Shtesë » Historia
Familja Dakli: Intelektualët me certifikata e patenta shpikjesh, të persekutuarit e komunizmit
E merkure, 20.08.2008, 03:31 PM
Rrënjët dhe kontributi për çështjen kombëtare
Një familje e vjetër dhe me tradita, Dakli bën pjesë ndër ato trungje familjare me një numër të madh intelektualësh.
Ai që njihet dhe kujtohet nga stërnipërit është Sulejman Dakli, një njeri i varfër, por që në qytet njihej si njeri i ndershëm dhe punëtor. I biri, Ibrahimi, kishte tre fëmijë, dy nga të cilët Hyseni dhe Ahmeti vazhduan në rrugën e patriotizmit dhe të ndjenjave demokratike.
Bardhyl Dakli, mësues letërsie për shumë vite dhe sot një administrator i një shkolle private në qendër të Elbasanit, tregon për gazetën "Metropol" se si në historikun e familjes janë renditur inxhinierë, kimistë, mësues, gazetarë.
Sipas tij, familja Dakli ka qenë një familje e përndjekur nga regjimi komunist.
Në kujtimet familjare çfarë keni mësuar për rrënjët e familjes suaj?
Familja Dakli është një familje e vjetër në Elbasan. Mesa di unë rrënjët i kemi në Elbasan. I pari që njihet nga familja është stërgjyshi Sulejman Dakli, i cili ka qenë një qytetar i varfër e ka lënë dy fëmijë, Ibrahimin dhe Zenen. Ibrahimi ishte përfaqësues i mirëfilltë i familjes Dakli, si një familje patriotike dhe që po zinte pozicionin e saj. Ibrahimi fillimisht ka punuar si qehaja te Biçakçinjtë. Punonte mirë dhe e vlerësuan dhe e bënë kryeqehaja. Gjyshi ynë kishte tre fëmijë, Hyseni, Ahmeti dhe Alemshaja. Babai im ka mësuar të shkruaj shqip në fillim të shekullit me libra të futur fshehurazi nga rilindësit, ndërsa xhaxhai Ahmeti ka shkruar në një ditar që ne e kemi edhe sot në ato rreshta të shkruara, nga ai tregon edhe sesi e ka mësuar gjuhën shqipe. Hyseni nuk mbaroi shkollë të lartë. Të dy vëllezërit kanë bërë shkolla turke dhe vetëm filloren në shqip, ndërsa Ahmeti vazhdoi shkollën e mesme dhe ishte një ekonomist shumë i aftë. Në prag të shpalljes së pavarësisë në Elbasan u hapën shkollat e para fillore shqipe dhe Hyseni u caktua arkëtar për të grumbulluar paratë që duheshin për ngritjen dhe funksionimin e tyre. Në një dokument që ekziston edhe sot janë emrat e dhuruesve dhe emrat dhe firmat e mësuesve që kanë marrë pagën. Në 1908, në Elbasan filloi një lëvizje kundër xhonturqve. Në atë kohë në Elbasan u krijua një çetë që njihet si çeta e Byshekut. Ahmet Dakli ishte një ndër nismëtarët dhe luftëtarët e kësaj çete. Në vitin 1909 për të shuar këtë kryengritje, perandoria osmane dërgoi në Elbasan, Shefqet Turgut Pashën, i cili erdhi dhe i arrestoi drejtuesit e saj. Disa prej tyre i rrahu publikisht te sheshi i Bezistanit. Edhe këtu dy vëllezërit Hyseni dhe Ahmeti do t'i nënshtroheshin këtij dënimi publik. Ata të dy u angazhuan në mbledhjen e ndihmave për hapjen e shkollës Normale dhe në fotografinë e përurimit të kësaj shkolle dy vëllezërit ndodhen aty, por regjimi komunist e retushoi. Ahmet Dakli vazhdoi të merrej me politikë, ndërsa Hyseni u tërhoq. Në vitin 1933, kur Zogu ishte bërë mbret, i tha Ahmet Daklit shprehimisht: "Dakli, kam nevojë për njerëz të ndershëm që të më ndihmojnë për të qeverisur vendin" dhe e emëroi kryetar të Bashkisë së Durrësit. Atje ai qëndroi për rreth 3 vjet. Qyteti i Durrësit në vitet e demokracisë e ka shpallur Ahmet Daklin "Qytetar nderi". Dy vëllezërit Dakli në vitet e luftës u burgosën dy herë. Fillimisht pas pushimit fashist u bë kryeministër Shefqet Vërlaci, i cili madje edhe e internoi Ahmetin në Itali. Hyseni vdiq i sëmurë në moshën 72-vjeçare. Barrën e familjes e mori Ahmeti, i cili u gjobit me 500 mijë franga florinj, që nuk ishte në gjendje t'i paguante. Komunistët nuk pushuan së përndjekuri Ahmet Daklin. Përgatitën arrestimin e tij. Në të njëjtën kohë e urdhëruan të dilte nga shtëpia së bashku me familjen. Në të tilla rrethana, në nëntor të vitit 1947, Ahmet Dakli vret veten për të shpëtuar fëmijët e tij dhe të vëllait nga persekutimi komunist.
Si vazhduan më pas brezat Dakli?
Hilmiu, djali i madh i Ahmetit, vazhdoi studimet jashtë dhe mbaroi shkëlqyeshëm. I diplomuar si jurist, ai u përndoq duke u shpërngulur në Gjirokastër e Shkodër, pa u lejuar të ushtrojë profesionin e tij jashtë survejimit. Vetëm në një moshë pensioni, në vitet e demokracisë merr frytet e punës, duke u emëruar anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Aktualisht jeton në Tiranë dhe po i afrohet 100 vjetëve. Petriti, djali i dytë i Ahmetit, inxhinier elektrik, studimet i kreu në Francë për inxhinieri elektrike. Pas çlirimit, komunistët e aktivizuan në ndërtimin e hidrocentraleve të para në vendin tonë si hidrocentrali "Lenin", i Shkopetit etj. Më pas punoi si inxhinier në montimin dhe remontin e linjave të tensionit të lartë në të gjithë Shqipërinë. I gatshëm të punonte atje ku kërkohej, ishte i dalluar në punë, ndonëse pati shumë vështirësi. Djali i tretë i Ahmetit, Et'hemi shërbeu gjithë jetën si mësues fshati. Ai jetoi me mjaft vështirësi, duke rritur së bashku me bashkëshorten fëmijët e tij, ndër të cilët edhe Engjëllin, i cili në 1996 u zgjodh kryetar bashkie në Elbasan.
Djali i vogël, Naimi, gjithashtu gjatë gjithë jetës ka qenë mësues fshati.
Po në familjen e të vëllait të Ahmetit, Hysenit, si është degëzuar pema gjenealogjike?
Vëllai i madh i Ahmetit, Hyseni, kishte 5 djem e 2 vajza. Ibrahimi, djali i madh, lindi në vitin 1920. Në shkollë ishte i shkëlqyeshëm. Në vitin 1944 u largua sërish, por përpara se të largohej në një provim në Fakultetin e Kimisë Industriale arriti rezultatin 110 pikë nga 110 të mundshme. Si laborant i thjeshtë u fut laborant, u bë përgjegjës në Institutin e Kërkimeve Shkencore, më pas përgjegjës në Trustin Montekatini dhe më pas me bashkimin e dy trusteve përgjegjës në këtë ndërmarrje. Ai ka qenë kryetar i komitetit evropian të kërkimeve shkencore në fushën e kimisë industriale. Në karrierën e tij mjaft të pasur arriti të marrë 27 patenta për shpikje në fushën e industrisë plastike. Sami Dakli ishte mësues dhe pjesën më të madhe të jetës e kaloi në mësimdhënie e më pas si drejtor shkolle. Ka qenë një ndër drejtorët më të mirë të asaj periudhe. E mbylli veprimtarinë si mësues në Cërrik. Asnjë ditë nuk punoi në qytet. Ylberi mbaroi shkollën normale, por nuk punoi asnjë ditë mësues. Mbaroi një kurs për gjeometër ndërtimi. Punoi në Kavajë e Gosë, por pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar si teknik në ndërmarrjen e ujësjellësit të Elbasanit. Ishte ndër njohësit më të mirë të pasurive ujore të rrethit të Elbasanit, pasuri që janë potenciale edhe sot e kësaj dite për ndërtimin e hidrocentraleve. Kujtim Dakli, inxhinier në Cërrik në ndërtimin e rafinerisë së naftës, universitetin e ka mbaruar me korrespondencë, ndërsa punonte. Ishte një ndër inxhinierët e parë të angazhuar dhe kryeinxhinier i ndërmarrjes i montim ndërtimit në Kombinatin Metalurgjik. Fillimisht, komunistët deshën ta bëjnë spiun, por kur nuk arritën e larguan nga Kombinati Metalurgjik. Mbaj mend që atëherë Hajredin Çeliku dha urdhër që të mos pranohet në asnjë mënyrë të punojë në kombinat Kujtim Dakli. Pas disa kohësh ai fillon në Uzinën Mekanike, duke e transformuar totalisht. Bëri shumë shpikje aty, por ajo që ishte më kryesore ishte një pajisje për kapjen e pluhurave dhe filtrimin e tyre në Kombinatin Metalurgjik. Elbasani ka patur një nivel të madh ndotjeje dhe vazhdon ta ketë. Ai kishte ndërtuar këtë sistem që thithte pluhurat, por edhe grimcat metalike që shkarkoheshin në ajër. Ai bëri edhe shpikje të tjera, si disa presa për nxjerrjen e vajit, përdorimin e tallashit në furra buke, për pjekjen e tullave, duke shfrytëzuar mbetjen nga kombinati i drurit etj.
Familja Baholli, dhuratë qytetit bibliotekën që ende ekziston
"Megjithëse të lidhur me luftën, nuk i shpëtuam as ne persekutimit"
"Qemal Baholli ishte i veçantë. Ai qëndronte gjithë ditën mbi libra duke mësuar. Ndërsa vazhdonte liceun në Korçë, përpiqej që me anë të studimeve të merrte dy vite njëherësh, duke marrë diplomën më parë. Por nuk jetoi dot gjatë”.
Kështu tregon Tefta Baholli, një prej mbesave të familjes Baholli, duke kujtuar djaloshin që i dha emrin bibliotekës së Elbasanit. Tefta Baholli është një nga të persekutuarat e regjimit komunist, edhe pse familja e saj kontribuoi mjaft për lëvizjen nacional-çlirimtare. Ndryshe nga shumë familje të tjera bejlerësh, kjo familje pati të veçantat e saj për drejtimin patriotik si dhe për kontributin që dhanë, sidomos për dhuratën e madhe që i bënë qytetit të Elbasanit, bibliotekën "Qemal Baholli". Pasi kanë vuajtur persekutimin, pjesëtarët e familjes nuk presin më asnjë lloj shpërblimi. Madje, ata kanë hequr dorë edhe nga rimarrja e pronave.
Tefta, së bashku me bashkëshortin jetojnë në një apartament, ndërsa halla e saj, Ikbal Baholli, pas një jete plot vështirësi eviton të flasë për persekutimin, por nuk heshtë për padrejtësitë që po heqin edhe në kohën e demokracisë.
Në një intervistë, Tefta Baholli kujton vendimin e gjyshit të saj, Nazif Baholli, për ndërtimin e bibliotekës, por edhe persekutimin që i ndoqi më vonë në kohën e komunizimit.
Si e kujtoni Qemalin, djalin e vogël të familjes Baholli?
Qemali ishte student i shkëlqyer. Ai mësonte gjithë kohën dhe nëna tregonte se mund ta gjeje vetëm në hijet e çifligut që kishim në Labinot. Gjatë gjithë kohës rrinte me libra në duar dhe mësonte për të marrë provimet jo të një viti, por të dy vjetëve, duke mbaruar më parë se të tjerët shkollën. Të gjithë e donin shumë jo se ishte më i vogli, por se ishte më i miri. I urtë, i sjellshëm, të gjithë dhe e donin. Madje, gjyshi, Nazifi, nuk shkonte asnjëherë në kuzhinë, por kur bëhej fjalë për Qemalin e kishte merak, saqë kujdesej edhe për gjellën që i jepnin për të ngrënë. Por fatkeqësisht nuk jetoi gjatë. Një vit para se të përfundonte shkollën në liceun e Korçës u sëmur. Edhe kur dha diplomën, mësuesit duke qenë se ishte i shkëlqyer nuk kërkuan të paraqitej, duke firmosur diplomën e tij. Madje, atë vit për Qemalin u akordua edhe një bursë studimesh në Sorbonë. Por ai nuk mundi të jetojë edhe për shumë kohë.
Kur filloi së ndërtuari biblioteka?
Një vit pas vdekjes së Qemalit, Nazifi, gjyshi, vendosi të ndajë pasurinë me testament, për të mos lejuar që mes pjesëtarëve të familjes të lindnin probleme pas vdekjes së tij. Ndërsa të gjashtë fëmijëve u ndau pjesën e tyre për Qemalin, mendoi të ndërtonte bibliotekë. Biblioteka filloi së ndërtuari në vitin 1933 dhe përfundoi në vitin 1935. Mbaj mend babanë që thoshte se librat e blerë për këtë bibliotekë kushtonin më shumë se vetë godina.
Kur filloi përndjekja nga komunizmi?
Në fakt, familja jonë ishte e para që ndihmoi lëvizjen nacional-çlirimtare. Ne përkrahëm lëvizjen, madje, babai (Shefqeti) më tregonte se Enver Hoxha qëndronte në shtëpinë tonë në Labinot dhe flinte pikërisht në dyshekun e tij. Madje, që të vegjël, ne fëmijët jemi angazhuar në lëvizje. Ndihma e familjes Baholli ka qenë e madhe dhe kjo përkrahje, në fakt, duhet të vlerësohej. Por për çudi sapo përfundoi lufta ne ishim të parët që u burgosëm, na u morën pronat dhe përfunduam në burgje, të persekutuar dhe të mbytur nga varfëria. Edhe biblioteka nuk kish se si t’i shpëtonte përndjekjes. Asaj iu hoq emri "Qemal Baholli" dhe u bë shtetërore. Përndjekja vazhdoi gjatë gjithë kohës. Përndjekja ishte e tmerrshme dhe brejtëse. Babai im, Shefqeti, u dënua me burgim të përjetshëm si zogist. Më pas iu ul dënimi për shkak të moshës dhe doli me 13 vjet. Xhaxhai im, Nazmiu, u dënua me 3 vjet. Plaçkitja ishte deri në palcë. Madje, Nazmiut i morën edhe librat që i kishte aq për zemër. Tri herë na bastisën, aq sa më ka qëlluar që kolltukët që kishim pasur t’i shikoja në Komitetin e Partisë, kur endesha për punë.
Sa kohë vazhdoi persekutimi?
Ndërsa dy nga tri vajzat mbetën të pamartuara për një kohë të gjatë, edhe nga mbesat, vetëm pak patën fatin të kenë fëmijë. Në kohën e komunizmit nuk mund të martoheshim, pasi ishim me biografi të keqe. Ose do të merrnim burrë të ve, ose do të qëndronim beqare, vetëm këto ishin zgjidhjet. Isha në vitin e parë të shkollës normale kur më përjashtuan, duke më thënë antikomuniste. Kam punuar për 7 vjet në kazmë, pasi nuk mund të vazhdoja shkollën. Vetëm pas 7 vjetëve u regjistrova në shkollë nate. Frika se do të përjashtohesha më bënte të strukesha sa herë që vinte ndonjë kontroll. Po kështu na përplasën në fshatrat më të largët si mësuese, pasi mbarova shkollën dhe asnjëherë nuk m’u dha mundësia të afrohesha, derisa dola në pension. Të njëjtin fat patën të gjithë pjesëtarët e familjes Baholli, kush më shumë dhe kush më pak.
Në familjen tuaj, Samiu, djali i Hyqmetit ishte përkrahësi më i afërt i Enverit. Sa ju ndihmoi kjo?
Aspak. Madje, ai e harroi ekzistencën tonë, duke mos u bërë shumë merak për ne. Megjithëse xhaxhai i tij u burgos, ai nuk u interesua asnjëherë për të është e vërtetë që ka qenë përkrahës, madje ka mbajtur poste të larta në presidium. Indiferenca ishte arma më e mirë për të ruajtur pozicionin e vet dhe kështu u bë. Ne për të nuk ekzistonim.
Si iu rikthye emri bibliotekës?
Deri në kohën kur në Shqipëri filluan zhvillimet demokratike, emri i bibliotekës ishte ende bibliotekë shtetërore. Më kujtohet një mbledhje e normalistëve në vitet e para të demokracisë. Mendova të kërkoj rivendosjen e emrit të bibliotekës. Duke iu drejtuar normalistëve, fola për emrin e bibliotekës. Duke më dëgjuar normalistët mbështetën fjalën time për ta rikthyer emrin "Qemal Baholli". Por u deshën edhe tre vjet që biblioteka të merrte emrin për të cilin ishte themeluar. Më kujtohet që Hyqmet Kotherja ka kërkuar pranë familjes sonë për të rivendosur emrin në bibliotekë me vendim të bashkisë. Nga ajo kohë biblioteka mban emrin "Qemal Baholli".
Ikbal Baholli e lodhur nga persekutimi
"E vetmja pronë e kthyer, shtëpia e vjetër"
Ikbal Baholli, në moshë të thyer, është e vetmja nga bijat e Nazif Bahollit që ka pësuar persekutimin dhe ka vuajtur përndjekjen, duke mos patur mundësinë të lërë as trashëgimtarë. Ajo jeton vetëm në një pjesë të shtëpisë së Bahollëve.
Shtëpi trekatëshe, karakteristike elbasanase u ndërtua në vitet '30 dhe ishte e vetmja e këtij lloji në Elbasan.
Sot Ikbali ka marrë shumë pak nga prona e saj, ndërsa pret që familjet që kanë zaptuar pjesën tjetër të ndërtesës të largohen. Ajo shprehet se është mjaft e indinjuar jo vetëm se ka vuajtur në kohën e komunizmit, por edhe se në ditët e demokracisë nuk është se ka fituar pronat që iu morën në komunizëm. Familja Baholli zotëronte një çiflig në Labinot së bashku me shtëpinë ku u themelua Shtabi i Përgjithshëm. Kjo shtëpi iu dha lëvizjen nacional-çlirimtare nga kjo familje që mori si shpërblim burgosjet, persekutimin dhe përndjekjen gjatë 50 vjetëve.
Por pronat e tjera ishin të shumta, pasi Nazif Baholli ishte ndër tregtarët më të mëdhenj të kohës dhe kishte vënë një pasuri të kënaqshme.
Aktualisht asnjë nga pjesëtarët e familjes nuk ka marrë pronën e tij. Një pjesë e tyre kanë shkuar jashtë, një pjesë janë plakur, ndërsa pjesa tjetër nuk kanë mundësi të kërkojnë në institucione kthimin e pronësisë.
Ikbali tregon se të vetmen gjë që morën është shtëpia trekatëshe, por edhe kjo nuk është bërë tërësisht e tyre, pasi disa persona nuk pranojnë të largohen nga aty, edhe pse nuk kanë asnjë të drejtë pronësie.
Pjesëtarët e familjes Baholli shprehen se edhe sot ata veç lirisë nuk kanë fituar asgjë nga demokracia. Të moshuar dhe me një vuajtje të trashëguar, pinjollët e familjes Baholli kujtojnë vetëm bibliotekën si të vetmen krenari që iu dhurua qytetit të Elbasanit.