, Mirdita me Markagjonët e i pavdekshmi Alush Lushanaku në Shqipninë e mesme, tronditën pushtetin qendror, i cili në këtë kohë forcoi edhe ma shumë lidhjet me druzhe Titon për me realizue interesat e përbashkëta antishqiptare. Me plasjen e parakohshme të Lëvizjes së Postribës, planet dështuen. Edhe pse dështoi papritmas plani malësorët vazhdonin rezistencën e tyne. Lufta sa vinte e bahej ma e rrebtë. Arrëstimet e pushkatimet nuk pushonin asnjë çast. Arratisjet vazhdonin pa pushim.
Shkak u ba prishja me Jugosllavi. Forcat e Ndjekjes u trefishuan. Mjaft malësorë dëzertojnë nga mobilizimi ushtarak. Shumë bashkohen me shokët e tyne ndër male. Disa arratisën. U ikë për duersh komunistëve At Danjel Gjeçaj i njoftuem nga një malësuer për arrestim. Me shkuemjen në Dukagjin të Idriz Çobës si kryetar dege, Xhemal Selimi dhe Sabri Shema kryejnë aq shumë krime atje, sa pak shtëpi mund të kenë mbetë pa të pushkatuem, të arrestuem ose pa u djegë. Edhe jugosllavët u kanë dhanë ndihmesën e tyne edhe pse në dukje ishin të prishun. Ata dërguan prej Jugosllavisë njëfarë Prel Nika, i arratisun, që ishte vue në shërbim të komunistëve (të këndejshëm e të andejshëm) dhe, mbasi bashkohet me të arratisunit që ishin ndër malët e Veriut, një natë trathtisht vret komandantin trim të shpellave Gjergj Vatën, i njohtun me pseudonimin “CUKALI”, një emën tmer për komunistët dhe brigadat e Ndjekjës.
Një ndër betejat e paharrueshme asht edhe ajo që asht ba në Palaj të
Shoshit, ku edhe pse u plagos komandanti i 87 burrave të armatosun Mark Mala, lufta vazhdoi e përgjakëshme dhe me ikjen e turpëshme të forcave të Ndjekjes që lanë disa të vramë në atë betejë. PËRPJEKJET DHE QËNDRESAT e Oficerit Martin Sheldija, Gjon Destanisha, Kol Mark Toma, Ded Mirash Zefit (vra në gusht 1946), Mëhill Ndoja etj. janë një epope në vedi në lavdinë e atyne malëve. Këtë epope jo vetëm nuk e njohim por as nuk e gjejmë kurrkund të shkrueme...prej kurrkujt.
Aq shumë e urrenin malësorët komunizmin, sa asnjeni nuk pranonte me marrë ndihmat e UNRRA-s, sëpse thonin se janë dërgue nga ata që na sollën komunizmin këtu (nuk janë gabue aspak), gjithmonë nën arësyen “se nuk dimë me përdorë kutijat e mishit dhe kemi frikë se mielli asht i prishun, e po na helmatisë!”.
E vetmja gja që u dhanë me dhunë ishte DDT-ja, si ilaç, mbasi gjithkah ishin mbulue me morra. Fshatarët thonin se edhe këta na i kanë sjellë partizanët, e vetmja gja që na ka sjellë Partia Komuniste e “shoku” komandant, në malësi janë morrat! Pat edhe ndonjë malësuer të kërcnuem që punoi me Sigurimin si Martin Shllaku (ish sekretar i komitetit të partisë), por edhe ky u arratis ma vonë se ndiqej nga vetë Sigurimi. Ndërsa Pëllumb Ndoka nuk zbatoi urdhnin me vra një malësuer dhe u vra nga shokët e tij “besnikë” të Sigurimit. Të gjithë bashkëpuntorët e tyne e mbyllën jetën si këlkazat. “Nuk shihnim ma larg se majën e hundës, atëherë..”, më pat thanë në vitin 1992, Mark Uli, kur pata bisedue çështjen e Ndue Palit me té, mbasi Marku ishte kenë atje kur u pat kapë trathtisht Ndou dhe ka pasë ba një deklaratë të turpëshme në gjyqin e tij. Vetë fakti që në vitin 1947 në krahinën e Dukagjinit nuk kishte ASNJË komunist dhe asnjë të ri komunist asht prova ma e saktë, që tregon ma së miri së kush ishin DUKAGJINASIT E LEKËS, burrat besnikë të Kanunit, ku kryet e vendit e xen pushka dhe jo furka! Oooooooo jepni brè kushtrimin ... ku jeni BURRA!?